DORA
Pjesa e fundit e krahut. Në Shkrime, nganjëherë «dora» përfshin edhe kyçin, si te Zanafilla 24:22, 30, 47 dhe tek Ezekieli 16:11, ku flitet për byzylykët që mbahen në ‘duar’, dhe te Gjykatësit 15:14, ku përmenden litarët në «duart» e Samsonit. Dora përdor fuqinë e krahut dhe e drejton atë, prandaj, në shumë raste kur del me kuptim të figurshëm, fjala «dorë» përcjell idenë e «fuqisë që ushtrohet». (Da 7:4; 13:3; Lp 2:15; Lu 1:66) Meqë dora është një pjesë e trupit të njeriut mjaft e shkathët, shumëpërdorimëshe dhe me të cilën punohet, në shumë shkrime biblike përdoret në kuptim simbolik për të përshkruar një larmi të madhe veprimesh.
Termi hebraik që zakonisht përkthehet «dorë», është jadh. Nganjëherë, edhe fjala ĥaf përkthehet «dorë», por fjalë për fjalë do të thotë «pëllëmbë». (Jb 22:30, shën., NW) Termi grek që zakonisht përkthehet «dorë», është kheir.
Gjestet me dorë dhe kuptimi i tyre. Me duar bëheshin gjeste që shprehnin gjëra të ndryshme. Ato ngriheshin lart gjatë lutjes, duke kthyer zakonisht pëllëmbët nga qielli në formë kërkese (2Kr 6:12; Ne 8:6); ngriheshin kur bëheshin betime (Zn 14:22); preknin buzët në formë përshëndetjeje (Jb 31:27); përplaseshin me gëzim, si në rastin e duartrokitjes (2Mb 11:12) ose me inat a me tallje (Nu 24:10; Jb 27:23; Na 3:19); tundeshin me kërcënim (Is 10:32, Kris); viheshin në kokë ose në ijë nga trishtimi a dëshpërimi (2Sa 13:19; Jr 30:5, 6); laheshin me ujë për të treguar pastërtinë ceremoniale, pafajësinë ose heqjen e përgjegjësisë nga vetja.—Mt 15:1, 2; 27:24; shih dallimin te Ps 26:5, 6; 51:1, 2; shih POZICIONET DHE GJESTET.
Përdorime të figurshme e simbolike. Nganjëherë dora përdorej për të treguar vetë njeriun, si në rastin kur Davidi i kërkoi ushqim Nabalit: «Jepu, të lutem, shërbëtorëve të tu . . . ç’të të gjendet në dorë.» (1Sa 25:8) I referohej edhe natyrës së dikujt a veprimtarisë së tij (Zn 16:12) ose tregonte përgjegjësinë që mbante për veprimet e veta.—Zn 9:5; Ezk 3:18, 20.
Në ceremoninë e emërimit të priftërinjve, Moisiu u vuri në duar flijime për të treguar në mënyrë simbolike se ishin gati për detyrën si priftërinj, pra ‘ua mbushi duart’ me autoritet e fuqi.—Le 8:25-27, 33, shën.; shih EMËROJ.
Jehovai e siguroi Jakobin se kur të vdiste, do të ishte i biri, Jozefi, që ‘do t’ia mbyllte sytë me dorën e vet’. (Zn 46:4) Normalisht ky privilegj i takonte të parëlindurit. Prandaj, këto fjalë jo vetëm që e siguruan patriarkun e moshuar Jakob se djali i tij i dashur, Jozefi, do t’i qëndronte pranë ato vite që i mbeteshin, por me sa duket parathoshin se e drejta e të parëlindurit që humbi Rubeni, do t’i jepej Jozefit.
Në kuptimin simbolik, për Perëndinë thuhet se përdor «dorën» e tij, domethënë e ushtron fuqinë për të përmbushur veprën e tij, si për shembull: për të krijuar (Ps 8:6; 102:25); për të shkatërruar armiqtë (Is 25:10, 11); për të çliruar popullin e tij (Da 7:4, 5); për t’u dhënë hir atyre që e kërkojnë e për të treguar fuqinë e tij ndaj tyre (Ezd 8:22); për të përmbushur nevojat (Ps 104:28; 145:16) e për të dhënë ndihmë (Is 11:11). Elihu tha se të fuqishmit ikin tej «pa i prekur kush me dorë». Gjithashtu, guri në ëndrrën profetike të Nabukodonosorit u shkëput nga mali «pa e prekur kush me dorë». Në secilin rast kuptimi është që veprimin nuk e kryejnë duar njerëzore, por fuqia e Jehovait.—Jb 34:1, 20; Dn 2:34, 44, 45.
‘Në dorë’, ‘nën dorën’ ose ‘nga dora’ e dikujt do të thotë të jesh nën autoritetin a pushtetin e tij (Zn 9:2; Jb 2:6; 1Pj 5:6; krahaso Zn 37:21) ose mund të ketë kuptimin «në dispozicionin» a «nën kujdesin» e dikujt (Zn 16:6; Zn 42:37, krahaso Kris; Lu 23:46; Gjo 10:28, 29). «Me dorë të ngritur» do të thotë të jesh i fortë, fitimtar (Da 14:8, shën.); ‘të forcosh duart’ do të thotë t’i japësh fuqi dikujt ose t’i japësh sende e pajisje (Ezd 1:6, shën.); ‘të dobësosh duart’, të shkurajosh (Jr 38:4, shën.); ‘ta vësh jetën në dorë ose në pëllëmbë’, të rrezikosh jetën (Jb 13:14, shën.). Njerëzit ‘jepnin dorën’ kur premtonin (Ezd 10:19) ose kur dilnin garant për një tjetër (Pr 6:1-3; 17:18; 22:26); ‘të vësh dorën në’ do të thotë t’i futesh një pune (Lp 15:10, Kris; krahaso DSF); ‘të vësh dorë mbi të mirat e tjetrit’ do të thotë t’i vjedhësh ato ose t’i përdorësh keq (Da 22:7, 8, 10, 11); ‘duart e pastra’ tregojnë pafajësi (2Sa 22:21; krahaso Ps 24:3, 4); ‘duart tërë gjak’, vrasje (Is 1:15; 59:3, 7); ‘të vësh dorën te goja’, të heshtësh (Gjy 18:19, shën.); ‘të të lëshohen duart’, të shkurajohesh (2Kr 15:7, shën.; shih edhe Is 35:3; He 12:12, 13) dhe ‘të hapësh dorën’, të jesh bujar (Lp 15:11).
Përtaci varfërohet kur «rri edhe pak me duart kryq për të pushuar». (Pr 6:9-11) Ai është tepër i lodhur për ta çuar dorën nga tasi i gostisë deri në gojë. (Pr 26:15) Njeriu moskokëçarës që «punon me dorë të ngathët, do të jetë i vobektë», kurse dora e papërtuar do të sjellë pasuri.—Pr 10:4.
Shprehje të tjera frazeologjike hebraike që lidhen me dorën janë: ‘të vësh dorën me’, që do të thotë të bashkëpunosh me, të jesh në anën e (Da 23:1; 1Sa 22:17, shën.); ‘prej dorës së dikujt’ do të thotë nën drejtimin e (Da 38:21) ose me anë të (Le 8:36; 10:11; 2Sa 3:18); ‘nuk i arrin dora’ ose ‘nuk ia kap dora’, nuk i ka mundësitë (financiare) (Le 14:21); ‘ç’t’i kapë dora’, sipas mundësisë (Nu 6:21); ‘duart e shpatës’, fuqia e shpatës (Jb 5:20); ‘dora e gjuhës’, fuqia e gjuhës (Pr 18:21); ‘jeta e dorës sate’, ripërtëritja e fuqive (Is 57:10); «të mbyllësh dorën» para vëllait tënd, do të thotë të jesh dorështrënguar e të mos e ndihmosh.—Lp 15:7, Dio.
Jehovai u tha izraelitëve se duhej t’i lidhnin fjalët e tij «në dorë si shenjë» (Lp 6:6-8; 11:18) dhe se e kishte skalitur Sionin në pëllëmbët e duarve të tij (Is 49:14-16), që tregon se e kujtonte dhe i kushtonte vëmendje vazhdimisht. Në kuptim të ngjashëm, Jehovai u tha eunukëve që kishin rrokur besëlidhjen e tij se do t’u jepte në shtëpinë e tij «një përmendore» (ose vend; fjalë për fjalë një «dorë»). (Is 56:4, 5) Bibla thotë se adhuruesit e Perëndisë shkruajnë në mënyrë simbolike mbi dorë fjalët: «I Jehovait», duke treguar se janë skllevër të tij. (Is 44:5) Në të njëjtën mënyrë, meqenëse me duar një njeri punon për atë të cilit i shërben, ‘damka’ e «bishës» në dorën e djathtë do të simbolizonte vëmendjen, përkushtimin dhe mbështetjen aktive që një individ i jep «bishës» dhe ‘shëmbëlltyrës’ së saj.—Zb 13:16, 17; 14:9, 10; 20:4.
Vënia e duarve. Duart nuk përdoreshin vetëm për të prekur; duart viheshin mbi një individ ose objekt për qëllime të ndryshme. Megjithatë, në përgjithësi ky veprim tregonte një caktim, domethënë se një individ a një gjë pranohej ose njihej për një rol të caktuar. Gjatë ceremonisë së emërimit priftëror, Aaroni dhe bijtë e tij vunë duart mbi kokën e demit dhe dy deshve që do të flijoheshin, duke pranuar kështu se ato kafshë po flijoheshin që ata të bëheshin priftërinj të Perëndisë Jehova. (Da 29:10, 15, 19; Le 8:14, 18, 22) Kur emëroi Josiun si pasuesin e tij me urdhër të Perëndisë, Moisiu vuri duart mbi të dhe kështu ai ishte «plot frymë mençurie» e mundi ta udhëhiqte siç duhej Izraelin. (Lp 34:9) Mbi disa viheshin duart kur caktoheshin për të marrë një bekim. (Zn 48:14; Mr 10:16) Jezu Krishti preku ose vuri duart mbi disa njerëz që shëroi. (Mt 8:3; Mr 6:5; Lu 13:13) Në disa raste, dhurata e frymës së shenjtë jepej me vënien e duarve nga apostujt.—Ve 8:14-20; 19:6.
Emërime për të shërbyer. Edhe në kongregacionin e krishterë, ata që ishin të autorizuar emëronin burra të pjekur në pozita dhe detyra mbikëqyrjeje duke vënë duart mbi ta. (Ve 6:6; 1Ti 4:14) Duke mbajtur parasysh ndikimin që do të kishin këta burra të emëruar dhe shembullin që do të linin, apostulli Pavël e këshilloi Timoteun: «Kurrë mos i vër duart me ngut mbi askënd dhe mos ji pjesëmarrës në mëkatet e të tjerëve.» Pra, ai s’duhej ta emëronte një burrë pa i shqyrtuar me kujdes kualifikimet e tij, pasi, nëse ai nuk i plotësonte përgjegjësitë, Timoteu mbante një pjesë të fajit për vështirësinë e krijuar.—1Ti 5:22.
Dora e djathtë. Në kuptim simbolik, dora e djathtë konsiderohej mjaft e rëndësishme. Jozefit nuk i pëlqeu që Jakobi i kryqëzoi duart për ta vënë dorën e djathtë mbi Efraimin, djalin e vogël të Jozefit. Por Jakobi e bëri qëllimisht për t’i dhënë Efraimit bekimin më të madh. (Zn 48:13-20) Të ishe në të djathtën e një sundimtari do të thoshte të kishe pozitën më të rëndësishme pas tij (Ps 110:1; Ve 7:55, 56; Ro 8:34; 1Pj 3:22) ose të kishe miratimin e tij. (Mt 25:33) Në vegimin e Zbulesës, Jezui ka në dorën e djathtë shtatë yjet e shtatë kongregacioneve. Pra, të gjithë këta trupa pleqsh kanë miratimin e tij dhe janë plotësisht nën kontrollin, pushtetin dhe drejtimin e tij.—Zb 1:16, 20; 2:1.
Kur Perëndia e kap dikë nga dora e djathtë, do të thotë se e forcon. (Ps 73:23) Zakonisht, një luftëtar mbante shpatën në dorën e djathtë, prandaj ishte e pambrojtur nga mburoja, të cilën e mbante në të majtë. Kështu, një shok qëndronte ose luftonte në të djathtë të tij që ta mbështeste e ta mbronte. Kjo rrethanë përdoret në kuptim metaforik për ndihmën dhe mbrojtjen që u siguron Perëndia shërbëtorëve të tij.—Ps 16:8; 109:30, 31; 110:5; 121:5.
Shkrimtari i Eklisiastiut thotë: «Zemra e të mençurit është në të djathtë të tij, kurse zemra e budallait është në të majtë të tij.» Me fjalë të tjera, i mençuri priret të ndjekë udhën e mirë e të drejtë, kurse budallai ndjek udhën e gabuar.—Ek 10:2, shën.
Pikat e horizontit. Shprehjet hebraike për «dora e djathtë» (heb., jamín) dhe «dora e majtë» (heb., semóʼl) përkthehen përkatësisht edhe «jug» e «veri» (Zn 14:15; Ps 89:12), meqë drejtimi përcaktohej nga këndvështrimi i një njeriu me fytyrë nga lindja. Kështu, jugu do të ishte në të djathtë të tij.—1Sa 23:19, 24.
Përdorime të tjera. «Dora» (heb., jadh) përdoret edhe në kuptimin «në krah të» ose ‘në anë të’ (Ne 3:4, 5, 7; Ek 4:1); «buzë» (Da 2:5) ose ‘breg’ (Nu 24:24), si dhe për ‘kunjat’ e skeleteve të tabernakullit (Da 26:17). Fjala hebraike kaf (që shpesh përkthehet «pëllëmbë» dhe «dorë») përdoret për «shputën» e këmbës (Zn 8:9, NW), për kupat («lugët», KJ) e tabernakullit dhe të tempullit (Da 25:29; Nu 7:84, 86; 2Mb 25:14) e për «zgavrën» (e kofshës) ose për ‘folenë’ (e hobesë). (Zn 32:25, 32; 1Sa 25:29) Të dyja fjalët, jadh (dorë) dhe kaf (pëllëmbë; dorë), përkthehen edhe në mënyra të tjera në shqip.
Në kuptim të figurshëm, shprehja «me dorë plot» do të thotë bollëk (Zn 41:47, Kris), kurse «një grusht» mund të nënkuptojë vetëm pak (1Mb 17:12) ose një pjesë modeste (Ek 4:6), sipas kontekstit.—Shih GISHTI (Gishti i madh i dorës); KRAHU; LARJA E DUARVE.