-
Ti mund të nxjerrësh dobi nga besëlidhja e rePerëndia na flet nëpërmjet Jeremisë
-
-
5. Pse paratha Jehovai besëlidhjen e re?
5 Kështu mund të fillojmë të kuptojmë përse Perëndia e frymëzoi Jereminë të profetizonte për një besëlidhje tjetër, për besëlidhjen e re, ndonëse besëlidhja e Ligjit ishte ende në fuqi. Nga dashuria dhe mirësia e tij, Jehovai donte t’i ofronte ndihmë të përhershme jo vetëm një kombi. Nëpërmjet Jeremisë, Perëndia tha për ata që do të bënin pjesë në këtë besëlidhje të ardhshme: «Do t’ua fal fajin dhe nuk do t’ua kujtoj më mëkatin.» (Jer. 31:34) Ndonëse ky premtim u bë në kohën e Jeremisë, përmban një shpresë të mrekullueshme për të gjithë njerëzimin. Në ç’kuptim?
6, 7. (a) Si ndihen disa për faktin që janë mëkatarë? (b) Pse mund të të japë zemër shqyrtimi i besëlidhjes së re?
6 Ende jemi të papërsosur dhe shpesh bëhemi të vetëdijshëm për këtë. Për shembull, një vëlla që po luftonte me një problem personal mjaft të madh, komenton: «Kur bija sërish, ndihesha tmerrësisht keq. Mendoja se s’do ta shlyeja dot kurrë atë që kisha bërë. E kisha të vështirë të lutesha. E filloja lutjen duke thënë: ‘Jehova, nuk e di a do të ma dëgjosh këtë lutje, por . . . ’» Disa që kanë pasur rënie të tilla ose që kanë kryer një mëkat, janë ndier sikur «një masë resh» i bllokonte lutjet e tyre që të mos shkonin te Perëndia. (Vajt. 3:44) Të tjerë i kanë munduar kujtimet e gabimeve të kaluara, edhe vite pasi ato kanë ndodhur. Edhe të krishterë që në shumë drejtime janë shembullorë, mund të thonë gjëra për të cilat më vonë bëhen pishman.—Jak. 3:5-10.
7 Asnjë nga ne s’duhet të mendojë se nuk mund të përfshihet kurrë në sjellje të papërshtatshme. (1 Kor. 10:12) Edhe apostulli Pavël e kuptonte se gabonte. (Lexo Romakëve 7:21-25.) Në lidhje me këtë, duhet të na vijë ndër mend besëlidhja e re. Perëndia premtoi se një aspekt kyç i saj do të ishte që ai nuk do t’i kujtonte më mëkatet. Ç’dobi e pakrahasueshme! Sa duhet të jetë prekur Jeremia kur ka parathënë këtë! Edhe ne mund të prekemi kur mësojmë më shumë për besëlidhjen e re dhe shohim si nxjerrim dobi prej saj.
-
-
Ti mund të nxjerrësh dobi nga besëlidhja e rePerëndia na flet nëpërmjet Jeremisë
-
-
8, 9. Sa i kushtoi Jehovait të bënte të mundur faljen e mëkateve?
8 Dora-dorës që e njeh më mirë Jehovain, kupton gjithnjë e më shumë sa i mirë dhe i mëshirshëm është me njerëzit e papërsosur. (Psal. 103:13, 14) Kur po parathoshte besëlidhjen e re, Jeremia theksoi se Jehovai ‘do ta falte fajin’ dhe nuk do ta kujtonte më mëkatin. (Jer. 31:34) Siç mund ta kuptosh, ndoshta Jeremia pyeste veten si do ta realizonte Perëndia këtë falje. Të paktën arrinte të kuptonte se kur fliste për një besëlidhje të re, Perëndia donte të thoshte se do të kishte një marrëveshje ose kontratë mes Tij dhe njerëzve. Në ndonjë mënyrë, me anë të asaj besëlidhjeje, Jehovai do të realizonte atë që tha nëpërmjet Jeremisë, duke përfshirë edhe faljen. Për hollësi të tjera, duhej pritur që Perëndia të zbulonte më tej qëllimin e tij, duke përfshirë edhe çfarë do të bënte Mesia.
9 Ndoshta ke parë prindër që i llastojnë fëmijët e nuk i disiplinojnë. A do të prisje nga Jehovai që të ishte i tillë? Aspak! Kjo është e qartë nga mënyra si hyri në fuqi besëlidhja e re. Në vend që thjesht t’i fshinte mëkatet, Perëndia plotësoi me përpikëri normën e tij të drejtësisë, duke siguruar bazën ligjore për faljen e mëkateve, edhe pse atij vetë i kushtoi shumë. Këtë mund ta kuptosh më mirë duke vërejtur çfarë shkroi Pavli kur po trajtonte besëlidhjen e re. (Lexo Hebrenjve 9:15, 22, 28.) Ai përmendi ‘çlirimin nëpërmjet shpërblesës’ dhe tha se «pa u derdhur gjak, nuk bëhet asnjë falje». Në rastin e besëlidhjes së re, kjo nuk u bë me gjakun e demave ose cjepve të flijuar, siç bëhej nën Ligj. Besëlidhja e re u vu në veprim me anë të gjakut të Jezuit. Bazuar në këtë flijim të përsosur, Jehovai mund ‘ta falte fajin dhe mëkatin’ njëherë e mirë. (Vep. 2:38; 3:19) Por, kush do të bënte pjesë në këtë besëlidhje të re dhe të merrte këtë falje? Jo kombi judaik. Jezui tha se Perëndia do t’i braktiste judenjtë, të cilët bënin flijime kafshësh nën Ligj, dhe do ta kthente vëmendjen te një komb tjetër. (Mat. 21:43; Vep. 3:13-15) Ky komb doli se ishte ‘Izraeli i Perëndisë’, i përbërë nga të krishterë të mirosur me frymën e shenjtë. Me terma të thjeshtë, besëlidhja e Ligjit ishte mes Perëndisë dhe Izraelit natyror, kurse besëlidhja e re është mes Perëndisë Jehova dhe Izraelit frymor, me Ndërmjetës Jezuin.—Gal. 6:16; Rom. 9:6.
10. (a) Kush është ‘filizi’ për Davidin? (b) Si mund të nxjerrin dobi njerëzit nga ‘filizi’?
10 Jeremia e përshkroi Atë që do të vinte, Mesinë, si «filiz» për Davidin. Kjo është me vend. Pema e familjes mbretërore të Davidit u pre që në kohën kur Jeremia shërbente si profet. Por, kërcuri nuk u tha. Me kalimin e kohës, në linjën e mbretit David lindi Jezui. Ai mund të thirrej me emrin «Jehovai është drejtësia jonë», që thekson interesimin e thellë të Perëndisë për këtë cilësi. (Lexo Jereminë 23:5, 6.) Jehovai lejoi që Biri i tij i vetëmlindur të provonte vuajtjet në tokë dhe të vdiste. Më pas, në përputhje me drejtësinë, Jehovai mund ta zbatonte vlerën e flijimit shpërblyes të ‘filizit’ për Davidin, si bazë për falje. (Jer. 33:15) Kjo hapi rrugën që disa njerëz të shpalleshin «të drejtë për jetën» e të miroseshin me frymën e shenjtë, duke u bërë pjesëmarrës në besëlidhjen e re. Si provë e mëtejshme e interesit të Perëndisë për drejtësinë, edhe të tjerë që nuk janë drejtpërdrejt në atë besëlidhje, mund të nxjerrin dobi prej saj dhe tashmë po e bëjnë këtë, siç do ta shohim.—Rom. 5:18.
-