LUZI
[pemë bajameje].
1. Emri i hershëm i qytetit të Bethelit që duket se ia kishin vënë banorët kananitë. Jakobi i vuri emrin Bethel (që do të thotë «shtëpi e Perëndisë») vendit ku pa një ëndërr që përmbante një zbulesë nga Perëndia. Në atë vend kishte fushuar më parë Abrahami. (Zn 28:16-19; 35:6) Mendohet se Luzi ishte aty ku gjenden rrënojat pranë fshatit Beitin, rreth 17 km në veri të Jerusalemit. Duket se përfundimisht emri Bethel zëvendësoi emrin Luz, e shumta kur izraelitët pushtuan Kanaanin. (Gjy 1:22) Për shkak të disa përkthimeve të Josiut 16:2, të cilat e përshkruajnë kufirin e Efraimit sikur shkonte ‘nga Betheli në Luz’ (KJ, Dio, ECM), disa kanë arritur në përfundimin se këto vende ishin dy qytete më vete. Megjithatë, në përkthime të tjera lexojmë «Betel Luzi» (DSF), «Beth-el-Luzi» (JP), «Betheli (pra Luzi)» (AT) ose «Betheli që ishte pjesë e Luzit» (BR). Pas kapitullit të parë të librit të Gjykatësve, emri Luz nuk përmendet më.—Shih BETHELI nr. 1.
Fjala hebraike (luz), e cila është njëlloj me emrin e qytetit, përdoret edhe te Zanafilla 30:37 për të treguar purtekat prej dru bajameje që përdori Jakobi.
2. Emri i një qyteti që një burrë nga Betheli (Luzi) ndërtoi në «vendin e hititëve». Ai bashkëpunoi me luftëtarët izraelitë të shtëpisë së Jozefit që të mundnin Bethelin. Ashtu si Rahaba e familja e saj, edhe ai e familja e tij nuk pësuan asgjë të keqe. Por ndryshe nga Rahaba, ky burrë nuk kërkoi të shoqërohej me Izraelin, e kjo ndoshta tregoi se arsyeja pse i ndihmoi nuk ishte frika e vërtetë dhe çmueshmëria për Jehovain, Perëndinë e Izraelit. Ai parapëlqeu të shkonte në vendin e hititëve ku dhe ndërtoi qytetin që e quajti Luz, sigurisht në kujtim të qytetit të lindjes. Bibla nuk e nderon duke i përmendur emrin siç bën me Rahabën. (Gjy 1:23-26) Disa besojnë se emri i qytetit është ruajtur të paktën në rrënojat e El Luaizës, rreth 20 km në lindje-juglindje të Sidonit.