Fjala e Jehovait është e gjallë
Pika kryesore nga libri i Ligjit të përtërirë
ËSHTË viti 1473 p.e.s. Kanë kaluar 40 vjet që kur Jehovai i çliroi bijtë e Izraelit nga skllavëria egjiptiane. Pasi kanë qenë tërë këto vite në shkretëtirë, izraelitët si komb nuk kanë ende tokë. Por, më në fund janë në prag të Tokës së Premtuar. Çfarë i pret ndërsa do të marrin në zotërim këtë tokë? Çfarë problemesh do të hasin dhe si duhet t’i zgjidhin?
Para se izraelitët të kalojnë lumin Jordan për të hyrë në vendin e Kanaanit, Moisiu i përgatit për punën e vështirë që i pret. Si e bën këtë? Me anë të disa fjalimeve që përmbajnë nxitje, thirrje, këshilla dhe paralajmërime, ai u kujton izraelitëve se Perëndia Jehova meriton përkushtim të veçantë dhe se nuk duhet të ndjekin rrugët e kombeve fqinje. Këto fjalime përbëjnë pjesën kryesore të librit biblik të Ligjit të përtërirë. Këshillat që jepen aty janë pikërisht ato që na duhen sot, sepse edhe ne jetojmë në një botë ku është shumë e vështirë t’i japim Jehovait përkushtimin tonë të veçantë.—Hebrenjve 4:12.
Ligji i përtërirë, i shkruar nga Moisiu (përveç kapitullit të fundit), përfshin një periudhë prej pak më shumë se dy muajsh.a (Ligji i përtërirë 1:3; Josiu 4:19) Le të shohim si mund të na ndihmojnë fjalët e këtij libri që ta duam me gjithë zemër Perëndinë Jehova dhe t’i shërbejmë atij me besnikëri.
‘MOS I HARRONI GJËRAT QË SYTË TUAJ KANË PARË’
Në fjalimin e parë, Moisiu tregon me hollësi disa përvoja që u ndodhën në shkretëtirë, sidomos ato që do t’u duhen izraelitëve, ndërsa përgatiten të marrin në zotërim Tokën e Premtuar. Tregimi për zgjedhjen e gjykatësve duhet t’u ketë sjellë ndër mend atyre se Jehovai e organizon popullin e tij në një mënyrë që për ta të tregohet kujdes i dashur. Gjithashtu, Moisiu tregon për raportin e keq të dhjetë vëzhguesve, që çoi në ndëshkimin e brezit të mëparshëm për të mos hyrë në tokën e premtuar. Mendoni për ndikimin që duhet të ketë pasur te dëgjuesit e Moisiut ky shembull paralajmërues, tani që kjo tokë shtrihej para tyre.
Rikujtimi i fitoreve, që Jehovai u kishte dhënë bijve të Izraelit para se të kalonin lumin Jordan, duhet t’u ketë dhënë atyre guxim ndërsa bëheshin gati për të filluar pushtimin në anën tjetër të lumit. Toka që do të pushtonin ishte e mbushur me idhujtari. Sa me vend ishte paralajmërimi i fortë që dha Moisiu kundër adhurimit të idhujve!
Përgjigjet e pyetjeve biblike:
2:4-6, 9, 19, 24, 31-35; 3:1-6—Pse izraelitët i shfarosën disa popuj që jetonin në lindje të Jordanit, por jo të tjerët që jetonin në të njëjtën zonë? Jehovai e urdhëroi Izraelin të mos luftonte me bijtë e Esaut. Pse? Sepse këta ishin pasardhës të vëllait të Jakobit. Izraelitët nuk duhej të ngacmonin ose të luftonin moabitët dhe amonitët, sepse këta ishin pasardhës të Lotit, nipit të Abrahamit. Kurse mbretërit amoritë Sihoni dhe Ogu nuk kishin ndonjë lidhje me izraelitët, prandaj s’kishin të drejtë të mbanin në zotërim tokën që kishin. Kështu, kur Sihoni nuk pranoi t’i linte izraelitët që të kalonin përmes vendit të tij dhe kur Ogu doli për t’i sulmuar, Jehovai i urdhëroi izraelitët që t’i shkatërronin qytetet e tyre, duke mos lënë asnjë të mbijetuar.
4:15-20, 23, 24—A nënkupton ndalimi i bërjes së shëmbëlltyrave të gdhendura se është e gabuar të bësh paraqitje të objekteve për arsye artistike? Jo. Këtu ndalimi ishte kundër bërjes së shëmbëlltyrave për adhurim, kundër ‘rënies përmbys përpara idhujve dhe shërbimit të tyre’. Shkrimet nuk e ndalojnë gdhendjen e skulpturave ose pikturat për qëllime artistike.—1 Mbretërve 7:18, 25.
Mësime për ne:
1:2, 19. Bijtë e Izraelit u endën në shkretëtirë për rreth 38 vjet, ndonëse Kadesh-Barnea ishte vetëm «njëmbëdhjetë ditë rrugë nga mali Horeb [rajoni malor përreth malit Sinai ku u dhanë Dhjetë Urdhërimet], duke ndjekur rrugën e malit Seir». Çfarë çmimi të rëndë paguan ngaqë nuk iu bindën Perëndisë Jehova!—Numrat 14:26-34.
1:16, 17. Normat e Perëndisë për sa i përket gjykimit janë të njëjta edhe sot. Ata të cilëve u besohet përgjegjësia për të shërbyer në një komitet gjyqësor, nuk duhet të lejojnë që mbajtja me hatër ose frika ndaj njeriut t’ua shtrembërojë gjykimin.
4:9. Për të pasur sukses, ishte thelbësore që Izraeli ‘të mos i harronte gjërat që sytë e tij kishin parë’. Ndërsa bota e re e premtuar afrohet, edhe për ne është thelbësore që të jemi gjithnjë të përqendruar në veprat e mrekullueshme të Jehovait, duke qenë studiues të zellshëm të Fjalës së tij.
DUAJENI JEHOVAIN DHE BINDJUNI URDHËRIMEVE TË TIJ
Në fjalimin e dytë, Moisiu flet për Ligjin që u dha në malin Sinai dhe përsërit edhe një herë Dhjetë Urdhërimet. Përmend në mënyrë të veçantë shtatë kombe që duhen shfarosur krejtësisht. Ai u kujton bijve të Izraelit një mësim të rëndësishëm që morën në shkretëtirë: «Njeriu nuk rron vetëm me bukë, por rron me çdo fjalë që del nga goja e Zotit.» Në situatën e re që do të gjenden, duhet ‘t’i respektojnë tërë urdhërimet’.—Ligji i përtërirë 8:3; 11:8.
Kur të vendosen me banim në tokën e premtuar, izraelitët do të kenë nevojë për ligje jo vetëm në lidhje me adhurimin, por edhe me gjykimin, me qeverisjen, me luftën dhe me jetën e përditshme si individë dhe në shoqëri. Moisiu i rishikon këto ligje dhe u thekson nevojën për ta dashur Jehovain dhe për t’iu bindur urdhërimeve të tij.
Përgjigjet e pyetjeve biblike:
8:3, 4—Si ndodhi që izraelitëve nuk iu konsumuan rrobat dhe nuk iu ënjtën këmbët gjatë udhëtimit nëpër shkretëtirë? Kjo u arrit me anë të një mrekullie, siç kishte ndodhur edhe me manën, që u sigurohej rregullisht. Izraelitët përdorën të njëjtat veshje të trupit e të këmbëve që kishin kur u nisën për udhëtim, ndoshta duke ua kaluar këto veshje të tjerëve ndërsa fëmijët rriteshin dhe të rriturit vdisnin. Sipas dy regjistrimeve që u bënë, njëri në fillim e tjetri në fund të udhëtimit në shkretëtirë, numri i izraelitëve nuk u shtua, kështu që sasia fillestare e veshjeve dhe e sandaleve do të kishte qenë e mjaftueshme.—Numrat 2:32; 26:51.
14:21—Pse izraelitët mund t’ia jepnin një banori të huaj ose t’ia shitnin një të huaji tjetër një kafshë të ngordhur që e kishte gjakun brenda, por që vetë izraelitët nuk e hanin? Në Bibël, termi ‘banor i huaj’ mund të përdorej për një joizraelit që bëhej prozelit ose për një vendës që jetonte sipas ligjeve kryesore të vendit, por që nuk bëhej adhurues i Jehovait. Të huajt, qoftë banorë, qoftë të tjerë, që nuk bëheshin prozelitë, nuk ishin nën Ligj dhe mund t’i përdornin në shumë mënyra kafshët e ngordhura që e kishin gjakun brenda. Izraelitët lejoheshin që t’ua shitnin këto kafshë të huajve. Kurse prozelitët duhej të zbatonin besëlidhjen e Ligjit. Siç tregohet te Levitiku 17:10, këtyre të fundit u ndalohej të hanin gjakun e kafshëve.
24:6—Pse të merrje peng «gurin e mokrës» ishte si të merrje peng «jetën» e dikujt? Guri i mokrës dhe vetë mokra paraqitnin ‘jetën’ ose mjetet e jetesës së dikujt. Po t’ia merrje peng këto, do ta lije gjithë familjen pa bukën e asaj dite.
25:9—Ç’kuptim ka t’i hiqje sandalen dhe ta pështyje në fytyrë njeriun që nuk pranonte të kryente martesën e kunatit? Sipas ‘zakonit në kohërat e kaluara në Izrael lidhur me të drejtën e shpengimit, personi hiqte sandalen dhe ia jepte tjetrit’. (Rutha 4:7) Kështu, duke i hequr sandalen burrit që nuk pranonte të kryente martesën e kunatit, vërtetohej se ai kishte hequr dorë nga pozita e tij dhe nga e drejta për t’i dhënë trashëgimtar vëllait të tij që kishte vdekur. Kjo ishte një gjë e turpshme. (Ligji i përtërirë 25:10) Ndërsa ta pështyje në fytyrë ishte një akt poshtërimi.—Numrat 12:14.
Mësime për ne:
6:6-9. Ashtu siç ishin urdhëruar izraelitët që të njihnin Ligjin edhe ne duhet t’i njohim ligjet e Perëndisë shumë mirë, t’i mbajmë mend gjithnjë dhe t’ua ngulitim fëmijëve tanë. Duhet ‘t’i lidhim si një shenjë në dorë’ në kuptimin që veprimet tona (të përfaqësuara nga duart) duhet të tregojnë se i bindemi Jehovait. Gjithashtu, ‘si shiritat midis syve’, bindja jonë duhet të jetë e dukshme për të gjithë.
6:16. Kurrë të mos e tundojmë ose ta vëmë në provë Jehovain, siç bënë izraelitët jobesnikë në Masa, ku murmuritën se s’kishte ujë.—Eksodi 17:1-7.
8:11-18. Materializmi mund të na bëjë ta harrojmë Jehovain.
9:4-6. Duhet të ruhemi që të mos zhvillojmë ndjenjën e drejtësisë së tepruar.
13:6. Nuk duhet të lejojmë askënd që të na largojë nga adhurimi i Jehovait.
14:1. Gjymtimi i vetvetes tregon mungesë respekti për trupin e njeriut, mund të ketë lidhje me fenë e rreme dhe duhet shmangur. (1 Mbretërve 18:25-28) Shpresa e ringjalljes e bën të papërshtatshme një shprehje të tillë ekstreme të hidhërimit për një të vdekur.
20:5-7; 24:5. Duhet treguar konsideratë për ata që kanë rrethana të veçanta, edhe sikur puna në atë çast të jetë e rëndësishme.
22:23-27. Një nga mjetet më të efektshme për t’u mbrojtur që ka një grua kur kërcënohet me përdhunim është të bërtasë.
‘ZGJIDH JETËN’
(Ligji i përtërirë 27:1–34:12)
Në fjalimin e tretë, Moisiu thotë se pasi të kalojnë Jordanin, izraelitët duhet ta shkruajnë Ligjin në gurë të mëdhenj dhe të shpallin mallkime për ata që nuk binden dhe bekime për ata që binden. Fjalimi i katërt fillon me përtëritjen e besëlidhjes ndërmjet Jehovait dhe Izraelit. Moisiu paralajmëron edhe një herë kundër mosbindjes, dhe i bën thirrje popullit ‘të zgjedhë jetën’.—Ligji i përtërirë 30:19.
Përveç këtyre katër fjalimeve, Moisiu u flet edhe për udhëheqësin e ri, dhe u mëson izraelitëve një këngë të bukur ku thur lavdi për Jehovain e paralajmëron për mjerimet që do të vijnë si pasojë e mosbesnikërisë. Pasi i bekon fiset, Moisiu vdes në moshën 120-vjeçare dhe varroset. Periudha që mbajnë zi zgjat 30 ditë, pothuajse gjysmën e kohës që përfshin Ligji i përtërirë.
Përgjigjet e pyetjeve biblike:
32:13, 14, BR—Çfarë kuptimi ka që izraelitët do të hanin «dhjamin e deshve», duke pasur parasysh se u ndalohej ta hanin dhjamin? Kjo shprehje këtu është përdorur në mënyrë të figurshme dhe nënkupton pjesën më të mirë të kopesë. Që është një gjuhë poetike e tregon fakti se në të njëjtin varg flitet për «dhjamin e veshkave të grurit» dhe për «gjakun e rrushit».
33:1-29—Pse Simeoni nuk u përmend në mënyrë specifike kur Moisiu bekoi bijtë e Izraelit? Kjo ndodhi sepse Simeoni, së bashku me Levin, kishin vepruar ‘me egërsi’ dhe zemërimi i tyre ishte «mizor». (Zanafilla 34:13-31; 49:5-7) Trashëgimia e tyre nuk ishte njësoj me trashëgiminë e fiseve të tjera. Levi mori 48 qytete, kurse pjesa e Simeonit ishte brenda territorit të Judës. (Jozueu 19:9; 21:41, 42) Prandaj Moisiu nuk e bekoi në mënyrë specifike Simeonin. Megjithatë, bekimi i Simeonit u përfshi në bekimin e përgjithshëm që iu dha Izraelit.
Mësime për ne:
31:12. Fëmijët e vegjël duhet të rrinë ulur bashkë me të rriturit në mbledhjet e kongregacionit dhe të përpiqen të dëgjojnë e të mësojnë.
32:4. Të gjitha veprat e Jehovait janë të përsosura në kuptimin që ai i shpreh në ekuilibër të përsosur cilësitë e drejtësisë, mençurisë, dashurisë dhe fuqisë.
Me shumë vlerë për ne
Ligji i përtërirë thotë se Jehovai është «një i vetëm». (Ligji i përtërirë 6:4) Ky libër flet për një popull që kishte një marrëdhënie të veçantë me Perëndinë. Gjithashtu, Ligji i përtërirë jep paralajmërime kundër idhujtarisë dhe thekson nevojën për t’i dhënë përkushtim të veçantë Perëndisë së vërtetë.
Sigurisht që Ligji i përtërirë është shumë i dobishëm për ne. Edhe pse nuk jemi nën Ligj, prej tij mund të mësojmë shumë gjëra që do të na ndihmojnë ‘ta duam Zotin, Perëndinë tonë me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me tërë forcën tonë’.—Ligji i përtërirë 6:5.
[Shënimi]
a Kapitullin e fundit, në të cilin është dokumentuar vdekja e Moisiut, mund ta ketë shtuar Josiu ose kryeprifti Eleazar.
[Harta në faqen 24]
(Për tekstin e formatuar, shih botimin)
SEIR
Kadesh-Barnea
M. Sinai (Horeb)
Deti i Kuq
[Burimi]
Bazuar në hartat me të drejtë autori nga Pictorial Archive (Near Eastern History) Est. and Survey of Israel
[Figura në faqen 24]
Fjalimet e Moisiut përbëjnë pjesën kryesore të Ligjit të përtërirë
[Figura në faqen 26]
Çfarë mësimi nxjerrim nga mana që siguroi Jehovai?
[Figura në faqen 26]
Të merrje peng gurin e mokrës ose vetë mokrën ishte si të merrje peng ‘jetën’ e dikujt