Jeta jote: Cili është qëllimi i saj?
«Po e drejtoja zemrën time me mençuri . . . derisa munda të shihja se çfarë të mire kishte për bijtë e njerëzimit . . . gjatë numrit të ditëve të jetës së tyre.»—EKLISIASTIU 2:3, BR.
1, 2. Përse nuk është e gabuar të kesh një interesim të arsyeshëm për veten?
TI INTERESOHESH për veten, apo jo? Kjo është normale. Prandaj ne hamë çdo ditë, flemë kur jemi të lodhur dhe na pëlqen të jemi me miq dhe persona të dashur. Herë pas here luajmë, notojmë ose bëjmë gjëra të tjera që na kënaqin, duke pasqyruar një interesim të drejtpeshuar për veten.
2 Një vetinteresim i tillë, përputhet me atë që Perëndia nxiti Solomonin të shkruante: «Për njeriun nuk ka gjë më të mirë sesa të hajë e të pijë dhe të gëzohet në mundin e tij.» I bazuar tek përvoja, Solomoni shtoi: «Por kam vënë re se edhe kjo vjen nga dora e Perëndisë. Kush mund të hajë ose të gëzohet më shumë se unë?»—Eklisiastiu 2:24, 25.
3. Cilat pyetje hutuese u duken pa përgjigje shumë personave?
3 Megjithatë, ti e di se jeta është më shumë sesa të hash, të pish, të flesh dhe të bësh disa të mira. Ne kemi dhimbje, zhgënjime dhe shqetësime. Dhe dukemi tepër të zënë për të reflektuar mbi kuptimin e jetës sonë. A nuk është kështu edhe për ty? Vermont Roistër, ish-redaktor i gazetës The Wall Street Journal, pasi vuri re njohurinë e shtrirë dhe aftësitë e njerëzimit, shkroi: «Ja një gjë e çuditshme. Kur soditim vetë njeriun, dilemat e tij, vendin e tij në këtë univers, ne shkojmë fare pak më tutje fillimit të jetës. Kemi mbetur ende me pyetjet si: kush jemi ne, përse ekzistojmë dhe ku po shkojmë.»
4. Pse duhet që secili prej nesh të dëshirojë që të mund t’u japë përgjigje pyetjeve që na përfshijnë?
4 Si do t’u përgjigjeshe pyetjeve: Kush jemi ne? Përse jemi këtu dhe ku po shkojmë? Në korrikun e shkuar, zoti Roistër vdiq. Ta merr mendja se deri atëherë ai kishte gjetur përgjigje të kënaqshme? Më drejtpërdrejt akoma: A ka një mënyrë që ti mund ta bësh këtë dhe si mund të të ndihmojë kjo për të gëzuar një jetë më të lumtur, më domethënëse? Le të shohim.
Një burim parësor mendjehollësie
5. Pse duhet të shohim nga Perëndia kur kërkojmë mendjehollësi mbi pyetjet rreth kuptimit të jetës?
5 Nëse secili prej nesh do të ishte duke kërkuar i vetëm qëllimin e jetës, ndoshta do të kishim pak ose aspak sukses, siç ka qenë e vërtetë për shumicën e burrave dhe grave, madje edhe për ata me njohuri dhe përvojë të gjerë. Por ne nuk jemi lënë të vetëm. Krijuesi ynë na ka siguruar ndihmë. Kur mendon për të, a nuk është ai Burimi më themelor i mendjehollësisë dhe mençurisë, duke qenë «nga koha e pacaktuar në kohë të pacaktuar» dhe duke pasur njohuri të plotë mbi universin dhe historinë? (Psalmi 90:1, 2, BR) Ai krijoi njerëzit dhe ka vëzhguar krejt përvojën njerëzore, kështu që tek Ai duhet të kërkojmë mendjehollësi, jo tek njerëzit e papërsosur me njohurinë dhe perceptimet e tyre të kufizuara.—Psalmi 14:1-3; Romakëve 3:10-12.
6. (a) Si e ka siguruar Krijuesi mendjehollësinë e nevojshme? (b) Si është përfshirë Solomoni?
6 Edhe pse nuk mund të presim që Krijuesi të na pëshpërisë në vesh një zbulesë mbi kuptimin e jetës, ai ka siguruar një burim mendjehollësie, Fjalën e tij të frymëzuar. (Psalmi 32:8; 111:10) Në lidhje me këtë, libri i Eklisiastiut është veçanërisht i vlefshëm. Perëndia frymëzoi shkrimtarin e tij, kështu që «dituria [mençuria, BR] e Solomonit ia kaloi diturisë së të gjithë bijve të Lindjes». (1. Mbretërve 3:6-12; 4:30-34) «Mençuria e Solomonit» i bëri kaq përshtypje një mbretëreshe që kishte shkuar për vizitë, sa ajo tha që gjysma nuk ishte treguar dhe se ata që dëgjonin mençurinë e tij, do të ishin me të vërtetë të lumtur.a (1. Mbretërve 10:4-8) Edhe ne mund të fitojmë mendjehollësi dhe lumturi nga mençuria hyjnore që Krijuesi ynë siguroi nëpërmjet Solomonit.
7. (a) Çfarë përfundimi nxori Solomoni në lidhje me pjesën më të madhe të veprimtarive nën qiej? (b) Ç’gjë i ilustroi vlerësimet realiste të Solomonit?
7 Eklisiastiu pasqyron mençurinë e dhënë nga Perëndia, e cila ndikoi në zemrën dhe trurin e Solomonit. Duke pasur kohën, mjetet dhe mendjehollësinë për të bërë kështu, Solomoni shqyrtoi «çdo gjë që ndodh nën qiell». Ai pa se pjesa më e madhe e tyre «janë gjëra të kota dhe një kërkim për të kapur erën», gjë e cila është një vlerësim i frymëzuar që duhet ta sjellim ndër mend kur mendojmë mbi qëllimin tonë në jetë. (Eklisiastiu 1:13, 14, 16) Solomoni po tregohej i sinqertë, realist. Për shembull, reflekto mbi fjalët e tij që gjenden në Eklisiastiun 1:15, 18. Ti e di se gjatë shekujve njerëzit kanë provuar forma të ndryshme qeverisjeje, disa herë duke u përpjekur sinqerisht për të zgjidhur problemet dhe për një jetë më të mirë. Por megjithatë, a i ka drejtuar me të vërtetë ndonjëra prej tyre gjërat «e shtrembëra» të këtij sistemi të papërsosur? Dhe ndoshta ke parë se sa më e madhe të jetë njohuria e një personi, aq më thellësisht e kupton ai se në një periudhë të shkurtër jete, është e pamundur t’i korrigjosh plotësisht gjërat. Një vetëdije e tillë i sjell zhgënjim disave, por jo domosdoshmërisht neve.
8. Çfarë ciklesh kanë ekzistuar prej shumë kohësh?
8 Një pikë tjetër për t’u marrë në konsideratë, janë ciklet e përsëritshme që ndikojnë tek ne, të tillë si lindja dhe perëndimi i diellit apo lëvizjet e erës dhe të ujit. Ato ekzistonin në ditët e Moisiut, Solomonit, Napoleonit dhe stërgjyshërve tanë. Ato vazhdojnë ende. Ngjashëm, «një brez shkon, një brez vjen». (Eklisiastiu 1:4-7) Nga një pikëpamje njerëzore, pak ka ndryshuar. Njerëzit e lashtë dhe modernë kanë pasur veprimtari, shpresa, ambicie dhe arritje të krahasueshme. Edhe nëse në një mënyrë njerëzore, disa individë kanë bërë emër ose kanë shkëlqyer në bukuri apo aftësi, ku ndodhen tani ata persona? Kanë vdekur e ndoshta janë harruar. Kjo nuk është një pikëpamje e zymtë. Shumë njerëz nuk dinë as emrin e stërgjyshërve të tyre apo të tregojnë se ku kanë lindur dhe janë varrosur. Mund ta kuptosh se përse Solomoni pa realisht kotësi në ato që ndërmerrnin njerëzit dhe në përpjekjet e tyre.—Eklisiastiu 1:9-11.
9. Si mund të ndihmohemi nëpërmjet fitimit të mendjehollësisë realiste mbi situatën e njerëzimit?
9 Në vend që të na zhgënjejë, kjo mendjehollësi hyjnore mbi situatën bazë të njerëzimit mund të ketë një efekt pozitiv, duke na nxitur për të shmangur bashkangjitjen e vlerave të gabuara synimeve apo qëllimeve, që do të kalojnë e do të harrohen shpejt. Ajo duhet të na ndihmojë për të vlerësuar se çfarë po marrim nga jeta dhe se çfarë po përpiqemi të arrijmë. Për ta ilustruar, në vend që të jemi asketikë, ne mund të gjejmë gëzim, duke ngrënë dhe duke pirë në mënyrë të drejtpeshuar. (Eklisiastiu 2:24) Siç do ta shohim, Solomoni arriti në një përfundim shumë pozitiv dhe optimist. Shkurtimisht, ai përfundim është se ne duhet të çmojmë thellësisht marrëdhënien tonë me Krijuesin, e cila mund të na ndihmojë për të pasur një lumturi të përjetshme dhe një të ardhme me qëllim. Solomoni theksoi: «Përfundimi i çështjes, i çdo gjëje të dëgjuar, është: Ki frikë Perëndinë e vërtetë dhe ruaj urdhërimet e tij. Sepse ky është i gjithë detyrimi i njeriut.»—Eklisiastiu 12:13, BR.
Qëllim duke mbajtur parasysh ciklet jetësore
10. Në ç’mënyrë i krahasoi Solomoni kafshët dhe njerëzit?
10 Mençuria hyjnore e pasqyruar në Eklisiastiun, mund të na ndihmojë më tej në shqyrtimin e qëllimit tonë në jetë. Si kështu? Në të, Solomoni u përqendrua realisht tek të vërteta të tjera, që ne rrallë mund t’i mendojmë. Njëra përfshin ngjashmëritë mes njerëzve dhe kafshëve. Jezui i krahasoi ithtarët e tij me delet, por megjithatë njerëzit në përgjithësi nuk kënaqen kur i krahasojnë me kafshët. (Gjoni 10:11-16) Megjithatë, Solomoni solli disa fakte të pamohueshme: «Perëndia i vë në provë [bijtë e njerëzve], që ata vetë të kuptojnë që janë si kafshë. Në fakt të gjitha ato që u ndodhin bijve të njerëzve u ndodhin kafshëve; të dy palëve u ndodh e njëjta gjë. Ashtu si vdes njëri, kështu vdes tjetri; . . . dhe njeriu nuk ka asnjë epërsi mbi kafshën, sepse gjithçka është kotësi. . . . Të gjithë vijnë nga pluhuri dhe kthehen në pluhur.»—Eklisiastiu 3:18-20.
11. (a) Si mund të përshkruhet cikli tipik jetësor i një kafshe? (b) Si ndihesh nga një analizë e tillë?
11 Mendo një kafshë që kënaqesh duke e parë, ndoshta një baldosë apo një lepur të butë. (Ligji i përtërirë 14:7; Psalmi 104:18; Proverbat 30:26) Ose mund të përfytyrosh një ketër; në mbarë botën ka mbi 300 lloje. Cili është cikli i tij jetësor? Pasi lind, nëna e tij i jep gji për disa javë. Shpejt ai ka gëzof dhe mund të marrë guximin për të dalë jashtë. Mund ta shohësh tek rend, duke mësuar si të gjejë ushqim. Por, shpesh duket sikur ai është thjesht duke luajtur, duke gëzuar rininë e tij. Pasi rritet pak a shumë një vit, ai përcakton një partner. Më pas i duhet të ndërtojë një fole apo strofkë dhe të kujdeset për pasardhjen. Nëse gjen mjaft fruta shkurresh, arra dhe farëra, familja e ketrit mund të bëhet buçko e t’i vijë koha për të zgjeruar shtëpinë. Por vetëm në pak vjet, kafsha plaket dhe bëhet më e prirur ndaj aksidenteve dhe sëmundjes. Rreth moshës dhjetë vjeç ajo ngordh. Me ndryshime të lehta ndërmjet llojeve të ketrave, ky është cikli i tyre jetësor.
12. (a) Realisht, pse cikli jetësor i shumë njerëzve është si ai i një kafshe të zakonshme? (b) Çfarë duhet të mendojmë herën tjetër kur të shohim kafshën që kishim ndër mend?
12 Shumë njerëz nuk do ta kundërshtonin këtë cikël për një kafshë dhe vështirë se presin që një ketër të ketë një qëllim racional në jetë. Megjithatë, jeta e shumë njerëzve nuk ndryshon shumë prej jetës së tij, apo jo? Ata lindin dhe për ta kujdesen sa janë foshnja. Hanë, rriten dhe luajnë sa janë të rinj. Përpara se të jenë të rritur, gjejnë një bashkëshort, kërkojnë një vend për të jetuar dhe një mjet për të siguruar ushqim. Nëse ia dalin mbanë, bëhen buçko dhe e shtrijnë shtëpinë (folenë), në të cilën do të rrisin pasardhjen. Por dekadat kalojnë shpejt dhe ata plaken. Nëse nuk ndodh më parë, ata mund të vdesin pas 70 apo 80 vjetësh të mbushur me «mundim e dhimbje». (Psalmi 90:9, 10, 12, DSF) Herën tjetër, kur të shohësh një ketër (apo një kafshë tjetër që kishe ndër mend), mund të mendosh rreth këtyre fakteve që të zhysin në mendime.
13. Çfarë përfundimesh dalin të vërteta si për kafshët, ashtu edhe për njerëzit?
13 Mund ta kuptosh se përse Solomoni e krahasoi jetën e njerëzve me atë të kafshëve. Ai shkroi: «Çdo gjë ka stinën [kohën, BR] e vet, . . . një kohë për të lindur dhe një kohë për të vdekur.» Ai fund i mëvonshëm, vdekja, është i ngjashëm për njerëzit dhe kafshët, «si vdes njëri, kështu vdes tjetri». Ai shtoi: «Të gjithë vijnë nga pluhuri dhe kthehen në pluhur.»—Eklisiastiu 3:1, 2, 19, 20.
14. Si përpiqen disa njerëz për ta ndërruar ciklin e zakonshëm të jetës, por me çfarë rezultati?
14 Nuk duhet ta konsiderojmë këtë vlerësim realist si një mënyrë negative të menduari. Vërtet, disa përpiqen ta ndryshojnë situatën, si për shembull duke punuar mbi normalen për të përmirësuar gjendjen e tyre materiale, përtej asaj që kishin prindërit e tyre. Ata mund të ndjekin më shumë vite arsimimi për të siguruar një standard më të lartë jetese, ndërsa përpiqen të zgjerojnë kuptueshmërinë e tyre për jetën. Ose mund të përqendrohen tek ushtrimet apo regjimet e dietave për të fituar një shëndet më të mirë dhe një jetë paksa më të gjatë. Dhe këto përpjekje mund të sjellin disa dobi. Por cili mund të jetë i sigurt se përpjekje të tilla do të dalin të suksesshme? Dhe nëse po, për sa kohë?
15. Cili vlerësim i sinqertë për jetën e shumicës së njerëzve është i vlefshëm?
15 Solomoni pyeti: «Duke qenë se ka shumë gjëra që e shtojnë kotësinë, çfarë përfitimi ka njeriu prej tyre? Kush e di në fakt ç’është e mirë për njeriun në këtë jetë, gjatë tërë ditëve të jetës së tij të kotë, që ai i kalon si një hije? Kush mund t’i thotë njeriut çfarë ka për të ndodhur pas tij nën diell?» (Eklisiastiu 6:11, 12) Përderisa vdekja i jep fund relativisht shpejt përpjekjeve të një personi, a ka me të vërtetë shumë dobi të luftosh për të fituar më shumë gjëra materiale, apo të ndjekësh në radhë të parë vite të gjata shkollimi për të shtënë më shumë në dorë? Meqenëse jeta është kaq e shkurtër, saqë kalon si një hije, shumë e kuptojnë se, kur bëhen të vetëdijshëm për dështimin, nuk ka kohë për t’i ridrejtuar përpjekjet ndaj një synimi tjetër njerëzor; as nuk mundet një njeri të jetë i sigurt se çfarë do t’u ndodhë fëmijëve të vet «pas tij».
Është koha për të bërë një emër të mirë
16. (a) Çfarë duhet të bëjmë ne, të cilën kafshët nuk mund ta bëjnë? (b) Cila e vërtetë tjetër duhet të ndikojë në mënyrën tonë të të menduarit?
16 Ndryshe nga kafshët, ne njerëzit kemi aftësinë për të menduar thellë: ‘Cili është kuptimi i ekzistencës sime? Është thjesht një cikël fiks, me një kohë për të lindur e një kohë për të vdekur?’ Në lidhje me këtë, kujto të vërtetën në fjalët e Solomonit rreth njeriut dhe kafshës: «Të gjithë kthehen në pluhur.» A do të thotë kjo se vdekja i jep fund ekzistencës së një personi në mënyrë absolute? Mirë, pra, Bibla tregon se njerëzit nuk zotërojnë një shpirt të pavdekshëm që mbijeton trupin. Njerëzit janë shpirtra dhe shpirti që mëkaton, vdes. (Ezekieli 18:4, 20) Solomoni e shtjelloi: «Të gjallët në fakt e dinë se kanë për të vdekur, por të vdekurit nuk dinë asgjë; për ta nuk ka më asnjë shpërblim, sepse kujtimi i tyre harrohet. Tërë ato që dora jote gjen për të bërë, bëji me gjithë forcën tënde, sepse në Sheol ku po shkon nuk ka më as punë, as mendim, as njohuri dhe as dituri.»—Eklisiastiu 9:5, 10.
17. Çfarë duhet të na bëjë të mendojmë thellë Eklisiastiu 7:1, 2?
17 Për shkak të këtij fakti të pashmangshëm, shqyrto këtë thënie: «Një emër i mirë pëlqehet [është më i mirë] më tepër se një vaj i parfumuar dhe dita e vdekjes është më e mirë se dita e lindjes. Është më mirë të shkosh në një shtëpi ku mbahet zi sesa të shkosh në një shtëpi ku ka festë, sepse ky është fundi i çdo njeriu dhe kush rron ka për të vënë mend.» (Eklisiastiu 7:1, 2) Duhet të jemi dakort se vdekja ka qenë «fundi i çdo njeriu». Asnjë njeri nuk ka mundur të pijë ndonjë ilaç që zgjat jetën, të hajë ndonjë përzierje vitaminash, të ndjekë ndonjë dietë, apo të merret me ndonjë ushtrim që rezulton në jetë të përhershme. Dhe zakonisht, «kujtimi i tyre harrohet» jo shumë kohë pas vdekjes. Pra, përse një emër është «më i mirë se një vaj i parfumuar dhe dita e vdekjes më e mirë se dita e lindjes»?
18. Përse mund të jemi të sigurt se Solomoni besonte në ringjalljen?
18 Siç u vu re, Solomoni ishte realist. Ai dinte mbi paraardhësit e tij, Abrahamin, Isakun dhe Jakobin, të cilët sigurisht që kishin bërë një emër të mirë pranë Krijuesit të tyre. Duke qenë se e njihte mirë Abrahamin, Perëndia Jehova premtoi ta bekonte atë dhe farën e tij. (Zanafilla 18:18, 19; 22:17) Po, Abrahami pati një emër të mirë pranë Perëndisë, duke u bërë miku i tij. (2. Kronikave 20:7; Isaia 41:8; Jakovit 2:23) Abrahami e dinte se jeta e tij dhe jeta e birit të tij, nuk ishin thjesht pjesë e një cikli jete dhe vdekjeje që s’mbaron kurrë. Sigurisht që kishte diçka më shumë se aq. Ata kishin perspektivën e sigurt se do të jetonin përsëri, jo sepse zotëronin një shpirt të pavdekshëm, por sepse do të ringjalleshin. Abrahami ishte i bindur se «Perëndia ishte i fuqishëm sa ta ringjallte [Isakun] edhe prej së vdekurish».—Hebrenjve 11:17-19.
19. Çfarë mendjehollësie mund të fitojmë prej Jobit për sa i përket domethënies së Eklisiastiut 7:1?
19 Ky është një çelës për të kuptuar se si «një emër është më i mirë se një vaj i parfumuar dhe dita e vdekjes më e mirë se dita e lindjes». Ashtu si Jobi përpara tij, Solomoni ishte i bindur se Ai që krijoi jetën njerëzore mund ta ripërtërinte atë. Ai mund t’i kthejë në jetë njerëzit që kanë vdekur. (Jobi 14:7-14) Jobi besimplotë tha: «Do të më thërrasësh [o Jehova] dhe unë do të të përgjigjem; ti do të kesh mall për veprën e duarve të tua.» (Jobi 14:15, BR) Mendo! Për shërbëtorët e tij besnikë që kanë vdekur, Krijuesi ynë ka «mall». («Ti do të kishe një dëshirë të madhe për veprën e duarve të tua.»—Dio) Duke zbatuar sakrificën shpërblerëse të Jezu Krishtit, Krijuesi mund t’i ringjallë njerëzit. (Gjoni 3:16; Veprat 24:15) Qartë, njerëzit mund të ndryshojnë nga kafshët që thjesht vdesin.
20. (a) Kur është dita e vdekjes më e mirë se dita e lindjes? (b) Si duhet të ketë ndikuar vdekja e Lazrit mbi shumë persona?
20 Kjo do të thotë se dita e vdekjes mund të jetë më e mirë se dita e lindjes së një personi, nëse ai ka vendosur deri atëherë një emër të mirë pranë Jehovait, i cili mund t’i ringjallë personat besimplotë që vdesin. Solomoni më i madh, Jezu Krishti, e provoi këtë. Për shembull, ai ktheu në jetë burrin besimplotë, Lazrin. (Luka 11:31; Gjoni 11:1-44) Siç mund ta marrësh me mend, shumë prej atyre që ishin dëshmitarë të kthimit në jetë të Lazrit, u ndikuan shumë, duke e vendosur besimin në Birin e Perëndisë. (Gjoni 11:45) A mendon se ata u ndjenë pa qëllim në jetë, duke mos pasur asnjë ide se cilët ishin dhe se ku po shkonin? Përkundrazi, ata mundën të kuptonin se nuk duhej të ishin thjesht kafshë që kanë lindur, të jetonin për njëfarë kohe e pastaj të vdisnin. Qëllimi i tyre në jetë ishte i lidhur drejtpërdrejt dhe ngushtësisht me njohjen e Atit të Jezuit dhe bërjen e vullnetit të Tij. Po ty vetë, a të ka ndihmuar ky trajtim për të kuptuar, ose për të kuptuar më qartësisht, se si jeta jote mund dhe duhet të ketë një qëllim të vërtetë?
21. Cilin aspekt të gjetjes së kuptimit në jetën tonë dëshirojmë ende të shqyrtojmë?
21 Megjithatë, të kesh një qëllim të vërtetë dhe domethënës në jetë do të thotë shumë më tepër sesa të mendosh për vdekjen dhe jetën përsëri pas saj. Ajo përfshin atë që ne po bëjmë me jetën tonë ditë për ditë. Në Eklisiastiun, Solomoni e bëri të qartë edhe këtë, siç do ta shohim në artikullin vijues.
[Shënimi]
a «Tregimi mbi mbretëreshën e Shebës thekson mençurinë e Solomonit dhe kjo histori është quajtur shpesh një legjendë. (1. Mbret. 10:1-13) Por konteksti tregon se vizita e saj tek Solomoni ishte në të vërtetë e lidhur me tregtinë dhe si e tillë është e kuptueshme; si fakt historik nuk duhet vënë në dyshim.»—The International Standard Bible Encyclopedia (1988), Vëllimi IV, faqe 567.
A të kujtohet?
◻ Në cilat mënyra janë të krahasueshëm kafshët dhe njerëzit?
◻ Përse vdekja thekson se shumë nga përpjekja dhe veprimtaria njerëzore është kotësi?
◻ Si mund të jetë më e mirë dita e vdekjes nga ajo e lindjes?
◻ Nga cila marrëdhënie varet pasja nga ana jonë e një qëllimi domethënës në jetë?
[Figurat në faqen 10]
Si ndryshon në mënyrë domethënëse jeta jote nga ajo e kafshëve?