Libri biblik numër 10—2 Samuelit
Shkrimtarët: Gadi dhe Natani
Vendi ku u shkrua: Izrael
Shkrimi përfundoi: rr. 1040 p.e.s.
Periudha përkatëse: 1077 p.e.s.–rr. 1040 p.e.s.
1. Në cilin sfond hapet libri i dytë i Samuelit, dhe si zhvillohet tregimi?
KOMBI i Izraelit ishte zhytur në dëshpërim për shkak të shpartallimit në Gilboa dhe sulmeve të filistinëve fitimtarë. Krerët e Izraelit dhe lulja e djalërisë së tyre, dergjeshin të vdekur. Në këtë skenar shfaqet plotësisht në skenën kombëtare ‘i mirosuri i Jehovait’, i riu David, biri i Jeseut. (2 Sam. 19:21) Kështu nis libri i dytë i Samuelit, i cili mund të quhet me të drejtë një libër i Jehovait dhe i Davidit. Është një tregim plot aksion të çdo lloji. Ai na çon nga humnerat e disfatave, në piedestalet e fitoreve; nga vuajtjet e një kombi të dërrmuar nga luftërat, në begatinë e një mbretërie të bashkuar; nga fuqia e rinisë, në urtësinë e moshës së shkuar. Është tregimi i hollësishëm i jetës së Davidit, teksa përpiqej të ndiqte Jehovain me gjithë zemër.a Është një tregim që duhet të nxitë çdo lexues të bëjë një vetëshqyrtim të zemrës, që të forcojë lidhjen me Krijuesin dhe qëndrimin para Tij.
2. (a) Përse ky libër u quajt libri i dytë i Samuelit? (b) Cilët ishin shkrimtarët? Ç’kualifikime kishin, dhe cilin tregim u përpoqën të ruanin?
2 Në fakt, emri i Samuelit nuk përmendet fare në librin e dytë të Samuelit. Me sa duket, ky emër iu dha këtij libri ngaqë fillimisht ishte në një rrotull apo volum të vetëm me librin e Parë të Samuelit. Profetët Natan dhe Gad, që përfunduan së shkruari librin e Parë të Samuelit, vazhduan të shkruanin edhe gjithë librin e dytë të Samuelit. (1 Kron. 29:29) Ata ishin më se të kualifikuar për këtë punë. Gadi kishte qenë bashkë me Davidin kur këtë e ndiqnin si të jashtëligjshëm në Izrael, dhe aty nga fundi i mbretërimit 40-vjeçar të Davidit, ai ende shoqërohej aktivisht me mbretin. Gadi ishte njeriu që u përdor për të shpallur pakënaqësinë e Jehovait kur Davidi, duke vepruar pa mençuri, bëri numërimin e popullit të Izraelit. (1 Sam. 22:5; 2 Sam. 24:1-25) Aktiviteti i profetit Natan, shok i ngushtë i Davidit, përkon pjesërisht me periudhën e jetës së Gadit, e madje shkon edhe më tej. Ai pati privilegjin të bënte të njohur besëlidhjen domethënëse të Jehovait me Davidin, besëlidhjen për një mbretëri të përjetshme. Ishte pikërisht Natani që me guxim dhe nën frymëzim nxori në shesh mëkatin e rëndë të Davidit me Betshebën, dhe njoftoi dënimin për atë mëkat. (2 Sam. 7:1-17; 12:1-15) Kështu pra, Jehovai përdori Natanin, emri i të cilit do të thotë «[Perëndia] ka dhënë», dhe Gadin, emri i të cilit do të thotë «Mbarësi», që të dokumentonin informacionet e frymëzuara e të dobishme të librit të dytë të Samuelit. Këta historianë pa pretendime, nuk kërkuan të regjistronin kujtime për veten, pasi asnjë informacion nuk është dhënë për prejardhjen apo jetën e tyre. Ata vetëm u përpoqën të ruanin tregimin e frymëzuar nga Perëndia për dobinë e adhuruesve të ardhshëm të Jehovait.
3. Ç’periudhë përkatëse trajton libri i dytë i Samuelit, dhe kur përfundoi së shkruari?
3 Libri i dytë i Samuelit e nis tregimin e saktë të historisë biblike menjëherë pas vdekjes së Saulit, mbretit të parë të Izraelit, dhe vazhdon deri afër fundit të mbretërimit 40-vjeçar të Davidit. Kështu, periudha përkatëse që trajton, fillon nga viti 1077 p.e.s. deri rreth vitit 1040 p.e.s. Fakti që libri nuk flet për vdekjen e Davidit, është një provë e fortë se është shkruar rreth vitit 1040 p.e.s., ose pak para vdekjes së tij.
4. Për cilat arsye libri i dytë i Samuelit duhet pranuar si pjesë e kanunit të Biblës?
4 Libri i dytë i Samuelit duhet pranuar si pjesë e kanunit të Biblës për të njëjtat arsye që u përmendën për librin e Parë. Autenticiteti i tij është përtej çdo dyshimi. Çiltërsia me të cilën libri nuk fsheh as mëkatet dhe të metat e vetë mbretit David, është një dëshmi e qartë rrethanore për këtë.
5. Cila është arsyeja më e fortë për ta pranuar librin e dytë të Samuelit si pjesë të frymëzuar të Shkrimeve?
5 Gjithsesi, dëshmia më e fortë për autenticitetin e librit të dytë të Samuelit gjendet në profecitë e përmbushura, veçanërisht në ato që kanë të bëjnë me besëlidhjen e Mbretërisë me Davidin. Perëndia i premtoi Davidit: «Shtëpia dhe mbretëria jote kanë për të qenë përjetë të palëkundura. Froni yt do të jetë i patundur përjetë.» (7:16) Kurse Jeremia, në perëndim të mbretërisë së Judës, foli për vazhdimësinë e shtëpisë së Davidit: «Kështu thotë Jehovai: ‘Davidit nuk do t’i mungojë ndokush që të ulet në fronin e shtëpisë së Izraelit.’» (Jer. 33:17) Kjo profeci u plotësua, pasi, siç dëshmon qartësisht Bibla, më vonë Jehovai nxori nga Juda ‘Jezu Krishtin, birin e Davidit’.—Mat. 1:1.
PËRMBAJTJA E 2 SAMUELIT
6. Cili është reagimi i Davidit kur merr vesh lajmin për vdekjen e Saulit dhe të Jonatanit?
6 Ngjarje të hershme në mbretërinë e Davidit (1:1-4:12). Pas vdekjes së Saulit në malin Gilboa, një amalekit ia mbath nga beteja dhe vjen me të shpejtë t’i raportojë Davidit, që ndodhet në Ziklag. Duke shpresuar se do t’i bëjë qejfin Davidit, sajon një histori, gjoja sikur e ka vrarë ai vetë Saulin. Por në vend të lavdeve, amalekiti merr si shpërblim vdekjen, përderisa pranon me gojën e vet se ka goditur «të mirosurin e Jehovait». (1:16) Mbreti i ri, Davidi, kompozon një këngë të përvajshme, të quajtur «Harku», ku vajton për vdekjen e Saulit e të Jonatanit. Kënga shpërthen me gjithë bukurinë e saj, sidomos me shprehjet prekëse të Davidit për dashurinë e madhe për Jonatanin: «I brengosur jam për ty, o vëllai im, Jonatan; shumë i këndshëm ishe për mua. Dashuria jote ishte për mua më e mrekullueshme se dashuria e grave. Oh, seç ranë të fuqishmit dhe u prishën armët e luftës!»—1:17, 18, 26, 27.
7. Çfarë ndodh tjetër gjatë periudhës së parë të mbretërimit të Davidit?
7 Nën drejtimin e Jehovait, Davidi dhe njerëzit e tij i zhvendosin familjet e tyre në Hebron, në territorin e Judës. Këtu, pleqtë e fisit vijnë të mirosin Davidin si mbretin e tyre, në vitin 1077 p.e.s. Gjenerali Joab bëhet mbështetësi kryesor i Davidit. Mirëpo Abneri, kreu i ushtrisë, miros Ish-Boshethin, një nga bijtë e Saulit, si mbret rival të kombit. Herë pas here ndodhin përplasje mes dy forcave kundërshtare, dhe në një nga këto Abneri vret një nga vëllezërit e Joabit. Së fundi, Abneri dezerton dhe shkon në kampin e Davidit. Ai i sjell Davidit bijën e Saulit, Mikalën, për të cilën, kohë më parë, Davidi kishte paguar çmimin e martesës. Megjithatë, që të marrë hakun e të vëllait, Joabi gjen rastin dhe vret Abnerin. Kjo e hidhëron së tepërmi Davidin, i cili heq nga vetja çdo përgjegjësi për atë që ndodhi. Jo shumë kohë më vonë, vritet edhe Ish-Boshethi, teksa «po merrte një sy gjumë në drekë».—4:5.
8. Çfarë bën Jehovai që mbretërimi i Davidit në Izrael të lulëzojë?
8 Davidi mbretëron në Jerusalem (5:1-6:23). Edhe pse tashmë ka mbretëruar në Judë për shtatë vjet e gjashtë muaj, Davidi bëhet sundimtari i padiskutueshëm, dhe përfaqësuesit e fiseve e mirosin tanimë si mbret të gjithë Izraelit. Kjo është mirosja e tretë e tij (1070 p.e.s.). Një nga veprimet e para të Davidit si sundimtar i tërë mbretërisë, është marrja e kalasë së Sionit në Jerusalem, ku janë fortifikuar jebusitët, duke i zënë në befasi nëpërmjet tunelit të ujit. Kështu, Davidi e shpall Jerusalemin kryeqytet të mbretërisë së tij. Jehovai i ushtrive e bekon Davidin dhe e madhëron gjithnjë e më shumë. Edhe vetë Hirami, mbreti pasanik i Tirit, i dërgon Davidit cedra të çmuar dhe punëtorë që të ndërtojë shtëpinë mbretërore. Familja e Davidit shtohet, dhe Jehovai bën që mbretëria e tij të lulëzojë. Më pas ndodhin edhe dy përplasje me filistinët luftëdashës. Në të parën, Jehovai krijon një të çarë mes armiqve në Baal-Perazim dhe i jep fitoren Davidit. Në të dytën, Jehovai kryen një tjetër mrekulli tek bën të dëgjohet «një si zhurmë marshimi nga majat e shkurreve të bakës», për të treguar se Jehovai i prin Izraelit që të shpartallojë ushtritë filistine. (5:24) Një tjetër fitore madhështore për forcat e Jehovait!
9. Përshkruaj ngjarjet që lidhen me marrjen e Arkës në Jerusalem.
9 Davidi merr me vete 30.000 burra dhe niset që të marrë arkën e besëlidhjes nga Baale-Juda (Kiriat-Jearim) për në Jerusalem. Rrugës, teksa e sjellin me muzikë e gëzim të madh, qerrja ku ndodhet arka gati përmbyset, prandaj Uzahu, i cili po ecte përbri saj, zgjat dorën të mbajë Arkën e shenjtë. «Në çast Jehovait iu ndez zemërimi kundër Uzahut dhe Perëndia i vërtetë e goditi atje për veprimin pa respekt.» (6:7) Arkën e lënë në shtëpinë e Obed-Edomit, dhe gjatë tre muajve që pasojnë, Jehovai e bekon së tepërmi shtëpinë e tij. Pas tre muajsh Davidi vjen të marrë Arkën, dhe e transporton ashtu si duhet gjatë pjesës së mbetur të udhës. Me britma gëzimi, muzikë e valle, Arkën e sjellin në kryeqytetin e Davidit. Davidi e shfaq lirshëm gëzimin e madh duke kërcyer para Jehovait, mirëpo gruaja e tij Mikala i kundërvihet. Davidi këmbëngul: «Unë do të festoj përpara Jehovait.» (6:21) Për shkak të kësaj, Mikala mbetet pa fëmijë deri ditën që vdes.b
10. Cila besëlidhje dhe cili premtim i Jehovait paraqiten tani në vëmendjen tonë?
10 Besëlidhja e Perëndisë me Davidin (7:1-29). Ja ku vijmë tani në një nga ngjarjet më të rëndësishme në jetën e Davidit, e cila lidhet drejtpërdrejt me temën qendrore të Biblës: shenjtërimin e emrit të Jehovait nëpërmjet Mbretërisë së drejtuar nga Fara e premtuar. Kjo ngjarje merr shkas nga dëshira e Davidit për të ndërtuar një shtëpi për arkën e Perëndisë. Meqë vetë jeton në një shtëpi të bukur të bërë me cedra, Davidi i thotë Natanit se dëshiron të ndërtojë një shtëpi për arkën e besëlidhjes së Jehovait. Nëpërmjet Natanit, Jehovai e siguron Davidin për dashamirësinë e tij ndaj Izraelit dhe lidh me të një besëlidhje që do të qëndrojë përgjithmonë. Gjithsesi, shtëpinë për emrin e Jehovait nuk do ta ndërtojë Davidi, por trashëgimtari i tij. Për më tepër, Jehovai bën këtë premtim të dashur: «Shtëpia dhe mbretëria jote kanë për të qenë përjetë të palëkundura. Froni yt do të jetë i patundur përjetë.»—7:16.
11. Me cilën lutje e shpreh mirënjohjen Davidi?
11 I prekur nga mirësia e Jehovait, e treguar nëpërmjet besëlidhjes së Mbretërisë, Davidi shpreh mirënjohjen për gjithë dashamirësinë e Perëndisë: «Cili komb në tokë është si populli yt, Izraeli, të cilin ti, o Perëndi, shkove që ta shpengoje për ta bërë popullin tënd, që t’i bëje një emër vetes, që të bëje për të gjëra madhështore që ngjallin frikë? . . . Ti vetë, o Jehova, je bërë Perëndia i tyre.» (7:23, 24) Davidi lutet me zjarr që të shenjtërohet emri i Jehovait dhe që shtëpia e vet të qëndrojë e patundur para Tij.
12. Cilat luftëra bën Davidi, dhe si tregon mirëdashje për shtëpinë e Saulit?
12 Davidi shtrin zotërimet e Izraelit (8:1-10:19). Gjithsesi, s’është e thënë që Davidi të sundojë në paqe. Ka ende luftëra për të bërë. Kështu, ai vazhdon të godasë filistinët, moabitët, zobahitët, sirianët dhe edomitët, dhe i shtrin kufijtë e Izraelit deri në skajet që ka caktuar Perëndia. (2 Sam. 8:1-5, 13-15; Ligj. 11:24) Më pas, e kthen vëmendjen nga shtëpia e Saulit që, për hir të Jonatanit, t’u tregojë dashamirësi atyre që kanë mbetur prej saj. Ziba, një shërbëtor i Saulit, e kujton Davidin për një nga bijtë e Jonatanit, Mefiboshetin, i cili është i çalë. Menjëherë, Davidi kërkon që të gjitha zotërimet e Saulit t’i kthehen Mefiboshetit, dhe tokën e tij ta punojnë Ziba me shërbëtorët e vet, që të sigurojnë ushqim për shtëpinë e Mefiboshetit. Ndërsa vetë Mefibosheti do të hajë në tryezën e Davidit.
13. Cilat fitore të mëtejshme tregojnë se Jehovai është me Davidin?
13 Kur mbreti i Amonit vdes, Davidi i dërgon ambasadorë Hanunit, të birit, që t’i përcjellë mesazhe dashamirësie. Mirëpo, këshilltarët e Hanunit e akuzojnë Davidin se i ka dërguar këta burra që të spiunojnë vendin, kështu që i poshtërojnë dhe i kthejnë mbrapsht gjysmë të zhveshur. I zemëruar nga kjo fyerje, Davidi dërgon Joabin me ushtrinë e tij për t’u hakmarrë. Joabi i ndan forcat, dhe i shpartallon lehtësisht amonitët dhe sirianët që u kanë ardhur këtyre në ndihmë. Sirianët organizohen përsëri, por vetëm për t’u mposhtur edhe një herë nga ushtritë e Jehovait nën komandën e Davidit, dhe humbasin 700 karrocierë e 40.000 kalorës. Kjo është një dëshmi tjetër që tregon se Jehovai po e bekon dhe po e mbështet Davidin.
14. Cilat mëkate kryen Davidi ndaj Betshebës?
14 Davidi mëkaton kundër Jehovait (11:1-12:31). Pranverën që pason, Davidi dërgon sërish Joabin në Amon që të rrethojë qytetin e Rabahut, ndërsa vetë qëndron në Jerusalem. Një mbrëmje, nga tarraca e tij, vëren Betshebën e bukur, gruan e hititit Uriah, e cila po bënte banjë. E merr në shtëpinë e tij, kryen marrëdhënie seksuale me të, dhe ajo mbetet shtatzënë. Davidi mundohet të mbulojë gjurmët, prandaj thërret Uriahun që po lufton në Rabah, dhe e dërgon në shtëpinë e vet që të pushojë. Megjithatë, Uriahu nuk pranon të rehatohet e të ketë marrëdhënie me të shoqen, ndërkohë që Arka dhe ushtria «po banojnë nëpër kasolle». Në gjendje të dëshpëruar, Davidi e nis Uriahun te Joabi, bashkë me një letër që thotë: «Vëreni Uriahun në ballë të sulmeve më të ashpra të betejës dhe tërhiquni nga ai. Kështu do ta godasin dhe do të vdesë.» (11:11, 15) Kështu, Uriahu vdes. Pasi Betsheba kalon periudhën e zisë, Davidi e merr menjëherë në shtëpinë e vet. Ajo bëhet gruaja e tij dhe i lind një fëmijë, një djalë.
15. Cilin gjykim profetik shpall Natani kundër Davidit?
15 E gjithë kjo është e keqe në sy të Jehovait. Ai dërgon profetin Natan te Davidi, me një mesazh gjykimi. Natani i flet Davidit për një të pasur e një të varfër. I pari kishte shumë kope, kurse tjetri kishte vetëm një qengj të vogël femër, që e donte shumë e gjithë familja, dhe «iu bë porsi bijë». Mirëpo, kur iu desh të shtronte një festë, i pasuri nuk mori një dele nga kopetë e veta, por pikërisht qengjin femër të të varfrit. Kur e dëgjoi këtë, Davidit iu ndez zemërimi, dhe thirri: «Siç është e vërtetë që Jehovai rron, njeriu që e ka bërë këtë e ka hak vdekjen!» Natani ia kthen flakërimë: «Ti je ai njeri!» (12:3, 5, 7) Pastaj shpall gjykimet profetike: gratë e Davidit do t’i përdhunojnë në sy të të gjithëve, shtëpia e tij do të goditet nga luftëra të brendshme, dhe fëmija që i lindi Betsheba, do të vdesë.
16. (a) Ç’domethënie kanë emrat e djalit të dytë që Betsheba i lindi Davidit? (b) Si përfundon sulmi mbi Rabahun?
16 I brengosur dhe i penduar sinqerisht, Davidi pranon hapur: «Kam mëkatuar kundër Jehovait.» (12:13) Pikërisht si kishte folur Jehovai, pasardhësi nga lidhja kurorëshkelëse vdes pas një lëngate prej shtatë ditësh. (Më vonë, Betsheba i lind Davidit një djalë tjetër; e quajnë Solomon, emër që vjen nga një fjalë që do të thotë «paqe». Por Jehovai u dërgon fjalë nëpërmjet Natanit, që ta quajnë edhe Jedidiah, që do të thotë «I dashur për Jah».) Pas kësaj përvoje tronditëse, Joabi e thërret Davidin të shkojë në Rabah, ku po përgatitet sulmi përfundimtar. Pasi ka zënë furnizimet me ujë të qytetit, në shenjë respekti, Joabi ia lë mbretit nderin që të pushtojë qytetin.
17. Ç’telashe të brendshme nisin të godasin shtëpinë e Davidit?
17 Vështirësi brenda shtëpisë së Davidit (13:1-18:33). Telashet në shtëpinë e Davidit nisin kur Amnoni, një nga bijtë e tij, dashurohet çmendurisht me Tamarën, motrën e gjysmëvëllait të vet, Absalomit. Amnoni hiqet sikur është i sëmurë, dhe kërkon që të kujdeset për të Tamara e bukur. Ai e përdhunon, por pastaj nis ta urrejë aq shumë, saqë e largon të poshtëruar. Absalomi bën planet për t’u hakmarrë, dhe pret kohën e volitshme. Nja dy vjet më vonë, ai organizon një festë ku janë të ftuar Amnoni dhe gjithë bijtë e tjerë të mbretit. Kur zemra e Amnonit vjen në qejf nga vera, atë e kapin pa mendje dhe e vrasin me urdhër të Absalomit.
18. Falës cilës dredhi bëhet i mundur kthimi i Absalomit nga mërgimi?
18 I frikësuar nga indinjata e mbretit, Absalomi ia mbath për në Geshur ku jeton si gjysmë i mërguar për tre vjet. Ndërkaq, Joabi, kreu i ushtrisë së Davidit, bën planet që të pajtojë Davidin me Absalomin. Kështu ai bën që një grua e mençur nga Tekoa të dalë para mbretit e t’i tregojë një situatë të trilluar, ku flitet për shpagim, syrgjynosje e ndëshkim. Kur mbreti shpall gjykimin, gruaja i zbulon arsyen e vërtetë të pranisë së saj, duke i shpjeguar se vetë biri i mbretit, Absalomi, është i syrgjynosur në Geshur. Davidi e kupton se ky është plan i Joabit, por gjithsesi e lejon të birin të kthehet në Jerusalem. Vetëm pasi kalojnë edhe dy vjet të tjerë, mbreti pranon të takohet me Absalomin sy më sy.
19. Cili komplot plas sheshit, dhe me ç’pasoja për Davidin?
19 Pavarësisht nga dashamirësia e Davidit, shumë shpejt Absalomi thur një komplot që të uzurpojë fronin e të atit. Absalomi është ku e ku më i pashëm se gjithë trimat e Izraelit, dhe kjo e nxit edhe më shumë ambicien dhe krenarinë e tij. Çdo vit, kur qethej, flokët e tij të harlisur peshonin dyqind sikla, ose rreth 2,3 kilogramë. (2 Sam. 14:26) Me dredhi të ndryshme, Absalomi nis të vjedhë zemrat e njerëzve të Izraelit. Së fundi, komploti plas sheshit. Pasi merr leje nga i ati që të shkojë në Hebron, Absalomi shpall atje qëllimin rebel dhe kërkon mbështetjen e mbarë Izraelit për kryengritjen kundër Davidit. Meqë përkrah djalit të tij rebel mblidhet një turmë e madhe, Davidi ia mbath nga Jerusalemi vetëm me një grusht mbështetësish besnikë, ndër të cilët gititi Itai, që thotë: «Siç është e vërtetë që Jehovai rron dhe siç është e vërtetë që rron zotëria im, mbreti, ku të jetë zotëria im, mbreti, qoftë për vdekje, qoftë për jetë, atje do të jetë edhe shërbëtori yt!»—15:21.
20, 21. (a) Cilat ngjarje ndodhin gjatë ikjes së Davidit në shkretëtirë, dhe si përmbushet profecia e Natanit? (b) Ç’fund pëson tradhtari Ahithofel?
20 Tek ikën nga Jerusalemi, Davidi mëson për tradhtinë e një prej këshilltarëve të tij më të besuar, Ahithofelit. Ai lutet: «O Jehova, të lutem, ktheje në marrëzi këshillën e Ahithofelit!» (15:31) Sadoku dhe Abiatari, priftërinj besnikë të Davidit, si dhe arkiti Hushai, dërgohen prapa në Jerusalem që të vëzhgojnë e të raportojnë lëvizjet e Absalomit. Ndërkohë, në shkretëtirë, Davidi takon Zibën, ndihmësin e Mefiboshetit, i cili i raporton se tani zotëria i tij po pret që mbretëria t’i kthehet prapë shtëpisë së Saulit. Davidi ndesh udhës Shimein, nga shtëpia e Saulit, i cili e mallkon dhe e qëllon me gurë, mirëpo Davidi nuk i lejon burrat e tij të marrin hak.
21 Ndërkaq në Jerusalem, sipas sugjerimit të Ahithofelit, uzurpatori Absalom kryen marrëdhënie seksuale me konkubinat e të atit, «në sytë e gjithë Izraelit». Kështu përmbushet gjykimi profetik i Natanit. (16:22; 12:11) Gjithashtu, Ahithofeli e këshillon Absalomin të marrë 12.000 burra e të vihet në ndjekje të Davidit në shkretëtirë. Mirëpo Hushai, që kishte fituar ndërkohë besimin e Absalomit, sugjeron një tjetër mënyrë veprimi. Dhe pikërisht siç ishte lutur Davidi, këshilla e Ahithofelit hidhet poshtë. Ashtu si Juda vite më vonë, Ahithofeli i zhgënjyer, shkon në shtëpi dhe var veten. Fshehurazi, Hushai ua tregon planet e Absalomit priftërinjve Sadok dhe Abiatar, të cilët ia përcjellin lajmin Davidit që ndodhet në shkretëtirë.
22. Ç’pikëllim e shoqëron fitoren e Davidit?
22 Kjo i jep mundësi Davidit të kapërcejë Jordanin dhe të zgjedhë si fushë beteje pyllin e Mahanaimit. I rreshton këtu forcat e tij dhe u jep urdhër të sillen ëmbël me Absalomin. Rebelët pësojnë një disfatë dërrmuese. Teksa përpiqet t’ia mbathë mbi një mushkë nëpër pyllin e dendur, Absalomit i ngatërrohen flokët mes degëve të poshtme të një peme shumë të madhe, dhe ngelet i varur në të. Në këtë gjendje e gjen Joabi, që e vret, duke shpërfillur hapur urdhrin e mbretit. Pikëllimi i thellë i Davidit për vdekjen e të birit, duket qartë në vajtimin e tij: «Biri im Absalom, biri im, biri im Absalom! Ah, sikur të kisha vdekur unë në vendin tënd, o Absalom, biri im, biri im!»—18:33.
23. Ç’gjëra ndodhin kur Davidi kthehet si mbret?
23 Ngjarjet e fundit të mbretërimit të Davidit (19:1-24:25). Davidi vazhdon të mbajë zi i pikëlluar derisa Joabi e nxit të rimarrë pozitën që i takon si mbret. Tani, në vend të Joabit, ai cakton Amasën në krye të ushtrisë. Kur Davidi kthehet, gjithë populli e mikpret, përfshirë edhe Shimein, të cilit Davidi i kursen jetën. Edhe Mefibosheti vjen që të mbrojë çështjen e tij, dhe Davidi i cakton një trashëgimi të barabartë me Zibën. Edhe një herë, gjithë Izraeli dhe Juda janë të bashkuar nën drejtimin e Davidit.
24. Cilat ngjarje të mëtejshme përfshijnë fisin e Beniaminit?
24 Gjithsesi, telashet s’kanë të sosur. Sheba, një beniaminit, vetëshpallet mbret dhe ia del të largojë shumë veta nga Davidi. Me urdhër të Davidit, Amasa mbledh burrat që të shtypë rebelimin, por ndeshet rrugës me Joabin, i cili e vret pabesisht. Joabi merr nën kontroll ushtrinë, dhe e ndjek Shebën deri në qytetin e Abelit në Beth-Makah, të cilin e rrethon. Banorët e qytetit ia vënë veshin këshillës së një gruaje të mençur, dhe e ekzekutojnë Shebën. Me kaq, Joabi tërhiqet. Ngaqë Sauli kishte vrarë disa gibeonitë dhe gjaku i tyre nuk ishte shlyer ende, në Izrael pllakos zia e bukës për tre vjet. Për të hequr fajin e gjakut, vriten shtatë djem nga shtëpia e Saulit. Më vonë, gjatë një beteje me filistinët, jeta e Davidit shpëton për një fije floku falë nipit të tij, Abishait. Për këtë arsye, burrat e tij betohen se ai s’ka për të dalë më në betejë bashkë me ta, ‘që të mos e shuhet llamba e Izraelit’! (21:17) Tre nga burrat e fuqishëm të Davidit kryejnë trimëri të mëdha, dhe vrasin gjigantë filistinë.
25. Çfarë shprehin këngët e Davidit që janë dokumentuar më pas?
25 Këtu shkrimtari e ndërpret tregimin, dhe ndërfut një këngë të Davidit kushtuar Jehovait që është paralele me Psalmin 18, dhe ku ai shpreh falënderime për Perëndinë që e çliroi «nga dora e gjithë armiqve dhe nga dora e Saulit». Ai shpall gjithë gëzim: «Jehovai është shkrepi im, kalaja ime dhe Ai që më sjell shpëtim. Ai që bën vepra të mëdha shpëtimi për mbretin e tij dhe të mirosurit të tij i tregon dashamirësi, po, Davidit dhe farës së tij në përjetësi.» (22:1, 2, 51) Pastaj, vijon kënga e fundit e Davidit, në të cilën ai pranon: «Fryma e Jehovait foli nëpërmjet meje, dhe fjala e tij ishte në gjuhën time.»—23:2.
26. Çfarë thuhet për trimat e Davidit, dhe si tregon ai respekt për gjakun e tyre?
26 Duke iu kthyer tregimit historik, gjejmë një listë të trimave të Davidit, tre nga të cilët shquhen në mënyrë të veçantë. Ata përfshihen në një incident, ndërkohë që një postë filistine e përparuar është vendosur në Betlehem, qytetin e lindjes së Davidit. Davidi shpreh këtë dëshirë: «Ah, sikur të pija ca ujë nga sterna e Betlehemit që është te porta!» (23:15) Atëherë tre trimat çajnë përmes kampit të filistinëve, nxjerrin ujë nga sterna, dhe ia sjellin Davidit. Mirëpo Davidi nuk pranon të pijë. Përkundrazi, e derdh ujin përtokë dhe thotë: «Mua, o Jehova, s’më ka shkuar kurrë ndër mend ta bëj këtë! Të pi unë gjakun e njerëzve që vunë në rrezik shpirtin e tyre?!» (23:17) Për të, uji është njësoj me gjakun e këtyre burrave që rrezikuan jetën për ta marrë. Më pas, renditen 30 burrat më të fuqishëm të ushtrisë së tij dhe bëmat e tyre.
27. Cili është mëkati i fundit i Davidit? Si ndalon plaga që vjen si pasojë?
27 Së fundi, Davidi mëkaton prapë kur numëron popullin. Meqë i përgjërohet Perëndisë për mëshirë, i jepet mundësia të zgjedhë një nga tri ndëshkimet: shtatë vjet zi buke, tre muaj disfata ushtarake, ose tri ditë murtajë në vend. Davidi përgjigjet: «Të lutem, le të biem në duart e Jehovait, sepse e madhe është mëshira e tij, por mos më lër të bie në duart e njeriut.» (24:14) Murtaja që godet mbarë kombin, vret 70.000 njerëz, dhe ndalet vetëm kur Davidi, i udhëzuar nga Jehovai nëpërmjet Gadit, blen lëmin e Araunahut, ku i paraqit Jehovait blatime të djegura dhe flijime në bashkësi.
PËRSE ËSHTË I DOBISHËM?
28. Ç’paralajmërime të fuqishme përmban libri i dytë i Samuelit?
28 Libri i dytë i Samuelit ka shumë gjëra të dobishme për lexuesit e sotëm. Pothuajse çdo emocion njerëzor është shprehur me ngjyra tepër të gjalla të jetës reale. Kështu për shembull, gjejmë paralajmërime të fuqishme për pasojat shkatërrimtare të ambicies dhe hakmarrjes (3:27-30), për dëshirimin e bashkëshortit të një tjetri (11:2-4, 15-17; 12:9, 10), për veprimet e pabesa (15:12, 31; 17:23), për dashurinë e bazuar vetëm në pasion (13:10-15, 28, 29), për gjykimet e nxituara (16:3, 4; 19:25-30) dhe për mungesën e respektit për veprat që shprehin përkushtimin e të tjerëve.—6:20-23.
29. Cilët shembuj të sjelljes dhe të veprave të drejta gjejmë në librin e dytë të Samuelit?
29 Megjithatë, shumë më tepër dobi mund të nxjerrim nga libri i dytë i Samuelit kur shohim anët pozitive, shembujt e shumtë e të shkëlqyer të sjelljes dhe të veprimeve të drejta. Davidi është një model i përkushtimit vetëm ndaj Perëndisë (7:22), i përulësisë para Perëndisë (7:18), i lartësimit që i bën emrit të Jehovait (7:23, 26), i pikëpamjes së duhur që mbajti kur kishte probleme (15:25), i pendimit të sinqertë për mëkatet (12:13), i besnikërisë ndaj premtimeve që bëri (9:1, 7), i ekuilibrit që mbajti nën sprova (16:11, 12), i mbështetjes së vazhdueshme te Jehovai (5:12, 20), i respektit të thellë për masat që merrte Jehovai dhe për emërimet që ai bënte (1:11, 12). Nuk habitemi që Davidi u quajt «një njeri siç ia do zemra [Jehovait]»!—1 Sam. 13:14.
30. Cilat parime zbatohen dhe ilustrohen në librin e dytë të Samuelit?
30 Në librin e dytë të Samuelit gjejmë, gjithashtu, edhe zbatimin e shumë parimeve biblike. Ndër to janë: parimi i përgjegjësisë kolektive (2 Sam. 3:29; 24:11-15), qëllimet e mira nuk i ndryshojnë kërkesat e Perëndisë (6:6, 7), në organizimin teokratik të Jehovait duhet respektuar kryesia (12:28), gjaku duhet konsideruar i shenjtë (23:17), për fajin e gjakut kërkohet një shlyerje (21:1-6, 9, 14), vetëm një njeri i mençur mund të shmangë shkatërrimin e shumë vetave (2 Sam. 20:21, 22; Ekl. 9:15) dhe besnikëria ndaj organizatës së Jehovait e përfaqësuesve të tij duhet ruajtur «qoftë për vdekje, qoftë për jetë».—2 Sam. 15:18-22.
31. Ç’pamje të Mbretërisë së Perëndisë na jep libri i dytë i Samuelit, sikurse dëshmojnë Shkrimet e Krishtere Greke?
31 Çka është më e rëndësishmja, libri i dytë i Samuelit drejton vëmendjen nga Mbretëria e Perëndisë, të cilën ai e vendos në duart e «birit të Davidit», Jezu Krishtit, dhe na jep pamje të gjalla të saj. (Mat. 1:1) Betimi që Jehovai i bëri Davidit se mbretërisë e tij do të ishte e qëndrueshme (2 Sam. 7:16), citohet te Veprat 2:29-36 dhe i referohet Jezuit. Hebrenjve 1:5 tregon se profecia «unë do të bëhem ati i tij, dhe ai do të bëhet biri im» (2 Sam. 7:14), i referohej me të vërtetë Jezuit. Këtë e vërtetoi zëri i Jehovait që u dëgjua nga qielli: «Ky është Biri im, i dashuri, të cilin unë e kam miratuar.» (Mat. 3:17; 17:5) Së fundi, besëlidhjen e Mbretërisë me Davidin e përmendi Gabrieli kur i tha Marisë për Jezuin: «Ky do të jetë i madh dhe do të quhet Bir i Më të Lartit. Perëndia Jehova do t’i japë fronin e Davidit, të atit, ai do të mbretërojë përgjithmonë në shtëpinë e Jakobit dhe mbretëria e tij s’do të ketë fund.» (Luka 1:32, 33) Sa emocionues duket premtimi për Farën e Mbretërisë, teksa, para syve tanë, shpaloset hap pas hapi përmbushja e tij!
[Shënimet]
a Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 1, faqet 745-747, anglisht.
b Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 2, faqet 373, 374, anglisht.