Të gëzohemi në Krijuesin tonë të Madh
«Le të gëzohet Izraeli në Krijuesin e tij të madh, bijtë e Sionit të gëzojnë në Mbretin e tyre.»—PSALMI 149:2.
1. Cila është situata e vërtetë e njerëzimit dhe përse bërtitet me të madhe «më në fund liria»?
BOTA e sotme është e pllakosur nga «dhimbja e hidhërimit». Këtë shprehje Jezui e përdori në profecinë e tij mbi «përfundimin e sistemit të gjërave», erën katastrofale që filloi me Luftën e Parë Botërore në 1914. (Mateu 24:3-8) Shumë politikanë parashikojnë një të ardhme të trishtuar. Edhe pse në Evropën Lindore po deklarohet me të madhe «më në fund liria», një ish-president i kësaj zone e përmblodhi situatën kur tha: «Rritja shumë e madhe e popullsisë dhe efekti i ndotjes së planetit, vrimat e ozonit dhe SIDA, kërcënimi i terrorizmit bërthamor dhe hendeku që po zgjerohet në mënyrë dramatike midis vendeve të pasura të veriut dhe atyre të varfëra të jugut, rreziku i urisë, harxhimi i biosferës dhe i burimeve minerale të planetit, përhapja e kulturave tregtare përmes televizionit dhe rritja e kërcënimit të luftërave rajonale të gjitha këto të kombinuara me mijëra faktorë të tjerë, simbolizojnë kërcënimin e përgjithshëm të njerëzimit.» Nuk ekziston fuqi njerëzore që mund ta heqë këtë kërcënim të katastrofës së fundit.—Jeremia 10:23.
2. Kush e zotëron zgjidhjen e përhershme të problemeve të njerëzimit dhe çfarë hapi ka ndërmarrë tashmë?
2 Megjithatë, ne mund të gëzohemi, se Krijuesi ynë i Madh e ka zgjidhjen e përhershme. Në profecinë e Jezuit, «përfundimi i sistemit të gjërave» është i lidhur me «praninë» e padukshme të tij. (Mateu 24:3, 37-39) Për të krijuar «qiej të rinj», Jehovai e ka vënë Jezuin në fronin e tij si Mbret Mesianik. Dëshmitë profetizuese tregojnë se kjo ngjarje historike ndodhi në qiej në vitin 1914.a (2. Pjetrit 3:13) Si sundues i shoqëruar me Zotërinë Sovran Jehova, Jezui tani është i autorizuar të gjykojë kombet dhe t’i ndajë të butët, njerëzit ngjashëm deleve nga ata që janë si dhitë kokëforta. «Dhitë» e pashpirtshme caktohen për «shkatërrim të përhershëm» dhe «delet» për jetë të përhershme në sferën tokësore të Mbretërisë.—Mateu 25:31-34, 46.
3. Përse mund të ngazëllohen të Krishterët e vërtetë?
3 Mbetja e Izraelit frymor në tokë, e shoqëruar tani nga shumica e madhe e këtyre deleve të tjera, ka shumë arsye që të gëzohet në Jehovain, Mbretin e përjetësisë, sepse ai i çon në kulm qëllimet e veta përmes Mbretërisë së Birit të vet. Ata mund të thonë: «Me siguri do të ngazëllohem në Jehovain. Shpirti im do të gëzohet në Perëndinë tim. Sepse ai më ka veshur me rrobat e shpëtimit . . . Sikurse toka vetë i nxjerr filizat e saja dhe sikurse kopshti vetë i bën të mugullojnë ato që janë mbjellë, në mënyrë të ngjashme Zoti Sovran Jehova do të shkaktojë mugullimin e drejtësisë dhe lavdisë përpara të gjitha kombeve.» (Isaia 61:10, 11) Ky «mugullim» është i dukshëm tek miliona njerëz që po mblidhen nga kombet për t’i kënduar lavdi Jehovait.
«Po shpejtohet»
4, 5. (a) Si u paratha mbledhja e të korrave të popullit të Perëndisë? (b) Ç’rritje e jashtëzakonshme është vërejtur gjatë vitit të shërbimit 1992?
4 Ndërsa fundi i sistemit të Satanait po afrohet, mbledhja e të korrave po përshpejton. Krijuesi ynë i Madh deklaron: «I gjithë populli yt do të jetë i drejtë . . . lastarin që kam mbjellë, veprën e duarve të mia, që të zbukurohem. I vogli vetë do të bëhet një mijë dhe i pakti një komb i fuqishëm. Vetë unë, Jehovai, do ta shpejtoj këtë në kohën e saj.» (Isaia 60:21, 22) Ky shpejtim pasqyrohet në mënyrë të mrekullueshme në Raportin e Dëshmitarëve të Jehovait në mbarë botën për vitin e shërbimit 1992, që paraqitet në faqet 12 deri 15 të kësaj reviste.
5 Në këtë raport, është i jashtëzakonshëm kulmi i ri prej 4.472.787 lajmëtarësh të Mbretërisë, një rritje prej 193.967—5,4% më tepër se sa vitin e kaluar. Kulmi i 301.002 të pagëzuarve gjatë vitit 1992 po ashtu pasqyron faktin se shumica e njerëzve po e pranon të vërtetën biblike. Sa gëzohemi që në këtë «ditë të errësirës dhe trishtimit, . . . ekziston populli i shumtë dhe i fuqishëm», i cili, si një mizëri karkalecash, zgjeron dëshminë e Mbretërisë «deri në pjesët më të largëta të tokës»! (Joeli 2:2, 25; Vepra 1:8) Nga Alaska e akullt, ku aeroplani i Shoqatës Watch Tower ka bërë më shumë se 50 vizita në territoret e zëna me borë, deri te shkretëtirat përvëluese të Malit e Burkina Fasos dhe ishujt e shpërndarë të Mikronezisë, shërbëtorët e Jehovait po shndrisin si «një dritë e kombeve, që shpëtimi [i tij] të bëhet deri në skajet e tokës.»—Isaia 49:6.
6, 7. Cili ndryshim i papritur i ngjarjeve është dëshmuar në vitet e fundit dhe si kanë reaguar mbi këtë shërbëtorët e Jehovait?
6 Jehovai ka qenë si një fortesë dhe kullë e fortë në mbrojtjen dhe mbajtjen e popullit të vet. Në shumë pjesë të tokës, Dëshmitarët e Jehovait kanë duruar shtypje mizore dhe persekutime për dekada. (Psalmet 37:39, 40; 61:3, 4) Por kohët e fundit, si me një mrekulli, kufizimet dhe pengesat janë hequr në 21 vende, në mënyrë që tani populli i Perëndisë mund të shpallë lirisht se Krijuesi ynë i Madh e ka vendosur Krishtin si Mbret mbi tokën.—Psalmi 2:6-12.
7 A është duke e përdorur mirë populli i Jehovait lirinë e vet të posafituar? Vëre në tabelë rritjet në Bullgari, Rumani dhe në ish Bashkimin Sovjetik në Europën Lindore dhe në Angolë, Benin Mozambikë në Afrikë. Në Zaire, gjithashtu, rritja është fenomenale. Me gëzim në zemrat e tyre, vëllezërit tanë të çliruar i përgjigjen thirrjes: «Jepini falënderimin Jehovait, o ju popuj, sepse ai është i mirë . . ., Vetë Krijuesit të gjërave të mrekullueshme, të mëdha: sepse dashamirësia e tij e dashur është deri në kohëra të pacaktuara.» (Psalmi 136:1, 4) Këto falënderime shprehen përmes shërbimit të zellshëm në mbledhjen e njerëzve të tjerë që u ngjajnë deleve, në anën e Mbretërisë.
8. Në ç’mënyrë janë «duke fluturuar si një re» lavdëruesit e Jehovait në Evropën Lindore dhe në Afrikë?
8 Gjatë verës së kaluar evropiane, në kongreset e popullit të Jehovait, të mbajtura në vendet ish-komuniste numri i pjesëmarrësve ishte mahnitës. Edhe më habitës është numri i të pagëzuarve në këto vende. Ngjashëm, në Togo, Afrikë, u hoq ndalimi më 10 dhjetor 1991. Në muajin vijues është mbajtur kongresi kombëtar. Në krahasim me mesataren mujore prej 6.443 lajmëtarësh në fushë, numri i pjesëmarrësve në to fluturoi lartë deri në 25.467, me 556 të pagëzuar–rritje prej 8,6% e numrit të lajmëtarëve. Sikur përshkruan Isaia 60:8, lavdëruesit e rinj të Jehovait «fluturojnë tamam si një re, dhe si pëllumba në vrimat e shtëpive të zogjve», në kongregacionet e popullit të Jehovait.
9. Çfarë parapërgatitjesh janë bërë në mënyrë që të krishterët në vendet ku sapo është fituar liria të mund «të hanë e të ngopen»?
9 Gjithashtu, po shuhet uria për ushqim frymor në Evropën Lindore dhe Afrikë. Fabrikat e Shoqatës së Watch Tower-it në Gjermani, Itali dhe në Afrikën Jugore kanë dërguar kamionë pas kamioni përplot me literaturë, në shumë gjuhë, në vende të uritura frymësisht. Më parë, shumë Dëshmitarëve u duhej t’i kalonin njëri-tjetrit revista të grisura, por tani ata marrin me bollëk ushqim frymor. Ata gëzohen që mund të marrin pjesë në plotësimin e profetizimit: «Me të vërtetë do të hani, duke ngrënë dhe duke u ngopur dhe me siguri do të lavdëroni emrin e Jehovait, Perëndisë tuaj, që ka vepruar ndaj jush në mënyrë kaq të mrekullueshme.»—Joeli 2:26.
Kujdesi për zgjerim të mëtejshëm
10. Në lidhje me numrin e madh të pjesëmarrësve në Përkujtim, çfarë ftese u bëhet të gjithë atyre që janë të interesuar?
10 Është me të vërtetë habitës numri i pjesëmarrësve në mbarë botën në Përkujtimin e vdekjes së Jezuit, 11.431.171, një rritje prej 781.013, apo 7,3% më tepër se sa në vitin e kaluar. Mirë se erdhët, të gjithë ju që sapo keni ardhur! Sa e mrekullueshme do të ishte, sikur të gjithë këta njerëz të posa interesuar të gëzonin dobinë e studimit të Biblës në shtëpi me një Dëshmitar të Jehovait! (Shiko Isaia 48:17.) Raporti i vitit të Shërbimit tregon se 4.278.127 e këtyre studimeve udhëhiqen çdo muaj, rritje e mirë prej 8,4%. Megjithatë, edhe shumë më tepër mund të përfitojnë nga ky shërbim. Dëshmitarët e Jehovait ndihen të gëzuar të vizitojnë njerëzit e interesuar dhe të udhëheqin një studim biblik pa pagesë në shtëpi. Në këtë mënyrë i ndihmojnë të qëndrojnë të patundur në rrugën e jetës së përhershme. (Gjoni 3:16, 36) Përse nuk kërkon adhe ti një studim të tillë? Mbaj në mend, se në Sallën e Mbretërisë gjithmonë të pret një mirëseardhje e ngrohtë!—Psalmi 122:1; Romakëve 15:7.
11, 12. (a) Çfarë problemesh hasin disa vende? (b) Në ç’mënyrë ndodh «barazimi» mes vendeve më të pasura dhe atyre të varfëra?
11 Ato kongregacione që kanë Salla të bukura Mbretërie, janë të bekuara në mënyrë të begatshme. Situata është e ndryshme në vendet ku Dëshmitarët besnikë kanë duruar shumë vite nën ndalim, duke u mbledhur fshehurazi në grupe të vogla. Në shumë vende të tilla, tani janë të lirë, por kanë vetëm disa Salla Mbretërie. Për shembull, në një vend afrikan 93 kongregacione përdorin vetëm tri Salla Mbretërie. Kështu, mbledhjet zakonisht mbahen në shesh të hapur. Në një kongregacion me 150 pjesëmarrës, ka mundësi që mbledhjet t’i frekuentojnë rregullisht deri 450 vetë.
12 Në Evropën Lindore shpesh herë është e vështirë për të blerë pronë apo për të ndërtuar, por edhe këtu ka përparime. Përkushtimi i një dege të re në Poloni u planifikua më 28 nëntor 1992. Kontributet zemërgjera për veprën botërore të Dëshmitarëve të Jehovait përdoren për të ndihmuar ndërtimin e sallave dhe objekteve të tjera. Kështu, ndodh «një barazim», sepse zemërgjerësia e vëllezërve që japin kontribute nga «teprica» e vet materiale ndihmon në furnizimin e nevojave frymore të kongregacioneve në vendet e pafavorshme.—2. Korintasve 8:13, 14.
1.000.000.000 orë!
13. Sa orë janë harxhuar në predikim dhe në mësim në 1992 dhe përpjekjet e kujt janë pasqyruar në këtë numërim?
13 Çfarë mund të bësh me 1.000.000.000 orë? Të gjithë që e arrijnë jetën e përhershme do të kenë mundësi të harxhojnë kaq shumë orë, madje edhe më tepër, në shërbimin produktiv, të kënaqshëm të Jehovait. Por, merre me mend grumbullimin e kësaj sasie orësh në vetëm një vit! Kjo është ajo që populli i Jehovait ka kryer gjatë vitit 1992. Duke përmbledhur raportet individuale të të gjithë lajmëtarëve të Mbretërisë, gjejmë një kulm të ri prej 1.024.910.434 orësh të harxhuara në mënyrën më të mirë që mund të harxhohen orët: në lavdërimin e Krijuesit tonë të Madh, «duke mësuar . . . publikisht dhe nga shtëpia në shtëpi.» (Veprat 20:20) Mesatarisht, çdo muaj kanë raportuar 4.289.737 Dëshmitarë. Ata vijnë nga të gjitha shtresat e ndryshme shoqërore. Disa janë të kufizuar me kohën që mund të kontribuojnë në veprën e Mbretërisë. Këtu përfshihen kryefamiljarët, që duhet të kujdesen për familjen; njerëzit e moshuar; ata me probleme shëndetsore, si dhe fëmijët që akoma shkojnë në shkollë. Megjithatë, raporti i dhënë nga secili është pasqyrim i çmuar i dashurisë për Jehovain.—Krahaso Luka 21:2-4.
14. Si po i «kujtohet» rinia «Krijuesit të vet të Madh»?
14 Një brez më i ri po rritet në shërbimin e Jehovait dhe lumturisht, shumica prej tyre aplikon fjalët e Solomonit nga Eklisiastiu 12:1: «Kujtoheni tani, Krijuesin tuaj të Madh në ditët e rinisë suaj.» Ata përkushtohen në detyrat e tyre shkollore dhe mësohen në çështjet frymore nga prindërit besnikë. Ishte një gëzim të shihej një numër i madh adoleshentësh që u ngritën në kongreset e fundit, duke u ofruar për pagëzim. Gjithashtu, është një gëzim të kuptojmë se shumica, duke mësuar ndonjë zeje apo mjeshtëri, ka bërë përgatitje praktike për t’u bërë pionier mbas diplomimit në shkollë. Kështu, ata mund të mbajnë veten, sikur apostulli Pavël që kohë pas kohe ka bërë shatorre.—Veprat 18:1-4.
15, 16. Si kanë kontribuar pionierët dhe shërbëtorët e tjerë në shërbim të plotë kohor në përparimin e veprës së Mbretërisë dhe ç’bekime kanë gëzuar disa prej tyre?
15 Sa kontribut të mrekullueshëm po japin pionierët dhe shërbëtorët e tjerë në shërbim të plotë kohor në përparimin e veprës së Mbretërisë! Rradhët e pionierëve janë rritur deri në 931.521 në vitin e kaluar. Duke predikuar përditë nga shtëpia në shtëpi dhe duke udhëhequr studime biblike në shtëpitë e njerëzve, këta po bëhen shumë efektivë në shprehjen e Shkrimeve. Përveç kësaj, shumë janë kualifikuar që të marrin pjesë në Shkollën e Shërbimit të Pionierëve, që zgjat dy javë dhe që i ndihmon të kultivojnë aftësi më të mëdha dhe gëzim në kryerjen e veprës së Perëndisë.
16 Secili nga këta pionierë besnikë mund të pajtohet me fjalët e Isaisë 50:4: «Vetë Zoti Sovran Jehova më ka dhënë gjuhën e të mësuarit, që të di t’i përgjigjem të lodhurit me një fjalë.» Sot, ekzistojnë individë të shumtë të lodhur nga bota e korruptuar përreth tyre, por që po gjejnë freskim përmes fjalës së folur nga pionierët tanë besnikë.—Krahaso Proverbat 15:23; Ezekieli 9:4.
Programi i fuqishëm i ndërtimit
17. Përveç ndërtimit frymor, çfarë ndërtimi material kemi dëshmuar në vitet e kaluara?
17 Përparimi frymor i Dëshmitarëve të Jehovait në mbarë botën kërkon gjithashtu rritjen materiale. Zgjerimi i fabrikave të shtypit, zyrave e shtëpive Bethel, ndërtimi i Sallave të Mbretërisë dhe i Sallave të Asamblesë është i nevojshëm. Prandaj, duhet që Dëshmitarët e Jehovait të bëhen ndërtues në mënyrë fizike. Në mënyrë të ngjashme ndërtohej në ditët e Solomonit. Solomoni ndërtoi tempullin e adhurimit të Jehovait sipas «planit arkitekturor . . . që i erdhi nga frymëzimi.» Jehovai ia dha këtë atit të tij, Mbretit David. (1. Kronikat 28:11, 12) Kështu, Solomoni jo vetëm inkurajoi dëgjuesit e vet me fjalë të paçmueshme mençurie por drejtoi gjithashtu një ndërtim material aq të shkëlqyeshëm, saqë bota nuk e ka arritur kurrë.—1. Mbretërit 6:1; 9:15, 17-19.
18, 19. (a) Cili përparim i shpejtë i projekteve të ndërtimit është kryer nga organizata e Jehovait? (b) Si është e dukshme fryma e Jehovait si në ndërtimin material, ashtu edhe në atë frymor?
18 Sot, Dëshmitarët e Jehovait nuk ndërtojnë sipas planeve të frymëzuara nga fryma perëndore, por ata e kanë frymën e Perëndisë. Si në ditët e Izraelit, ajo i motivon që të ndërtojnë në mënyrë mahnitëse për njerëzit e botës. (Zaharia 4:6) Koha është e shkurtër. Sallat e Mbretërisë dhe ndërtesat e tjera nevojiten me shpejtësi. Në disa vende ndërtimi i shpejtë i Sallave të Mbretërisë është gjë e zakonshme. Për shembull, Kanadaja në 10 vitet e kaluara raporton se ka ndërtuar 306 salla, secilën prej tyre në më pak se dy ditë. Për shkak të rritjes së shpejtë të veprës së Jehovait në mbarë botën, po ndërtohen apo planifikohen gjithsej 43 ndërtesa të reja dege apo zgjerime të tyre. Përveç kësaj, një ndërtesë 30-katëshe e rezidencës në Brooklyn, me mundësi strehimi për rreth njëmijë vullnetarë bethelitë, është duke përfunduar. Po ashtu, në shtetin e New York-ut, në Patterson, ndërtimi i qendrës edukative të Biblës, projekti më i madh i ndërmarrë nga Shoqata e Watch Tower-it po përparon shumë para afatit.
19 Këto projekte po përparojnë me aq efektshmëri dhe cilësi pune, saqë firma botërore me shumë njohuri ndërtimi habiten. Përse? Për shkak të kontributit të jashtëzakonshëm të dhënë nga Dëshmitarët e përkushtuar të Jehovait. Fryma e tij i nxit ata jo vetëm të sigurojnë përkrahje materiale, por edhe të japin me gjithë zemër kohën dhe energjinë e tyre. Vendet e ndërtimit ziejnë nga punëtorë shumë të aftë dhe besnikë. Në to nuk ekziston greva dhe humbja e kotë e kohës në punë. Fryma e Jehovait motivon, sikurse motivoi ndërtuesit e shatorres në kohën e Mojsiut dhe ata që ndërtuan tempullin në ditët e Solomonit. Frymësia është cilësi e jashtëzakonshme që kërkohet nga këta punëtorë.—Krahaso Të Dalët 35:30-35; 36:1-3; 39:42, 43; 1. Mbretërit 6:11-14.
20. (a) Deri në ç’përmasa do të predikohet ende lajmi i mirë? (b) Ç’ardhmëri e bekuar e pret popullin e Jehovait?
20 Solomoni e vazhdoi programin e tij të ndërtimit pas mbarimit të tempullit. (2. Kronikat 8:1-6) Deri në cilat përmasa do të zgjerohen dëshmitarët bashkëkohorë, me nevojën paralele për ndërtimin e sallave dhe objekteve të tjera, ne nuk e dimë. Megjithatë, ne dimë se, kur ky lajm i mirë i Mbretërisë do të jetë predikuar deri në atë masë sa të vendosë Jehovai, atëherë do të vijë fundi, «mjerimi i madh». (Mateu 24:14, 21) Mbi një tokë, ku shkatërrimi prej njerëzve lakmitarë nuk do të vazhdojë më, rregullimi i Jehovait i «qiejve të rinj dhe tokës së re», do t’i sjellë njerëzimit bekime të panumërta. Prandaj, «le të ngazëllohemi dhe le të jemi të gëzuar përgjithmonë në atë që Perëndia krijon», le t’i japim gjithë lavdinë Krijuesit tonë të Madh!—Isaia 65:17-19, 21, 25.
[Shënimi]
a Shiko librin “Let Your Kingdom Come”, (angl.) të botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc., faqe 105-116, 186-189.
Pyetjet për përsëritje
◻ Ç’arsye kemi që të gëzohemi në Krijuesin tonë të Madh?
◻ Çfarë rritje është raportuar gjatë vitit të shërbimit 1992?
◻ Mbi cilat bekime kanë raportuar vendet ku predikimi ishte i ndaluar?
◻ Si kanë kontribuar të rinjtë dhe pionierët në rritjen e madhe të organizatës së Jehovait?
◻ Në ç’mënyrë ishte i zënë populli i Jehovait si në punët materiale të ndërtimit, ashtu edhe në ato frymore?
[Kutia në faqe 17]
Vitin e kaluar më tepër se një miliardë orë u harxhuan në veprën e predikimit dhe të mësimit
[Tabela në faqet 12-15]
RAPORTI BOTËROR I DËSHMITARËVE TË JEHOVAIT PËR VITIN ZYRTAR 1992
(Shiko botimin)
[Figura në faqe 10]
Me qindra mijëra kandidatë për pagëzim në vitin e kaluar tregojnë bekimet e Jehovait në veprën e predikimit dhe të mësimit
[Figura në faqe 16]
Numri i madh i të rinjve «po i kujtohet Krijuesit të vet të Madh»