AUGUST
[lartmadhëri].
Titull që iu dha Gaj Oktavianit. Edhe perandorë të mëvonshëm romakë e morën këtë titull (Ve 25:21, 25), por kur përdoret si emër i referohet Oktavianit, perandorit të parë të Perandorisë Romake.
Në shtator të vitit 31 p.e.s., 13 vjet pasi ishte vrarë Jul Cezari, ungji i të atit, Oktaviani u bë sundimtari i padiskutueshëm i Perandorisë Romake. Ai hodhi poshtë titujt «mbret» dhe «diktator», por pranoi titullin e veçantë «august» që i dha Senati më 16 janar të vitit 27 p.e.s. Pas vdekjes së Lepidit në vitin 12 p.e.s., Augusti mori titullin Pontifex Maximus. Si u ngrit në pushtet, ai bëri reforma në qeveri, riorganizoi ushtrinë, krijoi Gardën Pretoriane (Fi 1:13) dhe ndërtoi e meremetoi mjaft tempuj.
Në vitin 2 p.e.s. «Cezar Augusti nxori një dekret që të regjistrohej popullsia në gjithë tokën e banuar, prandaj të gjithë shkonin të regjistroheshin, secili në qytetin e vet». (Lu 2:1, 3) Si rrjedhojë e atij dekreti, Jezui lindi në Betlehem, e kështu u përmbush profecia biblike. (Dn 11:20; Mi 5:2) Përveç këtij regjistrimi të popullsisë për taksat dhe për rekrutimin në ushtri, emërimit të guvernatorëve të disa provincave dhe ekzekutimit të dënimit me vdekje, Augusti ndërhynte fare pak në çështjet e qeverisë vendëse. Politika e tij, që vazhdoi edhe pasi vdiq ai, i dha Sinedrit judaik pushtet të madh. (Gjo 18:31) Kjo tolerancë perandorake u jepte më pak shkas nënshtetasve të rebeloheshin.
Augusti s’kishte shumë mundësi për të zgjedhur kush do ta pasonte. Biri i së motrës, dy nipër, një dhëndër dhe një bir i adoptuar vdiqën që të gjithë, kurse nipit që mbeti gjallë, Postumit, iu hoq e drejta si trashëgimtar dhe u syrgjynos. Kështu mbeti vetëm Tiberi, një tjetër bir i adoptuar. Augusti vdiq më 17 gusht të vitit 14 të e.s. (më 19 gusht, sipas kalendarit julian), në muajin që i kishte vënë emrin e vet.