GILGALI
[që rrokullis; rrokullis larg].
1. Qytet «në kufirin lindor të Jerikosë». (Js 4:19) Me sa duket, pranë ‘guroreve’ të Gilgalit banonte mbreti i Moabit, Egloni, që shtypte Izraelin në kohën e Ehudit.—Gjy 3:12-26.
Në të kaluarën, shumica e gjeografëve mbështetnin hipotezën se vendndodhja e Gilgalit ishte Kirbet-en-Nitlehu. Megjithatë, veçanërisht që nga viti 1931, është hedhur ideja se ai ndodhej në Kirbet-El-Mafjir. Ky vend, 2 km në verilindje të Jerikosë së lashtë (Tell-es-Sulltanit; Tel-Jerihosë), përkon më mirë me atë që thonë disa shkrime të hershme (si ato të Jozefit dhe të Eusebit) për largësinë nga Jerikoja deri në Gilgal. Veç kësaj, nga gërmimet arkeologjike në Kirbet-en-Nitleh nuk u zbuluan dëshmi që ai vend të ketë qenë i banuar para erës sonë. Nga ana tjetër, kërkimet sipërfaqësore afër Kirbet-El-Mafjirit kanë nxjerrë në dritë copa enësh balte që flasin për ekzistencën e ndonjë lloj vendbanimi disa shekuj para erës sonë. Ndonëse ky vend nuk ndodhet tamam në lindje të Jerikosë së lashtë, përshkrimi biblik ‘kufiri lindor i Jerikosë’ mund të përfshijë edhe verilindjen.
Gilgali ishte vendi i parë ku fushoi Izraeli pasi kaloi Jordanin në muajin abib (nisan) të vitit 1473 p.e.s. Atje Josiu vuri 12 gurët që mori nga mesi i shtratit të lumit, për të kujtuar se Jehovai thau ujërat e Jordanit që të kalonte Izraeli. (Js 4:8, 19-24) Në Gilgal u rrethprenë gjithë meshkujt izraelitë të lindur në shkretëtirë, e pas kësaj Jehovai tha se ‘e rrokullisi larg tyre poshtërimin e Egjiptit’. Prandaj, në kujtim të kësaj, ai vend u quajt «Gilgal», që do të thotë «që rrokullis; rrokullis larg». (Js 5:8, 9) Më vonë, disa gibeonitë të maskuar nga rajoni kodrinor në perëndim zbritën në luginën e Jordanit dhe shkuan te Josiu në Gilgal, ku bënë një besëlidhje me Izraelin. (Js 9:3-15) Pas kësaj, pesë mbretër amoritë aleatë sulmuan gibeonitët, dhe ushtria e Josiut marshoi tërë natën nga Gilgali gjer lart në qytetin e tyre, që të shpartallonte armiqtë. (Js 10:1-15) Ndarja e tokës së Kanaanit nisi në Gilgal (Js 14:6–17:18) dhe mori fund në Shiloh.—Js 18:1–21:42.
Për engjëllin e Jehovait thuhet se shkoi «nga Gilgali në Bokim». (Gjy 2:1) Këtu ndoshta bëhet fjalë për shfaqjen e engjëllit afër Gilgalit pak pasi Izraeli kishte kaluar Jordanin (Js 5:10-14), prandaj kjo mund të nënkuptojë se po ky engjëll u shfaq në Bokim.
Nuk dihet me siguri nëse Gilgali i përfshirë në udhëtimin e përvitshëm të Samuelit ishte ai afër Jordanit apo Gilgali nr. 2. (1Sa 7:15, 16) Atje Samueli bëri flijime pas mirosjes së Saulit (1Sa 10:1, 8) dhe, bashkë me popullin, përtëriu pushtetin mbretëror të Saulit.—1Sa 11:14, 15.
Ndërsa forcat filistine po mblidheshin lart në rajonin malor përreth Mikmashit, mbreti Saul gjendej poshtë në luginën e Jordanit, në Gilgal. Nga frika se mos armiku turrej mbi të, Sauli tregoi besim të tepruar te vetja dhe paraqiti një flijim të djegur. (1Sa 13:4-15) Po në Gilgal, Saulit iu tha se Jehovai e kishte hedhur poshtë si mbret, sepse nuk iu bind urdhrit të Jehovait që t’i shfaroste tërë amalekitët, me gjithë dhentë e gjedhët e tyre.—1Sa 15:12-28.
Pasi dështoi kryengritja e Absalomit, burrat e Judës shkuan në Gilgal që ta çonin Davidin matanë Jordanit.—2Sa 19:15, 40.
Nëpërmjet profeti Mikea, Jehovai i kujtoi popullit të tij ç’bekime kishte derdhur mbi ta. «Nga Shitimi deri në Gilgal» kishte penguar përpjekjet e moabitëve për t’i korruptuar, e kishte kaluar Izraelin përtej Jordanit dhe kishte hequr ose ‘rrokullisur larg’ tyre poshtërimin e Egjiptit. Mirëpo Izraeli nuk i dalloi këto ‘vepra të drejta të Jehovait’.—Mi 6:5; Nu 25:1.
Ka mundësi që Gilgali të quhej edhe Gelilot.—Shih GELILOTI.
Beth-Gilgali i periudhës pas mërgimit mund të jetë Gilgali afër Jerikosë ose Gilgali nr. 2.—Ne 12:28, 29.
2. Ndonëse ka mendime të ndryshme, duket qartë se Gilgali i përmendur në historinë e Elijas dhe Eliseut nuk është Gilgali nr. 1. Para se të merrej në qiej me anë të një stuhie, Elija, i shoqëruar nga Eliseu, zbriti nga Gilgali në Bethel e pastaj në Jeriko. (2Mb 2:1-5) Ky itinerar tregon se bëhej fjalë për një vend afër Bethelit. Gjithashtu, fjala «zbritën» nënkupton se ky Gilgal ndodhej në rajon malor. Gilgali në luginën e Jordanit nuk do të përputhej me këtë përshkrim. Prandaj, këtë Gilgal zakonisht e lidhin me Jil-Jilijan, një fshat i madh majë një kodre rreth 11 km në veri të Bethelit. Atje më pas Eliseu bëri të padëmshme një gjellë helmuese. (2Mb 4:38-41) Ka mundësi që Gilgali i përshkruar te Ligji i përtërirë 11:29, 30, për të cilin thuhet se ndodhej përballë malit të Gerizimit dhe malit të Ebalit, të ishte ky Gilgal, ose ndoshta një tjetër akoma.
Në periudha të mëvonshme, ky qytet (a mbase nr. 1) me sa duket u bë qendër e adhurimit të rremë. (Ho 4:15; 9:15; 12:11) Ndërsa profetizonte se mbretëria veriore do të çohej në mërgim, Jehovai u tha me përbuzje nëpërmjet profetit Amos izraelitëve të pandreqshëm ‘të kryenin edhe më shumë shkelje’ në Gilgal, duke parathënë se edhe banorët e tij do të çoheshin në mërgim.—Am 4:4; 5:5.
3. Vend në perëndim të Jordanit, i përmendur në një listë të vendeve që pushtoi Izraeli nën udhëheqjen e Josiut. (Js 12:7, 8, 23) Disa mendojnë se në këtë varg mund të jetë bërë një gabim gjatë kopjimit, prandaj zgjedhin versionin e Septuagintës greke, «Galile», siç del në Revised Standard Version.