Ata bënë vullnetin e Jehovait
Integriteti i Jobit shpërblehet
JOBI ishte një burrë i dhembshur, mbrojtës i të vejave, i jetimëve dhe i të pikëlluarve. (Jobi 29:12-17; 31:16-21) Mirëpo, krejt papritur, atij i ranë halle të mëdha, sepse humbi pasurinë, fëmijët dhe shëndetin. Mjerisht, ky njeri fisnik që kishte qenë shtyllë mbështetëse për të shtypurit, kur qe vetë në nevojë, u ndihmua pak. Madje edhe e shoqja i tha ‘të mallkonte Perëndinë dhe të vdiste’! Edhe «miqtë» e tij, Elifazi, Bildadi dhe Zofari, nuk i dhanë asnjë ngushëllim. Përkundrazi, tërthorazi lanë të kuptohet se Jobi kishte mëkatuar dhe prandaj e meritonte dhembjen e tij.—Jobi 2:9; 4:7, 8; 8:5, 6; 11:13-15.
Me gjithë vuajtjen e madhe, Jobi qëndroi besimplotë. Për shkak të kësaj, në fund Jehovai i ofroi mëshirën Jobit dhe e bekoi. Tregimi se si e bëri këtë, u jep siguri të gjithë shërbëtorëve të Perëndisë, mbajtës të integritetit, se në kohën e duhur edhe ata do të shpërblehen.
Shfajësim dhe përtëritje
Në fillim, Jehovai qortoi Elifazin, Bildadin dhe Zofarin. Duke iu drejtuar Elifazit, me sa duket më i madhi në moshë, ai tha: «Zemërimi im u ndez kundër teje dhe kundër dy miqve të tu, sepse nuk keni folur drejt për mua, ashtu si ka bërë shërbëtori im Job. Tani, pra, merrni me vete shtatë dema dhe shtatë desh dhe shkoni te shërbëtori im Job dhe ofroni një olokaust për veten tuaj. Dhe shërbëtori im Jobi do të lutet për ju.» (Jobi 42:7, 8) Mendo se ç’do të thoshte kjo!
Jehovai kërkoi një flijim të konsiderueshëm nga Elifazi, Bildadi dhe Zofari, ndoshta për të ngulitur tek ata faktin se sa i rëndë ishte mëkati i tyre. Në fakt, me dashje apo pa dashje, ata e kishin blasfemuar Perëndinë duke thënë se ‘nuk ka besim te shërbëtorët e tij’ dhe se në të vërtetë për të nuk kishte rëndësi nëse Jobi ishte apo jo besimplotë. Madje Elifazi tha se në sytë e Perëndisë Jobi s’kishte më shumë vlerë sesa një tenjë! (Jobi 4:18, 19; 22:2, 3) S’është për t’u habitur që Jehovai tha: «Nuk keni folur drejt për mua»!
Por nuk mbaron me kaq. Elifazi, Bildadi dhe Zofari mëkatuan edhe kundër Jobit personalisht, duke i thënë se problemet i kishte shkaktuar ai vetë. Akuzat e tyre të pabaza dhe mungesa e plotë e empatisë, e lanë Jobin të hidhëruar dhe në depresion, duke e bërë të thërriste: «Deri kur do të hidhëroni shpirtin tim dhe do të më mundoni me ligjëratat tuaja?» (Jobi 10:1; 19:2) Imagjino shprehjen e turpërimit në fytyrat e këtyre tre burrave, kur tani u duhej t’i paraqitnin Jobit një ofertë për mëkatet e tyre!
Por Jobi nuk duhej të fërkonte barkun për poshtërimin e tyre. Në të vërtetë, Jehovai i kërkoi të lutej për akuzuesit e tij. Jobi bëri pikërisht siç u udhëzua dhe për këtë u bekua. Fillimisht, Jehovai shëroi sëmundjen e tij të tmerrshme. Pastaj, vëllezërit, motrat dhe ish-shokët e Jobit erdhën për ta ngushëlluar dhe «secili prej tyre i dha një copë paraje dhe një unazë ari».a Për më tepër, Jobi «pati katërmbëdhjetë mijë dele, gjashtë mijë deve, një mijë pendë qe dhe një mijë gomarica».b Me sa duket, edhe gruaja e tij u pajtua me të. Me kalimin e kohës, Jobi u bekua me shtatë bij dhe tri bija dhe jetoi sa pa katër breza të pasardhjes së tij.—Jobi 42:10-17, BR.
Mësime për ne
Jobi la një shembull të shkëlqyer për shërbëtorët e sotëm të Perëndisë. Ai ishte «i ndershëm dhe i drejtë», një njeri për të cilin Jehovai ishte krenar ta quante «shërbëtori im». (Jobi 1:8; 42:7, 8) Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Jobi ishte i përsosur. Në një moment gjatë sprovave, Jobi pohoi në mënyrë të gabuar se Perëndia ishte shkaku i halleve të tij. Madje ai e kritikoi mënyrën e veprimit të Perëndisë me njeriun. (Jobi 27:2; 30:20, 21) Gjithashtu, ai deklaroi drejtësinë e vet, në vend se atë të Perëndisë. (Jobi 32:2) Por Jobi refuzoi t’i kthente shpinën Krijuesit dhe me përulësi pranoi korrigjimin prej Perëndisë. «Thashë gjëra që nuk i kuptoja,—pranoi ai.—Ndiej neveri ndaj vetes dhe pendohem mbi pluhurin dhe hirin.»—Jobi 42:3, 6.
Kur jemi nën sprova, edhe ne mund të mendojmë, të flasim ose të veprojmë në një mënyrë që nuk është e përshtatshme. (Krahaso Predikuesin 7:7.) Megjithatë, nëse dashuria jonë për Perëndinë është e thellë, nuk do të rebelohemi kundër tij ose nuk do të hidhërohemi që ai lejon të përjetojmë vështirësi. Përkundrazi, do të mbajmë integritetin dhe kështu në fund do të korrim një bekim të madh. Për Jehovain, psalmisti tha: «Me dikë besnik, ti do të veprosh me besnikëri.»—Psalmi 18:25, BR.
Përpara se Jobi të kthehej në një gjendje të shëndetshme, Jehovai kërkoi që ai të lutej për ata që kryen shkelje kundër tij. Ç’shembull i shkëlqyer për ne! Jehovai kërkon që ne t’i falim ata që mëkatojnë kundër nesh, përpara se të na falen mëkatet tona. (Mateu 6:12; Efesianëve 4:32) Nëse nuk jemi të gatshëm t’i falim të tjerët, kur ekziston një bazë e shëndoshë për ta bërë këtë, a mund të presim me të drejtë që Jehovai të jetë i mëshirshëm me ne?—Mateu 18:21-35.
Të gjithë, në mos njëherë, njëherë tjetër, hasim sprova. (2. Timoteut 3:12) Por megjithatë, ashtu si Jobi, ne mund ta mbajmë integritetin. Duke vepruar kështu, do të korrim një shpërblim të madh. Jakovi shkroi: «Shikoni! Ne shpallim të lumtur ata që kanë duruar. Ju keni dëgjuar për qëndrueshmërinë e Jobit dhe e keni parë rezultatin që i dha Jehovai, që Jehovai është shumë i dhembshur në përzemërsi dhe i mëshirshëm.»—Jakovit 5:11, BR.
[Shënimet]
a Vlera e një «cope paraje» (hebraisht, qesi·tahʹ) nuk mund të përcaktohet. Por në kohën e Jakobit, me «njëqind pjesë paraje» blihej një pjesë toke e madhe. (Jozueu 24:32) Prandaj, «një pjesë paraje» nga secili vizitor ka të ngjarë të ishte më shumë sesa një dhuratë simbolike.
b Ka të ngjarë që gjinia e gomaricave të jetë përmendur për shkak të vlerës së tyre si mbarështuese.