DEBIRI
[më i brendshmi; më i futuri].
1. Mbreti i Eglonit, një prej katër mbretërive të vogla që lidhën aleancë me mbretin e Jerusalemit për të sulmuar qytetin e Gibeonit ngaqë kishte bërë paqe me Josiun. (Js 10:1-5) Dorëzimi i Gibeonit para Josiut ngjalli frikë, pasi ka të ngjarë të ketë dobësuar frontin e bashkuar kundër Izraelit. (Js 9:1, 2) Njëherazi, kjo i krijonte mundësi Josiut të lëvizte më lirshëm në Tokën e Premtuar, nga viset veriore në ato jugore, e ta pushtonte vendin pjesë-pjesë. Kur Gibeonin e rrethuan, ushtria e Josiut i shkoi në ndihmë. Falë mrekullive, Josiu i shpartalloi forcat kananite, duke e detyruar Debirin dhe mbretërit e tjerë të fshiheshin në një shpellë, ku mbetën të zënë në kurth gjersa i ekzekutuan.—Js 10:6-27.
2. Qytet mbretëror kananit (Js 10:38, 39), i quajtur edhe Kiriat-Sefer dhe Kiriat-Sanah. (Js 15:15, 49; Gjy 1:11) Ndodhej në trashëgiminë e Judës, por u bë qytet levit i kehathitëve.—Js 21:9, 15; 1Kr 6:54, 58.
Me sa duket, ka dy tregime për pushtimin e parë të Debirit nga Izraeli gjatë operacioneve ushtarake të Josiut. Tregimi i parë thotë thjesht se popullsia e Debirit u shfaros. (Js 10:38, 39) I dyti, te Josiu 11:21-23, duhet të jetë një përmbledhje për të njëjtin pushtim (meqë vargu 18 thotë se «Josiu luftoi me tërë këta mbretër për një kohë të gjatë»), dhe shton hollësinë se Josiu ‘shfarosi anakimët nga Debiri’ e nga qytete të tjera. Ky informacion mbase u shtua për të treguar se edhe anakimët gjigantë, që u kishin kallur frikën zbuluesve izraelitë më shumë se 40 vjet përpara (Nu 13:28, 31-33; Lp 9:2), nuk ishin të pathyeshëm.
Sidoqoftë, duket se anakimët, që mbase vinin nga bregdeti filistin, u vendosën sërish në Debir, (Js 11:22) ndërkohë që Izraeli ishte përkohësisht në kampin në Gilgal ose po luftonte në veri. (Js 10:43–11:15) Në fushatat e para ushtarake Josiu kishte thyer qëndresën e bashkuar të forcave armike kananite, duke shembur vrullshëm gjithë qytetet-fortesë kryesore. Por, kjo strategji nuk krijonte mundësi të ngriheshin garnizone për të mbajtur nën sundim tërë qytetet e shkatërruara. Kështu, në Debir u bë një tjetër pushtim ose operacion «spastrimi» nga Otnieli. Meqë u shqua në pushtimin e qytetit, atij iu dha për grua Aksa, e bija e Kalebit, luftëtarit me përvojë.—Js 15:13-19; Gjy 1:11-15.
Nuk mund të thuhet me saktësi në ç’pikë të historisë së Izraelit u bë ky pushtim i dytë. Libri i Gjykatësve hapet me shprehjen «pas vdekjes së Josiut» dhe vijon me historinë e pushtimit të Debirit nga Kalebi. (Gjy 1:11-15) Sipas disave, kjo tregon se Juda e shtiu në dorë Debirin pas vdekjes së Josiut dhe se tregimi i ngjashëm te Josiu 15:13-19 u shtua më vonë në librin që mban emrin e Josiut. Mirëpo, të tjerë e shohin Gjykatësit 1:1 thjesht si një hyrje formale për të bërë lidhjen me librin e Josiut, dhe pohojnë se Kalebi nuk do të priste vite të tëra derisa të vdiste Josiu që të dëbonte anakimët nga trashëgimia e tij e premtuar. Prandaj mendojnë se tregimi i Gjykatësve është përsëritje e atij të Josiut.
Studiuesit e Biblës kanë hedhur lloj-lloj idesh për vendndodhjen e Debirit në rajonin malor të Judës. Dikur e lidhnin me Tell-Beit-Mirsimin, rreth 20 km në perëndim-jugperëndim të Hebronit. Megjithatë, tani e lidhin me Kirbet-Rabudin, afro 13 km në jugperëndim të Hebronit.
Emri i lashtë i Debirit, Kiriat-Sefer (Js 15:15; Gjy 1:11), do të thotë «qytet i librit». Kjo i ka shtyrë disa të shtrojnë hipotezën se Debiri ishte vatër e arsimimit fetar e juridik në Kanaan dhe vendi ku ruheshin regjistrat publikë.
3. Vend «në ultësirën e Akorit» që përmendet kur përshkruhen kufijtë e Judës. (Js 15:7) Edhe pse nuk dihet me saktësi ku ndodhej, disa gjeografë mendojnë se emri është ruajtur në atë të Togeret-ed-Debrit, në jugperëndim të Jerikosë, dhe në emrin e Vadi-Debrit, më afër vendndodhjes së mundshme të luginës së Akorit.
4. Vend në Galaad, në kufirin e Gadit. (Js 13:26) Përgjithësisht, mendohet se ky Debir ishte Lo-Debari, ku ndodhej shtëpia e Makirit (që mikpriti Mefiboshetin, e më vonë Davidin). (2Sa 9:4-6; 17:27-29) Për momentin disa e lidhin Debirin e Gadit me Um-ed-Dabarin, 16 km në jug të detit të Galilesë.