JUDË ISKARIOTI
Biri i Simonit dhe apostulli famëkeq që tradhtoi Jezuin. Bibla flet shumë pak për familjen dhe të kaluarën e Judës. Si ai, edhe i ati quheshin Iskariot. (Lu 6:16; Gjo 6:71) Në përgjithësi mendohet se ky term tregon që ata ishin nga Keriot-Hezroni i Judesë. Atëherë del që Juda duhet të ketë qenë i vetmi judeas mes 12 apostujve, pasi të tjerët ishin galileas.
Juda përmendet për herë të parë në Ungjij në listën e apostujve pak kohë pas Pashkës së vitit 31 të e.s. dhe rreth një vit e gjysmë pasi Jezui kishte nisur shërbimin. (Mr 3:19; Lu 6:16) Është logjike të mendojmë që, para se Jezui ta bënte apostull, Juda kishte qenë për njëfarë kohe dishepull. Shumë shkrimtarë e përshkruajnë si njeri shumë negativ, por me sa duket për njëfarë kohe ai kishte qenë një dishepull që kishte miratimin e Perëndisë dhe të Jezuit; zgjedhja e tij si apostull tregon pikërisht këtë. Madje atij iu besuan fondet e përbashkëta të Jezuit dhe të 12 apostujve. Kjo tregon se në atë kohë ishte mjaft i besueshëm dhe i aftë ose i arsimuar, aq më tepër që Mateu, megjithëse kishte përvojë me paratë dhe shifrat, nuk u caktua në këtë detyrë. (Gjo 12:6; Mt 10:3) Megjithatë, Juda u zhyt plotësisht dhe në mënyrë të pajustifikueshme në rrugë të keqe. Pa dyshim, për këtë arsye ishte i fundit në listën e apostujve dhe emri i tij ndiqet nga shprehjet «i cili më vonë e tradhtoi» ose «i cili u bë tradhtar».—Mt 10:4; Lu 6:16.
U zhyt në rrugë të keqe. Teksa afrohej Pashka e vitit 32 të e.s., Jezui i nisi apostujt, ndër të cilët edhe Judën, të predikonin. (Mt 10:1, 4, 5) Pak pasi Juda u kthye dhe më pak se një vit pas emërimit si apostull, Krishti e akuzoi publikisht, ndonëse pa përmendur emër. Disa dishepuj, të tronditur nga ajo që mësonte Jezui, e braktisën, por Pjetri tha se ata të 12 do të qëndronin me Krishtin. Jezui pohoi se i kishte zgjedhur vetë të 12-të, por shtoi: «Njëri nga ju është shpifës [gr., diábolos që do të thotë ‘djall’ ose ‘shpifës’].» Më pas shpjegohet se shpifësi ishte Juda që «ndonëse ishte një nga të dymbëdhjetët, do ta tradhtonte».—Gjo 6:66-71.
Ja çfarë thotë Gjoni për këtë ndodhi: «Jezui e dinte që nga fillimi . . . se kush do ta tradhtonte.» (Gjo 6:64) Krishti e dinte nga profecitë e Shkrimeve Hebraike se do ta tradhtonte një bashkëpunëtor i ngushtë. (Ps 41:9; 109:8; Gjo 13:18, 19) Gjithashtu, falë aftësisë së paranjohjes, Perëndia kishte parë se Juda do të bëhej tradhtar, por kjo s’do të thoshte se ishte paracaktuar që ai të dështonte, pasi kjo bie ndesh me cilësitë e Perëndisë dhe me mënyrën si ka vepruar në të kaluarën. (Shih PARANJOHJA, PARAVENDOSJA.) Përkundrazi, siç e thamë edhe më lart, në fillim të shërbimit të tij si apostull, Juda ishte besnik ndaj Perëndisë dhe ndaj Jezuit. Pra, me shprehjen «që nga fillimi», Gjoni ka dashur të thotë se Jezui e kuptoi që në momentin kur Juda filloi të shkonte në rrugë të shtrembër, që kur filloi t’i dorëzohej papërsosmërisë dhe prirjes mëkatare. (Gjo 2:24, 25; Zb 1:1; 2:23) Juda duhet ta ketë ditur se ‘shpifësi’ që përmendi Jezui ishte pikërisht ai, por vazhdoi të shkonte me Jezuin dhe apostujt besnikë dhe, siç duket qartë, s’bëri asnjë ndryshim.
Bibla nuk analizon me hollësi ç’e shtyu Judën në këtë rrugë, por një ndodhi e 9 nisanit të vitit 33 të e.s., pesë ditë para vdekjes së Jezuit, hedh dritë mbi këtë çështje. Kur ishte në Betani, në shtëpinë e Simonit që ishte i lebrosur, Maria, motra e Lazarit, i leu këmbët Jezuit me vaj aromatik që vlente 300 denarë, pak a shumë sa paga vjetore e një punëtori. (Mt 20:2) Juda kundërshtoi duke thënë se ai vaj mund të ishte shitur dhe paratë ‘t’u jepeshin të varfërve’. Me sa duket apostujt thjesht ishin dakord me atë që dukej një kundërshtim i arsyeshëm, por Jezui i qortoi. Arsyeja e vërtetë pse Juda kundërshtoi, ishte se ai mbante arkën e parave, «ishte hajdut . . . dhe merrte paratë që viheshin atje». Pra, Juda ishte makut dhe ishte mësuar të vidhte.—Gjo 12:2-7; Mt 26:6-12; Mr 14:3-8.
Çmimi i tradhtisë. Pa dyshim, Judës i dogjën fjalët e Jezuit për përdorimin e parave. Atëherë «Satanai hyri te Juda», ka të ngjarë në kuptimin që apostulli tradhtar iu dorëzua vullnetit të Djallit, duke e lejuar veten të bëhej vegël e Satanait që kishte për qëllim të ndalte Krishtin. Pak ditë më vonë, më 12 nisan, Juda shkoi te krerët e priftërinjve dhe kapitenët e rojave të tempullit për të parë sa do ta paguanin nëse tradhtonte Jezuin, duke treguar sërish makutërinë e tij. (Mt 26:14-16; Mr 14:10, 11; Lu 22:3-6; Gjo 13:2) Atë ditë, krerët e priftërinjve ishin mbledhur me «pleqtë e popullit», anëtarë të Sinedrit me ndikim të madh. (Mt 26:3) Mund të kenë qenë të pranishëm edhe kapitenët e rojave të tempullit për shkak të ndikimit të tyre dhe për t’i dhënë një ngjyrim ligjor arrestimit të Jezuit.
Pse udhëheqësit fetarë judenj i ofruan Judës vetëm 30 monedha argjendi për të tradhtuar Jezuin?
Paratë e ofruara ishin 30 monedha argjendi (66 dollarë, nëse ishin sikla). (Mt 26:14, 15) Shuma e caktuar nga udhëheqësit fetarë duket se tregonte përbuzjen e tyre për Jezuin, për të cilët ai vlente shumë pak. Sipas Daljes 21:32, çmimi i një skllavi ishte 30 sikla. Për të njëjtën arsye, Zakarinë e paguan «tridhjetë monedha të argjendta» për punën e tij si bari i popullit. Jehovai e gjykoi këtë shumë parash si përçmuese, pasi kjo pagë me vlerë hiçgjë që iu dha Zakarisë tregonte si e shihte Perëndinë ai popull i pabesë. (Za 11:12, 13) Kështu, duke ofruar vetëm 30 monedha argjendi për Jezuin, udhëheqësit fetarë donin të tregonin se ai vlente fare pak. Megjithatë, njëkohësisht përmbushën fjalët e Zakarisë 11:12, sepse duke vepruar kështu me përfaqësuesin që kishte dërguar Perëndia për të qenë bari i Izraelit, ata po tregonin se Jehovai vlente fare pak për ta. Juda i korruptuar e «pranoi [çmimin] dhe filloi të kërkonte një rast të volitshëm që ta tradhtonte e ta dorëzonte [Jezuin] në duart e tyre, pa pasur turmë rreth e qark».—Lu 22:6.
Nata e fundit me Jezuin. Ndonëse ishte kthyer kundër Krishtit, Juda vazhdoi të shoqërohej me të. Më 14 nisan të vitit 33 të e.s., ai ishte bashkë me Jezuin dhe apostujt për të kremtuar Pashkën. Gjatë darkës së Pashkës, Jezui u shërbeu apostujve duke u larë këmbët me përulësi. Juda hipokrit e lejoi Jezuin t’ia lante këmbët. Megjithatë, Jezui tha: «Nuk jeni të gjithë të pastër.» (Gjo 13:2-5, 11) Gjithashtu tha se një nga apostujt që ishte në atë tryezë, do ta tradhtonte. Mbase për ta fshehur fajin, Juda pyeti nëse ishte ai. Si një provë më shumë, Jezui i zgjati Judës një kafshatë dhe i tha ta bënte shpejt atë që kishte ndër mend.—Mt 26:21-25; Mr 14:18-21; Lu 22:21-23; Gjo 13:21-30.
Juda iku menjëherë. Duke krahasuar Mateun 26:20-29 me Gjonin 13:21-30 vërejmë se ai iku para se Jezui të themelonte kremtimin e Darkës së Zotërisë. Me sa duket Luka nuk e paraqet këtë ngjarje në radhën kronologjike, pasi Juda pa dyshim kishte ikur tashmë kur Krishti i lavdëroi apostujt që kishin qëndruar bashkë me të në sprova. Kjo sigurisht që s’mund të thuhej për Judën, e aq më tepër, ai s’mund të përfshihej në ‘besëlidhjen për një mbretëri’.—Lu 22:19-30.
Më vonë, Juda e gjeti Jezuin bashkë me apostujt besnikë në kopshtin e Getsemanisë, një vend që tradhtari e njihte mirë, sepse ishin takuar atje edhe më parë. Ai shkoi atje me një turmë të madhe, mes të cilëve edhe ushtarë romakë e një komandant. Ata kishin marrë me vete kërbaçë, shpata, madje edhe pishtarë e llamba, nëse retë mbulonin hënën e plotë apo nëse Jezui nuk shihej nga errësira. Ka mundësi që romakët nuk do ta njihnin Jezuin, prandaj, siç ishin marrë vesh, Juda e përshëndeti Krishtin dhe gjithë hipokrizi «e puthi me shumë butësi» për ta identifikuar. (Mt 26:47-49; Gjo 18:2-12) Më vonë, Juda e ndjeu peshën e fajit. Në mëngjes, u përpoq t’i kthente 30 monedhat e argjendta, por krerët e priftërinjve nuk pranuan t’i merrnin. Në fund, Juda i hodhi paratë në tempull.—Mt 27:1-5.
Vdekja. Sipas Mateut 27:5, Juda vari veten. Por te Veprat 1:18 thuhet se «ra kokëposhtë, i plasën të përbrendshmet e iu derdhën zorrët». Duket se te Mateu tregohet mënyra si u përpoq të vetëvritej, kurse te Veprat tregohet rezultati. Nga dy tregimet duket se Juda është përpjekur të vetëvaret në ndonjë shkëmb, por litari ose dega e pemës është këputur e ai ka rënë kokëposhtë dhe është copëtuar nëpër shkëmbinj. Nisur nga topografia e zonës rreth Jerusalemit mund të ketë ndodhur pikërisht kështu.
Vdekja e tij sjell natyrshëm pyetjen: kush e bleu me 30 monedhat e argjendta arën që u kthye në varrezë? Sipas Mateut 27:6, 7, krerët e priftërinjve thanë se ato para nuk mund të mbaheshin në thesarin e shenjtë, ndaj ata i përdorën për të blerë arën. Kurse tregimi i Veprave 1:18, 19 thotë: «Pikërisht ky njeri [Juda] bleu një arë me pagën e padrejtësisë.» Përgjigjja duket se është kjo: arën e blenë priftërinjtë, por meqë paratë ishin të Judës, mund të thuhet se e bleu ai. Dr. A. Edërshajmi thotë: «Ishte e paligjshme të hidhje në thesarin e tempullit para të fituara në mënyrë të paligjshme, pasi me to bliheshin gjëra të shenjta. Në të tilla raste, ligji judaik kërkonte që paratë t’i ktheheshin dhuruesit dhe, nëse ai këmbëngulte për t’i dhënë, duhej nxitur t’i shpenzonte për ndonjë shërbim publik. . . . Duke bërë një marifet ligjor, paratë u konsideruan ende si të Judës dhe të përdorura nga ai për të blerë të famshmen ‘arë të poçarit’. » (The Life and Times of Jesus the Messiah, 1906, vëll. II, f. 575) Kjo blerje përmbushi profecinë e Zakarisë 11:13.
Rruga që mori Juda me vullnetin e vet tregonte dashaligësi, lakmi, krenari, hipokrizi dhe paramendim. Më pas, pesha e fajit e bëri ta vriste ndërgjegjja, siç mund të ndodhë me një vrasës me paramendim pasi ka kryer krimin. Megjithatë, Juda, me vullnet të plotë, ra në ujdi me njerëz që Jezui tha se bënin prozelitë që meritonin Gehenën dy herë më shumë se ata e që edhe vetë s’do t’i shpëtonin ‘gjykimit të Gehenës’. (Mt 23:15, 33) Natën e fundit të jetës së tij në tokë, duke pasur ndër mend Judën, Jezui tha: «Për atë njeri do të ishte më mirë të mos kishte lindur.» Më vonë, Krishti e quajti ‘bir të shkatërrimit’.—Mr 14:21; Gjo 17:12; He 10:26-29.
Zëvendësohet. Pas ngjitjes së Jezuit në qiell dhe para festës së Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., Pjetri i shpjegoi një grupi me rreth 120 dishepuj se ishte me vend të zëvendësohej Juda, siç thuhej në profecinë e Psalmit 109:8. Pasi u propozuan dy kandidatë, u hodh shorti. «Për të nisur këtë shërbim dhe për të marrë përgjegjësinë si apostull, që Juda e braktisi për të shkuar në drejtimin e vet», u zgjodh Matia.—Ve 1:15, 16, 20-26.