KAPITULLI 11
«Të gjitha udhët e tij janë drejtësi»
1, 2. (a) Çfarë padrejtësish të mëdha iu bënë Jozefit? (b) Si i vuri në vend padrejtësitë Jehovai?
KJO ishte një padrejtësi e madhe. Ai i ri i pashëm s’kishte bërë asnjë krim, e megjithatë u gjend i mbyllur në një burg të nëndheshëm, nën akuzën e rreme për tentativë përdhunimi. Por nuk ishte hera e parë që atij i bëhej një padrejtësi. Vite më parë, kur ishte 17 vjeç, këtë të ri me emrin Jozef e kishin tradhtuar vëllezërit e tij, të cilët për pak sa s’e kishin vrarë. Më pas e kishin shitur si skllav në një vend të huaj. Atje kishte refuzuar propozimet e gruas së pronarit të tij. Kjo grua e refuzuar kishte shpikur akuzën e rreme, dhe për këtë arsye tani ai ndodhej në burg. Mjerisht, dukej sikur s’kishte asnjë njeri që mund të ndërhynte për Jozefin.
Jozefi vuajti në mënyrë të padrejtë «në një burg të nëndheshëm»
2 Mirëpo, Perëndia që «e do drejtësinë dhe të drejtën» po shikonte. (Psalmi 33:5) Jehovai veproi për t’i ndrequr padrejtësitë, duke i manovruar ngjarjet në mënyrë që më në fund Jozefi të lirohej. Përveç kësaj, Jozefin, këtë njeri që e kishin hedhur në «një burg të nëndheshëm» përfundimisht e vunë në një pozitë me shumë përgjegjësi dhe nder të jashtëzakonshëm. (Zanafilla 40:15; 41:41-43; Psalmi 105:17, 18) Në fund, Jozefi u shfajësua dhe e përdori pozitën e tij të lartë për të çuar përpara qëllimin e Perëndisë.—Zanafilla 45:5-8.
3. Pse është më se normale që të gjithë duam të na trajtojnë me drejtësi?
3 Ky tregim na prek në zemër të gjithëve, apo jo? Cili nga ne nuk ka parë padrejtësi ose nuk ka qenë viktimë e tyre? Vërtet, të gjithë dëshirojmë të na trajtojnë me drejtësi e paanshmëri. Kjo nuk na habit, sepse Jehovai na pajisi me cilësi që pasqyrojnë personalitetin e tij dhe drejtësia është një nga cilësitë e tij kryesore. (Zanafilla 1:27) Për ta njohur mirë Jehovain duhet të kuptojmë ndjenjën e drejtësisë që ka ai. Në këtë mënyrë, mund të vlerësojmë edhe më shumë udhët e tij të mrekullueshme e të shtyhemi që t’i afrohemi edhe më tepër.
Çfarë është drejtësia?
4. Si e kuptojnë shpesh njerëzit drejtësinë?
4 Ashtu si e kuptojnë njerëzit, drejtësia shpesh s’është asgjë më tepër se zbatimi siç duhet i rregullave të ligjit. Libri Right and Reason—Ethics in Theory and Practice (E drejta dhe arsyeja: Normat morale në teori e në praktikë) thotë se «drejtësia ka të bëjë me ligjin, detyrimin, të drejtat dhe detyrat; ajo i mat gjykimet e saj sipas barazisë ose meritës». Gjithsesi, drejtësia e Jehovait përfshin më shumë sesa zbatimin mekanik të rregullave nga ndjenja e detyrës ose nga detyrimi.
5, 6. (a) Cila është domethënia e fjalëve të gjuhës origjinale të përkthyera «drejtësi»? (b) Çfarë do të thotë që Perëndia është i drejtë?
5 Gjerësia dhe thellësia e drejtësisë së Jehovait mund të kuptohen më mirë duke shqyrtuar fjalët e gjuhës origjinale që u përdorën në Bibël. Në Shkrimet Hebraike përdoren tri fjalë kryesore. Fjala që përkthehet më shpesh «drejtësi» mund të përkthehet edhe «ajo që është e drejtë». (Zanafilla 18:25) Dy fjalët e tjera në përgjithësi përkthehen «e drejtë». Në Shkrimet e Krishtere Greke fjala e përkthyer «e drejtë» përkufizohet si «cilësia e të qenët i drejtë ose që e do drejtësinë». Prandaj në thelb nuk ka ndonjë dallim ndërmjet drejtësisë dhe së drejtës.—Amosi 5:24.
6 Kështu, kur Bibla thotë se Perëndia është i drejtë, po na thotë se ai bën çfarë është e drejtë e pa paragjykim dhe se e bën këtë vazhdimisht, pa treguar anshmëri. (Romakëve 2:11) Në të vërtetë, është e pamendueshme që ai të veprojë ndryshe. Elihu besnik tha: «Qoftë larg nga Perëndia i vërtetë të veprojë me ligësi dhe nga i Plotfuqishmi të veprojë me padrejtësi!» (Jobi 34:10) Është absolutisht e pamundur që Jehovai «të veprojë me padrejtësi». Pse? Për dy arsye të rëndësishme.
7, 8. (a) Pse Jehovai nuk është i zoti që të veprojë në mënyrë të padrejtë? (b) Çfarë e shtyn Jehovain që të jetë i drejtë në mënyrën si i trajton të tjerët?
7 Së pari, ai është i shenjtë. Siç e vumë re në kapitullin 3, Jehovai është pambarimisht i pastër e i ndershëm. Prandaj nuk është i zoti që të veprojë në mënyrë të padrejtë. Të mendojmë pak se çfarë do të thotë kjo. Shenjtëria e Atit tonë qiellor na jep çdo arsye për të besuar se ai nuk do t’i keqtrajtojë kurrë fëmijët e tij. Jezui kishte një siguri të tillë. Natën e fundit të jetës së tij në tokë, ai u lut: «Atë i shenjtë, ruaji për hir të emrit tënd [dishepujt] që më ke dhënë.» (Gjoni 17:11) Në Shkrime titulli «Atë i shenjtë» i drejtohet vetëm Jehovait. Kjo është e përshtatshme, pasi asnjë baba njerëzor nuk mund të krahasohet me Të për sa i përket shenjtërisë. Jezui kishte besim të plotë se dishepujt e tij do të ishin të sigurt në duart e Atit, i cili është krejtësisht i pastër dhe tërësisht i veçuar për sa i përket mëkatit.—Mateu 23:9.
8 Së dyti, dashuria altruiste është në vetë natyrën e Perëndisë. Kjo dashuri e shtyn atë që të jetë i drejtë në mënyrën si i trajton të tjerët. Kurse padrejtësia me format e saj të shumta, ku përfshihen racizmi, diskriminimi dhe anshmëria, shpesh lind nga lakmia dhe nga egoizmi, që janë të kundërtat e dashurisë. Për sa i përket Perëndisë së dashurisë, Bibla na siguron: «Jehovai është i drejtë; ai i do veprat e drejta.» (Psalmi 11:7) Jehovai thotë për veten e tij: «Unë, Jehovai, e dua drejtësinë.» (Isaia 61:8) A nuk është ngushëlluese të dimë se Perëndia ynë kënaqet duke bërë atë që është e drejtë?—Jeremia 9:24.
Mëshira dhe drejtësia e përsosur e Jehovait
9-11. (a) Ç’lidhje ka ndërmjet drejtësisë dhe mëshirës së Jehovait? (b) Si janë të dukshme drejtësia dhe mëshira e Jehovait në mënyrën si i trajton njerëzit mëkatarë?
9 Drejtësia e Jehovait, ashtu si çdo aspekt tjetër i personalitetit të tij të pashoq, është e përsosur, nuk i mungon asgjë. Duke e lavdëruar Jehovain, Moisiu shkroi: «Shkëmbi, e përsosur është vepra e tij, sepse të gjitha udhët e tij janë drejtësi. Një Perëndi besnikërie, tek i cili nuk ka padrejtësi; i drejtë dhe i ndershëm është ai.» (Ligji i përtërirë 32:3, 4) Çdo shprehje e drejtësisë së Jehovait është e patëmetë, asnjëherë tepër e butë e asnjëherë tepër e ashpër.
10 Ndërmjet drejtësisë dhe mëshirës së Jehovait ka një lidhje të ngushtë. Te Psalmi 116:5 thuhet: «Jehovai është hirmadh dhe i drejtë [«e do drejtësinë», The New American Bible]; Perëndia ynë është Një që tregon mëshirë.» Pikërisht, Jehovai është edhe i drejtë, edhe i mëshirshëm. Këto dy cilësi nuk janë në kundërshtim me njëra-tjetrën. Kur ai ushtron mëshirë nuk do të thotë që po zbut drejtësinë e tij, sikur kjo të ishte tepër e ashpër po të mos zbutej me mëshirën. Përkundrazi, këto dy cilësi shpesh ai i shfaq në të njëjtën kohë, e madje në të njëjtin veprim. Le të shqyrtojmë një shembull.
11 Të gjithë njerëzit kanë trashëguar mëkatin, e prandaj meritojnë dënimin e mëkatit, domethënë vdekjen. (Romakëve 5:12) Por Jehovai nuk kënaqet me vdekjen e mëkatarëve. Ai është «një Perëndi i faljeve, hirmadh dhe i mëshirshëm». (Nehemia 9:17) Gjithsesi, duke qenë i shenjtë, nuk mund ta tolerojë padrejtësinë. Atëherë, si mund t’u tregonte mëshirë njerëzve që janë mëkatarë nga natyra? Përgjigjja gjendet në një nga të vërtetat më të çmuara të Fjalës së Perëndisë. Kjo është masa që ka marrë Jehovai nëpërmjet shpërblesës, për shpëtimin e njerëzimit. Në kapitullin 14 do të mësojmë më shumë për këtë masë të dashur. Ajo është njëkohësisht edhe shumë e drejtë, edhe jashtëzakonisht e mëshirshme. Me anë të saj Jehovai mund të shprehë mëshirën e tij të butë ndaj mëkatarëve të penduar, ndërkohë që ruan normat e tij të drejtësisë së përsosur.—Romakëve 3:21-26.
Drejtësia e Jehovait të ngroh zemrën
12, 13. (a) Pse drejtësia e Jehovait na tërheq drejt tij? (b) Në cilin përfundim arriti Davidi për sa i përket drejtësisë së Jehovait dhe si mund të na ngushëllojë kjo?
12 Drejtësia e Jehovait nuk është një cilësi e ftohtë që na largon, por një cilësi e dashur që na tërheq drejt tij. Bibla e përshkruan me qartësi natyrën e dhembshur të drejtësisë së Jehovait. Le të shqyrtojmë disa mënyra prekëse se si e ushtron Jehovai drejtësinë e tij.
13 Drejtësia e përsosur e shtyn Jehovain që të tregojë besueshmëri dhe besnikëri ndaj shërbëtorëve të tij. Psalmisti David e provoi vetë këtë aspekt të drejtësisë së Jehovait. Në cilin përfundim arriti Davidi nga përvoja e tij dhe nga studimi i mënyrës se si vepron Perëndia? Ai shpalli: «Jehovai e do drejtësinë dhe nuk do t’i braktisë besnikët e tij. Në jetë të jetëve ata do të ruhen me siguri.» (Psalmi 37:28) Sa na ngushëllon ky premtim! Perëndia ynë nuk do t’i braktisë as edhe për një çast ata që i qëndrojnë besnikë. Prandaj mund të kemi besim të plotë se ai është afër nesh dhe kujdeset me dashuri për ne. Drejtësia e tij na e garanton këtë!—Proverbat 2:7, 8.
14. Si është i dukshëm në Ligjin që Jehovai i dha Izraelit interesimi i tij për nevojtarët?
14 Drejtësia hyjnore është e ndjeshme ndaj nevojave të njerëzve të munduar. Interesimi i Jehovait për nevojtarët duket në Ligjin që i dha Izraelit. Për shembull, në Ligj kishte masa të veçanta që siguronin mirëqenien e jetimëve dhe të vejushave. (Ligji i përtërirë 24:17-21) Duke e kuptuar se sa e vështirë mund të ishte jeta për këto familje, vetë Jehovai u bë Gjykatësi dhe Mbrojtësi i tyre atëror, ai që «çon në vend gjykimin për djalin pa baba e për vejushën».a (Ligji i përtërirë 10:18; Psalmi 68:5) Jehovai i paralajmëroi izraelitët se po të keqtrajtonin gratë dhe fëmijët e pambrojtur, do ta dëgjonte se s’bën klithmën e këtyre të fundit. Ai tha: «Zemërimi im do të ndizet.» (Dalja 22:22-24) Ndonëse zemërimi nuk është ndër cilësitë mbizotëruese të Jehovait, ai indinjohet me të drejtë nga aktet e qëllimshme të padrejtësisë, sidomos kur viktimë janë të varfrit dhe të pafuqishmit.—Psalmi 103:6.
15, 16. Cila është një dëshmi vërtet e jashtëzakonshme e paanshmërisë së Jehovait?
15 Jehovai na siguron edhe se «nuk trajton asnjë me anësi e as nuk pranon ryshfet». (Ligji i përtërirë 10:17) Ndryshe nga shumë njerëz me fuqi ose pushtet, Jehovai nuk ndikohet nga pasuria ose nga pamja e jashtme. Ai nuk ka paragjykime e nuk mban me hatër. Të shqyrtojmë një dëshmi vërtet të jashtëzakonshme të paanshmërisë së Jehovait. Mundësia për t’u bërë adhuruesit e tij të vërtetë me shpresën për jetën e pafundme nuk është e kufizuar vetëm për një pakicë të zgjedhur. Përkundrazi, «në çdo komb njeriu që i frikësohet atij dhe praktikon drejtësinë është për të i pranueshëm». (Veprat 10:34, 35) Kjo mundësi e mrekullueshme është në dispozicion për të gjithë, pavarësisht nga pozita në shoqëri, nga ngjyra e lëkurës ose nga vendi në të cilin jetojnë. A nuk është kjo forma më e lartë e drejtësisë së vërtetë?
16 Ekziston edhe një aspekt tjetër i drejtësisë së përsosur të Jehovait që e meriton ta shqyrtojmë e ta respektojmë: mënyra se si i trajton ata që shkelin normat e tij të drejta.
Nuk lë pa ndëshkuar
17. Shpjego pse padrejtësitë e kësaj bote nuk e vënë aspak në dyshim drejtësinë e Jehovait.
17 Disa mund të pyesin: ‘Meqë Jehovai nuk e toleron padrejtësinë, si shpjegohen vuajtjet e padrejta dhe praktikat e korruptuara që në botën e sotme janë më se të zakonshme?’ Këto padrejtësi nuk e vënë aspak në dyshim drejtësinë e Jehovait. Padrejtësitë e shumta në këtë botë të ligë janë pasojë e mëkatit që njerëzit e kanë trashëguar nga Adami. Në një botë ku njerëzit e papërsosur kanë zgjedhur të ndjekin rrugët mëkatare ka padrejtësi pa fund, por nuk do të jetë kështu edhe për shumë kohë.—Ligji i përtërirë 32:5.
18, 19. Çfarë tregon se Jehovai nuk do t’i tolerojë përgjithmonë ata që i shkelin me dashje ligjet e tij të drejta?
18 Ndonëse Jehovai u tregon shumë mëshirë atyre që i afrohen sinqerisht, ai nuk do ta tolerojë përgjithmonë një gjendje që sjell sharje mbi emrin e tij të shenjtë. (Psalmi 74:10, 22, 23) Perëndia i drejtësisë nuk vihet në lojë e nuk do t’i mbrojë mëkatarët e vullnetshëm nga gjykimi i pafavorshëm që meritojnë për shkak të sjelljes së tyre. Jehovai është «një Perëndi i mëshirshëm dhe hirmadh, i ngadalshëm në zemërim dhe plot me dashamirësi e të vërtetë, . . . por në asnjë mënyrë ai nuk lë pa ndëshkuar». (Dalja 34:6, 7) Në vërtetim të këtyre fjalëve, disa herë Jehovai e ka parë të nevojshme të ekzekutojë gjykimin mbi ata që i shkelin me dashje ligjet e tij të drejta.
19 Le të marrim për shembull marrëdhëniet e Perëndisë me Izraelin e lashtë. Edhe kur u vendosën në Tokën e Premtuar, izraelitët vazhdimisht u treguan jobesnikë. Ndonëse rrugët e tyre të korruptuara «e lëndonin», Jehovai nuk i hodhi poshtë menjëherë. (Psalmi 78:38-41) Përkundrazi, me mëshirë u dha mundësi që të ndryshonin sjelljen e tyre. Ai iu lut: «Nuk gjej kënaqësi në vdekjen e të ligut, por në atë që një i lig të kthehet nga rruga e tij dhe të vazhdojë të jetojë. Kthehuni, kthehuni nga rrugët tuaja të këqija, pse duhet të vdisni, o shtëpi e Izraelit?» (Ezekieli 33:11) Duke e parë jetën si të çmuar, Jehovai vazhdimisht dërgoi profetët e tij, me qëllim që izraelitët të ktheheshin nga rrugët e tyre të këqija. Por, në përgjithësi, ata njerëz zemërgur nuk pranuan të dëgjonin e të pendoheshin. Përfundimisht, për hir të emrit të tij të shenjtë dhe të gjithçkaje që përfaqëson ky emër, Jehovai i dha në duart e armiqve të tyre.—Nehemia 9:26-30.
20. (a) Çfarë na mësojnë për Jehovain marrëdhëniet e tij me Izraelin? (b) Pse luani është simbol i përshtatshëm i drejtësisë së Jehovait?
20 Marrëdhëniet e Jehovait me Izraelin na mësojnë shumë për Të. Mësojmë se sytë e tij që shohin gjithçka e vërejnë padrejtësinë dhe ai ndikohet thellë nga ajo që sheh. (Proverbat 15:3) Qetësohemi edhe ngaqë dimë se ai përpiqet të tregojë mëshirë, nëse ka një bazë për ta bërë këtë. Përveç kësaj, mësojmë se zbatimi i drejtësisë së tij nuk është kurrë i nxituar. Për shkak të durimit dhe të shpirtgjerësisë së Jehovait shumë njerëz gabimisht nxjerrin përfundimin se ai nuk do ta ekzekutojë kurrë gjykimin kundër të ligjve. Por kjo s’është aspak e vërtetë, sepse marrëdhëniet e Perëndisë me Izraelin na mësojnë edhe që durimi hyjnor ka kufi. Jehovai është i vendosur që të mbështetë drejtësinë. Ndryshe nga njerëzit, të cilët shpesh ngurrojnë të veprojnë me drejtësi, atij nuk i mungon asnjëherë guximi për të mbrojtur atë që është e drejtë. Në mënyrë të përshtatshme, luani, simbol i drejtësisë së guximshme, lidhet me praninë dhe fronin e Perëndisë.b (Ezekieli 1:10; Zbulesa 4:7) Prandaj mund të jemi të sigurt se Jehovai do ta përmbushë premtimin e tij për ta zhdukur padrejtësinë nga toka. Po, mënyra se si gjykon ai mund të përmblidhet me këto fjalë: vendosmëri aty ku është e nevojshme, mëshirë sa herë që është e mundur.—2 Pjetrit 3:9.
T’i afrohemi Perëndisë së drejtësisë
21. Kur meditojmë se si e ushtron Jehovai drejtësinë, si duhet të mendojmë për të dhe përse?
21 Kur meditojmë si e ushtron Jehovai drejtësinë, nuk duhet të mendojmë për të si për një gjykatës të rreptë e të ftohtë, të cilit i intereson vetëm të japë gjykimin mbi keqbërësit. Përkundrazi, duhet ta mendojmë si një Atë të dashur, por të vendosur, i cili vepron me fëmijët e tij gjithnjë në mënyrën më të mirë që është e mundur. Si një Atë i drejtë, Jehovai e drejtpeshon vendosmërinë për atë që është e drejtë me dhembshurinë e butë ndaj fëmijëve të tij tokësorë, të cilët kanë nevojë për ndihmën dhe për faljen e tij.—Psalmi 103:10, 13.
22. Cilën shpresë na ka bërë të mundur Jehovai, i udhëhequr nga drejtësia e tij, dhe pse ai na trajton në këtë mënyrë?
22 Sa mirënjohës mund të jemi që drejtësia hyjnore përfshin shumë më tepër sesa vetëm ndëshkimin e keqbërësve! I udhëhequr nga drejtësia e tij, Jehovai na ka bërë të mundur që të kemi një shpresë vërtet entuziazmuese: jetën e përsosur e të pafundme në një botë ku «ka për të banuar drejtësia». (2 Pjetrit 3:13) Perëndia ynë na trajton në këtë mënyrë sepse drejtësia kërkon shpëtimin dhe jo dënimin. Është e vërtetë që duke kuptuar më mirë çfarë përfshin drejtësia e Jehovait tërhiqemi drejt tij. Në kapitujt vijues do të shqyrtojmë më nga afër se si e shpreh Jehovai këtë cilësi të shkëlqyeshme.
a Ndonëse fjala hebraike e përkthyer «djalë pa baba» është në gjininë mashkullore, kjo nuk tregon aspak mungesën e interesimit për vajzat. Jehovai përfshiu në Ligj tregimin për një vendim gjyqësor që u garantoi trashëgiminë vajzave të Zelofehadit, që kishin mbetur pa baba. Ai vendim krijoi një precedent, duke mbrojtur në këtë mënyrë të drejtat e vajzave pa baba.—Numrat 27:1-8.
b Është interesante që Jehovai e krahason veten me një luan kur ekzekuton gjykimin mbi Izraelin jobesnik.—Jeremia 25:38; Hozea 5:14.