«Të kesh frikë nga Jehovai, kjo është mençuri»
«PËRFUNDIMI i çështjes, pasi është dëgjuar çdo gjë, është: frikësoju Perëndisë së vërtetë dhe përmbushi urdhërimet e tij. Sepse ky është tërë detyrimi i njeriut.» (Eklisiastiu 12:13, BR) Sa i thellë ishte përfundimi që nxori mbreti Solomon i Izraelit të lashtë, nën frymëzimin hyjnor! Edhe patriarku Job e kuptonte se sa vlerë kishte frika ndaj Perëndisë, pasi tha: «Ja, të kesh frikë nga Jehovai, kjo është mençuri, dhe t’i largohesh së keqes, është kuptueshmëri.»—Jobi 28:28, BR.
Bibla i kushton mjaft rëndësi frikës ndaj Jehovait. Pse është e mençur të kemi frikë përnderuese ndaj Jehovait? Si nxjerrim dobi nga frika hyjnore, individualisht dhe si një grup adhuruesish të vërtetë? Përgjigjen e këtyre pyetjeve e gjejmë te vargjet 26 deri 35 të kapitullit të 14-të të Proverbave.a
Burim i ‘një sigurie të madhe’
«Kush ka frikë nga Jehovai, ka një siguri të madhe,—thotë Solomoni,—dhe bijtë e tij do të kenë një vendstrehim.» (Proverbat 14:26, BR) Burimi i besimit për dikë me frikë Perëndie nuk është askush tjetër veçse Perëndia besnik dhe i plotfuqishëm, Jehovai. Ja pse ai e përballon me siguri të madhe gjithçka që has. E ardhmja e tij është e gjatë dhe plot bekime.
Por, çfarë mund të themi për të ardhmen e atyre që e kërkojnë sigurinë te bota: te planet, organizatat, ideologjitë dhe te komoditetet e saj? Pavarësisht se ç’të ardhme shpresojnë të kenë, ajo është e shkurtër, pasi Bibla thotë: «Bota po kalon, e po kështu edhe dëshirat e saj, kurse ai që bën vullnetin e Perëndisë, mbetet përgjithmonë.» (1 Gjonit 2:17) Po atëherë, a kemi arsye ‘për ta dashur botën ose gjërat që janë në botë’?—1 Gjonit 2:15.
Çfarë masash mund të marrin prindërit me frikë Perëndie për t’u siguruar që fëmijët e tyre «të kenë një vendstrehim»? «Ejani, bijtë e mi, e më dëgjoni!—këndoi psalmisti.—Unë do t’ju mësoj të keni frikë nga Jehovai.» (Psalmi 34:11, BR) Kur prindërit, me anë të shembullit të tyre dhe me anë të këshillave, i mësojnë fëmijët të kenë frikë nga Perëndia, ka shumë mundësi që këta, kur të rriten, të bëhen burra e gra që gjejnë siguri të madhe te Jehovai.—Proverbat 22:6.
«Frika nga Jehovai është burim jete,—vazhdon Solomoni,—që të largon nga kurthet e vdekjes.» (Proverbat 14:27, BR) Frika e Jehovait është «burim jete», sepse Perëndia i vërtetë është ‘burimi i ujit jetëdhënës’. (Jeremia 2:13, BR) Marrja e njohurisë për Jehovain dhe për Jezu Krishtin do të thotë jetë e përhershme për ne. (Gjoni 17:3) Frika nga Perëndia na largon gjithashtu nga kurthet e vdekjes. Si? Te Proverbat 13:14, BR, thuhet: «Ligji i të mençurit është burim jete, për ta larguar njeriun nga kurthet e vdekjes.» Kur kemi frikë nga Jehovai, i bindemi ligjit të tij dhe lejojmë që Fjala e tij të drejtojë hapat tanë, a nuk jemi të mbrojtur nga veprimet dhe emocionet e dëmshme që çojnë në vdekje të parakohshme?
«Stolisja e mbretit»
Gjatë pjesës më të madhe të mbretërimit, Solomoni ishte një mbret me frikë Perëndie, që i bindej atij. Kjo bëri që sundimi i tij të ishte i suksesshëm. Nga çfarë përcaktohet se sa mirë sundon një mbret? Proverbat 14:28, BR, jep përgjigjen: «Në numrin e madh të njerëzve qëndron stolisja e mbretit, por në mungesën e popullsisë qëndron rrënimi i princit.» Suksesi i një mbreti përcaktohet nga mirëqenia e nënshtetasve të tij. Nëse një numër i madh njerëzish dëshiron të mbetet nën sundimin e tij, kjo do të thotë që është një sundimtar i mirë. Solomoni kishte «nënshtetas nga deti [i Kuq] në detin [Mesdhe], dhe nga Lumi [Eufrat] deri në skajet e tokës». (Psalmi 72:6-8, BR) Sundimi i tij karakterizohej nga një paqe dhe begati e paparë. (1 Mbretërve 4:24, 25) Mbretërimi i Solomonit ishte i suksesshëm. Nga ana tjetër, mungesa e miratimit nga populli do të thotë çnderim për një pushtetar.
Çfarë mund të thuhet në këtë drejtim për lavdinë e Solomonit më të Madh, Mbretit Mesianik, Jezu Krishtit? Mendoni për nënshtetasit që ai ka, madje që sot. Nga njëri cep i tokës në tjetrin, më shumë se gjashtë milionë burra e gra me frikë Perëndie kanë zgjedhur tashmë të jetojnë nën sundimin e Krishtit. Ata tregojnë besim te Jezui dhe janë të bashkuar në adhurimin e vërtetë të Perëndisë së gjallë. (Gjoni 14:1) Në fund të Mbretërimit Mijëvjeçar, të gjithë ata që janë në kujtesën e Perëndisë, do të jenë ringjallur. Në atë kohë, toka parajsore do të jetë e mbushur plot me njerëz të lumtur dhe të drejtë, të cilët kanë shfaqur çmueshmëri për Mbretin e tyre. Çfarë dëshmie do të jetë kjo për suksesin e sundimit të Krishtit! Le të kapemi fort pas shpresës sonë të mrekullueshme të Mbretërisë!
Dobi frymore dhe fizike
Frika përnderuese ndaj Perëndisë na jep paqe në zemër dhe një mendje të qetë. Kjo ndodh sepse, ndër aspektet e saj të shumta, mençuria përfshin edhe gjykimin e shëndoshë dhe aftësinë dalluese. Te Proverbat 14:29, BR, thuhet: «Kush nuk zemërohet shpejt, është plot aftësi dalluese, por kush është i paduruar, lartëson marrëzinë.» Aftësia dalluese na ndihmon të kuptojmë që zemërimi i pakontrolluar ndikon për keq në gjendjen tonë frymore. «Armiqësitë, konflikti, xhelozia, shpërthimet e zemërimit, grindjet» renditen ndër ato që mund të na pengojnë ‘të trashëgojmë mbretërinë e Perëndisë’. (Galatasve 5:19-21) Bibla na këshillon të mos ushqejmë e të mos mbajmë përbrenda zemërim, as kur jemi të justifikuar. (Efesianëve 4:26, 27) Përveç kësaj, padurimi mund të na shtyjë të flasim pa i peshuar fjalët dhe të bëjmë veprime të pamenda, për të cilat më pas do të pendohemi.
Duke nxjerrë në pah ndikimet e këqija që ka zemërimi në gjendjen tonë fizike, mbreti i Izraelit thotë: «Zemra e qetë është jetë për trupin, kurse xhelozia është kalbësirë për kockat.» (Proverbat 14:30, BR) Sëmundjet që vijnë nga zemërimi dhe tërbimi, përfshijnë çrregullime në frymëmarrje, rritje të tensionit, probleme në mëlçi dhe dëmtime në pankreas. Mjekët i renditin zemërimin dhe tërbimin ndër faktorët që keqësojnë ose madje shkaktojnë sëmundje të tilla, si: ulcera, urtikarja, astma, sëmundjet e lëkurës dhe probleme në tretjen e ushqimit. Por, «zemra që është në paqe, i jep jetë trupit». (Proverbat 14:30, New International Version) Prandaj, është e mençur nga ana jonë «të ndjekim ato gjëra që i hapin rrugë paqes dhe që ndërtojnë njëri-tjetrin».—Romakëve 14:19.
Frika nga Perëndia na ndihmon të jemi të paanshëm
«Kush ia ha hakun të përvuajturit, poshtëron Bërësin e tij,—thotë Solomoni,—por kush i jep hir të varfrit, i jep Atij lavdi.» (Proverbat 14:31, BR) Njeriu me frikë Perëndie e kupton se të gjithë njerëzit i ka krijuar i njëjti Bërës, Perëndia Jehova. Pra, i përvuajturi është si gjithë të tjerët, dhe, mënyra se si e trajtojmë atë, ndikon te Krijuesi i njerëzimit. Nëse duam t’i japim lavdi Perëndisë, duhet t’i trajtojmë me drejtësi dhe paanësi të tjerët. Të krishterëve që nuk janë në gjendje të mirë ekonomike, duhet t’u kushtojmë vëmendje nga ana frymore, me paanshmëri. Duhet t’ua çojmë lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë, si të varfërve, ashtu edhe të pasurve.
Duke folur për një dobi tjetër që vjen nga frika ndaj Perëndisë, mbreti i mençur thotë: «I ligu do të rrokulliset teposhtë nga e keqja e vet, kurse i drejti do të gjejë strehë në integritetin e tij.» (Proverbat 14:32; BR) Si rrokulliset teposhtë i ligu? Disa studiues të Biblës sugjerojnë se kjo do të thotë që ai nuk ka kurrfarë mundësie për ta marrë veten pasi kalon një fatkeqësi. Nga ana tjetër, kur i bie një fatkeqësi, njeriu me frikë Perëndie gjen strehë tek integriteti i tij ndaj Perëndisë. Duke pasur besim të plotë te Jehovai, edhe përballë vdekjes, ai shfaq të njëjtën vendosmëri si Jobi, i cili tha: «Nga integriteti im nuk do të heq dorë gjersa të vdes.»—Jobi 27:5, BR.
Që të ruajmë integritetin, nevojitet të kemi frikë hyjnore dhe mençuri. Po ku mund të gjendet mençuria? «Në zemrën e atij që ka kuptueshmëri prehet mençuria, dhe mes budallenjve ajo bëhet e njohur»,—thuhet te Proverbat 14:33, BR. Po, mençuria gjendet në zemrën e atij që ka kuptueshmëri. Por, në çfarë kuptimi bëhet e njohur mençuria në mes të budallenjve? Sipas një vepre referimi, «budallai, duke bërë çmos që të duket i mençur, nxjerr nga goja fjalë që mendon se janë të mençura, por në fund del se janë budallallëqe».
«Lartëson një komb»
Duke kaluar tani nga ndikimi që ka frika ndaj Perëndisë te një individ, te ndikimi që ka te një komb i tërë, mbreti i Izraelit thotë: «Drejtësia e lartëson një komb, kurse mëkati është gjë e turpshme për kombet.» (Proverbat 14:34, BR) Sa mirë doli në pah ky parim në rastin e kombit të Izraelit! Kur zbatonte normat e larta të Perëndisë, Izraeli qëndronte më lart se kombet përreth tij. Por, mosbindja në mënyrë të përsëritur solli çnderim për Izraelin dhe, në fund, braktisjen nga ana e Jehovait. Ky parim zbatohet edhe në rastin e popullit të Perëndisë sot. Kongregacioni i krishterë është ndryshe nga bota, sepse zbaton parimet e drejta të Perëndisë. Por, për të mbajtur këtë pozitë të lartë, duhet që secili prej nesh të bëjë një jetë të pastër. Nëse praktikojmë mëkatin, çnderojmë veten dhe i sjellim sharje kongregacionit e Perëndisë.
Duke folur për atë që i sjell kënaqësi një mbreti, Solomoni thotë: «Mbreti kënaqet me atë shërbëtor që vepron me gjykim të thellë, por furia e tij bie mbi atë që vepron në mënyrë të turpshme.» (Proverbat 14:35, BR) Ndërsa te Proverbat 16:13, BR, thuhet: «Buzët e drejtësisë janë kënaqësi për një mbret të madhërishëm; ai e do atë që thotë gjëra të drejta.» Po, Udhëheqësi dhe Mbreti ynë, Jezu Krishti, kënaqet kur ne veprojmë me drejtësi e me mençuri, dhe kur i përdorim buzët në veprën e predikimit të Mbretërisë dhe të bërjes së dishepujve. Atëherë, le të vazhdojmë me zell në këtë vepër, ndërsa gëzojmë bekimet që vijnë kur i frikësohemi Perëndisë së vërtetë!
[Shënimi]
a Për shqyrtimin e Proverbave 14:1-25, shih Kullën e Rojës, 15 nëntor 2004, faqet 26-29 dhe 15 korrik 2005, faqet 17-20.
[Figura në faqen 15]
Frika ndaj Perëndisë mund të mësohet