Njohuri që të bën mik me Perëndinë
Krijuesi ynë jo vetëm që është i fuqishëm, por ka edhe cilësi të admirueshme. Ai do që të mësojmë për të dhe të bëhemi miq me të. (Gjoni 17:3; Jakovi 4:8) Ja pse na ka zbuluar kaq shumë për veten.
Krijuesi ynë ka një emër
«Le ta dinë të gjithë se vetëm ti, që e ke emrin Jehova, je Më i Larti në mbarë tokën.»—PSALMI 83:18.
Bibla mëson se Jehovai është Perëndia i vetëm i vërtetë. Ai është Krijuesi i universit dhe i çdo forme jete. Vetëm atij i takon adhurimi ynë.—Zbulesa 4:11.
Jehovai është Perëndi i dashur
«Perëndia është dashuri.»—1 GJONIT 4:8.
Jehovai përdor Biblën dhe gjërat që ka krijuar për të na mësuar çfarë cilësish ka. Dashuria është cilësia e tij mbizotëruese, ja pse gjithçka e bën i motivuar nga dashuria. Sa më shumë mësojmë për Jehovain, aq më shumë e duam.
Jehovai është një Perëndi që fal
«Ti je një Perëndi që mezi pret të falësh.»—NEHEMIA 9:17.
Jehovai e di që jemi të papërsosur. Prandaj ‘mezi pret të na falë’. Kur i themi se na vjen keq dhe përpiqemi fort të heqim dorë nga gjërat e këqija, ai na fal dhe nuk na ndëshkon për mëkatet e së shkuarës.—Psalmi 103:12, 13.
Jehovai do që t’i lutemi
«Jehovai u rri pranë tërë atyre që e thërrasin . . . ; i dëgjon thirrjet e tyre për ndihmë.»—PSALMI 145:18, 19.
Jehovai nuk kërkon që ta adhurojmë nëpërmjet riteve të veçanta ose objekteve fetare. Na i dëgjon lutjet, ashtu si prindërit e dashur dëgjojnë fëmijët e tyre të shtrenjtë.