PERSIA, PERSËT
Një vend dhe një popull që zakonisht përmendet tok me medët, si në Bibël, ashtu edhe në historinë jofetare. Me sa duket, medët dhe persët ishin popuj të afërt me fiset e lashta ariane (indoiraniane), kështu që persët duhet të kenë qenë pasardhës të Jafetit, mbase nëpërmjet Madaiut, paraardhësit të përbashkët të medëve. (Zn 10:2) Në një mbishkrim, Dari i Madh e quan veten «pers, bir i një persi, arian, pasardhës i arianëve».—History of the Persian Empire, nga A. Olmstedi, 1948, f. 123.
Mbishkrimet asiriane që i përkasin epokës së Shalmaneserit III (siç duket, bashkëkohës i Jehut të Izraelit) flasin për një sulm të medëve dhe për pagimin e një haraçi nga mbretërit e rajonit «Parsua», që me sa duket ndodhej në perëndim të liqenit Urmia dhe në kufi me Asirinë. Mjaft studiues janë të mendimit se asokohe «Parsua» ishte emri që përdorej për vendin e persëve, ndonëse disa të tjerë e lidhin këtë term me partët. Sido që të jetë, sipas mbishkrimeve të mëvonshme, persët ndodheshin shumë më në jug, në «Parsë», në juglindje të Elamit, atje ku sot gjendet provinca iraniane e Farsit. Persët jetonin edhe në Anshan, një krahinë a qytet në kufi të Elamit, që ndoshta dikur përfshihej brenda kufijve të tij.
Kështu, në fillimet e historisë së tyre, persët duket se zinin vetëm pjesën jugperëndimore të rrafshnaltës së paanë iraniane. Kufizoheshin me Elamin dhe Medinë në veriperëndim, Partën në veri, Karmaninë në lindje dhe Gjirin Persik në jug e jugperëndim. Me përjashtim të bregdetit të Gjirit Persik me mot të nxehtë e të lagësht, vendi përbëhej kryesisht nga pjesa jugore e vargmaleve të thepisura Zagros, që ndaheshin nga lugina të gjata e goxha pjellore, me shpate të veshura me pyje. Luginat kishin klimë të butë, kurse më lart, në rrafshnaltën e thatë që e rrihte era, bënte të ftohtë i hidhur gjatë muajve të dimrit. Ashtu si medët, edhe persët duket se merreshin shumë me mbarështimin e gjësë së gjallë, përveç punëve të nevojshme bujqësore. Mbreti pers Dari i Madh e përshkruante tërë krenari atdheun e vet si një vend «të bukur, plot kuaj e njerëz».—Encyclopædia Britannica, 1959, vëll. 17, f. 603.
Persët, që fillimisht bënin një jetë tepër të thjeshtë, shpesh nomade, gjatë epokës perandorake ishin tejet të dhënë pas luksit dhe ambienteve me salltanete. (Krahaso Es 1:3-7; edhe veshjen që iu dha Mordekait, Es 8:15.) Në Persepoli ka disa skulptura ku persët portretizohen të veshur me petk të derdhur, të gjatë deri te kyçi i këmbës, lidhur në mes me rrip dhe me këpucë pa qafa e me lidhëse. Kurse medët paraqiten me një veshje të puthitur me trupin, deri te gjuri e me mëngë të gjata. (FIGURA, vëll. 2, f. 328 në botimin anglisht) Siç duket, edhe persët, edhe medët mbanin pantallona; ushtarët persë paraqiten të veshur me pantallona dhe me tunika sipër armaturave me petëza hekuri. Persët ishin kalorës të zotë, dhe kalorësia luante rol të rëndësishëm në strategjinë e tyre luftarake.
Persishtja i përket familjes së gjuhëve indoevropiane dhe duket se është e afërt me sanskritishten, një gjuhë e lashtë indiane. Dikur gjatë historisë së tyre, persët nisën të përdornin stilin e shkrimit kuneiform, por me shumë më pak shenja në krahasim me ato qindra që përdornin babilonasit dhe asirianët. Janë gjetur disa mbishkrime në persishten e vjetër, të përkthyera në gjuhën akadiane dhe në një gjuhë tjetër që përgjithësisht quhet «elamite» ose «suziane», të cilat i përkasin epokës së Perandorisë Perse. Megjithatë, dokumentet zyrtare për administrimin e trevave të perandorisë shkruheshin kryesisht në gjuhën ndërkombëtare aramaike.—Ezd 4:7.
Formimi i Perandorisë Medo-Perse. (HARTA, vëll. 2, f. 327 në botimin anglisht) Ashtu si medët, edhe persët me sa duket qeveriseshin nga disa familje fisnike. Nga njëra prej tyre u formua Dinastia Akaemene, prej të cilës erdhi themeluesi i Perandorisë Perse, Kiri i Madh. Kiri, që sipas Herodotit dhe Ksenofonit kishte baba pers dhe nënë mede, i bashkoi persët nën udhëheqjen e tij. (Herodoti, I, 107, 108; Kiropedia, I, ii, 1) Deri atëherë, medët kishin pasur epërsi mbi persët, por Kiri fitoi me lehtësi kundër mbretit med, Astiagjit, dhe i mori kryeqytetin, Ekbatanën (550 p.e.s.). (Krahaso Dn 8:3, 20.) Kështu, Perandoria Mede u vu nën sundimin e persëve.
Edhe pse gjatë pjesës tjetër të Dinastisë Akaemene medët mbetën nën varësinë e persëve, nuk ka dyshim se perandoria që u formua ishte dualiste. Në një vepër, thuhet: «Lidhja e ngushtë mes medëve dhe persëve nuk u harrua kurrë. Sado që u plaçkit, Ekbatana mbeti një nga rezidencat e preferuara mbretërore. Medëve u bëheshin të njëjtat nderime si persëve; ata caktoheshin në poste të larta dhe zgjidheshin që t’u prinin forcave ushtarake të Persisë. Të huajt i përmendnin shpesh medët bashkë me persët; kur përdornin një term të vetëm, thoshin ‘med’.»—History of the Persian Empire, f. 37.
Nën sundimin e Kirit, Perandoria Medo-Perse u shtri më tej në perëndim dhe arriti deri në detin Egje, si rrjedhojë e fitores së persëve kundër mbretit Kres të Lidisë dhe e pushtimit të disa qyteteve bregdetare greke. Por fitoren më të rëndësishme Kiri e shënoi në vitin 539 p.e.s., kur u priu ushtrive aleate të medëve, persëve dhe elamitëve, e mori Babiloninë e fuqishme, duke përmbushur kështu profecitë biblike. (Is 21:2, 9; 44:26–45:7; Dn 5:28) Me rënien e Babilonisë, mori fund periudha e gjatë e epërsisë semitike, e cila u zëvendësua nga fuqia e parë botërore me origjinë ariane (jafetike). Edhe Juda (si edhe Siria e Fenikia) u vu nën sundimin e medo-persëve. Me anë të një dekreti të Kirit, në vitin 537 p.e.s. mërgimtarët judenj u lejuan të ktheheshin në tokën mëmë, që ishte dergjur e shkretë për 70 vjet fiks.—2Kr 36:20-23; shih KIRI nr. 1.
Kryeqytetet e Persisë. Në përputhje me faktin që perandoria ishte dualiste, sundimtar i mbretërisë së mposhtur kaldease u bë një med me emrin Dar, edhe pse duhet të ketë qenë nën autoritetin e Kirit. (Dn 5:31; 9:1; shih DARI nr. 1.) Në Perandorinë Medo-Perse, Babilonia mbeti një qytet mbretëror, si edhe qendër fetare e tregtare. Mirëpo duket se perandorët persë nuk para e duronin vapën mbytëse që bënte atje në verë, ndaj Babilonia u shërbente më tepër si qytet dimëror. Dëshmitë arkeologjike tregojnë se, fill pas pushtimit të Babilonisë, Kiri u kthye në Ekbatanë (Hamadani i sotëm), që ndodhet më se 1.900 m mbi nivelin e detit, rrëzë malit të Aluandit, ku dimrat me borë të dendur e thëllim kompensohen nga verat përrallore. Pikërisht në Ekbatanë u gjet përkujtesa e Kirit për rindërtimin e tempullit të Jerusalemit, që ishte nxjerrë disa vjet më parë. (Ezd 6:2-5) Kryeqyteti i mëparshëm i Persisë ishte Pasargada, afro 650 km në juglindje të Ekbatanës, por thuajse në të njëjtën lartësi mbi nivelin e detit. Afër Pasargadës, perandorët persë Dari, Kserksi dhe Artakserks Dorëgjati ngritën më vonë qytetin mbretëror të Persepolit, ku ndërtuan një rrjet gjigant tunelesh të nëndheshme, siç duket për ta furnizuar me ujë të pijshëm. Një tjetër kryeqytet ishte Suza (Shushani), pranë lumit Koaspes (Karkeh) në Elamin e lashtë, që zinte një pozicion strategjik qendror midis Babilonisë, Ekbatanës dhe Persepolit. Atje Dari i Madh ndërtoi një pallat madhështor, që shërbente kryesisht si rezidencë dimërore, sepse, ashtu si në Babiloni, në Suzë bënte një vapë e tmerrshme gjatë verës. Megjithatë, në rrjedhën e viteve Suza u bë gjithnjë e më tepër qendra administrative e perandorisë.—Shih EKBATANA; SHUSHANI.
Feja dhe ligji. Megjithëse ishin po aq të zotë për mizori sa mbretërit semitikë të Asirisë dhe Babilonisë, sundimtarët persë u munduan, të paktën në fillim, që të vepronin sipas ligjeve dhe me drejtësi kundrejt popujve të robëruar. Me sa duket, feja e tyre përfshinte disa norma morale. Pas perëndisë kryesor, Ahura Mazdës, një perëndi tjetër i rëndësishëm ishte Mitra, i cili njihej jo vetëm si perëndi i luftës, por edhe si perëndi i kontratave, si ai që i mbante gjithnjë hapur sytë e veshët për të pikasur këdo që shkelte ndonjë marrëveshje. (Shih PERËNDITË DHE PERËNDESHAT.) Historiani grek Herodoti (I, 136, 138) shkroi për persët: «Ata i edukojnë djemtë që kur janë pesë vjeç deri në moshën njëzet vjeç dhe u mësojnë vetëm tri gjëra: të kalërojnë, të qëllojnë me hark dhe të thonë të vërtetën. . . . Për ta, gënjeshtra është gjëja më e pështirë.» Historia tregon se sundimtarët persë mund të ishin me dy fytyra dhe të thurnin intriga; megjithatë, ishin besnikë ndaj kredos fisnore të ‘mbajtjes së fjalës’, siç dukej nga këmbëngulja e tyre që ‘ligji i medëve dhe i persëve’ s’mund të ndryshohej. (Dn 6:8, 15; Es 1:19; 8:8) Kështu, kur u gjet dekreti i Kirit rreth 18 vjet pas daljes së tij, mbreti Dar e pranoi se judenjtë kishin të drejtën ligjore të rindërtonin tempullin dhe urdhëroi që të përkraheshin plotësisht.—Ezd 6:1-12.
Organizimi i Perandorisë Perse flet për një zotësi administrative të madhe. Përveç këshillit të mbretit ose komitetit këshillues, që përbëhej nga «shtatë princat e Persisë dhe të Medisë» (Es 1:14; Ezd 7:14), caktoheshin edhe satrapë në krye të rajoneve a vendeve kryesore, si: Media, Elami, Parta, Babilonia, Asiria, Arabia, Armenia, Kapadokia, Lidia, Jonia dhe, me zgjerimin e perandorisë, edhe Egjipti, Etiopia dhe Libia. Ata satrapë kishin njëfarë autonomie në qeverisje, ku përfshihej administrimi i çështjeve gjyqësore e financiare brenda territorit të tyre. (Shih SATRAP.) Brenda atyre territoreve duket se kishte guvernatorë provincash të një rangu më të ulët (që në ditët e Asuerit ishin 127), dhe brenda provincave kishte princa të popujve të ndryshëm të krahinës. (Ezd 8:36; Es 3:12; 8:9) Siç duket për të zgjidhur problemin e krijuar nga fakti që kryeqyteti perandorak ndodhej thuajse në një qoshe të perandorisë së paanë, u zhvillua një sistem i shpejtë komunikimi: një shërbim postar mbretëror me korrierë që kalëronin kuaj poste. Ky sistem lidhte selinë mbretërore me gjithë provincat. (Es 8:10, 14) Rrugët mbretërore mirëmbaheshin; njëra prej tyre zinte fill në Shushan dhe përfundonte në Sardë të Azisë së Vogël.
Nga vdekja e Kirit deri te vdekja e Darit. Mbretërimi i Kirit të Madh mori fund në vitin 530 p.e.s., kur ai vdiq në një fushatë ushtarake. I biri, Kambisi, hipi në fron pas tij dhe ia doli të mposhtte Egjiptin. Ndonëse nuk përmendet me emër në Bibël, duket se Kambisi ishte ‘Asueri’ të cilit kundërshtarët e ndërtimit të tempullit i dërguan akuza të rreme kundër judenjve, siç lexojmë tek Ezdra 4:6.
Rrethanat se si përfundoi mbretërimi i Kambisit janë të mjegullta. Sipas një tregimi të Darit të Madh të shkruar në Mbishkrimin e Behistunit, të cilin Herodoti e të tjerë e rrëfejnë disi ndryshe nga njëri-tjetri, Kambisi bëri të vritej fshehurazi vëllai i vet Bardijai (që Herodoti e quan Smerdis). Më pas, teksa Kambisi ishte në Egjipt, një prift me emrin Gaumata (që Herodoti e quan po ashtu Smerdis), i cili hiqej si Bardijai (Smerdisi), uzurpoi fronin dhe u njoh zyrtarisht si mbret. Ndërsa kthehej nga Egjipti, Kambisi vdiq, e kështu uzurpuesi e siguroi plotësisht fronin. (Herodoti, III, 61-67) Versioni tjetër, që preferohet nga disa historianë, është se Bardijain nuk e vranë dhe madje ai vetë e uzurpoi fronin gjatë mungesës së Kambisit, jo ndonjë tjetër që hiqej si Bardijai.
Sido që të ketë ngjarë, mbretërimi i Kambisit mori fund në vitin 522 p.e.s. dhe mbretërimi pasues zgjati shtatë muaj e mbaroi po në vitin 522 p.e.s. me vrasjen e uzurpuesit (ose Bardijai, ose Gaumata që u hoq si Smerdisi). Megjithatë, duket se gjatë atij sundimi jetëshkurtër, kundër judenjve u paraqit një padi e dytë para mbretit të atëhershëm pers, i cili në Bibël quhet «Artakserks» (ndoshta emër a titull që merrej pas kurorëzimit). Kësaj radhe akuzat patën sukses, pasi mbreti urdhëroi të ndaleshin punimet për ndërtimin e tempullit. (Ezd 4:7-23) Puna në tempull mbeti pezull «deri në vitin e dytë të mbretërimit të Darit, mbretit të Persisë».—Ezd 4:24.
Dari I (i quajtur Dar Histaspisi ose Dari i Madh) duket se e mori fronin e Persisë pasi organizoi ose nxiti vrasjen e atij që ishte në fron. Me miratimin e Darit, në Jerusalem rifilluan punimet e tempullit, i cili përfundoi vitin e gjashtë të sundimit të tij (në fillim të vitit 515 p.e.s.). (Ezd 6:1-15) Gjatë mbretërimit të Darit, perandoria u zgjerua. Ai i shtriu kufijtë lindorë deri në Indi dhe kufijtë perëndimorë deri në Trakë e Maqedoni.
Në atë kohë, monarkët persë i kishin përmbushur profecitë e Danielit 7:5 dhe 8:4, ku, me anë të simboleve të ariut dhe të dashit, Perandoria Medo-Perse përshkruhet teksa zapton territore në tri drejtime kryesore: në veri, në perëndim dhe në jug. Mirëpo në vitin 490 p.e.s., në një fushatë kundër Greqisë, forcat e Darit pësuan disfatë në Maratonë. Dari vdiq në vitin 486 p.e.s.—Shih DARI nr. 2.
Mbretërimi i Kserksit dhe i Artakserksit. Kserksi, biri i Darit, duket se është mbreti i quajtur Asuer në librin e Esterës. Veprimet e tij përkojnë edhe me përshkrimin e mbretit të katërt pers, i cili ‘do të ngrinte çdo gjë kundër mbretërisë së Greqisë’. (Dn 11:2) Në orvatje për t’u hakmarrë për disfatën e persëve në Maratonë, në vitin 480 p.e.s. Kserksi hodhi në sulm një ushtri të panumërt kundër Greqisë. Pas një fitoreje në Termopile, që i kushtoi shtrenjtë, dhe pas shkatërrimit të Athinës, ushtria e tij u mund në Salaminë e më vonë edhe në Plate. Kështu Kserksi u detyrua të kthehej në Persi.
Mbretërimi i Kserksit u karakterizua nga disa reforma administrative dhe nga përfundimi i shumë veprave të ndërtimit që kishte nisur i ati në Persepoli. (Krahaso Es 10:1, 2.) Në lidhje me periudhën e fundit të mbretërimit të Kserksit, historitë e shkrimtarëve grekë vërtiten rreth vështirësive martesore, trazirave në harem dhe ndikimit të madh që mendohet se kishin disa oborrtarë te Kserksi. Edhe pse në mënyrë mjaft të pështjelluar e të shtrembëruar, këto histori mund të pasqyrojnë disa nga faktet thelbësore të librit të Esterës, si për shembull: heqjen e Vashtit si mbretëreshë, zëvendësimin e saj nga Estera, si edhe ngritjen e Mordekait në një post shumë të lartë në perandori. (Es 2:17; 10:3) Sipas historisë jofetare, Kserksin e vrau një nga oborrtarët e tij.
Artakserks Dorëgjati, pasuesi i Kserksit, është i mirënjohur për faktin që autorizoi kthimin e Ezdrës në Jerusalem me një kontribut të bollshëm për tempullin. Kjo ndodhi vitin e shtatë të mbretërimit të Artakserksit (468 p.e.s.). (Ezd 7:1-26; 8:24-36) Vitin e 20-të të mbretërimit të Artakserksit (455 p.e.s.), Nehemisë iu dha leje të shkonte në Jerusalem për të rindërtuar qytetin. (Ne 1:3; 2:1, 5-8) Më vonë, vitin e 32-të të mbretërimit të Artakserksit (443 p.e.s.), Nehemia u kthye për njëfarë kohe në oborrin e mbretit.—Ne 13:6.
Në shkrimet historike ka disa mospërputhje rreth mbretërimit të Kserksit dhe të Artakserksit. Sipas disa veprave të referimit, Artakserksi hipi në fron në vitin 465 p.e.s. Ekzistojnë dokumente që tregojnë se babai i tij, Kserksi, mbretëroi deri në vitin e 21-të. Zakonisht periudha e sundimit të Kserksit llogaritet duke nisur nga viti 486 p.e.s., kur vdiq i ati, Dari. Në përgjithësi mendohet se viti i parë i mbretërimit të Kserksit ishte viti 485 p.e.s.; viti i 21-të i mbretërimit të tij, e njëkohësisht viti kur hipi në fron Artakserksi, shpesh thuhet se ishte viti 465 p.e.s. Për Artakserksin, studiuesit zakonisht thonë se viti i fundit i sundimit të tij nisi më 424 p.e.s. Sipas disa dokumenteve, ai ishte viti i 41-të i mbretërimit. Po të ishte kështu, kjo do të nënkuptonte se ai hipi në fron në vitin 465 p.e.s. dhe se viti i parë i plotë i mbretërimit filloi më 464 p.e.s.
Megjithatë, ka dëshmi të forta për të llogaritur vitin 475 p.e.s. si vit të fundit të mbretërimit të Kserksit dhe si vit të hipjes në fron të Artakserksit. Këto dëshmi janë të trefishta: nga burime greke, perse dhe babilonase.
Dëshmitë e burimeve greke. Një ngjarje në historinë greke mund të na ndihmojë të përcaktojmë kur nisi sundimi i Artakserksit. Themistokliun, një burrë shteti grek dhe hero ushtarak, e morën me sy të keq bashkëkombësit dhe u arratis në Persi për të gjetur mbrojtje. Sipas historianit grek Tukididit (I, CXXXVII, 3), që është bërë i famshëm për saktësinë e tij, asokohe Themistokliu «i dërgoi letër mbretit Artakserks, birit të Kserksit, që kishte hipur në fron nga pak kohë». Në një vepër (Plutarch’s Lives, Themistokliu, XXVII, 1) jepet ky informacion: «Tukididi dhe Karoni i Lampsakut tregojnë se Kserksi kishte vdekur dhe se Themistokliun e priti i biri, Artakserksi.» Karoni ishte një nënshtetas pers që jetoi në kohën e ndërrimit të qeverisjes nga Kserksi tek Artakserksi. Nga dëshmitë e Tukididit dhe Karonit të Lampsakut kuptojmë se, kur Themistokliu mbërriti në Persi, Artakserksi kishte nisur të sundonte nga pak kohë.
Mund ta përcaktojmë kohën kur nisi sundimi i Artakserksit me anë të një llogaritjeje mbrapsht, duke nisur nga viti kur vdiq Themistokliu. Veprat e referimit nuk japin të njëjtën datë për vdekjen e tij. Gjithsesi, historiani Diodor Sikuli (XI, 54, 1; XI, 58, 3) e përmend vdekjen e Themistokliut bashkë me ngjarje të tjera që ndodhën «kur Praksiergi ishte arkon në Athinë». Praksiergi ishte arkon [guvernator] në Athinë në vitin 471 ose 470 p.e.s. (Greek and Roman Chronology, nga Alan E. Samueli, Munih, 1972, f. 206) Sipas Tukididit, fill pasi shkoi në Persi, Themistokliu studioi për një vit gjuhën, që të përgatitej për takimin me Artakserksin. Pas kësaj mbreti e lejoi të banonte në Persi e i dha shumë privilegje. Nëse Themistokliu vdiq në vitin 471 ose 470 p.e.s., atëherë duhet ta ketë marrë lejen për të banuar në Persi jo më vonë se viti 472 p.e.s. dhe duhet të ketë shkuar atje një vit më parë, në vitin 473 p.e.s, kur Artakserksi «kishte hipur në fron nga pak kohë».
Për kohën kur vdiq Kserksi dhe hipi në fron Atakserksi, M. dë Kutorga shkruante: «Kemi parë se, sipas kronologjisë së Tukididit, Kserksi vdiq nga fundi i vitit 475 p.e.s., dhe se, sipas po këtij historiani, Themistokliu mbërriti në Azinë e Vogël pak kohë pasi kishte hipur në fron Artakserks Dorëgjati.»—Mémoires présentés par divers savants à l’Académie des Inscriptions et Belles-Lettres de l’Institut Impérial de France, seria e parë, vëll. VI, pjesa e dytë, Paris, 1864, f. 147.
Në mbështetje të mëtejshme të kësaj, E. Lëvesku vërejti: «Pra, në përputhje me Kronikën Aleksandrine, duhet përcaktuar si datë e vdekjes së Kserksit viti 475 p.e.s., pas 11 vitesh mbretërimi. Historiani Justin, III, 1, e vërteton këtë kronikë, si edhe pohimet e Tukididit. Sipas tij, në kohën kur u vra Kserksi, i biri, Artakserksi, ishte veçse një fëmijë, puer [një çunak], çka do të ishte e vërtetë nëse Kserksi ka vdekur në vitin 475. Atëherë Artakserksi ishte 16 vjeç, kurse në vitin 465 do të kishte qenë 26 vjeç, dhe shprehja e Justinit nuk do të qëndronte. Sipas kësaj kronologjie, meqë Artakserksi filloi të mbretëronte në vitin 475, viti i 20-të i mbretërimit të tij është viti 455, jo 445 siç thuhet shpesh.»—Revue apologétique, Paris, vëll. 68, 1939, f. 94.
Nëse Dari vdiq në vitin 486 p.e.s. dhe Kserksi në vitin 475 p.e.s., si shpjegohet që disa dokumente të lashta tregojnë se Kserksi mbretëroi për 21 vjet? Është fakt i njohur që një mbret dhe i biri mund të mbretëronin së toku si bashkëregjentë. Po të ketë ndodhur kështu në rastin e Darit dhe të Kserksit, historianët mund t’i numërojnë vitet e mbretërimit të Kserksit duke nisur ose nga koha kur filloi të mbretëronte bashkë me të atin, ose nga koha e vdekjes së të atit. Nëse Kserksi sundoi 10 vjet bashkë me të atin dhe 11 vjet vetëm, disa burime mund të tregojnë se sundoi për 21 vjet, kurse disa të tjera mund të flasin për një sundim prej vetëm 11 vjetësh.
Ka dëshmi të forta që tregojnë se Kserksi dhe i ati, Dari, kanë mbretëruar bashkë. Historiani grek Herodoti (VII, 3) thotë: «Darit iu duk e drejtë kërkesa e tij [e Kserksit] [për të mbretëruar] dhe e shpalli mbret. Por, për mendimin tim, Kserksi do të ishte bërë mbret edhe pa këtë rekomandim.» Kjo tregon se Kserksi u bë mbret gjatë sundimit të të atit, Darit.
Dëshmitë e burimeve perse. Për një bashkëregjencë të Kserksit dhe Darit flasin sidomos disa basorelieve perse. Në Persepoli janë gjetur disa basorelieve ku Kserksi paraqitet në këmbë prapa fronit të të atit, i veshur tamam si ai dhe me kokën në të njëjtën lartësi. Kjo është e pazakontë, pasi normalisht koka e mbretit paraqitej më lart se gjithë të tjerat. Në një vepër të tij, Ernst E. Hercfeldi vërente se edhe mbishkrimet, edhe ndërtesat e zbuluara në Persepoli japin të kuptohet se Kserksi ishte bashkëregjent me të atin, Darin. Në faqen 8 të veprës së tij, Hercfeldi shkruante: «Brendia e veçantë e mbishkrimeve të Kserksit në Persepoli (pjesa dërrmuese e të cilave nuk bën dallim mes veprimtarisë së tij dhe asaj të të atit), si edhe lidhja po aq e veçantë mes ndërtesave të tyre (që është e pamundur të përcaktohet nëse i përkitnin vetëm Darit apo vetëm Kserksit), gjithmonë kanë lënë të kuptohet një lloj bashkëregjence nga ana e Kserksit. Në Persepoli ka edhe dy skulptura që e ilustrojnë këtë marrëdhënie.» Për njërën nga këto skulptura, Hercfeldi tregonte: «Dari portretizohet i veshur me të gjitha simbolet mbretërore, i ulur në një tribunë-divan që shërben si fron, të cilën e mbajnë përfaqësues të kombeve të ndryshme të perandorisë. Në basoreliev, prapa tij, pra faktikisht në të djathtë, qëndron në këmbë Kserksi me të njëjtat simbole mbretërore, me dorën e majtë mbështetur mbi shpinoren e lartë të fronit. Ky gjest flet qartë se ishte më tepër se thjesht trashëgimtar i fronit; nënkupton se ishte bashkëregjent.»—A New Inscription of Xerxes From Persepolis, 1932.
Për datën e basorelieveve ku Dari dhe Kserksi portretizohen kështu, në një vepër të Ana Farkasit thuhet: «Basorelievet mund të jenë vendosur brenda Thesarit gjatë ndërtimit të shtesës së parë, në vitin 494 a 493 deri në vitin 492 a 491 p.e.s.; pa dyshim, ajo duhet të ketë qenë koha më e volitshme për të lëvizur ato rrasa guri kaba. Por, cilado qoftë data e transportimit të tyre te Thesari, skulpturat ndoshta u gdhendën në vitet 490.»—Achaemenid Sculpture, Stamboll, 1974, f. 53.
Dëshmitë e burimeve babilonase. Në Babiloni janë gjetur dëshmi se Kserksi filloi të mbretëronte bashkë me të atin në vitet 490 p.e.s. Nga gërmimet e bëra atje u zbulua një pallat i Kserksit i përfunduar në vitin 496 p.e.s. Për këtë, A. T. Olmstedi shkroi: «Kuptojmë se më 23 tetor 498, në Babiloni ishte në ndërtim e sipër shtëpia e birit të mbretit [domethënë e birit të Darit, Kserksit]; s’ka dyshim se bëhet fjalë për pallatin e Darit në qendër, që tashmë e kemi përshkruar. Dy vjet më vonë [në vitin 496 p.e.s.], në një dokument tregtar nga Borsipa fqinje, ky ‘pallat i ri’ përmendet si një pallat tashmë i përfunduar.»—History of the Persian Empire, f. 215.
Dy pllaka argjile të pazakonta mund të japin dëshmi të mëtejshme për bashkëregjencën e Kserksit me Darin. Njëra prej tyre është një dokument tregtar për qiranë e një ndërtese vitin kur hipi në fron Kserksi. Pllaka mban datën e muajit të parë të vitit, nisanit. (A Catalogue of the Late Babylonian Tablets in the Bodleian Library, Oxford, nga R. Kembëll Tomsoni, Londër, 1927, f. 13, pllaka e klasifikuar A. 124) Pllaka tjetër mban datën «muaji ab (?), viti i hipjes në fron të Kserksit». Të bën përshtypje që në këtë pllakë të dytë Kserksi nuk quhet me titullin «mbret i Babilonisë, mbret i kombeve», që përdorej dendur në atë kohë.—Neubabylonische Rechts- und Verwaltungsurkunden übersetzt und erläutert, nga M. San Nikoloja dhe A. Ungnadi, Lajpcig, 1934, vëll. I, pjesa 4, f. 544, pllaka nr. 634, e klasifikuar VAT 4397.
Këto dy pllaka të ngjallin kureshtje. Zakonisht viti i hipjes në fron të një mbreti fillon pas vdekjes së paraardhësit të tij. Por, ka dëshmi se paraardhësi i Kserksit (Dari) jetoi deri muajin e shtatë të vitit të fundit të mbretërimit, kurse datat e këtyre dy dokumenteve që i përkasin vitit kur hipi në fron Kserksi janë para muajit të shtatë (njëri mban si datë muajin e parë, tjetri muajin e pestë). Prandaj, në këto dy dokumente nuk bëhet fjalë për një periudhë kur Kserksi hipi në fron pas vdekjes së të atit, por tregojnë vitin kur hipi në fron si bashkëregjent me Darin. Nëse ai ishte viti 496 p.e.s., kur u përfundua pallati i Kserksit në Babiloni, atëherë viti i tij i parë si bashkëregjent do të fillonte nisanin vijues, më 495 p.e.s., dhe viti i 21-të e i fundit i mbretërimit do të fillonte në vitin 475 p.e.s. Në atë rast mbretërimi i Kserksit do të përfshinte 10 vjet sundim bashkë me Darin (496-486 p.e.s.) dhe 11 vjet mbretërim vetëm (486-475 p.e.s.).
Nga ana tjetër, gjithë historianët janë në një mendje se viti i parë i mbretërimit të Darit II filloi në pranverën e vitit 423 p.e.s. Një pllakë babilonase tregon se vitin e kurorëzimit Dari II ishte tashmë në fron ditën e 4-t të muajit të 11-të, pra, më 13 shkurt 423 p.e.s. (Babylonian Chronology, 626 B.C.–A.D. 75, nga R. Parkeri dhe U. H. Dubershtajni, 1971, f. 18) Mirëpo, dy pllaka tregojnë se vitin e 41-të të mbretërimit, Artakserksi vazhdoi të sundonte edhe pas ditës së 4-t të muajit të 11-të. Njëra pllakë mban si datë ditën e 17-të të muajit të 11-të të vitit të 41-të të mbretërimit. (f. 18) Tjetra ka si datë muajin e 12-të të vitit të 41-të. (Old Testament and Semitic Studies, nga Harperi, Brauni dhe Muri, 1908, vëll. 1, f. 304, pllaka nr. 12, e klasifikuar CBM, 5505) Pra, askush nuk e zuri fronin e Artakserksit vitin e 41-të të mbretërimit të tij; ai sundoi gjatë gjithë atij viti. Kjo tregon se duhet të ketë sunduar më shumë se 41 vjet dhe se viti 464 p.e.s. nuk duhet llogaritur si viti i parë i mbretërimit të tij.
Një dëshmi se Artakserks Dorëgjati sundoi edhe pas vitit të 41-të të mbretërimit e jep një dokument tregtar nga Borsipa që mban si datë vitin e 50-të të mbretërimit të Artakserksit. (Catalogue of the Babylonian Tablets in the British Museum, vëll. VII: Pllaka nga Sipari 2, nga E. Lajti dhe A. K. Grejsëni, 1987, f. 153; pllaka e klasifikuar B. M. 65494) Një nga pllakat që lidh fundin e mbretërimit të Artakserksit me fillimin e mbretërimit të Darit II mban datën: «Viti i 51-të, viti i hipjes në fron, muaji i 12-të, dita e 20-të, Dari, mbret i kombeve.» (The Babylonian Expedition of the University of Pennsylvania, Series A: Cuneiform Texts, vëll. VIII, pjesa I, nga Albert T. Kleji, 1908, f. 34, 83, dhe faqja e ilustruar 57, pllaka nr. 127, e klasifikuar CBM 12803) Meqë viti i parë i mbretërimit të Darit II ishte viti 423 p.e.s., atëherë viti i 51-të i mbretërimit të Artakserksit i bie viti 424 p.e.s. dhe viti i parë i mbretërimit të tij ishte 474 p.e.s.
Pra, dëshmitë e burimeve greke, perse dhe babilonase përputhen kur tregojnë si vit të hipjes në fron të Artakserksit vitin 475 p.e.s. dhe si vit të parë të mbretërimit të tij vitin 474 p.e.s. Si rrjedhojë, viti i 20-të i mbretërimit të Artakserksit, kur nisi numërimi i 70 javëve të Danielit 9:24, është viti 455 p.e.s. Në bazë të Danielit 9:25, po të llogaritim 69 javë vjetore (483 vjet) duke nisur nga viti 455 p.e.s., arrijmë në vitin e rëndësishëm të ardhjes së Mesisë, Udhëheqësit.
Nga viti 455 p.e.s. deri në vitin 1 të e.s. janë plot 455 vjet. Duke shtuar 28 vitet e mbetura (që të bëhen gjithsej 483 vjet) arrijmë në vitin 29 të e.s., pikërisht viti kur Jezui i Nazaretit u pagëzua në ujë, u miros me frymë të shenjtë dhe nisi shërbimin publik si Mesia ose Krishti.—Lu 3:1, 2, 21, 22.
Deri te rënia dhe ndarja e perandorisë. Për ata që pasuan Artakserks Dorëgjatin në fronin e Persisë, Diodor Sikuli jep këto të dhëna: «Në Azi, mbreti Kserks vdiq pasi mbretëroi një vit ose, sipas disave, dy muaj; pas tij hipi në fron i vëllai, Sogdiani, që mbretëroi për shtatë muaj. Atë e vrau Dari, i cili mbretëroi nëntëmbëdhjetë vjet.» (Diodor Sikuli, XII, 71, 1) Ky Dar (i njohur si Dari II) quhej më parë Oku, por pasi u bë mbret, mori emrin Dar. Duket se ai është ‘Dari’ i përmendur te Nehemia 12:22.
Pas Darit II erdhi Artakserksi II (i quajtur Mnemon), gjatë mbretërimit të të cilit Egjipti ngriti krye dhe marrëdhëniet me Greqinë u keqësuan. Mbretërimi i tij (404-359 p.e.s.) u pasua nga ai i të birit, Artakserksit III (i quajtur edhe ai Oku), që mendohet se sundoi rreth 21 vjet (358-338 p.e.s.) dhe thuhet se ishte më gjakatari nga gjithë monarkët persë. Bëma e tij më e madhe ishte ripushtimi i Egjiptit. Historia tregon se pastaj erdhi Arsesi që sundoi dy vjet dhe Dari III (Kodomani) që sundoi pesë vjet. Gjatë mbretërimit të këtij të fundit u vra Filipi i Maqedonisë (336 p.e.s.), të cilin e pasoi i biri Aleksandri. Në vitin 334 p.e.s. Aleksandri nisi agresionin kundër Perandorisë Perse, duke e mundur ushtrinë perse në fillim në Granik, në skajin veriperëndimor të Azisë së Vogël, e pastaj në Isus, në cepin tjetër të Azisë së Vogël (333 p.e.s.). Përfundimisht, pasi grekët kishin pushtuar Fenikinë dhe Egjiptin, në vitin 331 p.e.s. persët u shpartalluan në Gaugamelë, në bazën e tyre të fundit, dhe Perandoria Perse mori fund.
Pas vdekjes së Aleksandrit dhe ndarjes së mëpasshme të perandorisë, Seleuk Nikatori u bë zot i pjesës më të madhe të territoreve aziatike me Persinë në qendër. Kështu zuri fill dinastia e Seleukajve, që vazhdoi deri në vitin 64 p.e.s. Siç duket, me Seleuk Nikatorin nisi të shfaqej figura profetike e ‘mbretit të veriut’ të profecisë së Danielit, që doli kundër dinastisë së Ptolemenjve në Egjipt, e cila duket se në fillim kishte rolin e «mbretit të jugut» simbolik.—Dn 11:4-6.
Mbretërit Seleukaj ishin tërhequr në viset perëndimore të mbretërisë së tyre për shkak të mësymjeve të partëve, të cilët në shekujt e dytë dhe të tretë p.e.s. pushtuan territorin e Persisë së mirëfilltë. Në shekullin e tretë të e.s. këta u mundën nga sasanianët, të cilët sunduan deri në pushtimin arab në shekullin e shtatë.
Profecia e Ezekielit (27:10) i përmend persët mes luftëtarëve që shërbyen në forcat ushtarake të Tirit të begatë dhe që i dhanë madhështi. Persia radhitet edhe ndër kombet që bëjnë pjesë në hordhitë e udhëhequra nga figura simbolike e ‘Gogut të vendit të Magogut’ kundër popullit me të cilin Jehovai ka bërë një besëlidhje.—Ezk 38:2, 4, 5, 8, 9.
[Figura në botimin e shtypur]
Dema me kokë njeriu pranë hyrjes së qytetit të Persepolit