Të ecim në shtegun ku drita shkëlqen gjithnjë e më shumë
«Shtegu i të drejtëve është si drita e agimit, që ndriçon gjithnjë e më shumë, derisa bëhet ditë e plotë.»—PROVERBAT 4:18.
1, 2. Çfarë ka përjetuar populli i Perëndisë falë dritës frymore nga Jehovai që sa vjen e shtohet?
E KUSH mund të përshkruajë më mirë efektin e lindjes së diellit në errësirën e natës, përveç Burimit të dritës, Perëndisë Jehova? (Psalmi 36:9) Perëndia thotë: ‘Kur drita e mëngjesit zapton skajet e tokës, kjo shndërrohet si argjila kur vuloset, dhe gjithçka shfaqet e stolisur si me petka të bukura.’ (Jobi 38:12-14) Kur drita e diellit bëhet më e fortë, veçoritë e tokës marrin trajtë dhe bëhen më të qarta, pikërisht ashtu si argjila e butë shndërrohet kur vula lë shenjë mbi të.
2 Jehovai është edhe Burimi i dritës frymore. (Psalmi 43:3) Ndërsa bota rri në errësirë të dendur, Perëndia i vërtetë vazhdon të ndriçojë popullin e tij. Cili është rezultati i kësaj? Bibla përgjigjet: «Shtegu i të drejtëve është si drita e agimit, që ndriçon gjithnjë e më shumë, derisa bëhet ditë e plotë.» (Proverbat 4:18) Drita nga Jehovai që sa vjen e shtohet, vazhdon të ndriçojë shtegun e popullit të tij. Ajo sjell përmirësime përsa i përket anës organizative, doktrinale dhe sjelljes së krishterë.
Ndriçimi frymor sjell përmirësime organizative
3. Çfarë është premtuar tek Isaia 60:17?
3 Jehovai paratha nëpërmjet profetit Isaia: «Në vend të bakrit do të sjell ar, në vend të hekurit do të sjell argjend, në vend të drurit, bakër dhe në vend të gurëve, hekur.» (Isaia 60:17) Ashtu si zëvendësimi i një materiali të rëndomtë me një material më të mirë tregon përmirësim, Dëshmitarët e Jehovait kanë parë përmirësime nga ana organizative gjatë «përfundimit të sistemit» ose ‘ditëve të fundit’.—Mateu 24:3; 2 Timoteut 3:1.
4. Cili rregullim hyri në fuqi në vitin 1919 dhe si solli dobi?
4 Në pjesën e hershme të ditëve të fundit, kongregacionet e Studentëve të Biblës, siç njiheshin në atë kohë Dëshmitarët e Jehovait, i zgjidhnin në mënyrë demokratike pleqtë dhe dhjakët e tyre. Megjithatë, disa pleq nuk kishin një frymë të vërtetë ungjillëzimi. Disa jo vetëm që nuk ishin të gatshëm të merrnin pjesë në veprën e predikimit, por edhe i shkurajonin të tjerët që të mos merrnin pjesë. Prandaj, në vitin 1919, në çdo kongregacion u vendos një përgjegjësi e re: ajo e drejtuesit të shërbimit. Drejtuesi i shërbimit nuk zgjidhej nga kongregacioni, por emërohej në mënyrë teokratike në detyrën e tij nga zyra e degës e Dëshmitarëve të Jehovait. Në përgjegjësitë e drejtuesit të shërbimit përfshiheshin: të organizonte veprën e predikimit, të caktonte territoret dhe të nxiste pjesëmarrjen në shërbimin në fushë. Gjatë viteve në vijim, veprës së predikimit të Mbretërisë iu dha një shtysë e jashtëzakonshme.
5. Cili përmirësim u bë në vitet 20?
5 Të gjithë pjesëtarët e kongregacioneve u forcuan më tej nga nxitja «Lajmëroni, lajmëroni, lajmëroni Mbretin dhe mbretërinë e tij!», e cila u dha më 1922 në kongresin e Studentëve të Biblës në Sidër-Point, Ohajo, SHBA. Në vitin 1927, shërbimi u organizua mirë dhe e diela u caktua si dita më e përshtatshme për të marrë pjesë në veprën e predikimit shtëpi më shtëpi. Po pse kjo ditë? Ngaqë të dielën shumica e njerëzve nuk ishin në punë. Sot Dëshmitarët e Jehovait shfaqin të njëjtën frymë, duke u përpjekur t’i vizitojnë njerëzit në kohën kur ka më shumë të ngjarë që të jenë në shtëpi, si për shembull në fundjavë dhe në mbrëmje.
6. Cila rezolutë u pranua në vitin 1931 dhe si ndikoi ajo në veprën e shpalljes së Mbretërisë?
6 Veprës së shpalljes së Mbretërisë iu dha një shtysë e madhe të dielën pasdite më 26 korrik 1931 kur u pranua një rezolutë, fillimisht në një kongres në Kolumbus të Ohajos, SHBA, dhe më pas, në mbarë botën. Në rezolutë thuhej pjesërisht: «Jemi shërbëtorë të Perëndisë Jehova që na është ngarkuar të bëjmë një vepër në emër të tij e, në bindje të urdhrit të tij, të përhapim mesazhin që predikoi Jezui Krishti dhe t’ua bëjmë të njohur njerëzve se Jehovai është Perëndia i vërtetë e i Gjithëpushtetshëm; prandaj me gëzim pranojmë dhe marrim emrin që goja e Zotërisë Perëndi ka thënë dhe dëshirojmë të njihemi dhe të thirremi me këtë emër, domethënë, Dëshmitarë të Jehovait.» (Isaia 43:10) Sa qartë e përcaktonte emri i ri veprën kryesore të të gjithë atyre që mbanin këtë emër! Po, Jehovai kishte një vepër në të cilën duhej të merrnin pjesë të gjithë shërbëtorët e tij. Në përgjithësi reagimi ishte vërtet entuziast.
7. Cili ndryshim ndodhi në vitin 1932 dhe pse?
7 Shumë pleq, me përulësi, iu përkushtuan veprës së predikimit. Por, në disa vende, pleqtë që ishin zgjedhur iu kundërvunë me forcë idesë që të gjithë në kongregacion duhej të merrnin pjesë në shërbim. Gjithsesi, shpejt do të ndodhnin përmirësime të mëtejshme. Më 1932, me anë të Kullës së Rojës, kongregacionet morën udhëzim që të mos vazhdonin të zgjidhnin pleq dhe dhjakë. Në vend të tyre, ata duhej të zgjidhnin një komitet shërbimi të përbërë nga burra frymorë që merrnin pjesë në veprën e predikimit. Kështu, mbikëqyrja iu besua atyre që merrnin pjesë aktivisht në shërbim, dhe vepra eci përpara.
Më shumë dritë do të thotë përmirësime të tjera
8. Cili përmirësim ndodhi më 1938?
8 Drita ‘po ndriçonte gjithnjë e më shumë’. Që nga viti 1938 nuk bëheshin më zgjedhje. Tërë shërbëtorët në kongregacion duheshin emëruar në mënyrë teokratike nën mbikëqyrjen e ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’. (Mateu 24:45-47) Ky ndryshim u pranua menjëherë pothuajse në të gjitha kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait dhe vepra e dhënies së dëshmisë vazhdoi të jepte fryt.
9. Cili rregullim u vendos në vitin 1972 dhe pse ky ishte një përmirësim?
9 Duke filluar nga 1 tetori 1972 hyri në fuqi një ndryshim tjetër në mbikëqyrjen e kongregacioneve. Në mbarë botën, në kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait u vendos që kongregacioni të mbikëqyrej nga një trup pleqsh, sesa nga një shërbëtor ose një mbikëqyrës i vetëm. Ky rregullim i ri i ka nxitur jashtëzakonisht burrat e pjekur që të kualifikohen për të marrë drejtimin në kongregacion. (1 Timoteut 3:1-7) Si rrjedhim, një numër i madh vëllezërish kanë fituar përvojë për t’u kujdesur për përgjegjësitë në kongregacion. Sa të vlefshëm kanë qenë ata përsa i përket kujdesit baritor që kanë treguar për shumë individë që kanë pranuar të vërtetën biblike!
10. Cili rregullim u bë më 1976?
10 Anëtarët e Trupit Udhëheqës u organizuan në gjashtë komitete dhe, duke filluar nga 1 janari 1976, gjithë veprimtaritë e organizatës dhe të kongregacioneve anembanë tokës u vunë nën mbikëqyrjen e këtyre komiteteve. Ç’bekim ka qenë që tërë aspektet e veprës së predikimit janë drejtuar nga «shumë këshilltarë»!—Proverbat 15:22; 24:6.
11. Cili përmirësim ndodhi më 1992 dhe pse?
11 Në vitin 1992 ndodhi përsëri një përmirësim tjetër, i cili krahasohet me atë që ndodhi kur izraelitët dhe të tjerë u kthyen nga mërgimi në Babiloni. Në atë kohë nuk kishte mjaft levitë për t’u kujdesur për shërbimin në tempull. Prandaj, nethinimëve që nuk ishin izraelitë iu dha më shumë përgjegjësi: të ndihmonin levitët. Po kështu, për të ndihmuar klasën e skllavit të besueshëm dhe të matur, që të kujdesej për interesat tokësore në rritje, më 1992 disa individëve nga ‘delet e tjera’ iu dhanë përgjegjësi të tjera shërbimi. Ata u emëruan si ndihmës për komitetet e Trupit Udhëheqës.—Gjoni 10:16.
12. Si ka caktuar Jehovai paqen si mbikëqyrësin tonë?
12 Çfarë ka sjellë e gjithë kjo? Jehovai thotë: «Do të caktoj paqen si mbikëqyrësin tënd dhe drejtësinë si përgjegjësin tënd.» (Isaia 60:17) Sot mes shërbëtorëve të Jehovait ka ‘paqe’ dhe dashuria për «drejtësinë» është bërë ‘përgjegjësi’ i tyre, pra, forca që i shtyn t’i shërbejnë Perëndisë. Ata janë të organizuar mirë për të kryer veprën e predikimit të Mbretërisë dhe të bërjes së dishepujve.—Mateu 24:14; 28:19, 20.
Jehovai ndriçon shtegun nga ana doktrinale
13. Si e ndriçoi Jehovai shtegun e popullit të tij nga ana doktrinale në vitet 20?
13 Jehovai po ndriçon hap pas hapi shtegun e popullit të tij edhe nga ana doktrinale. Zbulesa 12:1-9 është një shembull. Në këtë tregim flitet për tri personazhe simbolike: «një grua» shtatzënë që lind, «një dragua» dhe «një fëmijë, një djalë». A e dini se kë përfaqëson çdo personazh? Identifikimi i tyre u bë i qartë në një artikull me titull «Lindja e kombit», në Kullën e Rojës të 1 marsit 1925. Ai artikull i dha më shumë kuptueshmëri popullit të Perëndisë në lidhje me profecitë për lindjen e Mbretërisë, dhe kjo e bëri të qartë se ka dy organizata të dallueshme nga njëra-tjetra: organizata e Jehovait dhe ajo e Satanait. Pastaj, në vitet 1927 dhe 1928, populli i Perëndisë kuptoi se festimi i Krishtlindjeve dhe i ditëlindjeve ishte jobiblik dhe nuk i mbanin më këto festa.
14. Cilat të vërteta doktrinale u sqaruan në vitet 30?
14 Në vitet 30 u hodh dritë e mëtejshme për tri të vërteta doktrinale. Prej vitesh Studentët e Biblës e dinin që ‘shumica e madhe’, për të cilën flitet te Zbulesa 7:9-17, ishte e ndryshme nga të 144.000-t që do të sundonin me Krishtin si mbretër dhe priftërinj. (Zbulesa 5:9, 10; 14:1-5) Megjithatë identiteti i shumicës së madhe mbeti i paqartë. Ashtu si drita e mëngjesit kur bie gradualisht mbi objekte të errëta, bën që të dallohet më qartë forma dhe ngjyra e tyre, edhe shumica e madhe, në vitin 1935, u identifikua si ai grup që do të mbijetonte ‘shtrëngimin e madh’ dhe do të kishte perspektivën për të jetuar përgjithmonë në tokë. Më vonë, po atë vit, u bë më e qartë një e vërtetë që ndikoi në shumë vende te fëmijët e Dëshmitarëve të Jehovait që ishin në moshë shkollore. Ndërsa zjarri i patriotizmit po rritej në mbarë botën, Dëshmitarët e kuptuan se të përshëndetje flamurin nuk ishte thjesht një formalitet. Vitin vijues u shpjegua një e vërtetë tjetër doktrinale, se Krishti nuk vdiq në kryq, por në një shtyllë.—Veprat 10:39.
15. Kur dhe si doli në pah çështja e shenjtërisë së gjakut?
15 Vetëm pak kohë pas Luftës së Dytë Botërore, gjatë së cilës ishte bërë e zakonshme t’u bënin transfuzione gjaku ushtarëve të plagosur, u hodh më shumë dritë për shenjtërinë e gjakut. Në numrin e Kullës së Rojës të 1 korrikut 1945 nxiteshin «të gjithë adhuruesit e Jehovait që kërkonin jetën e përhershme në botën e tij të re të drejtësisë, të respektonin shenjtërinë e gjakut dhe të përputheshin me rregullat e drejta të Perëndisë lidhur me këtë çështje jetësore».
16. Kur doli botimi Shkrimet e Shenjta: Përkthimi Bota e Re dhe cilat janë dy veçoritë e jashtëzakonshme të tij?
16 Më 1946 u pa e nevojshme të bëhej një përkthim i ri i Biblës që të bazohej te studimet më të fundit dhe të mos njollosej nga dogmat e bazuara në traditat e të ashtuquajturit krishterim. Puna për këtë përkthim filloi në dhjetor 1947. Më 1950 doli në anglisht Shkrimet e Krishtere Greke: Përkthimi Bota e Re. Shkrimet Hebraike në anglisht u botuan gradualisht në pesë vëllime, duke filluar nga viti 1953. Vëllimi i fundit doli më 1960, pak më tepër se 12 vjet pasi kishte filluar projekti i përkthimit. I tërë botimi Shkrimet e Shenjta: Përkthimi Bota e Re doli në një vëllim të vetëm më 1961. Ky përkthim, që tani është në shumë gjuhë, ka disa veçori të jashtëzakonshme. Në të është rivendosur emri i Perëndisë, Jehova. Për më tepër, ky përkthim fjalë për fjalë i shkrimeve origjinale ka siguruar bazën për një përparim të vazhdueshëm në kuptueshmërinë e fjalës së Perëndisë.
17. Cila dritë frymore u hodh më 1962?
17 Në vitin 1962 u sqarua se cilët ishin ‘autoritetet më të larta’ që gjejmë te Romakëve 13:1 dhe deri në ç’masë duhej t’u nënshtroheshin të krishterët. Një studim i plotë i kapitullit të 13-të të Romakëve dhe i vargjeve biblike të tilla, si Titit 3:1, 2 dhe 1 Pjetrit 2:13, 17, e bëri të qartë se shprehja ‘autoritetet më të larta’ nuk i referohet Perëndisë Jehova dhe Jezu Krishtit, por autoriteteve qeveritare njerëzore.
18. Cilat janë disa të vërteta që u sqaruan në vitet 80?
18 Në vitet që vijuan, shtegu i të drejtëve vazhdoi të ndriçonte gjithnjë e më shumë. Më 1985 u hodh dritë në lidhje me atë se ç’do të thotë të shpallesh i drejtë «për jetën» dhe i drejtë si mik i Perëndisë. (Romakëve 5:18; Jakovi 2:23) Kuptimi i Jubileut të krishterë u shpjegua krejtësisht më 1987.
19. Si ka siguruar Jehovai më shumë dritë frymore për popullin e tij në vitet e fundit?
19 Më 1995 u kuptua në mënyrë më të qartë ndarja e ‘deleve’ nga «cjeptë». Në vitin 1998 u dha një shpjegim i hollësishëm i vegimit të Ezekielit për tempullin, vegim që tashmë është në përmbushje e sipër. Më 1999 u sqarua se kur dhe si ‘gjëja e neveritshme qëndron në vend të shenjtë’. (Mateu 24:15, 16; 25:32) Dhe më 2002 u fitua më shumë kuptueshmëri se ç’do të thotë të adhurosh Perëndinë «me frymë dhe të vërtetë».—Gjoni 4:24.
20. Në cilën fushë tjetër ka përjetuar përmirësime populli i Perëndisë?
20 Përveç përmirësimeve organizative dhe doktrinale, ka pasur përmirësime edhe në lidhje me sjelljen e krishterë. Për shembull, më 1973 u kuptua se përdorimi i duhanit ishte «ndotje e mishit» dhe u trajtua si një keqbërje e rëndë. (2 Korintasve 7:1) Dhjetë vjet më vonë, në numrin e Kullës së Rojës 15 korrik 1983, u bë më i qartë qëndrimi ynë ndaj përdorimit të armëve të zjarrit. Këto janë vetëm disa shembuj të dritës që ka vazhduar të rritet në kohën tonë.
Të vazhdojmë të ecim në shtegun ku drita shkëlqen gjithnjë e më shumë
21. Cili qëndrim do të na ndihmojë që të vazhdojmë të ecim në shtegun që ndriçohet gjithnjë e më shumë?
21 «Të pranosh një ndryshim dhe të përshtatesh me të mund të jetë e vështirë»,—pranon një plak që shërben si i tillë prej shumë kohësh. Çfarë e ka ndihmuar atë të pranojë përmirësimet e shumta që ka parë vetë gjatë 48 vjetëve që ka shërbyer si lajmëtar i Mbretërisë? Ai përgjigjet: «Çelësi është të kesh qëndrimin e duhur. Të mos pranosh një përmirësim do të thotë të mbetesh pas, ndërsa organizata lëviz përpara. Nëse gjendem në një situatë ku ndryshimet duken të vështira të pranohen, mendoj për fjalët që i tha Pjetri Jezuit: ‘Zotëri, te kush të shkojmë? Ti ke fjalë jete të përhershme.’ Më pas pyes veten: ‘Ku do të shkoj, jashtë në errësirën e botës?’ Kjo më ndihmon të mbahem fort pas organizatës së Perëndisë.»—Gjoni 6:68.
22. Si nxjerrim dobi kur ecim në dritë?
22 Pa dyshim, bota përreth nesh është në errësirë të dendur. Ndërkohë që Jehovai vazhdon të hedhë dritë mbi popullin e tij, hendeku midis tyre dhe njerëzve të botëse vazhdon të thellohet. Çfarë bën kjo dritë për ne? Është e vërtetë që, ashtu si drita që ndriçon një rrugë të errët me gropa, nuk i zhduk gropat, edhe drita që vjen nga Fjala e Perëndisë nuk i heq gropat frymore ku mund të biem. Megjithatë drita hyjnore na ndihmon t’i shmangim ato me qëllim që të vazhdojmë të ecim në shtegun ku drita shkëlqen. Prandaj, le të vazhdojmë t’i kushtojmë vëmendje fjalës profetike të Perëndisë «si një llambe që ndriçon në një vend të errët»!—2 Pjetrit 1:19.
A ju kujtohet?
• Çfarë përmirësimesh organizative ka sjellë Jehovai për popullin e tij?
• Çfarë përmirësimesh doktrinale ka sjellë drita gjithnjë në rritje?
• Cilat përmirësime keni parë ju vetë dhe çfarë ju ka ndihmuar që t’i pranoni?
• Pse doni të vazhdoni të ecni në shtegun që ndriçohet gjithnjë e më shumë?
[Figurat në faqen 27]
Kongresi i vitit 1922 në Sidër-Point, Ohajo, i forcoi Studentët e Biblës që të bënin veprën e Perëndisë
[Figura në faqen 29]
«Shkrimet e Krishtere Greke: Përkthimi Bota e Re» u prezantua më 1950 nga N. H. Nor
[Burimi i figurës në faqen 26]
© 2003 BiblePlaces.com