A janë këto vërtet ditët e fundit?
TI NDODHESH në kiçin e një lundre, ndërkohë që ajo hyn në një ngushticë lumi të vështirë për t’u kaluar. Përmes ujëvarave shkumbëzuese dhe me stërkla, shfaqen shkëmbinj të mëdhenj. Ti përpiqesh të zmbrapsesh. Personi prapa teje mendohet se ndihmon për të manovruar lundrën, por ai ka pak përvojë. Më keq akoma, ti nuk ke hartë, prandaj as që e ke idenë nëse këto pragje lumore do të përfundojnë në një pellg të qetë apo në një ujëvarë.
Nuk është një skenar i këndshëm, apo jo? Prandaj, le ta ndryshojmë. Përfytyro sikur ke me vete një udhërrëfyes me përvojë, që i njeh këtij lumi çdo shkëmb e çdo kthesë. Ai e dinte shumë më përpara se po i afroheshin këtyre ujërave shkumbëzuese, e di se ku të çojnë ato dhe si të çajë përmes tyre. A nuk do të ndiheshe shumë më tepër i sigurt?
Në të vërtetë, të gjithë ne jemi në një ngushticë të ngjashme të vështirë. Ne gjendemi, edhe pse jo për fajin tonë, në një periudhë të vështirë të historisë njerëzore. Pjesa më e madhe e njerëzve nuk e kanë fare idenë se për sa kohë do të jenë kështu gjërat, nëse kushtet do të përmirësohen, apo se cila është mënyra më e mirë që ndërkohë të mbijetojnë. Por ne nuk kemi pse të ndihemi të humbur apo të pandihmë. Krijuesi ynë na ka siguruar një udhërrëfyes, që e ka parathënë këtë periudhë të zymtë të historisë, që parathotë se si do të përfundojë ajo dhe që na ofron udhëheqjen për të cilën kemi nevojë, në mënyrë që të mbijetojmë. Ky udhërrëfyes është një libër, Bibla. Autori i saj, Perëndia Jehova, e quan veten Mësuesi i Madh dhe me anë të Isaisë, ai thotë në një mënyrë që të jep siguri: «Kur do të shkoni djathtas ose kur do të shkoni majtas, veshët e tu do të dëgjojnë prapa teje një fjalë që do të thotë: ‘Kjo është rruga, ecni në të!’» (Isaia 30:20, 21) A do ta mirëprisje një udhëheqje të tillë? Atëherë, le të shqyrtojmë nëse Bibla ka parathënë me të vërtetë se si do të ishin ditët tona.
Ithtarët e Jezuit bëjnë një pyetje domethënëse
Ithtarët e Jezuit duhet të jenë çuditur. Jezui sapo u kishte thënë, dhe jo në mënyrë të paqartë, se ndërtesat e tempullit mbresëlënës të Jerusalemit, do të shkatërroheshin plotësisht! Një diçka e tillë e parathënë, ishte e habitshme. Pak kohë pas kësaj, ndërsa ishin ulur në Malin e Ullinjve, katër prej dishepujve e pyetën Jezuin: «Na thuaj, kur do të ndodhin këto gjëra dhe cila do të jetë shenja e pranisë sate dhe e përfundimit të sistemit të gjërave?» (Mateu 24:3, BR; Marku 13:1-4) E kuptuan apo jo ata, përgjigjja e Jezuit do të kishte një zbatim të shumëfishtë.
Shkatërrimi i tempullit të Jerusalemit dhe fundi i sistemit judaik të gjërave, nuk ishin njësoj me kohën e pranisë së Krishtit dhe të përfundimit të sistemit mbarëbotëror të gjërave. Megjithëkëtë, në përgjigjen e tij të gjatë, Jezui i trajtoi me mjeshtëri të gjitha këto aspekte të pyetjes. Ai u tregoi atyre se si do të ishin gjërat para shkatërrimit të Jerusalemit; u tha, gjithashtu, se si duhej të prisnin të ishte bota gjatë pranisë së tij, kur ai do të ishte duke sunduar si Mbret në qiell dhe kur të ishte në prag të sjelljes së fundit të sistemit mbarëbotëror të gjërave.
Fundi i Jerusalemit
Të shqyrtojmë së pari se çfarë tha Jezui për Jerusalemin dhe tempullin e tij. Më shumë se tri dekada më parë, ai paratha një kohë vështirësish të tmerrshme për njërin prej qyteteve më të mëdha në botë. Vëre në veçanti fjalët e tij, që ndodhen në Lukën 21:20, 21: «Kur do të shikoni Jerusalemin të rrethuar nga ushtritë, ta dini se shkretimi i tij është afër. Atëherë, ata që janë në Jude, të ikin në male; dhe ata që janë në qytet të largohen; dhe ata që janë në fushë të mos hyjnë në të.» Nëse Jerusalemi duhej të rrethohej, të qarkohej nga ushtritë e fushuara, si do të mundnin ‘ata që ishin në qytet’ thjesht të ‘largoheshin’, siç kishte urdhëruar Jezui? Qartë, Jezui po linte të kuptohej se do të hapej një dritare mundësie. A u hap ajo?
Në vitin 66 të e.s., ushtritë romake, nën komandën e Cestius Galit, i kishin bërë forcat rebele judeje që të tërhiqeshin në Jerusalem dhe i kishin mbërthyer brenda qytetit. Romakët bënë madje një të çarë brenda vetë qytetit dhe arritën deri tek muri i tempullit. Por Gali i urdhëroi ushtritë e tij të bënin diçka me të vërtetë enigmatike. U dha urdhër që të tërhiqeshin! Të ngazëllyer, ushtarët judenj u vunë në ndjekje dhe u shkaktuan dëme armiqve të tyre romakë, që po ua mbathnin këmbëve. Pra, dritarja e mundësisë e parathënë nga Jezui, ishte hapur. Të krishterët e vërtetë, ia vunë veshin paralajmërimit të tij dhe u larguan nga Jerusalemi. Kjo ishte diçka e mençur, pasi pikërisht katër vjet më vonë, ushtritë romake nën udhëheqjen e gjeneral Titit, u kthyen. Këtë radhë ikja ishte e pamundur.
Ushtritë romake e rrethuan përsëri Jerusalemin; ata ndërtuan rreth tij një fortifikatë me hunj të mprehtë. Në lidhje me Jerusalemin, Jezui kishte profetizuar: «Do të vijë dita, kur armiqtë e tu do të ndërtojnë rreth teje një fortifikatë me hunj të mprehtë, do të të rrethojnë dhe do të vajtohesh nga çdo anë.»a (Luka 19:43, BR) Pa kaluar shumë kohë, Jerusalemi ra; tempulli i tij i lavdishëm u reduktua në rrënoja që digjeshin nën hi. Fjalët e Jezuit ishin përmbushur në çdo hollësi!
Megjithatë, Jezui kishte ndër mend shumë më tepër se ky shkatërrim i Jerusalemit. Dishepujt e kishin pyetur, gjithashtu, për shenjën e pranisë së tij. Atëherë ata nuk e dinin, por kjo i referohej një kohe kur ai do të ishte vendosur për të mbretëruar si Mbret në qiell. Çfarë paratha ai?
Luftë në ditët e fundit
Nëse ti lexon kapitujt 24 dhe 25 të Mateut, kapitullin 13 të Markut dhe atë 21 të Lukës, do të shohësh një dëshmi të pagabueshme se Jezui po fliste për vetë epokën tonë. Ai paratha një kohë luftërash, jo thjesht «lufta dhe ushtima luftash» që e kishin shëmtuar gjithmonë historinë njerëzore, por luftëra që përfshinin «popull kundër populli dhe mbretëri kundër mbretërie»; po, luftëra të mëdha ndërkombëtare.—Mateu 24:6-8.
Mendo për një çast se si ka ndryshuar mënyra e të luftuarit në shekullin tonë. Atëherë, kur lufta do të thoshte thjesht ndeshje ushtrish që përfaqësonin dy kombe kundërshtare, të cilat priteshin me shpata apo madje qëllonin me pushkë kundër njëri-tjetrit në një fushë beteje, ishte mjaft e tmerrshme. Por në vitin 1914, shpërtheu Lufta e Madhe. Njëri komb pasoi tjetrin brenda zjarrit shkatërrimtar të një efekti domino: lufta e parë globale. Për të vrarë gjithnjë e më shumë njerëz dhe nga distanca më të mëdha, ishin projektuar armë automatike. Mitralozët nxorrën plumba me një efektshmëri të pamëshirshme; gazi mustardë dogji, torturoi, gjymtoi dhe vrau me mijëra ushtarë; tanket uturuan pa mëshirë mes radhëve të armiqve, me tytat e tyre që flakëronin. Në lojë hynë edhe aeroplani dhe nëndetësja, lajmëtarë të thjeshtë të asaj që do të bëheshin.
Lufta e Dytë Botërore bëri të paimagjinueshmen: ajo në të vërtetë e zvogëloi pararendësen e saj, duke vrarë miliona njerëz. Aeroplanëmbajtëse të mëdha, qytete të vërteta lëvizëse, lundruan mbi dete dhe lëshuan aeroplanë luftarakë, që mbi objektivat armiq, nga qiejtë të derdhej vdekja. Nëndetëset siluruan dhe fundosën anijet e armiqve. U lëshuan bomba atomike, që në çdo goditje shkatërrimtare morën mijëra jetë! Ashtu siç profetizoi Jezui, ka pasur me të vërtetë «dukuri të llahtarshme» për ta shënuar këtë epokë.—Luka 21:11.
A është qetësuar lufta, që prej Luftës së Dytë Botërore? Vështirë se po. Disa herë, duzina luftërash, në kuptimin real të fjalës, bëjnë kërdinë gjatë një viti të vetëm, madje edhe në këtë dekadë të viteve 1990, duke marrë jetën e milionave; dhe ka pasur një ndryshim në viktimat e para të luftës. Të vdekurit nuk janë më kryesisht ushtarë. Sot, pjesa më e madhe e viktimave të luftës, në fakt mbi 90 për qind e tyre, janë civilë.
Tipare të tjera të shenjës
Lufta është vetëm një aspekt i shenjës që përmendi Jezui. Ai paralajmëroi, gjithashtu, se do të ketë «zi buke». (Mateu 24:7) Kështu ka qenë, megjithëse në mënyrë paradoksale toka është duke prodhuar më shumë ushqim sesa është e nevojshme për të ushqyer të gjithë njerëzimin, megjithëse shkenca e agrokulturës është më e përparuar se kurrë në historinë njerëzore, megjithëse transporti i shpejtë dhe i efektshëm është në dispozicion për të transportuar ushqim kudo në botë. Pavarësisht nga e gjithë kjo, pothuajse një e pesta e popullsisë së kësaj bote, është çdo ditë e uritur.
Jezui paratha, gjithashtu, se «në vende të ndryshme» do të kishte «murtaja». (Luka 21:11) Përsëri, epoka jonë ka parë një paradoks të çuditshëm: kujdes mjekësor më i mirë se kurrë, përparime teknologjike, vaksina për të parandaluar shumë prej sëmundjeve të zakonshme; megjithatë, po kështu kanë bërë një përparim pa precedent edhe sëmundjet epidemike. Gripi spanjoll pasoi menjëherë Luftën e Parë Botërore dhe mori më shumë jetë sesa lufta. Kaq ngjitëse ishte kjo sëmundje, saqë në qytete të tilla si Nju Jorku, njerëzit mund të gjobiteshin ose të burgoseshin thjesht pse teshtinin! Sot, kanceri dhe sëmundjet e zemrës marrin me miliona jetë çdo vit: murtaja të vërteta. SIDA, në themel e pakontrollueshme nga shkenca mjekësore, vazhdon të shkatërrojë jetë.
Ndërsa Jezui i trajtoi gjerësisht ditët e fundit në aspektin e kushteve të gjithanshme historike dhe politike, apostulli Pavël e vuri më shumë theksin në problemet shoqërore dhe qëndrimet mbizotëruese. Pjesërisht, ai shkroi: «Dije këtë: në ditët e fundit do të vijnë kohë të vështira, sepse njerëzit do të jenë egoistë, . . . të paudhë, të padhembshur, të papajtueshëm, . . . të papërmbajtur, mizorë, që s’e duan të mirën, tradhtarë, kokëshkretë, fodullë, dëfrimdashës më fort se perëndidashës.»—2. Timoteut 3:1-5.
A nuk të tingëllojnë si familjare këto fjalë? Shqyrto vetëm një aspekt të kalbjes shoqërore në botën e sotme: shpërbërjen e familjes. Vërshimi i familjeve të prishura, i bashkëshortëve të rrahur, i fëmijëve të abuzuar dhe i prindërve të moshuar të keqtrajtuar: sa qartë e tregojnë se njerëzit janë «të padhembshur», «mizorë» dhe madje «tradhtarë», «që s’e duan të mirën»! Po, sot ne i shohim këto karakteristika, në një shkallë epidemike.
A është brezi ynë, ai i parathënë?
Megjithatë, ti mund të pyesësh veten: ‘A nuk kanë rënduar gjithmonë mbi njerëzimin këto kushte? Si e dimë se brezi ynë modern është ai i parathënë në këto profeci të lashta?’ Le të shqyrtojmë tri linja dëshmie, që provojnë se Jezui po fliste për kohën tonë.
Së pari, ndërsa shkatërrimi i Jerusalemit dhe i tempullit të tij ishte një përmbushje e pjesshme dhe e hershme, fjalët e Jezuit pa dyshim që nxorrën në pah të ardhmen, përtej asaj dite. Pothuajse 30 vjet pas kataklizmës që shkatërroi Jerusalemin, Jezui i dha apostullit të moshuar Gjon, një vizion që tregonte se kushtet e profetizuara— lufta, uria, murtaja dhe, si pasojë e tyre, vdekja,— duhej që në të ardhmen të përfshinin mbarë botën. Po, këto vuajtje do të përfshinin jo ndonjë vend aty-këtu, por «tokën» si një e tërë.—Zbulesa 6:2-8.
Së dyti, në këtë shekull, disa tipare të shenjës së Jezuit po përmbushen në atë shkallë, që ne mund ta quajmë të fundit. Për shembull, a ka ndonjë mundësi që luftërat të bëhen shumë më të këqija sesa kanë qenë qysh prej 1914-s? Nëse do të kishte një Luftë të Tretë Botërore, me gjithë këto fuqi bërthamore që përdorin armët e tyre, ka të ngjarë që periudha pasuese do ta gjente këtë tokë një djerrinë të djegur dhe njerëzimin krejtësisht të shuar. Ngjashëm, Zbulesa 11:18 paratha se në këto ditë, kur kombet janë «të zemëruara», njerëzimi do të ‘shkatërronte dheun’. Për herë të parë në histori, ndotja dhe degradimi i mjedisit kërcënojnë tani pikërisht banueshmërinë e këtij planeti! Kështu, edhe ky tipar është duke parë përmbushjen ose është pranë shkallës së tij të fundit. A do të ishte e mundur që luftërat dhe ndotja të vazhdojnë me të vërtetë të keqësohen, derisa njeriu të shkatërronte veten dhe këtë planet? Jo, sepse vetë Bibla dekreton se toka do të qëndrojë përgjithmonë, bashkë me njerëzit me zemër të drejtë që do të jetojnë në të.—Psalmi 37:29; Mateu 5:5.
Së treti, shenja e ditëve të fundit është veçanërisht bindëse, kur merret si një e tërë. Nga sa u tha, kur ne marrim parasysh tiparet që përmendi Jezui në tre ungjijtë, ato në shkrimet e Pavlit dhe ato të Zbulesës, kjo shenjë ka shumë tipare. Një person mund të dredhojë në lidhje me to, kur merren më vete, duke argumentuar se probleme të ngjashme kanë parë edhe epoka të tjera, por kur i shqyrtojmë të gjitha së bashku, ato e drejtojnë gishtin në mënyrë të pagabuar tek një epokë e vetme: e jona.
Por, ç’do të thotë e gjithë kjo? Se Bibla e pëshkruan epokën tonë thjesht si një kohë të dëshpëruar e të pashpresë? Aspak!
Lajmi i mirë
Një nga tiparet e shenjës së ditëve të fundit, që meriton më shumë vëmendje, ndodhet në Mateun 24:14. «Ky lajm i mirë i mbretërisë do të predikohet në të gjithë tokën e banuar si një dëshmi për të gjitha kombet dhe atëherë do të vijë mbarimi.» (BR) Në këtë shekull, Dëshmitarët e Jehovait kanë kryer një vepër unike në historinë njerëzore. Ata e kanë marrë mesazhin e Biblës mbi Mbretërinë e Perëndisë,— çfarë është ajo, si sundon dhe çfarë do të bëjë— dhe e kanë shpërndarë atë mesazh në mbarë tokën. Në lidhje me këtë temë, ata kanë botuar literaturë në më shumë se 300 gjuhë dhe ua kanë çuar atë njerëzve në shtëpi, në rrugë apo në vendet e tyre të tregtimit, pothuajse në çdo vend të tokës.
Duke vepruar kështu, ata kanë qenë duke e përmbushur këtë profeci. Por ata kanë qenë duke shpërndarë edhe shpresën. Vëre se Jezui e quajti këtë «lajm të mirë», jo lajm të keq. Si është e mundur kjo në këto kohë të zymta? Sepse mesazhi kryesor i Biblës nuk është i lidhur me atë se sa keq do të jenë gjërat në fund të kësaj bote të vjetër. Mesazhi i saj kryesor përfshin Mbretërinë e Perëndisë dhe kjo Mbretëri premton diçka të shtrenjtë për zemrat e çdo njeriu paqedashës: çlirimin.
Por, çfarë është ky çlirim dhe si mund të jetë ai i yti? Në lidhje me këtë çështje, të lutemi të shqyrtosh artikujt vijues.
[Shënimi]
a Titi luajti këtu me një kartë të fortë. Megjithatë, në dy aspekte të rëndësishme, nuk veproi sipas mënyrës së tij. Ai bëri oferta për një dorëzim paqësor, por udhëheqësit e qytetit, në një mënyrë kokëfortë e të pashpjegueshme, refuzuan. Kur më së fundi muret e qytetit u çanë, ai dha urdhër që ta kursenin tempullin. Megjithatë, ai u dogj plotësisht! Profecia e Jezuit e kishte bërë të qartë se Jerusalemi do të shkretohej dhe se tempulli do të rrënohej plotësisht.—Marku 13:1, 2.
[Diçitura në faqen 5]
Njerëzit po kërkojnë përgjigjet e pyetjeve të tilla shqetësuese, si: Përse gjërat janë kaq keq? Për ku është drejtuar njerëzimi?
[Diçitura në faqen 6]
Sot, mbi 90 për qind e viktimave të luftës, janë civilë
[Figura në faqen 7]
Profecia e Jezuit mbi shkatërrimin e Jerusalemit, u përmbush në çdo hollësi