A po kryen vullnetin e Perëndisë?
NË SHËRBIMIN e tyre nga shtëpia në shtëpi, dy nga Dëshmitarët e Jehovait takuan një prift të Kishës Episkopale. Ai dukej një burrë i këndshëm, me mjekër, rreth të 60-tave, i veshur me një bluzë me mëngë të shkurtra të zbukuruar me emrin e kishës së tij. Me një frymë ai tha: «Unë do të dëshiroja që anëtarët e kishës sonë të ishin kaq të zellshëm sa ju në përhapjen e Fjalës, por do t’ju lutesha të mos vinit më në shtëpinë time.»
Po, ekzistojnë shumë njerëz të cilët e admirojnë veprën e Dëshmitarëve të Jehovait dhe i lavdërojnë ata për zellin dhe entuziazmin e tyre. Megjithatë, jo të gjithë interesohen për atë që Dëshmitarët po bëjnë dhe as që duan të shqyrtojnë vetë kryerjen e veprës. Megjithatë, kjo gjendje në dukje kontradiktore e çështjes, nuk është aspak e re. Ajo u përmend nga Jezui në ditët e tij dhe ai e sqaroi çështjen me anë të një ilustrimi që të bën të mendohesh.
«Ç’mendoni? Një njeri kishte dy bij dhe duke iu drejtuar të parit tha: ‛Bir, shko sot të punosh në vreshtin tim’; por ai u përgjigj dhe tha: ‛Nuk dua’; por më vonë, i penduar, shkoi. Pastaj iu kthye të dytit dhe i tha të njëjtën gjë. Dhe ai u përgjigj dhe tha: ‛Po, imzot, do ta bëj’, por nuk shkoi. Cili nga të dy e kreu vullnetin e të atit?».—Mateu 21:28-31.
Përgjigjja është e qartë. Ashtu si turma që dëgjoi Jezuin, do të përgjigjeshim: «I pari». Por, siç është e dukshme me anë të këtij ilustrimi, Jezui na tërhoqi vëmendjen se ishte e rëndësishme të bëhej ajo çfarë ati dëshironte. Edhe pse djali i parë tha se nuk do të shkonte, megjithatë shkoi dhe u lavdërua për këtë. Kryerja e veprave të drejta është po kaq e rëndësishme. Djali i parë shkoi të punonte në vreshtin e babait; ai nuk shkoi të punonte në vreshtin e tij.
Çfarë nënkuptimi ka e gjithë kjo për ne? Çfarë kërkon Perëndia prej adhuruesve sot? Çfarë mund të mësojmë nga jeta e Jezuit e cila na ndihmon të kryejmë vullnetin e Atit të tij? Këto janë pyetje të rëndësishme dhe gjetja e përgjigjeve të drejta do të thotë mirëqenie e përhershme, pasi «ai që kryen vullnetin e Perëndisë mbetet përgjithmonë».—1. Gjonit 2:17; Efesianëve 5:17.
Cili është «vullneti i Perëndisë»?
Fjala «vullnet» është shkruar më shumë se 80 herë në Përmbledhja e Përkthimit Bota e Re të Shkrimeve të Shenjta (Comprehensive Concordance of the New World Translation of the Holy Scriptures). Rreth 60 prej këtyre shembujve (apo 75 për qind të rasteve, ose 84 herë) i referohen vullnetit të Perëndisë. Shprehje të tilla si «vullneti i Perëndisë», «vullneti i Atit tim» dhe «vullnetin e Perëndisë» ndeshen mbi 20 herë. Nga kjo mund të shohim se vullneti i Perëndisë duhet të jetë i një rëndësie primare për ne. Kryerja e vullnetit të Perëndisë duhet të jetë çështja kryesore e jetës sonë.
Fjala «vullnet» do të thotë ‘kërkesë, dëshirë, përcaktim, diçka e dëshirueshme, veçanërisht një zgjedhje apo përcaktim i dikujt që ka autoritet apo fuqi’. Kështu pra, Jehovai, Autoriteti Suprem, ka një vullnet, dëshirë, apo përcaktim. Cili është ai? Shkrimet na tregojnë se pjesërisht «vullneti i Perëndisë është që të gjithë llojet e njerëzve të shpëtojnë dhe të vijnë nën njohurinë e saktë të së vërtetës». (1. Timoteu 2:4) Jezu Krishti dhe të krishterët e hershëm punuan me gjithë shpirt për t’u sjellë të tjerëve këtë njohuri të saktë.—Mateu 9:35; Veprat 5:42; Filipianëve 2:19, 22.
Kush po e kryen vullnetin e Perëndisë sot? Midis gati dy miliard prej njerëzve që pohojnë se ndjekin Jezu Krishtin, sa janë si djali i parë në ilustrimin e Jezuit, i cili kreu vullnetin e atit të tij? Përgjigjja nuk është e vështirë për t’u gjetur. Ndjekësit e vërtetë të gjurmëve të Jezu Krishtit duhet të kryejnë veprën që ai u ka thënë: «Së pari duhet të shpallet lajmi i mirë në të gjitha kombet.» (Marku 13:10) Dëshmitarët e Jehovait që arrijnë një numër mbi katër milion e gjysmë në të gjithë botën, në mënyrë aktive po predikojnë lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë dhe u mësojnë të tjerëve, duke u treguar se Mbretëria është shpresa e vetme e njerëzimit për paqe dhe siguri. A po merr pjesë plotësisht në kryerjen e vullnetit të Perëndisë? A po predikon lajmin e mirë të Mbretërisë sikurse bëri Jezui?—Veprat 10:42; Hebrenjve 10:7.
Të gjejmë gëzim në kryerjen e vullnetit të Perëndisë
Nëse gjejmë gëzim duke mësuar se ç’është vullneti i Atit, një gëzim edhe më i madh është kur u mësojmë të tjerëve vullnetin e Perëndisë. Jezui gjeti gëzim duke i mësuar të tjerët për Atin e tij. Ky ishte si një ushqim për të. (Gjoni 4:34) Ne gjithashtu do të gëzojmë lumturi të vërtetë nëse bëjmë siç bëri Jezui dhe pikërisht, të predikojmë dhe të mësojmë gjërat që ai mësoi, gjërat që mori nga Ati i tij. (Mateu 28:19, 20) Sikurse Jezui premtoi: «Po t’i dini këto gjëra, të lumtur jeni ju nëse do t’i bëni.»—Gjoni 13:17.
Një shembull: Një nënë, e cila jo shumë kohë më parë rifilloi shërbimin e plotë kohor si pioniere tha: «Është kaq emocionuese të shohësh se si shkëlqen fytyra e atij që studion Biblën, ndërsa të vërtetat e ndryshme të Biblës i prekin zemrën! Është kaq gëzim për mua të shoh një student kërkues që nxjerr në një fletë të gjithë shkrimet përpara studimit dhe që mban shënime gjatë studimit, kështu që të mund t’u përgjigjet pyetjeve për përsëritje më vonë.» Një tjetër nga studentet e saj kishte pasur disa kontakte me të vërtetën gjatë dhjetë vjetëve të saj të shkuar. Tani e martuar dhe e shqetësuar nga disa probleme personale, ishte duke u djegur nga dëshira për të gjetur Dëshmitarët. Sa e lumtur ishte kur motra pioniere e gjeti atë! Gruaja e re ishte e lumtur që rifilloi studimin e saj të Biblës.
Të ruajmë gëzimin në kryerjen e vullnetit të Perëndisë
Davidi, mbreti i Izraelit të lashtë, ishte një nga ata që u përpoq të kryente vullnetin e Perëndisë gjithë jetën e tij. Përkundër shumë vuajtjeve dhe presioneve të sjella kundër tij, ai ishte i frymëzuar të thoshte: «Perëndia im, unë gëzohem kur zbatoj vullnetin tënd dhe ligji yt është në zemrën time.» (Psalmi 40:8) Kryerja e vullnetit të Jehovait ishte në vetë shpirtin e Davidit, në vetë qenien e tij. Ky ishte sekreti i gëzimit të tij të pashuar në shërbimin ndaj Jehovait. Kryerja e vullnetit të Perëndisë nuk ishte e vështirë për Davidin. Në vend të kësaj, ai ishte një gëzim, diçka që vinte nga zemra e tij. Gjatë gjithë jetës së tij, ai luftoi të bënte më të mirën për t’i shërbyer Perëndisë së tij, Jehova, edhe pse ndonjëherë bënte mëkate dhe dështonte.
Në ndonjë rast, gëzimi ynë mund të venitet. Mund të lodhemi apo të mërzitemi. Ndoshta na kujtohet e kaluara, ndërgjegjja na shqetësohet mbi disa vepra të këqija të kryera më përpara. Shpesh, mund t’i mposhtim këto ndjenja me një studim edhe më të plotë të fjalës së Perëndisë. Duhet të synojmë të skalitim ligjin e Perëndisë në «pjesët tona të brendëshme», sikurse bëri Davidi. Nëse përpiqemi të kryejmë vullnetin e Perëndisë me gjithë shpirt, me atë që është më e mira e aftësive tona, ai do të na shpërblejë për këtë sepse është besnik.—Efesianëve 6:6; Hebrenjve 6:10-12; 1. Pjetrit 4:19.
Në mënyrë interesante, tek Hebrenjve 10:5-7, apostulli Pavël citoi fjalët e Davidit në Psalmin 40:6-8, të zbatuara edhe në Jezu Krishtin. Duke vepruar kështu, Pavli nxori në dukje se sa afër Atit të tij ishte Jezui. Fjala hebreje në lidhje me «vullnetin» ka kuptimet ‘gëzim, dëshirë, dashamirësi, apo kënaqësi’. Prandaj, në lidhje me Krishtin, Psalmi 40:8 mund të lexohet: «Perëndia im, unë gëzohem kur zbatoj vullnetin tënd.»a Jezui donte të bënte atë që kënaqte Atin e tij. Jezui bëri përtej asaj që iu kërkua. Ai bëri çfarë ishte brenda zemrës së Atit të tij dhe u gëzua duke e bërë këtë.
Gjatë gjithë jetës së tij, Jezui u mësoi të tjerëve se çfarë është vullneti i Perëndisë dhe se çfarë duhet të bëjnë për të fituar bekimin e Perëndisë. Ai ishte një mësues e predikues në shërbim të plotë kohor dhe gjeti gëzim të madh në kryerjen e asaj vepre. Si rrjedhim, sa më shumë që e kryejmë veprën e Jehovait aq më shumë gëzim do të marrim. A mund të shërbesh edhe më tepër në kohë të plotë në veprën e predikimit, kështu që gëzimi yt të mund të shtohet?
Një ndihmë e mëtejshme në ruajtjen e gëzimit në kryerjen e vullnetit të Perëndisë është që të mbahet e ardhmja në qendër të vëmendjes. Kjo ishte ajo që bëri Jezui. «Nga gëzimi që iu vu përpara, ai duroi shtyllën e mundimeve, duke përbuzur turpin.» Gëzimi për të ishte të tregohej besnik ndaj Perëndisë deri në fund dhe pastaj të fitonte shpërblimin e mbretërimit në krahun e djathtë të Atit të tij.—Hebrenjve 12:2, BR.
Imagjino të ardhmen e lumtur që do të vijë për ata që vazhdojnë të kryejnë vullnetin e Perëndisë. Ata do të shohin shkatërrimin e atyre që insistojnë në kryerjen e vullnetit të tyre egoist edhe nëse kjo u shkakton vuajtje atyre që përpiqen të kryejnë vullnetin e Perëndisë. (2. Selanikasve 1:7, 8) Mendo gëzimin e njerëzve të dashur të ringjallur që fitojnë mundësinë për të mësuar dhe kryer vullnetin e Perëndisë. Apo mendo qëllimin e Perëndisë për ta kthyer tokën në një parajsë. Dhe së fundi, imagjino lirinë që do të rezultojë nga shkatërrimi i plotë i Satanait, kundërshtarit të vullnetit të Jehovait.
Po, kryerja e vullnetit të Perëndisë sot, mund të na sjellë shumë gëzim tani dhe lumturi të pafundme në të ardhmen. Pavarësisht nga përgjegjësia që marrim në veprën e predikimit, le të imitojmë shembullin e Jezuit në gjetjen e kënaqësisë në kryerjen e vullnetit të Atit të tij.
[Shënimi]
a Shiko shënimin në Psalmin 40:8.