Kapitulli tre
«Le t’i ndreqim gjërat»
1, 2. Me kë i krahason Jehovai sunduesit dhe popullin e Jerusalemit e të Judës dhe përse është i përshtatshëm ky krahasim?
PASI kanë dëgjuar denoncimin e regjistruar në Isainë 1:1-9, banorët e Jerusalemit mund të ndihen të prirur për t’u justifikuar. Ata, pa dyshim, do të duan të nxjerrin në pah me krenari të gjitha flijimet që i kanë ofruar Jehovait. Por vargjet 10 deri në 15 i japin këtij qëndrimi një përgjigje therëse. Ajo fillon: «Dëgjoni fjalën e Jehovait, ju diktatorë të Sodomës! Vërini veshin ligjit të Perëndisë tonë, ju njerëz të Gomorrës!»—Isaia 1:10.
2 Sodoma dhe Gomorra u shkatërruan jo vetëm për shkak të praktikave të mbrapshta seksuale, por edhe për qëndrimin e tyre të pandjeshëm e fodull. (Zanafilla 18:20, 21; 19:4, 5, 23-25; Ezekieli 16:49, 50) Auditori i Isaisë duhet të tronditet tek dëgjon të krahasohet me njerëzit e atyre qyteteve të mallkuara.a Por Jehovai e shikon popullin e tij tamam ashtu siç është dhe Isaia nuk e zbut mesazhin e Perëndisë për të ‘gudulisur veshët’ e tyre.—2 Timoteut 4:3.
3. Çfarë nënkupton Jehovai kur thotë se ‘është ngopur’ me flijimet e njerëzve dhe pse është kështu?
3 Vëreni se si ndihet Jehovai në lidhje me adhurimin formal të popullit të tij. «‘Çfarë dobie kam nga flijimet tuaja të shumta?—thotë Jehovai.—Jam ngopur me blatimet e djegura të deshve dhe me dhjamin e kafshëve të ushqyera mirë, dhe në gjakun e demave, të qengjave meshkuj dhe të cjepve nuk kam gjetur kënaqësi.’» (Isaia 1:11) Populli ka harruar që Jehovai nuk varet nga sakrificat e tyre. (Psalmi 50:8-13) Ai nuk ka nevojë për asgjë nga ato që mund t’i ofrojnë njerëzit. Prandaj, nëse njerëzit mendojnë se duke i dhënë oferta me gjysmë zemre po i bëjnë Jehovait një nder, ata gabohen. Jehovai përdor një figurë letrare të fuqishme. Shprehja «jam ngopur» mund të përkthehet edhe «jam velur» ose «jam dendur». A e keni parasysh ndjesinë që krijohet kur një njeri është kaq i ngopur me ushqim, saqë edhe vetëm kur sheh pak më tepër ushqim ndien neveri? Jehovai ndiente diçka të ngjashme për ato oferta, një neveri të plotë!
4. Si e tregon Isaia 1:12 kotësinë e vajtjes së popullit në tempull në Jerusalem?
4 Jehovai vazhdon: «Kur ju njerëz vazhdoni të vini për të parë fytyrën time, kush e ka kërkuar këtë nga dora juaj, të shkelni oborret e mia?» (Isaia 1:12) A nuk është ligji i Jehovait ai që i kërkon popullit të ‘shkojë për të parë fytyrën e tij’, pra, të jetë i pranishëm në tempullin e tij në Jerusalem? (Dalja 34:23, 24) Po, por ata shkojnë atje sa për formalitet, thjesht duke ndjekur mekanikisht rutinën e adhurimit të pastër, pa pasur motive të pastra. Për Jehovain, vizitat e tyre të shumta në oborret e tij janë thjesht si një ‘e shkelur’, e cila nuk bën gjë tjetër veçse gërryen truallin.
5. Cilat janë disa nga aktet e adhurimit të kryera nga judenjtë dhe përse janë bërë ato «një barrë» për Jehovain?
5 Nuk është për t’u habitur, pra, që tani Jehovai fillon të përdorë një gjuhë edhe më të prerë. «Mos sillni më oferta të tjera drithi që s’kanë vlerë! Temjani—ai është një gjë e neveritshme për mua. Hëna e re dhe sabati, thirrja e një kuvendi—nuk mund ta duroj dot përdorimin e fuqisë magjike bashkë me asamblenë solemne. Hënat tuaja të reja dhe periudhat tuaja festive shpirti im i ka urryer. Për mua janë bërë një barrë; jam lodhur së mbajturi ato.» (Isaia 1:13, 14) Ofertat e drithit, temjani, Sabatet dhe asambletë solemne janë të gjitha pjesë e Ligjit që Perëndia i ka dhënë Izraelit. Sa për ‘hënat e reja’, Ligji, thjesht, udhëzon që ato të kremtohen, por gradualisht këtij kremtimi i janë shtuar edhe zakone të tjera të shëndetshme. (Numrat 10:10; 28:11) Hëna e re trajtohet si një sabat mujor, gjatë të cilit populli e ndërpret punën dhe madje mblidhet për t’u mësuar nga profetët dhe priftërinjtë. (2 Mbretërve 4:23; Ezekieli 46:3; Amosi 8:5) Këto zakone nuk janë të gabuara. E keqja qëndron te bërja e tyre thjesht sa për t’u dukur. Veç kësaj, judenjtë i drejtohen «fuqisë magjike», praktikave spiritiste, pikërisht në kohën kur janë duke mbajtur ceremonitë e kërkuara nga Ligji i Perëndisë.b Prandaj, aktet e tyre të adhurimit të Jehovait janë «një barrë» për të.
6. Në cilin kuptim është «lodhur» Jehovai?
6 Por si është e mundur që Jehovai të ndihet ‘i lodhur’? Në fund të fundit, ai zotëron një ‘bollëk energjie dinamike . . . Ai nuk rraskapitet ose lodhet’. (Isaia 40:26, 28) Jehovai po përdor një figurë të gjallë letrare që të na japë mundësi të kuptojmë ndjenjat e tij. A keni mbartur ndonjëherë një peshë të rëndë për kaq shumë kohë, saqë jeni lodhur deri në palcë dhe keni dëshiruar të çliroheshit nga ajo një orë e më parë? Kështu ndihet edhe Jehovai nga aktet e adhurimit plot hipokrizi të popullit të tij.
7. Përse Jehovai ka pushuar së dëgjuari lutjet e popullit të tij?
7 Tani, Jehovai i referohet aktit të adhurimit më intim dhe më personal se çdo akt tjetër adhurimi. «Kur shtrini pëllëmbët tuaja, unë i fsheh sytë e mi nga ju. Edhe pse bëni shumë lutje, unë nuk dëgjoj; duart tuaja janë mbushur me gjakderdhje.» (Isaia 1:15) Shtrirja e pëllëmbëve, d.m.th. mbajtja e duarve shtrirë me pëllëmbët drejtuar lart, është një gjest përgjërimi. Për Jehovain ky pozicion qëndrimi është bërë i pakuptimtë, pasi ky popull i ka duart plot me gjakderdhje. Në vend mbretëron dhuna. Shtypja e të dobëtit është diçka e zakonshme. Prandaj, bërja e lutjeve ndaj Jehovait dhe kërkimi i bekimeve, nga ana e këtyre njerëzve që keqtrajtojnë të tjerët dhe janë egoistë, është një paturpësi. Nuk është për t’u habitur, pra, që Jehovai thotë: ‘Unë nuk dëgjoj.’
8. Çfarë gabimi bën i ashtuquajturi krishterim sot dhe si bien disa të krishterë në një grackë të ngjashme?
8 Në kohën tonë, në mënyrë të ngjashme, i ashtuquajturi krishterim ka dështuar të fitojë favorin e Perëndisë me anë të përsëritjes pa pushim të lutjeve të kota dhe me anë të ‘veprave’ të tjera fetare të tij. (Mateu 7:21-23) Është e një rëndësie jetësore që ne të mos biem në të njëjtën grackë. Ndonjëherë, një i krishterë shket në një praktikë mëkatare serioze, pastaj arsyeton se, nëse thjesht e fsheh atë që po bën dhe e rrit aktivitetin në kongregacionin e krishterë, veprat e tij në njëfarë mënyre do ta kompensojnë mëkatin. Këto vepra formale nuk i pëlqejnë Jehovait. Siç tregojnë vargjet vijuese të Isaisë, ekziston vetëm një kurë për gjendjen e sëmurë frymore.
Kura për gjendjen e sëmurë frymore
9, 10. Sa e rëndësishme është pastërtia në adhurimin që i bëjmë Jehovait?
9 Si Perëndi i dhembshur që është, tani, Jehovai kalon në një ton më të ngrohtë e më përgjërues. «Lahuni, pastrohuni, largojeni të keqen e veprimeve tuaja nga sytë e mi, pushoni së bëri të keqen. Mësoni të bëni të mirën, kërkoni drejtësinë, ndreqni shtypësin, sigurojini drejtësi jetimit nga babai, mbroni çështjen e së vesë.» (Isaia 1:16, 17) Këtu gjejmë një zinxhir prej nëntë shprehjesh në mënyrën urdhërore ose nëntë urdhra. Katër të parët janë negativë, në kuptimin që përfshijnë braktisjen e mëkatit, ndërsa pesë të fundit janë veprime pozitive që çojnë në marrjen e bekimeve të Jehovait.
10 Larja dhe pastërtia kanë qenë gjithmonë një pjesë e rëndësishme e adhurimit të pastër. (Dalja 19:10, 11; 30:20; 2 Korintasve 7:1) Por Jehovai dëshiron që pastrimi të shkojë akoma më thellë, tamam në zemrën e adhuruesve të tij. Ajo që ka më shumë rëndësi është pastërtia morale e frymore dhe kjo është ajo së cilës i referohet Jehovai. Dy urdhrat e parë në vargun 16 nuk janë thjesht një përsëritje. Një autoritet hebre në fushën e gramatikës hedh mendimin se i pari, «lahuni», i referohet një akti fillestar pastrimi, ndërsa i dyti, «pastrohuni», u referohet përpjekjeve të vazhdueshme për ta mbajtur atë pastërti.
11. Çfarë duhet të bëjmë dhe çfarë nuk duhet të bëjmë kurrë, për të luftuar mëkatin?
11 Ne nuk mund t’i fshehim asgjë Jehovait. (Jobi 34:22; Proverbat 15:3; Hebrenjve 4:13) Prandaj, urdhri i tij, «largojeni të keqen e veprimeve tuaja nga sytë e mi», mund të ketë vetëm një kuptim: pushoni së bëri të keqen. Kjo do të thotë që të mos përpiqemi të fshehim mëkatet serioze, sepse të veprosh kështu është vetë një mëkat. Proverbat 28:13 paralajmëron: «Kush i fsheh shkeljet e tij nuk do të ketë mbarësi; por ai që i rrëfen dhe i braktis ato, ka për të fituar mëshirën.»—Dio.
12. (a) Përse është e rëndësishme që ‘të mësojmë të bëjmë të mirën’? (b) Si mund t’i zbatojnë veçanërisht pleqtë udhëzimet për të ‘kërkuar drejtësinë’ dhe për të ‘ndrequr shtypësin’?
12 Edhe nga veprimet pozitive që Jehovai urdhëron në vargun 17 të Isaisë, kapitulli 1, mund të mësojmë shumë. Vëreni që ai nuk thotë thjesht «bëni të mirën», por «mësoni të bëni të mirën». Për të kuptuar se çfarë është e mirë në sytë e Perëndisë dhe për të pasur dëshirën që ta zbatojmë atë, është e nevojshme të studiojmë personalisht Fjalën e Perëndisë. Gjithashtu, Jehovai nuk thotë thjesht «ushtroni drejtësi», por «kërkoni drejtësinë». Edhe pleqtë me përvojë duhet të bëjnë kërkime të hollësishme në Fjalën e Perëndisë, me qëllim që të gjejnë se cila është rruga e drejtë për t’u ndjekur në disa çështje të ndërlikuara. Ata kanë, gjithashtu, përgjegjësinë për të ‘ndrequr shtypësin’, siç urdhëron në vazhdim Jehovai. Këto udhëzime janë të rëndësishme për barinjtë e krishterë sot, pasi ata duhet ta mbrojnë kopenë nga ‘ujqërit që shtypin’.—Veprat 20:28-30.
13. Si mund t’i zbatojmë ne sot urdhërimet në lidhje me djalin jetim dhe me të venë?
13 Dy urdhrat e fundit përfshijnë disa nga njerëzit më të pambrojtur të popullit të Jehovait, jetimët dhe të vejat. Bota është e gatshme të përfitojë në kurriz të këtyre personave, por mes popullit të Perëndisë nuk duhet të jetë kështu. Pleqtë e dashur «sigurojnë drejtësi» për djemtë jetimë dhe vajzat jetime në kongregacion, duke i ndihmuar ata që të trajtohen me drejtësi dhe të gjejnë mbrojtje në një botë që kërkon të përfitojë prej tyre dhe t’i korruptojë. Pleqtë ‘mbrojnë çështjen’ e së vesë ose, siç mund të nënkuptojë, gjithashtu, fjala hebraike, «luftojnë» në favor të saj. Në të vërtetë, të gjithë të krishterët duhet të jenë një burim mbrojtjeje, ngushëllimi dhe drejtësie për ata persona midis nesh që janë në nevojë, sepse ata janë të çmuar për Jehovain.—Mikea 6:8; Jakovit 1:27.
14. Çfarë mesazhi pozitiv përcjell Isaia 1:16, 17?
14 Çfarë mesazhi të fuqishëm e pozitiv përcjell Jehovai me anë të këtyre nëntë urdhrave! Ndonjëherë, ata që bien në mëkat e bindin veten se të bësh atë që është e drejtë është thjesht përtej mundësive të tyre. Koncepte të tilla janë shkurajuese. Për më tepër, ato janë të gabuara. Jehovai e di dhe dëshiron që edhe ne ta dimë se me ndihmën e Tij, cilido mëkatar mund t’i japë fund rrugës së tij mëkatare, mund të bëjë kthesë dhe në vend të mëkatit mund të bëjë atë që është e drejtë.
Një përgjërim i dhembshur e i drejtë
15. Si keqkuptohet disa herë shprehja «le t’i rregullojmë gjërat midis nesh», por çfarë do të thotë ajo në të vërtetë?
15 Tani, toni i Jehovait fiton një ngrohtësi e dhembshuri edhe më të madhe. «Ejani tani, dhe le t’i ndreqim gjërat midis nesh,—thotë Jehovai.—Edhe sikur mëkatet tuaja të jenë të kuqe flakë, ato do të bëhen të bardha porsi bora; edhe sikur të jenë të kuqe si një rrobë e kuqe gjak, do të bëhen tamam si leshi.» (Isaia 1:18) Ftesa që hap këtë varg të bukur, shpesh keqkuptohet. Për shembull, Bibla Diodati i Ri thotë, ‘le të diskutojmë bashkë’, duke lënë të kuptohet sikur të dyja palët duhet të bëjnë lëshime për të arritur një marrëveshje. Por nuk është kështu. Jehovai nuk mund të fajësohet për asgjë dhe aq më pak për mënyrën se si e ka trajtuar këtë popull rebel e hipokrit. (Ligji i përtërirë 32:4, 5) Vargu nuk flet për një bisedë kompromisesh mes palësh të barabarta, por për një proces gjyqësor, me qëllim që të vendoset drejtësia. Është njësoj sikur Jehovai ta ketë ftuar Izraelin në një proces gjyqësor.
16, 17. Si e dimë që Jehovai është i gatshëm të falë, madje edhe mëkatet serioze?
16 Ky mund të duket një mendim frikësues, por Jehovai është Gjykatësi më i mëshirshëm e më i dhembshur që mund të ekzistojë. Aftësia e tij për të falur nuk ka të krahasuar. (Psalmi 86:5) Vetëm ai mund t’i marrë mëkatet e Izraelit, të cilat janë «flakë të kuqe» dhe t’i pastrojë, duke i bërë «të bardha porsi bora». Asnjë përpjekje njerëzore, asnjë formulë aktesh fetare, sakrificash ose lutjesh nuk mund ta heqë njollën e mëkatit. Vetëm falja e Jehovait mund ta lajë plotësisht mëkatin. Perëndia e ushtron këtë falje në bazë të kushteve që ai vendos, të cilat përfshijnë pendimin e sinqertë që buron nga zemra.
17 Kaq e rëndësishme është kjo e vërtetë, saqë Jehovai e përsërit atë edhe një herë me anë të një variacioni poetik: mëkatet ngjyrë ‘të kuqe gjak’ do të bëhen si leshi i ri, i pangjyer e i bardhë. Jehovai dëshiron që ne të dimë se ai është me të vërtetë Falësi i mëkateve, madje edhe i atyre shumë serioze, nëqoftëse shikon se jemi penduar sinqerisht. Ata që e kanë të vështirë të besojnë se kjo është e vërtetë në rastin e tyre bëjnë mirë të shqyrtojnë shembuj të tillë si ai i Manaseut. Ai kreu mëkate të tmerrshme, për vite të tëra. E megjithatë, u pendua dhe u fal. (2 Kronikave 33:9-16) Jehovai dëshiron që të gjithë ne, përfshirë edhe ata që kanë kryer mëkate serioze, të dimë se nuk është tepër vonë «për të ndrequr gjërat» me të.
18. Çfarë alternativash vendos Jehovai para popullit të tij rebel?
18 Jehovai i kujton popullit të tij se ka një zgjedhje për të bërë. «Nëse ju tregoni gatishmëri dhe dëgjoni me të vërtetë, do të hani të mirën e tokës. Por nëse refuzoni dhe në të vërtetë tregoheni rebelë, do të gllabëroheni nga shpata, sepse këtë e ka thënë vetë goja e Jehovait.» (Isaia 1:19, 20) Këtu Jehovai e vë theksin te qëndrimi dhe përdor një tjetër figurë të gjallë letrare për të përforcuar pikën që do të nxjerrë në pah. Alternativat e Judës janë: ose të hajë, ose ta hanë. Nëse do të ketë një qëndrim të gatshëm për të dëgjuar dhe për t’iu bindur Jehovait, populli do të hajë prodhimet e mira të vendit. Por, nëse do të këmbëngulë në qëndrimin e tij prej rebeli, do të gllabërohet nga shpata e armiqve të tij. Duket pothuajse e paimagjinueshme që një popull të zgjedhë shpatën e armiqve të tij, në vend të mëshirës dhe bollëkut të ofruar nga një Perëndi i gatshëm për të falur. Megjithatë, siç tregojnë vargjet vijuese të Isaisë, në rastin e Jerusalemit ndodh pikërisht kështu.
Vajtohet qyteti i dashur
19, 20. (a) Si e përcjell Jehovai ndjenjën e tradhtimit që provon? (b) Në ç’mënyrë ‘ka banuar drejtësia në Jerusalem’?
19 Në Isainë 1:21-23 shikojmë se deri në çfarë shkalle ka arritur ligësia e Jerusalemit në këtë kohë. Tani, Isaia ia nis një poeme të frymëzuar në formën e një vajtimi, ose të një kuje. «Oh, si është bërë qyteti besnik një prostitutë! Ai ishte plot drejtësi; atje banonte vetë drejtësia, por tani vrasësit.»—Isaia 1:21.
20 Oh, si është katandisur qyteti, Jerusalemi! Dikur ai ishte si një grua besnike, por tani është bërë një prostitutë. Ç’gjë tjetër mund ta përcillte në mënyrë më të fuqishme se kjo ndjenjën e tradhtimit dhe të zhgënjimit që ndien Jehovai? Në këtë qytet «banonte vetë drejtësia». Kur? Po ja, në kohën e Abrahamit, madje, para se Izraeli të ekzistonte, ky qytet quhej Salem. Mbi të sundonte një burrë që ishte njëkohësisht mbret dhe prift. Emri i tij, Melkisedek, do të thotë «Mbret i drejtësisë» dhe me sa duket i shkonte shumë për shtat. (Hebrenjve 7:2; Zanafilla 14:18-20) Rreth 1000 vjet pas Melkisedekut, Jerusalemi arriti një pikë kulmore, nën mbretërimin e Davidit dhe të Solomonit. ‘Vetë drejtësia banonte atje’, sidomos kur mbretërit jepnin shembullin e tyre para popullit, duke ecur në udhët e Jehovait. Megjithatë, në ditët e Isaisë këto kohë janë kujtime të turbullta.
21, 22. Çfarë përfaqësojnë skoria dhe birra e holluar dhe përse e meritojnë udhëheqësit e Judës një përshkrim të tillë?
21 Me sa duket, pjesa më e madhe e së keqes janë udhëheqësit e popullit. Isaia vazhdon me vajtimin e tij: «Vetë argjendi yt është bërë skorie. Birra jote e bërë nga gruri është holluar me ujë. Princat e tu janë kokëfortë dhe ortakë të hajdutëve. Çdonjëri prej tyre dashuron ryshfetin dhe shkon pas dhuratave. Nuk i sigurojnë drejtësi jetimit nga babai dhe madje çështja gjyqësore e një të veje nuk lejohet të dalë para tyre.» (Isaia 1:22, 23) Dy ilustrime të gjalla e të njëpasnjëshme përgatitin atmosferën për atë që duhet të vijë më pas. Metalpunuesi në farkëtarinë e tij heq nga argjendi i shkrirë, skorien e krijuar dhe e hedh poshtë. Princat dhe gjykatësit e Izraelit janë si skoria dhe jo si argjendi. Ata duhen hedhur poshtë. Vlera e tyre nuk është më e madhe se ajo e birrës së holluar me ujë, së cilës i ka ikur shija. Një pije e tillë është për t’u hedhur poshtë.
22 Vargu 23 tregon se përse udhëheqësit e meritojnë një përshkrim të tillë. Ligji i Moisiut e ngriti popullin e Perëndisë në një pozitë të lartë, duke e veçuar nga kombet e tjera. Këtë gjë e bëri, për shembull, duke urdhëruar mbrojtjen e jetimëve dhe të të vejave. (Dalja 22:22-24) Por në kohën e Isaisë, djali jetim ka pak shpresë për t’u gjykuar në mënyrë të favorshme. Sa për të venë, ajo nuk arrin dot as që të bëjë të dëgjohet çështja e saj e jo më që të bëhen përpjekje në favor të saj. Jo, këta gjykatës dhe udhëheqës janë tepër të zënë me interesat e tyre personale: kërkojnë rryshfete, shkojnë pas dhuratave dhe shërbejnë si ortakë të hajdutëve, dhe këtë, me sa duket, e bëjnë duke mbrojtur kriminelët, ndërsa i lënë viktimat e tyre të vuajnë. Por më keq akoma, ata janë «kokëfortë» ose të pandjeshëm, në rrugën e tyre mëkatare. Ç’gjendje e trishtueshme!
Jehovai do ta rafinojë popullin e tij
23. Çfarë ndjenjash shpreh Jehovai për kundërshtarët e tij?
23 Jehovai nuk do ta tolerojë këtë abuzim të pushtetit përgjithmonë. Isaia vazhdon: «Prandaj shprehja e Zotërisë së vërtetë, Jehovait të ushtrive, të Fuqishmit të Izraelit, është: ‘Ah, do t’i heq qafe kundërshtarët e mi dhe do të hakmerrem ndaj armiqve të mi.’» (Isaia 1:24) Këtu, Jehovai përshkruhet me tre tituj të ndryshëm, duke theksuar kështu autoritetin e tij sundues legjitim dhe fuqinë e tij të jashtëzakonshme. Pasthirrma «Ah», ka të ngjarë të nënkuptojë se tani, keqardhja e Jehovait është përzier me vendosmërinë për të vepruar në përputhje me zemërimin e tij. Pa dyshim, për këtë ka një arsye.
24. Çfarë procesi rafinimi ka ndër mend Jehovai për popullin e tij?
24 Populli i Jehovait e ka bërë veten armik të Tij. Ata e meritojnë plotësisht hakmarrjen hyjnore. Jehovai do t’i ‘heqë qafe’ ose do të çlirohet prej tyre. A nënkupton kjo një shkatërrim të plotë e të përhershëm të popullit me emrin e Tij? Jo, sepse në vazhdim Jehovai thotë: «Dhe do ta kthej dorën kundër teje dhe do ta eliminoj me shkrirje skorien tënde si me finjë dhe do t’i heq të gjitha fundërrinat e tua.» (Isaia 1:25) Tani Jehovai e përdor procesin e rafinimit si një ilustrim. Rafinuesit në kohët e lashta shpesh përdornin finjë, e cila ndihmonte në ndarjen e skorieve nga metali i çmuar. Në mënyrë të ngjashme, Jehovai, i cili nuk e konsideron popullin e tij plotësisht të lig, do t’i ‘ndëshkojë ata në masën e duhur’. Ai do të heqë prej tyre vetëm «fundërrinat», personat kokëfortë e të padëshirueshëm që refuzojnë të mësojnë dhe të binden.c (Jeremia 46:28) Me këto fjalë Isaia ka privilegjin të shkruajë historinë para se të ndodhë.
25. (a) Si e rafinoi Jehovai popullin e tij në vitin 607 p.e.s.? (b) Kur e rafinoi Jehovai popullin e tij në kohët moderne?
25 Jehovai e rafinoi me të vërtetë popullin e tij, duke i hequr, si të thuash, skorien, të përbërë nga udhëheqësit e korruptuar dhe nga rebelët e tjerë. Në vitin 607 p.e.s., shumë vjet pas kohës së Isaisë, Jerusalemi u shkatërrua dhe banorët e tij u çuan në mërgim për 70 vjet në Babiloni. Në disa aspekte, kjo përputhet me një veprim që Perëndia ndërmori shumë kohë më vonë. Profecia e Malakisë 3:1-5, e cila u shkrua shumë kohë pas mërgimit në Babiloni, tregoi se Perëndia do të bënte përsëri një vepër rafinimi. Ajo i referohej kohës kur Perëndia Jehova do të vinte në tempullin e tij frymor i shoqëruar nga «lajmëtari i besëlidhjes», Jezu Krishti. Dëshmitë tregojnë se kjo ndodhi në fund të Luftës I Botërore. Jehovai i inspektoi të gjithë ata që pohonin se ishin të krishterë, duke veçuar si me sitë të vërtetët nga të rremët. Me çfarë rezultati?
26-28. (a) Cila ishte përmbushja e parë e Isaisë 1:26? (b) Si është përmbushur kjo profeci në kohën tonë? (c) Si mund të nxjerrin dobi pleqtë sot nga kjo profeci?
26 Jehovai përgjigjet: «Dhe do të sjell për ty përsëri gjykatës si më parë dhe këshilltarë si në fillim. Pas kësaj ti do të quhesh Qytet i drejtësisë, Qytet besnik. Drejtësia do të jetë shpërblimi për vetë Sionin dhe e drejta për ata që do të kthehen.» (Isaia 1:26, 27) Jerusalemi i lashtë përjetoi një përmbushje fillestare të kësaj profecie. Pasi të mërguarit u kthyen në qytetin e tyre të dashur në vitin 537 p.e.s., ata patën përsëri gjykatës dhe këshilltarë të besueshëm si në të kaluarën. Profetët Hage dhe Zakaria, prifti Josia, kopisti Ezdra dhe qeveritari Zorobabel, shërbyen të gjithë për ta udhëhequr dhe drejtuar mbetjen besnike të kthyer, që të ecte në shtigjet e Perëndisë. Megjithatë, në shekullin e 20-të ndodhi një përmbushje edhe më e rëndësishme.
27 Në vitin 1919, populli i Jehovait i kohëve moderne doli nga periudha e provës. Ata u çliruan nga robëria frymore e Babilonisë së Madhe, perandorisë botërore të fesë së rreme. Dallimi ndërmjet asaj mbetjeje të besueshme të mirosur dhe klerit apostat të të ashtuquajtur krishterim, u bë i qartë. Edhe këtë herë, Perëndia e bekoi popullin e tij ‘duke sjellë për ta gjykatës dhe këshilltarë’, burra të besueshëm, të cilët e këshillojnë popullin e Perëndisë sipas Fjalës së tij dhe jo sipas traditave të njerëzve. Sot mes ‘kopesë së vogël’ që po zvogëlohet gjithnjë e më shumë dhe miliona shokëve të tyre nga ‘delet e tjera’, të cilët po shtohen gjithnjë e më shumë, gjenden mijëra burra të tillë.—Luka 12:32; Gjoni 10:16; Isaia 32:1, 2; 60:17; 61:3, 4.
28 Pleqtë mbajnë parasysh se, me raste, ata shërbejnë si «gjykatës» në kongregacion, me qëllim që ta mbajnë atë të pastër moralisht e frymësisht dhe të korrigjojnë personat që mëkatojnë. Ata janë shumë të interesuar që t’i bëjnë gjërat sipas mënyrës së Perëndisë, duke imituar ndjenjën e tij të mëshirshme dhe të ekuilibruar të drejtësisë. Megjithatë, në shumicën e rasteve, ata shërbejnë si «këshilltarë». Kjo, natyrisht, është shumë më ndryshe nga të qenët princa ose tiranë dhe ata përpiqen në çdo mënyrë që kurrë të mos japin madje as përshtypjen sikur ‘po sillen si padronë me ata që janë trashëgimia e Perëndisë’.—1 Pjetrit 5:3.
29, 30. (a) Çfarë shpall Jehovai për ata që refuzojnë të nxjerrin dobi nga procesi i rafinimit? (b) Në ç’kuptim ‘turpërohen’ njerëzit për shkak të pemëve dhe kopshteve të tyre?
29 Ç’të themi për ‘skorien’ e përmendur në profecinë e Isaisë? Çfarë u ndodh atyre që refuzojnë të nxjerrin dobi nga procesi i rafinimit i kryer nga Perëndia? Isaia vazhdon: «Dhe rënia e rebelëve dhe ajo e mëkatarëve do të ndodhë në të njëjtën kohë dhe ata që lënë Jehovain do të shkojnë drejt fundit të tyre. Sepse atyre do t’u vijë turp për pemët e fuqishme që ju dëshiruat dhe ju do të turpëroheni për shkak të kopshteve që keni zgjedhur.» (Isaia 1:28, 29) Ata që rebelohen dhe mëkatojnë kundër Jehovait, duke shpërfillur mesazhet paralajmëruese të profetëve të tij deri sa është tepër vonë, në fakt ‘bien’ dhe ‘shkojnë drejt fundit të tyre’. Kjo gjë ndodh në vitin 607 p.e.s. Por, çfarë nënkuptojnë referimet për pemët dhe kopshtet?
30 Judenjtë kanë një problem të vazhdueshëm me idhujtarinë. Shpesh praktikat e tyre të ulëta kanë si element të tyre pemë, kopshte dhe pemishte. Për shembull, adhuruesit e Baalit dhe të bashkëshortes së tij, Ashtorethit, besojnë se në stinën e thatë, dy hyjnitë janë të vdekur dhe të varrosur. Për t’i nxitur ata që të zgjohen dhe të çiftohen, duke i sjellë kështu prodhimtari tokës, idhujtarët mblidhen për të kryer akte të mbrapshta seksuale nën pemët e «shenjta» nëpër kopshte ose pemishte. Kur bien shirat dhe toka fiton prodhimtarinë, merita u jepet perëndive të rremë dhe idhujtarët e shohin këtë si një vërtetim të besëtytnive të tyre. Por, kur Jehovai i çon idhujtarët rebelë drejt fundit të tyre shkatërrimtar, asnjë perëndi-idhull nuk i mbron ata. Rebelët ‘turpërohen’ për shkak të këtyre pemëve dhe kopshteve të pafuqishme.
31. Çfarë gjëje më të keqe se turpi përjetojnë idhujtarët?
31 Megjithatë, judenjtë idhujtarë përjetojnë diçka më të keqe se turpi. Duke i bërë ilustrimit një ndryshim, tani Jehovai krahason me pemën vetë idhujtarin. «Sepse ju do të bëheni si një pemë e madhe, gjethnaja e së cilës po thahet dhe si një kopsht që nuk ka ujë.» (Isaia 1:30) Për klimën e nxehtë e të thatë të Lindjes së Mesme ky ilustrim është mëse i përshtatshëm. Asnjë pemë ose kopsht nuk mund ta ketë të gjatë pa një furnizim të vazhdueshëm me ujë. Me t’u tharë, kjo bimësi bëhet veçanërisht e prekshme nga zjarri. Prandaj, ilustrimi në vargun 31 rrjedh natyrshëm.
32. (a) Kush është «njeriu i fuqishëm», të cilit i referohet Is 1 vargu 31? (b) Në ç’kuptim do të bëhet ai si «shtupë», cila «shkëndijë» do t’i vërë zjarrin dhe me çfarë rezultati?
32 «Dhe njeriu i fuqishëm do të bëhet me siguri shtupë dhe produkti i veprimtarisë së tij një shkëndijë, dhe të dy ata do të ndizen me siguri në të njëjtën kohë, pa pasur njeri që t’i shuajë.» (Isaia 1:31) Kush është ky ‘njeri i fuqishëm’? Teksti në hebraisht jep idenë e fuqisë dhe të mirëqenies. Ka të ngjarë që kjo shprehje t’u referohet atyre ithtarëve të perëndive të rremë, që janë të pasur dhe të sigurt në vetvete. Në ditët e Isaisë, ashtu si edhe në ditët tona, nuk mungojnë njerëzit që e refuzojnë Jehovain dhe adhurimin e tij të pastër. Disa duken madje se kanë sukses në jetë. Megjithatë, Jehovai paralajmëron se këta njerëz do të jenë si «shtupë», fibra ose fije liri të ashpra, të cilat janë kaq të brishta e të thata, saqë këputen, si të thuash, me të ndier erën e zjarrit. (Gjykatësit 16:8, 9) Produkti i aktivitetit të idhujtarit, qoftë perënditë-idhuj të tij, pasuria ose gjithçka që ai adhuron në vend të Jehovait, do të jetë si një «shkëndijë» zjarrvënëse. Si shkëndija, ashtu edhe shtupa do të konsumohen, do të eliminohen në një zjarr, të cilin askush nuk do të mund ta shuajë. Asnjë fuqi në univers nuk mund t’i bëjë të pavlefshme gjykimet e përsosura të Jehovait.
33. (a) Në ç’mënyrë mesazhet paralajmëruese të Jehovait lidhur me gjykimin e afërt tregojnë, gjithashtu, mëshirë? (b) Çfarë mundësie po u jep Jehovai tani njerëzve dhe si ndikon kjo mbi secilin prej nesh?
33 A pajtohet ky mesazh i fundit me mesazhin e mëshirës dhe të faljes në Is 1 vargun 18? Patjetër. Jehovai i ka shkruar dhe i ka shpallur këto paralajmërime nëpërmjet shërbëtorëve të tij pikërisht sepse është i mëshirshëm. Në fund të fundit, ai «nuk dëshiron që të shkatërrohet ndonjë, por dëshiron që të gjithë të arrijnë në pendim». (2 Pjetrit 3:9) Sot, është privilegji i çdo të krishteri të vërtetë që t’u shpallë njerëzve mesazhet paralajmëruese të Perëndisë, me qëllim që të penduarit të nxjerrin dobi nga falja e tij bujare dhe të jetojnë përgjithmonë. Ç’tregues dashamirësie është nga ana e Jehovait mundësia që ai u jep njerëzve, që t’i ‘ndreqin gjërat’ me të, para se të jetë tepër vonë!
[Shënimet]
a Sipas gojëdhënave të lashta judeje, mbreti i lig Manase e ekzekutoi Isainë, duke e sharruar copë-copë. (Krahaso Hebrenjve 11:37.) Një burim thotë se që t’i jepej ky dënim me vdekje, një profet i rremë përdori kundër Isaisë akuzën vijuese: «Ai e ka quajtur Jerusalemin Sodomë dhe ka deklaruar se princat e Judës dhe të Jerusalemit (janë si) njerëzit e Gomorrës.»
b Fjala hebraike për «fuqi magjike» përkthehet, gjithashtu, edhe «diçka e dëmshme», «diçka magjike» dhe «e gabuar». Sipas veprës Fjalor teologjik i Testamentit të vjetër (Theological Dictionary of the Old Testament), profetët hebrenj e përdornin këtë shprehje për të denoncuar «të keqen e shkaktuar nga përdorimi i gabuar i fuqisë».
c Shprehja «do ta kthej dorën kundër teje» do të thotë se Jehovai do të ndryshojë qëndrim, nga mbështetës i popullit në ndëshkues të tij.