Kapitulli tre
«I zgjedhuri im, të cilin shpirti im e ka miratuar!»
1, 2. Pse kapitulli 42 i Isaisë është me interes për të krishterët sot?
«‘JU JENI dëshmitarët e mi,—është thënia e Jehovait,—po, shërbëtori im që unë e kam zgjedhur.’» (Isaia 43:10) Kjo deklaratë e Jehovait, e regjistruar nga profeti Isaia në shekullin e tetë p.e.s., tregon se populli i lashtë me të cilin Jehovai kishte bërë një besëlidhje, ishte një komb dëshmitarësh. Ai ishte shërbëtori i zgjedhur i Perëndisë. Rreth 2.600 vjet më vonë, në vitin 1931, të krishterët e mirosur shpallën publikisht se këto fjalë zbatoheshin për ta. Ata morën emrin Dëshmitarët e Jehovait dhe si shërbëtori tokësor i Perëndisë pranuan me gjithë zemër përgjegjësitë që sillte kjo gjë.
2 Dëshmitarët e Jehovait dëshirojnë fort t’i pëlqejnë Perëndisë. Për këtë arsye, kapitulli 42 i librit të Isaisë është me shumë interes për secilin prej tyre, pasi paraqet portretin e një shërbëtori të cilin Jehovai e miraton dhe atë të një shërbëtori të cilin ai e hedh poshtë. Duke shqyrtuar këtë profeci dhe përmbushjen e saj, do të fitojmë gjykim të thellë lidhur me atë që çon në miratimin e Perëndisë, si edhe lidhur me atë që çon në mosmiratimin e tij.
«Kam vënë në të frymën time»
3. Çfarë profetizon Jehovai nëpërmjet Isaisë për ‘shërbëtorin e tij’?
3 Nëpërmjet Isaisë, Jehovai profetizon ardhjen e një shërbëtori të cilin do ta zgjedhë ai vetë: «Ja, shërbëtori im, të cilin e mbaj fort! I zgjedhuri im, të cilin shpirti im e ka miratuar! Kam vënë në të frymën time. Ai do të nxjerrë drejtësinë para kombeve. Nuk do të thërrasë ose nuk do ta ngrejë zërin dhe nuk do ta lërë zërin e tij të dëgjohet në rrugë. Nuk do ta thyejë kallamin e shtypur, dhe sa për fitilin e lirit me dritë të zbehtë, nuk do ta fikë. Me vërtetësi do të nxjerrë drejtësinë. Ai nuk do të zbehet dhe as do të thyhet derisa të vendosë drejtësinë në tokë, dhe ishujt do të qëndrojnë në pritje për ligjin e tij.»—Isaia 42:1-4.
4. Kush është «i zgjedhuri» i parathënë dhe si e dimë këtë?
4 Kush është Shërbëtori për të cilin flitet këtu? Nuk jemi lënë në mëdyshje. Këto fjalë i gjejmë të cituara në Ungjillin e Mateut dhe zbatohen për Jezu Krishtin. (Mateu 12:15-21) Jezui është Shërbëtori i dashur, «i zgjedhuri». Kur e vendosi Jehovai frymën e tij mbi Jezuin? Në vitin 29 të e.s., kur Jezui u pagëzua. Dokumentimi i frymëzuar e përshkruan atë pagëzim dhe thotë se pasi Jezui doli nga uji, «qielli u hap dhe fryma e shenjtë me trajtë trupore porsi një pëllumb zbriti mbi të dhe nga qielli erdhi një zë: ‘Ti je Biri im, i dashuri; unë të kam miratuar’». Në këtë mënyrë Jehovai e identifikoi personalisht Shërbëtorin e tij të dashur. Shërbimi që Jezui kreu më pas dhe veprat e tij të mrekullueshme vërtetuan se fryma e Jehovait ishte me të vërtetë mbi të.—Luka 3:21, 22; 4:14-21; Mateu 3:16, 17.
«Ai do të nxjerrë drejtësinë para kombeve»
5. Pse në shekullin e parë të e.s. ishte e nevojshme të bëhej e qartë se ç’është drejtësia?
5 I Zgjedhuri i Jehovait duhej të ‘nxirrte’ ose të bënte të dukshme, drejtësinë e vërtetë. «Ai do t’u bëjë të qartë kombeve se ç’është drejtësia.» (Mateu 12:18) Sa e nevojshme ishte kjo në shekullin e parë të e.s.! Udhëheqësit fetarë judenj u mësonin të tjerëve një pikëpamje të shtrembëruar për drejtësinë dhe të drejtën. Ata kërkonin ta arrinin drejtësinë duke ndjekur një kod të ngurtë ligjesh, shumicën e të cilave i kishin sajuar vetë. Në drejtësinë e tyre që bazohej në një zbatim strikt të ligjeve, s’kishte vend për mëshirë dhe dhembshuri.
6. Në cilat mënyra e bëri të njohur Jezui drejtësinë e vërtetë?
6 Në kontrast me këtë, Jezui zbuloi pikëpamjen e Perëndisë për drejtësinë. Me anë të mësimeve të tij dhe mënyrës së të jetuarit, Jezui tregoi se drejtësia e vërtetë është e dhembshur dhe e mëshirshme. Shqyrtoni, për shembull, Predikimin e tij të famshëm në mal. (Mateu, kapitujt 5-7) Çfarë shpjegimi mjeshtëror i mënyrës se si duhen ushtruar drejtësia dhe e drejta! Kur lexojmë tregimet e ungjijve, a nuk prekemi nga dhembshuria e Jezuit për të varfrit dhe të munduarit? (Mateu 20:34; Marku 1:41; 6:34; Luka 7:13) Ai ua shpalli mesazhin ngushëllues shumë njerëzve të keqtrajtuar që ishin si një kallam i thyer e i përkulur. Ashtu si një fitil liri që digjet në vetvete, shkëndijës së fundit të jetës së tyre pothuajse i ishte zënë fryma. Jezui as e theu «kallamin e shtypur» dhe as e fiku «fitilin e lirit me dritë të zbehtë». Përkundrazi, fjalët dhe veprat e tij që pasqyronin dashuri e dhembshuri, u dhanë zemër personave zemërbutë.—Mateu 11:28-30.
7. Pse profecia mundi të thotë se Jezui nuk ‘do të thërriste ose nuk do ta ngrinte zërin në rrugë’?
7 Megjithatë, pse thotë profecia se Jezui nuk ‘do të thërriste ose nuk do ta ngrinte zërin dhe nuk do ta linte zërin e tij të dëgjohej në rrugë’? Sepse, ndryshe nga shumë njerëz në kohën e tij, ai nuk e reklamoi veten me mburrje. (Mateu 6:5) Pasi shëroi një të lebrosur, i tha atij: «Shiko të mos i tregosh gjë njeriu.» (Marku 1:40-44) Në vend që të kërkonte të binte në sy dhe që njerëzit të arrinin në përfundime në bazë të atyre që thuheshin, Jezui donte që ata ta kuptonin vetë, në bazë të dëshmive të forta, që ai ishte Krishti, Shërbëtori i mirosur i Jehovait.
8. (a) Në ç’mënyrë e nxori Jezui «drejtësinë para kombeve»? (b) Çfarë na mëson për drejtësinë ilustrimi i Jezuit rreth samaritanit miqësor?
8 Shërbëtori i Zgjedhur duhej ta nxirrte «drejtësinë para kombeve». Jezui e bëri këtë. Përveçse theksoi natyrën e dhembshur të drejtësisë hyjnore, Jezui mësoi se ajo duhej t’i përfshinte të gjithë njerëzit. Në një rast, Jezui i kujtoi një eksperti të Ligjit se duhej të donte Perëndinë dhe të afërmin e tij. Burri e pyeti Jezuin: «Kush është në të vërtetë i afërmi im?» Ndoshta ai priste që Jezui të përgjigjej: «Judenjtë e tjerë.» Por Jezui tregoi shëmbëlltyrën e samaritanit miqësor. Në shëmbëlltyrë, një samaritan i erdhi në ndihmë një burri të cilin e kishin sulmuar papritur kusarët, ndërkohë që një levit dhe një prift nuk kishin pranuar ta ndihmonin. Ekspertit të Ligjit iu desh të pranonte se në këtë rast, i afërmi ishte samaritani i përçmuar dhe jo leviti ose prifti. Jezui e mbylli ilustrimin e tij me këshillën: «Shko e bëj njëlloj edhe ti.»—Luka 10:25-37; Levitiku 19:18.
«Ai nuk do të zbehet dhe as do të thyhet»
9. Ç’ndikim do të ketë te ne kuptueshmëria e natyrës së drejtësisë së vërtetë?
9 Meqenëse Jezui e bëri të qartë natyrën e drejtësisë së vërtetë, dishepujt e tij mësuan ta shfaqnin këtë cilësi. Kështu duhet të bëjmë edhe ne. Në radhë të parë, duhet të pranojmë standardet e Perëndisë për të mirën dhe të keqen, përderisa ai ka të drejtën të vendosë se ç’është e drejtë. Ndërsa përpiqemi t’i bëjmë gjërat në mënyrën e Jehovait, sjellja jonë e drejtë do të tregojë në mënyrë të qartë se ç’është drejtësia e vërtetë.—1 Pjetrit 2:12.
10. Pse që të shfaqim drejtësi do të thotë, gjithashtu, të marrim pjesë në veprën e predikimit dhe të mësimit?
10 Shfaqim drejtësi të vërtetë edhe kur marrim pjesë me zell në veprën e predikimit dhe të mësimit. Jehovai ka siguruar me bujari njohuri jetëshpëtuese për veten, Birin dhe qëllimet e tij. (Gjoni 17:3) Nuk do të ishte e drejtë ta mbanim këtë njohuri për vete. «Mos i refuzo të mirën atij që i takon, kur e ke në dorë ta bësh»,—thotë Solomoni. (Proverbat 3:27, Dio) Le ta ndajmë me gjithë zemër atë që dimë për Perëndinë, me të gjithë njerëzit, pavarësisht nga prejardhja e tyre racore, etnike ose kombëtare.—Veprat 10:34, 35.
11. Si duhet t’i trajtojmë të tjerët, duke imituar Jezuin?
11 Gjithashtu, një i krishterë i vërtetë i trajton të tjerët siç i trajtoi Jezui. Shumë njerëz sot hasin probleme shkurajuese dhe kanë nevojë për dhembshuri dhe inkurajim. Edhe disa të krishterë të dedikuar mund të jenë kaq të goditur nga rrethanat e tyre, saqë i ngjajnë një kallami të shtypur ose një fitili liri që digjet në vetvete. A nuk kanë nevojë ata për mbështetjen tonë? (Luka 22:32; Veprat 11:23) Sa freskuese është të jesh pjesë e një shoqërie të krishterësh të vërtetë, të cilët përpiqen të imitojnë Jezuin në ushtrimin e drejtësisë!
12. Pse mund të jemi të sigurt se drejtësia për të gjithë do të bëhet së shpejti realitet?
12 A do të ketë ndonjëherë drejtësi për të gjithë? Në të vërtetë, po! I Zgjedhuri i Jehovait «nuk do të zbehet dhe as do të thyhet derisa të vendosë drejtësinë në tokë». Shumë shpejt, Mbreti i hipur në fron, Jezu Krishti i ringjallur, do të «sjellë hakmarrjen mbi ata që nuk e njohin Perëndinë». (2 Selanikasve 1:6-9; Zbulesa 16:14-16) Sundimi njerëzor do të zëvendësohet nga Mbretëria e Perëndisë. Drejtësia dhe e drejta do të jenë me bollëk. (Proverbat 2:21, 22; Isaia 11:3-5; Danieli 2:44; 2 Pjetrit 3:13) Shërbëtorët e Jehovait, kudo që ndodhen—madje edhe ata në vendet më të largëta, të përfaqësuar nga «ishujt»—e presin atë ditë me padurim.
‘Do ta jap si një dritë të kombeve’
13. Çfarë profetizon Jehovai për Shërbëtorin e tij të Zgjedhur?
13 Isaia vazhdon: «Kjo është ajo që ka thënë Perëndia i vërtetë, Jehovai, Krijuesi i qiejve dhe i Madhi që i shtrin ata; Ai që nden tokën dhe prodhimin e saj, Ai që u jep frymëmarrje njerëzve në të dhe frymë atyre që ecin në të.» (Isaia 42:5) Ç’përshkrim i fuqishëm i Krijuesit Jehova! Ky përkujtues i fuqisë së Jehovait i jep peshë të madhe thënies së tij. Jehovai thotë: «Vetë unë, Jehovai, të kam thirrur në drejtësi dhe pastaj të kapa prej dore. Unë do të të ruaj dhe do të të jap si një besëlidhje të popullit, si një dritë të kombeve, që të hapësh sytë e verbër, të nxjerrësh nga biruca të burgosurin, nga shtëpia e ndalimit ata që ulen në errësirë.»—Isaia 42:6, 7.
14. (a) Çfarë do të thotë fakti që Jehovai kap dorën e Shërbëtorit të tij të miratuar? (b) Çfarë roli luan Shërbëtori i Zgjedhur?
14 Krijuesi i Madh i universit, Dhënësi dhe Mbështetësi i jetës, kap dorën e Shërbëtorit të tij të Zgjedhur dhe premton mbështetje të plotë e të vazhdueshme. Sa siguri që jep kjo gjë! Veç kësaj, Jehovai e ruan atë në mënyrë që ta japë si «një besëlidhje të popullit». Një besëlidhje është një kontratë, një pakt, një premtim solemn. Është një dekret i sigurt. Po, Jehovai e ka bërë Shërbëtorin e tij «një garanci për popullin».—An American Translation.
15, 16. Në ç’mënyrë shërbeu Jezui si një ‘dritë e kombeve’?
15 Si ‘një dritë e kombeve’, Shërbëtori i premtuar do të hapë «sytë e verbër» dhe do të çlirojë «ata që ulen në errësirë». Jezui e bëri këtë. Duke dhënë dëshmi për të vërtetën, Jezui lavdëroi emrin e Atit të tij qiellor. (Gjoni 17:4, 6) Ai demaskoi mësimet e rreme fetare, predikoi lajmin e mirë të Mbretërisë dhe hapi derën drejt lirisë frymore për ata që ishin në robëri fetare. (Mateu 15:3-9; Luka 4:43; Gjoni 18:37) Ai i paralajmëroi njerëzit të ruheshin nga veprat që i përkasin errësirës dhe e demaskoi Satanain si ‘atin e gënjeshtrës’ dhe ‘sundimtarin e kësaj bote’.—Gjoni 3:19-21; 8:44; 16:11.
16 Jezui tha: «Unë jam drita e botës.» Ai provoi se ishte i tillë, në një mënyrë të dallueshme, kur e ofroi jetën e tij të përsosur njerëzore si shpërblesë. Në këtë mënyrë, ai hapi rrugën që ata të cilët ushtrojnë besim të kenë faljen e mëkateve, një marrëdhënie të miratuar me Perëndinë dhe perspektivën e jetës së përhershme. (Mateu 20:28; Gjoni 3:16) Duke mbajtur një devocion hyjnor të përsosur gjatë gjithë jetës së tij, Jezui mbështeti sovranitetin e Jehovait dhe provoi se Djalli është gënjeshtar. Jezui u dha me të vërtetë shikim të verbërve dhe i çliroi ata që janë të burgosur në errësirë frymore.
17. Në cilat mënyra shërbejmë ne si ndriçues?
17 Në Predikimin në Mal, Jezui u tha dishepujve: «Ju jeni drita e botës.» (Mateu 5:14) A nuk jemi edhe ne ndriçues? Me anë të mënyrës sonë të të jetuarit dhe veprës së predikimit, ne kemi privilegjin t’i drejtojmë të tjerët te Jehovai, Burimi i ndriçimit të vërtetë. Duke imituar Jezuin, ne bëjmë të njohur emrin e Jehovait, mbështetim sovranitetin e Tij dhe shpallim Mbretërinë e Tij si shpresa e vetme e njerëzimit. Veç kësaj, si ndriçues ne demaskojmë mësimet e rreme fetare, paralajmërojmë për veprat e papastra që i përkasin errësirës dhe demaskojmë Satanain, të ligun.—Veprat 1:8; 1 Gjonit 5:19.
«Këndojini Jehovait një këngë të re»
18. Çfarë i bën të ditur Jehovai popullit të tij?
18 Tani, Jehovai e drejton vëmendjen te populli i tij, duke thënë: «Unë jam Jehovai. Ky është emri im, dhe lavdinë time nuk do t’ia jap askujt tjetër, as lëvdimin tim shëmbëlltyrave të gdhendura. Gjërat e para, ja, kanë ardhur, por unë po njoftoj gjëra të reja. Para se të fillojnë të mbijnë, ju bëj që t’i dëgjoni.» (Isaia 42:8, 9) Profecinë për ‘shërbëtorin tim’ nuk e shpalli ndonjë perëndi pa vlerë, por i vetmi Perëndi i gjallë e i vërtetë. Ishte e sigurt që do të dilte e vërtetë dhe ashtu ndodhi. Perëndia Jehova është në të vërtetë Autori i gjërave të reja dhe bën që populli i tij t’i dijë ato para se të ndodhin. Si duhet të reagojmë ne?
19, 20. (a) Cila këngë duhet kënduar? (b) Cilët po i këndojnë sot një këngë lavdie Jehovait?
19 Isaia shkruan: «Këndojini Jehovait një këngë të re, lëvdimin e tij nga skaji i tokës, ju burra që zbrisni drejt detit dhe drejt asaj që e mbush atë, ju ishuj dhe ju që banoni në ta. Le ta ngrenë zërin shkretëtira dhe qytetet e saj, ngulimet ku banon Kedari. Le të thërrasin nga gëzimi banorët e shkrepit. Le të thërrasin njerëzit me zë të lartë nga majat e maleve. Le t’i atribuojnë lavdi Jehovait dhe le të tregojnë në ishuj lavdinë e tij.»—Isaia 42:10-12.
20 Banorëve të qyteteve, të fshatrave në shkretëtirë, të ishujve, e madje të «Kedarit» ose të kampeve në vendet e shkreta—pra njerëzve kudo—u bëhet thirrje t’i këndojnë një këngë lavdie Jehovait. Sa emocionuese është që sot kësaj thirrjeje profetike i janë përgjigjur miliona njerëz! Ata e kanë përqafuar të vërtetën e Fjalës së Perëndisë dhe e kanë bërë Jehovain Perëndinë e tyre. Populli i Jehovait po e këndon këtë këngë të re, duke i dhënë lavdi Jehovait, në më shumë se 230 vende. Sa drithëruese është të këndosh në këtë kor që ka në përbërje të tij një larmi kulturash, gjuhësh dhe racash!
21. Pse armiqtë e popullit të Perëndisë nuk mund t’ia dalin ta shuajnë këngën e lavdisë kushtuar Jehovait?
21 A mund t’i kundërvihen Jehovait kundërshtarët dhe ta shuajnë këtë këngë lavdie? E pamundur! «Vetë Jehovai do të dalë si një njeri i fuqishëm. Si një luftëtar do të ngjallë zell. Ai do të bërtasë, po, do të lëshojë një thirrje për luftë; kundër armiqve të tij do të tregohet më i fuqishëm.» (Isaia 42:13) Cila fuqi mund t’i bëjë ballë Jehovait? Rreth 3.500 vjet më parë, profeti Moisi dhe bijtë e Izraelit kënduan: «Jehovai është një luftëtar burrëror. Emri i tij është Jehova. Qerret e faraonit dhe forcat e tij ushtarake i hodhi në det, dhe luftëtarët e tij të zgjedhur janë fundosur në Detin e Kuq.» (Dalja [Eksodi] 15:3, 4) Jehovai doli fitimtar ndaj fuqisë më të madhe ushtarake të asaj kohe. Asnjë armik i popullit të Perëndisë nuk mund të ketë sukses kur Jehovai del si një luftëtar i fuqishëm.
«Kam qëndruar në heshtje për një kohë të gjatë»
22, 23. Përse Jehovai ‘qëndron në heshtje për një kohë të gjatë’?
22 Jehovai është i paanshëm dhe i drejtë, madje edhe kur ekzekuton gjykimet kundër armiqve të tij. Ai thotë: «Kam qëndruar në heshtje për një kohë të gjatë. Kam vazhduar të hesht. Kam vazhduar të ushtroj vetëkontroll. Si një grua që lind do të rënkoj, do të gulçoj dhe do të dihas në të njëjtën kohë. Do të shkretoj male e kodra dhe gjithë bimësinë e tyre do ta thaj. Dhe do t’i kthej lumenjtë në ishuj e do të thaj pellgjet me kallamishte.»—Isaia 42:14, 15.
23 Para se të ndërmarrë një veprim gjyqësor, Jehovai lë që të kalojë kohë, me qëllim që t’u japë keqbërësve një mundësi për t’u larguar nga udhët e tyre të këqija. (Jeremia 18:7-10; 2 Pjetrit 3:9) Shqyrtoni rastin kur, në vitin 607 p.e.s., babilonasit, si fuqia mbizotëruese botërore, shkretojnë Jerusalemin. Jehovai e lejon këtë gjë në mënyrë që t’i disiplinojë izraelitët për shkak të jobesnikërisë së tyre. Megjithatë, babilonasit nuk arrijnë ta kuptojnë rolin që po luajnë. Ata e trajtojnë popullin e Perëndisë shumë më ashpër nga sa kërkon gjykimi i Perëndisë. (Isaia 47:6, 7; Zakaria 1:15) Sa shumë lëndohet Perëndia i vërtetë ndërsa sheh popullin e tij që vuan! Ai nuk ndërmerr veprime deri në kohën e caktuar prej tij. Pastaj, si një grua që po lind, përpiqet fuqimisht për të çliruar popullin me të cilin ka bërë një besëlidhje dhe për të formuar me të një komb të pavarur. Për të kryer këtë, në vitin 539 p.e.s., ai than ujërat e Babilonisë dhe e shkreton atë bashkë me sistemin e saj mbrojtës.
24. Cilën perspektivë vë Jehovai para popullit të tij, Izraelit?
24 Sa i emocionuar duhet të jetë populli i Perëndisë kur, pas kaq shumë vjetësh në mërgim, më në fund i hapet rruga për t’u kthyer në vendin e vet! (2 Kronikave 36:22, 23) Ata duhet të jenë të kënaqur që po përjetojnë përmbushjen e premtimit të Perëndisë: «Do t’i bëj të verbrit të ecin në një rrugë që nuk e kanë njohur; në një rrugë që nuk e kanë njohur do të bëj që të shkelin. Do ta kthej një vend të errët në dritë para tyre dhe terrenin e thyer në vend të rrafshët. Këto janë gjërat që do të bëj për ta dhe nuk do t’i braktis.»—Isaia 42:16.
25. (a) Për çfarë mund të jetë i sigurt populli i Perëndisë sot? (b) Për çfarë duhet të jemi të vendosur?
25 Çfarë zbatimi kanë këto fjalë sot? Po ja, për një kohë të gjatë—për shekuj të tërë—Jehovai i ka lënë kombet të veprojnë si kanë dashur. Megjithatë, koha e tij e caktuar për të ndrequr gjërat është afër. Në kohët moderne, ai ka ngritur një popull për të dhënë dëshmi për emrin e tij. Duke rrafshuar çdo kundërshtim të drejtuar kundër tyre, ai e ka sheshuar rrugën në mënyrë që ata ta adhurojnë «me frymë dhe të vërtetë». (Gjoni 4:24) Ai premtoi se ‘nuk do ta braktiste’ popullin e tij dhe e ka mbajtur fjalën. Ç’të themi për ata që këmbëngulin në adhurimin e perëndive të rreme? Jehovai thotë: «Do të duhet të kthehen mbrapsht, do të ndihen shumë të turpëruar, ata që i besojnë shëmbëlltyrës së gdhendur, ata që i thonë një shëmbëlltyre të derdhur: ‘Ju jeni perënditë tona.’» (Isaia 42:17) Sa jetësore është që t’i qëndrojmë besnikë Jehovait, ashtu si i Zgjedhuri i tij!
‘Një shërbëtor i shurdhër dhe i verbër’
26, 27. Në ç’mënyrë provon Izraeli se është ‘një shërbëtor i shurdhër dhe i verbër’ dhe me çfarë pasojash?
26 Shërbëtori i Zgjedhur i Perëndisë, Jezu Krishti, qëndroi besnik deri në vdekje. Ndërsa, populli i Perëndisë, Izraeli, po tregon se është një shërbëtor jobesnik, i shurdhër dhe i verbër në kuptimin frymor. Duke iu drejtuar atyre, Jehovai thotë: «Dëgjoni, ju të shurdhër, dhe hapni sytë për të parë, ju të verbër. Kush është i verbër, në mos shërbëtori im, dhe kush është i shurdhër si lajmëtari im që dërgoj? Kush është i verbër si i shpërblyeri ose i verbër si shërbëtori i Jehovait? Ishte një rast për të parë shumë gjëra, por nuk vazhdove të shikoje. Ishte një rast për të hapur veshët, por nuk vazhdove të dëgjoje. Vetë Jehovai, për shkak të drejtësisë së tij, është kënaqur ta madhërojë ligjin dhe ta bëjë madhështor.»—Isaia 42:18-21.
27 Në ç’mënyrë të vajtueshme ka dështuar Izraeli! Populli i tij devijon në mënyrë të përsëritur duke adhuruar perënditë-demonë të kombeve. Jehovai vazhdon t’i dërgojë lajmëtarët e tij përsëri e përsëri, por populli i tij nuk ua vë veshin. (2 Kronikave 36:14-16) Isaia parathotë pasojat: «Është një popull i plaçkitur dhe i zhvatur, të gjithë të zënë në grackë nëpër vrima dhe të mbajtur të fshehur në shtëpitë e ndalimit. Janë bërë plaçkë pa pasur asnjë që t’i çlirojë, gjë e zhvatur pa pasur asnjë që të thotë: ‘Ktheje!’» Cili nga ju do t’i vërë veshin kësaj? Cili do të kushtojë vëmendje dhe do të dëgjojë për kohët e mëvonshme? Kush e ka dhënë Jakobin thjesht për t’u zhvatur dhe kush ia ka dhënë Izraelin plaçkitësve? A nuk është Jehovai, Ai kundër të cilit kemi mëkatuar, në rrugët e të cilit ata nuk donin të ecnin dhe ligjin e të cilit nuk e dëgjuan? Kështu Ai derdhi mbi të tërbimin, zemërimin e tij dhe forcën e luftës. Dhe ajo vazhdoi ta përpinte përreth, por ai nuk e vërejti, dhe vazhdonte të ndizej kundër tij, por ai nuk mori asgjë seriozisht në zemër të tij».—Isaia 42:22-25.
28. (a) Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i banorëve të Judës? (b) Si ta kërkojmë miratimin e Jehovait?
28 Për shkak të jobesnikërisë së banorëve të saj, në vitin 607 p.e.s., Jehovai lejon që vendi i Judës të plaçkitet dhe të zhvatet. Babilonasit djegin tempullin e Jehovait, shkretojnë Jerusalemin dhe i marrin judenjtë robër. (2 Kronikave 36:17-21) Le ta marrim seriozisht këtë shembull paralajmërues dhe kurrë të mos e bëjmë një vesh të shurdhër lidhur me udhëzimet e Jehovait ose një sy qorr lidhur me Fjalën e tij të shkruar. Në vend të kësaj, le të kërkojmë miratimin e Jehovait duke imituar Jezu Krishtin, Shërbëtorin që vetë Jehovai e miratoi. Ashtu si Jezui, le ta bëjmë të njohur drejtësinë e vërtetë me anë të asaj që themi dhe bëjmë. Në këtë mënyrë do të mbetemi pjesë e popullit të Jehovait, duke shërbyer si ndriçues që lavdërojnë Perëndinë e vërtetë dhe i japin lavdi.
[Figurat në faqen 33]
Drejtësia e vërtetë është e dhembshur dhe e mëshirshme
[Figura në faqen 34]
Në shëmbëlltyrën e samaritanit miqësor, Jezui tregoi se drejtësia e vërtetë i përfshin të gjithë njerëzit
[Figurat në faqen 36]
Duke qenë inkurajues dhe duke treguar mirësi, ushtrojmë drejtësi hyjnore
[Figurat në faqen 39]
Nëpërmjet veprës sonë të predikimit, shfaqim drejtësi hyjnore
[Figura në faqen 40]
Shërbëtori i miratuar ishte dhënë ‘si një dritë e kombeve’