«Më prit»
«‘Më prit’,—thotë Zoti [Jehovai, BR].»—SOFONIA 3:8.
1. Ç’paralajmërim dha profeti Sofonia dhe me çfarë interesi është kjo për njerëzit që jetojnë sot?
«DITA e Zotit [Jehovait, BR] është e afërt.» Kjo thirrje paralajmëruese u lëshua nga profeti Sofonia në gjysmën e shekullit të shtatë p.e.s. (Sofonia 1:14) Brenda 40 apo 50 vjetëve profecia u përmbush, në kohën kur dita e ekzekutimit të gjykimeve të dhëna nga Jehovai erdhi mbi Jerusalemin dhe mbi ato kombe që kishin sfiduar sovranitetin e Jehovait, duke keqtrajtuar popullin e tij. Përse ka interes kjo gjë për njerëzit që jetojnë në fund të shekullit të 20-të? Ne po jetojmë në kohën kur «dita» e madhe përfundimtare e Jehovait po afrohet me shpejtësi. Ashtu si edhe në kohën e Sofonisë, «zjarri i zemërimit» të Jehovait është gati të ndizet kundër ekuivalentit modern të Jerusalemit, të ashtuquajturit krishterim dhe kundër të gjitha kombeve që keqtrajtojnë popullin e Jehovait dhe sfidojnë sovranitetin e tij universal.—Sofonia 1:4; 2:4, 8, 12, 13; 3:8; 2. Pjetrit 3:12, 13.
Sofonia: një dëshmitar i guximshëm
2, 3. (a) Çfarë dimë në lidhje me Sofoninë dhe nga duket se ai ishte një dëshmitar i guximshëm i Jehovait? (b) Cilat fakte na ndihmojnë të lokalizojmë kohën dhe vendin e profetizimit të Sofonisë?
2 Dimë pak gjëra për profetin Sofonia, emri i të cilit (hebraisht Tsephan·yah’) do të thotë «Jehovai ka fshehur (ka ruajtur si thesar)». Megjithatë, në dallim nga profetët e tjerë, Sofonia e shtriu gjenealogjinë e vet deri në brezin e katërt, deri te «Ezekia». (Sofonia 1:1; krahaso Isainë 1:1; Jereminë 1:1; Ezekielin 1:3.) Kjo është kaq e pazakontë, saqë shumica e komentuesve e identifikojnë mbretin besnik Ezekia, si gjyshin e gjyshit të Sofonisë. Nëse po, atëherë Sofonia ishte me prejardhje mbretërore, gjë që duhet t’ia ketë shtuar edhe më shumë peshën dënimit të rëndë që ai u bëri princave të Judës dhe ka treguar se ishte një dëshmitar dhe profet i guximshëm i Jehovait. Njohuria e thellë që kishte ai për topografinë e Jerusalemit dhe për gjërat që po ndodhnin në oborrin mbretëror, të bëjnë të mendosh se ai mund t’i ketë predikuar gjykimet e Jehovait edhe brenda në kryeqytet.—Shiko Sofoninë 1:8-11, shënimet në BR.
3 Është i denjë për t’u përmendur fakti se ndërsa shpallte gjykimet hyjnore mbi «princat» e qytetit të Judës dhe mbi «bijtë e mbretit», Sofonia kurrë nuk përmendi vetë mbretin në kritikat e tij.a (Sofonia 1:8; 3:3) Kjo na bën të mendojmë se mbreti i ri, Josia, kishte treguar tashmë një prirje për adhurimin e pastër, edhe pse duke parë situatën që Sofonia e dënoi, duket se ai s’i kishte filluar ende reformat e tij fetare. E gjithë kjo sugjeron se Sofonia profetizoi në Judë gjatë viteve të para të Josisë, i cili mbretëroi nga viti 659 deri në vitin 629 p.e.s. Profetizimi energjik i Sofonisë pa dyshim e rriti edhe më shumë vetëdijen e të riut Josia mbi idhujtarinë, dhunën dhe korrupsionin që mbizotëronte atëherë në Judë dhe inkurajoi fushatën e tij të mëvonshme kundër idhujtarisë.—2. Kronikave 34:1-3.
Arsye për zemërimin e zjarrtë të Jehovait
4. Me ç’fjalë e shprehu Jehovai zemërimin e tij kundër Judës dhe Jerusalemit?
4 Jehovai kishte arsye të forta që të ndihej i zemëruar kundrejt krerëve dhe banorëve të Judës e të kryeqytetit të saj, Jerusalemit. Nëpërmjet profetit të tij, Sofonisë, ai pohoi: «Do të shtrij dorën time kundër Judës dhe kundër të gjithë banorëve të Jerusalemit dhe do të shfaros nga ky vend mbeturinat e Baalit, emrin e priftërinjve idhujtarë, bashkë me priftërinjtë, ata të cilët bien përmbys mbi tarraca përpara ushtrisë së qiellit, ata që bien përmbys duke iu betuar Zotit, por duke iu betuar edhe Malkamit.»—Sofonia 1:4, 5.
5, 6. (a) Cila ishte gjendja fetare në Judë, në kohën e Sofonisë? (b) Cila ishte gjendja e krerëve civilë të Judës dhe e nëpunësve të tyre?
5 Juda ishte ndotur me ritet e përbuzshme të pjellorisë së adhurimit të Baalit, të astrologjisë demonike dhe me adhurimin e perëndisë pagane, Malkamit. Nëse Malkami është njësoj si Moleku, siç sugjerojnë disa, atëherë adhurimi i rremë i Judës përfshinte flijimet neveritëse të fëmijëve. Praktika të tilla fetare ishin të pështira në sytë e Jehovait. (1. Mbretërve 11:5, 7; 14:23, 24; 2. Mbretërve 17:16, 17) Ata shkaktuan edhe më shumë zemërimin e tij, ngaqë idhujtarët ende bënin betime në emër të Jehovait. Ai s’do ta lejonte më gjatë këtë papastërti fetare e do të vriste si priftërinjtë paganë, ashtu edhe ata apostatë.
6 Për më tepër, princat dhe gjyqtarët e Judës ishin të korruptuar. Princat e saj ishin si «luanë që vrumbullojnë» dhe grabitqarë, ndërsa gjykatësit e saj krahasoheshin me «ujqër» të uritur. (Sofonia 3:3) Nëpunësit e tyre akuzoheshin se ‘kishin mbushur me dhunë dhe mashtrim shtëpinë e zotërve të tyre’. (Sofonia 1:9) Materializmi mbizotëronte. Shumë veta përfitonin nga situata për të shtuar pasuritë e tyre.—Sofonia 1:13.
Dyshime për ditën e Jehovait
7. Sa kohë para «ditës së madhe të Jehovait» profetizoi Sofonia dhe cila ishte gjendja frymore e shumë hebrenjve?
7 Siç kemi parë deri tani, gjendja shkatërrimtare fetare që ekzistonte në ditët e Sofonisë, tregon se ai e kreu veprën e tij si dëshmitar dhe profet përpara se mbreti Josia të fillonte fushatën e tij kundër idhujtarisë, rreth vitit 648 p.e.s. (2. Kronikave 34:4, 5) Ka të ngjarë, pra, që Sofonia profetizoi të paktën 40 vjet përpara se «dita e madhe e Jehovait» të vinte mbi mbretërinë e Judës. Ndërkohë, shumë hebrenj patën dyshime dhe ‘u larguan’ nga shërbimi i Jehovait, duke u bërë indiferentë. Sofonia foli për ata që «nuk e kërkojnë Zotin dhe nuk e konsultojnë». (Sofonia 1:6) Me sa duket, njerëzit në Judë ishin apatikë, duke mos u merakosur për Perëndinë.
8, 9. (a) Përse do të hetonte Jehovai ‘njerëzit që qëndronin në llumin e tyre’? (b) Në cilat mënyra Jehovai do ta kthente vëmendjen ndaj banorëve të Judës dhe ndaj krerëve të tyre civilë dhe fetarë?
8 Jehovai bëri të ditur që do ta hetonte pohimin e tyre se ishin populli i tij. Mes atyre që pohonin se ishin adhurues të tij, ai do të kërkonte ata që në zemrat e tyre ushqenin dyshime në lidhje me aftësinë apo qëllimin e tij për të ndërhyrë në punët e njerëzve. Ai pohoi: «Në atë kohë do të ndodhë që unë do të kontrolloj Jerusalemin me llampa dhe do të ndëshkoj njerëzit që, duke qëndruar në llumin e tyre, thonë në zemër të tyre: ‘Zoti nuk bën as të mirë as të keq.’» (Sofonia 1:12) Shprehja «njerëzit që, duke qëndruar në llumin e tyre» (që i referohet bërjes së verës), ka të bëjë me ata që kanë zënë vend, ashtu si bërsitë në fund të fuçisë, e që nuk duan të shqetësohen nga asnjë shpallje e ndonjë ndërhyrjeje të pashmangshme hyjnore në punët e njerëzimit.
9 Jehovai do ta kthente vëmendjen ndaj banorëve të Judës e të Jerusalemit dhe ndaj priftërinjve të tyre, të cilët e kishin përzier adhurimin e tij me paganizmin. Nëse do të ndiheshin të sigurt, si nën errësirën e natës brenda mureve të Jerusalemit, ai do t’i nxirrte jashtë me llampa të ndritshme që do të përshkonin errësirën frymore brenda së cilës ata ishin strehuar. Ai do t’i shkundte nga apatia e tyre fetare, së pari nëpërmjet mesazheve të fuqishme të gjykimit e më pas, duke i ekzekutuar këto gjykime.
«Dita e madhe e Jehovait është afër»
10. Si e përshkroi Sofonia «ditën e madhe të Jehovait»?
10 Jehovai e frymëzoi Sofoninë të shpallte: «Dita e madhe e Jehovait është afër. Ajo është afër dhe po shpejton shumë. Tingulli i ditës së Jehovait është i hidhur.» (Sofonia 1:14, BR) Në të vërtetë, për të gjithë po vinin ditë të hidhura, për priftërinjtë, për princat dhe për popullin, të cilët s’kishin pranuar të dëgjonin paralajmërimin e të ktheheshin në adhurimin e pastër. Duke përshkruar atë ditë të ekzekutimit të gjykimit, profecia vazhdon: «Ajo ditë është një ditë zemërimi, një ditë mjerimi dhe ankthi, një ditë shkatërrimi dhe shkretie, një ditë terri dhe mjegulle, një ditë resh dhe errësire të thellë, një ditë zhurmimi të borisë dhe alarmi kundër qyteteve të fortifikuara dhe kullave të larta.»—Sofonia 1:15, 16.
11, 12. (a) Cili mesazh gjykimi u shpall kundër Jerusalemit? (b) A do t’i shpëtonte hebrenjtë pasuria materiale?
11 Brenda pak dekadave, ushtritë babilonase do të pushtonin Judën. Jerusalemi s’kishte shpëtim. Zonat qeveritare dhe tregtare do të shkretoheshin. «Atë ditë,—thotë Zoti,—do të ngrihet një britmë nga porta e peshqve, një klithmë nga lagjja e dytë dhe një zhurmë e madhe nga kodrat. Ulërini, o banorë të Makteshit [një pjesë e Jerusalemit], sepse tërë populli i tregtarëve është asgjësuar, tërë ata të ngarkuar me para janë shfarosur.»—Sofonia 1:10, 11, shënimi në BR.
12 Duke mos pranuar të besonin se dita e Jehovait ishte afër, shumë hebrenj ishin futur thellësisht në aventura fitimprurëse tregtare. Por nëpërmjet profetit të tij besnik, Sofonisë, Jehovai paratha që pasuritë e tyre do të bëheshin «plaçkë lufte dhe shtëpitë e tyre do të shkretoheshin». S’do të pinin verën që do të prodhonin dhe «as argjendi i tyre, as ari i tyre nuk do të mund t’i çlironin ditën e zemërimit të Zotit».—Sofonia 1:13, 18.
Gjykohen edhe kombe të tjera
13. Cilin mesazh gjykimi shpalli Sofonia kundër Moabit, Amonit dhe Asirisë?
13 Me anë të profetit të tij, Sofonisë, Jehovai e shprehu zemërimin e tij edhe kundër kombeve që kishin keqtrajtuar popullin e tij. Ai deklaroi: «Kam dëgjuar përbuzjen e Moabit dhe fyerjet e rënda të bijve të Amonit, me të cilat kanë fyer popullin tim dhe janë zmadhuar në dëm të territorit të tyre. Prandaj, ashtu siç është e vërtetë që unë rroj,—thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit,—me siguri Moabi do të jetë si Sodoma dhe bijtë e Amonit si Gomorra, një vend i zënë nga hithrat dhe kripërat, një shkreti përjetë. . . . Ai do të shtrijë dorën kundër veriut, do të shkatërrojë Asirinë dhe do ta bëjë Niniven shkreti, një vend të thatë si shkretëtira.»—Sofonia 2:8, 9, 13.
14. Ç’dëshmi kemi që kombet e huaja ‘u mburrën’ kundër izraelitëve dhe Perëndisë së tyre, Jehovait?
14 Moabi dhe Amoni ishin armiqtë tradicionalë të Izraelit. (Krahaso Gjykatësve 3:12-14.) Guri i Moabit, në muzeun e Luvrit në Paris, përmban një dorëshkrim me një pohim fjalëmadh të mbretit moabit, Mesha. Me mburrje, ai kujton se si ka marrë disa qytete izraelite me ndihmën e perëndisë së tij, Kemosh. (2. Mbretërve 1:1) Jeremia, një bashkëkohës i Sofonisë, flet për amonitët që pushtuan territorin izraelit të Gadit, në emër të perëndisë së tyre, Malkam. (Jeremia 49:1) Sa për Asirinë, mbreti Salmanaseri V kishte rrethuar dhe marrë Samarinë pothuajse një shekull para kohës së Sofonisë. (2. Mbretërve 17:1-6) Pak më vonë, mbreti Senakerib sulmoi Judën, pushtoi shumë nga qytetet e saj të fortifikuara, duke kërcënuar madje edhe Jerusalemin. (Isaia 36:1, 2) Në fakt, zëdhënësit e mbretërve asirianë u mburrën shumë kundër Jehovait, kur kërkuan që Jerusalemi të dorëzohej.—Isaia 36:4-20.
15. Si do t’i poshtëronte Jehovai perënditë e kombeve që ishin mburrur shumë kundër popullit të tij?
15 Psalmi 83 përmend shumë kombe, duke përfshirë edhe Moabin, Amonin dhe Asirinë, që u mburrën shumë kundër Izraelit dhe me arrogancë deklaruan: «Ejani t’i shkatërrojmë si komb, emri i Izraelit të mos kujtohet më.» (Psalmi 83:4) Profeti Sofonia shpalli me guxim se të gjitha këto kombe kryelarta dhe perënditë e tyre do të poshtëroheshin përpara Jehovait të ushtrive. «Kjo do t’u ndodhë për shkak të kryelartësisë se tyre, sepse kanë fyer dhe trajtuar me arrogancë popullin e Zotit të ushtrive. Zoti do të jetë i tmerrshëm kundër tyre, sepse do t’i përkulë tërë perënditë e tokës; dhe secili do ta adhurojë nga vendi i tij, po, tërë ishujt e kombeve.»—Sofonia 2:10, 11.
«Prit»
16. (a) Për cilët, afrimi i ditës së Jehovait ishte një burim gëzimi dhe përse? (b) Çfarë urdhri doli për atë mbetje besnike?
16 Ndërsa letargjia frymore, skepticizmi, idhujtaria, korrupsioni dhe materializmi mbizotëronin mes krerëve dhe shumë prej banorëve të Judës e Jerusalemit, duket se disa hebrenj besnikë i dëgjuan profecitë paralajmëruese të Sofonisë. Ata ishin të dëshpëruar nga praktikat e neveritshme të princave të Judës, të gjykatësve dhe të priftërinjve. Shpalljet e Sofonisë ishin një burim ngushëllimi për ata besnikë. Në vend se të ishte një shkak ankthi, afrimi i ditës së Jehovait ishte një burim gëzimi për ta, pasi do t’u jepte fund praktikave të tilla të neveritshme. Kjo mbetje besnike e dëgjoi urdhrin e Jehovait: «Prandaj më prit,—thotë Zoti,—kur të ngrihem për të bërë plaçkë, sepse unë kam vendosur të mbledh kombet, të bashkoj mbretëritë, për të hedhur mbi ta indinjatën time, gjithë zjarrin e zemërimit tim.»—Sofonia 3:8.
17. Kur dhe si filluan të përmbusheshin mesazhet e gjykimit të thëna nga Sofonia kundër kombeve?
17 Ata që e dëgjuan atë paralajmërim nuk u zunë në befasi. Shumë jetuan dhe panë përmbushjen e profecisë së Sofonisë. Në vitin 632 p.e.s., Ninive u pushtua dhe u shkatërrua nga një koalicion i babilonasve, medëve dhe hordhive që vinin nga veriu, ndoshta skithët. Historiani Uill Durant tregon: «Një ushtri babilonase nën komandën e Nabopolasarit, bashkë me një ushtri medase nën komandën e Siaksaresit dhe me hordhitë e skithëve nga Kaukazet, me një lehtësi dhe me një shkathtësi të habitshme pushtuan kullat e veriut. . . . Sa hap e mbyll sytë, Asiria u fshi nga historia.» Kjo ishte tamam ajo që kishte profetizuar Sofonia.—Sofonia 2:13-15.
18. (a) Si u ekzekutua gjykimi hyjnor mbi Jerusalemin dhe përse? (b) Si u përmbush profecia e Sofonisë në lidhje me Moabin dhe Amonin?
18 Shumë hebrenj që pritën Jehovain, jetuan dhe panë gjykimet e tij tek ekzekutoheshin edhe mbi Judën dhe Jerusalemin. Në lidhje me Jerusalemin, Sofonia kishte profetizuar: «Mjerë ai që është rebel dhe i ndotur, mjerë qyteti i shtypjes! Ai nuk ka dëgjuar zërin e tij, nuk ka pranuar të ndreqet, nuk ka patur besim tek Zoti, nuk i është afruar Perëndisë të vet.» (Sofonia 3:1, 2) Për shkak të pabesnikërisë së vet, Jerusalemi u rrethua dy herë nga babilonasit e më në fund u shkatërrua në vitin 607 p.e.s. (2. Kronikave 36:5, 6, 11-21) Sa për Moabin dhe Amonin, sipas historianit hebre Jozefit, në vitin e pestë pas pushtimit të Jerusalemit, babilonasit nisën kundër tyre luftën dhe i pushtuan. Si rrjedhojë, ata nuk ekzistuan më, siç ishte profetizuar.
19, 20. (a) Si i shpërbleu Jehovai ata që mbetën në pritje të tij? (b) Përse na interesojnë këto çështje dhe ç’do të trajtojmë në artikullin vijues?
19 Përmbushja e këtyre hollësive dhe e të tjerave akoma nga profecia e Sofonisë, ishte një përvojë që forcoi besimin e hebrenjve dhe johebrenjve që pritën Jehovain. Mes atyre që mbijetuan shkatërrimin që pllakosi mbi Judën dhe Jerusalemin, ishin Jeremia, etiopasi Ebed-melek dhe shtëpia e Jehonadabit, rehabitit. (Jeremia 35:18, 19; 39:11, 12, 16-18) Hebrenjtë besnikë në mërgim dhe pasardhësit e tyre që vazhduan të prisnin Jehovain, u bënë pjesë e mbetjes së lumtur që u lirua nga Babilonia në vitin 537 p.e.s. dhe u kthye në Judë për të rivendosur adhurimin e pastër.—Ezdra 2:1; Sofonia 3:14, 15, 20.
20 Ç’domethënie ka e gjithë kjo për kohën tonë? Në shumë aspekte, gjendja në ditët e Sofonisë përngjan me gjërat e neveritshme që ndodhin sot në të ashtuquajturin krishterim. Për më tepër, zakone të ndryshme të hebrenjve në ato kohëra, ngjasojnë me zakonet që mund të vërejmë sot, disa herë edhe mes popullit të Jehovait. Këto janë çështje që do të trajtohen në artikullin vijues.
[Shënimi]
a Duket se shprehja «bijtë e mbretit» u referohet të gjithë princave mbretërorë, pasi vetë bijtë e Josisë në atë kohë ishin shumë të vegjël.
Rishikim
◻ Cila ishte gjendja fetare në Judë, në ditët e Sofonisë?
◻ Cila ishte gjendja që mbizotëronte mes krerëve civilë dhe cili ishte qëndrimi i shumë njerëzve?
◻ Si u mburrën kombet kundër popullit të Jehovait?
◻ Ç’paralajmërim dha Sofonia për Judën dhe për kombet e tjera?
◻ Si u shpërblyen ata që pritën Jehovain?
[Figura në faqen 9]
Guri i Moabit vërteton se mbreti moabit, Mesha, tha fjalë fyese kundër Izraelit të lashtë
[Burimi]
Guri i Moabit: Muzeu i Luvrit, Paris
[Figura në faqen 10]
Në mbështetje të profecisë së Sofonisë, kjo pllakë kunjore e Kronikave Babilonase, tregon shkatërrimin e Ninives nga një koalicion ushtrish
[Burimi]
Pllakë kunjore: Me mirësjelljen e British Museum