Dobësia, ligësia dhe pendimi
MËKATI është diçka që të krishterët e urrejnë—një dështim i standardeve të drejta të Jehovait. (Hebrenjve 1:9) Mjerisht, të gjithë mëkatojmë herë pas here. Të gjithë luftojmë me dobësitë e trashëguara dhe papërsosmërinë. Megjithatë, në shumicën e rasteve, nëse ia rrëfejmë mëkatet tona Jehovait dhe përpiqemi sinqerisht që të mos i përsërisim ato, mund t’i afrohemi atij me një ndërgjegje të pastër. (Romakëve 7:21-24; 1. Gjonit 1:8, 9; 2:1, 2) Ne falënderojmë Jehovain, që në bazë të sakrificës shpërblerëse pranon shërbimin tonë të shenjtë, pavarësisht nga dobësitë tona.
Nëse dikush kryen një mëkat serioz për shkak të dobësisë së mishit, ka nevojë urgjentisht për veprën baritore, në harmoni me procedurën e paraqitur tek Jakovi 5:14-16: «A është ndonjë nga ju [frymësisht] i sëmurë? Atëherë le të thërrasë pleqtë e kongregacionit . . . Nëse ka kryer mëkate do t’i falen. Prandaj rrëfejani hapur mëkatet tuaja njëri-tjetrit dhe lutuni për njëri-tjetrin, që të mund të shëroheni.»—BR.
Kështu, kur një i krishterë i dedikuar, kryen një mëkat të rëndë, nevojitet diçka më shumë se rrëfimi personal ndaj Jehovait. Pleqtë duhet të marrin disa hapa, pasi është në rrezik pastërtia dhe paqja e kongregacionit. (Mateu 18:15-17; 1. Korintasve 5:9-11; 6:9, 10) Pleqtë duhet të përcaktojnë: A është penduar individi? Çfarë e çoi në mëkat? A ishte rezultat i një momenti të veçantë dobësie? A ishte një mëkat i përsëritur? Nuk është e lehtë për të bërë përcaktime të tilla, pasi gjërat nuk janë gjithmonë kaq të thjeshta apo të qarta, prandaj nevojitet një mendjemprehtësi e konsiderueshme.
Por, ç’mund të themi nëse mëkati është pasojë e ndjekjes së një rruge të keqe dhe e një sjelljeje të ligë? Atëherë, përgjegjësia e pleqve është e qartë. Duke dhënë udhëzime mbi trajtimin e një çështjeje serioze në kongregacionin e Korintit, apostulli Pavël tha: «Nxirreni të ligun nga vetja juaj.» (1. Korintasve 5:13) Njerëzit e këqij nuk kanë vend në kongregacionin e krishterë.
Si të përcaktojmë dobësinë, ligësinë dhe pendimin
Si mund ta dinë pleqtë nëse dikush është penduar?a Kjo nuk është një çështje e thjeshtë. Mendo për shembull mbi mbretin David. Ai bëri tradhti bashkëshortore dhe më vonë si pasojë e kësaj, vrasje. Megjithatë, Jehovai e lejoi që të vazhdonte të jetonte. (2. Samuelit 11:2-24; 12:1-14) Pastaj, mendo mbi Ananian dhe Safiran. Ata gënjyen dhe u përpoqën të mashtronin apostujt, duke pretenduar me hipokrizi se ishin më shumë bujarë nga ç’ishin në të vërtetë. A ishte diçka serioze? Po. Aq e keqe sa vrasja dhe tradhëtia bashkëshortore? Vështirë! Megjithatë, Anania dhe Safira e paguan me jetën e tyre.—Veprat 5:1-11.
Përse këto gjykime të ndryshme? Davidi ra në një mëkat serioz për shkak të dobësive të mishit. Kur ai u ballafaqua me atë që kishte bërë, u pendua dhe Jehovai e fali—megjithëse u disiplinua me ashpërsi, me problemet që i ndodhën në shtëpinë e tij. Anania dhe Safira, mëkatuan pikërisht sepse gënjyen me hipokrizi duke u përpjekur që të mashtrojnë kongregacionin e krishterë e kështu ‘të gënjejnë frymën e shenjtë dhe Perëndinë’. Kjo gjë provoi se kishin një zemër të ligë. Prandaj u gjykuan shumë më ndryshe.
Në të dyja rastet, ishte Jehovai ai që bëri gjykimin dhe gjykimi i tij ishte i drejtë sepse ai mund të shqyrtojë zemrat. (Proverbat 17:3) Pleqtë njerëzorë nuk mund ta bëjnë këtë. Prandaj, si mund ta dallojnë ata, nëse një mëkat serioz është më shumë pasojë e dobësisë sesa e ligësisë?
Në fakt, çdo mëkat është i lig, por jo të gjithë mëkatarët janë të ligj. Të njëjtat mëkate, tek një person mund të jenë pasojë e dobësisë, ndërsa tek një tjetër pasojë e ligësisë. Në fakt, të mëkatuarit zakonisht përfshin një masë dobësie dhe ligësie nga ana e mëkatarit. Një faktor përcaktues është se si e sheh mëkatari atë që ka bërë dhe ç’dëshiron të bëjë në lidhje me këtë. A tregon një frymë pendimi? Pleqve u nevojitet mendjemprehtësi për ta dalluar këtë. Si mund ta kenë këtë mendjemprehtësi? Apostulli Pavël i premtoi Timoteut: «Mendo vazhdimisht për atë që po të them; Zoti, me të vërtetë do të të japë mendjemprehtësi në çdo gjë.» (2. Timoteut 2:7, BR) Nëse pleqtë me përulësi «mendojnë vazhdimisht» për fjalët e frymëzuara të Pavlit dhe të shkrimtarëve të tjerë të Biblës, ata do të marrin mendjemprehtësinë e nevojshme, për ta trajtuar në mënyrë të përshtatshme atë që mëkaton në kongregacion. Kështu, vendimet e tyre do të pasqyrojnë mendimin e Jehovait dhe jo mendimin e tyre personal.—Proverbat 11:2; Mateu 18:18.
Si mund të bëhet kjo? Një mënyrë është që të shqyrtojmë se si e përshkruan Bibla njeriun e lig dhe të shohim nëse i përshtatet ky përshkrim individit me të cilin kemi të bëjmë.
Të marrim përgjegjësinë dhe të pendohemi
Njerëzit e parë që zgjodhën një drejtim të lig ishin Adami dhe Eva. Pavarësisht nga fakti se ishin të përsosur dhe kishin një njohuri të plotë mbi ligjin e Jehovait, ata rebeluan kundër sovranitetit hyjnor. Kur Jehovai i vuri përballë asaj që kishin kryer, ata reaguan në një mënyrë që kërkon vëmendje—Adami fajësoi Evën dhe Eva fajësoi gjarprin! (Zanafilla 3:12, 13) Krahasoje këtë më përulësinë e thellë të Davidit. Kur u ballafaqua me mëkatet e tij të rënda, ai e pranoi përgjegjësinë dhe u lut për falje duke thënë: «Kam mëkatuar kundër Jehovait.»—2. Samuelit 12:13, BR; Psalmi 51:4, 9, 10.
Pleqtë duhet t’i shqyrtojnë mirë këta dy shembuj kur trajtojnë rastet e një mëkati serioz, veçanërisht në rastin e një të rrituri. A e pranon me çiltërsi fajin dhe a shikon me pendim tek Jehovai për ndihmë dhe falje—ashtu siç bëri Davidi kur kreu mëkatin e tij—apo kërkon ta minimizojë atë që ka bërë duke fajësuar ndoshta një tjetër? Është e vërtetë se personi që ka mëkatuar, mund të dojë të shpjegojë se çfarë e ka çuar në veprimet e tij dhe mund të ketë rrethana të së kaluarës apo të së tashmes, që pleqtë duhet t’i shqyrtojnë kur vendosin se si ta ndihmojnë atë. (Krahaso Hozea 4:14.) Por mëkatari duhet të pranojë se është ai që ka mëkatuar dhe se ai është përgjegjës para Jehovait. Kujto: «Zoti qëndron afër atyre që e kanë zemrën të thyer dhe shpëton ata që e kanë frymën të dërrmuar.»—Psalmi 34:18.
Kush praktikon të keqen
Në librin e Psalmeve ka shumë vargje që u referohen njerëzve të këqij. Shkrime të tilla, mund t’i ndihmojnë gjithashtu pleqtë që të dallojnë nëse një person në thelb është i lig apo i dobët. Për shembull, shqyrto lutjen e frymëzuar të mbretit David: «Mos më tërhiq bashkë me të pabesët dhe ata që kryejnë paudhësi, të cilët flasin për paqe me të afërmit e tyre, por kanë shpirtligësi në zemër.» (Psalmi 28:3) Vëre se njerëzit e ligj përmenden paralel me «ata që kryejnë paudhësi». Një person që mëkaton për shkak të dobësisë së mishit, ka mundësi që të ndalojë sapo vjen në vete dhe e kupton atë. Megjithatë, nëse dikush ‘praktikon’ atë që është e keqe duke e bërë këtë pjesë të jetës së tij, kjo mund të dëshmojë për një zemër të ligë.
Davidi përmend një tjetër karakteristikë të të ligjve në këtë varg. Ashtu si Anania dhe Safira, personi i lig, thotë gjëra të mira me gojë, por ka të ligën në zemrën e tij. Ai mund të jetë një hipokrit—ashtu si farisenjtë në ditët e Jezuit të cilët ‘nga jashtë dukeshin të drejtë, por nga brenda ishin plot hipokrizi dhe paudhësi.’ (Mateu 23:28; Luka 11:39) Jehovai e urren hipokrizinë. (Proverbat 6:16-19) Nëse dikush me hipokrizi përpiqet të fshehë mëkatet e tij serioze edhe kur është duke folur me komitetin gjykues, apo kundër dëshirës pohon vetëm atë që tashmë është e njohur nga të tjerët, duke refuzuar të rrëfehet plotësisht, kjo shumë mirë mund të jetë dëshmi e një zemre të ligë.
Mendjemadhësia është mungesë respekti për Jehovain
Të tjera tipare që karakterizojnë një person të lig, paraqiten në Psalmin 10. Atje lexojmë: «I pabesi me kryelartësinë e tij ndjek me dhunë të mjerin; . . . përbuz Zotin.» (Psalmi 10:2, 3) Çfarë duhet të mendojmë për një të krishterë të dedikuar i cili është mendjemadh dhe nuk e respekton Jehovain? Sigurisht, këto janë qëndrime të liga mendore. Një person i cili mëkaton për shkak të dobësisë, kur e kupton mëkatin e tij apo kur i tërhiqet vëmendja në lidhje me këtë, pendohet dhe përpiqet seriozisht që të ndryshojë jetën e tij. (2. Korintasve 7:10, 11) Në të kundërtën, nëse një njeri mëkaton për shkak të mungesës së thellë të respektit ndaj Jehovait, çfarë do ta pengonte që të kthehej gjithnjë e më shumë në sjelljen e tij mëkatare? Nëse është mendjemadh, megjithëse është këshilluar me një frymë butësie, si mund të ketë përulësinë e nevojshme për t’u penduar sinqerisht dhe me të vërtetë?
Le të konsiderojmë tani, fjalët e Davidit të shkruara më poshtë në të njëjtin psalm: «Pse i pabesi përçmon Perëndinë? Ai thotë në zemër të tij: ‘T’i nuk do t’i kërkosh llogari.’» (Psalmi 10:13) Brenda kongregacionit të krishterë, njeriu i lig e di ndryshimin midis së mirës dhe së keqes, por ai nuk ngurron të bëjë të keqen nëse mendon se mund të mbetet pa u dënuar. Për aq kohë sa nuk e ka frikën e zbulimit, ai i jep liri të plotë prirjeve të tij mëkatare. Në ndryshim me Davidin, nëse mëkatet e tij zbulohen, ai do të bëjë plan që të shmangë disiplinën. Një person i tillë, ka një mungesë të thellë respekti për Jehovain. «Nuk ekziston asnjë frikë nga Perëndia përpara syve të tij. . . . Atë që është e keqe, ai nuk e flak.»—Psalmi 36:1, 4, BR.
Dëmi ndaj të tjerëve
Zakonisht, mëkati prek më shumë se një person. Për shembull, një i rritur, mëkaton kundër Perëndisë; ai dëmton gruan e tij dhe fëmijët; nëse gruaja me të cilën ai kryen mëkat është e martuar, ai dëmton familjen e saj dhe njollos emrin e mirë të kongregacionit. Por si e shikon ai të gjithë këtë? A tregon pikëllim të sinqertë dhe një pendim të vërtetë? Apo tregon frymën që përshkruhet në Psalmin 94: «Të gjithë ata që kryejnë paudhësi flasin me arrogancë. Ata marrin nëpër këmbë popullin tënd, o Zot, dhe shtypin trashëgiminë tënde. Vrasin gruan e ve dhe të huajin, dhe vrasin jetimët, dhe thonë: ‘Zoti nuk shikon, Perëndia i Jakobit nuk kupton.’»—Psalmi 94:4-7.
Ka të ngjarë që mëkatet e kryera në një kongregacion nuk kanë të bëjnë me vrasje dhe vrasës. Por fryma e treguar këtu—frymë që është e gatshme për të sakrifikuar të tjerët për dobi personale—mund të dalë në pah ndërsa pleqtë shqyrtojnë shkeljen e kryer. Kjo gjithashtu, është arrogancë, shenjë e një njeriu të lig. (Proverbat 21:4) Kjo është plotësisht e kundërta e frymës së një të krishteri të vërtetë, i cili është i gatshëm të sakrifikojë veten për vëllanë e tij.—Gjoni 15:12, 13.
Aplikimi i parimeve hyjnore
Këto pak udhëzime, nuk janë rregulla fikse. Megjithatë, ato na japin idenë e disa gjërave që në sy të Jehovait janë vërtet të liga. A ka ndonjë që refuzon të pranojë përgjegjësinë për mëkatin e kryer? A ka ndonjë që injoron në mënyrë të paturpshme këshillat e çmuara tamam mbi këtë çështje? A bëhet fjalë për ndonjë praktikë të rrënjosur të një shkeljeje serioze? A tregon shkelësi një mungesë të madhe respekti për ligjin e Jehovait? A ka bërë me qëllim përpjekje për të fshehur mëkatin, duke kompromentuar ndërkohë edhe të tjerët? (Juda 4) A bëhen më intensive këto përpjekje, kur zbulohet mëkati? A tregon shkelësi një mospërfillje të hapur për dëmin që u ka shkaktuar të tjerëve dhe emrit të Jehovait? Ç’mund të themi rreth qëndrimit të tij? Pas këshillave të ndryshme biblike që i janë dhënë, a është mendjemadh apo arrogant? A i mungon dëshira e sinqertë për të shmangur përsëritjen e mëkatit? Nëse pleqtë përcaktojnë gjëra të tilla, të cilat tregojnë qartë një mungesë pendimi, ata mund të arrijnë në përfundimin se mëkatet e kryera, janë dëshmi e ligësisë dhe jo e dobësisë trupore.
Edhe kur kanë të bëjnë me një person që duket se ka prirje të liga, pleqtë nuk duhet të ngurrojnë për ta nxitur të ndjekë drejtësinë. (Hebrenjve 3:12) Individë të ligj, mund të pendohen dhe të ndryshojnë. Po të mos qe kështu, përse Jehovai i nxiti izraelitët: «I pabesi le ta lërë rrugën e tij dhe njeriu i padrejtë mendimet e tij, dhe le të kthehet tek Zoti që të ketë dhembshuri për të, tek Perëndia ynë që fal bujarisht.» (Isaia 55:7) Ndoshta, gjatë një seance gjyqësore, pleqtë mund të dallojnë një shenjë pendimi në gjendjen e zemrës së tij, që pasqyrohet me një sjellje dhe qëndrim të penduar.
Edhe në rastin e përjashtimit të një individi, pleqtë, si barinj, duhet ta nxitin atë, që të pendohet e ta ndryshojë jetën e tij në favor të Jehovait. Kujto «njeriun e lig» në Korint. Në mënyrë të dukshme, ai e ndryshoi jetën e tij dhe më vonë Pavli rekomandoi rikthimin e tij. (2. Korintasve 2:7, 8) Konsidero gjithashtu, mbretin Manase. Me të vërtetë që ishte shumë i lig, por së fundi u pendua dhe Jehovai e pranoi pendimin e tij.—2. Mbretërve 21:10-16; 2. Kronikave 33:9, 13, 19.
Por, ka një mëkat që nuk mund të falet—mëkati kundër frymës së shenjtë. (Hebrenjve 10:26, 27) Vetëm Jehovai mund të përcaktojë se cili e ka kryer këtë mëkat. Njerëzit nuk kanë autoritet ta bëjnë këtë. Përgjegjësia e pleqve është që ta mbajnë kongregacionin të pastër dhe të ndihmojnë mëkatarët e penduar të rikthehen përsëri. Nëse veprojnë në këtë mënyrë me mendjemprehtësi dhe përulësi, duke lënë që vendimet e tyre të pasqyrojnë mençurinë e Jehovait, atëherë Jehovai do të bekojë këtë aspekt të veprës së tyre baritore.
[Shënimi]
a Për informacion të mëtejshëm, shiko Kullën e Rojës së 1 Shtatorit 1981, faqet 24-26; librin Mendjehollësi, volumi 2, faqe 772-774.
[Figura në faqen 29]
Anania dhe Safira, me hipokrizi gënjyen frymën e shenjtë duke treguar ligësinë e zemrës së tyre