Libri biblik numër 26—Ezekieli
Shkrimtari: Ezekieli
Vendi ku u shkrua: Babiloni
Shkrimi përfundoi: rr. 591 p.e.s.
Periudha përkatëse: 613 p.e.s.–rr. 591 p.e.s.
1. Në ç’rrethana jetuan mërgimtarët në Babiloni dhe çfarë sprovash të reja hasën?
NË VITIN 617 p.e.s., Jehojakini, mbreti i Judës, ia dorëzoi Jerusalemin Nabukodonosorit, i cili mori parinë e vendit, thesaret e shtëpisë së Jehovait e ato të shtëpisë së mbretit, dhe i çoi në Babiloni. Mes robërve ishin familja mbretërore dhe princat; burrat trima e të fuqishëm; artizanët e ndërtuesit; dhe Ezekieli, biri i priftit Buzi. (2 Mbret. 24:11-17; Ezek. 1:1-3) Me zemër të pikëlluar, këta mërgimtarë izraelitë kishin përfunduar rrugëtimin e tyre sfilitës nga një vend me kodra, burime e lugina, në një vend me rrafshina të gjera. Tani jetonin pranë lumit Kebar, në zemër të një perandorie të fuqishme, të rrethuar nga një popull me zakone të çuditshme e adhurim pagan. Nabukodonosori i lejoi izraelitët të kishin shtëpitë e veta, të mbanin shërbyes e të merreshin me tregti. (Ezek. 8:1; Jer. 29:5-7; Ezd. 2:65) Po t’i përvisheshin punës, mund të begatoheshin. A do të binin në grackat e fesë babilonase e të materializmit? A do të vazhdonin të rebeloheshin kundër Jehovait? A do ta pranonin mërgimin si një masë disiplinore prej tij? Në mërgim do të hasnin sprova të reja.
2. (a) Cilët ishin tre profetët që spikatën gjatë viteve të vështira para shkatërrimit të Jerusalemit? (b) Përse është domethënëse mënyra se si cilësohet Ezekieli dhe ç’do të thotë emri i tij? (c) Gjatë cilave vite profetizoi Ezekieli dhe çfarë dihet për jetën e për vdekjen e tij?
2 Gjatë atyre viteve kritike, që çuan deri në shkatërrimin e Jerusalemit, Jehovai nuk e la veten, dhe as izraelitët, pa profetë. Jeremia ishte në Jerusalem, Danieli ishte në oborrin babilonas, kurse Ezekieli shërbeu si profet i mërgimtarëve judenj në Babiloni. Ezekieli ishte prift dhe profet, një nder që e pati edhe Jeremia e më vonë edhe Zakaria. (Ezek. 1:3) Gjatë librit të tij ai cilësohet mbi 90 herë si «bir njeriu», gjë që përbën një pikë të rëndësishme për studimin e profecisë së tij, sepse në Shkrimet e Krishtere Greke edhe Jezui quhet në mënyrë të ngjashme «Bir i njeriut» pothuajse 80 herë. (Ezek. 2:1; Mat. 8:20) Emri i tij (hebraisht, Jehezkéʼl) do të thotë «Perëndia forcon». Ezekieli u caktua si profet nga Jehovai vitin e pestë të mërgimit të Jehojakinit, më 613 p.e.s. Për të lexojmë se ishte ende në këtë vepër vitin e 27 të mërgimit, pra 22 vjet më vonë. (Ezek. 1:1, 2; 29:17) Ishte i martuar, por e shoqja vdiq ditën kur Nabukodrezari nisi rrethimin përfundimtar të Jerusalemit. (24:2, 18) Data dhe mënyra e vdekjes së tij nuk dihen.
3. Ç’mund të themi për autorësinë e Ezekielit dhe përse libri i tij konsiderohet autentik dhe pjesë e kanunit biblik?
3 S’ka asnjë dyshim që Ezekieli ishte shkrimtari i librit që mban emrin e tij dhe që ky libër ka me të drejtë vendin e vet në kanunin e Shkrimeve të Shenjta. Ai u përfshi në kanun në ditët e Ezdrës dhe shfaqet në katalogët e periudhës së hershme të krishterimit, sidomos në kanunin e Origjenit.a Prova të autenticitetit të këtij libri janë ngjashmëritë e jashtëzakonshme mes simbolikës së tij dhe simbolikës së librit të Jeremisë dhe Zbulesës.—Ezek. 24:2-12—Jer. 1:13-15; Ezek. 23:1-49—Jer. 3:6-11; Ezek. 18:2-4—Jer. 31:29, 30; Ezek. 1:5, 10—Zbul. 4:6, 7; Ezek. 5:17—Zbul. 6:8; Ezek. 9:4—Zbul. 7:3; Ezek. 2:9; 3:1—Zbul. 10:2, 8-10; Ezek. 23:22, 25, 26—Zbul. 17:16; 18:8; Ezek. 27:30, 36—Zbul. 18:9, 17-19; Ezek. 37:27—Zbul. 21:3; Ezek. 48:30-34—Zbul. 21:12, 13; Ezek. 47:1, 7, 12—Zbul. 22:1, 2.
4. Si u përmbushën në mënyrë dramatike profecitë e Ezekielit?
4 Një provë tjetër e autenticitetit të librit është përmbushja dramatike e profecive të Ezekielit kundër kombeve fqinje, si Tiri, Egjipti dhe Edomi. Për shembull, Ezekieli profetizoi se Tiri do të shkretohej, dhe kjo u përmbush pjesërisht kur Nabukodrezari pushtoi qytetin pas një rrethimi prej 13 vjetësh. (Ezek. 26:2-21) Megjithatë, ky konflikt nuk solli fundin e plotë të Tirit, kurse gjykimi i Jehovait ishte që Tiri duhej shkatërruar plotësisht. Ai kishte parathënë nëpërmjet Ezekielit: «Unë do të t’i heq rrënojat dhe do të të kthej në një shkrep të zhveshur e të lëmuar. . . . Gurët, punimet prej druri dhe rrënojat e tua të mbetura, do t’i hedhin në mes të ujit.» (26:4, 12) E gjithë kjo u përmbush më shumë se 250 vjet më vonë, kur Aleksandri i Madh iu sul qytetit-ishull të Tirit. Ushtarët e Aleksandrit mblodhën gjithë mbetjet e pjesës kontinentale të qytetit të shkatërruar dhe i hodhën në det. Me to bënë një rrugë 800 m të gjatë deri në pjesën ishullore të qytetit. Pastaj, me ndihmën e një rrethimi të ndërlikuar, iu ngjitën mureve 46 m të larta dhe e pushtuan qytetin në vitin 332 p.e.s. Mijëra njerëz u vranë dhe shumë të tjerë u shitën si skllevër. Ashtu si kishte parathënë Ezekieli, Tiri u kthye në ‘një shkrep të zhveshur e të lëmuar dhe në një vend për të tharë rrjetat’. (26:14)b Në anën tjetër të Tokës së Premtuar u shfarosën edhe edomitët tradhtarë, duke përmbushur kështu profecitë e Ezekielit. (25:12, 13; 35:2-9)c E po kështu, dolën të sakta edhe profecitë e Ezekielit për shkatërrimin e Jerusalemit dhe për rivendosjen e Izraelit.—17:12-21; 36:7-14.
5. Si reaguan judenjtë ndaj profecive të para të Ezekielit?
5 Në vitet e para të karrierës si profet, Ezekieli shpalli gjykimet e sigurta të Perëndisë kundër Jerusalemit jobesnik dhe i paralajmëroi mërgimtarët të ruheshin nga idhujtaria. (14:1-8; 17:12-21) Judenjtë e robëruar nuk po tregonin shenja të vërteta pendimi. Burrat me përgjegjësi këshilloheshin rregullisht me Ezekielin, por nuk u kushtonin fare kujdes mesazheve që Jehovai u përcillte me anë të Ezekielit. Pa iu bërë vonë, ata u dhanë pas idhujtarisë e praktikave materialiste. Humbja e tempullit, e qytetit të shenjtë dhe e dinastisë mbretërore ishte një tronditje e tmerrshme për ta, mirëpo arriti të shkundte nga gjumi vetëm pak veta, të cilët u përulën e u penduan.—Psal. 137:1-9.
6. Çfarë theksojnë profecitë e mëvonshme të Ezekielit dhe si theksohet shenjtërimi i emrit të Jehovait?
6 Profecitë që bëri Ezekieli në vitet e mëvonshme, e vinin theksin te shpresa e rivendosjes. Ato qortonin edhe kombet fqinje të Judës, të cilat ngazëlluan për rënien e saj. Poshtërimi i tyre, bashkë me rivendosjen e Izraelit, do të shenjtëronte Jehovain në sytë e atyre kombeve. Me pak fjalë, qëllimi i robërisë dhe i rivendosjes ishte: ‘Ju të gjithë, judenjtë dhe kombet, keni për ta marrë vesh se unë jam Jehovai.’ (Ezek. 39:7, 22) Shenjtërimi i emrit të Jehovai theksohet gjatë gjithë librit, ku më shumë se 60 herë shfaqet kjo shprehje: «Ata [ose, ju] kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai.»—6:7, shënimi te Bibla me referime, anglisht.
PËRMBAJTJA E EZEKIELIT
7. Cilat janë tri pjesët në të cilat ndahet natyrshëm libri i Ezekielit?
7 Libri ndahet natyrshëm në tri pjesë. Pjesa e parë, kapitujt 1 deri 24, përmban paralajmërime për shkatërrimin e sigurt të Jerusalemit. Pjesa e dytë, kapitujt 25 deri 32, përmban profeci që shpallin gjykime mbi disa kombe pagane. Pjesa e fundit, kapitujt 33 deri 48, përfshin profecitë e rivendosjes, që arrijnë kulmin me vegimin e tempullit të ri dhe qytetit të shenjtë. Në pjesën më të madhe, profecitë janë vendosur sipas radhës kronologjike dhe sipas temave që trajtojnë.
8. Çfarë sheh Ezekieli në vegimin e tij të parë?
8 Jehovai e cakton Ezekielin si rojë (1:1–3:27). Në vegimin e tij të parë, në vitin 613 p.e.s., Ezekieli sheh një erë të stuhishme që vjen nga veriu, bashkë me një masë resh dhe me një zjarr flakërues. Në mes të tij duken katër krijesa të gjalla me krahë, që kanë secila nga një fytyrë njeriu, luani, demi dhe shqiponje. Nga pamja e jashtme duken si thëngjij përvëlues dhe kanë pranë një rrotë të futur në mes të një rrote tjetër, me një lartësi që të fut frikën, dhe rrathët e tyre janë plot me sy rreth e qark. Ato lëvizin në çdo drejtim, plotësisht të sinkronizuara. Mbi kokat e krijesave të gjalla ka diçka që ngjan me një sipërfaqe, dhe mbi këtë sipërfaqe ndodhet një fron ku rri ulur ‘ajo që ngjan si lavdia e Jehovait’.—1:28.
9. Ç’përfshin caktimi i Ezekielit?
9 Jehovai i thërret Ezekielit, që ka rënë përmbys: «Bir njeriu, çohu në këmbë.» Pastaj e cakton si profet në Izrael dhe te kombet rebele rreth e qark. Dëgjojnë apo s’dëgjojnë, s’ka rëndësi. Të paktën, do ta marrin vesh se mes tyre ka qenë një profet i Zotërisë Jehova. Jehovai i jep Ezekielit të hajë rrotullën e librit, që i lë në gojë një shije të ëmbël si mjalti. Pastaj i thotë: «Bir njeriu, unë të kam vënë si rojë për shtëpinë e Izraelit.» (2:1; 3:17) Ezekieli duhet të shpallë këtë paralajmërim me besnikëri, përndryshe do të vdesë.
10. Çfarë vë në skenë Ezekieli si shenjë për Izraelin?
10 Vë në skenë rrethimin e Jerusalemit (4:1–7:27). Jehovai i thotë Ezekielit të skalitë në një tullë një skicë të Jerusalemit. Ai duhet të vërë në skenë një rrethim të sajuar si shenjë për Izraelin. Për ta theksuar këtë, ai duhet të rrijë shtrirë para tullës për 390 ditë në krahun e majtë dhe për 40 ditë në krahun e djathtë. Gjatë kësaj kohe do të mbijetojë me një dietë mjaft të kufizuar. Ezekieli e realizon vërtet këtë skenë dhe kjo duket nga kërkesa përgjëruese që i bën Jehovait për të ndryshuar lëndën djegëse që do të përdorë për gatimin.—4:9-15.
11. (a) Si e tregon Ezekieli fundin e kobshëm të rrethimit? (b) Përse s’do të ketë shpëtim?
11 Për të treguar fundin e kobshëm të rrethimit, Jehovai e urdhëron Ezekielin të rruajë kokën dhe mjekrën. Një të tretën e qimeve duhet ta djegë, një të tretën ta presë me shpatë dhe një të tretën ta shpërndajë në erë. Kështu, në fund të rrethimit, disa nga banorët e Jerusalemit do të vdesin nga zia e bukës, murtaja dhe shpata, kurse pjesa tjetër do të shpërndahet mes kombeve. Jehovai do ta shkretojë qytetin. Përse? Për shkak se idhujtaria e tij e ndyrë dhe e pështirë është fyese. Nuk do ta blejnë dot shpëtimin me pasuri. Ditën e tërbimit të Jehovait, populli i Jerusalemit do ta hedhë argjendin rrugëve dhe «kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai».—7:27.
12. Ç’gjëra të pështira sheh Ezekieli në vegimin për Jerusalemin apostat?
12 Vegimi i Ezekielit për Jerusalemin apostat (8:1–11:25). Tani është viti 612 p.e.s. Në vegim Ezekieli çohet në Jerusalemin e largët, ku sheh gjërat e pështira që ndodhin në tempullin e Jehovait. Në oborr gjendet një simbol i pështirë që shkakton xhelozinë e Jehovait. Ezekieli hap një të çarë në mur dhe gjen 70 burra nga pleqtë e vendit, të cilët adhurojnë para murit ku janë gdhendur kafshë që të ngjallin krupë, dhe idhuj të pështirë. Ata justifikohen: «Jehovai nuk na sheh. Jehovai e ka lënë vendin.» (8:12) Te porta e veriut, disa gra po qajnë perëndinë pagan, Tamuzin. Por, s’mbaron me kaq! Mu në hyrje të tempullit janë 25 burra, me shpinë nga tempulli, që adhurojnë diellin. Ata po e përdhosin Jehovain në fytyrë, prandaj ai do të veprojë patjetër me tërbim.
13. Ç’urdhra zbatojnë burri i veshur me rroba liri dhe gjashtë të tjerët që kanë armë?
13 E ja tani ku shfaqen gjashtë burra, secili me topuzin e vet në dorë. Mes tyre është edhe një tjetër, një i shtatë, i veshur me rroba liri, që mban një kallamar sekretari. Jehovai i thotë këtij burri të veshur me rroba liri, të kalojë mes për mes qytetit dhe të vërë një shenjë në ballin e njerëzve që psherëtijnë e rënkojnë për gjërat e pështira që bëhen në mes të qytetit. Pastaj, ai u thotë gjashtë burrave që të lëvizin e të vrasin këdo që nuk ka shenjën, «të moshuar, të rinj, virgjëresha, fëmijë të vegjël dhe gra». Ata veprojnë pikërisht kështu, duke nisur me të moshuarit që janë para shtëpisë. Burri me rroba liri raporton: «Bëra si më urdhërove.»—9:6, 11.
14. Ç’tregon në fund vegimi për lavdinë e Jehovait dhe për gjykimin që do të sjellë ai?
14 Ezekieli sheh përsëri lavdinë e Jehovait që ngrihet mbi kerubinët. Një kerubin merr thëngjij të ndezur në mes të rrotave, ia jep burrit me rrobat e lirit dhe ky i shpërndan mbi qytet. Sa për të shpërndarët e Izraelit, Jehovai premton se do t’i mbledhë përsëri e do t’u japë një frymë të re. Po me adhuruesit e rremë e të ligj në Jerusalem, ç’do të ndodhë? «Unë do të bëj që t’ju bjerë mbi kokë udha që kanë ndjekur»,—thotë Jehovai. (11:21) Pastaj, lavdia e Jehovait shihet tek ngrihet sipër qytetit dhe Ezekieli fillon t’ua tregojë vegimin të mërguarve.
15. Ç’ilustrim tjetër përdor Ezekieli për të treguar se banorët e Jerusalemit do të shkojnë patjetër në robëri?
15 Profeci të tjera në Babiloni për Jerusalemin (12:1–19:14). Ezekieli bëhet aktori i një tjetër skene simbolike. Gjatë ditës, ai nxjerr nga shtëpia plaçkat, gati për mërgim, kurse në mbrëmje kalon përmes një të çare në mur (mbase nga muri i shtëpisë së tij) me fytyrën të mbuluar. Ai shpjegon se kjo është një shenjë: ‘Ata do të shkojnë në mërgim, do të shkojnë në robëri.’ (12:11) Ah, ata profetë të pamend që ecin sipas frymës së tyre! Ata bërtasin: «Ka paqe!», kur paqe s’ka. (13:10) Edhe sikur Noeja, Danieli e Jobi të ishin në Jerusalem, ata do të shpëtonin vetëm shpirtin e tyre.
16. Si pasqyrohet kotësia e Jerusalemit dhe përse do të ketë një rivendosje?
16 Qyteti është si një hardhi e padobishme. Druri i saj s’bën as për të bërë një shkop, madje as kunja! Digjet nga dy anët dhe në mes shkrumbohet—nuk bën për asgjë. Sa i pabesë dhe i kotë është bërë Jerusalemi! Ai lindi nga vendi i kananitëve dhe Jehovai e mori si një foshnjë të braktisur. Ai e rriti dhe lidhi me të një besëlidhje martesore. E bëri të bukur, ‘të denjë për mbretëreshë’. (16:13) Kurse tani është bërë prostitutë që shkon me kombet që kalojnë andej. Ka adhuruar shëmbëlltyrat e tyre dhe ka djegur në zjarr bijtë e vet. Fundi i saj do të jetë shkatërrimi nga dora e atyre kombeve që ishin dashnorët e saj. Ajo është më keq se motrat e veta Sodoma dhe Samaria. Megjithatë, Jehovai, Perëndia i mëshirshëm, do të bëjë shlyerjen e fajit për të dhe do ta rivendosë sipas besëlidhjes së tij.
17. Ç’tregon Jehovai me anë të gjëegjëzës së shqiponjës dhe hardhisë?
17 Jehovai i jep profetit një gjëegjëzë dhe pastaj i tregon interpretimin. Ajo tregon se sa e kotë është që Jerusalemi i drejtohet Egjiptit për ndihmë. Një shqiponjë e madhe (Nabukodonosori) vjen dhe këput majën (Jehojakinin) e një peme cedri të lartë, e çon në Babiloni dhe në vend të tij mbjell një hardhi (Zedekinë). Hardhia i shtrin degët drejt një shqiponje tjetër (Egjiptit), por a do t’ia dalë mbanë? Shkulet me gjithë rrënjë. Jehovai do të marrë një degëz të njomë nga maja e cedrit të lartë dhe do ta mbëltojë në një mal të lartë e madhështor. Atje ai do të bëhet një cedër madhështor dhe një vend pushimi për «zogj me lloj-lloj krahësh». Të gjithë do ta marrin vesh se këtë e ka bërë Jehovai.—17:23, 24.
18. (a) Ç’parime thekson Jehovai kur qorton judenjtë e mërguar? (b) Ç’gjykim i pret mbretërit e Judës?
18 Jehovai i qorton të mërguarit judenj që përdorin këtë shprehje proverbiale: «Rrushin e pabërë e hanë etërit, por dhëmbët u mpihen bijve.» Jo, «ai shpirt që mëkaton, do të vdesë». (18:2, 4) I drejti ka për të jetuar. Jehovai nuk kënaqet me vdekjen e të ligjve. Përkundrazi, ai kënaqet kur sheh se i ligu kthen rrugë dhe jeton. Kurse mbretërit e Judës, si luanë të rinj, janë zënë në lak nga Egjipti dhe Babilonia. Zëri i tyre ‘nuk do të dëgjohet më nëpër malet e Izraelit’.—19:9.
19. (a) Çfarë shprese bën të njohur Ezekieli mes gjithë kësaj skene rrënimi? (b) Si e ilustron ai jobesnikërinë e Izraelit e të Judës dhe pasojat e saj?
19 Denoncime kundër Jerusalemit (20:1–23:49). Koha ka ecur, dhe tani jemi në vitin 611 p.e.s. Përsëri, pleqtë e të mërguarve vijnë tek Ezekieli për të pyetur Jehovain. Ajo që dëgjojnë, është një paraqitje e historisë së gjatë të rebelimit dhe idhujtarisë së zvetënuar të Izraelit, si dhe një paralajmërim se Jehovai ka thirrur një shpatë për të ekzekutuar gjykimin kundër tij. Ai do ta bëjë Jerusalemin ‘rrënojë, rrënojë, rrënojë’. Por, ka një shpresë të lavdishme. Jehovai do ta ruajë të drejtën për të mbretëruar («kurorë») për atë që do të vijë me «të drejtën ligjore» dhe atij do t’ia japë. (21:26, 27) Ezekieli bën të njohura gjërat e pështira që bëhen në Jerusalem, ‘qyteti që mban faj gjaku’. Shtëpia e Izraelit është bërë si «zgjyrë», prandaj ka për t’u mbledhur në Jerusalem dhe atje do të shkrihet si në një furrë. (22:2, 18) Jobesnikëria e Samarisë (Izraelit) dhe e Judës ilustrohet nga dy motra. Samaria është Ohola, dhe kurvërohet me asirianët e shkatërrohet nga dashnorët e saj. Juda është Oholiba, dhe nuk nxjerr ndonjë mësim nga kjo, por bën edhe më keq, duke u kurvëruar me Asirinë dhe pastaj me Babiloninë. Ajo do të shkatërrohet plotësisht, dhe atëherë «keni për ta marrë vesh se unë jam Zotëria Sovran Jehova».—23:49.
20. Me çfarë krahasohet rrethimi i Jerusalemit dhe çfarë shenje të fuqishme bën Jehovai për të treguar gjykimin e tij kundër qytetit?
20 Fillon rrethimi i fundit i Jerusalemit (24:1-27). Është viti 609 p.e.s. Jehovai e lajmëron Ezekielin se mbreti i Babilonisë e ka rrethuar Jerusalemin ditën e dhjetë të muajit të dhjetë. Ai e krahason qytetin e rrethuar me mure me një kazan gatimi, kurse banorët më të mirë me mishin brenda në kazan. Le të nxehet kazani! Le të shkrijnë gjithë papastërtitë e idhujtarisë së shpifur të Jerusalemit! Po atë ditë, gruaja e Ezekielit vdes, por profeti i bindet Jehovait, dhe nuk mban zi. Kjo është një shenjë për të treguar se populli nuk ka për të mbajtur zi për shkatërrimin e Jerusalemit, pasi ky është gjykimi i Jehovait, që ata ta marrin vesh kush është ai. Jehovai do të dërgojë një të mbijetuar për të lajmëruar shkatërrimin e ‘gjësë së bukur që i ngazëllon’, por derisa të mbërrijë ai, Ezekieli s’ka për t’u folur më të mërguarve.—24:25.
21. Si kanë për ta njohur kombet Jehovain dhe hakmarrjen e tij?
21 Profeci kundër kombeve (25:1–32:32). Jehovai parasheh se kombet rreth e rrotull do të gëzojnë për rënien e Jerusalemit dhe do ta përdorin këtë si mundësi për të poshtëruar Perëndinë e Judës. Por, s’do të shpëtojnë pa u ndëshkuar. Amoni do t’u jepet popujve të Lindjes, e po kështu edhe Moabi. Edomi do të bëhet një vend i shkretë, kurse kundër filistinëve do të kryhen vepra të mëdha hakmarrjeje. Jehovai thotë se ‘kur të hakmerret kundër tyre, ata kanë për ta marrë vesh se ai është Jehovai’.—25:17.
22. Si përmendet në mënyrë të veçantë Tiri dhe si do të shenjtërohet Jehovai në lidhje me Sidonin?
22 Tiri përmendet në mënyrë të veçantë. Krenar për shkak të tregtisë që po lulëzon, ky qytet është si një anije e bukur në mes të detit, por shpejt do të shkatërrohet në thellësitë e ujërave. «Jam perëndi»,—mburret prijësi i tij. (28:9) Jehovai i thotë profetit t’ia nisë një kënge të përvajshme për mbretin e Tirit: Ai ishte në Eden, në kopshtin e Perëndisë, si një kerubin i bukur dhe i mirosur; mirëpo Jehovai do ta përzërë nga mali i Tij si të përdhosur dhe një zjarr do ta përpijë. Jehovai thotë gjithashtu se do të shenjtërohet duke shkatërruar edhe Sidonin që tallet e përqesh.
23. Ç’ka për të marrë vesh Egjipti dhe në ç’mënyrë?
23 Jehovai i thotë tani Ezekielit të kthejë fytyrën kundër Egjiptit dhe faraonit të tij e të profetizojë kundër tyre. «Lumi Nil është imi. Unë e kam bërë atë për vete»,—krekoset faraoni. (29:3) Faraoni, dhe egjiptianët që besojnë tek ai, kanë për ta marrë vesh se Jehovai është Perëndi, dhe këtë mësim do ta nxjerrin përmes një shkretimi 40-vjeçar. Tani, Ezekieli ndërfut disa informacione që faktikisht iu zbuluan më vonë, në vitin 591 p.e.s. Jehovai do t’ia japë Egjiptin Nabukodonosorit si shpërblim për shërbimin që bëri duke shkatërruar Tirin. (Nabukodonosori mori shumë pak plaçkë lufte në Tir, sepse tirasit ia mbathën në qytetin-ishull me pjesën më të madhe të pasurisë së tyre.) Me një këngë të përvajshme, Ezekieli bën të njohur se Nabukodonosori do të zhveshë Egjiptin nga krenaria e tij dhe «ata kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai».—32:15.
24. (a) Ç’përgjegjësi ka Ezekieli si rojë? (b) Ç’mesazh u shpall Ezekieli të mërguarve, kur merr vesh lajmin e rënies së Jerusalemit? (c) Ç’premtim bekimi thekson kapitulli 34?
24 Rojë për të mërguarit; parathuhet rivendosja (33:1–37:28). Jehovai rishqyrton me Ezekielin përgjegjësinë që ka ky si rojë. Populli thotë: «Udha e Jehovait nuk është e drejtë.» Prandaj, Ezekieli duhet t’ua bëjë të qartë se sa gabim e kanë. (33:17) Por tani është viti 607 p.e.s., dita e pestë e muajit të dhjetë.d Një nga të shpëtuarit vjen nga Jerusalemi dhe i thotë profetit: «Qyteti ra!» (33:21) Ezekieli është tani përsëri i lirë t’u flasë të mërguarve, prandaj ai u thotë se, çdo mendim që mund të kenë për të liruar Judën, është i kotë. Edhe pse vijnë tek Ezekieli për të dëgjuar fjalën e Jehovait, ai është për ta si një njeri që i këndon dashurisë, si një njeri me zë të bukur, që u bie ëmbël veglave me tela. Ata nuk ia vënë veshin fare. Gjithsesi, kur kjo të ndodhë, ata kanë për ta marrë vesh se mes tyre ka qenë një profet. Ezekieli qorton barinjtë e rremë që kanë braktisur delet dhe ushqejnë veten e tyre. Jehovai, Bariu i Përsosur, do t’i mbledhë delet e shpërndara e do t’i çojë në kullotat e majme të maleve të Izraelit. Atje ai do të vërë mbi to një bari, ‘po, shërbëtorin e tij David’. (34:23) Jehovai do të bëhet Perëndia i tyre. Ai do të bëjë një besëlidhje paqeje dhe do të hedhë mbi ta shirat e bekimit.
25. (a) Përse dhe si do ta bëjë Jehovai vendin si Edeni? (b) Ç’gjë ilustron vegimi i eshtrave të thata? Po ai i dy shkopinjve?
25 Ezekieli profetizon sërish se mali i Seirit (Edomi) do të kthehet në shkreti. Nga ana tjetër, vendet e shkreta të Izraelit do të rindërtohen, sepse Jehovai do të ketë dhembshuri për emrin e vet të shenjtë, që ta shenjtërojë atë para kombeve. Ai do t’i japë popullit të tij një zemër të re dhe një frymë të re, kurse toka e tyre do të bëhet përsëri «si kopshti i Edenit». (36:35) Ezekieli sheh tani një vegim të Izraelit, si një rrafshinë me eshtra të thata. Ezekieli profetizon për eshtrat. Në mënyrë të mrekullueshme, ato nisin të mbushen përsëri me mish, në to hyn fryma dhe kthehen në jetë. Pikërisht në këtë mënyrë Jehovai do të hapë varret e robërisë në Babiloni dhe do ta kthejë Izraelin në tokën e tij. Pastaj, Ezekieli merr dy shkopinj që përfaqësojnë dy shtëpitë e Izraelit, Judën dhe Efraimin. Në dorën e tij ata bëhen një shkop i vetëm. Në këtë mënyrë, kur Jehovai të rivendosë Izraelin, ata do të jenë të bashkuar në një besëlidhje paqeje, nën shërbëtorin e tij ‘Davidin’.—37:24.
26. Përse sulmon Gogu i Magogut dhe cili do të jetë rezultati?
26 Sulmi i Gogut të Magogut mbi Izraelin e rivendosur (38:1–39:29). Më pas, do të vijë një sulm nga një drejtim tjetër. I nxitur për të sulmuar nga paqja dhe begatia joshëse e popullit të rivendosur të Jehovait, Gogu i Magogut ndërmerr sulmin e tij të tërbuar. Ai do të turret për ta gllabëruar. Atëherë, zjarri i tërbimit të Jehovait do të ndizet. Ai do të bëjë që shpata e secilit të ngrihet kundër vëllait të vet dhe do të sjellë mbi ta murtajë, gjak, një rrebesh përmbytës me breshër, zjarr e squfur. Ata do të bien dhe kanë për ta marrë vesh se Jehovai është «i Shenjti në Izrael». (39:7) Populli i tij do të bëjë zjarr me armatimet e copëtuara të armiqve dhe do t’i varrosë eshtrat në ‘Luginën e Turmës së Gogut’. (39:11) Zogjtë dhe kafshët kufomangrënëse do të hanë mishin e të vrarëve e do të pinë gjakun e tyre. Që prej asaj kohe, Izraeli do të banojë i sigurt, askush s’do t’i trembë më dhe Jehovai do të derdhë mbi ta frymën e tij.
27. Çfarë sheh Ezekieli kur viziton gjatë vegimit vendin e Izraelit dhe si shfaqet lavdia e Perëndisë?
27 Vegimi i Ezekielit për tempullin (40:1–48:35). Mbërrijmë në vitin 593 p.e.s. Është viti i 14-të që nga shkatërrimi i tempullit të Solomonit dhe mërgimtarët e penduar kanë nevojë për inkurajim e shpresë. Në vegim, Jehovai e çon Ezekielin në vendin e Izraelit dhe e ul në një mal shumë të lartë. Këtu, në vegim, ai sheh një tempull dhe ‘strukturën e një qyteti’. Një engjëll e udhëzon: «Të gjitha ato që sheh, thuaja shtëpisë së Izraelit.» (40:2, 4) Pastaj, ai i tregon Ezekielit gjithë hollësitë e tempullit dhe oborret, si dhe mat muret, portat, dhomat e rojave, dhomat e ngrënies, vetë tempulli, bashkë me të Shenjtën dhe Më të Shenjtën. Pastaj e çon Ezekielin te porta e lindjes. «Dhe ja, lavdia e Perëndisë së Izraelit vinte nga lindja dhe zëri i tij ngjante si gurgullima e ujërave të paana. Toka shndriti nga lavdia e tij.» (43:2) Engjëlli e udhëzon plotësisht Ezekielin për Shtëpinë (ose tempullin); për altarin dhe blatimet; për të drejtat dhe detyrat e priftërinjve, levitëve dhe të prijësit; dhe për ndarjen e vendit.
28. Ç’tregon vegimi i Ezekielit për rrëkenë e ujit që del nga Shtëpia, dhe çfarë zbulohet për qytetin dhe emrin e tij?
28 Engjëlli e çon përsëri Ezekielin te hyrja e Shtëpisë, ku profeti sheh të dalë ujë nga pragu i Shtëpisë në drejtim të lindjes, në jug të altarit. Nis si një rrjedhë, por zmadhohet gjithnjë e më shumë, derisa bëhet një përrua. Pastaj derdhet në Detin e Vdekur, ku peshqit vijnë në jetë dhe industria e peshkimit lulëzon. Nga të dyja anët e përroit ka pemë që sigurojnë ushqim dhe shërim për njerëzit. Më pas, vegimi na jep trashëgimitë e 12 fiseve, pa anashkaluar ata që banojnë si të ardhur dhe prijësin, si dhe përshkruan qytetin e shenjtë në jug, bashkë me 12 portat që mbajnë emrat e fiseve. Qyteti do të mbajë një emër mjaft të lavdishëm: «Vetë Jehovai është atje.»—48:35.
PËRSE ËSHTË I DOBISHËM?
29. Si nxorën dobi mërgimtarët judenj nga profecia e Ezekielit?
29 Të gjitha shpalljet, vegimet dhe premtimet që Jehovai i dha Ezekielit, iu përcollën besnikërisht judenjve në mërgim. Edhe pse shumëkush e shpotiti profetin dhe u tall me të, disa besuan. Dhe këta nxorën mjaft dobi. U forcuan nga premtimet e rivendosjes. Ndryshe nga kombe të tjera të robëruara, ata e ruajtën identitetin e tyre kombëtar, dhe, ashtu si kishte premtuar, Jehovai e rivendosi një mbetje në vitin 537 p.e.s. (Ezek. 28:25, 26; 39:21-28; Ezd. 2:1; 3:1) Ata rindërtuan shtëpinë e Jehovait dhe rimëkëmbën atje adhurimin e vërtetë.
30. Cilat parime që dalin në pah tek Ezekieli, janë me vlerë të madhe edhe për ne sot?
30 Parimet që dalin në pah tek Ezekieli janë me vlerë të madhe edhe për ne sot. Apostazia dhe idhujtaria, bashkë me rebelimin, sjellin veç mospëlqimin e Jehovait. (Ezek. 6:1-7; 12:2-4, 11-16) Çdokush do të përgjigjet për mëkatet e veta dhe Jehovai do të falë vetëm atë që heq dorë nga rruga e gabuar. Vetëm atij do t’i tregohet mëshirë e do të jetojë. (18:20-22) Shërbëtorët e Perëndisë duhet të jenë roja besnike, ashtu si Ezekieli, edhe në caktime të vështira e përballë talljeve dhe sharjeve. Nuk duhet të lejojmë që të ligjtë të vdesin pa qenë të paralajmëruar, që të mos mbajmë mbi kokë gjakun e tyre. (3:17; 33:1-9) Barinjtë e popullit të Perëndisë kanë një përgjegjësi serioze për t’u kujdesur për kopenë.—34:2-10.
31. Ç’profeci të Ezekielit parathonë ardhjen e Mesisë?
31 Libri i Ezekielit shquhet edhe për profecitë që lidhen me Mesinë. Ai përmendet në libër si «ai që ka të drejtën ligjore» për fronin e Davidit, dhe si ai të cilit duhet t’i jepet. Në dy vende ai quhet ‘shërbëtori im, Davidi’, si dhe «bari», «mbret» dhe «prijës». (21:27; 34:23, 24; 37:24, 25) Përderisa Davidi kishte vdekur me kohë, Ezekieli e kishte fjalën për Atë që do të ishte edhe Bir, edhe Zotëri i Davidit. (Psal. 110:1; Mat. 22:42-45) Ashtu si Isaia, edhe Ezekieli flet për mbjelljen e një degëze të njomë, e cila do të lartësohej nga Jehovai.—Ezek. 17:22-24; Isa. 11:1-3.
32. Ç’vërejmë kur krahasojmë vegimin e Ezekielit për tempullin dhe vegimin e ‘qytetit të shenjtë’ te Zbulesa?
32 Është me interes edhe krahasimi i vegimit të tempullit të Ezekielit me vegimin e Zbulesës të ‘qytetit të shenjtë, Jerusalemit’. (Zbul. 21:10) Ka disa dallime që bien në sy, si për shembull, tempulli i Ezekielit është i veçuar dhe ndodhet në veri të qytetit, kurse vetë Jehovai është tempulli i qytetit të Zbulesës. Megjithatë, në secilin rast, kemi lumin e jetës që rrjedh, pemët që japin fryt muaj për muaj, gjethet e pemëve që shërbejnë për shërim dhe praninë e lavdisë së Jehovait. Secili vegim jep ndihmesën e vet për të rritur vlerësimin për pozitën e Jehovait si mbret dhe për masën që ka marrë ai për të shpëtuar ata që i bëjnë shërbim të shenjtë.—Ezek. 43:4, 5—Zbul. 21:11; Ezek. 47:1, 8, 9, 12—Zbul. 22:1-3.
33. Çfarë thekson Ezekieli dhe ç’dobi do të kenë ata që po e shenjtërojnë tani Jehovain në jetën e tyre?
33 Libri i Ezekielit thekson se Jehovai është i shenjtë. Ai bën të ditur se shenjtërimi i emrit të Jehovait është më i rëndësishëm se çdo gjë tjetër. «Unë kam për ta shenjtëruar emrin tim të madh, . . .—thotë Zotëria Sovran Jehova,—kombet kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai.» Sikurse tregon profecia, ai do ta shenjtërojë emrin e vet duke i shkatërruar të gjithë ata që e përdhosin atë emër, përfshirë edhe Gogun e Magogut. Sa të mençur janë ata që po e shenjtërojnë tani Jehovain në jetën e tyre, duke plotësuar kërkesat që ka ai për një adhurim të pranueshëm. Këta do të shërohen e do të marrin jetë të përhershme nga lumi që rrjedh nga tempulli i tij. Ç’lavdi të jashtëzakonshme e ç’bukuri të pashoqe ka qyteti që quhet «Vetë Jehovai është atje»!—Ezek. 36:23; 38:16; 48:35.
[Shënimet]
a Origjeni ishte një studiues i famshëm që vdiq rreth vitit 254 të e.s.
b Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 2, faqet 531, 1136, anglisht.
c Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 1, faqet 681, 682, anglisht.
d Edhe pse teksti masoretik thotë se ai që kishte shpëtuar erdhi nga Jerusalemi vitin e 12-të, dorëshkrime të tjera thonë «vitin e njëmbëdhjetë» dhe teksti është përkthyer në këtë mënyrë nga Lamsa, Mofati dhe An American Translation.