SHTOJCA
Çfarë është Dita e Gjykimit?
SI E përfytyron Ditën e Gjykimit? Shumë mendojnë se miliarda veta do të dalin një nga një para fronit të Perëndisë. Atje do të gjykohet çdo individ. Disa do të shpërblehen me parajsën qiellore, të tjerët do të dënohen me mundim të përjetshëm. Por Bibla e përshkruan krejt ndryshe këtë kohë. Fjala e Perëndisë e paraqet jo si një kohë të tmerrshme, por si një kohë shprese dhe ripërtëritjeje.
Te Zbulesa 20:11, 12 lexojmë si e përshkroi apostulli Gjon Ditën e Gjykimit: «Pashë një fron të bardhë e të madh, si dhe atë që rri ulur në të. Përpara tij u zhdukën toka e qielli, dhe s’pati më vend për ta. Pashë të vdekurit, të mëdhenj e të vegjël, që rrinin para fronit, dhe u hapën rrotullat. Por u hap edhe një rrotull tjetër; ajo është rrotulla e jetës. Të vdekurit u gjykuan sipas gjërave të shkruara në rrotulla, në përputhje me veprat e tyre.» Kush është Gjykatësi që përshkruhet këtu?
Gjykatësi suprem i njerëzimit është Perëndia Jehova. Megjithatë, punën konkrete të gjykimit ai e ka deleguar ose ia ka dhënë dikujt tjetër. Sipas Veprave 17:31, apostulli Pavël tha se Perëndia «ka caktuar një ditë, kur ka si qëllim të gjykojë me drejtësi tokën e banuar nëpërmjet një njeriu që ka emëruar». Ky Gjykatës i emëruar nga Perëndia është Jezu Krishti i ringjallur. (Gjoni 5:22) Po kur fillon Dita e Gjykimit dhe sa zgjat?
Libri i Zbulesës tregon se Dita e Gjykimit fillon pas luftës së Harmagedonit, kur të jetë shkatërruar i gjithë sistemi i Satanait në tokë.a (Zbulesa 16:14, 16; 19:19–20:3) Pas Harmagedonit, Satanai dhe demonët e tij do të burgosen në humnerë për një mijë vjet. Gjatë kësaj kohe, 144.000 bashkëtrashëgimtarët qiellorë do të jenë gjykatës dhe ‘do të mbretërojnë me Krishtin për një mijë vjet’. (Zbulesa 14:1-3; 20:1-4; Romakëve 8:17) Dita e Gjykimit nuk është një ngjarje që zhvillohet në nxitim e sipër, që zgjat vetëm 24 orë. Përkundrazi, zgjat një mijë vjet.
Gjatë kësaj periudhe njëmijëvjeçare, Jezu Krishti «do të gjykojë të gjallët e të vdekurit». (2 Timoteut 4:1) «Të gjallët» do të jenë ‘shumica e madhe’ që do të mbijetojë nga Harmagedoni. (Zbulesa 7:9-17) Apostulli Gjon pa edhe «të vdekurit . . . që rrinin para fronit» të gjykimit. Siç ka premtuar Jezui, «ata që janë në varre, do ta dëgjojnë zërin e [Krishtit] dhe do të dalin», do të ringjallen. (Gjoni 5:28, 29; Veprat 24:15) Por, mbi ç’baza do të gjykohen të gjithë këta?
Sipas vegimit të apostullit Gjon, «u hapën rrotullat» dhe «të vdekurit u gjykuan sipas gjërave të shkruara në rrotulla, në përputhje me veprat e tyre». Mos vallë këto rrotulla janë regjistra ku janë shënuar veprimet që kanë bërë njerëzit në të kaluarën? Jo, gjykimi nuk do të përqendrohet në ato veprime që bënë njerëzit para se të vdisnin. Nga e dimë këtë? Bibla thotë: «Kush vdes, shfajësohet nga mëkati i vet.» (Romakëve 6:7) Pra, kur kthehen në jetë, këtyre të ringjallurve tashmë u janë fshirë të gjitha mëkatet e mëparshme. Kështu që, me siguri, rrotullat kanë të bëjnë me kërkesat e mëtejshme që jep Perëndia. Për të jetuar përgjithmonë, qoftë ata që kanë mbijetuar nga Harmagedoni, qoftë të ringjallurit, duhet t’u binden urdhërimeve të Perëndisë, ku përfshihen edhe kërkesat e reja që mund të parashtrojë Jehovai gjatë një mijë vjetëve. Pra, njerëzit do të gjykohen në bazë të asaj që do të bëjnë gjatë Ditës së Gjykimit.
Gjatë Ditës së Gjykimit, miliona njerëz për herë të parë do të kenë mundësinë të mësojnë për vullnetin e Perëndisë dhe të jetojnë në përputhje me të. Kjo do të thotë që do të zhvillohet një vepër arsimimi në shkallë shumë të gjerë. Po, «banorët e vendit [do të] mësojnë drejtësinë». (Isaia 26:9) Mirëpo, jo të gjithë do të duan të jetojnë sipas vullnetit të Perëndisë. Tek Isaia 26:10 thuhet: «Edhe sikur të ligut t’i jepet hir, ai nuk do ta mësojë drejtësinë. Në vendin e drejtësisë ai do të veprojë me padrejtësi dhe nuk do ta shohë madhërinë e Jehovait.» Ata të ligj do të vdesin një herë e mirë, gjatë Ditës së Gjykimit.—Isaia 65:20.
Nga fundi i Ditës së Gjykimit, ata që kanë mbijetuar do të jenë ‘kthyer në jetë’ plotësisht, si njerëz të përsosur. (Zbulesa 20:5) Pra, gjatë Ditës së Gjykimit do të ndodhë ripërtëritja e njerëzimit derisa të arrijë në gjendjen e përsosur të fillimit. (1 Korintasve 15:24-28) Atëherë do të ketë një sprovë të fundit. Satanai do të çlirohet nga burgimi dhe do të lejohet të bëjë një përpjekje e fundit për t’i mashtruar njerëzit. (Zbulesa 20:3, 7-10) Ata që i rezistojnë Satanait, do të përjetojnë përmbushjen e plotë të premtimit të Biblës: «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të.» (Psalmi 37:29) Po, Dita e Gjykimit do të jetë një bekim për të gjithë njerëzit besnikë.
a Për sa i përket Harmagedonit, të lutemi shih Mendjehollësi mbi Shkrimet, vëllimi 1, faqet 594, 595, 1037, 1038, anglisht, si edhe kapitullin 20 të librit Të adhurojmë të vetmin Perëndi të vërtetë, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.