ELISEU
[Perëndia është shpëtim].
Bir i Shafatit dhe profet i Jehovait në shekullin e 10-të dhe të 9-të p.e.s.; pasues i profetit Elija. Jehovai e kishte urdhëruar Elijan të miroste Eliseun nga Abel-Meholahu. Ai e gjeti Eliseun duke lëruar dhe, në shenjë të emërimit të tij, i hodhi sipër veshjen e vet zyrtare. (1Mb 19:16) Eliseu po lëronte arën dhe kishte përpara 11 pendë qe, kurse vetë ishte «me të dymbëdhjetën». Uilliam Tomsoni, një shkrimtar i shekullit të 19-të, thotë në një vepër të tij (The Land and the Book, 1887, f. 144) se arabët e kishin zakon të lëronin bashkërisht me parmendat e tyre të vogla, dhe një mbjellës arrinte fare kollaj të mbillte gjithë sipërfaqen e lëruar për një ditë. Duke qenë në fund të grupit, Eliseu mund të ndalonte pa penguar të tjerët. Flijimi i një pende qesh dhe përdorimi i drurit të veglave për të bërë zjarrin dëshmon për gatishmërinë, vendosmërinë dhe mirënjohjen e Eliseut për faktin që Jehovai e kishte thirrur. Pas përgatitjes së vaktit, Eliseu iku menjëherë me Elijan.—1Mb 19:19-21.
Për rreth gjashtë vjet, Eliseu qe shërbëtor i Elijas. Elija ishte profeti kryesor, kurse Eliseu ishte bashkëpunëtori i tij i ngushtë dhe njihej si ai «që hidhte ujë mbi duart e Elijas» kur i lante.—2Mb 2:3-5; 3:11.
Që nga dita që u bashkua me Elijan, Eliseu shërbeu si profet në Izrael gjatë mbretërimit të Akabit, Ahaziahut, Jehoramit, Jehut e deri në mbretërimin e Jehoasit. Gjatë kësaj kohe në Judë mbretëruan Jehozafati, Jehorami, Ahaziahu, Atalia, Jehoasi e, ka shumë të ngjarë, edhe Amaziahu. Pasi u nda nga Elija, Eliseu shërbeu i vetëm edhe për 60 vjet të tjerë.—HARTA, vëll. 1, f. 949 në botimin anglisht.
Tregimi që flet për veprën profetike të Eliseut te Libri i Dytë i Mbretërve duket se nuk ndjek aspak një radhë kronologjike. Për shembull, në 2Mb kapitullin e 5-të, tregohet se Gehazin e goditi lebra, dhe nga kjo nuk mund të kishte raporte normale me të tjerët. Megjithatë, në 2Mb kapitullin e 8-të, ai paraqitet duke folur miqësisht me Jehoramin, mbretin e Izraelit. Gjithashtu, në 2Mb kapitullin e 13-të dokumentohet vdekja e Jehoasit, mbretit të Izraelit, por më pas tregohet për bisedën e tij të fundit me Eliseun. (2Mb 13:12-21) Në disa pjesë të tregimit duket se veprat dhe mrekullitë e Eliseut grupohen sipas natyrës ose ngjashmërisë së tyre, për shembull: (1) ato që u bënë në dobi të profetëve dhe të individëve të caktuar (2Mb 4:1–6:7) dhe (2) ato që lidheshin me kombin dhe me mbretin.—2Mb 6:8–7:20.
Pasues i Elijas. Vepra e Eliseut si pasues i Elijas fillon rreth vitit 917 p.e.s. ose pak më pas, në kohën kur Elija u ngrit në qiej me anë të një stuhie. (2Mb 1:17; 2:1, 11, 12) Para se Elija të ikë, Eliseu i kërkon «dy pjesë të frymës [së tij]» domethënë, pjesën e dyfishtë që i takon të parëlindurit. Kjo i takon për shkak të emërimit të tij zyrtar si pasues i Elijas në kohën kur ky i hodhi sipër veshjen e vet zyrtare. (2Mb 2:9) I vetëdijshëm se nuk i takon atij ta bëjë këtë gjë, Elija i thotë Eliseut që, nëse e sheh kur ta marrin prej tij, dëshira do t’i plotësohet. Jehovai i vërteton këto fjalë, pasi lejon që Eliseu ta shohë Elijan duke u ngrit në qiej me anë të një stuhie. Në momentin kur largohet, Elijas i bie veshja zyrtare, një mantel i punuar trashë. Eliseu e merr dhe ky gjest e identifikon atë si pasuesin e Elijas. Buzë lumit Jordan Jehovai tregon se është me Eliseun duke ndarë me anë të një mrekullie Jordanin, ndërsa Eliseu godet ujërat me veshjen e Elijas.—2Mb 2:9-15.
Eliseu kalon Jordanin dhe bashkohet me bijtë e profetëve në Jeriko. Atje ndodh diçka që e përforcon edhe më shumë pozitën e Eliseut si kreu i grupit të profetëve të Perëndisë: ai «shëron» ujin e qytetit të Jerikosë që ishte i keq dhe shkaktonte aborte. Ai shkon te burimi i ujit, merr kripë në një tas të vogël të ri dhe e hedh në ujë; kështu «ai ujë është akoma i mirë deri sot e kësaj dite».—2Mb 2:19-22.
Nga Jerikoja Eliseu ngjitet në Bethel, rreth 900 m mbi nivelin e detit, ku dikur kishte shoqëruar Elijan te një grup i bijve të profetëve. (2Mb 2:3) Rrugës i del para një tufë keqbërësish të rinj në moshë që nuk tregojnë aspak respekt për të e për detyrën e tij si profet. «Ngjitu, o tullac! Ngjitu, o tullac!»—thonë ata me qesëndi. Me këto fjalë duan ose që ai të vazhdojë rrugën drejt Bethelit, ose që të largohet nga toka ashtu si mendonin të kishte bërë paraardhësi i tij. (2Mb 2:11) Për t’u mësuar këtyre djemve dhe prindërve të tyre respektin për profetin e Jehovait, ai kthehet dhe i mallkon në emër të Jehovait. Nga pylli dalin menjëherë dy arusha dhe shqyejnë 42 prej tyre.—2Mb 2:23, 24.
Gjatë një fushate për shtypjen e revoltës së Meshës, mbretit të Moabit (që ngriti të ashtuquajturin Guri i Moabit), Jehorami, mbreti i Izraelit, Jehozafati, mbreti i Judës, si dhe mbreti i Edomit ngecin në një shkretëtirë të zhuritur. Mbreti Jehozafat kërkon një profet të Perëndisë. Për të pasur frymëzimin e Jehovait nën ndikimin e muzikës, Eliseu kërkon dikë që i bie ndonjë vegle me tela, dhe këtë e bën jo për të ndihmuar Jehoramin, por nga respekti që ka për Jehozafatin, i cili gëzon miratimin e Jehovait. (Krahaso 1Sa 10:5, 6.) Eliseu i thotë popullit të hapë kanale. Të nesërmen ato janë plot me ujë. Teksa dielli i mëngjesit përskuq ujin, moabitët kujtojnë se është gjak. Ata mendojnë se Izraeli dhe aleatët e tij janë vrarë e prerë me njëri-tjetrin, ndaj sulen të marrin plaçkën. Por, për habinë e tyre, Izraeli ngrihet dhe i shpartallon. (2Mb 3:4-27) Kjo ndodh diku mes viteve 917 dhe 913 p.e.s.
Pas kësaj, Eliseu bën një varg mrekullish në dobi të disa individëve. Vejusha e njërit prej bijve të profetëve gjendet në pikë të hallit. Me anë të një mrekullie Eliseu shton vajin e paktë që i kish mbetur dhe shpëton bijtë e saj që të mos përfundojnë skllevër të huadhënësit. (2Mb 4:1-7) Kjo mrekulli ngjan me mrekullinë e dytë të Elijas kur shtoi miellin dhe vajin e vejushës nga Zarefati.—1Mb 17:8-16.
Në Shunem, në luginën e Jezreelit, një grua shumë e njohur i tregon mikpritje të pazakontë Eliseut, sepse e pranon se ai është «njeri i shenjtë i Perëndisë», madje përgatit një dhomë për të që ta ketë sa herë të shkojë nga ato anë. Për dashamirësinë që tregon, Eliseu i premton se do të bëhet me djalë, megjithëse i shoqi është i moshuar. Siç i premton Eliseu, rreth një vit më vonë asaj i lind një djalë, i cili vdes kur është ende i vogël. Në këtë kohë, Eliseu kryen ringjalljen e parë, duke e sjellë djalin përsëri në jetë njësoj si kishte ringjallur Elija djalin e vejushës nga Zarefati. (2Mb 4:8-37; 1Mb 17:17-24) Ajo shpërblehet me bollëk për dashamirësinë që i tregon një profeti të Perëndisë.—Krahaso Mt 10:41.
Eliseu kthehet në Gilgal, mes maleve në veri të Bethelit, dhe bashkohet me bijtë e profetëve. Në vend ka rënë zia e bukës. Gjatë përgatitjes së një gjelle dikush hedh pa dashje disa kunguj helmues. Sa e provojnë gjellën, ata bërtasin: «Në kazan ka vdekje, o njeri i Perëndisë së vërtetë!» Meqenëse nuk është rasti të çohet dëm ushqimi në mes të zisë së bukës, Eliseu kërkon ca miell, e hedh në kazan dhe e bën gjellën të ngrënshme; «në kazan nuk [ka] asgjë të keqe».—2Mb 4:38-41.
Gjatë kohëve të vështira të zisë së bukës, një mbetje e adhuruesve besnikë të Izraelit që nuk janë përkulur para Baalit, tregojnë çmueshmëri për përpjekjet e profetëve të Jehovait duke u çuar ushqim. Një burrë sjell 20 bukë elbi e ca drithë dhe Eliseu urdhëron që kjo sasi e vogël t’u shpërndahet të gjithëve. Janë 100 «bij profetësh» për t’u ushqyer. Ai që shërben dyshon se mos ushqimi nuk del, por të gjithë hanë sa ngopen dhe madje tepron diçka.—2Mb 4:42-44; krahaso Mr 6:35-44.
Shëron Naamanin. Gjatë mbretërimit të tij, Ben-Hadadi II, mbreti i Sirisë, dërgon te mbreti i Izraelit Naamanin, kreun e ushtrisë së tij dhe njëkohësisht një burrë shumë të respektuar, që të shërohet nga lebra. Megjithëse i sëmurë, ky burrë trim i kishte sjellë shpëtimin Sirisë. Me sa duket, lebra nuk e pengonte Naamanin të mbante një post kaq të lartë në Siri, kurse në Izrael do të ishte zhveshur nga kjo detyrë. (Le 13:46) Mbreti Ben-Hadad e nis Naamanin falë dëshmisë së një vajze të vogël izraelite që është robinjë dhe shërben në shtëpinë e Naamanit. Ajo ka besim te Jehovai dhe i tregon të zonjës për profetin e Jehovait, Eliseun e Izraelit. Mirëpo mbreti i Izraelit është i bindur se Ben-Hadadi po kërkon të grindet me të, sepse thotë: «Mos jam unë Perëndia, që vret e lë gjallë?» Kur merr vesh se mbreti është i shqetësuar, Eliseu i thotë: «Le të vijë tek unë, të lutem, që ta dijë se ka një profet në Izrael.»—2Mb 5:1-8.
Eliseu nuk del të takojë Naamanin, por i thotë nëpërmjet shërbëtorit të tij të lahet shtatë herë në lumin Jordan. Në fillim, Naamani inatoset shumë, por në fund përulet dhe, pasi ndjek këtë procedurë të thjeshtë, pastrohet. Naamani kthehet tek Eliseu dhe zotohet se që nga ai moment do t’i shërbejë me besnikëri Jehovait, Perëndisë së Izraelit. Pastaj merr me vete ca dhé nga Izraeli, «aq sa mund të mbartin dy mushka», ku t’i bëjë flijime Jehovait, sigurisht i drejtuar nga tempulli i Jerusalemit. Ai do të vazhdojë detyrën e tij si funksionar i mbretit të Sirisë, që përfshin edhe shoqërimin e mbretit në shtëpinë e Rimonit, një perëndie të rremë. Përderisa mbreti mbështetet tek ai, i duhet të përkulet bashkë me të, por thotë se nuk do ta adhurojë më Rimonin. Edhe nëse përkulet, nuk do ta bëjë si një akt adhurimi, por thjesht si detyrën e tij karshi mbretit. Ai i ofron një dhuratë Eliseut, i cili nuk e pranon në përputhje me parimin që mrekullia është bërë falë fuqisë së Jehovait dhe jo falë fuqisë së tij, dhe se ai nuk do që të përfitojë nga detyra që i ka besuar Jehovai.—2Mb 5:9-19; krahaso Mt 10:8.
Gehazi, shërbëtori i Eliseut, nga lakmia e pangopur i shkon pas Naamanit dhe i kërkon disa nga dhuratat që nuk ka pranuar Eliseu. Pastaj gënjen për t’ia mbajtur fshehur këtë gjë Eliseut. Kur e merr vesh, Eliseu i jep dënimin e duhur duke i thënë: «Lebra e Naamanit do të të ngjitet përgjithnjë ty dhe pasardhësve të tu.»—2Mb 5:20-27.
Më pas, lind nevoja që bijtë e profetëve me të cilët shoqërohet Eliseu të zhvendosen në një vend më të bollshëm. Ata janë afër Jordanit duke përgatitur trarë për strehën e tyre të re. Një nga profetët po përdor një sëpatë të marrë hua, por koka e sëpatës del nga bishti dhe bie në ujë. Që të mos shahet asnjë nga profetët, Eliseu hedh një copë druri në ujë aty ku kishte rënë koka e sëpatës dhe ajo del mbi ujë. Me këtë Jehovai tregon se është me profetët e tij.—2Mb 6:1-7.
Izraeli çlirohet nga Siria. Gjatë kohës kur në Izrael mbretëron Jehorami, Siria përgatit një sulm të befasishëm kundër Izraelit. Eliseu çon dëm më shumë se një herë lëvizjet ushtarake të Ben-Hadadit II, duke i zbuluar mbretit Jehoram çdo manovër të sirianëve. Fillimisht Ben-Hadadi mendon se ka një tradhtar në radhët e tij. Por, kur e kupton se nga i vjen gjithë kjo, ai dërgon forca ushtarake në Dotan dhe e rrethon me kuaj e karroca lufte për të kapur Eliseun. (FIGURA, vëll. 1, f. 950 në botimin anglisht) Shërbëtorin e Eliseut e pushton frika, por Eliseu i lutet Perëndisë që t’ia hapë sytë shërbëtorit dhe «ja, rajoni malor [është] plot me kuaj dhe karroca të zjarrta lufte rreth e qark Eliseut». Pastaj, teksa forcat siriane afrohen, Eliseu lutet që atyre t’u ndodhë e kundërta: «Të lutem, verboji këta njerëz.» Eliseu u thotë sirianëve ta ndjekin, por nuk i duhet t’i kapë për dore, dhe kjo e bën të qartë që ata janë goditur nga verbimi mendor e jo verbimi i syve. Ata nuk e njohin Eliseun, megjithëse kanë vajtur ta kapin dhe as e dinë se ku po i çon.—2Mb 6:8-19.
Me çfarë verbimi i goditi Jehovai sirianët që shkuan të kapnin Eliseun?
Për këtë lloj verbimi, Uilliam Xhejmsi thotë në një vepër të tij: «Një nga efektet më interesante të çrregullimeve të kores së trurit është verbimi mendor. Nuk ka të bëjë shumë me pandjeshmërinë e saj ndaj sinjaleve pamore sesa me paaftësinë për t’i kuptuar ato. Psikologjikisht interpretohet si humbje e lidhjeve mes ndjesive optike dhe kuptimit të tyre; duket se shkaktohet nga ndonjë shkëputje e rrugëve që lidhin vatrat optike me vatrat e ideve të tjera.»—Principles of Psychology, 1981, vëll. 1, f. 59.
Pasi i çon sirianët në Samari, Eliseu lutet që Jehovai t’u hapë sytë dhe sirianët gjenden mu në mes të kryeqytetit para vetë mbretit Jehoram. Eliseu tregon besim te fuqia e Jehovait dhe nuk shfaq asnjë shenjë hakmarrjeje, pasi nuk e lë mbretin e Izraelit t’i vrasë sirianët që, siç thotë ai, janë si robër lufte. Ai i sugjeron mbretit që t’u japë për të ngrënë; mbreti u shtron një gosti dhe i nis në shtëpi. Si rezultat, «bandat kusare siriane nuk erdhën më as edhe një herë në vendin e Izraelit».—2Mb 6:20-23.
Megjithatë, më vonë, Ben-Hadadi II bëhet përsëri i gjallë, këtë herë jo me sulme të herëpashershme kusarësh, por duke e rrethuar Samarinë me trupa ushtarake. Rrethimi është aq i ashpër sa mbretit i tregohet të paktën një rast kur një grua ha të birin. Mbreti Jehoram, pasardhës i Akabit, një «bir vrasësi», betohet se s’do ta lërë të gjallë Eliseun. Mirëpo betimi i tij i nxituar nuk përmbushet. Me të arritur te shtëpia e profetit bashkë me adjutantin e tij, Jehorami thotë që s’ka më asnjë shpresë se Jehovai do t’i ndihmojë. Eliseu e siguron mbretin se të nesërmen do të ketë ushqim me bollëk. Adjutanti i mbretit tallet me këtë parashikim dhe Eliseu i thotë: «Ja, ti do ta shohësh me sytë e tu, por s’do të hash.» Jehovai bën që në kampin e sirianëve të dëgjohet një zhurmë shurdhuese dhe ata mendojnë se drejt tyre po përparon një ushtri e madhe e kombeve aleate, kështu ia mbathin dhe e lënë kampin ashtu si është me gjithë ushqime. Kur merr vesh se sirianët kanë braktisur fushëbetejën, mbreti e vë adjutantin e vet të ruajë portën e Samarisë, dhe atje e shkel turma e uritur e izraelitëve që derdhet për të plaçkitur kampin. Kështu, ai e sheh ushqimin, por nuk ha.—2Mb 6:24–7:20.
Hazaeli dhe Jehu emërohen mbretër. Tani vëmendja jonë kthehet në Damask të Sirisë, ku mbreti Ben-Hadadi II është buzë vdekjes. Hazaeli, i dërguari i mbretit, takon Eliseun dhe e pyet a do ta marrë veten zotëria i tij. Fryma e Jehovait fillon të veprojë tek Eliseu dhe i jep mundësi të shohë një tablo të trishtë që e hidhëron: Ben-Hadadin do ta pasojë në fron Hazaeli, që pas ca kohësh do t’i sjellë një dëm të papërshkrueshëm Izraelit, megjithëse është një ndëshkim i drejtë nga Jehovai për mëkatet e kombit. Profeti i thotë Hazaelit: «Shko e thuaji: ‘Ti do ta marrësh veten’, e megjithatë Jehovai më ka treguar se ai do të vdesë.» Hazaeli i përcjell mbretit pjesën e parë të fjalëve të profetit, kurse pjesën e dytë ia tregon me veprime; ai e mbyt duke i zënë frymën me një kuvertë të lagur dhe kështu merr fronin e bëhet mbret i Sirisë.—2Mb 8:7-15.
Eliseu duhet të mbarojë edhe një punë tjetër që la Elija, domethënë të mirosë Jehun si ekzekutuesin e gjykimit të Perëndisë kundër shtëpisë së ligë të Akabit. (2Mb 9:1-10) Ai e bën këtë më shumë se 18 vjet pasi Jehovai urdhëroi Elijan. Kështu Eliseu arrin të shohë përmbushjen e profecive të 1 Mbretërve 19:15-17 dhe 21:21-24.
Në kohën kur miroset Jehu, në Izrael mbretëron Jehorami dhe në Judë Ahaziahu, nipi i tij. Siriani Hazael e mundon shumë Izraelin gjatë sundimit të tij, e madje e plagos Jehoramin në betejën që zhvillohet në Ramot-Galaad. (2Mb 9:15) Jehu përmbush pa humbur kohë detyrën e tij, domethënë shfaros shtëpinë e ligë të Akabit, duke mos lënë gjallë asnjë. (2Mb 10:11) Në fillim merret me Jehoramin, mbretin e Izraelit, që po përpiqet të marrë veten në Jezreel. Siç thuhej në profecinë e Elijas, ai e takon Jehoramin jashtë qytetit, e vret dhe e hedh në pjesën e arës së Nabotit, jezrelitit. (2Mb 9:16, 21-26) Sapo hyn në Jezreel, Jehu vret Jezebelën e ligë, nënën e Jehoramit, mbretit të Izraelit, dhe gjyshen e Ahaziahut, mbretit të Judës. Jehu do ta varroste, por Jehovai bën që mishin e saj ta hanë qentë, siç kishte parathënë profeti Elija, që të mos kishte varr që t’i kujtohej emri. (2Mb 9:30-37) Shtatëdhjetë bijve të Akabit u pritet koka. Ahaziahu, nipi i Akabit, vritet (2Mb 10:1-9; 9:27, 28) dhe 42 vëllezërit e Ahaziahut ekzekutohen nga shpata e Jehut.—2Mb 10:12-14; 1Mb 21:17-24.
Shkatërrohet adhurimi i Baalit. Rrugës për në Samari, kryeqytet i vendit, Jehu takon Jehonadabin, i cili e mbështet plotësisht shkatërrimin e adhurimit të Baalit. Të dy u nisën drejt Samarisë për goditjen përfundimtare që do ta fshinte një herë e mirë adhurimin e Baalit nga Izraeli. Me një plan të menduar mirë Jehu i mbledh të gjithë adhuruesit e Baalit në shtëpinë e Baalit dhe u thotë të veshin rrobat që i identifikojnë si të tillë. Shtëpia mbushet cep më cep dhe mes tyre nuk ka asnjë adhurues të Jehovait. Jehu jep urdhër dhe burrat e tij vrasin një nga një të gjithë adhuruesit e Baalit, rrëzojnë kolonat e shenjta dhe shembin shtëpinë e Baalit duke e lënë të përdoret si nevojtore.—2Mb 10:15-27.
Kështu, Eliseu përfundon punën e nisur nga Elija. Adhurimi i Baalit është shfarosur nga Izraeli. Ndryshe nga Elija, Eliseu nuk merret në qiej me anë të një stuhie që të zhvendoset diku tjetër para se të vdesë. Ai vdes nga shkaqe natyrore gjatë kohës që në Izrael mbretëron Jehoasi. Teksa ai është në shtratin e vdekjes, Siria fillon ta kërcënojë përsëri Izraelin. Mbreti Jehoas shkon tek Eliseu dhe me sa duket i kërkon ndihmë ushtarake kundër sirianëve, pasi i drejtohet atij me fjalët: «Ati im, ati im, karroca e luftës e Izraelit dhe kalorësit e tij!» Eliseu i kërkon Jehoasit të qëllojë në tokë me hark. Meqenëse e bën vetëm tri herë dhe pa zell të vërtetë, Eliseu i thotë se për pasojë do t’i jepen vetëm tri fitore kundër Sirisë, dhe ashtu ndodh.—2Mb 13:14-19, 25.
Vepra e Eliseut. Falë frymës së Perëndisë, Eliseu kreu 15 mrekulli sa ishte gjallë. Megjithatë, edhe pas vdekjes, Jehovai e përdor për një mrekulli të 16-të. Eliseu kishte qenë besnik deri në vdekje dhe kishte pasur miratimin e Perëndisë. Sipas tregimit, kohë pas varrimit të Eliseut, disa njerëz po varrosnin një burrë kur panë një bandë kusarësh moabitë. Të trembur ata e hodhën të vdekurin në varrin e Eliseut e ia mbathën. Sa preku eshtrat e Eliseut, i vdekuri u ngjall dhe u ngrit në këmbë.—2Mb 13:20, 21.
Jezui e quan Eliseun profet te Luka 4:27 dhe, pa dyshim, te Hebrenjve 11:35 Pavli e ka fjalën për të dhe për Elijan, pasi të dy kryen ringjallje. Elija e nisi veprën e tij profetike në një kohë kur Izraeli ishte kredhur kokë e këmbë në adhurimin e Baalit, dhe kjo kërkonte zell për adhurimin e vërtetë. Ai bëri një punë të jashtëzakonshme duke e kthyer zemrën e shumë njerëzve te Jehovai. Eliseu vazhdoi aty ku e la Elija, dhe, megjithëse shërbimi i tij qe më paqësor, ai bëri çmos që vepra e nisur nga Elija të kryhej plotësisht dhe jetoi aq sa për ta parë të përfunduar. Në krahasim me Elijan që kreu 8 mrekulli, Eliseu kreu 16. Njësoj si Elija, ai tregoi zell të madh për emrin e Jehovait dhe për adhurimin e vërtetë. Shfaqi durim, dashuri e dashamirësi, dhe njëherazi u tregua shumë i vendosur kur ishte në lojë emri i Jehovait, duke i bërë të ditura pa ngurrim gjykimet e Perëndisë kundër të ligjve. Kështu, i bëri vend vetes në ‘renë aq të madhe të dëshmitarëve’ që përmendet te Hebrenjve 12:1.
Përderisa vepra e Elijas paralajmëronte gjëra që do të përmbusheshin kur Jezui të shërbente në tokë, madje edhe më vonë, është e arsyeshme të mendojmë të njëjtën gjë edhe për veprën e Eliseut, pasi faktikisht ai përmbushi misionin e papërfunduar të Elijas.