KAPITULLI 3
Jehovai zbulon qëllimin e tij
1, 2. Si e ka zbuluar Jehovai qëllimin e tij për njerëzimin?
PRINDËRIT e mirë i përfshijnë fëmijët kur diskutojnë çështje familjare. Ama janë të kujdesshëm me sasinë e informacioneve që u japin. U thonë vetëm ato detaje që mendojnë se fëmijët mund t’i kuptojnë sipas pjekurisë që kanë.
2 Po njësoj, Jehovai ia ka zbuluar qëllimin e tij familjes njerëzore në mënyrë progresive. Por e ka bërë këtë vetëm kur gjykonte se ishte momenti i duhur. Të shikojmë shkurtimisht si i ka zbuluar Jehovai të vërtetat për Mbretërinë gjatë historisë.
Pse nevojitej Mbretëria?
3, 4. A e paracaktoi Jehovai rrugën e historisë njerëzore? Shpjego.
3 Në fillim, Mbretëria mesianike nuk bënte pjesë në qëllimin e Perëndisë. Pse? Sepse Jehovai nuk e paracaktoi rrugën e historisë njerëzore; në fund të fundit i krijoi njerëzit me vullnet të lirë. Ndaj ia tha Adamit dhe Evës qëllimin e tij për njerëzimin me këto fjalë: «Jini të frytshëm, shumohuni dhe mbusheni tokën e sundojeni.» (Zan. 1:28) Gjithashtu, Jehovai u kërkoi të respektonin normat e tij për çka është e mirë dhe e keqe. (Zan. 2:16, 17) Adami dhe Eva mund të zgjidhnin të qëndronin besnikë. Sikur ata dhe pasardhësit e tyre ta kishin bërë këtë, nuk do të kishim nevojë për Mbretërinë e drejtuar nga Krishti që të plotësohej qëllimi i Perëndisë. Tani krejt globi do të gëlonte nga njerëz të përsosur, të gjithë adhurues të Jehovait.
4 Rebelimi i Satanait, i Adamit dhe i Evës nuk e detyroi Jehovain të braktiste qëllimin e tij që të mbushte tokën me një familje njerëzore të përsosur. Përkundrazi, Jehovai përshtati mënyrën si do ta plotësonte. Qëllimi i tij nuk është si një tren që duhet të ndjekë shinat për të mbërritur në destinacion ose që mund të pengohet nga veprimet e të tjerëve. Kur Jehovai thotë qëllimin e tij, s’ka forcë në univers që t’ia ndalojë plotësimin. (Lexo Isainë 55:11.) Nëse rrezikon të bllokohet një rrugë, Jehovai përdor një tjetër.a (Dal. 3:14, 15) Kur e sheh të udhës, i informon shërbëtorët besnikë për mënyrën e re që do të përdorë për të plotësuar qëllimin e tij.
5. Si iu përgjigj Jehovai rebelimit që nisi në Eden?
5 Në përgjigje të rebelimit në Eden, Jehovai shtoi në qëllimin e tij formimin e Mbretërisë. (Mat. 25:34) Në atë moment të errët të historisë njerëzore, Jehovai nisi të hidhte dritë mbi mjetin që do të përdorte për të kthyer njerëzimin në gjendjen fillestare e për të zhbërë dhembjen që u shkaktua nga përpjekja e kotë e Satanait për të rrëmbyer pushtetin. (Zan. 3:14-19) Prapëseprapë, Jehovai nuk i tregoi detajet për Mbretërinë të gjitha njëherësh.
Jehovai fillon të zbulojë të vërtetat për Mbretërinë
6. Çfarë premtoi Jehovai? Çfarë nuk zbuloi?
6 Që në profecinë e parë, Jehovai premtoi se një farë ose një pasardhës do të shtypte gjarprin. (Lexo Zanafillën 3:15.) Sidoqoftë, identiteti i atij pasardhësi dhe pasardhja e gjarprit nuk u zbuluan në atë moment. Faktikisht, për 2.000 vjet Jehovai nuk hodhi dritë të mëtejshme mbi këto detaje.b
7. Pse u zgjodh Abrahami dhe çfarë mësimi të rëndësishëm nxjerrim nga kjo?
7 Më vonë, Jehovai zgjodhi që nga Abrahami të vinte pasardhësi i premtuar. Abrahami u zgjodh sepse ‘dëgjoi zërin’ e Jehovait. (Zan. 22:18) Nxjerrim një mësim të rëndësishëm nga kjo: Jehovai ua zbulon qëllimin vetëm atyre që kanë frikë përnderuese nga ai.—Lexo Psalmin 25:14.
8, 9. Cilat fakte për pasardhësin e premtuar i zbuloi Jehovai Abrahamit dhe Jakobit?
8 Kur i foli Abrahamit, mikut të tij, nëpërmjet një engjëlli, Jehovai zbuloi për herë të parë këtë fakt jetësor për pasardhësin e premtuar: do të ishte njeri. (Zan. 22:15-17; Jak. 2:23) Por, si do ta shtypte ky njeri gjarprin? Cili ishte gjarpri? Zbulimet që Jehovai bëri më vonë hodhën dritë mbi këto pyetje.
9 Jehovai përcaktoi se pasardhësi i premtuar do të vinte nga nipi i Abrahamit, Jakobi, një burrë që tregoi besim të madh te Perëndia. (Zan. 28:13-22) Me anë të Jakobit, Jehovai tregoi se i Premtuari do të vinte nga linja gjenealogjike e djalit të tij, Judës. Jakobi profetizoi se i Premtuari do të merrte një ‘skeptër’ ose shkop që simbolizon autoritetin mbretëror, dhe se atij ‘do t’i bindeshin popujt’. (Zan. 49:1, 10) Me këtë deklaratë, Jehovai tregoi se i Premtuari do të bëhej qeveritar, mbret.
10, 11. Pse ua zbuloi Jehovai qëllimin e tij Davidit dhe Danielit?
10 Nja 650 vjet pas Judës, Jehovai i zbuloi më shumë për qëllimin e tij mbretit David nga fisi i Judës. Jehovai e përshkroi Davidin «njeri siç ma do zemra». (1 Sam. 13:14; 17:12; Vep. 13:22) Meqë Davidi kishte frikë përnderuese nga Perëndia, Jehovai zgjodhi të bënte një besëlidhje me të dhe i premtoi se një prej pasardhësve të tij do të qeveriste përgjithmonë.—2 Sam. 7:8, 12-16.
11 Rreth 500 vjet më vonë, Jehovai përdori profetin Daniel për të treguar vitin e saktë kur Mesia, i Mirosuri, do të shfaqej në tokë. (Dan. 9:25) Për Jehovain, Danieli ishte «shumë i vyer». Pse? Sepse Danieli kishte respekt të thellë për Jehovain dhe i shërbente pareshtur.—Dan. 6:16; 9:22, 23.
12. Çfarë iu tha Danielit të bënte dhe pse?
12 Jehovai përdori profetë besnikë si Danieli që të shkruanin një sërë detajesh për pasardhësin e premtuar, Mesinë. Ama, për Jehovain, nuk ishte ende momenti i duhur që shërbëtorët e tij të kuptonin domethënien e plotë të asaj që i frymëzoi të shkruanin. Për shembull, pasi mori një vegim për kohën kur do të fillonte qeverisjen Mbretëria e Perëndisë, Danielit iu tha ta vuloste profecinë deri në kohën që kishte caktuar Jehovai. Në kohën e caktuar prej tij, njohuria e vërtetë ‘do të bëhej e bollshme’.—Dan. 12:4.
Jezui hedh dritë mbi qëllimin e Perëndisë
13. (a) Kush ishte pasardhësi i premtuar? (b) Si hodhi dritë Jezui mbi profecinë e Zanafillës 3:15?
13 Jehovai e përcaktoi qartë Jezuin si pasardhësin e premtuar që do të vinte nga familja e Davidit e që do të qeveriste si Mbret. (Luka 1:30-33; 3:21, 22) Kur Jezui nisi shërbimin, ishte sikur dielli po lindte mbi njohurinë e njerëzimit rreth qëllimit të Perëndisë. (Mat. 4:13-17) Për shembull, Jezui sqaroi çdo dyshim për identitetin e «gjarprit» të përmendur te Zanafilla 3:14, 15, duke e quajtur Djallin «vrasës» dhe ‘at të gënjeshtrës’. (Gjoni 8:44) Në zbulesën që i dha Gjonit, Jezui e identifikoi ‘gjarprin e hershëm’ si ai «që quhet Djall dhe Satana».c (Lexo Zbulesën 1:1; 12:9.) Në të njëjtën zbulesë, Jezui tregoi si ai vetë—pasardhësi i premtuar—më në fund do të plotësonte profecinë e dhënë në Eden dhe do të shtypte Satanain.—Zbul. 20:7-10.
14-16. A e kuptuan gjithnjë dishepujt e shekullit të parë domethënien e plotë të të vërtetave që zbuloi Jezui? Shpjego.
14 Siç u trajtua në kapitullin e parë, Jezui foli gjatë e gjerë për Mbretërinë. Sidoqoftë, nuk u tregoi gjithmonë dishepujve çdo detaj që kishin qejf të dinin. Madje, edhe kur dha detaje, kaloi kohë—në disa raste shekuj—para se dishepujt e tij të shquanin domethënien e plotë të të vërtetave që u kishte zbuluar Mësuesi. Të shohim nja dy shembuj.
15 Në vitin 33 të e.s., Jezui e zbuloi qartësisht se bashkëqeveritarët që do të ndihmonin Mbretin e Mbretërisë së Perëndisë, do të merreshin nga toka në qiell si krijesa frymore. Por dishepujt e tij nuk e kuptuan menjëherë këtë. (Dan. 7:18; Gjoni 14:2-5) Po atë vit, me anë të ilustrimeve, Jezui tregoi se Mbretëria do të niste qeverisjen shumë kohë pasi ai të ngjitej në qiell. (Mat. 25:14, 19; Luka 19:11, 12) Dishepujt nuk e kuptuan këtë aspekt të rëndësishëm dhe më vonë e pyetën Jezuin e ringjallur: «Në këtë kohë do ta rivendosësh mbretërinë e Izraelit?» Gjithsesi, Jezui zgjodhi të mos zbulonte detaje të tjera në atë kohë. (Vep. 1:6, 7) Ai tha gjithashtu se do të kishte «dele të tjera» që nuk do të ishin pjesë e ‘kopesë së vogël’ të bashkëqeveritarëve. (Gjoni 10:16; Luka 12:32) Dishepujt e Krishtit nuk e kuptuan tamam identitetin e këtyre dy grupeve madje edhe mjaft kohë pasi Mbretëria nisi qeverisjen më 1914.
16 Jezui mund t’u kishte thënë shumë gjëra dishepujve të tij kur ishte në tokë, por e dinte se nuk ishin në gjendje t’i kuptonin. (Gjoni 16:12) S’ka dyshim, në shekullin e parë u zbulua goxha njohuri për Mbretërinë. Sidoqoftë, nuk ishte ende koha që njohuria të bëhej e bollshme.
«Në kohën e fundit» njohuria e vërtetë bëhet e bollshme
17. Ç’duhet të bëjmë që të kuptojmë të vërtetat për Mbretërinë? Çfarë nevojitet tjetër?
17 Jehovai i premtoi Danielit se, gjatë ‘kohës së fundit’, shumë ‘do të endeshin lartë e poshtë dhe njohuria e vërtetë’ për qëllimin e Perëndisë do të bëhej e bollshme. (Dan. 12:4) Kush e do këtë njohuri duhet të derdhë mund që ta marrë. Një vepër referimi thotë se, në hebraisht, ‘të endesh lart e poshtë’ jep idenë e dikujt që shqyrton një libër me shumë kujdes dhe tërësisht. Mirëpo, sado thellë ta studiojmë Biblën, nuk mund t’i kuptojmë siç duhet të vërtetat për Mbretërinë nëse Jehovai nuk na e jep këtë privilegj.—Lexo Mateun 13:11.
18. Si kanë treguar besim dhe përulësi ata që i frikësohen Jehovait?
18 Edhe në ditët e fundit, siç bëri në periudhën para vitit 1914, Jehovai po i zbulon progresivisht të vërtetat për Mbretërinë. Siç do të shohim në kapitujt 4 e 5 të këtij libri, gjatë 100 viteve të kaluara, popullit të Perëndisë i është dashur të ndreqë kuptueshmërinë në raste të ndryshme. A do të thotë kjo se nuk kemi mbështetjen e Jehovait? Përkundrazi, na mbështet! Pse? Sepse ata që i frikësohen Jehovait shfaqin dy cilësi që atij i pëlqejnë shumë: besim dhe përulësi. (Hebr. 11:6; Jak. 4:6) Besim se premtimet e Fjalës së Perëndisë do të realizohen. Përulësi se e pranojnë kur e kanë keqkuptuar mënyrën si do të plotësoheshin saktësisht ato premtime. Ky qëndrim i përulur duket në Kullën e Rojës të 1 marsit 1925 (angl.), ku thuhet: «E dimë se Zoti është interpretuesi dhe do t’ia interpretojë Fjalën e vet popullit të tij në mënyrën dhe në kohën që thotë Ai.»
«Zoti . . . do t’ia interpretojë Fjalën e vet popullit të tij në mënyrën dhe në kohën që thotë Ai»
19. Çfarë na ka lejuar Jehovai të kuptojmë sot dhe pse?
19 Në vitin 1914, kur Mbretëria nisi qeverisjen, populli i Perëndisë kishte njohuri të pjesshme për mënyrën si do të plotësoheshin profecitë rreth Mbretërisë. (1 Kor. 13:9, 10, 12) Për shkak të dëshirës së madhe për të parë plotësimin e premtimeve të Perëndisë, në disa raste kemi nxjerrë përfundime të gabuara. Gjatë viteve, është bërë e qartë mençuria e një pohimi tjetër të bërë në Kullën e Rojës të cituar në paragrafin e mëparshëm. Artikulli thoshte: «Duket një rregull i sigurt për t’u ndjekur: nuk mund ta kuptojmë profecinë para se të plotësohet ose kur është në plotësim e sipër.» Tani që jemi zhytur në ditët e fundit, shumë profeci për Mbretërinë janë plotësuar e të tjera po plotësohen. Meqë populli i Perëndisë është i përulur dhe e pranon korrigjimin, Jehovai ka lejuar që kuptueshmëria jonë për qëllimet e tij të bëhet më e plotë. Njohuria e vërtetë është bërë e bollshme!
Përmirësimet në kuptueshmëri vënë në provë popullin e Perëndisë
20, 21. Çfarë nënkuptonin për të krishterët e shekullit të parë përmirësimet në kuptueshmëri?
20 Gjendja e zemrës sonë vihet në provë kur Jehovai na përmirëson kuptueshmërinë për të vërtetën. A do të na nxitin besimi dhe përulësia që t’i pranojmë ndryshimet? Të krishterët që jetuan aty nga mesi i shekullit të parë kaluan një provë të tillë. Për shembull, mendo sikur je i krishterë jude i asaj kohe. Ke respekt të madh për Ligjin e Moisiut dhe krenohesh me trashëgiminë tënde kombëtare. Tani merr letra të frymëzuara të apostullit Pavël që thonë se Ligji nuk është më i detyrueshëm dhe se Jehovai e ka hedhur poshtë Izraelin natyror, sepse po mbledh një Izrael frymor të formuar nga judenj e jojudenj. (Rom. 10:12; 11:17-24; Gal. 6:15, 16; Kolos. 2:13, 14) Çfarë do të bëje?
21 Të krishterët e përulur e pranuan shpjegimin e frymëzuar të Pavlit dhe Jehovai i bekoi për këtë. (Vep. 13:48) Por disa nuk i pranuan përmirësimet sepse u pëlqente mendja e vet. (Gal. 5:7-12) Po të mos ndryshonin pikëpamjen, do t’u ikte nga duart mundësia për të qeverisur me Krishtin.—2 Pjet. 2:1.
22. Si ndikojnë te ti sqarimet në kuptueshmërinë tonë për qëllimin e Perëndisë?
22 Dekadat e fundit, Jehovai ka përmirësuar kuptueshmërinë tonë për Mbretërinë. Na ka ndihmuar, për shembull, të kuptojmë më qartë kur do të ndahen nënshtetasit e Mbretërisë nga indiferentët, siç ndahen delet nga cjeptë. Gjithashtu, na ka mësuar kur do të plotësohet numri i 144.000-ve, domethënien e ilustrimeve të Jezuit për Mbretërinë dhe kur do të ngrihen në jetën qiellore të mirosurit e fundit.d Si ndikojnë te ti këto sqarime? A të forcojnë besimin? A i sheh si provë se Jehovai vazhdon të mësojë popullin e tij të përulur? Informacioni i mëtejshëm i librit do të të përforcojë bindjen se Jehovai po ua zbulon progresivisht qëllimin e tij atyre që i frikësohen.
a Emri i Perëndisë është një formë e foljes hebraike që do të thotë «të bëhet». Emri i Jehovait mban idenë se ai është Plotësuesi i premtimeve që bën. Shih kutinë «Domethënia e emrit të Zotit», në kapitullin 4.
b Edhe pse kjo periudhë mund të duket shumë e gjatë sot, të mos harrojmë se jetëgjatësia e njeriut ka qenë shumë më e madhe. Periudha nga Adami deri te Abrahami përfshin jetëgjatësinë e katër personave. Adami gjatë një pjese të jetës ishte bashkëkohës me Lamekun, babanë e Noesë. Lameku gjatë një pjese të jetës ishte bashkëkohës me Semin, djalin e Noesë, dhe Semi me Abrahamin.—Zan. 5:5, 31; 9:29; 11:10, 11; 25:7.
c Emri «Satana» del 18 herë në Shkrimet Hebraike, ndërsa në Shkrimet Greke del më shumë se 30 herë. Me të drejtë, Shkrimet Hebraike nuk i japin vëmendje të panevojshme Satanait, por përqendrohen te identifikimi i Mesisë. Kur erdhi Mesia, e demaskoi fare Satanain, siç është regjistruar në Shkrimet e Krishtere Greke.
d Për trajtimin e disa prej këtyre përmirësimeve në kuptueshmëri, shih këta artikuj të Kullës së Rojës: 15 janar 2008, faqet 20-24; 15 korrik 2008, faqet 17-21; 15 korrik 2013, faqet 9-14; Broshura me artikujt e studimit, faqet 38-43.