-
Një libër me profeci1997 Një libër për të gjithë njerëzit
-
-
Babilonia e lashtë u bë «ajka e mbretërive». (Isaia 13:19, DSF) Ky qytet i shtrirë ishte vendosur në mënyrë strategjike në rrugën tregtare nga Gjiri Persik për në Detin Mesdhe, duke shërbyer si magazinë tregtare qoftë për biznesin tokësor, ashtu edhe për atë detar ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit.
Aty nga shekulli i shtatë p.e.s., Babilonia, me sa duket, ishte kryeqyteti i pamposhtur i Perandorisë Babilonase. Qyteti gjendej mes dy brigjeve të lumit Eufrat dhe ujërat e lumit ishin përdorur për të formuar një hendek të gjerë e të thellë me ujë, si dhe një rrjet me kanale. Veç kësaj, qyteti mbrohej nga një sistem masiv me mure të dyfishta, i mbështetur nga kulla të panumërta mbrojtëse. Nuk kemi pse të habitemi, pra, që banorët e saj ndiheshin të sigurt.
Megjithatë, në shekullin e tetë p.e.s., përpara se Babilonia të ngrihej në majat më të larta të lavdisë së saj, profeti Isaia paratha se Babilonia ‘do të fshihej me fshesën e shkatërrimit’. (Isaia 13:19; 14:22, 23) Isaia përshkroi, gjithashtu, edhe mënyrën se si do të binte Babilonia. Pushtuesit ‘do të thanin’ lumenjtë e saj, burimin e mbrojtjes së saj me hendeqe, duke e bërë qytetin një pre të lehtë. Isaia dha edhe emrin e pushtuesit, «Kiri», një mbret i madh persian, «para të cilit portat do të hapen dhe asnjë derë nuk do të mbyllet».—Isaia 44:27–45:2, The New English Bible.
-
-
Një libër me profeci1997 Një libër për të gjithë njerëzit
-
-
«Ajo nuk do të banohet më»
Ç’do të ndodhte me Babiloninë pas rënies së saj? Isaia paratha: «Ajo nuk do të banohet më, as nuk do të popullohet brez pas brezi; arabi nuk do të ngrerë më aty çadrën e tij, as barinjtë nuk do t’i ndalin aty kopetë e tyre.» (Isaia 13:20) Do të ketë qenë e çuditshme, për të mos thënë më shumë, të parashikoje se një qytet në një vendndodhje të tillë të favorshme do të bëhej përherë i pabanueshëm. A mund të jenë shkruar fjalët e Isaisë pasi ai të ketë vëzhguar Babiloninë e shkretuar?
Pas pushtimit nga Kiri, një Babiloni e banuar, edhe pse më e dobët, vazhdoi për shekuj. Ndoshta ju kujtohet se Rrotullat e Detit të Vdekur përmbanin një kopje të librit të plotë të Isaisë, e cila daton nga shekulli i dytë p.e.s. Aty nga koha në të cilën rrotulla po kopjohej, partët morën kontrollin mbi Babiloninë. Në shekullin e parë të e.s., në Babiloni gjendej një komunitet judenjsh dhe shkrimtari biblik, Pjetri, e vizitoi atë. (1. Pjetrit 5:13) Në atë kohë, Rrotulla e Detit të Vdekur e Isaisë kishte qenë në ekzistencë për gati dy shekuj. Pra, në shekullin e parë të e.s. Babilonia nuk ishte shkretuar ende plotësisht, ndërkohë që libri i Isaisë kishte mbaruar shumë kohë më parë.a
Siç ishte parathënë, së fundi Babilonia u bë «një grumbull gërmadhash». (Jeremia 51:37) Sipas dijetarit hebre, Jeromi (shekulli i katërt i e.s.), në ditët e tij Babilonia ishte një truall për gjueti, në të cilin ulërinin «bisha të çdo lloji».9 Babilonia ka mbetur e shkretë edhe sot e kësaj dite.
Isaia s’jetoi aq sa për të parë Babiloninë e pabanuar. Por rrënojat e atij qyteti njëherë e një kohë të fuqishëm, rreth 80 km në jug të Bagdatit, në Irakun e sotëm, janë një dëshmi e heshtur e përmbushjes së fjalëve të tij: «Ajo nuk do të banohet më.» Ndonjë ristrukturim i Babilonisë si tërheqje për turistët mund t’i joshë vizitorët, por «fëmijët dhe pasardhësit» e Babilonisë janë shuar përgjithmonë.—Isaia 13:20; 14:22, 23.
Profeti Isaia, pra, nuk tha parashikime të vagëta, të cilat do të zbatoheshin për ndonjë ngjarje të ardhshme. Ai as nuk rishkroi historinë, për ta bërë që të dukej si profeci. Mendo pak: Përse një mashtrues do të rrezikonte, «duke profetizuar» mbi diçka që ai s’e kishte aspak nën kontroll, pra, se Babilonia e fuqishme nuk do të banohej më asnjëherë?
-