Pranoje Biblën ashtu siç është në të vërtetë
«Edhe ne e falenderojmë pa pushim Perëndinë, se kur ju keni marrë nga ne fjalën e Perëndisë, e pritët atë jo si fjalë njerëzish, por, sikurse është me të vërtetë, si fjalë Perëndie, që vepron ndër ju që besoni.»—1. SELANIKASVE 2:13.
1. Cilat informacione e bëjnë Biblën një libër vërtet të shquar?
BIBLA e Shenjtë është libri më i përkthyer dhe më i përhapur në botë. Pranohet pa frikë si një nga veprat më të mëdha të letërsisë. Megjithatë, më e rëndësishmja është se Bibla siguron udhëheqjen që i nevojitet me ngut njerëzve të çdo race dhe çdo kombi, pavarësisht nga pozita e tyre në jetë dhe nga fakti se me se merren. (Zbulesa 14:6, 7) Në një mënyrë të tillë që të kënaq mendjen dhe zemrën bashkë, Bibla u përgjigjet pyetjeve të tilla, si: Kush është qëllimi i jetës njerëzore? (Zanafilla 1:28; Zbulesa 4:11) Përse qeveritë e njerëzimit nuk kanë mundur të sjellin paqe dhe siguri të qëndrueshme? (Jeremia 10:23; Zbulesa 13:1, 2) Përse njerëzit vdesin? (Zanafilla 2:15-17; 3:1-6; Romakëve 5:12) Si mund t’i përballojmë me sukses problemet e jetës në këtë botë të turbulluar? (Psalmi 119:105; Proverbat 3:5, 6) Çfarë na ofron e ardhmja?—Danieli 2:44; Zbulesa 21:3-5.
2. Përse Bibla u siguron përgjigje plotësisht të besueshme pyetjeve tona?
2 Përse Bibla u përgjigjet këtyre pyetjeve në mënyrë kaq autoritare? Sepse është Fjala e Perëndisë. Ai përdori njerëzit për ta shkruar, por siç thuhet qartë në 2. Timoteut 3:16, «i gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia». Ajo nuk është prodhim i interpretimit privat të ngjarjeve njerëzore. «Sepse asnjë profeci [shpallje të gjërave që do të vijnë, urdhra hyjnore, norma morale të Biblës] nuk ka ardhur nga vullneti i njeriut, por njerëzit e shenjtë të Perëndisë kanë folur, të shtyrë nga Fryma e Shenjtë.»—2. Pjetrit 1:21.
3. (a) Jep shembuj që tregojnë se sa shumë është çmuar Bibla nga njerëz të vendeve të ndryshme. (b) Përse disa persona ishin të gatshëm të rrezikonin jetën për të lexuar Shkrimet?
3 Duke çmuar vlerën e Biblës, nuk janë pak ata që kanë rrezikuar burgun, madje edhe vdekjen për ta pasur dhe për ta lexuar atë. Më parë, ndodhi kështu në Spanjën katolike, ku kleri kishte frikë se mos ndikimi i tij dobësohej, nëse njerëzit e lexonin Biblën në gjuhën e tyre; ndodhi gjithashtu në Shqipëri, ku u morën masa të ashpra nën regjimin ateist, për t’i dhënë fund gjithë ndikimit fetar. Megjithatë, individë me frikë Perëndie ruajtën kopje nga Shkrimet, i lexuan dhe folën për to me të tjerët. Gjatë Luftës II Botërore, në kampin e përqendrimit në Zaksenhauzen, një Bibël u kalua me kujdes nga njëra qeli në tjetrën (megjithëse ishte e ndaluar) dhe kujt i binte në dorë fiksonte përmendësh pjesë për t’ua thënë të tjerëve. Gjatë viteve ’50, në atë që ishte Gjermania Lindore komuniste, Dëshmitarët e Jehovait të burgosur për shkak të besimit të tyre, rrezikonin izolim të zgjatur, kur i kalonin njëri-tjetrit pjesë të vogla të Biblës për t’i lexuar natën. Përse e bënin këtë? Sepse e pranonin se Bibla është Fjala e Perëndisë dhe e dinin se «njeriu nuk rron vetëm me bukë», por nga «çdo fjalë që del nga goja e Zotit». (Ligji i përtërirë 8:3) Këto shprehje të regjistruara në Bibël, u dhanë mundësi atyre Dëshmitarëve të mbaheshin gjallë frymësisht, pavarësisht nga mizoritë e pabesueshme të cilave u nënshtroheshin.
4. Çfarë vendi duhet të zërë Bibla në jetën tonë?
4 Bibla nuk është një libër që vetëm mbahet në raft për t’u konsultuar ndonjëherë në të rrallë e as për t’u përdorur vetëm kur bashkëbesimtarët mblidhen për adhurim. Ajo duhet përdorur çdo ditë për të hedhur dritë mbi situatat që ne përballojmë dhe për të na treguar rrugën e drejtë në të cilën duhet të ecim.—Psalmi 25:4, 5.
E bërë për t’u lexuar e kuptuar
5. (a) Aq sa është e mundur, çfarë duhet të ketë secili prej nesh? (b) Si ia bënin njerëzit në Izraelin e lashtë për të mësuar se çfarë thoshin Shkrimet? (c) Si ndikon në qëndrimin tënd kundrejt leximit të Biblës Psalmi 19:7-11?
5 Sot, kopjet e Biblës disponohen pa vështirësi në shumë vende dhe ne nxisim çdo lexues të Kullës së Rojës të marrë një kopje. Gjatë kohës kur u shkrua Bibla, nuk ka pasur shtypshkronja. Përgjithësisht njerëzit nuk kishin një kopje personale. Por Jehovai mori masa që shërbëtorët e tij ta dëgjonin atë që ishte shkruar. Kështu, Të Dalët 24:7 thotë se pasi Moisiu kishte shkruar atë që Jehovai i kishte diktuar, ai «mori librin e besëlidhjes dhe ia lexoi popullit». Duke qenë dëshmitarë të shfaqjeve të mbinatyrshme në malin Sinai, ata pranuan se ajo që Moisiu u lexonte ishte nga Perëndia dhe ata duhej ta njihnin këtë informacion. (Të Dalët 19:9, 16-19; 20:22) Edhe ne duhet të njohim atë që është shkruar në Fjalën e Perëndisë.—Psalmi 19:7-11.
6. (a) Çfarë bëri Moisiu para se Izraeli të hynte në Tokën e Premtuar? (b) Si mund ta imitojmë shembullin e Moisiut?
6 Ndërsa kombi i Izraelit përgatitej të kalonte lumin Jordan për të hyrë në Tokën e Premtuar, duke lënë kështu pas jetën e tyre endacake në shkretëtirë, ishte e përshtatshme nga ana e tyre të rishikonin Ligjin e Jehovait dhe marrëdhëniet e tij me ta. Të nxitur nga fryma e Perëndisë, Moisiu rishikoi Ligjin me ta. Ai u kujtoi atyre hollësitë e Ligjit dhe theksoi parimet dhe qëndrimet themelore që duhej të ndikonin marrëdhënien e tyre me Jehovain. (Ligji i përtërirë 4:9, 35; 7:7, 8; 8:10-14; 10:12, 13) Sot, kur na besohen caktime të reja ose ndeshemi me situata të reja në jetë, edhe ne bëjmë mirë të shqyrtojmë se si ndikojnë këshillat nga Shkrimet mbi atë që po bëjmë.
7. Çfarë u bë për të ngulitur Ligjin e Jehovait në mendjet dhe zemrat e izraelitëve pak kohë pasi ata kaluan Jordanin?
7 Pak kohë pasi Izraeli kishte kaluar lumin Jordan, populli u mblodh përsëri për të rishikuar atë që Jehovai i kishte thënë përmes Moisiut. Kombi u mblodh rreth 50 km në veri të Jeruzalemit. Gjysma e fiseve ishte përballë malit Ebal dhe gjysma përballë malit Gerizim. Atje Josiu «lexoi tërë fjalët e ligjit, bekimet dhe mallkimet». Kështu, burra, gra e fëmijë bashkë me banorë të huaj, dëgjuan një përsëritje të përshtatshme të ligjeve që tregonin se çfarë qëndrimi do të binte mbi ta nga mosaprovimi i Jehovait dhe bekimet që do të merrnin, nëse i bindeshin Jehovait. (Josiu 8:34, 35) Ata duhej të kishin të qartë në mendje se çfarë është e mirë dhe çfarë e keqe nga pikëpamja e Jehovait. Për më tepër, ata duhej të gdhendnin në zemrat e tyre dashurinë për atë që është e mirë dhe urrejtjen për atë që është e keqe, siç bën secili prej nesh sot.—Psalmi 97:10; 119:103, 104; Amosi 5:15.
8. Cila ishte dobia e leximit periodik të Fjalës së Perëndisë në disa asamble kombëtare të Izraelit?
8 Përveç leximit të Ligjit në këto raste historike, në Ligjin e përtërirë 31:10-12 është theksuar një masë e marrë për leximin e rregullt të Fjalës së Perëndisë. Çdo vit të shtatë, i gjithë kombi duhej të mblidhej për të dëgjuar leximin e Fjalës së Perëndisë. Kjo u siguronte atyre ushqim frymor. U mbante gjallë në mendje dhe në zemër premtimet mbi Farën e kështu shërbente për t’i drejtuar besnikët drejt Mesisë. Masat për ushqim frymor që ishin marrë kur Izraeli ishte në shkretëtirë, nuk morën fund kur hynë në Tokën e Premtuar. (1. Korintasve 10:3, 4) Përkundrazi, Fjala e Perëndisë ishte pasuruar duke futur në të zbulimet e mëtejshme të profetëve.
9. (a) Izraelitët i lexonin Shkrimet vetëm kur mblidheshin në grupe të mëdha? Shpjego. (b) Në ç’mënyrë jepeshin udhëzimet nga Shkrimet në gjirin e familjes dhe me çfarë synimi?
9 Rishikimi i këshillave në Fjalën e Perëndisë nuk duhej kufizuar vetëm atëherë kur njerëzit mblidheshin në grupe të mëdha. Çdo ditë duheshin diskutuar pjesë nga Fjala e Perëndisë dhe parimet e mishëruara në to. (Ligji i përtërirë 6:4-9) Në shumë vende sot, të rinjtë kanë mundësi të kenë një kopje personale të Biblës dhe është shumë e dobishme për ta të bëjnë kështu. Ndërsa në Izraelin e lashtë kjo nuk ishte e mundur. Në atë kohë, kur prindërit jepnin udhëzime nga Fjala e Perëndisë, ata duhej të tregonin ato që kishin fiksuar në mendje dhe të vërtetat që kishin ruajtur në zemër, bashkë me çdo copëz të vogël që mund të kishin shkruar personalisht. Me përsëritje të vazhdueshme, ata përpiqeshin të kultivonin tek fëmijët e tyre dashurinë për Jehovain dhe për rrugët e tij. Synimi nuk ishte që të kishin një kokë plot me njohuri, por që të ndihmonin çdo anëtar të familjes të jetonte në një mënyrë të tillë që të shfaqte dashurinë për Jehovain dhe për Fjalën e tij.—Ligji i përtërirë 11:18, 19, 22, 23.
Leximi i Shkrimeve nëpër sinagoga
10, 11. Cili program i leximit të Shkrimeve ndiqej nëpër sinagoga dhe si i konsideronte Jezui këto raste?
10 Pak kohë pasi hebrenjtë u morën në mërgim në Babiloni, si vende adhurimi u ngritën sinagogat. Në mënyrë që Fjala e Perëndisë të lexohej dhe të diskutohej në këto vende mbledhjeje, u bënë më shumë kopje nga Shkrimet. Ky ishte një nga faktorët e mbijetesës së rreth 6.000 kopjeve të hershme të shkruara me dorë, që përmbanin pjesë nga Shkrimet Hebreje.
11 Një pjesë e rëndësishme e shërbimit në sinagogë ishte leximi i Torës, pesë librat e parë të Biblave të sotme. Veprat 15:21 thotë se në shekullin e parë të e.s., ky lexim bëhej çdo të shtunë dhe Mishnah tregon se duke filluar që nga shekulli i dytë, leximi i Torës bëhej në ditën e dytë dhe të pestë të javës. Disa individë merrnin pjesë në leximin e pjesëve të caktuara, njëra pas tjetrës. Hebrenjtë që jetonin në Babiloni e kishin zakon ta lexonin gjithë Torën çdo vit; në Palestinë ishte zakon të lexohej brenda tri vjetëve. Gjithashtu, lexohej e shpjegohej një pjesë nga Profetët. Jezui e kishte zakon të merrte pjesë në programin e leximit të Biblës në Sabat, në vendin ku jetonte.—Luka 4:16-21.
Përgjigjja dhe zbatimi personal
12. (a) Si përfitonte populli kur Moisiu i lexonte atij Ligjin? (b) Si u përgjigj populli?
12 Nuk ishte e thënë që leximi i Shkrimeve të frymëzuara të ishte thjesht një formalitet. Ai nuk bëhej thjesht për të kënaqur kureshtjen e njerëzve. Kur Moisiu i lexoi Izraelit «librin e besëlidhjes» në fushën përballë malit Sinai, ai veproi kështu në mënyrë që ata të njihnin përgjegjësitë e tyre para Perëndisë dhe t’i plotësonin ato. A do ta bënin këtë? Leximi kërkonte një përgjigje. Populli e pranonte dhe thoshte: «Ne do të bëjmë tërë ato që ka thënë Zoti, dhe do t’i bindemi.»—Të Dalët 24:7; krahaso Të Dalët 19:8; 24:3.
13. Kur Josiu lexoi mallkimet për mosbindjen, çfarë duhej të bënte populli dhe me ç’qëllim?
13 Më vonë, kur Josiu i lexoi kombit bekimet e premtuara dhe mallkimet, kërkohej një përgjigje lidhur me to. Pas çdo mallkimi, ishte dhënë udhëzimi: «Tërë populli do të thotë: ‘Amen.’» (Ligji i përtërirë 27:4-26) Kështu, pikë për pikë ata shprehnin pajtimin e tyre lidhur me dënimin e Jehovait mbi gabimet e cituara. Ç’ngjarje e paharrueshme mund të ketë qenë kur i gjithë kombi e shprehu në mënyrë ushtuese!
14. Përse leximi publik i Ligjit u tregua veçanërisht i dobishëm në ditët e Nehemisë?
14 Në ditët e Nehemisë, kur i gjithë populli mblidhej në Jeruzalem për të dëgjuar Ligjin, ata panë se nuk i kishin zbatuar plotësisht udhëzimet e shkruara aty. Në atë rast, ata e zbatuan me gatishmëri atë që mësuan. Cili ishte rezultati? «Qe një gëzim shumë i madh.» (Nehemia 8:13-17) Pas një jave të leximit të përditshëm të Biblës gjatë festës, ata kuptuan se kërkohej akoma më shumë. Me lutje ata rishikuan historinë e marrëdhënieve të Jehovait me popullin e tij që nga ditët e Abrahamit e më pas. Gjithë kjo i nxiti ata të bënin një betim se do të vepronin në përputhje me kërkesat e Ligjit, se do të përmbaheshin nga krushqitë me të huajt dhe se pranonin detyrimet për mbajtjen e tempullit dhe shërbimit në të.—Nehemia kapitujt 8-10.
15. Si tregojnë udhëzimet në Ligjin e përtërirë 6:6-9 se në gjirin e familjes udhëzimet e Fjalës së Perëndisë nuk duhet të jenë një formalitet?
15 Ngjashëm, edhe brenda familjes mësimi i Shkrimeve nuk duhej të ishte thjesht një formalitet. Siç kemi parë tashmë, në Ligjin e përtërirë 6:6-9, popullit iu tha me terma figurative ‘t’i lidhnin [fjalët e Perëndisë] si shenjë në dorë’, duke treguar kështu me shembull e me vepra dashurinë e tyre për rrugët e Jehovait. Ata duhej t’i vinin fjalët e Perëndisë «si shirita midis syve», duke mbajtur kështu vazhdimisht parasysh parimet e mishëruara në Shkrime dhe duke i përdorur ato si bazë për vendimet e tyre. (Krahaso gjuhën e përdorur në Të Dalët 13:9, 14-16.) Duhej ‘t’i shkruanin mbi pllakat e shtëpisë së tyre dhe mbi portat e tyre’, për t’i dalluar shtëpitë dhe bashkësitë e tyre si vende ku Fjala e Perëndisë respektohej dhe zbatohej. Me një fjalë, jeta e tyre duhej të jepte dëshmi të bollshme se i donin dhe i zbatonin udhëzimet e drejta të Jehovait. Kjo do të kishte pasur dobi të madhe! A zë një vend të dukshëm Fjala e Perëndisë në jetën e përditshme të familjarëve tanë? Mjerisht, hebrenjtë e kthyen gjithë këtë në një formalitet të thjeshtë, duke veshur kuti me përmbajtje shkrimesh, sikur të ishin hajmali. Adhurimi i tyre nuk vinte më nga zemra dhe u hodh poshtë nga Jehovai.—Isaia 29:13, 14; Mateu 15:7-9.
Përgjegjësia e atyre që janë në pozitë mbikëqyrjeje
16. Përse leximi i rregullt i Shkrimeve ishte i rëndësishëm për Josiun?
16 Lidhur me leximin e Shkrimeve, vëmendje e veçantë u kushtohej atyre që mbikëqyrnin kombin. Jehovai i tha Josiut: «Kujdesu të veprosh sipas gjithë ligjit.» Derisa të përmbushte nga ana e tij atë përgjegjësi, atij iu tha: «Duhet të lexosh me zë të ulët ditë e natë në të, . . . sepse atëherë do ta bësh të suksesshme rrugën tënde dhe do të veprosh me mençuri.» (Josiu 1:7, 8, BR) Ashtu si çdo mbikëqyrës i krishterë sot, leximi i rregullt i Shkrimeve nga Josiu, do ta ndihmonte atë të kishte qartë në mendje urdhrat e veçanta që Jehovai i kishte dhënë popullit të Tij. Gjithashtu, Josiu duhej të kuptonte se si kishte vepruar Jehovai me shërbëtorët e tij në rrethana të ndryshme. Ndërsa ai lexonte shpalljen e qëllimit të Perëndisë, ishte e rëndësishme për të që të mendonte mbi përgjegjësinë e vet lidhur me atë qëllim.
17. (a) Çfarë duhej të bënin mbretërit përveç leximit, për të përfituar nga leximi i Shkrimeve, sipas asaj që kishte shpallur Jehovai? (b) Përse është shumë i rëndësishëm për pleqtë e krishterë leximi i rregullt i Biblës dhe meditimi mbi të?
17 Jehovai urdhëroi që kushdo që shërbente si Mbret mbi popullin e Tij, që në fillim të mbretërimit duhej të kopjonte Ligjin e Perëndisë në bazë të kopjes që mbahej nga priftërinjtë. Kështu, duhej ‘ta lexonte çdo ditë të jetës së tij’. Synimi nuk ishte që vetëm të ngulisnin në mendje përmbajtjen e tij, por ‘që të mësonin të kishin frikë nga Zoti, Perëndia i tij’ dhe ‘me qëllim që zemra e tyre të mos ngrihej mbi vëllezërit e tij’. (Ligji i përtërirë 17:18-20) Kjo kërkonte që të meditonte thellësisht mbi atë që lexonte. Disa mbretër siç duket mendonin se ishin shumë të zënë me detyra administrative për ta bërë këtë dhe i gjithë kombi vuajti si rezultat i neglizhimit të tyre. Roli i pleqve në kongregacionin e krishterë nuk është aspak ai i mbretërve. Megjithatë, ashtu siç ndodhi me mbretërit, është e domosdoshme që pleqtë të lexojnë e të meditojnë mbi Fjalën e Perëndisë. Kjo gjë do t’i ndihmojë ata të kenë një pikëpamje të përshtatshme për ata që i janë besuar kujdesit të tyre. Gjithashtu, kjo gjë u jep mundësi atyre të plotësojnë përgjegjësinë e tyre si mësues në një mënyrë që vërtet e nderon Perëndinë dhe i forcon frymësisht shokët e tyre të krishterë.—Titit 1:9; krahaso Gjonin 7:16-18; vëre ndryshimin me 1. Timoteut 1:6, 7.
18. Cilin shembull të lënë nga apostulli Pavël do të na ndihmojë të imitojmë një lexim dhe studim i rregullt i Biblës?
18 Apostulli Pavël, një mbikëqyrës i krishterë në shekullin e parë, ishte nga ata që i njihte mirë Shkrimet e frymëzuara. Kur u dha dëshmi njerëzve në Selanikun e lashtë, ai ishte në gjendje të arsyetonte me efektshmëri me ta nga Shkrimet e t’i ndihmonte ata të kuptonin domethënien. (Veprat 17:1-4) Ai hyri në zemrat e dëgjuesve të sinqertë. Prandaj, shumë nga ata që e dëgjuan u bënë besimtarë. (1. Selanikasve 2:13) Si rezultat i programit tënd të leximit dhe studimit të Biblës, a je në gjendje të arsyetosh me efektshmëri nga Shkrimet? A dëshmon vendi që zë në jetën tënde leximi i Biblës dhe mënyra në të cilën e bën se me të vërtetë e çmon se çfarë do të thotë të kesh në dorë Fjalën e Perëndisë? Në artikullin vijues do të shohim se si edhe ata që janë shumë të zënë mund t’u japin një përgjigje pozitive këtyre pyetjeve.
Si do të përgjigjeshe?
◻ Përse njerëzit kanë qenë të gatshëm të rrezikonin jetën dhe lirinë për të lexuar Biblën?
◻ Si përfitojmë nga rishikimi i masave të marra për kombin e Izraelit që të dëgjonin Fjalën e Perëndisë?
◻ Çfarë duhet të bëjmë me atë që lexojmë në Bibël?
◻ Përse leximi i Biblës dhe meditimi mbi të është veçanërisht i dobishëm për pleqtë e krishterë?
[Figura në faqen 9]
Jehovai i tha Josiut: «Duhet të lexosh me zë të ulët ditë e natë në të»