Fjala e Jehovait është e gjallë
Pika kryesore nga libri i Eklisiastiut
«NJERIU i lindur nga një grua është jetëshkurtër dhe i mbytur me halle»,—tha patriarku Job. (Jobi 14:1) Sa e rëndësishme është të mos e harxhojmë kot jetën tonë të shkurtër me shqetësime dhe përpjekje të pavlera! Për çfarë duhet t’i përdorim kohën, energjitë dhe zotërimet tona? Ç’gjëra duhet të shmangim? Fjalët e mençura në librin biblik të Eklisiastiut na japin udhëheqje të besueshme në lidhje me këto. Mesazhi që përcjellin mund «të dallojë mendimet dhe qëllimet e zemrës» dhe mund të na ndihmojë të bëjmë një jetë domethënëse.—Hebrenjve 4:12.
Libri i Eklisiastiut, i cili u shkrua nga një njeri i famshëm për mençurinë e tij, mbreti Solomon i Izraelit të lashtë, përmban këshilla praktike se çfarë ka vërtet vlerë në jetë e çfarë është e pavlerë. Meqë Solomoni përmend disa projekte ndërtimi që kishte ndërmarrë, duhet ta ketë shkruar librin e Eklisiastiut pas përfundimit të tyre dhe para se të shmangej nga adhurimi i vërtetë. (Nehemia 13:26) Kjo tregon se libri u shkrua para vitit 1000 p.e.s, nga fundi i mbretërimit 40-vjeçar të Solomonit.
Ç’GJË NUK ËSHTË KOTËSI?
«Çdo gjë është kotësi!»—thotë ai që mbledh popullin. Më pas bën pyetjen: «Ç’dobi ka njeriu nga e gjithë puna, për të cilën mundohet nën diell?» (Eklisiastiu 1:2, 3) Shprehjet «kotësi» dhe «nën diell» shfaqen shpesh në librin e Eklisiastiut. Termi hebraik për «kotësi», fjalë për fjalë do të thotë «frymë» ose «avull» dhe jep idenë e diçkaje të parëndësishme, të paqëndrueshme ose pa vlerë të përhershme. Shprehja «nën diell» do të thotë «në këtë tokë» ose «në këtë botë». Pra çdo gjë, domethënë, tërë përpjekjet e njerëzve që shpërfillin vullnetin e Perëndisë, është kotësi.
Solomoni thotë: «Ruaji këmbët e tua kurdo që të shkosh në shtëpinë e Perëndisë së vërtetë. Njeriu le të afrohet për të dëgjuar.» (Eklisiastiu 5:1) Të jesh i zënë me adhurimin e vërtetë të Perëndisë Jehova nuk është kotësi. Në të vërtetë, çelësi për një jetë domethënëse është t’i kushtojmë vëmendje marrëdhënies tonë me të.
Përgjigjet e pyetjeve biblike:
1:4-10—Në ç’kuptim ciklet e natyrës janë «të lodhshme»? Ai që mbledh popullin përmend vetëm tri nga gjërat kryesore që bëjnë të mundur jetën në tokë: diellin, erën dhe ciklin e ujit. Në të vërtetë ciklet e natyrës janë të shumta dhe mjaft të ndërlikuara. Njeriu mund të kalojë gjithë jetën duke i studiuar e megjithatë të mos i kuptojë plotësisht. Kjo mund të jetë vërtet ‘e lodhshme’. Po ashtu, është shkurajuese të krahasosh kohën e shkurtër të jetës së njeriut me përsëritjen e pafund të këtyre cikleve. Edhe përpjekjet për të bërë zbulime të reja janë të lodhshme. Në fund të fundit, shpikjet e reja nuk janë gjë tjetër veçse zbatime të parimeve që Perëndia i vërtetë i ka vendosur dhe i ka përdorur tashmë në krijim.
2:1, 2—Pse e qeshura konsiderohet «marrëzi»? E qeshura mund të na ndihmojë të harrojmë për momentin hallet dhe dëfrimi mund të bëjë që t’i marrim problemet lehtë-lehtë. Por e qeshura nuk na i zhduk vështirësitë. Prandaj, të kërkosh lumturinë nëpërmjet së qeshurës konsiderohet «marrëzi».
3:11—Çfarë ka bërë Perëndia ‘të bukur në kohën e vet’? Disa gjëra që Perëndia Jehova i ka bërë ‘të bukura’ ose të përshtatshme dhe të mira, në kohën e vet, janë: krijimi i Adamit dhe i Evës, besëlidhja e ylberit, besëlidhja me Abrahamin, besëlidhja davidike, ardhja e Mesisë dhe vendosja në fron e Jezu Krishtit si Mbret i Mbretërisë së Perëndisë. Por ka diçka tjetër që Jehovai do ta bëjë ‘të bukur’ në të ardhmen e afërt. Mund të jemi të sigurt se, në kohën e duhur, bota e re dhe e drejtë do të bëhet një realitet.—2 Pjetrit 3:13.
3:15b—Ç’do të thotë që «Perëndia i vërtetë vazhdon të kërkojë të mirën e atyre që përndiqen»? Fraza «të mirën e atyre që përndiqen» fjalë për fjalë është «atë që ndiqet» dhe mund t’u referohet gjërave që Perëndia vë si qëllim të bëjë. Ndërkohë që ciklet e përsëritshme të lindjes e të vdekjes dhe të luftës e të paqes mund ta bëjnë njeriun të ndihet i pafuqishëm dhe të mendojë se historia vazhdon të përsëritet, Perëndia i vërtetë mund të kërkojë dhe të realizojë gjithçka që do. (Eklisiastiu 3:1-10, 15a) Fraza «atyre që përndiqen» mund të zbatohet edhe për të drejtët, që shpesh përndiqen nga të ligjtë. Në këtë rast Jehovai vazhdon të kërkojë të drejtët «për të treguar forcën e tij» në dobi të tyre.—2 Kronikave 16:9.
5:9—Në ç’kuptim «fitimi i tokës është për të gjithë njerëzit»? Të gjithë banorët e tokës varen nga «fitimi i tokës», pra nga ajo që prodhon toka. As mbreti nuk bën përjashtim. Që ai të marrë prodhim nga ara, shërbëtorët e tij që kultivojnë tokën duhet të punojnë pa u lodhur.
Mësime për ne:
1:15. Është e kotë të harxhojmë kohë dhe energji duke u përpjekur të ndreqim shtypjen dhe padrejtësitë që shohim sot. Vetëm Mbretëria e Perëndisë mund të zhdukë ligësinë.—Danieli 2:44.
2:4-11. Veprimtaritë kulturore si arkitektura, kopshtaria, muzika, si edhe luksi, janë «një rropatje pas erës», sepse nuk mund ta bëjnë jetën vërtet domethënëse dhe as mund të sjellin lumturi të përhershme.
2:12-16. Ka më shumë përfitim nga mençuria, se nga marrëzia, sepse mençuria mund të ndihmojë për të zgjidhur disa probleme. Por në vdekje nuk ka asnjë përfitim nga mençuria njerëzore. Edhe sikur një njeri të ketë fituar famë falë një mençurie të tillë, shpejt ai harrohet.
2:24; 3:12, 13, 22. Nuk është e gabuar të gëzojmë frytet e mundit tonë.
2:26. Mençuria hyjnore, e cila sjell gëzim, i jepet ‘njeriut që është i mirë para syve të Jehovait’. Është e pamundur ta fitosh këtë mençuri pa pasur një marrëdhënie të mirë me Perëndinë.
3:16, 17. Nuk është realiste të kërkojmë drejtësi në çdo situatë. Në vend që të jemi në ankth për gjërat që ndodhin sot në botë, duhet të presim Jehovain që t’i ndreqë gjërat.
4:4. Një punë e bërë me mund dhe mjeshtëri mund të sjellë kënaqësi. Por të punosh me mund vetëm e vetëm për të dalë mbi të tjerët nxit konkurrencën dhe ngjall ndjenja dashakeqe e xhelozinë. Puna e palodhur që bëjmë në shërbimin e krishterë duhet të burojë nga motive të drejta.
4:7-12. Marrëdhëniet njerëzore janë më të rëndësishme se zotërimet materiale dhe nuk duhet të sakrifikohen për hir të pasurisë.
4:13. Respekti nuk fitohet gjithnjë në saje të pozitës dhe të moshës. Ata që janë në pozitë me përgjegjësi duhet të veprojnë me mençuri.
4:15, 16. ‘Djali, që hipën në vendin e atij tjetrit’, pra, pasardhësi i mbretit, në fillim mund të ketë mbështetjen e ‘gjithë njerëzve para të cilëve qëndron’, por ‘më pas ata nuk janë të kënaqur prej tij’. Po, zakonisht popullariteti është jetëshkurtër.
5:2. Lutjet tona duhet të jenë të menduara mirë dhe me respekt, e jo fjalëshumë.
5:3-7. Dhënia pas zotërimeve materiale mund ta bëjë një njeri që të ëndërrojë syhapur për interesat e veta egoiste. Gjithashtu mund ta bëjë që të mos jetë i qetë, të rrijë tërë natën duke fantazuar e të mos bëjë gjumë të ëmbël. Fjalët e tepërta mund ta bëjnë dikë të duket i pamend dhe të marrë një zotim të nxituar para Perëndisë. ‘Frika nga Perëndia i vërtetë’ nuk na lë të bëjmë asnjë nga këto gjëra.
6:1-9. Ç’dobi kanë pasuria, lavdia, një jetë e gjatë e madje edhe një familje e madhe, nëse për shkak të rrethanave nuk mund t’i gëzojmë ato? Po ashtu, «më mirë ajo që sheh syri» ose të pranosh realitetin, se «ajo që dëshiron shpirti», pra, të përpiqesh të plotësosh dëshira që janë të pamundura. Prandaj, mënyra më e mirë për të jetuar është të jemi të kënaqur ‘duke pasur ç’të hamë, ç’të veshim e ku të futim kokën’, ndërkohë që gëzojmë gjëra të mira në jetë e përqendrohemi të mbajmë një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain.—1 Timoteut 6:8.
KËSHILLA DREJTUAR TË MENÇURVE
Si mund të mbajmë një emër ose nam të mirë? Ç’qëndrim duhet të kemi ndaj sundimtarëve njerëzorë dhe padrejtësive që mund të shohim? Meqë të vdekurit nuk janë të vetëdijshëm për asgjë, si duhet ta përdorim jetën tonë tani? Si mund t’i përdorin me mençuri të rinjtë kohën dhe energjitë? Këshillat e shëndosha të atij që mbledh popullin, për këto dhe për tema të tjera, janë shkruar për ne te kapitujt 7 deri 12 të Eklisiastiut.
Përgjigjet e pyetjeve biblike:
7:19—Në ç’mënyrë mençuria është më e fortë se «dhjetë njerëz me pushtet»? Kur përdoret në mënyrë të figurshme në Bibël, numri dhjetë simbolizon plotësi. Solomoni po thotë se mençuria të mbron më shumë sesa një numër i plotë luftëtarësh mund të mbrojnë një qytet.
10:15—Në ç’kuptim «mundi i lodh budallenjtë»? Nëse dikush nuk ka gjykim të mirë, nga mundi i tij nuk rezulton asgjë me vlerë të vërtetë. Ai nuk gjen asnjë kënaqësi nga mundi i tij. Një rraskapitje e tillë vetëm sa e lodh.
11:7, 8—Ç’do të thotë pohimi: «E ëmbël është drita dhe gjë e mirë është të shohim diellin.» Drita dhe dielli janë për kënaqësinë e të gjallëve. Solomoni po thotë këtu se është mirë të jemi gjallë dhe se ne duhet ‘të gëzojmë’ përpara se ditët e errësirës ose të pleqërisë të na i rrëmbejnë fuqitë.
11:10—Pse «rinia dhe pranvera e jetës janë» kotësi? Po të mos përdoren siç duhet, këto janë kotësi, sepse ashtu si avulli, ditët e fuqisë rinore kalojnë shpejt.
Mësime për ne:
7:6. E qeshura në një çast të papërshtatshëm është po aq acaruese dhe e pavlerë, sa kërcitja e gjembave që digjen nën një kazan. Duhet ta shmangim një të qeshur të tillë.
7:21, 22. Nuk duhet të shqetësohemi tepër për gjërat që thonë të tjerët për ne.
8:2, 3; 10:4. Kur na kritikon ose na korrigjon një përgjegjës ose punëdhënës, është e mençur të ruajmë qetësinë. Kjo është më mirë se ‘të nxitojmë të ikim nga prania e tij’, domethënë, të lëmë me nxitim punën.
8:8; 9:5-10, 12. Jeta jonë mund të marrë fund po aq papritur sa peshqit që zihen në një rrjetë ose zogjtë që kapen në grackë. Për më tepër, askush nuk mund ta ndalë forcën e jetës që të mos largohet kur njeriu vdes, dhe askush nuk mund t’i shpëtojë këtij armiku të njerëzimit, vdekjes. Prandaj nuk duhet ta humbim kohën kot. Jehovai do që ta vlerësojmë jetën dhe ta jetojmë atë në një mënyrë të shëndetshme. Që ta bëjmë këtë, duhet ta vëmë shërbimin ndaj Jehovait në vend të parë në jetë.
8:16, 17. Nuk mund të arrijmë të kuptojmë gjithçka që ka bërë Perëndia dhe që ka lejuar të ndodhë mes njerëzve, edhe sikur të mos vëmë gjumë në sy duke vrarë mendjen. Shqetësimi për gjithë padrejtësitë që janë bërë, vetëm sa do të na heqë kënaqësinë në jetë.
9:16-18. Mençuria duhet vlerësuar edhe atëherë kur shumica nuk e çmon atë. Fjalët e të mençurit, të thëna qetësisht, pëlqehen më shumë se britmat e zhurmshme të budallait.
10:1. Duhet të kemi kujdes për fjalët dhe veprimet tona. Vetëm një pakujdesi, si për shembull, një shpërthim zemërimi, një rast i vetëm i keqpërdorimit të alkoolit ose një ndodhi që përfshin sjellje seksuale jo të dëlirë, mjafton për të prishur emrin e mirë të një njeriu të respektuar.
10:5-11. Nuk duhet pasur zili një njeri jo i zoti që ka një pozitë të lartë. Paaftësia për të kryer sikur edhe një detyrë të thjeshtë mund të ketë pasoja të këqija. Por zhvillimi i aftësisë ‘për të përdorur mençurinë me sukses’, është dobiprurës. Sa e rëndësishme është që të bëhemi të aftë në veprën e predikimit të Mbretërisë dhe të bërjes së dishepujve!
11:1, 2. Duhet ta bëjmë zakon që të tregojmë bujari me gjithë zemër. Kjo i bën edhe të tjerët të tregojnë bujari.—Luka 6:38.
11:3-6. Pasiguritë e jetës nuk duhet të na bëjnë të pavendosur.
11:9; 12:1-7. Të rinjtë do t’i japin llogari Jehovait. Prandaj duhet t’i përdorin kohën dhe energjitë në shërbim të Jehovait, para se mosha e thyer t’ua rrëmbejë fuqitë.
«FJALËT E TË MENÇURVE» JANË PËR TË NA DREJTUAR
Si duhet t’i konsiderojmë ‘fjalët e këndshme’ të cilat kërkoi t’i gjente e t’i shkruante ai që mbledh popullin? Ndryshe nga ‘librat e shumtë’ me mençuri njerëzore, «fjalët e të mençurve janë si hostenë qesh dhe si gozhdë të ngulura janë ata që jepen pas mbledhjes së thënieve të urta; ato janë dhënë nga një bari i vetëm». (Eklisiastiu 12:10-12) Fjalët e mençura që janë dhënë nga «një bari i vetëm», nga Jehovai, na japin qëndrueshmëri në jetë.
Zbatimi i këshillave të mençura që gjenden në librin e Eklisiastiut, do të na ndihmojë vërtet që të bëjmë një jetë domethënëse dhe të lumtur. Për më tepër, na jepet kjo siguri: «Atyre që i frikësohen Perëndisë së vërtetë do t’u dalë për mirë.» Prandaj, le të jemi të patundur në vendosmërinë tonë që ‘t’i frikësohemi Perëndisë së vërtetë dhe të përmbushim urdhërimet e tij’!—Eklisiastiu 8:12; 12:13.
[Figura në faqen 15]
Një nga veprat më të bukura të Perëndisë do të bëhet realitet në kohën e duhur
[Figura në faqen 16]
Dhuratat e Perëndisë përfshijnë të hamë, të pimë dhe të shohim të mira për gjithë mundin tonë