LUGINA E PËRROIT TË KIDRONIT
[ndoshta nga rrënja e fjalës që do të thotë «të jesh zeshkan»]. Luginë e thellë që ndan Jerusalemin nga Mali i Ullinjve. Ajo zë fill diku në veri të mureve të Jerusalemit dhe shtrihet përgjatë qytetit, fillimisht drejt juglindjes, pastaj drejt jugut. Lugina e Kidronit (Nahal-Kidron), është e thatë edhe në dimër, përveç rasteve kur bien shira të rrëmbyeshëm. Në fillim është e gjerë dhe e cekët, por pak nga pak ngushtohet e thellohet. Përballë zonës ku ndodhej tempulli, thellësia e saj arrin rreth 30 m dhe gjerësia 120 m. Më në jug, lugina e Kidronit bashkohej me luginën e Tiropeonit dhe pastaj me luginën e Hinomit. Më tej vazhdonte drejt juglindjes përmes shkretëtirës së zhuritur të Judës deri në Detin e Vdekur. Sot pjesa e poshtme e luginës quhet Vadi-en-Nar (domethënë «Vadi i Zjarrit»), çka tregon se zakonisht është vend i thatë me nxehtësi përvëluese.
Kundrejt Jerusalemit, nëpër shpatet e rrëpirëta shkëmbore të anës lindore të luginës ka varre të hapura në shkëmb. Në anën perëndimore të saj, thuajse në mes të rrugës nga ish-zona e tempullit deri te pika ku bashkohen lugina e Tiropeonit dhe lugina e Kidronit, ndodhet burimi i Gihonit. (Shih GIHONI nr. 2.) Jo larg këtij burimi, lugina e Kidronit zgjerohet dhe krijohet një vend i hapët. Është hedhur ideja se këtu mund të ketë qenë në lashtësi ‘kopshti i mbretit’.—2Mb 25:4.
Mbreti David e kaloi më këmbë luginën e Kidronit, kur iku për shkak të Absalomit rebel. (2Sa 15:14, 23, 30) Ngaqë Shimei në atë rast e mallkoi Davidin, Solomoni më vonë e urdhëroi Shimein të mos dilte nga Jerusalemi dhe të mos e kalonte luginën e Kidronit, përndryshe do të dënohej me vdekje. (1Mb 2:8, 9, 36, 37) Kjo ishte lugina që përshkoi Jezui për të vajtur në kopshtin e Getsemanisë. (Gjo 18:1) Gjatë kohës që në Judë mbretëruan Asa, Hezekia dhe Josia, lugina e Kidronit përdorej si vend ku shkatërroheshin objektet e idhujtarisë. (1Mb 15:13; 2Mb 23:4, 6, 12; 2Kr 15:16; 29:16; 30:14) Ajo shërbente edhe si varrezë. (2Mb 23:6) Për pasojë, lugina e Kidronit u bë zonë e ndotur, prandaj është domethënëse që profecia e Jeremisë fliste për një kohë krejt ndryshe, kur «gjithë brezaret deri në luginën e përroit të Kidronit» do të ishin «diçka e shenjtë për Jehovain».—Jr 31:40.