Kapitulli Pesëmbëdhjetë
Mbretërit rivalë hyjnë në shekullin e 20-të
1. Për cilët tha një historian se ishin udhëheqësit e Evropës së shekullit të 19-të?
«NË EVROPËN e shekullit të nëntëmbëdhjetë ekziston një dinamizëm që tejkalon shumë çdo gjë që dihej më parë»,—shkruan historiani Norman Dejvis. Ai shton: «Evropa u gjallërua për nga potencialet si kurrë më parë: për nga potencialet teknike, potencialet ekonomike, potencialet kulturore dhe potencialet ndërkontinentale.» Udhëheqësit e «‘shekullit triumfues të potencialeve’ të Evropës,—thotë Dejvis,—ishin në fillim Britania e Madhe . . . dhe në dekadat e mëvonshme Gjermania».
«E PRIRË PËR TË BËRË ATË QË ËSHTË E KEQE»
2. Ndërsa përfundonte shekulli i 19-të, cilat fuqi luajtën rolin e «mbretit të veriut» dhe të «mbretit të jugut»?
2 Ndërsa shekulli i 19-të i afrohej fundit, Perandoria Gjermane ishte «mbreti i veriut», kurse Britania qëndronte në vendin e «mbretit të jugut». (Danieli 11:14, 15) «Për sa u përket këtyre dy mbretërve,—tha engjëlli i Jehovait,—zemra e tyre do të jetë e prirë për të bërë atë që është e keqe, dhe ajo që do të vazhdojnë të thonë në një tryezë të vetme, është gënjeshtër.» Ai vazhdoi: «Por asgjë s’do t’ia dalë mbanë, sepse fundi është ende për kohën e caktuar.»—Danieli 11:27.
3, 4. (a) Kush u bë perandori i parë i Rajhut Gjerman dhe cila aleancë u formua? (b) Cilën politikë ndoqi kaiseri Vilhelm?
3 Më 18 janar 1871, Vilhelmi I u bë perandori i parë i Rajhut ose i Perandorisë Gjermane. Si kancelar ai emëroi Oto von Bismarkun. I përqendruar në zhvillimin e perandorisë së re, Bismarku shmangu konfliktet me kombet e tjera dhe formoi me Austro-Hungarinë dhe me Italinë një aleancë që njihet si Aleanca Tripalëshe. Por interesat e këtij mbreti të ri të veriut shpejt ranë ndesh me ato të mbretit të jugut.
4 Pas vdekjes së Vilhelmit I dhe pasuesit të tij, Frederikut III, në vitin 1888, në fron u ngjit 29-vjeçari Vilhelmi II. Vilhelmi II ose kaiseri Vilhelm, e detyroi Bismarkun të dorëzohej dhe të ndiqte politikën e shtrirjes së ndikimit të Gjermanisë në mbarë botën. «Nën Vilhelmin II,—thotë një historian,—[Gjermania] mori një qëndrim arrogant dhe agresiv.»
5. Si u ulën dy mbretërit në një «tryezë të vetme» dhe çfarë thanë ata atje?
5 Kur cari Nikolla II i Rusisë mblodhi një konferencë paqeje në Hagë të Holandës, më 24 gusht 1898, ekzistonte një atmosferë tensioni ndërkombëtar. Në këtë konferencë dhe në atë që e pasoi në vitin 1907, u formua Gjykata e Përhershme e Arbitrazhit në Hagë. Duke u bërë anëtarë të kësaj gjykate, si Rajhu Gjerman, ashtu edhe Britania e Madhe, krijuan përshtypjen se favorizonin paqen. Ata u ulën «në një tryezë të vetme», sikur gjoja ishin miq, por ‘zemrat e tyre ishin të prirura për të bërë atë që është e keqe’. Taktika diplomatike e ‘thënies së një gënjeshtre në një tryezë të vetme’ nuk mund të nxiste paqen e vërtetë. Sa për ambiciet e tyre politike, tregtare dhe ushtarake, ‘asgjë nuk mundi t’ia dilte mbanë’, sepse fundi i dy mbretërve «është ende për kohën e caktuar» nga Perëndia Jehova.
«KUNDËR BESËLIDHJES SË SHENJTË»
6, 7. (a) Në ç’mënyrë u «kthye në vendin e tij» mbreti i veriut? (b) Si iu përgjigj mbreti i jugut influencës në shtrirje e sipër të mbretit të veriut?
6 Duke vazhduar, engjëlli i Perëndisë tha: «Dhe ai [mbreti i veriut] do të kthehet në vendin e tij me një sasi të madhe të mirash dhe zemra e tij do të jetë kundër besëlidhjes së shenjtë. Dhe do të veprojë me efektshmëri dhe me siguri do të kthehet në vendin e tij.»—Danieli 11:28.
7 Kaiseri Vilhelm u kthye në «vendin» ose kushtet tokësore të mbretit të lashtë të veriut. Si? Duke ngritur një sundim perandorak që kishte si qëllim zgjerimin e Rajhut Gjerman dhe shtrirjen e influencës të tij. Vilhelmi II ndoqi synime koloniale në Afrikë dhe në vende të tjera. Me dëshirën për të sfiduar epërsinë britanike në det, ai nisi ndërtimin e një flote të fuqishme ushtarake. «Brenda pak më shumë se një dekade, fuqia detare e Gjermanisë kaloi nga e papërfillshme, në vend të dytë pas asaj të Britanisë»,—thotë The New Encyclopædia Britannica. Që të ruante epërsinë e saj, Britanisë i duhej në fakt të zgjeronte programin e vet detar. Britania përfundoi edhe entente cordiale (marrëveshjen diplomatike) me Francën, si dhe një marrëveshje të ngjashme me Rusinë, duke formuar kështu Marrëveshjen Tripalëshe. Tani Evropa ishte ndarë në dy kampe ushtarake: Aleanca Tripalëshe në njërën anë dhe Marrëveshja Tripalëshe në anën tjetër.
8. Si arriti Perandoria Gjermane të kishte «një sasi të madhe të mirash»?
8 Perandoria Gjermane ndoqi një politikë agresive, e cila çoi në «një sasi të madhe të mirash» për Gjermaninë, sepse ajo ishte pjesa kryesore e Aleancës Tripalëshe. Austro-Hungaria dhe Italia ishin katolike romake. Prandaj, Aleanca Tripalëshe gëzonte edhe favorin e papës, ndërsa mbreti i jugut, me Marrëveshjen e tij Tripalëshe kryesisht jo katolike, nuk e gëzonte atë.
9. Në ç’mënyrë, me zemër, mbreti i veriut ishte «kundër besëlidhjes së shenjtë»?
9 Ç’të themi për popullin e Jehovait? Që prej shumë kohësh ata kishin deklaruar se «kohët e caktuara të kombeve» do të përfundonin në vitin 1914.a (Luka 21:24) Atë vit, në qiej u vendos Mbretëria e Perëndisë në duart e Trashëgimtarit të mbretit David, Jezu Krishtit. (2. Samuelit 7:12-16; Luka 22:28, 29) Që në mars të vitit 1880, revista Kulla e Rojës e kishte lidhur sundimin e Mbretërisë së Perëndisë me përfundimin e «kohëve të caktuara të kombeve» ose me «kohët e johebrenjve». (DSF) Por zemra e mbretit gjerman të veriut ishte ‘kundër besëlidhjes së shenjtë të Mbretërisë’. Në vend që ta pranonte sundimin e Mbretërisë, kaiseri Vilhelm ‘veproi me efektshmëri’, duke çuar përpara intrigat e tij për sundim botëror. Por duke vepruar kështu, ai mbolli farat për Luftën I Botërore.
MBRETI «BRENGOSET» NË LUFTË
10, 11. Si filloi Lufta I Botërore dhe si ndodhi ajo «në kohën e caktuar»?
10 «Në kohën e caktuar, ai [mbreti i veriut] do të kthehet,—paratha engjëlli,—dhe do të vijë në fakt kundër jugut, por në fund nuk do të jetë si në fillim.» (Danieli 11:29) ‘Koha e caktuar’ nga Perëndia për t’i dhënë fund sundimit të kombeve mbi tokë erdhi në vitin 1914, kur ai themeloi Mbretërinë qiellore. Më 28 qershor të atij viti, kryeduka austriak Franc Ferdinand dhe gruaja e tij u vranë nga një terrorist serb në Sarajevë, Bosnjë. Kjo ishte shkëndija që ndezi Luftën I Botërore.
11 Kaiseri Vilhelm e nxiti Austro-Hungarinë t’i kundërpërgjigjej Serbisë. Pasi u sigurua për mbështetjen gjermane, Austro-Hungaria i shpalli luftë Serbisë më 28 korrik 1914. Por Serbisë i erdhi në ndihmë Rusia. Kur Gjermania i shpalli luftë Rusisë, Franca (aleate në Marrëveshjen Tripalëshe) mbështeti Rusinë. Atëherë Gjermania i shpalli luftë Francës. Për ta marrë më lehtë Parisin, Gjermania pushtoi Belgjikën, asnjanësia e së cilës ishte e garantuar nga Britania. Kështu, Britania i shpalli luftë Gjermanisë. Në këtë luftë u përfshinë edhe kombe të tjera, ndërsa Italia kaloi sa nga njëra anë në tjetrën. Gjatë luftës, Britania e bëri Egjiptin protektoratin e vet, me qëllim që ta pengonte mbretin e veriut të bllokonte Kanalin e Suezit dhe të pushtonte Egjiptin, vendin e lashtë të mbretit të jugut.
12. Gjatë Luftës I Botërore, në ç’mënyrë gjërat nuk dolën «njësoj si në fillim»?
12 «Pavarësisht nga përmasat dhe forca e aleatëve,—thotë The World Book Encyclopedia,—Gjermania dukej pranë fitores.» Në konfliktet e mëparshme mes dy mbretërve, Perandoria Romake, si mbret i veriut, kishte qenë vazhdimisht fitimtare. Por këtë radhë, ‘gjërat nuk ishin njësoj si në fillim’. Mbreti i veriut e humbi luftën. Duke dhënë arsyen e kësaj humbjeje, engjëlli tha: «Sigurisht që kundër tij do të vijnë anijet e Kitimit dhe atij do t’i duhet të brengoset.» (Danieli 11:30a) Çfarë ishin «anijet e Kitimit»?
13, 14. (a) Çfarë ishin kryesisht «anijet e Kitimit» që u ngritën kundër mbretit të veriut? (b) Si erdhën më shumë anije të Kitimit, ndërsa vazhdonte Lufta I Botërore?
13 Në kohën e Danielit, Kitimi ishte Qiproja. Në fillimet e Luftës I Botërore, Qiproja u aneksua nga Britania. Veç kësaj, sipas një enciklopedie, emri Kitim «përfshin edhe p[erëndimin] në përgjithësi, por sidomos pjesën bregdetare të p[erëndimit]». (The Zondervan Pictorial Encyclopedia of the Bible) Një version e përkthen shprehjen «anijet e Kitimit» si «anijet e viseve bregdetare perëndimore». (New International Version) Gjatë Luftës I Botërore, anijet e Kitimit dolën se ishin kryesisht anijet e Britanisë, që ndodheshin larg bregdetit perëndimor të Evropës.
14 Ndërsa lufta zvarritej, flota britanike forcohej nga më shumë anije të Kitimit. Më 7 maj 1915, nëndetësja gjermane U-20 fundosi vaporin civil Lusitania në bregun jugor të Irlandës. Mes të vdekurve ndodheshin 128 amerikanë. Më vonë, Gjermania e shtriu luftën me nëndetëse në Atlantik. Si pasojë e kësaj, më 6 prill 1917, presidenti i SHBA-së, Udrou Uilson, i shpalli luftë Gjermanisë. I rritur në numër nga anijet dhe trupat luftarake të SHBA-së, mbreti i jugut, tani fuqia botërore anglo-amerikane, u fut plotësisht në luftë me mbretin e tij rival.
15. Kur «u brengos» mbreti i veriut?
15 Nën sulmin e fuqisë botërore anglo-amerikane, mbreti i veriut «u brengos» dhe në nëntor të vitit 1918 pranoi disfatën. Vilhelmi II u arratis në Holandë dhe Gjermania u bë republikë. Por mbreti i veriut nuk kishte marrë ende fund.
MBRETI VEPRON «ME EFEKTSHMËRI»
16. Sipas profecisë, si do të reagonte mbreti i veriut ndaj disfatës së tij?
16 «Ai [mbreti i veriut] do të kthehet në fakt dhe do të lëshojë denoncime kundër besëlidhjes së shenjtë dhe do të veprojë me efektshmëri dhe do t’i duhet të kthehet e do të marrë në konsideratë ata që lënë besëlidhjen e shenjtë.» (Danieli 11:30b) Kështu profetizoi engjëlli dhe kështu doli.
17. Ç’gjë çoi në ngritjen e Adolf Hitlerit?
17 Pasi përfundoi lufta, në vitin 1918, aleatët fitimtarë e detyruan Gjermaninë të zbatonte një traktat ndëshkues paqeje. Për popullin gjerman, kushtet e traktatit ishin të rënda dhe republika e re qe e dobët që në fillim. Për disa vjet, Gjermania çaloi në një gjendje të jashtëzakonshme dëshpërimi dhe përjetoi Krizën e Madhe, e cila në fund la gjashtë milionë të papunë. Nga fillimi i viteve 30 ishin pjekur plotësisht kushtet për ngritjen e Adolf Hitlerit. Ai u bë kancelar në janar të vitit 1933 dhe vitin që pasoi u bë presidenti i asaj që nazistët e quajtën Rajhu i Tretë.b
18. Si «veproi me efektshmëri» Adolf Hitleri?
18 Menjëherë pas ardhjes në fuqi, Hitleri nisi një sulm të egër kundër «besëlidhjes së shenjtë» të përfaqësuar nga vëllezërit e mirosur të Jezu Krishtit. (Mateu 25:40) Në këtë kuptim ai veproi «me efektshmëri» kundër këtyre të krishterëve besnikë, duke persekutuar mizorisht shumë prej tyre. Hitleri gëzoi suksesin ekonomik dhe diplomatik, duke vepruar «me efektshmëri» edhe në këto fusha. Brenda pak vitesh, ai e bëri Gjermaninë një fuqi me peshë në skenën botërore.
19. Kujt i erdhi rrotull Hitleri, duke kërkuar mbështetje?
19 Hitleri mori në «konsideratë ata që lënë besëlidhjen e shenjtë». Kush ishin këta? Me sa duket, krerët e të ashtuquajturit krishterim, të cilët deklaronin se kishin një marrëdhënie besëlidhjeje me Perëndinë, por që nuk ishin më dishepuj të Jezu Krishtit. Hitleri kërkoi mbështetjen e ‘atyre që lënë besëlidhjen e shenjtë’ dhe pati sukses. Për shembull, ai bëri një marrëveshje me papën e Romës. Në vitin 1935, Hitleri krijoi Ministrinë për Çështjet Kishtare. Një nga synimet e tij ishte t’i vinte kishat evangjeliste nën kontrollin e shtetit.
NGA MBRETI DOLËN «KRAHË»
20. Cilat «krahë» përdori mbreti i veriut dhe kundër kujt?
20 Shpejt Hitleri hyri në luftë, siç kishte parathënë saktësisht engjëlli: «Do të ngrihen krahë që dalin prej tij dhe ata do të përdhosin në fakt shenjtëroren, fortesën, dhe do të heqin tiparin e qëndrueshëm.» (Danieli 11:31a) ‘Krahët’ ishin forcat ushtarake që përdori mbreti i veriut për të luftuar me mbretin e jugut gjatë Luftës II Botërore. Më 1 shtator 1939, ‘krahët’ nazistë pushtuan Poloninë. Dy ditë më vonë, Britania dhe Franca i shpallën luftë Gjermanisë, që të ndihmonin Poloninë. Kështu filloi Lufta II Botërore. Polonia ra shpejt dhe pak më vonë forcat gjermane pushtuan Danimarkën, Norvegjinë, Holandën, Belgjikën, Luksemburgun dhe Francën. «Në fund të vitit 1941,—thotë The World Book Encyclopedia,—Gjermania naziste zotëronte kontinentin.»
21. Si ndryshoi gjendja në dëm të mbretit të veriut gjatë Luftës II Botërore dhe cili qe rezultati?
21 Edhe pse Gjermania dhe Bashkimi Sovjetik kishin nënshkruar një Traktat Miqësie, Bashkëpunimi dhe Mossulmimi, më 22 qershor 1941 Hitleri pushtoi territorin sovjetik. Ky veprim e bëri Bashkimin Sovjetik të kalonte në anën e Britanisë. Ushtria sovjetike paraqiti rezistencë të fortë, pavarësisht nga përparimi i bujshëm që bënë në fillim forcat gjermane. Faktikisht, më 6 dhjetor 1941, ushtria gjermane u mund në Moskë. Ditën tjetër, aleatja e Gjermanisë, Japonia, bombardoi Portin e Perlave në Havai. Kur mori vesh këtë, Hitleri u tha ndihmësve të tij: «Tani është e pamundur ta humbasim luftën.» Me një guxim prej kokëkrisuri, më 11 dhjetor ai u shpalli luftë Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por e nënvlerësoi forcën e Bashkimit Sovjetik dhe të Shteteve të Bashkuara të marra së bashku. Me ushtrinë sovjetike që sulmonte nga lindja dhe me forcat britanike e amerikane që po afroheshin nga perëndimi, shpejt situata ndryshoi në dëm të Hitlerit. Forcat gjermane filluan të humbitnin njërin territor pas tjetrit. Pas vetëvrasjes së Hitlerit, Gjermania iu dorëzua aleatëve më 7 maj 1945.
22. Si e ‘përdhosi shenjtëroren dhe e hoqi tiparin e qëndrueshëm’ mbreti i veriut?
22 «Ata [krahët nazistë] do të përdhosin në fakt shenjtëroren, fortesën dhe do të heqin tiparin e qëndrueshëm»,—tha engjëlli. Në Judën e lashtë, shenjtërorja ishte pjesë e tempullit të Jerusalemit. Megjithatë, kur judenjtë e hodhën poshtë Jezuin, Jehovai hodhi poshtë ata dhe tempullin e tyre. (Mateu 23:37–24:2) Që prej shekullit të parë të e.s., tempulli i Jehovait kishte qenë në fakt një tempull frymor, me më të shenjtën e saj në qiej dhe me një oborr frymor në tokë, në të cilin shërbenin vëllezërit e mirosur të Jezuit, Kryepriftit. Që prej viteve 30 e më pas, «shumica e madhe» ka adhuruar bashkë me mbetjen e mirosur dhe prandaj thuhet se shërben ‘në tempullin e Perëndisë’. (Zbulesa 7:9, 15; 11:1, 2; Hebrenjve 9:11, 12, 24) Në vendet që ndodheshin nën kontrollin e tij, mbreti i veriut përdhosi oborrin tokësor të tempullit, duke persekutuar pa u ndalur mbetjen e mirosur dhe shokët e saj. Kaq i rëndë ishte persekutimi, saqë ‘tipari i qëndrueshëm’, flijimi publik i lëvdimit të emrit të Jehovait, u hoq. (Hebrenjve 13:15) Megjithatë, pavarësisht nga vuajtjet e tmerrshme, të krishterët e mirosur besnikë, bashkë me «delet e tjera», vazhduan të predikonin gjatë Luftës II Botërore.—Gjoni 10:16.
‘GJËJA E NEVERITSHME VIHET NË VEND’
23. Cila ishte ‘gjëja e neveritshme’ në shekullin e parë?
23 Kur në horizont dukej fundi i Luftës II Botërore, ndodhi një ngjarje tjetër, pikërisht ashtu siç kishte parathënë engjëlli i Perëndisë. «Me siguri do të vënë në vend gjënë e neveritshme që shkakton shkretim.» (Danieli 11:31b) Jezui kishte folur edhe për «gjënë e neveritshme». Në shekullin e parë doli se kjo gjë ishte ushtria romake, që në vitin 66 të e.s. erdhi në Jerusalem për të shtypur rebelimin e judenjve.c—Mateu 24:15; Danieli 9:27.
24, 25. (a) Cila është ‘gjëja e neveritshme’ në ditët e sotme? (b) Kur dhe si ‘u vu në vend gjëja e neveritshme’?
24 Cila ‘gjë e neveritshme’ ishte ‘vënë në vend’ në kohët moderne? Me sa duket ishte një falsifikim ‘i neveritshëm’ i Mbretërisë së Perëndisë. Kjo ishte Lidhja e Kombeve, bisha e egër me ngjyrë të kuqe të ndezur, e cila kur shpërtheu Lufta II Botërore, shkoi në humnerë ose nuk ekzistoi më si organizatë e paqes botërore. (Zbulesa 17:8) Megjithatë, «bisha e egër» duhej të «dilte nga humnera». Këtë e bëri më 24 tetor 1945, kur u themelua Organizata e Kombeve të Bashkuara me 50 kombe si anëtare, përfshirë edhe ish-Bashkimin Sovjetik. Në këtë mënyrë, ‘gjëja e neveritshme’ e parathënë nga engjëlli, Kombet e Bashkuara, u vu në vend.
25 Gjermania kishte qenë një armik kryesor i mbretit të jugut gjatë të dyja luftërave botërore dhe kishte zënë vendin e mbretit të veriut. Kush do ta zinte më pas këtë vend?
[Shënimet]
a Shiko kapitullin 6 të këtij libri.
b Perandoria e Shenjtë Romake ishte rajhu i parë, ndërsa Perandoria Gjermane ishte i dyti.
c Shiko kapitullin 11 të këtij libri.
ÇFARË KE KUPTUAR?
• Në fund të shekullit të 19-të, cilat fuqi luajtën rolin e mbretit të veriut dhe të mbretit të jugut?
• Në ç’mënyrë rezultati i konfliktit mes dy mbretërve nuk doli «njësoj si në fillim» për mbretin e veriut?
• Pas Luftës I Botërore, si e bëri Hitleri Gjermaninë një fuqi me peshë në skenën botërore?
• Cili qe rezultati i rivalitetit mes mbretit të veriut dhe mbretit të jugut gjatë Luftës II Botërore?
[Tabela dhe figurat në faqen 268]
MBRETËRIT NË DANIELIN 11:27-31
Mbreti i veriut Mbreti i jugut
Danieli 11:27-30a Perandoria Gjermane Britania, e pasuar
(Lufta I Botërore) nga fuqia botërore
anglo-amerikane
[Figura]
Shumë të krishterë u persekutuan në kampe përqendrimi
[Figura]
Krerë të të ashtuquajturit krishterim përkrahën Hitlerin
[Figura]
Presidenti Udrou Uilson me mbretin Xhorxh V
[Figura]
Automobili në të cilin u vra kryeduka Ferdinand
[Figura]
Ushtarë gjermanë, Lufta I Botërore
[Figura në faqen 257]
Në Jaltë, në vitin 1945, kryeministri britanik, Uinston Çërçill, presidenti i SHBA-së, Frenklin D. Rusvelt, dhe udhëheqësi sovjetik, Jozef Stalini, ranë dakord për planet e pushtimit të Gjermanisë, për formimin e një qeverie të re në Poloni dhe mbajtën një konferencë për formimin e Kombeve të Bashkuara
[Figurat në faqen 258]
1. Kryeduka Ferdinand 2. Flota gjermane 3. Flota britanike 4. Lusitania 5. Shpallja e luftës nga SHBA
[Figurat në faqen 263]
Adolf Hitleri ndihej i sigurt për fitoren, pas bombardimit të Portit të Perlave nga aleatja e Gjermanisë në kohën e luftës, Japonia