ARTIKULLI I STUDIMIT 3
KËNGA 124 Përherë besnik
Jehovai do të të ndihmojë në kohë të vështira
«[Jehovai] i jep siguri jetës sate.»—ISA. 33:6.
FOKUSI I ARTIKULLIT
Të shohim çfarë mund të bëjmë që të nxjerrim dobi nga ndihma e Jehovait në kohë të vështira.
1-2. Çfarë vështirësish mund të hasin shërbëtorët besnikë të Jehovait?
NJË ngjarje tragjike mund të na e ndryshojë jetën sa hap e mbyll sytë. Për shembull, Luisi,a një vëlla besnik, u diagnostikua me një formë të rrallë kanceri. Mjeku i tha se i mbeteshin vetëm pak muaj jetë. Monika dhe i shoqi ishin goxha të zënë me aktivitete teokratike. Kur një ditë, ajo mori vesh se bashkëshorti, që ishte plak kongregacioni, bënte prej vitesh një jetë të dyfishtë. Olivias, një motre beqare, iu desh të largohej nga shtëpia ngaqë po afrohej një uragan shkatërrimtar. Kur u kthye, pa se stuhia ia kishte rrafshuar shtëpinë. U desh vetëm një çast që jeta e këtyre vëllezërve dhe motrave të ndryshonte kryekëput. A të ka ndodhur edhe ty diçka që befas ta ktheu botën përmbys?
2 Si shërbëtorë besnikë të Jehovait, luftojmë me probleme e sëmundje si gjithë njerëzit. Veç kësaj, ndoshta përballemi me kundërshtime ose përndjekje nga ata që e urrejnë popullin e Perëndisë. Vërtet, Jehovai nuk na mbron nga vështirësi të tilla, ama na premton se do të na ndihmojë. (Isa. 41:10) Me ndihmën e tij mund të ruajmë gëzimin, të marrim vendime të mençura dhe të qëndrojmë besnikë edhe në situatat më të rënda. Në këtë artikull do të shqyrtojmë katër mënyra si na ndihmon Jehovai në ditët e errëta të jetës sonë. Do të shohim edhe çfarë duhet të bëjmë që të nxjerrim dobi nga ndihma e tij.
JEHOVAI DO TË TË RUAJË
3. Çfarë mund të kemi të vështirë të bëjmë kur na ndodh një ngjarje tragjike?
3 Sfida. Kur na ndodh një ngjarje tragjike, mund ta kemi të vështirë të mendojmë me kthjelltësi e të marrim vendime. Pse? Sepse zemrën mund ta kemi copë nga dhimbja. E mendjen mund ta kemi të turbullt, ngaqë po na mbyt ankthi. Mbase na duket sikur po endemi në një mjegull, të pasigurt se çfarë rruge të marrim. Të shohim si u ndien dy motrat e përmendura më sipër gjatë sprovave që kaluan. Olivia thotë: «Pasi ma shkatërroi shtëpinë uragani, u ndjeva krejt e humbur dhe e dërrmuar.» Monika thotë për tradhtinë e të shoqit: «Nuk ndihesha thjesht e zhgënjyer. Ndihesha sikur më kishin ngulur një thikë në zemër. Mezi arrija të bëja gjërat normale të ditës. Kishte ndodhur ajo që s’do të ma merrte mendja kurrë!» Si premton të na ndihmojë Jehovai kur ndihemi të dërrmuar?
4. Sipas Filipianëve 4:6, 7, çfarë na premton Jehovai?
4 Çfarë bën Jehovai. Ai premton të na japë atë që Bibla e quan «paqja e Perëndisë». (Lexo Filipianëve 4:6, 7.) Kjo paqe është një qetësi në mendje e në zemër që buron nga marrëdhënia e çmuar me Jehovain. Ajo «tejkalon çdo mendim»; është më e mrekullueshme nga ç’mund të imagjinojmë. A të ka ndodhur që pasi iu lute me zjarr Jehovait, ndjeve një paqe aq të thellë sa u habite edhe vetë? Kjo është «paqja e Perëndisë».
5. Si na e ruan mendjen dhe zemrën paqja e Perëndisë?
5 Këto vargje thonë edhe se paqja e Perëndisë ‘do të të ruajë zemrën dhe mendjen’. Në gjuhën origjinale, fjala e përkthyer «ruaj» ishte një term ushtarak dhe përdorej për ushtarët që mbronin një qytet nga sulmet. Banorët e atij qyteti flinin të qetë, ngaqë e dinin se rojat po vigjilonin te portat. Po njësoj, kur paqja e Perëndisë na mbron mendjen dhe zemrën, ndihemi të qetë, ngaqë e dimë se jemi të sigurt. (Psal. 4:8) Ashtu si Hana, edhe sikur situata jonë të mos ndryshojë menjëherë, prapëseprapë mund të ndiejmë paqe. (1 Sam. 1:16-18) E kur ndihemi të qetë, shpesh e kemi më të lehtë të mendojmë me kthjelltësi dhe të marrim vendime të mençura.
6. Ç’mund të bëjmë që të kemi paqen e Perëndisë? (Shihni edhe figurën.)
6 Çfarë duhet të bëjmë ne. Kur je në ankth, mund të thërrasësh «rojën». Si? Duke u lutur derisa të provosh paqen e Perëndisë. (Luka 11:9; 1 Sel. 5:17) Luisi, që u përmend më sipër, tregoi si ia dolën ai dhe e shoqja, Ana, pasi morën vesh se i mbeteshin vetëm pak muaj jetë. Ai tha: «Në një situatë të tillë është tepër e vështirë të marrësh vendime për shëndetin dhe për gjëra të tjera. Por lutjet kanë qenë jetësore që të kemi paqe gjatë kësaj periudhe stresuese.» Luisi dhe Ana thanë se luteshin me zjarr e pareshtur dhe i kërkonin Jehovait që të kishin paqe mendore, një zemër të qetë e mençuri që të merrnin vendime të mira. Dhe e ndienin dorën e tij. Nëse po kalon kohë të vështira, ngulmo në lutje e do të provosh si do të ta ruajë zemrën dhe mendjen paqja e Jehovait.—Rom. 12:12.
JEHOVAI DO TË TË JAPË EKUILIBËR
7. Si mund të ndihemi kur kalojmë një sprovë të rëndë?
7 Sfida. Kur kalojmë një sprovë të rëndë, ndjenjat, mendimet dhe reagimet tona mund të mos jenë aq të ekuilibruara sa normalisht. Mund të ndihemi sikur një dallgë po na përplas nga një ndjenjë negative te tjetra. Ana, e përmendur më sipër, tha se pas vdekjes së Luisit provonte lloj-lloj ndjenjash. Ajo u shpreh: «Kur më mbërthente një ndjenjë zbrazëtie, fillonte të më vinte gjynah për veten. Ndihesha edhe e zemëruar që ai nuk ishte më.» Veç kësaj, Ana ndihej e vetmuar dhe e acaruar, sepse i duhej të merrte vendime për gjëra që Luisi i bënte aq mirë. Nganjëherë i dukej sikur gjendej mes një stuhie në det. Si na ndihmon Jehovai kur fillojnë të na mbysin ndjenja të tilla?
8. Sipas Isaisë 33:6, çfarë na premton Jehovai?
8 Çfarë bën Jehovai. Në Shkrime, Jehovai na premton se do të na japë «siguri»; fjala e gjuhës origjinale ka edhe kuptimin «stabilitet». (Lexo Isainë 33:6.) Kur është mes një stuhie, një anije mund të fillojë të lëkundet sa andej-këtej, e kjo është e rrezikshme. Për të ruajtur ekuilibrin, shumë anije kanë në të dyja anët një lloj stabilizatori nën ujë. Ata mund të ndihmojnë që anija të mos lëkundet aq shumë, e kështu udhëtimi bëhet më i sigurt dhe më i rehatshëm për pasagjerët. Megjithatë, shumë stabilizatorë funksionojnë më mirë kur anija vazhdon të ecë para. Po njësoj, Jehovai na jep stabilitet ndërsa vazhdojmë t’i shërbejmë besnikërisht mes sprovave.
9. Si mund të na ndihmojnë mjetet e kërkimit që të ruajmë ekuilibrin? (Shihni edhe figurën.)
9 Çfarë duhet të bëjmë ne. Kur je në mes të një stuhie emocionale, përpiqu fort të mos e ndërpresësh programin tënd teokratik. Natyrisht, mbase nuk arrin të bësh aq sa më parë, por mos harro se Jehovai është i arsyeshëm. (Krahaso Lukën 21:1-4.) Në programin tënd teokratik lër kohë për studimin personal dhe për meditimin. Pse? Sepse nëpërmjet organizatës së tij, Jehovai ka siguruar materiale të shkëlqyera nga Shkrimet që na ndihmojnë të ruajmë ekuilibrin. Për të gjetur ç’të nevojitet, mund të përdorësh mjetet e kërkimit që ke në gjuhën tënde, si aplikacioni JW Library®, Treguesi i botimeve Watch Tower dhe Mjet kërkimesh për Dëshmitarët e Jehovait. Monika, e përmendur më sipër, tha se i përdorte mjetet e kërkimit sapo ndiente përbrenda një stuhi ndjenjash negative. Për shembull, bënte kërkime duke shkruar fjalën «zemërim». Në raste të tjera kërkonte me fjalët «tradhti» ose «besnikëri». Pastaj lexonte derisa ndihej më mirë. Ajo tha: «E filloja duke shkruar gjithë ankth në tastierë, por në fund ndieja përqafimin e dashur të Jehovait. Ndërsa lexoja, ndieja se Jehovai i kuptonte të gjitha ndjenjat e mia dhe po më ndihmonte.» Një mbështetje e tillë nga Jehovai mund të të ndihmojë edhe ty të mbash ekuilibrin derisa të mbërrish në ujëra më të qeta.—Psal. 119:143, 144.
JEHOVAI DO TË TË MBËSHTETË
10. Si mund të ndihemi pas një ngjarjeje traumatike?
10 Sfida. Pas një ngjarjeje traumatike mund të ketë ditë që ndihemi të sfilitur fizikisht dhe emocionalisht. Mund të ndihemi si një atlet i dëmtuar që dikur vraponte shpejt, kurse tani ecën duke çaluar. Ndoshta mezi arrijmë të bëjmë gjëra që më parë i bënim kollaj a mbase nuk kemi pikë dëshire të marrim pjesë në aktivitete që më parë i kishim qejf. Ashtu si Elija, mund ta kemi tepër të vështirë të ngrihemi, duam vetëm të flemë. (1 Mbret. 19:5-7) Çfarë premton Jehovai se do të bëjë kur të ndihemi të dobët?
11. Cila është një mënyrë tjetër si na ndihmon Jehovai? (Psalmi 94:18)
11 Çfarë bën Jehovai. Ai premton se ‘do të na mbajë’ ose do të na mbështetë. (Lexo Psalmin 94:18.) Ashtu si një atlet i dëmtuar që ka nevojë të mbahet te dikush për të ecur, edhe neve mund të na duhet ndihmë që të vazhdojmë të jemi aktivë në shërbim të Jehovait. Në momente të tilla, Jehovai na siguron: «Unë Jehovai, Perëndia yt, të kap nga dora e djathtë dhe të them: ‘Mos ki frikë. Unë do të të ndihmoj.’» (Isa. 41:13) Mbreti David e provoi vetë ndihmën e Jehovait. Kur u përball me sprova dhe armiq, ai i tha Jehovait: «Me të djathtën tënde më mbështet.» (Psal. 18:35) Po si na mbështet Jehovai?
12. Kë mund të përdorë Jehovai që të na ndihmojë kur ndihemi të dobët?
12 Shpesh Jehovai na mbështet duke nxitur të tjerët të na ndihmojnë. Për shembull, në një rast kur Davidi ndihej i dobët, miku i tij Jonatani shkoi ta takonte që ta mbështeste nga ana emocionale dhe t’i thoshte fjalë zemërdhënëse. (1 Sam. 23:16, 17) Po ashtu, Jehovai zgjodhi Eliseun që t’i jepte ndihmë praktike Elijas. (1 Mbret. 19:16, 21; 2 Mbret. 2:2) Sot Jehovai mund të përdorë familjarët, miqtë dhe pleqtë për të na mbështetur. Mirëpo kur jemi zemërvrarë, mund të kemi prirjen të izolohemi ose të mbyllemi në vetvete. Duam thjesht të rrimë vetëm. Ky është një reagim normal. Po si mund ta lejojmë Jehovain të na mbështetë?
13. Çfarë duhet të bëjmë që të nxjerrim dobi nga mbështetja e Jehovait? (Shihni edhe figurën.)
13 Çfarë duhet të bëjmë ne. Të luftojmë prirjen për t’u izoluar. Kur izolohemi, këndvështrimi ynë shpesh ngushtohet dhe fillojmë të mendojmë vetëm për veten e për hallet tona. Ky qëndrim mund të ndikojë te vendimet që marrim. (Prov. 18:1) Patjetër, të gjithë kemi nevojë për ca kohë që të rrimë vetëm, sidomos kur na ndodh një ngjarje tragjike. Megjithatë, nëse izolohemi për një kohë të gjatë, mund të refuzojmë tamam atë mjet që po përdor Jehovai për të na mbështetur. Ndaj, sado të vështirë ta kesh në një situatë të rëndë, mirëprite ndihmën e familjarëve, të miqve dhe të pleqve. Shikoji ashtu siç janë—si mjeti që po përdor Jehovai për të të mbështetur.—Prov. 17:17; Isa. 32:1, 2.
JEHOVAI DO TË TË NGUSHËLLOJË
14. Cilat janë disa situata që mund të na ngjallin frikë?
14 Sfida. Mund të ketë momente kur ndihemi të frikësuar. Në Bibël, shërbëtorët besnikë të Perëndisë përmendin raste kur ishin në pikë të hallit dhe dridheshin nga frika e armiqve ose e presioneve të tjera. (Psal. 18:4; 55:1, 5) Po njësoj, ne mund të hasim kundërshtime në shkollë, në punë, nga familja ose nga qeveria. Mund të përballemi edhe me vdekjen për shkak të një problemi shëndetësor. Në situata të tilla, mund të ndihemi të pambrojtur si një fëmijë i vogël. Si na ndihmon Jehovai në këto raste?
15. Sipas Psalmit 94:19 dhe shënimit, për çfarë mund të jemi të sigurt?
15 Çfarë bën Jehovai. Ai na ngushëllon e na qetëson. (Lexo Psalmin 94:19 dhe shënimin.) Kur lexojmë këtë varg, mbase përfytyrojmë një vajzë të vogël të frikësuar që nuk e zë gjumi nga bubullimat e forta. Mund të imagjinojmë të atin që i afrohet, e merr në krahë dhe e mban derisa e zë gjumi. Ndonëse furtuna vazhdon me tërbim, ajo ndihet e mbrojtur dhe e qetë në krahët e të atit. Kur përballemi me sprova që na frikësojnë, mund të kemi nevojë që Ati ynë qiellor, si të thuash, të na mbajë në krahë derisa të ndihemi më të qetë. Si mund ta lejojmë Jehovain të na ngushëllojë?
16. Si mund ta lejojmë Jehovain të na ngushëllojë? (Shihni edhe figurën.)
16 Çfarë duhet të bëjmë ne. Kalo kohë rregullisht me Jehovain—lutju dhe lexo Fjalën e tij. (Psal. 77:1, 12-14) Kështu ka shumë gjasa që gjëja e parë që do të bësh kur të jesh nën stres do të jetë të vraposh tek Ati yt. Hapju Jehovait për çdo frikë dhe shqetësim që ke. Lejoje të të flasë e të të ngushëllojë nëpërmjet Shkrimeve. (Psal. 119:28) Mund të gjesh disa fragmente nga Bibla që ta qetësojnë vërtet zemrën kur ndihesh i frikësuar. Për shembull, mund të marrësh zemër ndërsa lexon librin e Jobit, Psalmet e Proverbat, si edhe fjalët e Jezuit në kapitullin 6 të Mateut. Ndërsa i lutesh Jehovait dhe lexon Fjalën e tij, do ta ndiesh si të ngushëllon.
17. Për çfarë jemi të sigurt?
17 Mund të jemi të sigurt se Jehovai do të na gjendet pranë në ditët e errëta të jetës sonë. Nuk do të jemi kurrë vetëm. (Psal. 23:4; 94:14) Jehovai premton se do të na ruajë, do të na japë ekuilibër, do të na mbështetë dhe do të na ngushëllojë. Tek Isaia 26:3 thuhet për të: «Ti do t’i ruash ata që mbështeten plotësisht te ti; do t’u japësh paqe të pafund, sepse te ti kanë besim.» Prandaj ki besim te Jehovai dhe nxirr dobi nga të gjitha mjetet që përdor për të të ndihmuar. Kështu do të të përtërihen forcat edhe në kohë të vështira.
SI DO TË PËRGJIGJESHE?
Kur mund të kemi akoma më tepër nevojë për ndihmën e Jehovait?
Cilat janë katër mënyra si na ndihmon Jehovai në kohë stresuese?
Çfarë mund të bëjmë që të nxjerrim dobi nga ndihma e Jehovait?
KËNGA 12 Jehova, Atë i përkryer
a Disa emra janë ndryshuar.