ZIBA
Shërbëtori i shtëpisë së Saulit. Kur Davidi e pyeti, ai i tregoi për Mefiboshetin, djalin e çalë të Jonatanit. Davidi e mori Mefiboshetin në Jerusalem dhe caktoi Zibën, 15 bijtë dhe 20 shërbëtorët e tij të kujdeseshin për trashëgiminë e Mefiboshetit. (2Sa 9:2-12 [Shprehja «në tryezën time» në 2Sa 9 vargun 11 në përgjithësi mendohet si gabim kopjimi dhe duhej të ishte «në tryezën e Davidit»; një tjetër mundësi është që Ziba mund të ketë përsëritur saktësisht fjalët e Davidit.]) Kur Davidi ia mbathi nga Jerusalemi për shkak të rebelimit të Absalomit, Ziba i çoi ushqime dhe kafshë, për të cilat ai kishte mjaft nevojë, por nuk e mori me vete Mefiboshetin, megjithëse ai donte shumë të shkonte. Ziba i tha Davidit se Mefibosheti qëndroi qëllimisht në Jerusalem, në pritje për të marrë mbretërinë si pjesëtar i shtëpisë së Saulit. Atëherë, pa e hetuar çështjen më gjatë, Davidi ia kaloi Zibës pronat e Mefiboshetit.—2Sa 16:1-4.
Kur Davidi u kthye në Jerusalem pas shtypjes së rebelimit, Ziba ishte ndër të parët që e priti. Më pas, Davidin e takoi edhe Mefibosheti, i cili i uroi mirëseardhjen dhe i tregoi për dredhinë e shpifjen e Zibës. Nën dritën e këtyre fakteve të reja, Davidi vendosi që prona të ndahej mes Mefiboshetit dhe Zibës. Megjithatë, Mefibosheti tha: «Tani që zotëria im, mbreti, ka ardhur në paqe në shtëpinë e vet, le ta marrë të tërën ai [Ziba].»—2Sa 19:17, 24-30.