KAPITULLI 12
‘Fjalë të mira, që ndërtojnë’
«Nga goja juaj të mos dalë asnjë thënie e kalbur, por vetëm fjalë të mira, që të ndërtojnë.»—EFESIANËVE 4:29.
1-3. (a) Ç’dhuratë na ka dhënë Jehovai, e si mund të keqpërdoret? (b) Si duhet ta përdorim dhuratën e të folurit, që të qëndrojmë në dashurinë e Perëndisë?
SI DO të ndihesh nëse i dhuron diçka një njeriut tënd, por ai me dashje e keqpërdor? Ta zëmë se i jep një makinë, por më vonë merr vesh se e ka ngarë pa kujdes dhe ka dëmtuar të tjerë. A nuk do të zhgënjehesh?
2 Aftësinë për të folur kuptueshëm e kemi dhuratë nga Jehovai, prej të cilit vjen «çdo dhuratë e mirë dhe çdo gjë e përsosur». (Jakovi 1:17) Ajo na veçon nga kafshët dhe na jep mundësi t’u përcjellim të tjerëve jo vetëm mendimet, por edhe ndjenjat. Por, ashtu si një makinë, edhe dhurata e të folurit mund të keqpërdoret. Kushedi sa zhgënjehet Jehovai kur njerëzit flasin pa kujdes, duke u shkaktuar të tjerëve dhembje e trishtim!
3 Që të qëndrojmë në dashurinë e Perëndisë, duhet ta përdorim dhuratën e të folurit siç kishte ndër mend Ai që na e dha. Jehovai e ka specifikuar qartë llojin e të folurit që i pëlqen. Në Fjalën e tij thuhet: «Nga goja juaj të mos dalë asnjë thënie e kalbur, por vetëm fjalë të mira, që të ndërtojnë sipas nevojës, që t’u japin diçka të dobishme atyre që i dëgjojnë.» (Efesianëve 4:29) Tani do të shqyrtojmë pse duhet t’i matim fjalët, ç’lloj të foluri duhet të shmangim dhe si të themi fjalë ‘të mira, që ndërtojnë’.
PSE DUHET T’I MATIM FJALËT
4, 5. Si e përshkruajnë disa proverba të Biblës fuqinë e fjalëve?
4 Një arsye kryesore është se fjalët kanë fuqi. Te Proverbat 15:4 thuhet: «Qetësia e gjuhës është pemë jete, ndërsa shtrembërimi i saj do të thotë rrënim i frymës.»a Një gjuhë e ëmbël me fjalë të qeta mund t’i freskojë ata që e dëgjojnë. Në të kundërt, fjalët e shtrembëruara të një gjuhe të mbrapshtë mund t’i bëjnë të tjerët t’i lëshojë zemra. Po, fjalët kanë fuqinë të dëmtojnë ose të shërojnë.—Proverbat 18:21.
5 Një proverb tjetër e përshkruan me gjuhë të gjallë fuqinë e fjalëve: «Ka nga ata që flasin pa u menduar si me goditje shpate, por gjuha e të mençurve është shërim.» (Proverbat 12:18) Fjalët e pamenda që thuhen në nxitim e sipër, mund të shkaktojnë plagë të thella emocionale dhe të prishin lidhjet. A ta ka shpuar ndonjëherë zemrën me fjalë therëse shpata e gjuhës? Nga ana tjetër, i njëjti proverb thotë: «Gjuha e të mençurve është shërim.» Fjalët e menduara mirë, të thëna nga një njeri që shfaq mençurinë hyjnore, mund ta shërojnë një zemër të plagosur dhe të rivendosin lidhje të mira. Të kujtohet ndonjë rast kur ke provuar fuqinë shëruese të fjalëve të dhembshura? (Lexo Proverbat 16:24.) Duke kuptuar se fjalët tona kanë fuqi, me siguri duam ta përdorim të folurit për të shëruar të tjerët, jo për t’i lënduar.
Të folurit të qetë freskon
6. Pse është një luftë e vërtetë të kontrollojmë gjuhën?
6 Sado të përpiqemi, prapë s’do të arrijmë dot ta kontrollojmë njëqind për qind gjuhën. Ja një arsye e dytë pse duhet t’i matim fjalët: për shkak të mëkatit dhe papërsosmërisë jemi të prirur ta përdorim keq gjuhën. Fjalët dalin nga zemra dhe «zemra e njeriut priret nga e keqja». (Zanafilla 8:21; Luka 6:45) Prandaj, është një luftë e vërtetë t’i vëmë fre gjuhës. (Lexo Jakovin 3:2-4.) Edhe pse s’e kontrollojmë dot plotësisht, mund të vazhdojmë të punojmë që ta përdorim gjithnjë e më mirë. Një notar që po noton kundër rrjedhës së ujit, duhet të luftojë vazhdimisht me rrymën. Po njësoj duhet të luftojmë edhe ne me prirjen mëkatare për ta keqpërdorur gjuhën.
7, 8. Deri në ç’masë na konsideron përgjegjës Jehovai për fjalët që themi?
7 Një arsye e tretë pse duhet t’i matim fjalët është se Jehovai na konsideron përgjegjës për ato që themi. Mënyra si flasim nuk ndikon vetëm në marrëdhëniet me njerëzit, por edhe me Jehovain. Te Jakovi 1:26 thuhet: «Nëse dikush pandeh se e adhuron Perëndinë siç duhet, por nuk i vë fre gjuhës, përkundrazi, vazhdon ta mashtrojë zemrën e vet, adhurimi i tij është i kotë.»b Siç e pamë në kapitullin e mëparshëm, të folurit lidhet ngushtë me adhurimin. Në qoftë se nuk i vëmë fre gjuhës, por vjellim fjalë lënduese tërë vrer, gjithë veprat tona të krishtere mund ta humbasin vlerën në sytë e Perëndisë. A nuk të shkund paksa ky mendim?—Jakovi 3:8-10.
8 Është e qartë se ka arsye të forta pse duhet të bëjmë kujdes që të mos e keqpërdorim dhuratën e të folurit. Para se të shqyrtojmë disa lloje të dobishme të të folurit që ndërton, le të shqyrtojmë të folurit që s’duhet të ketë fare vend në jetën e një të krishteri të vërtetë.
TË FOLUR QË RRËNON
9, 10. (a) Ç’lloj gjuhe është bërë pjesë e fjalorit të përditshëm sot në botë? (b) Pse duhet ta flakim tej fjalorin e ndyrë? (Shih edhe shënimin.)
9 Gjuha e ndyrë. Fjalët e pahijshme e të ndyra dhe lloje të tjera të këtij të foluri janë pjesë e fjalorit të përditshëm sot në botë. Shumë veta i përdorin fjalët banale për të rënë në sy ose për të pasuruar fjalorin e varfër që kanë. Shpesh humoristët përdorin fjalë vulgare me ngjyrime seksuale, për t’i bërë njerëzit të qeshin. Por, gjuha e ndyrë nuk është aspak për të qeshur. Rreth 2.000 vjet më parë, nën frymëzim apostulli Pavël e këshilloi kongregacionin kolosian të flakte tej ‘të folurit e ndyrë’. (Kolosianëve 3:8) Pavli i tha kongregacionit efesian se «shakatë e ndyra» janë ndër gjërat që ‘as duhen përmendur’ mes të krishterëve të vërtetë.—Efesianëve 5:3, 4.
10 Fjalori i ndyrë e fyen Jehovain. Fyen edhe ata që e duan Jehovain. Po, dashuria për Të na nxit të mos nxjerrim nga goja asnjë fjalë të ndyrë. Kur po rendiste «veprat e mishit», Pavli përmendi ‘ndyrësinë’, që përfshin edhe të folurit e papastër. (Galatasve 5:19-21) Çështja është serioze. Një njeri mund të përjashtohet nga kongregacioni në qoftë se pa u penduar e bën rrugë përdorimin e fjalëve imorale, degraduese dhe korruptuese, pavarësisht nga këshillat e përsëritura.c
11, 12. (a) Ç’janë thashethemet dhe si mund të kthehen në thashetheme të dëmshme? (b) Pse adhuruesit e Jehovait duhet të shmangin të folurin shpifës?
11 Thashethemet e dëmshme, shpifjet. Të bësh thashetheme do të thotë të flasësh për të tjerët e për jetën e tyre. A është gjithnjë e gabuar kjo? Jo, nëse biseda bëhet me motive të mira, për të shkëmbyer lajme pozitive e të dobishme, si për shembull kush u pagëzua ose kush ka nevojë për një fjalë inkurajuese. Të krishterët e shekullit të parë merakoseshin shumë për mirëqenien e njëri-tjetrit dhe këmbenin informacione të përshtatshme rreth bashkëbesimtarëve. (Efesianëve 6:21, 22; Kolosianëve 4:8, 9) Por thashethemet mund të kthehen në thashetheme të dëmshme nëse shtrembërojmë faktet a nëse zbulojmë çështje private të të tjerëve. Ç’është më e keqja, kjo mund të çojë në shpifje, të cilat janë gjithnjë të dëmshme. Të shpifësh do të thotë «të thuash akuza të rreme . . . që i nxjerrin nam të keq ose i prishin reputacionin dikujt». Për shembull, farisenjtë përdorën shpifje dashaliga që t’i njollosnin emrin Jezuit. (Mateu 9:32-34; 12:22-24) Jo rrallë shpifjet ndezin grindje.—Proverbat 26:20.
12 Jehovai nuk e kalon lehtë kur dikush e përdor dhuratën e të folurit që t’i nxjerrë nam të keq një tjetri ose të shkaktojë përçarje. Ai i urren ata që «mbjellin grindje mes vëllezërve». (Proverbat 6:16-19) Fjala greke e përkthyer «shpifës» është diàbolos, që përdoret edhe si titull për Satanain. Ai quhet «Djall» sepse është shpifës i lig, ngaqë shpif për Perëndinë. (Zbulesa 12:9, 10) Sigurisht, nuk duam kurrsesi të flasim në një mënyrë që do të na kthente, si të thuash, në një djall. Në kongregacion s’ka vend për një të folur shpifës, që sjell vepra të mishit si «grindjet» dhe «përçarjet». (Galatasve 5:19-21) Prandaj, para se ta përsëritësh një lajm për dikë, pyet veten: ‘A është i vërtetë? A do të ishte në të mirën e tjetrit ta përhapja këtë lajm? A është e nevojshme ose e mençur t’ua jap të tjerëve këtë informacion?’—Lexo 1 Selanikasve 4:11.
13, 14. (a) Ç’ndikim kanë sharjet tek ata që i dëgjojnë? (b) Pse rrezikon ai që e bën zakon të shajë ose të fyejë të tjerët?
13 Sharjet. Siç kemi thënë më lart, fjalët kanë fuqi të lëndojnë. Natyrisht, për faj të papërsosmërisë, nganjëherë të gjithë themi gjëra për të cilat pastaj bëhemi pishman. Sidoqoftë Bibla paralajmëron për një lloj të foluri që s’duhet të dëgjohet fare në një shtëpi të krishterë ose në kongregacion. Pavli i këshilloi të krishterët: «Hiqni çdo vrer shpirtlig, zemërim, furi, të bërtitur dhe sharje.» (Efesianëve 4:31) Në disa përkthime të tjera, fjala «sharje» është përkthyer «fjalë të liga», «të folur i dëmshëm» dhe «të folur fyes». Sharjet, ndër të cilat janë edhe nofkat fyese dhe kritikat e vazhdueshme e të ashpra, i ulin dinjitetin të tjerëve dhe i bëjnë të ndihen të pavlerë. Pasojat dërrmuese të sharjeve rëndojnë veçanërisht mbi zemrën e njomë të fëmijëve, që kanë besim te të rriturit.—Kolosianëve 3:21.
14 Bibla e dënon me fjalë shumë të forta vesin e sharjes ose fyerjes së të tjerëve. Një njeri të cilit i bëhet ves të flasë kështu, rrezikon goxha, sepse mund të përjashtohet nga kongregacioni nëse nuk reagon ndaj përpjekjeve të njëpasnjëshme për ta ndihmuar. Madje, po të mos ndryshojë rrugë, mund të humbë edhe bekimet e Mbretërisë. (1 Korintasve 5:11-13; 6:9, 10) Është e qartë se nuk mund të qëndrojmë në dashurinë e Perëndisë, nëse e bëjmë zakon të themi fjalë të padobishme, të pavërteta e keqdashëse. Ky lloj të foluri rrënon.
FJALË ‘TË MIRA, QË NDËRTOJNË’
15. Ç’lloj të foluri është ‘i mirë, që ndërton’?
15 Si ta përdorim dhuratën e të folurit siç e kishte ndër mend Ai që na e dha? Kujto se Bibla na nxit të themi fjalë «të mira, që të ndërtojnë». (Efesianëve 4:29) Jehovai kënaqet kur themi fjalë që ndërtojnë, inkurajojnë dhe forcojnë të tjerët. Kjo kërkon të mendojmë mirë para se të flasim. Në Bibël nuk ka ndonjë formulë që duhet të ndjekim dhe as ndonjë listë për ‘të folurit e shëndoshë’ që është i pranueshëm. (Titit 2:8) Për të thënë fjalë «të mira, që të ndërtojnë», duhet të mbajmë parasysh tri veçori të thjeshta, por të rëndësishme të këtij lloj të foluri: është i dobishëm, i vërtetë dhe i mirëdashës. Duke pasur në mend këto veçori, le të shqyrtojmë disa shembuj specifikë të të folurit që ndërton.—Shih kutinë «A i ndërtoj të tjerët me fjalët e mia?».
16, 17. (a) Pse duhet t’i lavdërojmë të tjerët? (b) Ç’raste kemi për t’i lavdëruar të tjerët në kongregacion? Po në familje?
16 Lavdërimet e sinqerta. Jehovai dhe Jezui e kuptojnë nevojën për të dhënë lavdërime e për të thënë fjalë miratimi. (Mateu 3:17; 25:19-23; Gjoni 1:47) Edhe ne si të krishterë duhet t’i lavdërojmë sinqerisht të tjerët. Përse? «Një fjalë në kohën e duhur, oh, sa e mirë është!»—thuhet te Proverbat 15:23. Mjafton të pyesësh veten: ‘Si ndihem kur më lavdërojnë sinqerisht? A nuk më ngrohet zemra dhe a nuk çelem?’ Po, një lavdërim i sinqertë të lë të kuptosh se dikush të vë re, se dikush interesohet për ty dhe se ajo që bëre, ia vlejti. Këto fjalë të ëmbla të bëjnë të ndihesh më i sigurt e të motivojnë të punosh edhe më fort në të ardhmen. Nëse të pëlqen të marrësh lavdërime, a s’duhet të bësh çmos edhe ti t’u japësh lavdërime të tjerëve?—Lexo Mateun 7:12.
17 Mësohu të shohësh gjërat e mira te të tjerët e pastaj lavdëroji. Në kongregacion, mund të dëgjosh një fjalim të bukur, të vëresh një të ri që po vë synime frymore ose të shohësh një të moshuar që ndjek me besnikëri mbledhjet, pavarësisht nga kufizimet e pleqërisë. Një lavdërim i sinqertë mund t’u prekë zemrën atyre dhe t’u forcojë besimin. Në familje, burri dhe gruaja kanë nevojë të dëgjojnë nga njëri-tjetri fjalë të përzemërta lavdërimi e vlerësimi. (Proverbat 31:10, 28) Sidomos fëmijët ndihen mirë kur dikush e vëren ç’po bëjnë dhe i vlerëson. Për një fëmijë, lavdërimi dhe miratimi janë si dielli dhe uji për një bimë. Prandaj ju prindër kërkoni raste që t’i lavdëroni për cilësitë dhe përpjekjet e mira. Këto lavdërime mund t’u japin siguri e guxim dhe t’i motivojnë të përpiqen edhe më shumë të veprojnë drejt.
18, 19. Pse duhet të bëjmë çmos t’i ngushëllojmë e t’i inkurajojmë bashkëbesimtarët, e si ta arrijmë këtë?
18 Fjalët ngushëlluese dhe inkurajuese. Jehovai interesohet thellësisht për ‘të përvuajturit’ e për ‘të dërrmuarit’. (Isaia 57:15) Fjala e tij na nxit të vazhdojmë të inkurajojmë ose ‘të ngushëllojmë njëri-tjetrin’ dhe ‘t’u flasim në mënyrë ngushëlluese shpirtrave të dëshpëruar’. (1 Selanikasve 5:11, 14) Të jemi të sigurt se Perëndia i sheh dhe i vlerëson përpjekjet tona për të inkurajuar e ngushëlluar bashkëbesimtarët që e kanë zemrën të rënduar nga trishtimi.
19 Por me cilat fjalë mund t’i japim zemër një të krishteri të shkurajuar a të dëshpëruar? Mos mendo se duhet të gjesh patjetër një zgjidhje për problemin që ka. Në shumë raste, fjalët e thjeshta ndihmojnë më tepër. Binde zemërlëshuarin se interesohesh dhe shqetësohesh për të. Sugjeroji të lutesh me zë bashkë me të. Mund t’i kërkosh Jehovait ta ndihmojë që të kuptojë sa shumë e do Ai dhe të tjerët. (Jakovi 5:14, 15) Siguroje se kongregacioni ka nevojë për të dhe e vlerëson si pjesëtar të tij. (1 Korintasve 12:12-26) Lexoji ndonjë varg biblik inkurajues për ta siguruar se Jehovai interesohet për të personalisht. (Psalmi 34:18; Mateu 10:29-31) Kur gjen kohë të mjaftueshme për t’i thënë ‘fjalë të mira’ të shkurajuarit e kur i flet nga zemra, patjetër ai do të ndiejë se e duan dhe e vlerësojnë.—Lexo Proverbat 12:25.
20, 21. Cilët faktorë i bëjnë të efektshme këshillat?
20 Këshillat e efektshme. Si krijesa të papërsosura, të gjithë kemi nevojë për këshilla herë pas here. Bibla na nxit: «Dëgjo këshillën dhe prano disiplinën, që të bëhesh i mençur në të ardhmen.» (Proverbat 19:20) Këshillat nuk jepen vetëm nga pleqtë. Prindërit i këshillojnë fëmijët. (Efesianëve 6:4) Mund të lindë nevoja që motrat e pjekura të këshillojnë më të rejat. (Titit 2:3-5) Dashuria për të tjerët na nxit të japim këshilla që ata mund t’i pranojnë pa u rënduar. Ç’do të na ndihmojë të japim këshilla të tilla? Shqyrto tre faktorë që i bëjnë më të efektshme këshillat: qëndrimi dhe motivi i këshilluesit, baza për to dhe mënyra si jepen.
21 Këshillat e efektshme nisin që me këshilluesin. Pyet veten: ‘Kur e kam të lehtë t’i pranoj këshillat?’ Ato pranohen më kollaj kur e di se tjetri interesohet për ty, nuk po të shfryn dufin dhe nuk ka motive të fshehta. Prandaj, kur këshillon të tjerët, a nuk duhet të kesh edhe ti të njëjtin qëndrim e motiv? Veç kësaj, këshillat e suksesshme bazohen në Fjalën e Perëndisë. (2 Timoteut 3:16) Pavarësisht nëse citojmë drejtpërdrejt nga Bibla ose jo, duhet të kemi një bazë biblike për çdo këshillë që japim. Kështu, pleqtë ruhen që të mos u imponojnë të tjerëve pikëpamjet e tyre. As i shtrembërojnë Shkrimet duke bërë të duket sikur Bibla mbështet ndonjë pikëpamje personale. Veç kësaj, këshillat janë më të efektshme kur jepen në mënyrën e duhur. Këshillat e lezetuara me fjalë të ëmbla pranohen më kollaj dhe nuk i prekin dinjitetin atij që i merr.—Kolosianëve 4:6.
22. Si ke vendosur ta përdorësh dhuratën e të folurit?
22 S’diskutohet se të folurit është një dhuratë e çmuar nga Perëndia. Dashuria për të duhet të na shtyjë ta përdorim siç duhet këtë dhuratë, jo ta keqpërdorim. Të mos harrojmë se fjalët që u themi të tjerëve, kanë fuqinë të ndërtojnë ose të rrënojnë. Prandaj, le të përpiqemi ta përdorim këtë dhuratë siç kishte ndër mend Ai që na e dha: «për të ndërtuar». Në këtë mënyrë, të folurit tonë do të jetë inkurajues e freskues për ata që kemi përreth e do të na ndihmojë të qëndrojmë në dashurinë e Perëndisë.
a Fjala hebraike e përkthyer ‘shtrembërim’ te Proverbat 15:4 mund të përkthehet edhe «dredhi, mbrapshti».
b Fjala greke e përkthyer «i kotë» ka edhe kuptimin «i pavlerë» dhe «i pafryt».
c Në Shkrime termi «ndyrësi» ka shtrirje të madhe e mund të përfshijë një gamë të gjerë mëkatesh. Edhe pse jo çdo ndyrësi përligj një veprim gjyqësor, dikush mund të përjashtohet nga kongregacioni në qoftë se pa u penduar praktikon ndyrësinë e rëndë.—2 Korintasve 12:21; Efesianëve 4:19; shih «Pyetje nga lexuesit» në Kullën e Rojës, 15 korrik 2006.