«Vendose zemrën tënde në» tempullin e perëndisë!
«Bir njeriu . . . vendose zemrën tënde në gjithë atë që po të tregoj . . . Tregoji shtëpisë së Izraelit gjithçka që po shikon.»—EZEKIELI 40:4, BR.
1. Në cilën situatë u gjend populli i zgjedhur i Perëndisë në vitin 593 p.e.s.?
ISHTE viti 593 p.e.s, viti i 14-të i mërgimit të Izraelit. Hebrenjve që jetonin në Babiloni duhet t’u jetë dukur vërtet shumë larg atdheu i tyre i dashur. Kur shumica e tyre e pa për herë të fundit Jerusalemin, ai ishte në flakë, me muret e tij të fuqishme të rrëzuara, me ndërtesat e tij madhështore të kthyera në rrënoja. Tempulli i Jehovait, një herë e një kohë lavdia kurorëzuese e qytetit, e vetmja qendër për adhurimin e pastër në të gjithë tokën, ishte kthyer në gërmadhë. Tani, pjesa më e madhe e mërgimit të Izraelit ende duhej të kalonte. Do të kalonin 56 vjet para çlirimit të premtuar.—Jeremia 29:10.
2. Pse kujtimet mbi tempullin e Perëndisë në Jerusalem mund ta kenë hidhëruar Ezekielin?
2 Profetin besimplotë Ezekiel duhet ta kenë trishtuar kujtimet mbi tempullin e Perëndisë të kthyer në gërmadha qindra kilometra larg, një vend i shkretë gjuajtjeje për kafshët. (Jeremia 9:11) Vetë i ati, Buzi, kishte shërbyer atje si prift. (Ezekieli 1:3) Ezekieli do të kishte gëzuar të njëjtin privilegj, por atë e kishin marrë në mërgim bashkë me parinë e Jerusalemit në vitin 617 p.e.s., kur ishte ende i ri. Tani që ishte rreth 50 vjeç, Ezekieli ka të ngjarë ta dinte se nuk do të jetonte aq sa për ta parë përsëri Jerusalemin, as nuk do të merrte pjesë në rindërtimin e tempullit. Imagjino, pra, sa shumë rëndësi do të ketë pasur për Ezekielin marrja e një vizioni për një tempull të lavdishëm!
3. (a) Cili ishte qëllimi i vizionit të Ezekielit për tempullin? (b) Cilat janë katër aspektet kryesore të vizionit?
3 Ky vizion i gjerë, që zë nëntë kapituj të librit të Ezekielit, u siguroi hebrenjve të mërguar një premtim besimforcues. Adhurimi i pastër do të rivendosej! Në shekujt që pasuan e deri në ditët tona, ky vizion ka qenë një burim inkurajimi për ata që e duan Jehovain. Në ç’mënyrë? Le të shqyrtojmë fillimisht çfarë nënkuptonte vizioni profetik i Ezekielit për izraelitët e mërguar. Ai ka katër aspekte kryesore: tempullin, priftërinë, prijësin dhe tokën.
Tempulli i rivendosur
4. Ku e çojnë Ezekielin në fillim të vizionit të tij, çfarë sheh atje dhe kush e shoqëron për një vizitë përreth tempullit?
4 Së pari, Ezekielin e çojnë në «një mal shumë të lartë». Në jug të malit ndodhet një tempull gjigand, si një qytet i rrethuar me mure. Një engjëll, «pamja e jashtme e të cilit ishte si pamja e bronxit» e shoqëron profetin për një vizitë të hollësishme të pronës. (Ezekieli 40:2, 3, BR) Ndërsa vizioni vazhdon, Ezekieli sheh engjëllin që me kujdes është duke matur përmasat e tre çifteve të dyerve të barabarta të tempullit dhe dhomat e rojeve, një oborr të jashtëm, një oborr të brendshëm, dhomat e ngrënies, një altar dhe shenjtëroren e tempullit me ndarjet e të Shenjtës dhe Më të Shenjtës.
5. (a) Çfarë sigurie i jep Jehovai Ezekielit? (b) Çfarë ishin «kufomat e mbretërve të tyre» që duheshin hequr nga tempulli dhe pse ishte e rëndësishme kjo?
5 Pastaj, vetë Jehovai shfaqet në vizion. Hyn në tempull dhe e siguron Ezekielin se Ai do të banojë atje. Por Ai kërkon një pastrim të shtëpisë së Tij, duke thënë: «Tani le ta largojnë nga unë kurvërimin e tyre dhe kufomat e mbretërve të tyre larg prej meje, dhe unë me siguri do të banoj në mes tyre në kohë të pacaktuar.» (Ezekieli 43:2-4, 7, 9, BR) Këto «kufomat e mbretërve të tyre», nga sa duket, u referoheshin idhujve. Sundimtarët dhe njerëzit rebelë të Jerusalemit e kishin ndotur tempullin e Perëndisë me idhuj dhe në fakt, i kishin bërë ata mbretër. (Krahaso Amosin 5:26.) Këta idhuj jo vetëm që nuk ishin perëndi ose mbretër të gjallë, por ishin edhe të pajetë, gjëra të pista në sytë e Jehovait. Ata duheshin hequr.—Levitiku 26:30; Jeremia 16:18.
6. Çfarë domethënieje kishte matja e tempullit?
6 Cila ishte pika kryesore e kësaj pjese të vizionit? Ajo i siguroi të mërguarit për rivendosjen e plotë të adhurimit të pastër në tempullin e Perëndisë. Më tej, matja e tempullit siguroi një garanci hyjnore se përmbushja e vizionit ishte absolutisht e sigurt. (Krahaso Jereminë 31:39, 40; Zaharia 2:2-8.) Çdo gjurmë e idhujtarisë do të fshihej. Jehovai do ta bekonte edhe një herë shtëpinë e tij.
Priftëria dhe prijësi
7. Cili informacion jepet në lidhje me levitët dhe priftërinjtë?
7 Edhe priftëria do t’i nënshtrohej një procesi pastrimi ose rafinimi. Levitët duheshin qortuar pasi kishin rënë në idhujtari, ndërkohë që bijtë priftërorë të Tsadokut duheshin lavdëruar dhe shpërblyer pasi kishin mbetur të pastër.a Megjithatë, që të dy grupet do të kishin pozita shërbimi në shtëpinë e rivendosur të Perëndisë, gjë që varej padyshim nga besnikëria e tyre si individë. Përveç kësaj, Jehovai dekretoi: «Dhe duhet ta mësojnë popullin tim lidhur me dallimin mes një gjëje të shenjtë dhe një gjëje profane, dhe duhet t’i bëjnë të njohë dallimin mes asaj që është e papastër dhe asaj që është e pastër.» (Ezekieli 44:10-16, 23, BR) Prandaj, priftëria do të rivendosej dhe qëndrueshmëria besimplotë e priftërinjve do të shpërblehej.
8. (a) Cilët ishin prijësit e Izraelit të lashtë? (b) Në ç’mënyrë ishte aktiv prijësi i vizionit të Ezekielit në adhurimin e pastër?
8 Vizioni i referohet edhe një personi që quhet prijësi. Gjithnjë që nga ditët e Moisiut, kombi ka pasur prijës. Fjala hebraike për prijës, nasiʼʹ, mund t’i referohej kreut të një shtëpie atërore, të një fisi ose madje të një kombi. Në vizionin e Ezekielit, sundimtarët e Izraelit si një klasë qortohen sepse kanë shtypur popullin dhe u bëhet thirrje që të jenë të paanshëm e të drejtë. Ndonëse nuk është nga klasa priftërore, prijësi, në mënyrë të spikatshme, është aktiv në adhurimin e pastër. Ai hyn e del nga oborri i jashtëm me fiset jopriftërore, ulet në portikun e Portës së Lindjes dhe siguron disa nga flijimet që do të ofrojë populli. (Ezekieli 44:2, 3; 45:8-12, 17) Vizioni e siguroi në këtë mënyrë popullin e Ezekielit se kombi i rivendosur do të bekohej me udhëheqës shembullorë, burra që do të mbështetnin priftërinë në organizimin e popullit të Perëndisë e që do të ishin shembuj të shkëlqyer në çështjet frymore.
Toka
9. (a) Si do të ndahej toka, por cilët nuk do të merrnin trashëgimi? (b) Çfarë ishte kontributi i shenjtë dhe çfarë përmbante ai?
9 Në fund, vizioni i Ezekielit përfshinte një tablo të përgjithshme të tokës së Izraelit. Ajo do të ndahej, duke caktuar një pjesë për çdo fis. Edhe prijësi do të kishte një trashëgimi. Priftërinjtë, përkundrazi, nuk do të kishin trashëgimi, sepse Jehovai tha: «Unë jam trashëgimia e tyre.» (Ezekieli 44:10, 28, BR; Numrat 18:20) Vizioni tregoi se pjesa e tokës së prijësit do të gjendej në secilën anë të një zone të veçantë, të quajtur kontributi i shenjtë. Kjo ishte një pjesë toke katrore, e ndarë në tri breza toke: pjesa e sipërme për levitët e penduar, pjesa e mesit për priftërinjtë dhe pjesa e poshtme për qytetin dhe tokën e tij prodhuese. Tempulli i Jehovait do të vendosej në brezin e tokës që u përkiste priftërinjve, në qendër të truallit katror të kontribuar.—Ezekieli 45:1-7.
10. Çfarë nënkuptoi profecia e ndarjes së tokës për judenjtë besimplotë në mërgim?
10 Sa duhet t’i ketë ngrohur zemrat e të mërguarve e gjithë kjo! Çdo familje ishte siguruar se do të kishte një trashëgimi toke. (Krahaso Mikean 4:4.) Adhurimi i pastër do të zinte atje një pjesë të lartësuar e qendrore. Veç kësaj, vër re në vizionin e Ezekielit se prijësi, ashtu si priftërinjtë, do të jetonte në tokën e kontribuar nga populli. (Ezekieli 45:16) Kështu, në tokën e rivendosur, populli duhej t’i kontribuonte punës së atyre që Jehovai do t’i caktonte të merrnin drejtimin, duke i mbështetur ata me anë të bashkëpunimit me direktivën që jepnin. Në tërësi, kjo tokë ishte tamam përfytyrimi i organizimit, i bashkëpunimit dhe i sigurisë.
11, 12. (a) Si e siguroi Jehovai në mënyrë profetike popullin e tij se do ta bekonte atdheun e tyre të rivendosur? (b) Çfarë paraqitnin pemët përgjatë brigjeve të lumit?
11 A do ta bekonte Jehovai tokën e tyre? Profecia i përgjigjet kësaj pyetjeje me një përshkrim që të ngroh zemrën. Një rrëke uji rrjedh nga tempulli, duke u zgjeruar gjithnjë e më tepër, derisa kur derdhet në Detin e Vdekur është bërë një lumë i rrëmbyeshëm. Atje, ai rigjallëron ujërat e pajetë dhe një industri peshkimi lulëzon përgjatë vijës bregdetare. Në brigjet e lumit ka shumë pemë që japin fryte gjatë gjithë vitit, duke siguruar ushqim dhe shërim.—Ezekieli 47:1-12.
12 Të mërguarve, ky premtim u përsëriti dhe u vërtetoi profecitë e mëparshme të rivendosjes, të cilat i kishin shumë për zemër. Më shumë se një herë, profetët e frymëzuar të Jehovait kishin përshkruar një Izrael të rivendosur, të ripopulluar e në kushte parajsore. Një temë profetike e përsëritur kishte qenë ajo e rajoneve të shkreta që ktheheshin në jetë. (Isaia 35:1, 6, 7; 51:3; Ezekieli 36:35; 37:1-14) Prandaj, populli mund të priste që bekimet jetëdhënëse të Jehovait të rridhnin si një lumë nga tempulli i rivendosur. Për pasojë, një komb i vdekur frymësisht do të rigjallërohej. Populli i rivendosur do të bekohej me burra të shquar frymorë, burra po aq të drejtë e të fortë sa edhe pemët përgjatë atyre brigjeve imagjinare të lumit, burra që do të merrnin drejtimin në rindërtimin e një toke të shkatërruar. Edhe Isaia kishte shkruar për «pemë të mëdha të drejtësisë», që do të ‘rindërtonin vendet e shkretuara nga një kohë e gjatë’.—Isaia 61:3, 4.
Kur e ka përmbushjen vizioni?
13. (a) Në cilin kuptim Jehovai e bekoi popullin e tij të rivendosur me «pemë të mëdha të drejtësisë»? (b) Si u përmbush profecia në lidhje me Detin e Vdekur?
13 A u zhgënjyen të mërguarit e kthyer? Sigurisht që jo! Një mbetje e rivendosur u kthye në atdheun e vet të dashur në vitin 537 p.e.s. Me kalimin e kohës, nën udhëheqjen e këtyre ‘pemëve të mëdha të drejtësisë’, si kopisti Ezdra, profetët Hageu e Zaharia dhe kryeprifti Josiu, vendet e shkretuara nga një kohë e gjatë u rindërtuan. Prijësit, për shembull Nehemia dhe Zorobabeli, sunduan në atë vend me paanshmëri dhe me drejtësi. Tempulli i Jehovait u rivendos dhe masat e tij për jetën, bekimet që vinin nga jetesa sipas besëlidhjes së tij, rrodhën përsëri. (Ligji i përtërirë 30:19; Isaia 48:17-20) Një nga bekimet ishte njohuria. Priftëria u rivendos në detyrë dhe priftërinjtë e mësuan popullin në lidhje me Ligjin. (Malakia 2:7) Si rezultat, populli u rigjallërua frymësisht dhe ata u bënë përsëri shërbëtorë të frytshëm të Jehovait, siç paraqitet nga shërimi i Detit të Vdekur dhe nga lindja e një industrie produktive peshkimi.
14. Pse profecia e Ezekielit do të ketë një përmbushje, e cila tejkalon atë që ndodhi pas kthimit të judenjve nga mërgimi në Babiloni?
14 A ishin këto ngjarje përmbushja e vetme e vizionit të Ezekielit? Jo, me anë të tij tregohet diçka shumë më e madhe. Shqyrto: tempulli që pa Ezekieli nuk mund të ndërtohej ashtu siç ishte përshkruar. Vërtet, judenjtë e morën seriozisht këtë vizion dhe disa hollësi të tij i vunë në zbatim në mënyrë reale.b Megjithatë, tempulli i vizionit si i tërë ishte tepër i madh edhe për t’u ndërtuar në malin Moriah, vendndodhjen e tempullit të mëparshëm. Përveç kësaj, tempulli i Ezekielit nuk ishte në qytet, por në njëfarë distance larg, në një pjesë të ndarë toke, kurse tempulli i dytë u ndërtua aty ku kishte qenë paraardhësi i tij, në qytetin e Jerusalemit. (Ezdra 1:1, 2) Më tej, asnjë lumë literal nuk ka dalë ndonjëherë nga tempulli i Jerusalemit. Pra, Izraeli i lashtë pa vetëm një përmbushje në miniaturë të profecisë së Ezekielit. Kjo nënkupton se ky vizion duhet të ketë një përmbushje më të madhe, frymore.
15. (a) Kur hyri në veprim tempulli frymor i Jehovait? (b) Çfarë tregon se vizioni i Ezekielit nuk u përmbush gjatë jetës së Krishtit në tokë?
15 Qartë, ne duhet të presim një përmbushje të vizionit të Ezekielit në tempullin e madh frymor të Jehovait, të cilin apostulli Pavël e trajton gjerësisht në librin e Hebrenjve. Ky tempull hyri në veprim kur Jezu Krishti u miros si Kryeprifti i tij në vitin 29 të e.s. Por, a u përmbush vizioni i Ezekielit në ditët e Jezuit? Duket se jo. Jezui, si Kryeprift, përmbushi domethënien profetike të Ditës së Shlyerjes me anë të pagëzimit të tij, të vdekjes së tij flijuese dhe të hyrjes së tij në Më të Shenjtën, në vetë qiellin. (Hebrenjve 9:24) Por është interesante të vërehet se vizioni i Ezekielit nuk përmend as edhe një herë të vetme qoftë kryepriftin, qoftë Ditën e Shlyerjes. Prandaj, duket e pamundur që ky vizion të tregonte se ishte fjala për shekullin e parë të e.s. Në cilën periudhë, pra, përmbushet ai?
16. Cilën profeci tjetër na kujton vendngjarja e vizionit të Ezekielit dhe si na ndihmon kjo për të dalluar kohën e përmbushjes kryesore të vizionit të Ezekielit?
16 Për të gjetur përgjigjen, le të kthehemi prapa në vetë vizionin. Ezekieli shkroi: «Në vizione të Perëndisë, ai më çoi në tokën e Izraelit dhe gradualisht më vendosi mbi një mal shumë të lartë, në anën jugore të të cilit ishte diçka e ngjashme me strukturën e një qyteti.» (Ezekieli 40:2, BR) Vendngjarja e këtij vizioni, ‘mali shumë i lartë’, na kujton Mikean 4:1: «Në pjesën përfundimtare të ditëve duhet të ndodhë që mali i shtëpisë së Jehovait do të vendoset patundshmërisht mbi majën e maleve e me siguri do të ngrihet mbi kodrat dhe drejt tij duhet të vërshojnë popujt.» (BR) Kur e ka përmbushjen kjo profeci? Mikea 4:5 na tregon se kjo fillon kur kombet akoma adhurojnë perëndi të rreme. Në fakt, ka ndodhur në kohën tonë, «në pjesën përfundimtare të ditëve», që adhurimi i pastër është ngritur, është rivendosur në vendin e vet të duhur në jetën e shërbëtorëve të Perëndisë.
17. Si na ndihmon profecia e Malakisë 3:1-5 për të përcaktuar se kur u pastrua tempulli i vizionit të Ezekielit?
17 Çfarë e bëri të mundur këtë rivendosje? Mos harro, në ngjarjen më domethënëse të vizionit të Ezekielit, Jehovai vjen në tempull dhe këmbëngul që shtëpia e tij të pastrohet nga idhujtaria. Kur u pastrua tempulli frymor i Perëndisë? Në Malakinë 3:1-5, Jehovai parathotë një kohë kur ai do të «vijë në tempullin e Tij», i shoqëruar nga «lajmëtari i besëlidhjes», Jezu Krishti. Me cilin qëllim? «Ai do të jetë si zjarri i një rafinuesi dhe si finja e larësve.» (BR) Ky rafinim filloi gjatë kohës së Luftës I Botërore. Rezultati? Jehovai ka banuar në shtëpinë e tij dhe ka bekuar tokën frymore të popullit të tij, që nga viti 1919 e më tej. (Isaia 66:8) Pra, ne mund të nxjerrim përfundimin se profecia e tempullit të Ezekielit ka një përmbushje të rëndësishme gjatë ditëve të fundit.
18. Kur do ta ketë përmbushjen e tij përfundimtare vizioni për tempullin?
18 Ngjashëm profecive të tjera të rivendosjes, edhe vizioni i Ezekielit ka një përmbushje të mëtejshme, atë përfundimtaren, në parajsë. Vetëm në atë kohë njerëzimi me zemër të drejtë do të marrë dobi të plota nga rregullimi i tempullit të Perëndisë. Krishti do të administrojë atëherë vlerën e flijimit të tij shpërblyes, në shoqëri me priftërinë e tij qiellore të përbërë nga 144.000 veta. Të gjithë njerëzit e bindur, nënshtetas të sundimit të Krishtit, do të arrijnë përsosmërinë. (Zbulesa 20:5, 6) Megjithatë, parajsa nuk mund të jetë koha kryesore e përmbushjes së vizionit të Ezekielit. Pse jo?
Vizioni përqendrohet në ditët tona
19, 20. Pse përmbushja kryesore e vizionit duhet të ndodhë tani dhe jo në parajsë?
19 Ezekieli pa një tempull që duhej pastruar nga idhujtaria dhe nga kurvëria frymore. (Ezekieli 43:7-9) Kjo sigurisht që nuk mund të zbatohet për adhurimin e Jehovait në parajsë. Për më tepër, priftërinjtë e vizionit paraqesin klasën e mirosur priftërore kur ajo është akoma mbi tokë, jo pas ringjalljes së tyre qiellore ose gjatë Mijëvjeçarit. Pse? Vëre se priftërinjtë paraqiten duke shërbyer në oborrin e brendshëm. Artikuj në numrat e mëparshëm të Kullës së Rojës kanë treguar se ky oborr paraqet pozitën unike frymore të nënpriftërinjve të Krishtit, kur ata janë ende mbi tokë.c Vëre edhe se vizioni thekson papërsosmërinë e priftërinjve. Për ata thuhet se ofrojnë flijime për vetë mëkatet e tyre. Ata paralajmërohen për rrezikun se mos bëhen të papastër frymësisht dhe moralisht. Prandaj, ata nuk paraqesin të mirosurit e ringjallur, për të cilët apostulli Pavël shkroi: «Tromba do të bjerë dhe të vdekurit do të ngrihen të paprishshëm.» (1. Korintasve 15:52, BR; Ezekieli 44:21, 22, 25, 27) Priftërinjtë në vizion gjenden në mes të popullit dhe i shërbejnë drejtpërdrejt atij. Nuk do të jetë kështu në parajsë, kur klasa priftërore të jetë në qiell. Prandaj, vizioni siguron një tablo të shkëlqyer të mënyrës me të cilën të mirosurit punojnë ngushtësisht me «shumicën e madhe» sot mbi tokë.—Zbulesa 7:9, BR; Ezekieli 42:14.
20 Kështu, vizioni i Ezekielit për tempullin parashtron efektet e shëndetshme të një pastrimi frymor që po gjen përmbushje sot. Por, çfarë do të thotë kjo për ty? Kjo nuk është thjesht një enigmë abstrakte teologjike. Ky vizion ka të bëjë shumë me adhurimin që ti i bën ditë për ditë të vetmit Perëndi të vërtetë, Jehovait. Në artikullin vijues do të shohim se si ka të bëjë.
[Shënimet]
a Kjo mund ta ketë prekur personalisht Ezekielin, pasi thuhet se ai vetë ishte nga familja priftërore e Tsadokut.
b Për shembull, Mishna e lashtë tregon se në tempullin e rivendosur, altari, dyert me dy kanate të tempullit dhe zonat e gatimit u ndërtuan në përputhje me vizionin e Ezekielit.
c Shiko Kullën e Rojës, 1 korrik 1996, faqe 16; 1 dhjetor 1972, anglisht, faqe 718.
A të kujtohet?
◻ Cila ishte përmbushja e parë e vizionit të Ezekielit për tempullin dhe priftërinë e tij?
◻ Si gjeti një përmbushje të parë ndarja e tokës së vizionit të Ezekielit?
◻ Në rivendosjen e Izraelit të lashtë, cilët shërbyen si prijës besimplotë dhe cilët shërbyen si «pemë të mëdha të drejtësisë»?
◻ Pse vizioni i Ezekielit për tempullin duhet ta gjejë përmbushjen e tij kryesore gjatë ditëve të fundit?