Fryma
Përkufizimi: Fjala hebraike rúah dhe fjala greke pnéuma, që shpesh përkthehen «frymë», kanë disa kuptime. Të dyja i referohen asaj që është e padukshme për sytë e njerëzve dhe që karakterizohet nga një forcë në lëvizje. Si fjala hebraike, edhe ajo greke, përdoren për: (1) erën, (2) forcën vepruese të jetës të krijesave tokësore, (3) forcën nxitëse që buron nga zemra e figurshme e një personi dhe që e shtyn t’i thotë e t’i bëjë gjërat në një mënyrë të caktuar, (4) shprehjet e frymëzuara që vijnë nga një burim i padukshëm, (5) personat frymorë dhe (6) forcën vepruese të Perëndisë ose frymën e shenjtë. Këtu do të shqyrtojmë disa nga këto përdorime, në funksion të temave që mund të lindin në shërbim.
Çfarë është fryma e shenjtë?
Një krahasim i fragmenteve biblike që flasin për frymën e shenjtë, tregon se njerëzit mund ‘të mbushen’, ‘të pagëzohen’ dhe ‘të mirosen’ me të. (Luka 1:41; Mat. 3:11; Vep. 10:38) Asnjëra nga këto shprehje nuk do të ishte e përshtatshme, nëse fryma e shenjtë do të ishte një person.
Jezui e cilësoi frymën e shenjtë edhe si «ndihmës» (greqisht, parákletos) dhe tha se ky ndihmës ‘do të mësonte’, ‘do të jepte dëshmi’, ‘do të fliste’ dhe ‘do të dëgjonte’. (Gjoni 14:16, 17, 26; 15:26; 16:13) Në Shkrime nuk është e pazakontë që diçka të personifikohet. Për shembull, në to thuhet se mençuria ka ‘fëmijë’. (Luka 7:35) Thuhet se mëkati dhe vdekja mbretërojnë si të ishin mbretër. (Rom. 5:14, 21) Në disa shkrime thuhet se fryma ‘foli’ ose ‘tha’, kurse në disa fragmente të tjera tregohet qartë se kjo u bë me anë të engjëjve ose njerëzve. (Vep. 4:24, 25; 28:25; Mat. 10:19, 20; krahaso Veprat 20:23 me 21:10, 11.) Te 1 Gjonit 5:6-8 thuhet se, jo vetëm fryma, por edhe ‘uji e gjaku’ «japin dëshmi». Prandaj, asnjëra nga shprehjet e përmendura në këto vargje, nuk tregon në vetvete se fryma e shenjtë është një person.
Që të jetë i saktë, përkufizimi i frymës së shenjtë duhet të përputhet me të gjitha shkrimet ku përmendet ky term. Duke u nisur nga ky parim, është e logjikshme të dalim në përfundimin se fryma e shenjtë është forca vepruese e Perëndisë. Ajo nuk është një person, por një forcë e fuqishme që buron nga vetë Perëndia dhe që ai e përdor për të përmbushur vullnetin e tij të shenjtë.—Psal. 104:30; 2 Pjet. 1:21; Vep. 4:31.
Shih edhe faqet 405, 406, te tema «Triniteti».
Ç’gjë tregon se një person ka vërtet frymën e shenjtë ose «Shpirtin Shenjt» (DSF)?
Luka 4:18, 31-35: «[Jezui lexoi në rrotullën e profetit Isaia] ‘Fryma e Jehovait është mbi mua, sepse ai më mirosi që t[ë] shpall lajmin e mirë.’ . . . Pastaj zbriti në Kapernaum, një qytet i Galilesë. Nisi t’i mësonte në sabat dhe njerëzit mahniteshin me mënyrën se si mësonte, sepse ai fliste me autoritet. Në sinagogë ndodhej një njeri që kishte një frymë të ndyrë, një demon, dhe ai bërtiti me zë të lartë. . . . Por Jezui e qortoi: ‘Hesht dhe dil nga ai.’ Atëherë demoni e përplasi njeriun përtokë në mes tyre dhe doli nga ai pa i bërë asnjë dëm.» (Ç’gjë tregon se Jezui kishte frymën e Perëndisë? Tregimi nuk thotë se ai dridhej, bërtiste ose vërtitej lart e poshtë. Përkundrazi, thotë se ai fliste me autoritet. Megjithatë, vlen të përmendet se në atë rast një frymë demonike e bënte atë njeri të bërtiste e të përplasej përtokë.)
Te Veprat 1:8 thuhet se ithtarët e Jezuit do të dëshmonin për të, kur të merrnin frymën e shenjtë. Sipas Veprave 2:1-11, kur ata e morën frymën e shenjtë, vëzhguesit u mahnitën, sepse ata që flitnin, ishin të gjithë galileas, por flitnin për gjërat e mrekullueshme të Perëndisë në gjuhët e të huajve të shumtë që ishin të pranishëm. Megjithatë, tregimi nuk thotë se kjo u shoqërua me shpërthime emocionale nga ana e atyre që morën frymën e shenjtë.
Vlen të përmendet se kur Elizabeta mori frymën e shenjtë dhe lëshoi një «britmë të fortë», nuk ndodhej në ndonjë mbledhje për të adhuruar, por po i uronte mirëseardhjen një të afërmeje që i kishte vajtur në shtëpi. (Luka 1:41, 42) Sipas Veprave 4:31, ditën kur fryma e shenjtë zbriti te një grup dishepujsh, vendi u trondit, megjithatë, nën veprimin e frymës së shenjtë, dishepujt nuk filluan të dridheshin ose të rrokulliseshin përtokë, por «e thoshin fjalën e Perëndisë me guxim». Edhe sot, janë pikërisht guximi për të thënë fjalën e Perëndisë dhe zelli në veprën e predikimit që tregojnë se një njeri ka frymën e shenjtë.
Gal. 5:22, 23: «Fryti i frymës është dashuria, gëzimi, paqja, shpirtgjerësia, mirëdashja, mirësia, besimi, butësia, vetëkontrolli.» (Ky fryt është ai që identifikon ata që kanë vërtet frymën e Perëndisë, dhe jo shpërthimet e pasionit fetar.)
A tregon aftësia e një personi për ta folur me shumë ndjenjë një gjuhë që nuk e ka mësuar kurrë më parë, se ka frymën e Perëndisë?
Shih temën «Gjuhët e huaja (Të flasësh në)».
A bën sot shërime të mrekullueshme fryma e Perëndisë?
Shih temën «Shërimet».
Kush pagëzohet me frymën e shenjtë?
Shih faqet 268, 269, te tema «Pagëzimi», si edhe temën «Lindësh përsëri (Të)».
A ekziston te njeriu një përbërës frymor, që mbijeton pas vdekjes së trupit?
Ezek. 18:4: «Ai shpirt që mëkaton, do të vdesë.» (Dio e përkthen fjalën hebraike néfesh në këtë varg me termin «shpirt», duke thënë kështu se shpirti vdes. Disa versione që në fragmente të tjera e përkthejnë fjalën néfesh me «shpirt», në këtë varg përdorin termat «njeri» ose «ai». Pra, néfesh ose shpirti është vetë personi, dhe jo një pjesë jomateriale e tij që mbijeton pasi vdes trupi.) (Për hollësi të mëtejshme shih temën «Shpirti».)
Psal. 146:4: «Kur fryma i del, ai kthehet prapë në dhé. Po atë ditë marrin fund mendimet e tij.» (Fjala hebraike që këtu përkthehet «fryma», është rúah. Disa e përkthejnë «frymëmarrje». Kur rúah ose forca vepruese e jetës e lë trupin, mendimet e atij njeriu marrin fund, nuk vazhdojnë diku tjetër.)
Ekl. 3:19-21: «Sepse ka një fund, si për bijtë e njerëzve, ashtu edhe për kafshët. Ata kanë të njëjtin fund. Si vdes njëri, ashtu vdes edhe tjetri. Të gjithë kanë vetëm një frymë, kështu që njeriu s’ka asnjë epërsi mbi kafshët, sepse çdo gjë është kotësi. Të gjithë shkojnë në një vend. Të gjithë janë bërë nga pluhuri dhe në pluhur kthehen të gjithë. Kush e di nëse fryma e bijve të njerëzve ngjitet lart dhe nëse fryma e kafshëve zbret poshtë në tokë?» (Meqenëse kemi trashëguar mëkatin dhe vdekjen nga Adami, ne njerëzit vdesim dhe kthehemi në pluhur që të gjithë, njësoj si kafshët. Por, a kanë njerëzit një frymë që vazhdon të jetojë si një qenie me intelekt pasi mbaron së vepruari në trup? Jo. Vargu 19 përgjigjet se njerëzit dhe kafshët «të gjithë kanë vetëm një frymë». Pra, nëse njeriu mbështetet vetëm në ato që ka vëzhguar vetë, nuk mund t’i përgjigjet me autoritet pyetjes që shtrohet për frymën në vargun 21. Por nga Fjala e Perëndisë mësojmë se, kur lind, njeriu nuk ka asgjë më shumë se kafshët, që të ketë epërsi mbi to kur të vdesë. Megjithatë, falë masave të mëshirshme që ka marrë Perëndia me anë të Krishtit, mundësia për të jetuar përgjithmonë u është ofruar të gjithë njerëzve, por jo kafshëve. Për shumë njerëz, kjo do të bëhet e mundur me anë të ringjalljes, kur Perëndia t’i kthejë sërish në jetë me anë të forcës vepruese të jetës.)
Luka 23:46: «Jezui thirri me zë të lartë: ‘O Atë, në dorën tënde po e lë frymën [greqisht, pnéuma] time.’ Si tha këto fjalë, dha frymë.» (Vëreni se këtu thuhet që Jezui dha frymë. Kur fryma e tij doli, ai nuk u nis drejt qiellit. Në fakt, Jezui u ringjall vetëm tri ditë pasi ndodhi kjo. Veç kësaj, siç tregohet te Veprat 1:3, 9, Jezui u ngjit në qiell pas 40 ditësh. Atëherë, ç’kuptim kishin fjalët që tha në kohën kur vdiq? Ai po thoshte se ishte i vetëdijshëm që, kur të vdiste, shpresa e tij për të jetuar në të ardhmen, ishte krejtësisht në dorë të Perëndisë. Për më shumë shpjegime lidhur me ‘frymën që kthehet te Perëndia’, shih faqet 390, 391, te tema «Shpirti».)
Nëse dikush thotë:
‘A e ke frymën e shenjtë (ose Shpirtin e Shenjtë)?’
Mund të përgjigjesh: ‘Po, dhe prandaj kam ardhur sot këtu. (Vep. 2:17, 18)’
Ose mund të thuash: ‘Është pikërisht ajo që më jep mundësi të marr pjesë në shërbimin e krishterë. Megjithatë, kam parë se jo të gjithë kanë të njëjtin mendim në lidhje me mënyrën si mund të kuptohet që një njeri e ka vërtet frymën e Perëndisë. Nga se kuptohet, sipas jush?’ Pastaj mund të shtosh: (Përdor pjesë nga materiali në faqet 145, 146.)