Kapitulli gjashtëmbëdhjetë
Një mesazh shprese për robërit zemërlëshuar
1. Përshkruani situatën e judenjve të mërguar në Babiloni.
ISHTE një periudhë e errët në historinë e Judës. Populli me të cilin Perëndia kishte bërë një besëlidhje ishte marrë me forcë nga vendi i tij dhe tani po lëngonte në robëri në Babiloni. Duhet pranuar se atyre u ishte dhënë njëfarë lirie për të kryer veprimtaritë e tyre të përditshme. (Jeremia 29:4-7) Disa mësuan zanate ose u morën me tregti.a (Nehemia 3:8, 31, 32) Megjithatë, jeta nuk ishte e lehtë për judenjtë e robëruar. Ata ishin në skllavëri, si në kuptimin fizik, ashtu edhe në atë frymor. Le të shikojmë se si.
2, 3. Në ç’mënyrë ndikoi mërgimi në adhurimin që i bënin judenjtë Jehovait?
2 Kur shkatërruan Jerusalemin në vitin 607 p.e.s., forcat ushtarake babilonase bënë më shumë sesa thjesht shkretuan një komb; i dhanë një goditje edhe adhurimit të vërtetë. Ato zhvatën dhe shkatërruan tempullin e Jehovait, dëmtuan rregullimin e priftërisë duke i marrë disa nga fisi i Levit në robëri dhe duke i vrarë të tjerët. Pa një shtëpi adhurimi, pa altar dhe pa priftëri të organizuar, ishte e pamundur që judenjtë t’i paraqitnin flijime Perëndisë së vërtetë siç përcaktohej në Ligj.
3 Judenjtë besnikë mund ta ruanin ende identitetin e tyre fetar duke praktikuar rrethprerjen dhe duke ndjekur Ligjin deri në atë masë që ishte e mundur. Për shembull, mund të mos hanin ushqimet e ndaluara dhe mund të respektonin sabatin. Por, duke vepruar kështu, rrezikonin të talleshin nga robëruesit e tyre, pasi babilonasit i shihnin ritet fetare të judenjve si marrëzi. Që të mërguarit ishin zemërlëshuar mund të kuptohet nga fjalët e psalmistit: «Atje, pranë lumenjve të Babilonisë, rrinim ulur dhe qanim, duke kujtuar Sionin; mbi shelgjet e kësaj toke kishim varur qestet tona. Atje, ata që na kishin çuar në robëri, na kërkonin fjalët e një kënge, po, ata që na shtypnin kërkonin këngë gëzimi, duke thënë: ‘Na këndoni një këngë të Sionit.’»—Psalmi 137:1-3, Dio.
4. Pse do të ishte e kotë që judenjtë ta pritnin çlirimin nga kombet e tjera, por kujt mund t’i drejtoheshin për ndihmë?
4 Kujt do t’i drejtoheshin, pra, judenjtë e robëruar për ngushëllim? Nga do të vinte shpëtimi i tyre? Sigurisht, jo nga ndonjë prej kombeve përreth. Të gjithë ishin të pafuqishëm para forcave ushtarake të Babilonisë dhe shumë nuk i kishin për zemër judenjtë. Por gjendja nuk ishte e pashpresë. Jehovai, ai kundër të cilit u rebeluan kur ishin një popull i lirë, ndonëse ishin në mërgim, në mënyrë të mëshirshme u bëri një ftesë.
«Ejani tek uji»
5. Ç’domethënie kanë fjalët «ejani tek uji»?
5 Nëpërmjet Isaisë, Jehovai u flet në mënyrë profetike judenjve të robëruar në Babiloni: «Ej, të gjithë ju të etur! Ejani tek uji. Edhe ata që nuk kanë para! Ejani, blini dhe hani. Po, ejani, blini verë dhe qumësht, madje, pa para dhe pa çmim.» (Isaia 55:1) Këto fjalë përmbajnë një simbolikë të pasur. Le të marrim, për shembull, ftesën: «Ejani tek uji.» Pa ujë, jeta është e pamundur. Pa këtë lëng të çmuar, ne njerëzit mund të mbijetojmë, pak a shumë, vetëm për një javë. Prandaj, është e përshtatshme që Jehovai e përdor ujin si metaforë për efektin që do të kenë fjalët e tij te judenjtë e robëruar. Mesazhi i tij do t’i freskojë, si një pije e ftohtë në një ditë të nxehtë. Do t’i japë fund gjendjes së tyre të dëshpëruar mendore, duke shuar etjen e tyre për vërtetësi dhe drejtësi. Do t’i mbushë ata me shpresën e çlirimit nga robëria. Sidoqoftë, për të nxjerrë dobi, judenjtë e mërguar do të duhet të pijnë nga mesazhi i Perëndisë, domethënë, t’i kushtojnë vëmendje dhe të veprojnë në përputhje me të.
6. Si do të nxjerrin dobi judenjtë nëse blejnë «verë dhe qumësht»?
6 Jehovai ofron, gjithashtu, «verë dhe qumësht». Qumështi i forcon trupat e rinj dhe i ndihmon fëmijët të rriten. Në mënyrë të ngjashme, fjalët e Jehovait do ta forcojnë frymësisht popullin e tij dhe do t’i japin mundësi të forcojë marrëdhënien me të. Por, ç’të themi për verën? Vera përdoret shpesh në raste festash. Në Bibël ajo lidhet me begatinë dhe gëzimin. (Psalmi 104:15) Duke i thënë popullit të tij të ‘blejë verë’, Jehovai po e siguron se rikthimi me gjithë zemër në adhurimin e vërtetë do ta bëjë ‘shumë të kënaqur’.—Ligji i përtërirë 16:15, Dio; Psalmi 19:8; Proverbat 10:22.
7. Pse dhembshuria e Jehovait ndaj judenjve është e jashtëzakonshme dhe çfarë na mëson kjo rreth tij?
7 Sa i mëshirshëm që tregohet Jehovai duke u ofruar një freskim të tillë judenjve të robëruar! Dhembshuria e tij bëhet edhe më e jashtëzakonshme kur kujtojmë historinë e kryeneçësisë dhe të rebelimit të judenjve. Ata nuk e meritojnë miratimin e Jehovait. Megjithatë, shekuj më parë, psalmisti David shkroi: «Zoti është i mëshirshëm dhe zemërbutë, i ngadalshëm në zemërim dhe i madh në mirësi. Ai nuk grindet përjetë dhe nuk e ruan zemërimin gjithnjë.» (Psalmi 103:8, 9, Dio) Në vend që të ndërpresë marrëdhënien me popullin e tij, Jehovai po hedh hapin e parë drejt pajtimit. Vërtet, ai është një Perëndi që «i pëlqen të jetë i mëshirshëm».—Mikea 7:18, Dio.
Tregojnë besim aty ku s’duhet
8. Kujt i kanë besuar shumë nga judenjtë dhe kundrejt cilit paralajmërim?
8 Deri tani, shumë judenj nuk kanë besuar plotësisht te Jehovai për shpëtim. Para rënies së Jerusalemit, për shembull, sundimtarët e tij iu drejtuan kombeve të fuqishme për mbështetje, duke u kurvëruar, si të thuash, me Egjiptin, e po ashtu edhe me Babiloninë. (Ezekieli 16:26-29; 23:14) Me të drejtë, Jeremia i paralajmëroi: «Mallkuar qoftë njeriu që ka besim te njeriu dhe e bën nga mishi krahun e tij, dhe zemra e të cilit largohet nga Zoti!» (Jeremia 17:5, Dio) Prapëseprapë, kjo ishte pikërisht ajo që bëri populli i Perëndisë.
9. Si mund të jenë shumë judenj duke ‘paguar para për diçka që nuk është bukë’?
9 Tani ata janë skllevër të njërit prej atyre kombeve të cilëve u kishin besuar. A kanë nxjerrë mësim nga kjo? Shumë prej tyre, ka të ngjarë që jo, sepse Jehovai pyet: «Pse vazhdoni të paguani para për diçka që nuk është bukë dhe pse mundi juaj shkon për diçka që nuk të ngop?» (Isaia 55:2a) Nëse judenjtë e mërguar po i besojnë dikujt tjetër në vend të Jehovait, atëherë po ‘paguajnë para për diçka që nuk është bukë’. Sigurisht, Babilonia nuk ka për t’i çliruar, pasi politika e saj është që të mos i lejojë kurrë robërit të kthehen në vendin e tyre. Në të vërtetë, Babilonia, me imperializmin, komercializmin dhe adhurimin e saj të rremë, nuk ka asgjë për t’u dhënë judenjve të mërguar.
10. (a) Si do t’i shpërblejë Jehovai judenjtë e mërguar, nëse do ta dëgjojnë? (b) Ç’besëlidhje kishte bërë Jehovai me Davidin?
10 Jehovai i bën thirrje popullit të tij: «Më dëgjoni me kujdes dhe hani atë që është e mirë, e le të gjejë shpirti juaj kënaqësi të këndshme në vetë dhjamin. Prireni veshin dhe ejani tek unë. Dëgjoni, e shpirti juaj do të vazhdojë të jetojë dhe unë do të përfundoj me gatishmëri me ju një besëlidhje që zgjat pafundësisht, lidhur me dashamirësitë ndaj Davidit, të cilat janë të besueshme.» (Isaia 55:2b, 3) E vetmja shpresë për këta njerëz të kequshqyer frymësisht është Jehovai, i cili po u flet në mënyrë profetike nëpërmjet Isaisë. Jeta e tyre varet nga dëgjimi i mesazhit të Perëndisë pasi ai thotë se, duke vepruar kështu, ‘shpirti i tyre do të vazhdojë të jetojë’. Por, ç’është ‘besëlidhja që zgjat pafundësisht’, të cilën Jehovai do ta lidhë me ata që i përgjigjen thirrjes së tij? Ajo është një besëlidhje «lidhur me dashamirësitë ndaj Davidit». Shekuj më parë, Jehovai i premtoi Davidit se froni i tij do të ishte ‘i qëndrueshëm për gjithnjë’. (2 Samuelit 7:16, Dio) Prandaj, ‘besëlidhja që zgjat pafundësisht’ e përmendur në këtë rast ka të bëjë me sundimin.
Një trashëgimtar i qëndrueshëm për një Mbretëri të përhershme
11. Pse të mërguarve në Babiloni mund t’u duket e pamundur përmbushja e premtimit që Perëndia i bëri Davidit?
11 Pa dyshim që ideja e sundimit sipas linjës së Davidit mund t’u duket e pamundur atyre judenjve të mërguar. Ata kanë humbur vendin e, madje, edhe kombësinë e tyre. Megjithatë, kjo është vetëm diçka e përkohshme. Jehovai nuk e ka harruar besëlidhjen e tij me Davidin. Pavarësisht se sa e pamundur duket nga një këndvështrim njerëzor, qëllimi i Perëndisë lidhur me një Mbretëri të përhershme sipas linjës së Davidit do të realizohet. Por, si dhe kur? Në vitin 537 p.e.s., Jehovai e çliron popullin e tij nga robëria babilonase dhe e rikthen në vendin e tij. A sjell kjo gjë formimin e një mbretërie me kohëzgjatje të pafundme? Jo, ata vazhdojnë të jenë të nënshtruar ndaj një perandorie tjetër pagane, Medo-Persisë. «Kohët e caktuara», gjatë të cilave duhet të sundojnë kombet, nuk kanë mbaruar ende. (Luka 21:24) Duke mos pasur një mbret në Izrael, premtimi që Jehovai i bëri Davidit do të mbetet i papërmbushur për shekuj.
12. Çfarë hapi ndërmori Jehovai drejt përmbushjes së besëlidhjes së Mbretërisë që kishte bërë me Davidin?
12 Më shumë se 500 vjet pas çlirimit të Izraelit nga robëria babilonase, Jehovai ndërmori një hap të rëndësishëm drejt përmbushjes së besëlidhjes së Mbretërisë, kur e zhvendosi jetën e Birit të tij të parëlindur, fillimit të veprës së tij krijuese, nga lavdia qiellore në barkun e Marisë, një virgjëreshe judeje. (Kolosianëve 1:15-17) Kur shpalli këtë ngjarje, engjëlli i Jehovait i tha Marisë: «Ky do të jetë i madh dhe do të quhet Bir i Më të Lartit; dhe Perëndia Jehova do t’i japë fronin e Davidit, atit të tij, dhe ai do të sundojë si mbret përgjithmonë mbi shtëpinë e Jakobit dhe mbretëria e tij s’do të ketë fund.» (Luka 1:32, 33) Kështu, Jezui lindi në linjën mbretërore të Davidit dhe trashëgoi të drejtën e sundimit si mbret. Pasi të hipte në fron, Jezui do të sundonte «deri në kohë të pakufishme». (Isaia 9:7; Danieli 7:14) Në këtë mënyrë, ishte hapur rruga për përmbushjen e premtimit shekullor të Jehovait për t’i dhënë mbretit David një trashëgimtar të qëndrueshëm.
«Komandant për grupet kombëtare»
13. Në ç’mënyrë ishte Jezui «dëshmitar për grupet kombëtare», si gjatë shërbimit të tij, ashtu edhe pas ngjitjes në qiell?
13 Çfarë do të bëjë ky mbret i ardhshëm? Jehovai thotë: «Ja, e kam dhënë si dëshmitar për grupet kombëtare, si udhëheqës dhe komandant për grupet kombëtare.» (Isaia 55:4) Kur u rrit, Jezui ishte përfaqësuesi i Jehovait në tokë, dëshmitari i Perëndisë për kombet. Gjatë jetës së tij si njeri, shërbimi i Jezuit kishte si objektiv «delet e humbura të shtëpisë së Izraelit». Por, pak para ngjitjes në qiell, Jezui u tha ithtarëve të tij: «Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga njerëz të të gjitha kombeve . . . Ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në përfundimin e sistemit.» (Mateu 10:5, 6; 15:24; 28:19, 20) Kështu, me kalimin e kohës, mesazhi i Mbretërisë u çua te jojudenjtë dhe disa prej tyre u përfshinë në përmbushjen e besëlidhjes së bërë me Davidin. (Veprat 13:46) Në këtë mënyrë, edhe pas vdekjes, ringjalljes dhe ngjitjes në qiell, Jezui vazhdoi të ishte ‘dëshmitari [i Jehovait] për grupet kombëtare’.
14, 15. (a) Si tregoi Jezui se ishte «udhëheqës dhe komandant»? (b) Cilën perspektivë gëzonin ithtarët e Jezuit në shekullin e parë?
14 Jezui duhej të ishte, po ashtu, «udhëheqës dhe komandant». Në përmbushje të këtij përshkrimi profetik, kur ishte në tokë, Jezui i pranoi plotësisht përgjegjësitë e pozitës së tij si udhëheqës dhe mori drejtimin në çdo fushë, duke bërë për vete turma të stërmëdha, duke u mësuar të vërtetën dhe duke u treguar dobitë që nxjerrin ata që ndjekin udhëheqjen e tij. (Mateu 4:24; 7:28, 29; 11:5) Ai i stërviti me efektshmëri dishepujt e tij, duke i përgatitur për të marrë përsipër fushatën e predikimit që shtrihej përpara. (Luka 10:1-12; Veprat 1:8; Kolosianëve 1:23) Vetëm brenda tre vjetësh e gjysmë, Jezui hodhi themelet për krijimin e një kongregacioni ndërkombëtar e të bashkuar, me mijëra pjesëtarë nga të gjitha kombet. Vetëm një «udhëheqës dhe komandant» i vërtetë mund ta kishte kryer një detyrë të tillë madhështore.b
15 Ata që u mblodhën në kongregacionin e shekullit të parë u mirosën me frymën e shenjtë të Perëndisë dhe patën perspektivën të bëheshin bashkësundimtarë me Jezuin në Mbretërinë e tij qiellore. (Zbulesa 14:1) Megjithatë, profecia e Isaisë e drejton vëmendjen përtej krishterimit të hershëm. Dëshmitë tregojnë se Jezu Krishti nuk filloi të sundonte si mbret i Mbretërisë së Perëndisë deri në vitin 1914. Pak kohë më pas, ndërmjet të krishterëve të mirosur në tokë u krijua një gjendje e cila pati shumë paralele me atë të judenjve të mërguar në shekullin e gjashtë p.e.s. Në fakt, ajo që u ndodhi atyre të krishterëve përbën një përmbushje më të madhe të profecisë së Isaisë.
Robëri dhe çlirim në kohët moderne
16. Cila situatë e vështirë e pasoi kurorëzimin e Jezuit në fron, në vitin 1914?
16 Kurorëzimi i Jezuit në fron si Mbret në vitin 1914 u karakterizua nga një gjendje e vështirë botërore, e papërjetuar ndonjëherë. Pse? Sepse me t’u bërë Mbret, Jezui dëboi Satanain dhe krijesat e tjera të liga frymore nga qielli. Pasi u kufizua në tokë, Satanai filloi të luftonte kundër të shenjtëve që kishin mbetur, domethënë, kundër mbetjes së të krishterëve të mirosur. (Zbulesa 12:7-12, 17) Kjo luftë arriti kulmin në vitin 1918, kur vepra e predikimit publik pothuajse u ndërpre dhe zyrtarët përgjegjës të Shoqatës Watch Tower u burgosën nën akuza të rreme për nxitje kryengritjeje. Në këtë mënyrë, shërbëtorët modernë të Jehovait ranë në një robëri frymore, e cila të sjell ndër mend robërinë fizike të judenjve të lashtë. Mbi ta ra një poshtërim i madh.
17. Si ndryshoi situata e të mirosurve në vitin 1919 dhe si u forcuan më pas ata?
17 Megjithatë, robëria e shërbëtorëve të mirosur të Perëndisë nuk zgjati për shumë kohë. Më 26 mars të vitit 1919, zyrtarët e burgosur u liruan dhe më vonë u hodhën poshtë të gjitha akuzat që ishin ngritur kundër tyre. Jehovai derdhi frymën e shenjtë mbi popullin e tij të liruar, duke e forcuar për veprën që e priste përpara. Ata iu përgjigjën me gëzim ftesës për të «marrë falas ujin e jetës». (Zbulesa 22:17) Blenë «verë dhe qumësht, madje pa para dhe pa çmim» dhe u forcuan frymësisht për një zgjerim të mrekullueshëm që dukej në horizont, një zgjerim që mbetja e mirosur nuk e kishte parashikuar.
Një shumicë e madhe rend drejt të mirosurve të Jehovait
18. Cilat janë dy grupet që ekzistojnë mes dishepujve të Jezu Krishtit dhe çfarë formojnë ato sot?
18 Dishepujt e Jezuit kanë një nga dy shpresat që jep Perëndia. Së pari, është mbledhur një «kope e vogël» prej 144.000 vetash—të krishterët e mirosur si me prejardhje judeje, ashtu edhe me prejardhje nga kombet e tjera—të cilët formojnë «Izraelin e Perëndisë» dhe kanë shpresën për të sunduar me Jezuin në Mbretërinë e tij qiellore. (Luka 12:32; Galatasve 6:16; Zbulesa 14:1) Së dyti, në ditët e fundit është shfaqur një «shumicë e madhe» ‘delesh të tjera’. Këta kanë shpresën për të jetuar përgjithmonë në një tokë parajsore. Para shpërthimit të shtrëngimit të madh, kjo shumicë e madhe—numri i së cilës nuk është i paracaktuar—shërben përkrah kopesë së vogël dhe të dyja grupet formojnë ‘një kope të vetme’ nën «një bari të vetëm».—Zbulesa 7:9, 10; Gjoni 10:16.
19. Si i është përgjigjur një «komb», që më parë ishte i panjohur për Izraelin e Perëndisë, thirrjes së këtij kombi frymor?
19 Grumbullimi i kësaj shumice të madhe mund të dallohet në fjalët vijuese të profecisë së Isaisë: «Ja, do të thërrasësh një komb që nuk e njeh dhe pjesëtarët e një kombi që nuk të kanë njohur do të vrapojnë te ti, për hir të Jehovait, Perëndisë tënd, dhe për të Shenjtin e Izraelit, sepse ai do të të ketë zbukuruar.» (Isaia 55:5) Në vitet që pasuan çlirimin nga robëria frymore, pjesëtarët e mbetjes së mirosur nuk e kuptuan në fillim se, para se të vinte Harmagedoni, do të ishin mjeti për të thirrur në adhurimin e Jehovait një «komb» të madh. Sidoqoftë, me kalimin e kohës, shumë njerëz me zemër të sinqertë, të cilët nuk kishin një shpresë qiellore, filluan të shoqërohen me të mirosurit dhe t’i shërbejnë Jehovait me të njëjtin zell si ai i të mirosurve. Këta të sapoardhur vunë re gjendjen e zbukuruar të popullit të Perëndisë dhe kuptuan që Jehovai ishte mes tyre. (Zakaria 8:23) Në vitet 30 të shekullit të 20-të, të mirosurit arritën të kuptonin identitetin e vërtetë të këtij grupi, i cili po rritej në numër. Arritën të dallonin se para tyre shtrihej një vepër e madhe grumbullimi. Shumica e madhe me të drejtë po nxitonte të shoqërohej me popullin me të cilin Perëndia ka bërë një besëlidhje.
20. (a) Pse në ditët tona është urgjente të ‘kërkojmë Jehovain’ dhe si bëhet kjo? (b) Si do të reagojë Jehovai ndaj atyre që e kërkojnë?
20 Në ditët e Isaisë u bë thirrja: «Kërkoni Jehovain, ndërkohë që mund të gjendet. Thirreni, ndërkohë që është afër.» (Isaia 55:6) Në kohën tonë këto fjalë janë të përshtatshme, si për ata që formojnë Izraelin e Perëndisë, ashtu edhe për shumicën e madhe gjithnjë e në rritje. Bekimi i Jehovait nuk është i pakushtëzuar dhe as ftesa e tij nuk zgjat pafundësisht. Tani është koha për të kërkuar favorin e Jehovait. Kur të vijë koha e gjykimit nga Jehovai, do të jetë tepër vonë. Prandaj, Isaia thotë: «I ligu le të lërë rrugën e tij dhe njeriu i dëmshëm mendimet e tij e le të kthehet te Jehovai, i cili do të ketë mëshirë për të, dhe te Perëndia ynë, sepse ai do të falë në një masë të madhe.»—Isaia 55:7.
21. Si ka dalë jobesnik kombi i Izraelit ndaj shpalljes së bërë nga paraardhësit e tyre?
21 Shprehja «le të kthehet te Jehovai» lë të kuptohet se ata që duhet të pendohen kanë pasur dikur një marrëdhënie me Perëndinë. Kjo shprehje na kujton se përmbushja e shumë veçorive të kësaj pjese të profecisë së Isaisë ka lidhje me robërit judenj në Babiloni. Shekuj më parë, paraardhësit e këtyre robërve e shpallën vendosmërinë e tyre për t’iu bindur Jehovait, kur thanë: «Larg qoftë që ne të braktisim Zotin për t’u shërbyer perëndive të tjera!» (Josiu 24:16, Dio) Historia tregon se ajo për të cilën thanë «larg qoftë» ndodhi, madje në mënyrë të përsëritur! Mungesa e besimit nga ana e popullit të Perëndisë është arsyeja për të cilën tani janë robër në Babiloni.
22. Pse thotë Jehovai se mendimet dhe udhët e tij janë më të larta se ato të njerëzve?
22 Çfarë do të ndodhë nëse pendohen? Nëpërmjet Isaisë, Jehovai premton se «do të falë në një masë të madhe». Gjithashtu, shton: «‘Sepse mendimet tuaja nuk janë mendimet e mia dhe as udhët e mia udhët tuaja’—është shprehja e Jehovait.—‘Sepse ashtu si qiejt janë më të lartë se toka, po ashtu udhët e mia janë më të larta se udhët tuaja dhe mendimet e mia se mendimet tuaja.’» (Isaia 55:8, 9) Jehovai është i përsosur dhe mendimet e udhët e tij janë aq të larta, sa nuk mund të arrihen. Edhe mëshira e tij është në një nivel që ne njerëzit as që mund të shpresojmë ta arrijmë ndonjëherë. Vetëm të mendojmë: kur falim një njeri si ne, është rasti kur një mëkatar po fal një mëkatar. Ne e kuptojmë se herët a vonë edhe ne do të kemi nevojë që një njeri tjetër të na falë. (Mateu 6:12) Por, Jehovai, ndonëse nuk ka nevojë kurrë që të tjerët ta falin, fal «në një masë të madhe». Vërtet, ai është Perëndi me një dashamirësi të madhe. Veç kësaj, në mënyrë të mëshirshme, Jehovai hap pragjet e qiellit dhe derdh me bollëk bekime mbi ata që kthehen tek ai me gjithë zemër.—Malakia 3:10.
Bekime për ata që kthehen te Jehovai
23. Si e ilustron Jehovai sigurinë e përmbushjes së fjalës së tij?
23 Jehovai i premton popullit të tij: «Ashtu si shiu i rrëmbyeshëm, e po ashtu edhe bora, zbret nga qielli e nuk kthehet atje pa e ngopur, në të vërtetë, tokën, pa e bërë që të prodhojë e të mbijë dhe pa bërë që bujkut t’i jepet, vërtet, farë dhe bukë atij që ha, kështu do të jetë fjala që del nga goja ime. Nuk do të kthehet tek unë pa rezultate, por do të kryejë, me siguri, atë me të cilën jam kënaqur dhe do të ketë sukses të sigurt në atë për të cilën e kam dërguar.» (Isaia 55:10, 11) Çdo gjë që Jehovai thotë do të përmbushet me siguri. Ashtu si shiu dhe bora që bien nga qielli, e kryejnë qëllimin e tyre, domethënë, e ngopin tokën dhe e bëjnë të japë fryt, po kështu, fjala e Jehovait që del nga goja e tij është plotësisht e besueshme. Atë që premton, ai e përmbush. Kjo është plotësisht e sigurt.—Numrat 23:19.
24, 25. Çfarë bekimesh i presin ata judenj të mërguar që veprojnë në përputhje me mesazhin e shpallur nga Jehovai nëpërmjet Isaisë?
24 Prandaj, nëse judenjtë ua vënë veshin fjalëve profetike të Isaisë drejtuar atyre, do të fitojnë, pa dyshim, shpëtimin që ka premtuar Jehovai. Si përfundim, do të provojnë gëzim të madh. Jehovai pohon: «Me gëzim, do të dilni dhe me paqe do t’ju sjellin. Malet dhe kodrat do të gëzojnë para jush me një klithmë gëzimi dhe pemët e fushës do të trokasin duart. Në vend të shkurreve me gjemba do të dalë dëllinja. Në vend të hithrës djegëse do të dalë mërsina. Dhe duhet të bëhet për Jehovain diçka e famshme, një shenjë deri në kohë të pacaktuar që nuk do të shkatërrohet.»—Isaia 55:12, 13.
25 Në vitin 537 p.e.s., judenjtë e mërguar dalin me të vërtetë nga Babilonia me gëzim. (Psalmi 126:1, 2) Kur mbërrijnë në Jerusalem, ata e gjejnë vendin të mbushur me shkorrete gjembash dhe me hithra djegëse, pasi të mos harrojmë që vendi ka mbetur i shkretë për dekada. Por tani, populli i riatdhesuar i Perëndisë mund të ndihmojë për të realizuar një ndryshim të këndshëm. Bimë të larta të tilla, si dëllinja dhe mërsina, zëvendësojnë gjembat e hithrat. Bekimi i Jehovait bëhet menjëherë i dukshëm, ndërsa populli i tij i shërben «me një klithmë gëzimi». Duket sikur vetë vendi po gëzon.
26. Ç’gjendje të bekuar gëzon populli i Perëndisë sot?
26 Në vitin 1919, mbetja e të krishterëve të mirosur u çlirua nga robëria frymore në të cilën gjendej. (Isaia 66:8) Sot, së bashku me shumicën e madhe të deleve të tjera, ata po i shërbejnë Perëndisë me gëzim në një parajsë frymore. Duke mos pasur asnjë njollë të ndikimit babilonas, ata gëzojnë një gjendje të miratuar, e cila është bërë për Jehovain «diçka e famshme». Begatia e tyre frymore i jep lavdi emrit të tij dhe e lartëson atë si Perëndia i profecive të vërteta. Ajo që Jehovai ka bërë për ta është një provë e Hyjnisë së tij, si dhe një dëshmi e besnikërisë ndaj fjalës së tij dhe e mëshirës ndaj të penduarve. Të gjithë ata që vazhdojnë të «blejnë verë dhe qumësht, madje pa para dhe pa çmim» gëzofshin duke i shërbyer atij përgjithmonë!
[Shënimet]
a Në dokumentet e lashta tregtare të Babilonisë janë gjetur shumë emra judenjsh.
b Jezui vazhdon ta mbikëqyrë veprën e bërjes së dishepujve. (Zbulesa 14:14-16) Sot, të krishterët, burra e gra, e vlerësojnë Jezuin si Kreun e kongregacionit. (1 Korintasve 11:3) Gjithashtu, në kohën e duhur sipas Perëndisë, Jezui do të veprojë si «udhëheqës dhe komandant» në një mënyrë tjetër, kur të drejtojë betejën vendimtare kundër armiqve të Perëndisë në luftën e Harmagedonit.—Zbulesa 19:19-21.
[Figura në faqen 234]
Judenjve me etje frymore u bëhet ftesë të ‘vijnë tek uji’ dhe të ‘blejnë verë dhe qumësht’
[Figura në faqen 239]
Jezui tregoi se ishte «udhëheqës dhe komandant» për grupet kombëtare
[Figurat në faqet 244, 245]
«I ligu le të lërë rrugën e tij»