JOABI
[Jehovai është atë].
1. Bir i Serajahut, pasardhës i Kenazit nga fisi i Judës. Joabi ishte «ati i Ge-Harashimit» (që do të thotë «lugina e artizanëve»), «sepse», sipas tregimit biblik, «ata u bënë artizanë». Me sa duket Joabi ishte «ati» ose themeluesi i komunitetit të artizanëve që jetonin në atë luginë.—1Kr 4:1, 13, 14; shih GE-HARASHIMI.
2. I dyti nga tre bijtë e Zerujasë, motrës ose gjysmëmotrës së Davidit (ndoshta vajza e nënës së Davidit nga martesa e mëparshme me Nahashin; 2Sa 17:25). Pra, Joabi ishte nipi i Davidit. Vëllezërit e tij ishin Abishai dhe Asaheli. (2Sa 8:16; 1Kr 2:13-16) Këta tre burra identifikohen me emrin e nënës dhe jo të babait, sepse ajo ishte motra e Davidit; kjo e bën të qartë lidhjen e gjakut që kishte Davidi me ta.
Tiparet. Joabi ishte një komandant i aftë, organizator i zoti, i shkathët dhe i vendosur. Por ishte edhe oportunist ambicioz, hakmarrës, dinak e ndonjëherë i paskrupull.
Joabi ishte në krye të luftëtarëve të Davidit në kohën kur Ish-Boshethi, biri i Saulit, ishte mbret mbi gjithë Izraelin, përveç Judës që i qëndroi besnike Davidit. (2Sa 2:10) Shërbëtorët e Ish-Boshethit dhe ata të Davidit u vunë përballë njëri-tjetrit pranë rezervuarit të Gibeonit. Forcat e ish-Boshethit drejtoheshin nga Abneri, xhaxhai i Saulit, që e kishte hipur Ish-Boshethin në fron. Ndërsa rrinin ulur përballë njëri-tjetrit, Abneri sugjeroi që nga secila palë të ndesheshin 12 burra. Këta e kapën njëri-tjetrin nga koka dhe secili i nguli shpatën kundërshtarit duke rënë të gjithë të vdekur në vend. (2Sa 2:12-16) Meqenëse ky dyluftim nuk e zgjidhi çështjen, dy ushtritë filluan betejën. Në fund doli se Ish-Boshethi kishte humbur 360 burra, kurse Davidi vetëm 20.—2Sa 2:30, 31.
Gjatë luftimit, Abneri ia mbathi dhe Asaheli këmbëshpejtë, vëllai i Joabit, iu vu nga pas. Sado që Abneri e paralajmëroi të mos e ndiqte, Asaheli nuk iu nda derisa Abneri, siç ishte me kurriz, e goditi me fundin e heshtës, aq sa heshta i doli tejpërtej. (2Sa 2:18-23) Kur arriti në kodrën e Amahut, Abneri dhe burrat e tij u mblodhën në majë dhe nga atje ai kërkoi të ndalej luftimi që të shmangej hidhërimi dhe një masakër e pafund. Këtu Joabi u tregua i mençur, ia vuri veshin Abnerit dhe u kthye te Davidi në Hebron.—2Sa 2:24-28, 32.
Vret Abnerin për hakmarrje. Megjithatë, Joabit i ziente përbrenda dëshira për hakmarrje dhe priste veç rastin për ta bërë. Ndërkohë, ai i hyri një lufte të stërzgjatur me shtëpinë e Saulit, e cila kishte marrë tatëpjetën në krahasim me shtëpinë e Davidit që forcohej gjithnjë e më shumë. Në fund, Abneri, i fyer nga Ish-Boshethi për një çështje personale, bëri një besëlidhje me Davidin dhe i premtoi ta kthente gjithë Izraelin në anën e tij. (2Sa 3:6-21) Joabi e kundërshtoi me forcë këtë ujdi dhe e akuzoi Abnerin si spiun. Duke u hequr si mik i Abnerit, Joabi e kapi në befasi dhe e vrau për të marrë hakun e të vëllait, Asahelit. Në të njëjtën kohë, ai mund të ketë menduar se kështu po eliminonte një rival të mundshëm për postin e komandantit të ushtrisë së Davidit.—2Sa 3:22-27.
Kur dëgjoi për vrasjen, Davidi tha para gjithë Izraelit se shtëpia e tij nuk ishte fajtore për këtë vrasje: «Ky gjak rëntë mbi kokën e Joabit dhe mbi tërë shtëpinë e atit të tij! Mos iu ndafshin kurrë shtëpisë së Joabit njerëzit me rrjedhje, të lebrosurit [të sëmurët], burrat që tundin furkën [ndoshta sakatët], ata që bien nga shpata ose ata që s’kanë bukë të hanë!» Për momentin Davidi nuk mori asnjë masë kundër Joabit dhe Abishait, ortakut të tij në vrasje, sepse tha: «Sot unë jam i dobët, edhe pse i mirosur si mbret, kurse këta burra, bijtë e Zerujasë, janë tepër të vrazhdë për mua. Jehovai e shpagoftë atë që bën të keqen sipas së keqes së vet!»—2Sa 3:28-30, 35-39.
Komandant i ushtrisë së Izraelit. Pasi u miros si mbret i gjithë Izraelit, Davidi sulmoi Jerusalemin (Jebusin). Jebusitët talleshin me të pasi mendonin se qyteti i tyre ishte i papushtueshëm. Mirëpo Davidi kuptoi se pika më e dobët për t’u futur në qytet ishte tuneli i ujit. Kështu, i ofroi postin e ‘prijësit dhe të princit’ atij që ngjitej nëpër tunel dhe godiste i pari jebusitët. Joabi ia doli mbanë dhe pasi qyteti ra në duart e Davidit, ai u shpërblye me postin e lartë të komandantit të gjithë ushtrisë së Izraelit. (2Sa 5:6-8; 8:16; 20:23; 1Kr 11:4-8) Duke qenë komandant, Joabi kishte dhjetë shërbëtorë që i mbanin armët, mes të cilëve edhe Naharain, një beerotit i fuqishëm.—2Sa 18:15; 1Kr 11:39.
Pasi Davidi pushtoi Edomin, Joabi qëndroi atje gjashtë muaj me synimin që të shfaroste të gjithë meshkujt. (2Sa 8:13, 14; 1Mb 11:14-17) Më vonë, në betejën kundër amonitëve dhe sirianëve Joabi u tregua një komandant ushtarak i zoti. Kur pa se forcat armike e kishin mbërthyer ushtrinë e tij si në një darë, ai i ndau luftëtarët në dy pjesë dhe, në krye të njërës, la të vëllanë, Abishain. (2Sa 10:8-14; 1Kr 19:6-16) Pa dyshim, ai luajti një rol të rëndësishëm në betejat e tjera që ndërmori Davidi kundër filistinëve, moabitëve dhe popujve të tjerë.
Mbështet mbretërimin e Davidit. Gjatë rrethimit të Rabahut të bijve të Amonit, u duk sikur Joabi ishte besnik ndaj Davidit, mbretit të mirosur të Jehovait. Ai pushtoi «qytetin e ujërave», që ndoshta nënkuptonte pjesën e qytetit ku gjendeshin rezervat e ujit ose fortifikatën që mbronte rezervat e ujit. Duke shtënë në dorë këtë pikë me rëndësi jetike, kryeqyteti nuk mund të rezistonte gjatë dhe ishte e sigurt që do të dorëzohej. Në vend që ta çonte deri në fund rrethimin e qytetit dhe kështu ta korrte vetë fitoren, Joabi (a nga respekti për mbretin, a për të mirën e Izraelit, a për të fituar pikë për vete) duket se tregoi nderimin që i takonte sovranit të tij tokësor. Ai tha se donte që pushtimin e qytetit mbretëror ta përfundonte mbreti i mirosur i Jehovait dhe të merrte lavdinë për këtë, edhe pse ai, Joabi, kishte bërë tashmë punën më të madhe.—2Sa 12:26-31; 1Kr 20:1-3.
Bashkëpunon në vrasjen e Uriahut. Gjatë rrethimit të Rabahut, Davidi i dërgoi Joabit nëpërmjet Uriahut një letër ku i thoshte ta vinte Uriahun në frontin më të vështirë të betejës që të vritej. Joabi bashkëpunoi plotësisht për të çuar në vend porosinë e mbretit. Megjithatë, në raportin që i nisi lidhur me betejën, ai e përdori me shkathtësi këtë fakt që Davidi të mos e qortonte për humbjen e gjithë atyre burrave trima duke i çuar tepër afër murit të qytetit. Në raportin e tij, Joabi thoshte: «Disa nga shërbëtorët e mbretit vdiqën. Vdiq edhe shërbëtori yt, hititi Uriah.» Siç e priste edhe Joabi, në përgjigjen e tij Davidi nuk shprehu asnjë lloj pakënaqësie, por përkundrazi i dha zemër.—2Sa 11:14-25; shih DAVIDI.
Ndihmon Absalomin, pastaj i kundërvihet. Pasi Absalomi kishte qenë i syrgjynosur për tre vjet për shkak se kishte vrarë gjysmëvëllanë e tij, Amnonin, Joabi dërgoi te Davidi një grua nga Tekoa. Ai e mësoi çfarë duhej të thoshte për të kërkuar kthimin e Absalomit. Kërkesa u dëgjua dhe Joabi e ktheu Absalomin në Jerusalem, megjithëse ky nuk kishte të drejtë të dilte para mbretit David. Dy vjet më vonë, Absalomi i kërkoi disa herë Joabit që të shkonte për ta takuar e t’i fliste mbretit për të, por Joabi nuk pranoi. Në fund, Absalomi përdori një dredhi. Ai i vuri flakën arës me elb të Joabit, i cili reagoi menjëherë dhe tërë zemërim. Absalomi i shpjegoi pse kishte vepruar ashtu dhe ia mbushi mendjen Joabit të takohej me mbretin për t’i kërkuar përsëri miratimin e tij.—2Sa 13:38; 14:1-33.
Megjithëse e mbështeti kthimin e Absalomit, kur ky u rebelua, Joabi qëndroi në anën e Davidit. Davidi e vuri Joabin në krye të çerekut të luftëtarëve të tij dhe urdhëroi në mënyrë të rreptë që Absalomi të trajtohej mirë. Por gjatë luftimit Joabi nuk iu bind urdhrit të Davidit dhe e vrau Absalomin. (2Sa 18:1-17) Këtu, njësoj si në disa raste të tjera, ai vuri gjykimin e tij para urdhrave teokratikë të dhëna nëpërmjet mbretit të mirosur të Perëndisë. Megjithatë, më pas, pati guximin t’i fliste troç dhe me vendosmëri Davidit kur zia e tij për Absalomin vuri në rrezik unitetin e mbretërisë.—2Sa 19:1-8.
Hiqet nga komandant dhe më pas rivendoset. Me sa duket, ngaqë Joabi nuk u bind kur vrau Absalomin, Davidi vuri si komandant në vend të tij Amasën. (2Sa 19:13) Megjithatë, Amasa nuk ishte në lartësinë e Joabit si gjeneral. Kur Davidi e urdhëroi të mblidhte burrat e Judës për të luftuar kundër Shebës rebel, birit të Bikrit, Amasa e mblodhi Judën, por arriti më vonë se koha e caktuar nga Davidi. Meqë ishte një çështje urgjente, Davidi caktoi Abishain të ndiqte Shebën, duke i thënë: «Që ai të mos gjejë qytete të fortifikuara e të na ikë para syve.» Në betejën që pasoi, Joabi duket se u vu në krye të ushtrisë si më përpara. Ai rrethoi Abelin e Beth-Makahut dhe, me kërkesë të tij, banorët e qytetit i hodhën kokën e Shebës nga muri. Kështu, ai e kurseu qytetin, u tërhoq dhe u kthye në Jerusalem.—2Sa 20:1-7, 14-22.
Vret Amasën. Gjatë kohës që ndiqte Shebën, Joabi kreu një krim të rëndë. Kur Amasa (kushëriri i tij; 2Sa 17:25; 1Kr 2:16, 17) doli për ta takuar afër Gibeonit, Joabi bëri sikur i ra shpata nga milli. E mori me dorën e majtë dhe e mbajti gati, kurse me të djathtën e kapi Amasën nga mjekra sikur donte ta puthte. Meqë Amasa nuk e priste, Joabi arriti ta vriste me një të goditur. Është e vërtetë se Joabi mund të ketë pasur ndonjë dyshim për Amasën, meqë kishte qenë në krye të ushtrisë rebele të Absalomit. Megjithatë, sido që të ketë qenë, Joabi oportunist përfitoi nga kjo kohë krize dhe lufte për të bërë karrierë duke eliminuar rivalin e tij. Ndoshta Davidi nuk e ndëshkoi menjëherë Joabin meqë para pak kohësh Amasa kishte qenë në anën e Absalomit dhe s’kishte shumë që Joabi kishte luftuar kundër forcave rebele të Absalomit nën komandën e Amasës. Kështu u plotësuan dëshirat ambicioze të Joabit: ai u bë përsëri kreu i ushtrisë.—2Sa 20:8-13, 23.
Pse nuk e ekzekutoi Davidi Joabin kur ky vrau Abnerin dhe pse e vendosi përsëri gjeneral të ushtrisë pasi vrau edhe Amasën, që kishte qenë gjeneral në vend të Joabit? Bibla nuk e thotë. Nëse ai nuk e zbatoi ligjin e Perëndisë nga dobësia, kjo mund të ketë qenë për shkak të forcës dhe ndikimit që kishte Joabi e familja e tij në ushtri. Ose mund të ketë pasur rrethana të tjera për të cilat Bibla nuk flet. Sidoqoftë, s’duhet harruar se, megjithëse nuk e ekzekutoi Joabin për ndonjë arsye (të vlefshme ose jo), Davidi nuk e fali, por ngarkoi Solomonin, djalin dhe pasuesin e tij, t’i jepte shpagimin Joabit për të këqijat që kishte bërë.
Nuk e përfundon numërimin. Më vonë, Satanai e nxiti Davidin të regjistronte popullin në mënyrë të kundërligjshme. Joabi e kundërshtoi Davidin, por më kot. Megjithatë, edhe pse në fund u bind, Joabi nuk e përfundoi punën, duke lënë pa numëruar fisin e Levit dhe të Beniaminit, «sepse fjala e mbretit kishte qenë e pështirë për [të]».—1Kr 21:1-6; 2Sa 24:1-9; shih REGJISTRIMI.
Bashkohet me Adonijahun për të marrë fronin. Kur Davidi u plak e u sëmur, Joabi që deri atëherë i kishte shërbyer, i ktheu krahët dhe u bashkua me Adonijahun, birin e Davidit, që komplotonte kundër të atit. (1Mb 1:18, 19) Ndoshta e bëri këtë ngaqë mendonte se, me Adonijahun mbret, frenat e mbretërisë do t’i kishte ai në dorë ose ngaqë pozita e tij do të ishte më e sigurt me Adonijahun sesa me Solomonin. Kur dëgjoi se Davidi kishte bërë mbret Solomonin, ai i ktheu krahët Adonijahut. (1Mb 1:49) Më vonë, kur Adonijahu u vra, Joabi vrapoi drejt tendës së Jehovait dhe mbërtheu fort brirët e altarit. (1Mb 2:28) Kjo nuk e mbrojti, pasi ai kishte vrarë me paramendim; atëherë, Solomoni dërgoi Benajahun ta ekzekutonte atje ku ishte. Kështu, Solomoni iu bind Davidit që e kishte porositur në shtratin e vdekjes të mos i linte flokët e bardhë të Joabit të zbritnin në paqe në Sheol, për shkak se ishte fajtor gjaku për vrasjen e Abnerit dhe të Amasës, ‘dy burrave më të drejtë e më të mirë se ai’. Joabin e varrosën në shtëpinë e tij në shkretëtirë. Pas tij, në krye të ushtrisë u vu Benajahu.—1Mb 2:5, 6, 29-35; 11:21.
Në Psalmin 60, një psalm i Davidit, vargjet e fundit (Ps 60:8-12) i kushtohen fitores së Joabit mbi edomitët.—Shih mbishkrimin e këtij psalmi.
3. Kreu i një familjeje të ‘bijve të Pahath-Moabit’, disa prej të cilëve u kthyen nga mërgimi në Babiloni në vitin 537 p.e.s. bashkë me Zorobabelin.—Ezd 2:1, 2, 6; Ne 7:6, 7, 11.
4. Tek Ezdra 8:1, 9, «bijtë e Joabit» renditen mes atyre që u kthyen me Ezdrën në vitin 468 p.e.s. Në atë kohë, kreu i familjes ishte Abdia, biri i Jehielit. Në këtë varg ata nuk lidhen me shtëpinë e Pahath-Moabit, por ka mundësi që të jenë nga e njëjta familje ose të kenë lidhje gjaku me Joabin nr. 3.