MËSIMI 44
A i pëlqejnë Perëndisë të gjitha festat?
Jehovai do që ta gëzojmë jetën, e madje, herë pas here, edhe të festojmë. Por, a i pëlqejnë të gjitha festat? Si mund ta tregojmë se e duam Jehovain edhe kur bëhet fjalë për këto raste?
1. Pse shumë festa nuk i pëlqejnë Jehovait?
Mund të habitesh kur të mësosh se shumë festa bazohen në mësime që bien ndesh me Biblën ose kanë origjinë pagane. Festa të tilla mund të burojnë nga fe të rreme. Ato mund të kenë lidhje me spiritizmin ose mund të bazohen tek ideja se shpirti është i pavdekshëm. Disa festa i kanë rrënjët te besëtytnitë ose te besimi te fati. (Isaia 65:11) Jehovai i paralajmëron adhuruesit e tij: «Ndahuni veç . . . dhe mjaft e prekët gjënë e papastër.»—2 Korintasve 6:17.a
2. Çfarë mendon Jehovai për festat që u japin nderim të pavend njerëzve?
Jehovai na paralajmëron të mos ‘kemi besim te njeriu’. (Lexo Jereminë 17:5.) Disa festa bëhen për nder të udhëheqësve ose të heronjve të luftës. Disa të tjera bëhen për nder të simboleve kombëtare ose të pavarësisë. (1 Gjonit 5:21) Ka edhe nga ato që nxitin përfshirjen në ndonjë lëvizje politike ose sociale. Si ndihet Jehovai kur u japim nderim të pavend njerëzve ose organizatave, sidomos atyre që nxitin ide, të cilat bien ndesh me qëllimin e tij?
3. Ç’lloj sjelljesh mund t’i bëjnë festat të papranueshme?
Bibla dënon ‘pirjen me tepri, festat e shfrenuara dhe dehjet’. (1 Pjetrit 4:3) Disa festa karakterizohen nga shfrenimet dhe sjellja imorale. Që të jemi miq me Jehovain, duhet të qëndrojmë larg papastërtisë morale.
SHQYRTO MË TEJ
Zbulo si mund t’i sjellim kënaqësi Jehovait, duke marrë vendime të mençura në lidhje me festat.
4. Mos u përfshi në festa që e çnderojnë Jehovain
Lexoni Efesianëve 5:10 dhe më pas diskutoni për këto pyetje:
Për çfarë duhet të sigurohemi para se të vendosim nëse do të marrim pjesë në ndonjë festë?
Cilat festa janë të përhapura në vendin ku jeton?
A mendon që këto festa i pëlqejnë Jehovait?
Për shembull, a ke pyetur ndonjëherë veten se çfarë mendon Perëndia për ditëlindjet? Askund në Bibël nuk përmendet që ndonjë adhurues i Jehovait të ketë festuar ditëlindjet. Ama përmenden dy raste ditëlindjesh të njerëzve që nuk i shërbenin atij. Lexoni Zanafillën 40:20-22 dhe Mateun 14:6-10. Më pas diskutoni për këto pyetje:
Çfarë kanë të përbashkët këto dy festa ditëlindjesh?
Duke pasur parasysh këto tregime, si mendon se ndihet Jehovai për ditëlindjet?
Megjithatë, mund të pyesësh veten: «A ka vërtet rëndësi për Jehovain nëse marr pjesë në ndonjë ditëlindje a ndonjë festë tjetër, që bie ndesh me Shkrimet?» Lexoni Eksodin 32:1-8. Më pas shihni VIDEON dhe diskutoni për pyetjet që vijojnë.
Pse duhet të sigurohemi se çfarë është e pranueshme për Jehovain?
Si mund ta bëjmë këtë?
Si ta kuptojmë nëse një festë nuk i pëlqen Perëndisë?
A bazohet në mësime që bien ndesh me Shkrimet? Për të ditur këtë, bëj kërkime për origjinën e saj.
A u jep nderim të pavend njerëzve, organizatave ose simboleve kombëtare? Më shumë se gjithkujt e gjithçkaje, nderimin ia japim Jehovait, dhe i mbajmë sytë tek ai për zgjidhjen e problemeve.
A bien ndesh zakonet dhe praktikat e kësaj feste me standardet e Biblës? Duhet të qëndrojmë të pastër moralisht.
5. Ndihmoji të tjerët të respektojnë bindjet e tua
Mund të jetë e vështirë të thuash jo kur të tjerët të bëjnë presion të marrësh pjesë në festa që nuk i pëlqejnë Jehovait. Shpjegoju me takt e durim pse ke vendosur të veprosh kështu. Shihni VIDEON ku tregohet një shembull si bëhet kjo.
Lexoni Mateun 7:12 dhe më pas diskutoni për këto pyetje:
Sipas këtij vargu, a të takon ty t’u thuash familjarëve që s’kanë të njëjtin besim me ty se nuk duhet të festojnë ndonjë festë?
Çfarë mund të bësh për t’i siguruar familjarët që i do dhe i çmon, edhe pse nuk feston bashkë me ta?
6. Jehovai do që të jemi të lumtur
Jehovai do që të shijojmë momente të bukura me familjarët dhe miqtë. Lexoni Eklisiastiun 8:15 dhe më pas diskutoni për këtë pyetje:
Si e tregon ky varg se Jehovai dëshiron që të gëzojmë?
Jehovai do që adhuruesit e tij t’ia kalojnë bukur dhe të shijojnë momente të këndshme me njëri-tjetrin. Shihni VIDEON për të kuptuar sa e dukshme është kjo në kongreset ndërkombëtare.
Lexoni Galatasve 6:10 dhe më pas diskutoni për këto pyetje:
Që ‘t’u bëjmë mirë’ të tjerëve, a duhet medoemos të marrim pjesë në festat që bëhen gjerësisht?
Në cilin rast ndihesh më i kënaqur—kur bën dhurata nga dëshira apo ngaqë je i detyruar për shkak të një feste?
Shumë Dëshmitarë, me raste, organizojnë diçka të veçantë për fëmijët e tyre, e madje u bëjnë edhe dhurata surprizë. Nëse ke fëmijë, çfarë gjërash të veçanta mund të bësh për ta?
DISA THONË: «Ç’rëndësi ka origjina e festave? Ideja është të mblidhemi e t’ia kalojmë bukur me familjarët dhe miqtë.»
Çfarë do t’u thoshe?
PËRMBLEDHJE
Jehovai do që të kënaqemi me familjarët dhe miqtë, por nuk do që të përfshihemi në festa që nuk i pëlqejnë atij.
Si do të përgjigjeshe?
Cilat pyetje mund t’i bësh vetes për të kuptuar nëse një festë nuk i pëlqen Jehovait?
Si mund t’i ndihmojmë familjarët dhe miqtë të kuptojnë pse nuk marrim pjesë në disa festa?
Nga e dimë se Jehovai do që të jemi të lumtur e të kënaqemi?
EKSPLORO
Shqyrto disa festa që të krishterët nuk i festojnë.
«Pse Dëshmitarët e Jehovait nuk i festojnë disa festa?» (Artikull në jw.org)
Lexo katër arsye pse besojmë që Perëndisë nuk i pëlqejnë ditëlindjet.
«Pse Dëshmitarët e Jehovait nuk i festojnë ditëlindjet?» (Artikull në jw.org)
Shiko si mund ta kënaqin Jehovain gjatë festave, fëmijët që e duan Atë.
Miliona të krishterë kanë zgjedhur të mos i festojnë Krishtlindjet. Si ndihen për këtë?
«Ata gjetën diçka më të mirë» (Kulla e Rojës, 1 dhjetor 2012)