Kapitulli 17
Gjej siguri mes popullit të Perëndisë
1, 2. Në ç’mënyrë situata e njerëzimit është e ngjashme me atë të njerëzve në një zonë të shkatërruar nga stuhia?
PËRFYTYRO sikur një stuhi e fuqishme ka shkatërruar zonën ku ti banon. Shtëpia jote është rrënuar dhe gjithçka që zotëroje ka humbur. Ushqimi është i pakët. Situata duket e pashpresë. Në këtë kohë mbërrin një ndihmë e papritur. Ushqimi dhe veshja sigurohen me bollëk. Për ty ndërtohet një shtëpi e re. Sigurisht që do t’i ishe mirënjohës personit që të siguroi këto furnizime.
2 Diçka e ngjashme po ndodh sot. Ashtu si ajo stuhi, rebelimi i Adamit dhe Evës shkaktoi një dëm të madh për racën njerëzore. Njerëzimi humbi shtëpinë e tij parajsore. Që atëherë, qeveritë njerëzore nuk kanë mundur t’i mbrojnë njerëzit nga lufta, krimi dhe padrejtësia. Feja i ka lënë turmat e njerëzve të uritura për ushqimin e shëndetshëm frymor. Megjithatë, duke folur në mënyrë frymore, Perëndia Jehova tani po siguron ushqim, veshje dhe strehë. Si po e bën këtë?
«SKLLAVI BESNIK DHE I MATUR»
3. Në ç’mënyrë siguron Jehovai furnizime për njerëzimin dhe nga cilët shembuj tregohet kjo?
3 Furnizimet ndihmëse në përgjithësi janë shpërndarë përmes një kanali të organizuar dhe në po këtë mënyrë, Jehovai furnizon në kuptim frymor popullin e tij. Për shembull, izraelitët ishin «kongregacioni i Jehovait» për rreth 1.500 vjet. Midis tyre kishte nga ata që shërbenin si kanal për të mësuar Ligjin e Perëndisë. (1. Kronikave 28:8, BR; 2. Kronikave 17:7-9) Në shekullin e parë të e.s. Jehovai formoi organizimin e krishterë. U formuan kongregacione që funksiononin nën drejtimin e trupit udhëheqës, të përbërë nga apostujt dhe burrat e vjetër. (Veprat 15:22-31) Sot, Jehovai e drejton popullin e tij në të njëjtën mënyrë, përmes një trupi të organizuar. Si e dimë këtë?
4. Kush provoi se është «skllavi besnik dhe i matur» në kohët moderne dhe si janë vënë në dispozicion furnizimet frymore të Perëndisë?
4 Jezui tha se gjatë pranisë së tij në fuqinë mbretërore, «skllavi besnik dhe i matur» do të gjendej duke siguruar «ushqimin në kohën e duhur» për ithtarët e tij. (Mateu 24:45-47, BR) Kur Jezui u vendos si Mbret qiellor në 1914-ën, kush provoi se ishte ky «skllav»? Sigurisht, jo kleri i të ashtuquajturit krishterim. Në pjesën më të madhe, ata po ushqenin kopetë e tyre me propagandën që mbështeste qeveritë kombëtare gjatë Luftës së Parë Botërore. Por ushqimi i duhur frymor për atë kohë, shpërndahej nga grupi i të krishterëve të vërtetë, të mirosur nga fryma e shenjtë e Perëndisë duke u bërë pjesë e asaj që Jezui e quajti «kope e vogël». (Luka 12:32, BR) Këta të krishterë të mirosur predikonin Mbretërinë e Perëndisë dhe jo qeveritë njerëzore. Si rezultat, gjatë viteve, miliona të drejtë të përfshirë në ‘delet e tjera’ janë bashkuar me «skllavin» e mirosur në praktikimin e fesë së vërtetë. (Gjoni 10:16) Nën drejtimin e ‘skllavit besnik’ dhe të Trupit Udhëheqës të ditëve të sotme, Perëndia po përdor popullin e tij të organizuar, për të ofruar ushqim frymor, veshje dhe strehë për të gjithë ata që duan t’i kenë këto furnizime.
«USHQIM NË KOHËN E DUHUR»
5. Çfarë gjendje frymore ekziston sot në botë, por çfarë po bën Jehovai në lidhje me këtë?
5 Jezui tha: «Njeriu nuk rron vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Perëndisë.» (Mateu 4:4) Por është e trishtueshme të themi se pjesa më e madhe e popullsisë nuk po i kushton vëmendje paralajmërimeve të Perëndisë. Siç paratha profeti i Jehovait, Amosi, nuk ka «uri buke e etje uji, por të dëgjimit të fjalës së Zotit». (Amosi 8:11, DSF) Edhe shumë njerëz fetarë janë të uritur frymësisht. Megjithatë, vullneti i Jehovait është «që gjithë njerëzit të shpëtohen dhe t’ia arrijnë njohjes të së vërtetës». (1. Timoteut 2:3, 4) Në përputhje me këtë, ai po siguron ushqim frymor me bollëk. Ku mund ta marrim atë?
6. Si e ka ushqyer Jehovai frymësisht popullin e tij në kohët e kaluara?
6 Gjatë historisë, Jehovai ka shpërndarë ushqim frymor për popullin e tij, si një grup. (Isaia 65:13) Për shembull, priftërinjtë izraelitë mblidhnin në grupe, burra, gra dhe fëmijë për mësimin e ligjit të Perëndisë. (Ligji i përtërirë 31:9, 12) Nën drejtimin e trupit udhëheqës, të krishterët e shekullit të parë organizuan kongregacione dhe mbajtën mbledhje për mësimin dhe inkurajimin e të gjithëve. (Romakëve 16:5; Filemonit 1, 2) Dëshmitarët e Jehovait ndjekin këtë shembull. Nëse akoma nuk ke qenë në Sallën e tyre të Mbretërisë që ndodhet në zonën tënde, me përzemërsi të ftojmë që të ndjekësh mbledhjet atje.
7. Si lidhet ndjekja e mbledhjeve të krishtere me njohurinë dhe besimin?
7 Sigurisht, tani mund të kesh mësuar shumë në studimin tënd personal të Biblës. Ndoshta një Dëshmitar të ka ndihmuar. (Veprat 8:30-35) Por besimi yt mund të krahasohet me një bimë, e cila mund të fishket dhe të vdesë, nëse nuk i tregohet kujdesi i përshtatshëm. Pra, duhet të marrësh ushqimin e duhur frymor. (1. Timoteut 4:6) Mbledhjet e krishtere sigurojnë një program të vazhdueshëm mësimi, i caktuar për të të ushqyer frymësisht dhe për të të ndihmuar që të vazhdosh në rritjen e besimit, ndërsa rritesh në njohurinë e Perëndisë.—Kolosianëve 1:9, 10.
8. Çfarë dobish marrim nga shoqërimi me të krishterët e vërtetë?
8 Mbledhjet shërbejnë edhe për një qëllim tjetër jetësor. Pavli shkroi: «Le të kujdesemi për njeri tjetrin, për t’u nxitur për dashuri dhe vepra të mira, pa hequr dorë nga të mbledhurit bashkë tonin.» (Hebrenjve 10:24, 25) Fjala greke e përkthyer «për t’u nxitur», mund të ketë edhe kuptimin «për t’u mprehur». Një proverb i Biblës thotë: «Hekuri mpreh hekurin, kështu njeriu mpreh fytyrën e shokut të tij.» (Proverbat 27:17) Të gjithë kemi nevojë «për t’u mprehur» vazhdimisht. Presionet e përditshme nga bota mund të bëjnë që të humbasim mprehtësinë e besimit tonë. Kur ndjekim mbledhjet e krishtere, inkurajojmë njëri-tjetrin. (Romakëve 1:11, 12) Pjesëtarët e kongregacionit ndjekin këshillën e apostullit Pavël për të ‘ngushëlluar njëri-tjetrin dhe për të ndërtuar njëri-tjetrin’, gjëra që mprehin besimin tonë. (1. Selanikasve 5:11) Pjesëmarrja e rregullt në mbledhjet e krishtere tregon, gjithashtu, se e duam Perëndinë dhe na jep mundësinë për ta lavdëruar atë.—Psalmi 35:18.
«VISHNI DASHURINË»
9. Çfarë shembulli ka lënë Jehovai në shfaqjen e dashurisë?
9 Pavli, gjithashtu, shkroi: «Vishni dashurinë, që është lidhja e përsosmërisë.» (Kolosianëve 3:14) Me mirësi Jehovai na ka siguruar këtë veshje. Në ç’mënyrë? Të krishterët mund ta pasqyrojnë dashurinë, sepse ajo është një nga frytet e frymës së shenjtë që jep Jehovai. (Galatasve 5:22, 23) Vetë Jehovai ka treguar dashurinë më të madhe, duke dërguar Birin e tij të vetëmlindur, që ne të mund të kemi jetën e përhershme. (Gjoni 3:16) Kjo shfaqje kaq e lartë e dashurisë, është një model për ne në tregimin e kësaj cilësie. «Në qoftë se Perëndia na ka dashur në këtë mënyrë,—shkroi apostulli Gjon,—edhe ne duhet ta duam njeri-tjetrin.»—1. Gjonit 4:11.
10. Si mund të përfitojmë nga «e gjithë shoqëria e vëllezërve»?
10 Pjesëmarrja në mbledhje në Sallën e Mbretërisë, do të të japë një mundësi të shkëlqyeshme për të treguar dashuri. Atje mund të takohesh me shumë lloj personash. Pa dyshim, shumë prej tyre do të të tërheqin menjëherë. Natyrisht, personalitetet ndryshojnë edhe midis atyre që i shërbejnë Jehovait. Ndoshta në të kaluarën, thjesht u shmangeshe atyre që nuk kishin të njëjtat interesa apo veçori si të tuat. Por të krishterët duhet «të kenë dashuri për të gjithë shoqërinë e vëllezërve». (1. Pjetrit 2:17, BR) Prandaj, vër si synim që të njihesh me ta në Sallën e Mbretërisë, madje edhe me ata individë që mund të kenë moshë, personalitet, racë apo nivel arsimimi të ndryshëm nga i yti. Ka të ngjarë, që të zbulosh se secili prej tyre shquhet për disa cilësi që të bëjnë për vete.
11. Përse nuk duhet të shqetësohemi nga shumëllojshmëria e personaliteteve në popullin e Jehovait?
11 Shumëllojshmëria e personaliteteve në kongregacion, nuk duhet të të shqetësojë. Për ta ilustruar këtë, përfytyro sikur automjete të shumta udhëtojnë përbri teje në një rrugë. Jo të gjitha lëvizin me të njëjtën shpejtësi dhe janë në kushte të ndryshme mekanike. Disa kanë përshkuar shumë kilometra, por ashtu si edhe ti, të tjerët sapo e kanë filluar udhëtimin. Megjithatë, pavarësisht nga këto ndryshime, të gjithë po udhëtojnë në të njëjtën rrugë. Kjo mund të krahasohet me individët që përbëjnë një kongregacion. Jo të gjithë i zhvillojnë cilësitë e krishtere me të njëjtën shpejtësi. Për më tepër, jo të gjithë kanë të njëjtat kushte fizike apo emocionale. Disa kanë qenë adhurues të Jehovait për shumë vjet; të tjerët sapo kanë filluar. Por, të gjithë po udhëtojnë në rrugën e jetës së përhershme, «duke pasur një mendje dhe një vullnet». (1. Korintasve 1:10) Prandaj, përqendrohu në cilësitë e mira të pjesëtarëve të kongregacionit dhe jo në dobësitë e tyre. Duke bërë kështu do të të ngrohet zemra, sepse do të kuptosh se Perëndia është me të vërtetë midis këtyre njerëzve. Dhe sigurisht, këtë gjë dëshiron edhe ti.—1. Korintasve 14:25.
12, 13. (a) Nëse të ofendon dikush në kongregacion, çfarë mund të bësh? (b) Përse është e rëndësishme të mos mbash inat?
12 Pasi të gjithë njerëzit janë të papërsosur, nganjëherë dikush në kongregacion mund të thotë apo të bëjë diçka që të fyen. (Romakëve 3:23) Dishepulli Jakov, në mënyrë të qartë shkroi: «Të gjithë gabojmë në shumë gjëra. Në qoftë se dikush nuk gabon në të folur, është njeri i përsosur.» (Jakovit 3:2) Si do të reagosh nëse dikush të ofendon? Një proverb i Biblës thotë: «Mençuria e bën njeriun të mos rrëmbehet shpejt nga zemërimi dhe është në lavdinë e tij t’i kapërcejë fyerjet.» (Proverbat 19:11) Të kesh mendjemprehtësi do të thotë të shohësh thellë në brendësi të një situate, të kuptosh faktorët e brendshëm që e bëjnë personin të flasë apo të veprojë në një mënyrë të caktuar. Shumë nga ne përdorin mjaft mendjemprehtësi për të shfajësuar gabimet që bëjnë. Përse të mos e përdorim atë, edhe për të kuptuar dhe mbuluar papërsosmërinë e të tjerëve?—Mateu 7:1-5; Kolosianëve 3:13.
13 Kurrë mos harro se duhet t’i falim të tjerët, nëse duam që Jehovai të na falë edhe neve. (Mateu 6:9, 12, 14, 15) Nëse praktikojmë të vërtetën, do t’i trajtojmë të tjerët në një mënyrë të dashur. (1. Gjonit 1:6, 7; 3:14-16; 4:20, 21) Prandaj, nëse ndesh një problem me dikë në kongregacion, lufto kundër mbajtjes së inatit. Nëse je veshur me dashuri, do të përpiqesh që ta zgjidhësh problemin dhe nuk do të ngurosh për të kërkuar të falur nëse ke shkaktuar një fyerje.—Mateu 5:23, 24; 18:15-17.
14. Me çfarë cilësish duhet të vishemi?
14 Veshja jonë frymore duhet të përfshijë edhe cilësi të tjera që lidhen ngushtë me dashurinë. Pavli shkroi: «Vishuni, me dhembshuri të brendshme, mirësinë, përulësinë, zemërbutësinë dhe me durimin.» Këto veçori, të përfshira në dashurinë, janë pjesë e «personalitetit të ri». (Kolosianëve 3:10, 12, BR) A do të bëje përpjekje për t’u veshur me këto cilësi? Veçanërisht, nëse vishesh me dashurinë vëllazërore, do të dallohesh se je dishepull i Jezuit, sepse ai tha: «Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.»—Gjoni 13:35.
NJË VEND SIGURIE
15. Në ç’mënyrë kongregacioni është si një strehë?
15 Kongregacioni shërben edhe si një strehë mbrojtëse ku mund të ndihesh i sigurt. Në të do të gjesh njerëz me zemër të ndershme, që përpiqen të bëjnë atë që është e drejtë në sytë e Perëndisë. Shumë prej tyre kanë eliminuar të njëjtat praktika dhe sjellje të këqija të cilat ndoshta edhe ti po përpiqesh t’i mposhtësh. (Titit 3:3) Ata mund të të ndihmojnë, sepse u është thënë «të mbajnë barrët e njëri-tjetrit». (Galatasve 6:2) Sigurisht, ndjekja e rrugës që të çon në jetën e përhershme, në fund të fundit është përgjegjësia jote. (Galatasve 6:5; Filipianëve 2:12) Megjithatë, Jehovai ka siguruar kongregacionin e krishterë si një mjet të mrekullueshëm ndihme dhe mbështetjeje. Pavarësisht se sa shqetësuese mund të jenë problemet e tua, ke një burim të vlefshëm në dispozicion. Dhe një kongregacion i dashur do të qëndrojë me ty edhe në kohë hidhërimi apo të heqjes së lirisë.—Krahaso Luka 10:29-37; Veprat 20:35.
16. Çfarë ndihme sigurojnë pleqtë e kongregacionit?
16 Midis atyre që do të jenë të gatshëm për të të ndihmuar, janë «dhuratat në njerëz»: pleqtë e emëruar të kongregacionit apo mbikëqyrësit, të cilët e kullosin kopenë e Perëndisë vullnetarisht dhe me dëshirë. (Efesianëve 4:8, 11, 12, BR; Veprat 20:28; 1. Pjetrit 5:2, 3) Në lidhje me ta, Isaia profetizoi: «Secili prej tyre do të jetë si një mbrojtje nga era dhe një strehë kundër uraganit, si rrëke uji në një vend të thatë, si hija e një shkëmbi të madh në një tokë të zhuritur.»—Isaia 32:2.
17. (a) Çfarë lloj ndihme donte të jepte veçanërisht Jezui? (b) Çfarë furnizimesh premtoi Perëndia se do të bënte për popullin e tij?
17 Kur Jezui ishte mbi tokë, një mbikëqyrje e tillë e dashur nga udhëheqësit fetarë mjerisht kishte humbur. Gjendja e njerëzve e preku thellë atë dhe ai donte t’i ndihmonte veçanërisht në aspektin frymor. Jezuit i erdhi keq për ta, pasi «ishin të lodhur dhe të shpërndarë si delet pa bari». (Mateu 9:36) Në mënyrë të përshtatshme, kjo përshkruan gjendjen e shumicës në ditët e sotme, të cilët përjetojnë probleme mjaft të dhimbshme, pa asnjë shpresë për ndihmë frymore dhe ngushëllim. Por populli i Jehovait e ka ndihmën frymore, sepse ai premtoi: «‘Do të caktoj mbi to barinj që do t’i kullosin dhe nuk do të kenë më ndrojtje as frikë; nuk do të mungojë asnjë prej tyre’, thotë Zoti.»—Jeremia 23:4.
18. Përse duhet t’i afrohemi një plaku kongregacioni nëse kemi nevojë për ndihmë frymore?
18 Njihu me pleqtë e emëruar të kongregacionit. Ata kanë shumë cilësi në zbatimin e njohurisë së Perëndisë, sepse janë kualifikuar për mbikëqyrës sipas asaj që është parashtruar në Bibël. (1. Timoteut 3:1-7; Titit 1:5-9) Mos nguro t’i afrohesh njërit prej tyre nëse ke nevojë për ndihmë frymore për të mposhtur një zakon apo prirje që bie ndesh me kërkesat e Perëndisë. Do të shohësh se pleqtë ndjekin këshillën e Pavlit: «Të ngushëlloni zemërlëshuarit, të ndihmoni të dobëtit dhe të jeni të duruar me të gjithë.»—1. Selanikasve 2:7, 8; 5:14.
GËZO SIGURINË MES POPULLIT TË JEHOVAIT
19. Çfarë bekimesh sjell Jehovai mbi ata që kërkojnë siguri brenda organizatës së tij?
19 Megjithëse tani jetojmë në kushte të papërsosura, Jehovai na siguron ushqim frymor, veshje dhe strehë. Sigurisht, në lidhje me atë që Perëndia ka premtuar, ne duhet të presim botën e re që të mund të përjetojmë dobitë e një parajse fizike. Por ata që janë pjesë e organizatës së Jehovait, që tani po gëzojnë sigurinë e një parajse frymore. Në lidhje me ta Ezekieli profetizoi: «Do të qëndrojnë të sigurta dhe askush nuk ka për t’i trembur.»—Ezekieli 34:28; Psalmi 4:8.
20. Si mund të na shpërblejë Jehovai për gjithçka që mund të sakrifikojmë për hir të adhurimit të tij?
20 Sa mirënjohës mund të jemi që Jehovai bën furnizime të dashura frymore përmes Fjalës dhe organizatës së tij! Afrohu me popullin e Perëndisë. Mos nguro nga frika e asaj që mund të mendojnë shokët apo të afërmit e tu, ngaqë po merr njohurinë për Perëndinë. Disave mund të mos u pëlqejë që po shoqërohesh me Dëshmitarët e Jehovait dhe që ndjek mbledhjet në Sallën e Mbretërisë. Por Perëndia do të të shpërblejë me bujari për çdo sakrificë që bën për hir të adhurimit të tij. (Malakia 3:10) Për më tepër, Jezui tha: «Në të vërtetë po ju them që nuk ka asnjeri që të ketë lënë shtëpinë, a vëllezërit a motrat, a atin, a nënën, a fëmijët ose arat për hirin tim dhe për ungjillin, që të mos marrë tani, në këtë kohë njëqindfish shtëpi, vëllezër, motra, nëna, fëmijë e ara së bashku me përndjekje, dhe në botën e ardhshme, jeta e përhershme.» (Marku 10:29, 30) Po, pavarësisht nga ajo që ke lënë prapa apo që duhet të durosh, mes popullit të Perëndisë mund të gjesh shoqëri të këndshme dhe siguri frymore.
PROVO NJOHURINË
Kush është «skllavi besnik dhe i matur»?
Çfarë furnizimesh ka bërë Jehovai për të na ushqyer frymësisht?
Si mund të na ndihmojnë këto në kongregacionin e krishterë?
[Figura që zë gjithë faqen 165]