«Na thuaj, kur do të ndodhin këto gjëra?»
«Cila do të jetë shenja e pranisë sate dhe e përfundimit të sistemit?»—MAT. 24:3.
1. Ashtu si apostujt, çfarë jemi të etur të zbulojmë?
SHËRBIMIT të Jezuit në tokë po i vinte fundi dhe dishepujt ishin të etur të dinin çfarë i priste në të ardhmen. Kështu, vetëm pak ditë para se të vdiste, katër nga apostujt e pyetën: «Kur do të ndodhin këto gjëra dhe cila do të jetë shenja e pranisë sate dhe e përfundimit të sistemit?» (Mat. 24:3; Mar. 13:3) Jezui iu përgjigj me anë të një profecie me shtrirje të gjerë, shkruar te kapitujt 24 dhe 25 të Mateut. Në këtë profeci Jezui paratha shumë ngjarje domethënëse. Fjalët e tij kanë një kuptim të thellë për ne, sepse edhe ne jemi tejet të interesuar për atë çka na pret në të ardhmen.
2. (a) Çfarë jemi përpjekur të kuptojmë më qartë përgjatë viteve? (b) Cilat janë tri pyetjet që do të shqyrtojmë?
2 Përgjatë viteve shërbëtorët e Jehovait e kanë studiuar profecinë e Jezuit për ditët e fundit, duke kërkuar ndihmën e Jehovait me anë të lutjes. Janë përpjekur të kuptojnë më qartë kohën kur do të përmbusheshin fjalët e Jezuit. Për ta ilustruar si është qartësuar kuptueshmëria, le të shqyrtojmë tri pyetje që fillojnë me «kur». Kur fillon ‘shtrëngimi i madh’? Kur i gjykon Jezui «delet» dhe «cjeptë»? Kur ‘mbërrin’ ose vjen Jezui?—Mat. 24:21; 25:31-33.
KUR FILLON SHTRËNGIMI I MADH?
3. Çfarë mendonim për kohën e shtrëngimit të madh në të kaluarën?
3 Për disa vjet mendonim se shtrëngimi i madh filloi më 1914, me Luftën I Botërore, dhe se ‘ato ditë u shkurtuan’ nga Jehovai në vitin 1918, kur mbaroi lufta, që mbetja e të mirosurve të kishte mundësi t’ua predikonte lajmin e mirë të gjitha kombeve. (Mat. 24:21, 22) Me të përfunduar vepra e predikimit, perandoria e Satanait do të shkatërrohej. Kështu, mendonim se shtrëngimi i madh do të kishte tri faza: një fillim (1914-1918), një ndërprerje (nga 1918-a e tutje) dhe një përfundim në Harmagedon.
4. Çfarë i hapi rrugë një kuptueshmërie më të qartë të profecisë së Jezuit për ditët e fundit?
4 Megjithatë, teksa e shqyrtonim më tej profecinë e Jezuit, kuptuam që një pjesë e profecisë për ditët e fundit kishte dy përmbushje. (Mat. 24:4-22) Përmbushja e parë ndodhi në shekullin e parë të e.s. në Jude, kurse e dyta do të ndodhë në ditët tona, në mbarë botën. Kjo kuptueshmëri u hapi rrugën disa sqarimeve.a
5. (a) Ç’periudhë e vështirë nisi më 1914? (b) Me cilën periudhë të shekullit të parë të e.s përkon kjo kohë dhembjeje?
5 Kuptuam edhe që shtrëngimi i madh nuk filloi më 1914. Pse jo? Sepse profecia biblike tregon se shtrëngimi i madh fillon me sulmin kundër fesë së rreme, jo me luftën mes kombeve. Prandaj, ngjarjet që nisën në vitin 1914 ishin «fillimi i dhembjeve të lindjes», jo fillimi i shtrëngimit të madh. (Mat. 24:8) Këto ‘dhembje të lindjes’ përkojnë me atë që ndodhi në Jerusalem dhe Jude nga viti 33 i e.s. deri në vitin 66 të e.s.
6. Çfarë do të sinjalizojë fillimin e shtrëngimit të madh?
6 Çfarë do të sinjalizojë fillimin e shtrëngimit të madh? Jezui paratha: «Kur të vini re gjënë e neveritshme që shkakton shkretim, si tha profeti Daniel, e cila qëndron në vend të shenjtë (lexuesi të përdorë aftësi dalluese), atëherë ata në Jude le të fillojnë të ikin në male.» (Mat. 24:15, 16) Në përmbushjen e parë ‘qëndrimi në vendin e shenjtë’ ndodhi në vitin 66 të e.s. kur ushtria romake (‘gjëja e neveritshme’) sulmoi Jerusalemin dhe tempullin e tij (një vend i shenjtë në sytë e judenjve). Në përmbushjen më të madhe ‘qëndrimi në vendin e shenjtë’ do të ndodhë kur Kombet e Bashkuara (‘gjëja e neveritshme’ e kohëve moderne) të sulmojnë krishterimin e rremë (i cili është i shenjtë në sytë e atyre që pohojnë se janë të krishterë) dhe pjesën tjetër të Babilonisë së Madhe. I njëjti sulm përshkruhet te Zbulesa 17:16-18. Kjo ngjarje do të jetë fillimi i shtrëngimit të madh.
7. (a) Si ‘u shpëtua mishi’ i të krishterëve në shekullin e parë? (b) Çfarë presim të ndodhë në të ardhmen?
7 Gjithashtu, Jezui paratha: «Ato ditë do të shkurtohen.» Përmbushja e parë ndodhi në vitin 66 të e.s. kur ushtria romake ‘shkurtoi’ sulmin e saj. Atëherë të krishterët e mirosur në Jerusalem dhe në Jude ikën dhe kjo hapi rrugën ‘të shpëtonin mishin ose jetën’ e tyre. (Lexo Mateun 24:22; Mal. 3:17) Çfarë mund të presim të ndodhë gjatë shtrëngimit të madh që do të vijë? Jehovai ‘do të shkurtojë’ sulmin e Kombeve të Bashkuara kundër fesë së rreme, që feja e vërtetë të mos shkatërrohet bashkë me të. Kështu, populli i Perëndisë do të shpëtojë.
8. (a) Cilat ngjarje do të ndodhin pasi të kalojë pjesa e parë e shtrëngimit të madh? (b) Me sa duket, në ç’moment do të marrë shpërblimin qiellor pjesëtari i fundit i 144.000-ve? (Shih shënimin.)
8 Çfarë do të ndodhë pasi të kalojë pjesa e parë e shtrëngimit të madh? Fjalët e Jezuit tregojnë se do të ketë një periudhë kohore që do të zgjatë deri në fillim të Harmagedonit. Cilat ngjarje do të ndodhin gjatë këtij intervali? Përgjigjen e gjejmë tek Ezekieli 38:14-16 dhe te Mateu 24:29-31. (Lexoje.)b Pas kësaj, do të jemi dëshmitarë të Harmagedonit, kulmit të shtrëngimit të madh, i cili përkon me shkatërrimin e Jerusalemit në vitin 70 të e.s. (Mal. 4:1) Me luftën e Harmagedonit, si kulmi i tij, ky shtrëngim i madh që do të vijë, do të jetë i pashoq—një ngjarje e tillë «sa nuk ka pasur që nga fillimi i botës». (Mat. 24:21) Kur ai të kalojë, do të fillojë Sundimi Mijëvjeçar i Krishtit.
9. Si ndikon te populli i Jehovait profecia e Jezuit për shtrëngimin e madh?
9 Profecia për shtrëngimin e madh na jep forcë. Pse? Sepse na siguron se, pavarësisht nga vështirësitë që mund të hasim, populli i Jehovait si grup do t’i mbijetojë shtrëngimit të madh. (Zbul. 7:9, 14) Mbi të gjitha gëzohemi se në Harmagedon Jehovai do të shfajësojë sovranitetin dhe do të shenjtërojë emrin e tij të shenjtë.—Psal. 83:18; Ezek. 38:23.
KUR I GJYKON JEZUI DELET DHE CJEPTË?
10. Si e kuptonim në të kaluarën kohën e gjykimit të deleve e të cjepve?
10 Tani le të shqyrtojmë kohën që lidhet me një pjesë tjetër të profecisë së Jezuit, me shëmbëlltyrën e gjykimit të deleve dhe të cjepve. (Mat. 25:31-46) Në të kaluarën mendonim se gjykimi i njerëzve si dele a si cjep do të ndodhte gjatë gjithë periudhës së ditëve të fundit, nga 1914-a e tutje. Kështu, arritëm në përfundimin se ata që e hidhnin poshtë mesazhin e Mbretërisë dhe vdisnin para se të fillonte shtrëngimi i madh, përfundonin si cjep, pa shpresën e ringjalljes.
11. Pse gjykimi i njerëzve si dele a si cjep nuk mund të kishte filluar më 1914?
11 Në mes të viteve 90, Kulla e Rojës rishqyrtoi Mateun 25:31, që thotë: «Kur Biri i njeriut të mbërrijë në lavdinë e tij, dhe bashkë me të edhe të gjithë engjëjt, atëherë ai do të ulet në fronin e tij të lavdishëm.» Atje shpjegohej se Jezui u bë Mbret i Mbretërisë së Perëndisë më 1914, por nuk ‘u ul në fronin e tij të lavdishëm’ si Gjykatës i ‘tërë kombeve’. (Mat. 25:32; krahaso Danielin 7:13.) Sidoqoftë, në shëmbëlltyrën e deleve dhe të cjepve, Jezui përshkruhet kryesisht si Gjykatës. (Lexo Mateun 25:31-34, 41, 46.) Ngaqë Jezui nuk po vepronte ende si Gjykatës i të gjitha kombeve më 1914, gjykimi i njerëzve si dele a si cjep nuk mund të kishte filluar në këtë vit.c Atëherë, kur do të fillojë gjykimi i Jezuit?
12. (a) Pas cilës ngjarje do të veprojë Jezui si Gjykatës i të gjitha kombeve? (b) Cilat ngjarje përshkruhen te Mateu 24:30, 31 dhe 25:31-33, 46?
12 Profecia e Jezuit për ditët e fundit tregon se ai do të veprojë si Gjykatës i të gjitha kombeve pasi të shkatërrohet feja e rreme. Siç u tha në paragrafin 8, disa nga ngjarjet që do të ndodhin në këtë kohë, i gjejmë te Mateu 24:30, 31. Kur të shqyrtoni këto vargje, do të vëreni se ngjarjet që paratha Jezui atje, janë të ngjashme me ato që përmend në shëmbëlltyrën e deleve dhe të cjepve. Për shembull: Biri i njeriut mbërrin me lavdi dhe me engjëjt; të gjitha fiset dhe kombet mblidhen; ata që gjykohen si dele ‘do të ngrenë kokën lart’, sepse i pret ‘jeta e përhershme’.d Ata që gjykohen si cjep «do të godasin gjoksin e do të vajtojnë», sepse i pret ‘vdekja e përhershme’.—Mat. 25:31-33, 46.
13. (a) Kur do t’i gjykojë Jezui njerëzit si dele a si cjep? (b) Si ndikon ky shpjegim te pikëpamja që kemi për shërbimin tonë?
13 Ç’mund të themi si përfundim? Jezui do t’i gjykojë njerëzit e të gjitha kombeve si dele a si cjep kur të vijë gjatë shtrëngimit të madh. Pastaj, në Harmagedon, kulmi i shtrëngimit të madh, njerëzit si cjep ‘do të vdesin’ përgjithmonë. Si ndikon ky shpjegim te pikëpamja që kemi për shërbimin tonë? Na ndihmon të kuptojmë sa e rëndësishme është vepra e predikimit. Njerëzit kanë ende kohë të ndryshojnë mendim dhe të fillojnë të ecin në rrugën e kufizuar «që të çon në jetë» deri në momentin kur të nisë shtrëngimi i madh. (Mat. 7:13, 14) Kuptohet, që tani individët mund të shfaqin tipare si dele a si cjep. Prapëseprapë, nuk duhet të harrojmë se gjykimi i fundit për të përcaktuar nëse janë dele a cjep do të bëhet gjatë shtrëngimit të madh. Prandaj, kemi çdo arsye të vazhdojmë t’u japim mundësi sa më shumë njerëzve që të dëgjojnë e të pranojnë mesazhin për Mbretërinë.
KUR MBËRRIN OSE VJEN JEZUI?
14, 15. Cilat janë katër referimet biblike që lidhen me mbërritjen e Jezuit në të ardhmen si Gjykatës?
14 Po ta shqyrtojmë më tej profecinë e Jezuit, a do të zbulojmë se duhet të përditësojmë edhe kuptueshmërinë për kohën që lidhet me ngjarjet e tjera domethënëse? Vetë profecia na jep përgjigjen. Le të shohim si.
15 Në pjesën e profecisë te Mateu 24:29–25:46 Jezui përqendrohet kryesisht në atë që do të ndodhë gjatë këtyre ditëve të fundit dhe gjatë shtrëngimit të madh që do të vijë. Atje, ai përmend tetë herë ardhjen ose ‘mbërritjen’ e tij.e Për shtrëngimin e madh thotë: «Do të shohin Birin e njeriut që do të vijë në retë e qiellit.» «Nuk e dini në ç’ditë vjen Zotëria juaj.» «Biri i njeriut vjen në një orë që ju s’e mendoni.» Dhe në shëmbëlltyrën e deleve dhe të cjepve, Jezui thotë se ‘Biri i njeriut mbërrin në lavdinë e tij’. (Mat. 24:30, 42, 44; 25:31) Secili nga këto katër referime lidhet me mbërritjen e Jezuit në të ardhmen si Gjykatës. Ku mund t’i gjejmë katër referimet e tjera në profecinë e Jezuit?
16. Në cilat shkrime të tjera përmendet ardhja e Jezuit?
16 Për skllavin e besueshëm e të matur Jezui thotë: «Lum ai skllav, nëse zotëria i tij, kur të vijë, e gjen duke bërë kështu!» Në shëmbëlltyrën e virgjëreshave, Jezui shprehet: «Ndërsa ato po shkonin të blinin, mbërriti dhëndri.» Në shëmbëlltyrën e talentave, Jezui tregon: «Pas një kohe të gjatë, zotëria i atyre skllevërve erdhi.» Në të njëjtën shëmbëlltyrë, zotëria thotë se, «kur të vija, do të merrja me kamatë atë që është imja». (Mat. 24:46; 25:10, 19, 27) Për ç’kohë bëjnë fjalë këto katër referime për ardhjen e Jezuit?
17. Çfarë kemi thënë për ardhjen që përmendet te Mateu 24:46?
17 Në të kaluarën, në botimet tona thuhej se këto katër referime të fundit kishin lidhje me mbërritjen ose ardhjen e Jezuit më 1918. Si shembull, të marrim fjalët e Jezuit për ‘skllavin e besueshëm dhe të matur’. (Lexo Mateun 24:45-47.) Mendonim se ‘ardhja’ e përmendur te vargu 46 lidhej me kohën kur Jezui erdhi që të hetonte gjendjen frymore të të mirosurve, më 1918, dhe se emërimi i skllavit mbi gjithë zotërimet e Zotërisë ndodhi në vitin 1919. (Mal. 3:1) Megjithatë, një shqyrtim i mëtejmë i profecisë së Jezuit tregon se duhet përditësuar kuptueshmëria për kohën e disa aspekteve të profecisë. Pse themi kështu?
18. Në ç’përfundim arrijmë kur e shqyrtojmë në tërësi profecinë e Jezuit për ardhjen e tij?
18 Në tri vargjet para Mateut 24:46, fjala «të vijë» i referohet gjithnjë kohës kur Jezui vjen për të shpallur dhe për të ekzekutuar gjykimin gjatë shtrëngimit të madh. (Mat. 24:30, 42, 44) Gjithashtu, siç e kemi shqyrtuar në paragrafin 12, ‘mbërritja’ e Jezuit e përmendur te Mateu 25:31 i referohet së njëjtës kohë gjykimi në të ardhmen. Kështu, është e arsyeshme të arrijmë në përfundimin se edhe ardhja e Jezuit për të emëruar skllavin e besueshëm mbi të gjitha zotërimet e veta, e përmendur te Mateu 24:46, 47, i referohet mbërritjes së tij në të ardhmen, gjatë shtrëngimit të madh. Kuptohet, shqyrtimi i profecisë së Jezuit në tërësi na e bën të qartë se secili nga tetë referimet për ardhjen e tij, lidhet me kohën e gjykimit në të ardhmen gjatë shtrëngimit të madh.
19. Ç’kuptueshmëri të përditësuar kemi shqyrtuar, dhe cilat pyetje do të marrin përgjigje në artikujt vijues?
19 Me pak fjalë, çfarë kemi mësuar? Në hyrje të artikullit ngritëm tri pyetje që fillonin me «kur». Në fillim pamë se shtrëngimi i madh nuk nisi më 1914, por do të fillojë kur Kombet e Bashkuara të sulmojnë Babiloninë e Madhe. Pastaj, diskutuam pse gjykimi i Jezuit për delet dhe cjeptë nuk filloi më 1914, por do të ndodhë gjatë shtrëngimit të madh. Së fundi, shqyrtuam se Jezui nuk erdhi të emërojë skllavin e besueshëm mbi të gjitha zotërimet e veta në vitin 1919, por kjo do të ndodhë gjatë shtrëngimit të madh. Pra, të tria pyetjet me «kur» lidhen me të njëjtën periudhë kohore në të ardhmen—shtrëngimi i madh. Si ndikon ky këndvështrim i përditësuar te mënyra se si duhet ta kuptojmë ilustrimin e skllavit të besueshëm? Po ashtu, si ndikon te mënyra si duhet ti kuptojmë shëmbëlltyrat, ose ilustrimet, e tjera të Jezuit që po përmbushen në këto ditë të fundit? Këto pyetje të rëndësishme do të shqyrtohen në artikujt vijues.
a Paragrafi 4: Për më shumë informacion, shih revistën Kulla e Rojës të 15 majit 1994, faqet 8-21 dhe Kulla e Rojës të 1 majit 1999, faqet 8-20.
b Paragrafi 8: Një nga ngjarjet e përmendura në këto vargje është ‘mbledhja e të zgjedhurve’. (Mat. 24:31) Prandaj, duket se të gjithë të mirosurit që do të jenë ende në tokë pasi të ketë kaluar faza e parë e shtrëngimit të madh, në një moment të caktuar do të ngrihen në qiell para shpërthimit të luftës së Harmagedonit. Kjo përditëson atë që është thënë për këtë temë në «Pyetje nga lexuesit», në Kullën e Rojës të 15 gushtit 1990, faqja 30, anglisht.
c Paragrafi 11: Shih br2, faqet 33-43.
d Paragrafi 12: Shih tregimin paralel te Luka 21:28.
e Paragrafi 15: Fjalët ‘vjen’ dhe ‘mbërrin’ janë përkthime të formave të së njëjtës folje greke, erʹkho·mai.