DAVIDI
[ka të ngjarë: i dashur].
Në Përkthimin Bota e Re në shqip, ky emër shfaqet 1.040 herë në Shkrimet Hebraike, nga të cilat 75 herë në mbishkrimet e 73 psalmeve, dhe 59 herë në Shkrimet e Krishtere Greke. Nga të gjithë personazhet e Shkrimeve Hebraike, vetëm Moisiu dhe Abrahami përmenden më shpesh prej shkrimtarëve të krishterë të Biblës. Në 1.099 rastet ku shfaqet, emri David i referohet vetëm mbretit të dytë të Izraelit ose atij për të cilin nganjëherë Davidi shërbeu si model profetik, «Jezu Krishtit, birit të Davidit».—Mt 1:1.
Ky bari, muzikant, poet, ushtar, burrë shteti, profet dhe mbret zë një vend shumë të rëndësishëm në Shkrimet Hebraike. Trim i furishëm në fushën e betejës që u qëndroi vështirësive, udhëheqës e komandant i paepur që tregoi guxim të patundur, e megjithatë mjaft i përulur për të pranuar gabimet e veta e për t’u penduar për mëkatet e rënda. Dinte të tregonte dhembshuri e mëshirë, donte të vërtetën dhe drejtësinë e, mbi të gjitha, kishte besim dhe siguri të plotë te Perëndia i tij, Jehovai.
Davidi, pasardhës i Boazit dhe i Ruthës, e kishte prejardhjen nga Juda nëpërmjet Perezit. (Ru 4:18-22; Mt 1:3-6) Ishte më i vogli i tetë bijve të Jeseut dhe kishte dy motra ose gjysmëmotra. (1Sa 16:10, 11; 17:12; 1Kr 2:16) Ka mundësi që një nga vëllezërit e Davidit të ketë vdekur pa lënë fëmijë, prandaj nuk përmendet më në regjistrimet e mëvonshme gjenealogjike. (1Kr 2:13-16) Emri i nënës së Davidit nuk është treguar. Disa janë të mendimit se nëna e tij quhej Nahash, por ka më shumë të ngjarë që Nahashi të ishte i ati i gjysmëmotrave të Davidit.—2Sa 17:25; shih NAHASHI nr. 2.
Davidi ishte nga Betlehemi, që gjendej rreth 9 km në jug-jugperëndim të Jerusalemit, ku kishin jetuar edhe paraardhësit e tij, Jeseu, Obedi dhe Boazi. Nganjëherë ky qytet quhej ‘qyteti i Davidit’ (Lu 2:4, 11; Gjo 7:42), por nuk duhet ngatërruar me «Qytetin e Davidit» te 2 Samuelit 5:7, që i referohet Sionit në Jerusalem.
Djalëria e Davidit. Herën e parë Davidi na paraqitet kur po kulloste dhentë e të atit në një fushë afër Betlehemit. Ky vend na sjell ndër mend një tjetër ngjarje. Pikërisht në një fushë afër Betlehemit, më shumë se 1000 vjet më vonë, disa barinj u tronditën ngaqë Jehovai i zgjodhi të dëgjonin engjëllin e Tij tek u njoftonte lindjen e Jezuit. (Lu 2:8-14) Samueli, i dërguar nga Perëndia në shtëpinë e Jeseut për të mirosur si mbret të ardhshëm një nga bijtë e tij, hedh poshtë shtatë vëllezërit më të mëdhenj të Davidit, duke thënë: «Jehovai nuk i ka zgjedhur këta.» Më në fund, dërgojnë të thërrasin Davidin nga fusha. Ndërkohë që të gjithë janë në pritje, pasi deri në atë moment asnjë nuk e di pse ka vajtur Samueli, hyn një «djalosh faqekuq, me sy të bukur e i pashëm». Jehovai e urdhëron Samuelin: «Ngrihu dhe mirose, sepse ky është!» Për të Jehovai thotë: «Gjeta Davidin, birin e Jeseut, një njeri siç ma do zemra, i cili do të bëjë gjithçka që dëshiroj.»—1Sa 16:1-13; 13:14; Ve 13:22.
Vitet që kaloi si bari, ndikuan thellë në pjesën tjetër të jetës së Davidit. Jeta në natyrë e përgatiti për jetën në arrati, kur më vonë iu desh t’ia mbathte për shkak të zemërimit të Saulit. Gjithashtu, u bë mjeshtër në përdorimin e hobesë dhe tregoi durim, guxim e gatishmëri për të kërkuar dhe për të shpëtuar delet që ndaheshin nga kopeja, pa ngurruar të vriste ndonjë ari ose luan, po të lindte nevoja.—1Sa 17:34-36.
Megjithatë, Davidi do të kujtohet jo vetëm si luftëtar trim, por edhe si harpist i talentuar e kompozitor i shquar, prirje që mund t’i ketë fituar gjatë orëve të gjata kur kulloste delet. Gjithashtu, Davidi u bë i njohur si shpikës i veglave të reja muzikore. (2Kr 7:6; 29:26, 27; Am 6:5) Falë dashurisë për Jehovain, vargjet që thuri ishin shumë më tepër se tekste të thjeshta dëfryese dhe ai i ktheu ato në kryevepra klasike kushtuar adhurimit dhe lëvdimit të Jehovait. Mbishkrimet e të paktën 73 psalmeve tregojnë se u kompozuan nga Davidi, megjithëse atij i atribuohen edhe psalme të tjera. (Krahaso Ps 2:1 me Ve 4:25; Ps 95:7, 8 me He 4:7.) Disa prej tyre, si për shembull Psalmi 8, 19, 23, 29, ka shumë mundësi të pasqyrojnë përjetimet e Davidit si bari.
Gjithë përvoja e fituar ndërsa kujdesej për delet, e përgatiti Davidin për rolin më të madh si bari i popullit të Jehovait, siç edhe është shkruar: «[Jehovai] zgjodhi Davidin, shërbëtorin e tij, dhe e mori nga vathat ku rrinte kopeja. Teksa kujdesej për delet që mëndnin, e mori dhe e bëri bari të Jakobit, popullit të tij, dhe të Izraelit, që e kishte trashëgimi.» (Ps 78:70, 71; 2Sa 7:8) Megjithatë, kur la për herë të parë delet e të atit, Davidi nuk u largua për t’u bërë mbret. Përkundrazi, ai shërbeu si muzikant në oborrin e mbretit me rekomandimin e një këshilltari të Saulit, i cili e përshkroi Davidin jo vetëm si ‘të zotin për të luajtur’, por edhe si ‘trim, të fuqishëm e luftëtar që fliste me zgjuarsi dhe kishte trup të mirë. Jehovai ishte me të’. (1Sa 16:18) Kështu, Davidi u bë harpisti i Saulit shpirttrazuar dhe shqytari i tij.—1Sa 16:19-23.
Më vonë, për arsye që nuk bëhen të ditura, Davidi kthehet tek i ati për një periudhë të pacaktuar. Ai shkon t’u çojë ushqime vëllezërve të tij që bëjnë pjesë në ushtrinë e Saulit, e cila ka zënë pozicion mbrojtjeje përballë filistinëve, kur ja, i ndizet zemërimi tek sheh dhe dëgjon Goliadin të shajë Jehovain. «Kush na qenka ky filistin i parrethprerë që sfidoka forcat ushtarake të Perëndisë së gjallë?!»—pyet Davidi. (1Sa 17:26) Pastaj vazhdon: «Jehovai, që më çliroi nga panxha e luanit dhe nga panxha e ariut, do të më çlirojë edhe nga dora e këtij filistini.» (1Sa 17:37) Sapo merr leje, Davidi që kishte vrarë luanin e ariun, i afrohet Goliadit duke i thënë: «Unë po vij në emër të Jehovait të ushtrive, Perëndisë së forcave ushtarake të Izraelit, të cilin ti e ke sfiduar.» Sakaq, Davidi i vërvit një gur me hobenë e tij dhe e shemb armikun përtokë. I merr shpatën dhe me të i pret kokën. Pastaj kthehet në kamp me trofetë e luftës, me kokën dhe shpatën e gjigantit.—1Sa 17:45-54; FIGURA, vëll. 1, f. 745 në botimin anglisht.
Vlen të përmendet se Septuaginta, siç paraqitet në dorëshkrimin në greqisht Vatikan 1209, të shekullit të katërt, nuk e përfshin fragmentin nga 1 Samuelit 17:55 deri te fjala «filistinët» te 1Sa 18:6a. Prandaj, përkthimi i Mofatit i fut të gjitha këto vargje, përveç të fundit, në kllapa katrore dyshe, duke i quajtur «shtesa redaksionale ose ndërfutje të mëvonshme». Megjithatë, ka prova që mbështetin tekstin masoretik.—Shih LIBRAT E SAMUELIT (Pjesë që mungojnë në Septuagintën greke).
Jeta në arrati. (HARTA, vëll. 1, f. 746 në botimin anglisht) Rrokullisja me shpejtësi e ngjarjeve bënë që, nga një person krejt në hije në shkretëtirë, Davidi papritur të bëhej i famshëm në sytë e gjithë Izraelit. Sauli e vuri në krye të ushtrisë së tij. Kur u kthye me fitore nga një fushatë ushtarake kundër filistinëve, populli i gëzuar e priti Davidin me këngë e valle. Ato ditë dëgjohej gjithkund kënga: «Sauli ka vrarë mijëra, e Davidi dhjetëra mijë.» (1Sa 18:5-7) «Gjithë Izraeli dhe Juda e donin Davidin» dhe Jonatani, i biri i Saulit, bëri me të një besëlidhje, ku i premtonin njëri-tjetrit dashuri dhe miqësi për gjithë jetën. Nga kjo besëlidhje pati dobi edhe Mefibosheti, biri i Jonatanit, si dhe nipi i tij, Mika.—1Sa 18:1-4, 16; 20:1-42; 23:18; 2Sa 9:1-13.
Popullariteti i Davidit i ngjalli smirë Saulit, i cili «që nga ajo ditë . . . e shikonte me dyshim Davidin». Në dy raste, kur Davidi po i binte harpës si më parë, Sauli i vërviti heshtën që ta mbërthente në mur, por të dyja herët Jehovai e shpëtoi. Sauli ia kishte premtuar të bijën atij që do të vriste Goliadin, por tani nuk donte t’ia jepte Davidit. Në fund, Sauli pranoi që Davidi të martohej me një vajzë tjetër të tij, me kusht që ai t’i çonte «njëqind lafsha të filistinëve». Kjo ishte një kërkesë e paarsyeshme, e paramenduar enkas nga Sauli, që t’i sillte vdekjen Davidit. Megjithatë, Davidi trim i çoi si prikë Saulit dyfishin, domethënë 200 lafsha, dhe u martua me Mikalën. Tanimë dy nga fëmijët e Saulit, nga dashuria kishin lidhur besën me Davidin, dhe kjo e bëri Saulin ta urrente edhe më shumë. (1Sa 18:9-29) Kur Davidi po i binte përsëri harpës para Saulit, mbreti u orvat për të tretën herë ta mbërthente në mur. Davidi ia mbathi në errësirën e natës dhe u pa me Saulin në rrethana krejt të ndryshme dhe vërtet të çuditshme.—1Sa 19:10.
Për disa vjet, Davidi jetoi në arrati duke ia mbathur sa nga njëri vend në tjetrin, pasi e ndiqte këmba-këmbës një mbret i lig e kokëshkëmb që ishte betuar ta vriste. Në fillim, ai u strehua në Ramah te profeti Samuel (1Sa 19:18-24), mirëpo, kur nuk ishte më i sigurt aty, shkoi në qytetin filistin të Gathit. Rrugës ndaloi të takonte kryepriftin Ahimelek në Nob, ku mori shpatën e Goliadit. (1Sa 21:1-9; 22:9-23; Mt 12:3, 4) Megjithatë, nga Gathi arriti të shpëtonte vetëm duke u hequr si i çmendur, duke bërë shkarravina në dyert e portës dhe duke e lënë pështymën t’i rridhte nëpër mjekër. (1Sa 21:10-15) Nisur nga kjo përvojë, Davidi kompozoi Psalmet 34 dhe 56. Pastaj, ia mbathi drejt shpellës së Adulamit, ku me të u bashkuan familja e tij dhe rreth 400 burra mjeranë e hallexhinj. Psalmi 57 ose Ps 142, a të dy, mund të jenë shkruar për të kujtuar kohën kur qëndroi në këtë shpellë. Davidi vazhdoi të ndryshonte vend—nga aty drejt Mizpehut të Moabit dhe përsëri në Judë, në pyllin e Heretit. (1Sa 22:1-5) Gjatë kohës që jetonte në Kejlah, ai mori vesh se Sauli po përgatitej ta sulmonte, ndaj bashkë me luftëtarët e tij që tani ishin rreth 600 u nis drejt shkretëtirës së Zifit. Sauli vazhdoi ta ndiqte nga njëri vend në tjetrin, nga shkretëtira e Zifit që gjendej në Horesh në shkretëtirën e Maonit. Kur gati e kishte në dorë prenë e tij, Saulit i çuan fjalë se filistinët kishin mësyrë, kështu ai e la ndjekjen për njëfarë kohe duke i dhënë mundësi Davidit t’ia mbathte në En-Gedi. (1Sa 23:1-29) Përvoja të tilla e frymëzuan Davidin të shkruante psalme të bukura që lëvdonin Jehovain për çlirimin e mrekullueshëm.—Ps 18, 59, 63, 70.
Në En-Gedi, Sauli hyri në një shpellë për të kryer nevojat personale. Davidi, i cili fshihej në fund të shpellës, iu afrua vjedhurazi dhe i preu cepin e petkut pa mëngë, por nuk e vrau, pasi siç tha edhe vetë, nuk i shkonte kurrë ndër mend që t’i bënte keq mbretit, ‘sepse ai ishte i mirosuri i Jehovait’.—1Sa 24:1-22.
Pas vdekjes së Samuelit. Pas vdekjes së Samuelit, Davidi, ende në arrati, u vendos me banim në shkretëtirën e Paranit. (Shih PARANI.) Ai dhe burrat e tij u treguan mirëdashës me Nabalin, një rritës gjedhësh i pasur që punonte në Karmel, në jug të Hebronit, por ky mosmirënjohës jo vetëm që refuzoi kërkesën e Davidit, por edhe e poshtëroi. Maturia që shfaqi aty për aty Abigaila, gruaja e Nabalit, e frenoi Davidin të shfaroste meshkujt e shtëpisë së tij, kurse Nabalin e goditi Jehovai dhe vdiq. Më pas, Davidi u martua me këtë vejushë dhe, që nga ky moment, përveç Ahinoamit nga Jezreeli, Davidi pati edhe një grua tjetër, Abigailën nga Karmeli; kurse Mikalën, Sauli ia kishte dhënë një tjetri gjatë mungesës së gjatë të Davidit.—1Sa 25:1-44; 27:3.
Davidi u strehua për herë të dytë në shkretëtirën e Zifit dhe Sauli filloi ta ndiqte përsëri. Davidi e krahasoi Saulin dhe 3.000 burrat e tij me njerëz që kërkonin «një plesht, ashtu si ndiqet një thëllëzë në male». Një natë, Davidi dhe Abishai hynë vjedhurazi në kampin e Saulit kur të gjithë ishin në gjumë e i morën heshtën dhe shtambën e ujit. Abishai deshi ta vriste Saulin, por Davidi ia kurseu jetën për të dytën herë. Ai i tha se, duke ditur pikëpamjen e Jehovait, nuk i shkonte kurrë ndër mend të vinte dorë mbi të mirosurin e Jehovait. (1Sa 26:1-25) Kjo ishte hera e fundit që Davidi pa kundërshtarin e tij.
Për 16 muaj Davidi qëndroi larg Saulit në Ziklag, territor filistin. Shumë luftëtarë dezertuan nga radhët e ushtrisë së Saulit dhe u bashkuan me të arratisurit në Ziklag. Kjo i dha mundësi Davidit të mësynte qytetet armike të Izraelit që gjendeshin në jug, duke i bërë kufijtë e Judës më të sigurt dhe duke forcuar pozitën e tij si mbret i ardhshëm. (1Sa 27:1-12; 1Kr 12:1-7, 19-22) Kur filistinët po përgatiteshin të sulmonin ushtrinë e Saulit, mbreti Akish, duke menduar se Davidi ishte «bërë i pështirë për popullin e tij, Izraelin», e ftoi të bashkohej me të. Mirëpo, sundimtarët e aleancës nuk e deshën Davidin, të cilin e shihnin si një kërcënim për sigurinë e tyre. (1Sa 29:1-11) Në betejën që përfundoi në malin e Gilboas, vdiq Sauli dhe tre bij të tij, mes të cilëve edhe Jonatani.—1Sa 31:1-7.
Ndërkohë amalekitët plaçkitën dhe dogjën Ziklagun, duke marrë gratë dhe fëmijët. Forcat e Davidit u vunë menjëherë në ndjekje të plaçkitësve, i zunë dhe rimorën gratë, fëmijët e gjithë plaçkën. (1Sa 30:1-31) Tri ditë më vonë, një amalekit i çoi Davidit diademën dhe byzylykun e Saulit dhe, me shpresën për të marrë një shpërblim, gënjeu duke u mburrur se mbretin e plagosur e kishte vrarë ai. Megjithëse kjo ishte gënjeshtër, Davidi urdhëroi që ta vrisnin ngaqë tha se ‘kishte vrarë të mirosurin e Jehovait’.—2Sa 1:1-16; 1Sa 31:4, 5.
Davidi mbret. (HARTA, vëll. 1, f. 746 në botimin anglisht) Lajmi tragjik për vdekjen e Saulit e pikëlloi shumë Davidin. Atë nuk e brengosi aq shumë vdekja e armikut të tij të betuar, sa e brengosi rënia e të mirosurit të Jehovait. Në dhembjen e tij, Davidi kompozoi një këngë të përvajshme me titull «Harku», ku vajtonte për armikun e tij më të madh dhe mikun e tij më të mirë, të rënë së bashku në betejë: «Saulin dhe Jonatanin, të dashur e të këndshëm gjatë jetës, [të cilët] as vdekja nuk i ndau.»—2Sa 1:17-27.
Më pas, Davidi u shpërngul në Hebron ku, në vitin 1077 p.e.s., pleqtë e Judës e mirosën mbret të fisit të tyre në moshën 30-vjeçare. Ish-Boshethi, djali i Saulit, ishte bërë mbreti i fiseve të tjera. Mirëpo rreth dy vjet më vonë, Ish-Boshethin e vranë dhe vrasësit ia çuan kokën e tij Davidit, me shpresë se do të shpërbleheshin, por edhe ata e pësuan njësoj si i vetëquajturi vrasës i Saulit. (2Sa 2:1-4, 8-10; 4:5-12) Kjo u dha mundësi fiseve, që deri atëherë kishin mbështetur të birin e Saulit, të bashkoheshin me Judën, dhe me kalimin e kohës, u mblodh një ushtri prej 340.822 luftëtarësh që e bënë Davidin mbret të të gjithë Izraelit.—2Sa 5:1-3; 1Kr 11:1-3; 12:23-40.
Mbretërimi në Jerusalem. Davidi mbretëroi shtatë vjet e gjysmë në Hebron dhe pastaj, me urdhër të Jehovait, e zhvendosi kryeqytetin në Jerusalem, në qytetin bastion të jebusitëve, të cilin e kishte shtënë tashmë në dorë. Atje ndërtoi Qytetin e Davidit në Sion dhe mbretëroi edhe 33 vjet të tjerë. (2Sa 5:4-10; 1Kr 11:4-9; 2Kr 6:6) Gjatë kohës që jetonte në Hebron, mbreti David mori edhe gra të tjera që i lindën disa bij e bija dhe rimori Mikalën. (2Sa 3:2-5, 13-16; 1Kr 3:1-4) Pas shpërnguljes në Jerusalem, Davidi e shtoi numrin e grave dhe të konkubinave, të cilat i lindën edhe më shumë fëmijë.—2Sa 5:13-16; 1Kr 3:5-9; 14:3-7.
Kur dëgjuan se Davidi ishte bërë mbret i gjithë Izraelit, filistinët u ngritën kundër tij për ta rrëzuar nga froni. Njësoj si në të kaluarën (1Sa 23:2, 4, 10-12; 30:8), Davidi pyeti Jehovain nëse duhej të dilte kundër tyre apo jo. Ai iu përgjigj: «Ngjitu», dhe Jehovai e shpartalloi armikun me një forcë të paparë, saqë Davidi e quajti atë vend Baal-Perazim, që do të thotë «pronar i çarjeve». Gjatë një përballjeje tjetër me ta, Jehovai ndryshoi strategji dhe e urdhëroi Davidin t’i rrethonte e t’u binte filistinëve pas shpine.—2Sa 5:17-25; 1Kr 14:8-17.
Davidi tentoi ta çonte arkën e besëlidhjes në Jerusalem, por nuk ia doli dot ngaqë Uzahu e preku dhe Jehovai e goditi. (2Sa 6:2-10; 1Kr 13:1-14) Arka u çua në Jerusalem rreth tre muaj më vonë. Këtë herë u bënë përpjekje të kujdesshme, si për shembull, u shenjtëruan priftërinjtë e levitët dhe u morën masa që këta ta mbanin arkën mbi supe, dhe jo ta çonin me qerre si herën e parë. I veshur thjesht, Davidi e shfaqi gëzimin dhe entuziazmin për këtë ngjarje madhështore «duke hovur e duke hedhur valle përpara Jehovait». Por e shoqja, Mikala, e qortoi duke i thënë se kishte vepruar si «një kokëbosh». Për këtë akuzë të pavend, ajo «nuk pati asnjë fëmijë deri ditën e vdekjes».—2Sa 6:11-23; 1Kr 15:1-29.
Gjithashtu, Davidi mori masa që adhurimi i Jehovait të merrte hov në vendin e ri ku u vendos Arka, duke emëruar derëtarë e muzikantë dhe duke u kujdesur që të paraqiteshin «vazhdimisht . . . blatime të djegura . . . në mëngjes e në mbrëmje». (1Kr 16:1-6, 37-43) Përveç kësaj, Davidi mendoi që, në vend të tendës, të ndërtonte për Arkën një tempull madhështor prej cedri. Perëndia nuk e la Davidin ta ndërtonte, por i tha: «Ke derdhur shumë gjak dhe ke bërë luftëra të mëdha. Ti nuk do të ndërtosh një shtëpi për emrin tim, pasi ke derdhur shumë gjak mbi tokë para syve të mi.» (1Kr 22:8; 28:3) Megjithatë, Jehovai bëri një besëlidhje me të dhe i premtoi se mbretëria do të mbetej përgjithmonë në familjen e tij. Gjithashtu, Perëndia e siguroi lidhur me këtë besëlidhje duke i thënë se tempullin do ta ndërtonte i biri, Solomoni, emër që vjen nga një fjalë që do të thotë «paqe».—2Sa 7:1-16, 25-29; 1Kr 17:1-27; 2Kr 6:7-9; Ps 89:3, 4, 35, 36.
Kështu, në përputhje me këtë besëlidhje për mbretërinë, Jehovai e lejoi Davidin ta shtrinte sundimin e tij territorial nga lumi i Egjiptit deri në Eufrat, duke i bërë kufijtë më të sigurt, duke ruajtur paqen me mbretin e Tirit dhe duke luftuar e mundur armiqtë nga të gjitha anët: filistinët, sirianët, moabitët, edomitët, amalekitët dhe amonitët. (2Sa 8:1-14; 10:6-19; 1Mb 5:3; 1Kr 13:5; 14:1, 2; 18:1–20:8) Fitoret që i dha Perëndia e bënë Davidin një sundimtar jashtëzakonisht të fuqishëm. (1Kr 14:17) Megjithatë, Davidi ishte gjithmonë i vetëdijshëm se këtë pozitë nuk e kishte falë fitoreve apo trashëgimisë, por nga Jehovai, i cili e kishte vënë në fronin e kësaj teokracie tipike.—1Kr 10:14; 29:10-13.
Mëkate që sollën tragjedi. Në fushatën e gjatë kundër amonitëve, ndodhi një nga episodet më të hidhura të jetës së Davidit. Gjithçka nisi kur mbreti, duke parë nga tarraca Betshebën e bukur tek lahej, ushqeu dëshira të gabuara. (Jk 1:14, 15) Pasi mësoi se i shoqi, Uriahu, kishte shkuar në luftë, Davidi urdhëroi t’ia sillnin gruan në pallat dhe kreu marrëdhënie me të. Kohë më vonë mbretin e njoftuan se ajo ishte shtatzënë. Nga frika se Betshebën do ta gjykonin e do ta dënonin me vdekje për imoralitet, Davidi dërgoi menjëherë fjalë që Uriahu të kthehej tek ai në Jerusalem për t’i raportuar, duke shpresuar që të kalonte natën me të shoqen. Edhe pse Davidi e dehu, Uriahu nuk pranoi të flinte me Betshebën. Atëherë, i dëshpëruar, Davidi e ktheu përsëri në front, duke urdhëruar fshehurazi komandantin Joab ta vinte Uriahun në vijën e parë të luftimit, ku ishte e sigurt që do të vritej. Komploti pati sukses. Uriahu vdiq në betejë, vejusha e tij mbajti zi aq sa ishte zakoni, dhe pastaj Davidi u martua me të para se njerëzit ta merrnin vesh se ishte shtatzënë.—2Sa 11:1-27.
Mirëpo Jehovai, që po shihte çdo gjë, e nxori në shesh gjithë këtë ngjarje të dënueshme. Nëse Jehovai do të kishte lejuar që rasti i Davidit dhe i Betshebës të trajtohej sipas Ligjit të Moisiut nga gjykatës njerëzorë, të dy fajtorët do të ishin dënuar me vdekje, dhe sigurisht, fryti i kurorëshkeljes në barkun e Betshebës do të kishte vdekur bashkë me të. (Lp 5:18; 22:22) Megjithatë, Jehovai vendosi ta trajtonte vetë këtë rast dhe i tregoi mëshirë Davidit për shkak të besëlidhjes për mbretërinë (2Sa 7:11-16), pa dyshim ngaqë vetë Davidi kishte treguar mëshirë (1Sa 24:4-7; krahaso Jk 2:13) dhe ngaqë Perëndia vërejti se fajtorët ishin penduar. (Ps 51:1-4) Gjithsesi, ata nuk u lanë fare pa ndëshkuar. Me anë të profetit Natan, Jehovai tha: «Ja, unë do të bëj që gjëma të të vijë nga shtëpia jote.»—2Sa 12:1-12.
Dhe kështu ndodhi. Foshnja jashtë kurore që lindi Betsheba shpejt vdiq, megjithëse Davidi agjëroi dhe vajtoi shtatë ditë për fëmijën e sëmurë. (2Sa 12:15-23) Pastaj, djali i parëlindur i Davidit, Amnoni, përdhunoi gjysmëmotrën e tij, Tamarën, dhe atë vetë më vonë e vrau vëllai i saj, ngjarje që e brengosën shumë të atin. (2Sa 13:1-33) Pas njëfarë kohe, Absalomi, djali i tretë që Davidi e donte shumë, jo vetëm që u mundua të uzurponte fronin, por e përbuzi hapur dhe e çnderoi botërisht të atin, duke kryer marrëdhënie me konkubinat e tij. (2Sa 15:1–16:22) Në fund, poshtërimi arriti kulmin, kur lufta e birit kundër të atit e krodhi vendin në luftë civile që përfundoi me vdekjen e Absalomit, ndryshe nga ç’kish dëshiruar Davidi. Kjo e brengosi edhe më shumë atë. (2Sa 17:1–18:33) Gjatë kohës që ia mbathte për shkak të Absalomit, Davidi kompozoi Psalmin 3, ku thuhet: «Shpëtimi i takon Jehovait.»—Ps 3:8.
Sidoqoftë, për të gjitha fajet dhe mëkatet e tij të rënda, Davidi tregoi gjithmonë një qëndrim të drejtë në zemër duke u penduar dhe duke iu përgjëruar Jehovait për falje. Këtë e tregoi në ngjarjen me Betshebën, pas së cilës Davidi shkroi Psalmin 51, ku tha: «Në faj erdha në dritë . . . dhe në mëkat më ngjizi nëna ime.» (Ps 51:5) Një rast tjetër kur Davidi e pranoi me përulësi mëkatin e tij ishte kur Satanai e nxiti të numëronte burrat që ishin të aftë për shërbimin ushtarak.—2Sa 24:1-17; 1Kr 21:1-17; 27:24; shih REGJISTRIMI.
Blerja e truallit për tempullin. Kur u ndal murtaja që solli Perëndia për shkak të gabimit të mësipërm, mbreti David bleu lëmin e Ornanit dhe paraqiti si flijim për Jehovain gjedhët e trinën shirëse. Pikërisht në këtë vend, më vonë Solomoni ndërtoi tempullin madhështor. (2Sa 24:18-25; 1Kr 21:18-30; 2Kr 3:1) Davidit gjithmonë ia kishte dashur zemra ta ndërtonte atë tempull dhe, megjithëse Perëndia nuk pranoi, e lejoi të ngrinte një skuadër të madhe për të latuar gurë dhe për të mbledhur materiale, ku përfshiheshin edhe 100.000 talenta ari (38.535.000.000 dollarë) dhe 1.000.000 talenta argjendi (6.606.000.000 dollarë), si dhe bakër e hekur në sasi të pallogaritshme. (1Kr 22:2-16) Davidi dha si kontribut nga thesari i tij ar nga Ofiri dhe argjend të rafinuar që vlente më shumë se 1.202.000.000 dollarë. Gjithashtu, ai siguroi projektin arkitekturor që kishte marrë nga Jehovai dhe organizoi dhjetëra mijë levitë në ndarje të ndryshme shërbimi, mes të cilëve edhe muzikantë e një kor të madh këngëtarësh.—1Kr 23:1–29:19; 2Kr 8:14; 23:18; 29:25; Ezd 3:10.
Fundi i mbretërimit. Edhe në fund të jetës së mbretit 70-vjeçar, kur tashmë kishte zënë shtratin, atij nuk iu ndanë tragjeditë në familje. Djali i tij i katërt, Adonijahu, pa dijeninë dhe pëlqimin e të atit, dhe akoma më keq, pa miratimin e Jehovait, u orvat të bëhej mbret. Kur e mori vesh, Davidi nxitoi të emëronte zyrtarisht mbret dhe të hipte në fron Solomonin, që ishte zgjedhur nga Jehovai. (1Mb 1:5-48; 1Kr 28:5; 29:20-25; 2Kr 1:8) Më pas, Davidi e këshilloi Solomonin të ecte në udhët e Jehovait, të zbatonte ligjet dhe urdhërimet e Tij e të vepronte me kujdes në çdo gjë—vetëm kështu do të kishte mbarësi.—1Mb 2:1-9.
Pasi mbretëroi 40 vjet, Davidi vdiq dhe e varrosën në Qytetin e Davidit. Ai ishte treguar i denjë të përfshihej në listën e nderuar të Pavlit ku bëjnë pjesë dëshmitarët që kanë spikatur për besimin e tyre. (1Mb 2:10, 11; 1Kr 29:26-30; Ve 13:36; He 11:32) Duke cituar Psalmin 110, Jezui tha se Davidi e kishte shkruar «nën frymëzim». (Mt 22:43, 44; Mr 12:36) Apostujt dhe shkrimtarë të tjerë të Biblës e pranojnë shpeshherë se Davidi ishte një profet i frymëzuar i Perëndisë.—Krahaso Ps 16:8 me Ve 2:25; Ps 32:1, 2 me Ro 4:6-8; Ps 41:9 me Gjo 13:18; Ps 69:22, 23 me Ro 11:9, 10; Ps 69:25 dhe 109:8 me Ve 1:16, 20.
Në profeci. Profetët folën shpesh për Davidin dhe për shtëpinë e tij mbretërore, nganjëherë në lidhje me mbretërit e fundit të Izraelit që u ulën «në fronin e Davidit» (Jr 13:13; 22:2, 30; 29:16; 36:30) dhe nganjëherë në kuptimin profetik. (Jr 17:25; 22:4; Am 9:11; Za 12:7-12) Në disa profeci mesianike vëmendja është përqendruar te besëlidhja që bëri Jehovai me Davidin për një mbretëri. Për shembull, Isaia thotë se ai që thirret «Këshilltar i Mrekullueshëm, Perëndi i Fuqishëm, Atë i Përjetshëm, Princ i Paqes», do të vendoset patundshmërisht në «fronin e Davidit» përjetë. (Is 9:6, 7; krahaso edhe 16:5.) Jeremia e krahason Mesinë me «një filiz të drejtë», të cilin Jehovai ‘do t’ia nxjerrë Davidit’. (Jr 23:5, 6; 33:15-17) Nëpërmjet Ezekielit, Jehovai e quajti Bariun mesianik ‘shërbëtori im David’.—Ezk 34:23, 24; 37:24, 25.
Kur i tha Marisë se do të lindte një djalë që do t’ia vinte emrin Jezu, engjëlli shpalli se ‘Perëndia Jehova do t’i jepte fronin e Davidit, të atit’. (Lu 1:32) ‘Jezu Krishti, biri i Davidit’ ishte njëherazi trashëgimtari i ligjshëm dhe natyror i fronit të Davidit. (Mt 1:1, 17; Lu 3:23-31) Pavli tha se Jezui ishte pasardhës i Davidit sipas mishit. (Ro 1:3; 2Ti 2:8) Gjithashtu, njerëzit e thjeshtë e quanin Jezuin «Bir i Davidit». (Mt 9:27; 12:23; 15:22; 21:9, 15; Mr 10:47, 48; Lu 18:38, 39) Kjo gjë ishte e rëndësishme, pasi siç e pranonin edhe farisenjtë, Mesia do të ishte biri i Davidit. (Mt 22:42) Edhe vetë Jezui, pasi u ringjall, dha dëshmi duke thënë: «Unë, Jezui . . . jam rrënja dhe pasardhës i Davidit.»—Zb 22:16; gjithashtu Zb 3:7; 5:5.
[Diagrami]
(Për tekstin e faqosur, shih botimin e shtypur)
GJENEALOGJIA E DAVIDIT
(Emrat e burrave janë me shkronja të mëdha)
BOAZI dhe Rutha (gruaja e tij)
OBEDI
JESEU
FAMILJA E JESEUT NIPAT E DAVIDIT
ELIABI (Elihu)
ABINADABI
SHAMAHU (Shimea[hu], Shimei)
JEHONADABI
NETANELI
RADAI
OZEMI
Zerujaja
ABISHAI
JOABI
ASAHELI
anonim
Abigaila
AMASA
DAVIDI
GRATË E DAVIDIT FËMIJËT E DAVIDIT
Mikala
Ahinoami
AMNONI
Abigaila
DANIELI (Kileabi)
Makaha
ABSALOMI
Tamara
Hagita
ADONIJAHU
Abitala
SHEFATIAHU
Egla
ITHREAMI
gratë e konkubinat anonime
IBHARI
ELISHUA (Elishami)
NOGAHU
ELIFELETI (Elpeleti)
NEFEGU
JAFIA
ELISHAMI
BEELIADI (Eliadai)
ELIFELETI
JERIMOTI
Betsheba
anonim
SHIMEA (Shamuai)
SHOBABI
NATANI
|
MARIA
SOLOMONI (Jedidiahu)
|
JOZEFI