MËSIMI 33
Me takt, por i vendosur
TAKTI është aftësia për të folur e për të vepruar me maturi e kujdes me njerëzit, pa i fyer. Do të thotë të dish si dhe kur t’i thuash gjërat. Kjo nuk nënkupton të bësh kompromis me atë që është e drejtë ose të shtrembërosh faktet. Takti nuk duhet ngatërruar me frikën nga njeriu.—Prov. 29:25.
Fryti i frymës është themeli më i mirë për të treguar takt. Për shembull, njeriu që motivohet nga dashuria nuk dëshiron t’i acarojë të tjerët, por t’i ndihmojë. Njeriu mirëdashës e me natyrë të butë është i sjellshëm në mënyrën se si i bën gjërat. Njeriu paqësor kërkon mundësi për të nxitur marrëdhënie të mira me të tjerët. Edhe kur të tjerët tregohen të ashpër, njeriu shpirtgjerë qëndron i qetë.—Gal. 5:22, 23.
Por, pavarësisht se si u paraqitet mesazhi i Biblës, disa njerëz do të ndihen të fyer prej tij. Për shkak të gjendjes së ligë të zemrës që kishte shumica e judenjve në shekullin e parë, Jezu Krishti u bë një «gur pengese e shkëmb shkeljeje» për ta. (1 Pjet. 2:7, 8) Për sa i përket veprës së tij të shpalljes së Mbretërisë, Jezui tha: «Unë erdha për t’i vënë zjarr tokës.» (Luka 12:49) Mesazhi i Mbretërisë së Jehovait, i cili përfshin nevojën që njerëzit të pranojnë sovranitetin e Krijuesit të tyre, vazhdon të jetë çështja më urgjente që përballon njerëzimi. Shumë njerëz ndihen të fyer nga mesazhi që Mbretëria e Perëndisë do të zhdukë së shpejti sistemin e lig të tanishëm. Megjithatë, duke iu bindur Perëndisë ne vazhdojmë të predikojmë. Sidoqoftë, ndërsa veprojmë kështu mbajmë parasysh këshillën e Biblës: «Nëse është e mundur dhe aq sa varet prej jush, jini paqësorë me të gjithë.»—Rom. 12:18.
Me takt kur japim dëshmi. Ka shumë rrethana në të cilat u flasim të tjerëve për besimin tonë. Natyrisht, këtë e bëjmë kur jemi në shërbimin në fushë, por kërkojmë edhe raste të përshtatshme kur jemi me të afërmit, me shokët e punës ose të shkollës. Në të gjitha këto rrethana duhet përdorur takt.
Po t’ua paraqesim të tjerëve mesazhin e Mbretërisë në një mënyrë që u duket se po u bëjmë moral, kjo mund të mos u pëlqejë. Në një kohë kur nuk kanë kërkuar ndihmë dhe ndoshta nuk e ndiejnë nevojën për ndihmë, ata mund të fyhen në rast se u lëmë të kuptohet se kanë nevojë për t’u ndrequr. Ç’të bëjmë për të mos lënë një përshtypje të gabuar? Mund të jetë një ndihmë të mësojmë artin e të biseduarit në mënyrë miqësore.
Përpiqu ta fillosh bisedën duke përmendur një argument që është me interes për tjetrin. Në qoftë se ky person është një i afërm ose shok shkolle, tashmë mund ta dish se çfarë i intereson. Edhe po të mos e kesh takuar kurrë më parë personin, mund të përmendësh diçka që ke dëgjuar në lajme ose që ke lexuar në gazetë. Zakonisht, këto argumente pasqyrojnë atë që ka në mendje shumica e njerëzve. Kur predikon nga shtëpia në shtëpi, ji vëzhgues. Zbukurimet e shtëpisë, lodrat në oborr, sendet fetare ose sloganet e ngjitura në makinën e parkuar në rrugicën para shtëpisë mund të japin më shumë të dhëna për interesat e të zotit të shtëpisë. Kur i zoti i shtëpisë del te dera, dëgjoje atë që po të thotë. Ajo që thotë ai ose do t’i vërtetojë, ose do t’i ndreqë përfundimet që kishe arritur lidhur me interesat dhe pikëpamjen e tij. Po ashtu, fjalët e tij do të të japin më shumë informacione për atë që duhet të marrësh parasysh për t’i dhënë dëshmi.
Në vazhdim të bisedës thuaji pika nga Bibla ose nga botime biblike që kanë lidhje me argumentin. Por mos e mbizotëro bisedën. (Ekl. 3:7) Përfshije të zotin e shtëpisë në bisedë, nëse ai ka dëshirë. Interesohu për pikëpamjet dhe mendimet e tij. Këto mund të jenë pikërisht të dhënat që të nevojiten për të treguar takt.
Para se të thuash diçka, mendo se si do t’i tingëllojë personit tjetër. Te Proverbat 12:8 lavdërohet ‘maturia e gojës’. Shprehja hebraike e përdorur këtu ka lidhje me koncepte të tilla, si gjykimi i thellë dhe kujdesi. Kështu, maturia përfshin të qenët i kujdesshëm dhe i përmbajtur në të folur, ngaqë e mendon gjerë e gjatë një çështje për të vepruar me mençuri. Vargu 18 i të njëjtit kapitull të Proverbave paralajmëron lidhur me ‘të folurit pa u menduar si me goditje shpate’. Mund ta mbështetim të vërtetën biblike pa fyer askënd.
Përdorimi i aftësisë dalluese për të zgjedhur fjalët mund të mjaftojë që të mos ngresh një mur pengese pa qenë nevoja. Në rast se përdorimi i fjalës «Bibla» ngre një pengesë mendore, mund të përdorësh një shprehje të tillë, si «shkrimet e shenjta» ose «një libër që tani është botuar në më shumë se 2.000 gjuhë». Po qe se përmend Biblën, mund ta pyesësh personin se çfarë mendon për të dhe më pas ta marrësh parasysh mendimin e tij gjatë pjesës tjetër të bisedës.
Të tregosh takt, shpesh, përfshin të përcaktosh kohën e duhur për t’i thënë gjërat. (Prov. 25:11) Ndoshta nuk i pranon të gjitha gjërat që thotë personi tjetër, por nuk është e nevojshme të kundërshtosh çdo pikëpamje jobiblike që shpreh ai. Mos u përpiq t’i thuash të zotit të shtëpisë gjithçka që di në një herë të vetme. Jezui u tha dishepujve: «Kam ende shumë gjëra për t’ju thënë, por tani për tani nuk jeni në gjendje t’i mbani.»—Gjoni 16:12.
Kur është e mundur, lavdëroji sinqerisht ata me të cilët flet. Edhe kur i zoti i shtëpisë ka prirjen të debatojë, mund të kesh përsëri mundësi ta lavdërosh për faktin që i përmbahet një pikëpamjeje. Apostulli Pavël veproi kështu kur po u fliste filozofëve në Areopagun e Athinës. Filozofët po «haheshin me të me fjalë». Si mund t’ua paraqiste mesazhin e tij pa i fyer? Më parë ai kishte vënë re altarët e shumtë që ata u kishin bërë perëndive të tyre. Në vend që t’i dënonte athinasit për adhurimin e tyre idhujtar, me takt ai i lavdëroi për prirjen e fortë fetare. Ai tha: «Unë shoh se në gjithçka ju dukeni se jeni më të dhënë se të tjerët pas frikës prej hyjnive.» Kjo mënyrë të foluri i hapi rrugën për të paraqitur mesazhin e tij lidhur me Perëndinë e vërtetë. Si rrjedhim, disa u bënë besimtarë.—Vep. 17:18, 22, 34.
Mos u acaro kur të tjerët të kundërshtojnë. Ruaj qetësinë. Shihi këto si raste për të mësuar diçka më shumë rreth mënyrës së të menduarit të personit. Mund ta falënderosh për faktin që ka shprehur pikëpamjet e tij. Po sikur të të thotë prerazi: «Kam fenë time»? Mund ta pyesësh me takt: «A keni qenë fetar gjatë gjithë jetës suaj?» Pastaj, pasi të përgjigjet, shto: «A mendoni se njerëzimi do të bashkohet ndonjëherë në një fe të vetme?» Kjo mund t’i hapë rrugën një bisede më të gjatë.
Të kemi pikëpamjen e duhur për veten tonë mund të na ndihmojë të tregojmë takt. Ne jemi të bindur plotësisht për drejtësinë e rrugëve të Jehovait dhe për vërtetësinë e Fjalës së tij. Flasim me bindje për këto gjëra. Por nuk ka arsye pse ta mbajmë veten për tepër të drejtë. (Ekl. 7:15, 16) Jemi mirënjohës që njohim të vërtetën dhe që gëzojmë bekimin e Jehovait. Por e dimë mirë që pasja e miratimit të tij nuk vjen nga drejtësia jonë, por nga dashamirësia e tij e pamerituar dhe nga besimi ynë te Krishti. (Efes. 2:8, 9) E pranojmë që kemi nevojë ‘të vazhdojmë të vëmë në provë veten nëse jemi në besim, të vazhdojmë të provojmë se çfarë jemi ne vetë’. (2 Kor. 13:5) Prandaj, kur u flasim njerëzve për nevojën që të përputhen me kërkesat e Perëndisë, me përulësi i zbatojmë edhe për vete këshillat biblike. Nuk kemi të drejtë të gjykojmë të tjerët. Jehovai «gjithë gjykimin ia ka lënë në dorë Birit» dhe ne duhet të japim llogari për atë që bëjmë para fronit të tij të gjykimit.—Gjoni 5:22; 2 Kor. 5:10.
Me familjarët dhe të bashkëkrishterët. Përdorimi i taktit nuk duhet të kufizohet vetëm në shërbim. Meqenëse takti është një shprehje e frytit të frymës së Perëndisë, duhet të tregojmë takt edhe në shtëpi, në mënyrën si i trajtojmë pjesëtarët e familjes. Dashuria do të na shtyjë të interesohemi për ndjenjat e të tjerëve. Burri i mbretëreshës Ester nuk ishte adhurues i Jehovait, por ajo tregoi respekt për të dhe aftësi të madhe dalluese kur i paraqiti çështjet që kishin të bënin me shërbëtorët e Jehovait. (Estera, kap. 3-8) Në disa raste, takti në marrëdhëniet me pjesëtarët e familjes që nuk janë Dëshmitarë mund të kërkojë që t’ua rekomandojmë atyre udhën e së vërtetës me anë të sjelljes sonë dhe jo duke u shpjeguar bindjet tona.—1 Pjet. 3:1, 2.
Në mënyrë të ngjashme, fakti që i njohim mirë pjesëtarët e kongregacionit nuk do të thotë që mund t’u flasim troç ose në mënyrë të pasjellshme. Nuk duhet të arsyetojmë që meqenëse janë të pjekur nuk duhet t’u mbetet qejfi. As nuk duhet të justifikohemi duke thënë: «S’kam ç’të bëj, kështu jam.» Në qoftë se e kuptojmë që mënyra në të cilën shprehemi i fyen të tjerët, duhet të jemi të vendosur që të ndryshojmë. ‘Dashuria jonë e zjarrtë për njëri-tjetrin’ duhet të na shtyjë «të bëjmë atë që është e mirë . . . ndaj atyre që janë të lidhur me ne në besim.»—1 Pjet. 4:8, 15; Gal. 6:10.
Kur i flet një auditori. Edhe ata që flasin nga podiumi duhet të tregojnë takt. Auditori përbëhet nga njerëz me prejardhje dhe rrethana të ndryshme. Ata janë në faza të ndryshme të zhvillimit frymor. Disa mund të jenë në Sallën e Mbretërisë për herë të parë. Të tjerë mund të jenë duke kaluar një periudhë veçanërisht stresuese për të cilën oratori nuk është në dijeni. Çfarë mund ta ndihmojë një orator që të mos fyejë auditorin e tij?
Në harmoni me këshillën e apostullit Pavël drejtuar Titit, vëre si synim që ‘të mos flasësh keq për askënd, . . . të jesh i arsyeshëm, duke treguar tërë butësinë kundrejt të gjithë njerëzve’. (Titit 3:2) Mos imito botën që përdor terma për të ulur njerëzit e një race, grupi gjuhësor ose kombësie tjetër. (Zbul. 7:9, 10) Fol hapur për kërkesat e Jehovait dhe trego pse është e mençur të zbatohen ato, por mos bëj komente përçmuese për ata që nuk janë ende duke ecur plotësisht në udhën e Jehovait. Përkundrazi, nxiti të gjithë që të dallojnë se cili është vullneti i Perëndisë dhe të bëjnë atë që i pëlqen atij. Plotësoji këshillat me lavdërime të ngrohta dhe të sinqerta. Me mënyrën se si flet dhe me tonin e zërit, pasqyro përzemërsinë vëllazërore që duhet të kemi të gjithë për njëri-tjetrin.—1 Sel. 4:1-12; 1 Pjet. 3:8.