MENAHEMI
[ngushëllues].
Bir i Gadit dhe mbret i Izraelit për 10 vjet, duke filluar rreth vitit 790 p.e.s. Kur mori vesh se Shalumi kishte vrarë mbretin Zakaria, Menahemi shkoi nga Tirzahu në Samari dhe i mori jetën vrasësit. Pas kësaj, ai mori fronin. Në fillim të mbretërimit të tij, Menahemi sulmoi Tifsahun «e gjithçka kishte në të, si dhe territorin e tij . . . sepse nuk hapi portën». Me sa duket banorët e qytetit nuk kishin pranuar t’ia hapnin portën. (LXX, Vg, Sy) Popullsia u trajtua në mënyrë çnjerëzore: «[Menahemi] u çau barkun gjithë grave shtatzëna.»—2Mb 15:10, 13-17.
Menahemi bëri atë që ishte e keqe në sytë e Jehovait. Ai i dha shtysë kultit të viçit dhe nuk i la mëkatet e Jeroboamit, mbretit të parë të mbretërisë dhjetëfisëshe. Gjatë mbretërimit të tij, mbreti Pul (Tiglath-Pileseri III) pushtoi Izraelin dhe Menahemi u detyrua t’i paguante monarkut asirian «një mijë talenta argjendi» (6.606.000 dollarë). Këtë shumë ai e siguroi duke u vënë një taksë prej 50 siklash argjendi të gjithë ‘burrave të fuqishëm e të pasur’ të Izraelit. Meqë një talentë argjendi vlente rreth 3.000 sikla, argjendi u sigurua nga rreth 60.000 persona. Menahemi ia dha argjendin mbretit asirian «që ai të bëhej me të dhe të forconte mbretërinë në duart e tij». Sa mori shumën, Puli u tërhoq.—2Mb 15:19, 20.
Menahemi përmendet në një mbishkrim të Tiglath-Pileserit III si «Menahemi i Samarisë» (Me-ni-hi-im-me alSa-me-ri-na-a-a). Bashkë me mbretin e Sirisë, Rezonin (Ra-hi-a-nu), dhe mbretin e Tirit, Hiramin (Hi-ru-um-mu), (jo Hiramin e kohës së Davidit), Menahemi shfaqet si një nga mbretërit të cilëve monarku asirian thotë se u merrte haraç. (Ancient Near Eastern Texts, nga Xh. Priçardi, 1974, f. 282, 283) Menahemi vdiq rreth vitit 781 p.e.s. dhe në fronin e Izraelit hipi i biri, Pekahiahu.—2Mb 15:22.