Lindja e Jezuit: Si sjell paqe?
SHPALLJA ‘paqe për njerëzit që kanë miratimin e Perëndisë’ nuk ishte e vetmja profeci për lindjen e Jezuit. Përveç asaj që u shpallën engjëjt barinjve të habitur, edhe Maria me të shoqin, Jozefin, morën nga lajmëtarë engjëllorë deklarata të frymëzuara nga Perëndia për Jezuin e sapolindur. Shqyrtimi i këtyre mesazheve do të na ndihmojë ta shohim tregimin për lindjen e Jezuit nga një këndvështrim më të gjerë dhe të kapim domethënien e vërtetë të premtimit të engjëjve për paqe ndër njerëzit.
Para lindjes së Jezuit, e madje para se Maria të mbetej shtatzënë, asaj i bëri vizitë një engjëll, të cilin Bibla e identifikon me emrin Gabriel. «Tungjatjeta, o ti që ke gjetur shumë hir, Jehovai është me ty!»—e përshëndeti engjëlli. Siç mund të kuptohet, Maria u turbullua shumë dhe ndoshta u frikësua pak. Ç’kuptim mund të kishte kjo përshëndetje?
Gabrieli i shpjegoi: «Ti do të mbetesh shtatzënë, do të lindësh një djalë dhe do t’ia vësh emrin Jezu. Ky do të jetë i madh dhe do të quhet Bir i Më të Lartit. Perëndia Jehova do t’i japë fronin e Davidit, të atit, ai do të mbretërojë përgjithmonë në shtëpinë e Jakobit dhe mbretëria e tij s’do të ketë fund.» Maria e pyeti si mund të ndodhte kjo, ndërkohë që ajo ishte e virgjër dhe nuk kishte pasur marrëdhënie me një burrë. Gabrieli u përgjigj se fëmija do të ngjizej me anë të frymës së shenjtë të Perëndisë. Nuk do të ishte një fëmijë i zakonshëm.—Luka 1:28-35.
Një Mbret që ishte parathënë
Fjalët e Gabrielit duhet ta kenë ndihmuar Marinë të kuptonte se djali që do t’i lindte, ishte ai për të cilin flitnin profecitë e lashta. Kur dëgjoi shprehjen se Jehovai do t’i jepte djalit të saj «fronin e Davidit, të atit», me siguri Maria, po edhe çdo jude që i njihte Shkrimet, do të ketë menduar për premtimin që i kishte bërë Perëndia Davidit, mbretit të Izraelit.
Nëpërmjet profetit Natan, Jehovai i kishte thënë Davidit: «Shtëpia dhe mbretëria jote kanë për të qenë përjetë të palëkundura. Froni yt do të jetë i patundur përjetë.» (2 Samuelit 7:4, 16) Jehovai tha për Davidin: «Do të bëj që fara e tij të mbetet përgjithmonë, dhe froni i tij sa ditët e qiellit. Fara e tij do të mbetet në jetë të jetëve, kurse froni i tij do të jetë si dielli përpara meje.» (Psalmi 89:20, 29, 35, 36) Pra, nuk ishte rastësi që si Maria, edhe Jozefi, e kishin prejardhjen nga shtëpia e Davidit.
Këto nuk ishin të vetmet profeci në Shkrimet Hebraike që flitnin për një bir mbretëror të Davidit. Maria do ta ketë ditur mirë edhe profecinë e Isaisë: «Na ka lindur një fëmijë, na është dhënë një bir dhe mbi supet e tij do të jetë sundimi princëror. Ai do të thirret Këshilltar i Mrekullueshëm, Perëndi i Fuqishëm, Atë i Përjetshëm, Princ i Paqes. Sundimi i tij i madh princëror dhe paqja nuk do të kenë fund në fronin e Davidit dhe në mbretërinë e tij, që ajo të vendoset patundshmërisht dhe të qëndrojë me anë të drejtësisë dhe veprave të drejta që tani e në përjetësi. Këtë do ta bëjë zelli i Jehovait të ushtrive.»—Isaia 9:6, 7.
Kështu, Gabrieli nuk i njoftoi Marisë vetëm lindjen e një foshnje mashkull me anë të një mrekullie. Djali i saj do të ishte trashëgimtari i mbretit David, trashëgimtari i qëndrueshëm dhe i përhershëm i një Mbretërie të vendosur nga Perëndia. Profecitë e Gabrielit për rolin e ardhshëm të Jezuit kanë domethënie të thellë për të gjithë ne.
Kur mori vesh se gruaja e tij e ardhshme priste një fëmijë, Jozefi vendosi ta prishte fejesën. Ai e dinte se fëmija s’ishte i tij, pasi nuk kishte pasur kurrë marrëdhënie seksuale me të fejuarën. Mund ta përfytyroni sa e vështirë do të ketë qenë për Jozefin të besonte shpjegimin që i dha Maria për shtatzëninë e saj. Ungjilli na thotë: «Engjëlli i Jehovait iu shfaq në ëndërr dhe i tha: ‘Jozef, bir i Davidit, mos ki frikë ta marrësh gruan tënde, Marinë, në shtëpi, sepse ç’është ngjizur në të, është nga fryma e shenjtë. Ajo do të lindë një djalë, dhe ti do t’ia vësh emrin Jezu, sepse ai do ta shpëtojë popullin e tij nga mëkatet.’»—Mateu 1:20, 21.
Bibla nuk thotë deri në ç’pikë e kuptoi Jozefi se si ai fëmijë ‘do ta shpëtonte popullin nga mëkatet’. Gjithsesi, mesazhi mjaftoi për ta siguruar Jozefin se e fejuara e tij shtatzënë ishte e pafajshme, s’kishte bërë ndonjë të keqe. Ai veproi siç e udhëzoi engjëlli dhe e mori në shtëpi Marinë, një veprim që ishte barasvlerësi i martesës së sotme.
Falë të dhënave të tjera që gjejmë në Shkrime, mund të kuptojmë se ç’donte të thoshte engjëlli. Që në fillim të historisë njerëzore, një engjëll rebel vuri në dyshim sovranitetin e Jehovait. Shkrimet Hebraike tregojnë që ky rebel, ndër të tjera, pohoi se mënyra si sundonte Perëndia ishte e padrejtë dhe se asnjë njeri nuk do ta mbante integritetin ndaj Jehovait, po të vihej në provë. (Zanafilla 3:2-5; Jobi 1:6-12) Adami ishte një nga ata që nuk e mbajtën integritetin. Si pasojë e mëkatit të tij, të gjithë njerëzit kanë trashëguar mëkatin, që sjell si pasojë vdekjen. (Romakëve 5:12; 6:23) Kurse Jezui lindi pa mëkat, sepse nuk u ngjiz nga një baba njerëzor. Duke e dorëzuar vullnetarisht jetën e tij të përsosur njerëzore si shpërblesë që përkonte plotësisht me atë që humbi Adami, Jezui mund t’i shpëtonte njerëzit nga mëkatet e tyre dhe t’u jepte shpresën e jetës së përhershme.—1 Timoteut 2:3-6; Titit 3:6, 7; 1 Gjonit 2:25.
Gjatë shërbimit të tij në tokë, Jezui siguroi një model që njerëzit të kuptonin ç’do të thotë heqja e pasojave të mëkatit. Ai i çliroi njerëzit nga çdo lloj sëmundjeje fizike, e madje solli në jetë të vdekurit. (Mateu 4:23; Gjoni 11:1-44) Ato mrekulli ishin një model i gjërave që do të bëjë në të ardhmen. Vetë Jezui tha: «Po vjen ora, kur të gjithë ata që janë në varre, do ta dëgjojnë zërin [tim] dhe do të dalin.»—Gjoni 5:28, 29.
Ky premtim për një ringjallje të ardhshme shpjegon përse lindja e Jezuit, e sidomos vdekja e tij, ka rëndësi të madhe për ne. Te Gjoni 3:17 thuhet se Perëndia e dërgoi Birin e tij në botë «që nëpërmjet tij bota të shpëtojë». Ky lajm i mrekullueshëm na çon përsëri te shpallja që iu bë barinjve që po ruanin kopetë natën kur lindi Jezui.
‘Lajmi i mirë për një gëzim të madh’
Kur engjëjt njoftuan lindjen e ‘një Shpëtimtari, që është Krisht, Zotëria’, për njerëzimin ky ishte vërtet ‘lajm i mirë për një gëzim të madh’. (Luka 2:10, 11) Ai fëmijë do të ishte Mesia, Profeti dhe Sundimtari i madh që populli i Perëndisë e priste prej kohësh. (Ligji i përtërirë 18:18; Mikea 5:2) Jeta dhe vdekja e tij në tokë do të ishin thelbësore për shfajësimin e sovranitetit universal të Jehovait, kështu që engjëjt mund të thoshin: «Lavdi Perëndisë atje lart në qiell.»—Luka 2:14.
Jezui, të cilin Bibla e quan «Adami i fundit», tregoi se një njeri mund t’i qëndrojë besnik Jehovait edhe në sprovën më të rëndë. (1 Korintasve 15:45) Kështu ai tregoi se Satanai është një gënjeshtar i lig. Kjo ishte arsye për gëzim në qiell ndër engjëjt besnikë.
Por le të kthehemi te pyetja: «A ka ndonjë shpresë reale se fjalët që thanë engjëjt natën që lindi Jezui, do të përmbushen?» Përgjigjja është një po e fortë! Paqja është një kusht thelbësor për përmbushjen e qëllimit të Perëndisë për tokën, ku përfshihet edhe rikthimi i kushteve parajsore. Kur të bëhet kjo në mbarë tokën, të gjithë njerëzit do të motivohen nga dashuria dhe nga besnikëria. Prandaj, përmbushja e qëllimit të Jehovait nënkupton edhe zhdukjen e çdo kundërshtimi që i bëhet sovranitetit të tij. Natyrisht, për ata që marrin anën e Satanait, duke pohuar se normat e Jehovait janë të këqija, ky s’është një lajm i mirë. Për ta, do të nënkuptojë shkatërrim.—Psalmi 37:11; Proverbat 2:21, 22.
Vini re, ju lutemi, se engjëjt nuk u thanë barinjve se do të kishin ‘paqe dhe miratim’ të gjithë njerëzit. Jo, ata njoftuan «paqe në tokë për njerëzit që kanë miratimin e tij», pra të Perëndisë. Ata që tregojnë besim të vërtetë te Jehovai, bëhen ithtarë besnikë dhe imitues të Jezuit. Këta burra e gra janë të gatshëm të shfaqin bujari dhe mirëkuptim ndaj të tjerëve jo vetëm disa ditë në vit, por çdo ditë.
Një frymë e krishterë gjatë gjithë vitit?
Lajmi i mirë që predikoi Jezui ka pasur fuqi në jetën e një morie njerëzish. Shumë veta i kanë pranuar e i kanë zbatuar normat e krishtere në të gjitha fushat e jetës. Njerëz që më parë ishin kryesisht egoistë, kanë filluar të pyesin ç’mund të kishte bërë Jezui po të kishte qenë në rrethanat e tyre. Disa që e kishin përqendruar jetën te gjërat materiale dhe te kënaqësitë, kanë kuptuar sa rëndësi kanë gjërat me vlerë shpirtërore dhe sa rëndësi ka t’ua përçojnë të tjerëve këto vlera. Njerëzit që bëjnë këtë, përpiqen të tregojnë bujari dhe mirësi gjithë vitin. A nuk do të pritnit pikërisht këtë nga të krishterët e vërtetë?
Sikur të gjithë njerëzit e sinqertë të ndaleshin e të shqyrtonin ç’domethënie ka mesazhi i engjëjve për paqe dhe të vepronin në përputhje me përfundimet që do të arrinin, bota me siguri do të ishte një vend më i mirë.
Profecitë që kishin të bënin me lindjen e Jezuit i sigurojnë ata që kanë miratimin e Perëndisë se mund të kenë përgjithmonë paqe të vërtetë. A nuk e dëshironi edhe ju këtë? Mund të jemi të sigurt se njoftimi i lavdishëm profetik për paqe që dhanë engjëjt kur lindi Jezui, do të përmbushet patjetër. Këto nuk janë thjesht fjalë boshe që thuhen në periudhën e Krishtlindjeve. Paqja do të bëhet patjetër një realitet i përhershëm!
[Figurat në faqen 7]
Njerëzit mund dhe duhet të shfaqin një frymë të krishterë gjatë gjithë vitit