Të qëndrojmë në luginën e mbrojtjes të Jehovait
«Jehovai . . . do të luftojë kundër atyre kombeve si në ditën e luftës së tij, si në ditën e betejës.»—ZAK. 14:3.
1, 2. Cila luftë reale kanoset në horizont? Çfarë nuk do të duhet të bëjnë shërbëtorët e Jehovait në këtë luftë?
MË 30 tetor 1938, miliona veta në Shtetet e Bashkuara po dëgjonin një emision shumë të njohur me radiodrama. Pjesa e asaj mbrëmjeje ishte një përshtatje e romanit fantastiko-shkencor Lufta e botëve (angl.). Aktorët që luanin rolin e spikerëve të lajmeve përshkruan zbarkimin e një ushtrie pushtuese nga Marsi, e cila do të sillte shkatërrim masiv në Tokë. Megjithëse ishte njoftuar se kjo ishte thjesht një radiodramë, shumë dëgjues menduan se sulmi ishte real dhe u frikësuan. Madje, disa morën masa për t’u mbrojtur nga alienët imagjinarë.
2 Sot në horizont kanoset një luftë reale. Mirëpo, edhe pse ajo po afron, njerëzit nuk reagojnë. Kjo luftë s’është parathënë në ndonjë roman fantastiko-shkencor, por në Fjalën e frymëzuar të Perëndisë, në Bibël. Është lufta e Harmagedonit, lufta e Perëndisë kundër këtij sistemi të lig. (Zbul. 16:14-16) Në këtë luftë, shërbëtorëve të Jehovait në tokë nuk do t’u duhet të mbrohen nga alienët e një planeti tjetër. Megjithatë, do të mbeten gojëhapur nga ngjarjet befasuese dhe nga shfaqja e frikshme e fuqisë së Perëndisë.
3. Cilën profeci do të shqyrtojmë dhe pse na intereson?
3 Një profeci biblike e dokumentuar në kapitullin e 14-të të Zakarisë lidhet drejtpërdrejt me luftën e Harmagedonit. Ndonëse është dokumentuar rreth 2.500 vjet më parë, kjo profeci ndikon në jetën tonë sot. (Rom. 15:4) Pjesa më e madhe e asaj që thuhet në të lidhet me situata që kanë ndikuar te populli i Perëndisë që kur Mbretëria mesianike u vendos në qiell, më 1914, si edhe me ngjarje emocionuese që do të shpalosen në të ardhmen e afërt. Aspektet e spikatshme të profecisë përfshijnë formimin e ‘një lugine shumë të madhe’ dhe daljen e ‘ujërave jetëdhënëse’. (Zak. 14:4, 8) Kjo luginë luan rol jetësor në mbrojtjen e adhuruesve të Jehovait. Po ashtu, kur dallojmë se ç’domethënie mund të kenë për ne ujërat jetëdhënëse, do të kuptojmë se jo vetëm kemi nevojë të pimë prej tyre, por edhe do të duam të pimë. Prandaj, është në dobinë tonë t’i kushtojmë shumë vëmendje kësaj profecie.—2 Pjet. 1:19, 20.
FILLON «DITA E JEHOVAIT»
4. (a) Kur nisi «dita e Jehovait»? (b) Çfarë po shpallnin adhuruesit e Jehovait dekada para vitit 1914 dhe si reaguan udhëheqësit botërorë?
4 Kapitulli i 14-të i Zakarisë hapet me një referim për ‘ditën e Jehovait’. (Lexo Zakarinë 14:1, 2.) Çfarë është kjo ditë? Është ‘dita e Zotërisë’, e cila filloi kur «mbretëria e botës» u bë «mbretëria e Zotërisë tonë dhe e Krishtit të tij». (Zbul. 1:10; 11:15) Ajo ditë nisi më 1914 me lindjen e Mbretërisë mesianike në qiej. Dekada para vitit 1914, adhuruesit e Jehovait u shpallën kombeve se fundi i ‘kohëve të caktuara të kombeve’ ose i kohës së johebrenjve do të vinte atë vit dhe se bota do të hynte në një periudhë telashesh të pashoqe. (Luka 21:24) Si reaguan kombet? Në vend që t’ia vinin veshin atij paralajmërimi në kohën e duhur, udhëheqësit politikë dhe fetarë i përbuzën dhe i përndoqën ata ungjillëzues të mirosur të zellshëm. Duke bërë kështu, këta udhëheqës botërorë u tallën me vetë Perëndinë e Plotfuqishëm, sepse ambasadorët e mirosur të Mbretërisë përfaqësojnë ‘Jerusalemin qiellor’, Mbretërinë mesianike, pjesë e së cilës janë.—Hebr. 12:22, 28.
5, 6. (a) Cilin veprim të parathënë ndërmorën kombet kundër «qytetit» dhe ‘qytetarëve’ të tij? (b) Cilët ishin ‘ata që do të mbeteshin’?
5 Zakaria paratha veprimin që do të ndërmerrnin kombet: «Qyteti [Jerusalemi] do të pushtohet.» «Qyteti» simbolizon Mbretërinë mesianike të Perëndisë. Në tokë, ajo përfaqësohet nga ‘qytetarët’ e saj, mbetja e të krishterëve të mirosur. (Filip. 3:20) Gjatë Luftës I Botërore, pjesëtarë të njohur të pjesës tokësore të organizatës së Jehovait ‘i pushtuan’ ose i arrestuan, e më pas i dërguan në një burg në Atlanta, Xhorxhia, SHBA. ‘Shtëpitë ua plaçkitën’ në kuptimin që u kryen padrejtësi e brutalitete të shumta ndaj tyre dhe ndaj vëllezërve të tjerë të pafajshëm që mbajtën integritetin. Sulmuesit u grabitën pasurinë domethënë hoqën ndikimin që kishte mbetja e mirosur. Këtë e bënë duke ua ndaluar literaturën dhe duke ua kufizuar aktivitetet si lajmëtarë të Mbretërisë.
6 Edhe pse sulmuesit ishin më shumë, dhe e keqparaqitën, e kundërshtuan dhe e përndoqën popullin e Perëndisë, nuk arritën ta shuanin adhurimin e vërtetë. Ekzistonin ende ‘ata që do të mbeteshin’, pra, mbetja e mirosur që me besnikëri nuk pranoi ‘të shfarosej nga qyteti’.
7. Çfarë shembulli lë udha e Dëshmitarëve të mirosur të Jehovait për të gjithë adhuruesit e vërtetë sot?
7 A u përmbush plotësisht kjo profeci me mbarimin e Luftës I Botërore? Jo. Kombet do ta sulmonin edhe herë të tjera mbetjen e mirosur dhe shokët e tyre besnikë me shpresë tokësore. (Zbul. 12:17) Lufta II Botërore është një provë e kësaj. Udha e integritetit e Dëshmitarëve të mirosur besnikë të Perëndisë i nxit shërbëtorët e Tij sot të durojnë çfarëdolloj sprove që t’u dalë përpara, përfshirë kundërshtimin nga të afërmit jobesimtarë, kolegët ose shokët e shkollës që i tallin për besimin. (1 Pjet. 1:6, 7) Pavarësisht se ku jetojnë, adhuruesit e vërtetë janë më të vendosur se kurrë ‘të qëndrojnë të patundur në një mendje duke mos u trembur nga kundërshtarët’. (Filip. 1:27, 28) Por, ku do të gjejë siguri populli i Jehovait në një botë që e urren?—Gjoni 15:17-19.
JEHOVAI FORMON ‘NJË LUGINË SHUMË TË MADHE’
8. (a) Çfarë mund të simbolizojnë malet në Bibël? (b) Çfarë përfaqëson ‘mali i ullinjve’?
8 Meqë Jerusalemi, «qyteti», simbolizon Jerusalemin qiellor, edhe ‘mali i ullinjve, që gjendet përballë Jerusalemit’ duhet marrë në kuptimin simbolik. Çfarë përfaqëson ky mal? Në ç’kuptim «do të çahet në mes» dhe do të ndahet në dy male? Pse Jehovai i quan ‘malet e mia’? (Lexo Zakarinë 14:3-5.) Në Bibël, malet mund të përfaqësojnë mbretëri ose qeveri. Gjithashtu, me malin e Perëndisë lidhen bekimet dhe mbrojtja. (Psal. 72:3; Isa. 25:6, 7) Pra, mali i ullinjve ku qëndron Perëndia në lindje të Jerusalemit, përfaqëson sovranitetin universal të Jehovait, sundimin e tij më të lartë.
9. Në ç’kuptim ndahet «mali i ullinjve»?
9 Çfarë tregon ndarja e malit të ullinjve? Mali ndahet në kuptimin që Jehovai vendos një sundim tjetër, një sundim ndihmës. Ky sundim dytësor është Mbretëria mesianike në duart e Jezu Krishtit. Ja pse Jehovai i quan ‘malet e mia’ ato që krijohen nga ndarja e malit të ullinjve. (Zak. 14:4, 5) Që të dy janë të tijat.
10. Çfarë përfaqëson ‘lugina shumë e madhe’ mes dy maleve?
10 Kur mali simbolik ndahet, gjysma në veri e gjysma në jug, këmbët e Jehovait qëndrojnë mbi të dy malet. Nën këmbët e Jehovait formohet «një luginë shumë e madhe». Kjo luginë simbolike përfaqëson mbrojtjen hyjnore, falë së cilës shërbëtorët e Jehovait gjejnë siguri nën sovranitetin e tij universal dhe nën Mbretërinë mesianike të Birit të tij. Jehovai do të kujdeset që adhurimi i pastër të mos shuhet kurrë. Kur u nda mali i ullinjve? Atëherë kur u vendos Mbretëria mesianike në fund të kohës së johebrenjve, më 1914. Kur filloi ikja e adhuruesve të vërtetë në luginën simbolike?
NIS IKJA NË LUGINË
11, 12. (a) Kur nisi ikja në luginën simbolike? (b) Ç’gjë tregon se krahu i fuqishëm i Jehovait është me popullin e tij?
11 Jezui i paralajmëroi dishepujt: «Të gjitha kombet do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim.» (Mat. 24:9) Që nga viti 1914, gjatë ditëve të fundit të këtij sistemi, kjo urrejtje është intensifikuar më tepër. Pavarësisht se gjatë Luftës I Botërore armiqtë ndërmorën një sulm të egër kundër mbetjes së mirosur, pjesëtarët e këtij grupi besnik nuk u shfarosën. Më 1919 u çliruan nga kthetrat e Babilonisë së Madhe, perandoria botërore e fesë së rreme. (Zbul. 11:11, 12)a Pikërisht atëherë nisi ikja në luginën e maleve të Jehovait.
12 Që nga viti 1919, lugina e mbrojtjes hyjnore vazhdon t’i mbrojë adhuruesit e vërtetë anembanë tokës. Gjatë dekadave, në shumë vise të botës shërbimi në fushë dhe literatura biblike e Dëshmitarëve të Jehovait është ndaluar dhe kufizuar. Kufizime të tilla vazhdojnë ende në disa vende. Por, sado të përpiqen kombet, kurrë nuk do të arrijnë ta vënë përfund adhurimin e vërtetë. Krahu i fuqishëm i Jehovait do të jetë me popullin e tij.—Ligj. 11:2.
13. Si mund të qëndrojmë në luginën e mbrojtjes të Jehovait? Pse tani është më e rëndësishme se kurrë të veprojmë kështu?
13 Nëse qëndrojmë të lidhur ngushtë me Jehovain dhe të patundur në të vërtetën, ai dhe Biri i tij, Jezu Krishti, do të bëjnë pjesën e tyre dhe Perëndia nuk do të lejojë askënd ose asgjë ‘të na rrëmbejë nga dora e Tij’. (Gjoni 10:28, 29) Jehovai është i gatshëm të na japë çfarëdo ndihme të nevojshme që t’i bindemi atij si Sovrani Universal dhe të mbetemi nënshtetas besnikë të Mbretërisë mesianike. Është e domosdoshme të qëndrojmë në luginën e mbrojtjes, sepse kjo luginë do të marrë edhe më shumë kuptim për adhuruesit e vërtetë gjatë shtrëngimit të madh që po afrohet me shpejtësi.
MBËRRIN ‘DITA E LUFTËS’
14, 15. Në ç’situatë do të gjenden ata që do të jenë jashtë luginës «ditën e luftës» së Perëndisë kundër armiqve të tij?
14 Teksa afrohet fundi i këtij sistemi, Satanai do t’i shtojë sulmet kundër shërbëtorëve të Jehovait. Atëherë do të vijë ‘dita e luftës’ së Perëndisë kundër armiqve të tij. Jehovai do të bëjë që një nga sulmet e Satanait të jetë i fundit. Atë ditë, Sovrani i universit do të shquhet si Luftëtar në mënyrë më të lavdishme se gjatë çdo ‘dite [të mëparshme] beteje’.—Zak. 14:3.
15 Në ditën e luftës së Perëndisë, në ç’situatë do të gjenden ata që do të ndodhen jashtë ‘luginës së madhe’ ku ka mbrojtje? S’do ta kenë aspak ‘dritën e çmuar’ të miratimit hyjnor që të shkëlqejë mbi ta. Atë ditë të betejës që po vjen, «kali, mushka, deveja, gomari dhe çdo lloj kafshe shtëpiake»—simbole të pajisjeve ushtarake të kombeve—do të preken. Këto pajisje «do të jenë të ngrira» [BR me referime, angl.], pra do të dalin jashtë përdorimit sikur të ishin ngurtësuar nga të ftohtët. Po ashtu, Jehovai do të përdorë murtajën dhe ‘plagën’. Sido që të jetë, në kuptimin e mirëfilltë ose jo, plaga do t’i bëjë të heshtin kërcënimet e tmerrshme. Atë ditë, ‘sytë dhe gjuha do t’u kalben’ në kuptimin që sulmuesit do të jenë në gjendje të godasin vetëm verbërisht dhe të folurit e tyre sfidues do të heshtë. (Zak. 14:6, 7, 12, 15) Asnjë pjesë e tokës nuk do t’i shpëtojë shkatërrimit. Forcat e rreshtuara në betejë në anën e Satanait do të jenë të pamasa. (Zbul. 19:19-21) «Atë ditë të vrarët nga Jehovai do të jenë nga njëri skaj i tokës në tjetrin.»—Jer. 25:32, 33.
16. Për cilat pyetje duhet të meditojmë meqë po afron dita e luftës së Perëndisë dhe çfarë do të kemi nevojë të bëjmë?
16 Lufta sjell gjithnjë vuajtje, madje edhe atyre që dalin fitues. Ushqimet mund të mungojnë, pronat mund të humbasin, standardi i jetesës mund të bjerë, liritë personale mund të kufizohen. Si do të reagojmë nëse hasim vështirësi të tilla? Do të na zërë paniku? Do të heqim dorë nga besimi kur të jemi nën presion? Do të humbim shpresën e do të zhytemi në dëshpërim? Sa jetësore do të jetë gjatë shtrëngimit të madh të ruajmë besimin te fuqia shpëtuese e Jehovait dhe të qëndrojmë në luginën e Tij të mbrojtjes!—Lexo Habakukun 3:17, 18.
«DO TË DALIN UJËRA JETËDHËNËSE»
17, 18. (a) Çfarë janë ‘ujërat jetëdhënëse’? (b) Ç’përfaqësojnë ‘deti lindor’ dhe ‘deti perëndimor’? (c) Për çfarë jeni të vendosur ndërsa mbani sytë tek e ardhmja?
17 Pas Harmagedonit, nga selia e Mbretërisë mesianike do të rrjedhin vazhdimisht «ujëra jetëdhënëse». Këto «ujëra jetëdhënëse» janë masat e Jehovait për jetën. ‘Deti lindor’ i referohet Detit të Vdekur, kurse ‘deti perëndimor’ detit Mesdhe. Që të dy tregojnë njerëz. Deti i Vdekur do t’i përfaqësonte mirë ata që janë në varrin e përbashkët të njerëzimit e që do të ringjallen. Meqë deti Mesdhe gëlon nga jeta, do ta përshkruante siç duhet ‘shumicën e madhe’ me të mbijetuarit e Harmagedonit. (Lexo Zakarinë 14:8, 9; Zbul. 7:9-15) Pra, të dy grupet do të nxjerrin dobi: do të çlirohen nga dënimi i vdekjes adamike ndërsa vazhdojnë të shuajnë etjen me ujërat jetëdhënëse simbolike, pra ‘lumin me ujin e jetës’.—Zbul. 22:1, 2.
18 Nën mbrojtjen e Jehovait do të mbijetojmë nga fundi i këtij sistemi të lig dhe do të hyjmë në botën e re e të drejtë të Tij. Ndonëse na urrejnë të gjitha kombet, le të jemi të vendosur të mbetemi nënshtetas besnikë të Mbretërisë së Perëndisë, gjithnjë të palëkundur për të qëndruar në luginën e mbrojtjes të Jehovait!
a Shih librin Zbulesa—Plotësimi i saj madhështor është afër!, faqet 169-170.