Ç’e ardhme i pret delet dhe cjeptë?
«Ai do ta ndajë njërin nga tjetri, ashtu si ndan bariu delet nga cjeptë.»—MATEU 25:32, BR.
1, 2. Përse duhet të na interesojë shëmbëlltyra e deleve dhe e cjepve?
JEZU KRISHTI ishte me siguri Mësuesi më i madh mbi tokë. (Gjoni 7:46) Një nga metodat e tij të mësimit ishin parabolat ose ilustrimet. (Mateu 13:34, 35) Ato ishin të thjeshta, por të fuqishme për të transmetuar të vërteta të thella frymore dhe profetike.
2 Në ilustrimin e deleve dhe cjepve, Jezui theksoi një kohë në të cilën ai do të vepronte në një pozitë të veçantë: «Dhe kur të vijë Biri i njeriut në lavdinë e tij . . . » (Mateu 25:31) Kjo duhet të na interesojë, pasi është ilustrimi me të cilin Jezui përfundoi përgjigjen ndaj pyetjes: «Cila do të jetë shenja e pranisë sate dhe e përfundimit të sistemit të gjërave?» (Mateu 24:3, BR) Por ç’domethënie ka kjo për ne?
3. Në fillim të fjalimit të tij, çfarë tha Jezui se do të zhvillohet menjëherë pasi të fillojë mjerimi i madh?
3 Jezui paratha zhvillime të rëndësishme që do të vinin «fill pas» shpërthimit të mjerimit të madh, zhvillime që ne i presim. Ai tha se do të shfaqej «shenja e Birit të njeriut». Kjo do të ndikonte shumë mbi «të gjitha kombet e dheut», të cilat do të shihnin «Birin e njeriut duke ardhur mbi retë e qiellit me fuqi dhe lavdi të madhe». Biri i njeriut do të shoqërohej nga «engjëjt e vet». (Mateu 24:21, 29-31)a Ç’të themi për ilustrimin e deleve dhe cjepve? Biblat moderne e vendosin atë në kreun 25, por ajo është pjesë e përgjigjes së Jezuit dhe jep hollësira të mëtejshme në lidhje me ardhjen e tij në lavdi, si dhe përqendrohet mbi gjykimin që do t’u bëjë ai «të gjitha kombeve».—Mateu 25:32.
Figurat e ilustrimit
4. Çfarë përmendet mbi Jezuin në fillim të shëmbëlltyrës së deleve dhe të cjepve dhe kush tjetër përmendet?
4 Jezui e fillon ilustrimin, duke thënë: «Dhe kur të vijë Biri i njeriut.» Sigurisht që ti e di se kush është «Biri i njeriut». Shkrimtarët e ungjijve shpesh ia aplikojnë këtë shprehje Jezuit. Edhe vetë Jezui bëri kështu, pa dyshim duke pasur në mendje vizionin e Danielit mbi ‘dikë që i ngjante një Biri njeriu’, i cili arriti tek i Lashti i Ditëve, për të marrë «sundim, lavdi dhe mbretëri». (Danieli 7:13,14; Mateu 26:63, 64; Marku 14:61, 62) Edhe pse Jezui është personazhi kryesor në këtë ilustrim, ai nuk është vetëm. Në fillim të këtij fjalimi, siç citon Mateu 24:30, 31, ai tha se kur Biri i njeriut ‘të vinte me fuqi dhe lavdi të madhe’, engjëjt e tij do të luanin një rol kryesor. Në mënyrë të ngjashme, në ilustrimin e deleve dhe cjepve shfaqen engjëjt me Jezuin, kur ai «ulet mbi fronin e lavdisë së vet» për të gjykuar. (Krahaso Mateun 16:27.) Por Gjykatësi dhe engjëjt e tij janë në qiell, pra, a flitet për njerëz në këtë ilustrim?
5. Si mund t’i identifikojmë «vëllezërit» e Jezuit?
5 Një vështrim i ilustrimit zbulon tri grupe që duhet të identifikojmë. Përveç deleve dhe cjepve, Biri i njeriut shton edhe grupin e tretë, identifikimi i të cilit është i rëndësishëm për të identifikuar delet dhe cjeptë. Jezui e quan këtë grup të tretë vëllezërit e tij frymorë. (Mateu 25:40, 45) Ata duhet të jenë adhurues të vërtetë, pasi Jezui tha: «Kushdo që kryen vullnetin e Atit tim . . . më është vëlla, motër dhe nënë.» (Mateu 12:50; Gjoni 20:17) Duke shkuar më thellë, Pavli shkroi për të krishterët që janë pjesë e «farës së Abrahamit» dhe bij të Perëndisë. Ai i quajti ata «vëllezër» të Jezuit dhe «pjesëtarë të thirrjes qiellore».—Hebrenjve 2:9–3:1; Galatasve 3:26, 29.
6. Kush janë vëllezërit «më të vegjël» të Jezuit?
6 Përse Jezui përmend «më të voglin» e vëllezërve të tij? Këto fjalë ngjasojnë me ato që apostujt dëgjuan prej tij më parë. Duke krahasuar Gjon Pagëzorin, i cili vdiq përpara Jezuit e si i tillë ka shpresë tokësore, me ata që presin jetën qiellore, Jezui tha: «Nuk ka dalë kurrë ndonjë më i madh se Gjon Pagëzori, por më i vogli në mbretërinë e qiejve është më i madh se ai.» (Mateu 11:11) Disa nga ata që shkojnë në qiell mund të kenë qenë më të shquar në kongregacion, si edhe apostujt, ndërsa disa të tjerë më pak, por ata janë të gjithë vëllezër frymorë të Jezuit. (Luka 16:10; 1. Korintasve 15:9; Efesianëve 3:8; Hebrenjve 8:11) Prandaj, edhe nëse disa mund të dukeshin të parëndësishëm mbi tokë, ata ishin vëllezërit e tij dhe duheshin trajtuar si të tillë.
Kush janë delet dhe cjeptë?
7, 8. Çfarë tha Jezui mbi delet, prandaj ç’mund të nxjerrim si përfundim për to?
7 Në lidhje me gjykimin e deleve lexojmë: «[Jezui] do t’u thotë atyre që do të jenë në të djathtën e tij: ‘Ejani, të bekuar të Atit tim; merrni në trashëgim mbretërinë që u bë gati për ju që nga krijimi i botës. Sepse pata uri dhe më dhatë për të ngrënë, pata etje dhe më dhatë për të pirë; isha i huaj dhe më pritët, isha i zhveshur dhe më veshët, isha i sëmurë dhe ju më vizitonit, isha në burg dhe erdhët tek unë.’ Atëherë të drejtët do t’i përgjigjen, duke thënë: ‘Zot, kur të pamë të uritur dhe të dhamë për të ngrënë; ose të etur dhe të dhamë për të pirë? Dhe kur të pamë të huaj dhe të pritëm ose të zhveshur dhe të veshëm? Dhe kur të pamë të lënguar ose në burg dhe erdhëm te ti?’ Dhe Mbreti, duke iu përgjigjur, do t’u thotë: ‘Në të vërtetë po ju them: sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma bëtë mua.»—Mateu 25:34-40.
8 Është e dukshme se delet që gjykohen të denja për të qëndruar në krahun e djathtë të nderit dhe të favorit të Jezuit, përfaqësojnë një klasë njerëzish. (Efesianëve 1:20; Hebrenjve 1:3) Çfarë bënë ata dhe kur? Jezui tha se me mirësjellje, me respekt dhe me bujari, ata i dhanë atij për të ngrënë, për të pirë dhe për t’u veshur, duke iu gjendur kur ishte i sëmurë apo në burg. Kur delet thanë se këto nuk ia kishin bërë Jezuit personalisht, ai theksoi se kishin mbështetur vëllezërit e tij frymorë, mbetjen e të krishterëve të mirosur, pra, në këtë mënyrë e kishin bërë edhe për të.
9. Pse shëmbëlltyra nuk zbatohet gjatë Mijëvjeçarit?
9 Ilustrimi nuk zbatohet gjatë Mijëvjeçarit, pasi të mirosurit në atë kohë nuk do të jenë më njerëz e s’do të vuajnë prej urisë, etjes, sëmundjeve dhe burgimit. Megjithatë, shumë prej tyre kanë provuar gjëra të tilla gjatë përfundimit të këtij sistemi gjërash. Qysh prej kohës kur u hodh poshtë në tokë, Satanai e ka bërë mbetjen objekt të veçantë të zemërimit të tij, duke sjellë mbi të tallje, tortura dhe vdekje.—Zbulesa 12:17.
10, 11. (a) Pse nuk është e arsyeshme të mendojmë se delet përfshijnë cilindo që u bën një vepër të mirë vëllezërve të Jezuit? (b) Cilët përfaqësojnë në mënyrë të përshtatshme delet?
10 A po thotë Jezui se çdokush që i bën ndonjë mirësi të vogël njërit prej vëllezërve të tij, si për shembull, t’i ofrojë një copë bukë apo një gotë ujë, kualifikohet si një prej atyre deleve? Edhe sikur të jetë kështu, ajo mund të pasqyrojë një mirësi njerëzore, por në të vërtetë duket se është përfshirë shumë më tepër në delet e këtij ilustrimi. Vështirë të mendojmë se Jezui e kishte fjalën, për shembull, për ateistët apo klerikët që ndoshta i bëjnë ndonjë vepër të mirë njërit prej vëllezërve të tij. Përkundrazi, dy herë Jezui i quajti delet «të drejtët». (Mateu 25:37, 46) Prandaj delet duhet të jenë persona që gjatë një periudhe kohore, duke i mbështetur aktivisht, u kanë ardhur në ndihmë vëllezërve të Krishtit dhe kanë ushtruar besim, aq sa të fitojnë një qëndrim të drejtë para Perëndisë.
11 Përgjatë shekujve, shumë të tillë, si Abrahami, kanë gëzuar një qëndrim të drejtë. (Jakovit 2:21-23) Noeja, Abrahami dhe besnikë të tjerë janë mes «deleve të tjera», që do të trashëgojnë jetën në Parajsë, nën Mbretërinë e Perëndisë. Kohët e fundit, miliona të tjerë kanë pranuar adhurimin e vërtetë si dele të tjera e janë bërë «një tufë» me të mirosurit. (Gjoni 10:16; Zbulesa 7:9) Këta njerëz me shpresë tokësore i pranojnë vëllezërit e Jezuit si ambasadorë të Mbretërisë e prandaj i kanë ndihmuar, në kuptim të drejtpërdrejtë dhe frymësisht. Atë që delet e tjera bëjnë për vëllezërit e tij mbi tokë, Jezui e llogarit sikur e kanë bërë për të. Këta njerëz që do të jenë të gjallë kur ai të vijë për të gjykuar kombet, do të gjykohen si dele.
12. Pse mund të pyesin delet se si i kanë bërë mirë Jezuit?
12 Nëse delet e tjera po predikojnë tani lajmin e mirë me të mirosurit dhe po i ndihmojnë, përse do të pyesin: «Zot, kur të pamë të uritur dhe të dhamë për të ngrënë; ose të etur dhe të dhamë për të pirë?» (Mateu 25:37) Mund të ketë arsye të ndryshme. Ky është një ilustrim. Me anë të tij, Jezui tregon kujdesin e tij të thellë për vëllezërit e tij frymorë; ai ndjen me ta, vuan me ta. Më parë, Jezui kishte thënë: «Ai që ju pranon, më pranon mua; dhe ai që më pranon mua, pranon atë që më ka dërguar.» (Mateu 10:40) Në këtë ilustrim, Jezui e zgjeron parimin, duke treguar se çdo gjë (e mirë apo e keqe) që është bërë për vëllezërit e tij, shkon deri në qiell; është sikur të jetë bërë për të në qiell. Gjithashtu, Jezui këtu thekson normën e Jehovait për gjykim, duke bërë të qartë se gjykimi i Perëndisë, i favorshëm apo me dënim, është i vlefshën dhe i drejtë. Cjeptë nuk mund të nxjerrin justifikimin: «Ah, sikur të të kishim parë drejtpërdrejt.»
13. Përse ata që janë ngjashëm cjepve mund t’i drejtohen Jezuit si «Zotëri»?
13 Pasi kemi kuptuar se kur do të bëhet gjykimi i treguar në këtë ilustrim, përftojmë një pamje më të qartë se cilët janë cjeptë. Përmbushja është kur «do të duket në qiell shenja e Birit të njeriut; dhe të gjitha kombet e dheut do të mbajnë zi dhe do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur . . . me fuqi dhe lavdi të madhe». (Mateu 24:29, 30) Ata që do të mbijetojnë mjerimin mbi Babiloninë e madhe e që i kanë trajtuar vëllezërit e Mbretit me përbuzje, ndoshta mund t’i drejtohen tani Gjykatësit si «Zotëri», duke shpresuar të shpëtojnë jetën e tyre.—Mateu 7:22, 23; krahaso Zbulesën 6:15-17.
14. Mbi ç’bazë do t’i gjykojë Jezui delet dhe cjeptë?
14 Sidoqoftë, gjykimi i Jezuit nuk do të bazohet në klithmat e dëshpëruara të ish-fetarëve, ateistëve apo të të tjerëve. (2. Selanikasve 1:8) Përkundrazi, gjykatësi do të rishikojë gjendjen e zemrës dhe veprimet e shkuara të njerëzve, madje edhe kundrejt njërit «prej këtyre vëllezërve [të tij] më të vegjël». Duhet pranuar se numri i të krishterëve të mirosur mbi tokë po pakësohet. Megjithatë, përderisa të mirosurit, që përbëjnë «skllavin besnik e të matur», vazhdojnë të sigurojnë ushqim frymor dhe drejtim, delet e mundshme kanë një mundësi t’i bëjnë mirë klasës së skllavit, ashtu siç ka bërë ‘shumica e madhe prej të gjitha kombeve, fiseve dhe popujve’.—Zbulesa 7:9, 14, BR.
15. (a) Si kanë treguar disa se janë ngjashëm cjepve? (b) Pse duhet të shmangim deklarimin nëse dikush është dele ose cjap?
15 Si janë trajtuar vëllezërit e Krishtit dhe miliona delet e tjera që janë bashkuar me ta si një tufë? Shumë njerëz ndoshta nuk i kanë sulmuar personalisht përfaqësuesit e Krishtit, por as nuk i kanë trajtuar shërbëtorët e tij me dashuri. Duke preferuar botën e ligë, njerëzit ngjashëm cjepve nuk e pranojnë mesazhin e Mbretërisë, qoftë kur e dëgjojnë drejtpërsëdrejti apo jo. (1. Gjonit 2:15-17) Natyrisht, në fund të fundit Jezui është ai që është caktuar për të kryer gjykimin. Nuk na takon neve të përcaktojmë kush janë dele e kush janë cjep.—Marku 2:8; Luka 5:22; Gjoni 2:24, 25; Romakëve 14:10-12; 1. Korintasve 4:5.
Cila është e ardhmja për secilin grup?
16, 17. Ç’të ardhme do të kenë delet?
16 Jezui bëri këtë gjykim për delet: «Ejani, të bekuar të Atit tim; merrni në trashëgim mbretërinë që u bë gati për ju që nga krijimi i botës.» Sa ftesë e ngrohtë: «Ejani!» Po ku? Në jetën e përhershme, siç u shpreh ai në përfundim: «Të drejtët [do të hyjnë] në jetën e përjetshme.»—Mateu 25:34, 46.
17 Në ilustrimin e talentave, Jezui tregoi se çfarë kërkohet nga ata që do të sundojnë me të në qiell, por në këtë ilustrim ai tregon çfarë pritet nga nënshtetasit e Mbretërisë. (Mateu 25:14-23) Pikërisht për shkak të mbështetjes me gjithë zemër që u kanë bërë vëllezërve të Krishtit, delet trashëgojnë një vend në zotërimet tokësore të kësaj Mbretërie. Ata do të gëzojnë jetën në një tokë parajsore, perspektivë që Perëndia e përgatiti për ta «që nga krijimi i botës» së njerëzve të shpërblyer.—Luka 11:50, 51.
18, 19. (a) Çfarë gjykimi do t’u bëjë Jezui cjepve? (b) Si mund të jemi të sigurt që cjeptë nuk do të përballojnë vuajtje të përhershme?
18 Sa i kundërt është gjykimi që kryhet mbi cjeptë! «Pastaj ai do t’u thotë edhe atyre që do të jenë në të majtë: ‘Largohuni nga unë, të mallkuar, në zjarr të përjetshëm, të përgatitur për djallin dhe engjëjt e tij. Sepse pata uri dhe nuk më dhatë për të ngrënë, pata etje dhe nuk më dhatë për të pirë, isha i huaj dhe nuk më pritët, i zhveshur dhe nuk më veshët, i sëmurë dhe në burg dhe nuk erdhët të më shihni.’ Atëherë edhe ata do t’i përgjigjen, duke thënë: ‘Zot, kur të pamë të uritur ose të etur, ose të huaj, ose të zhveshur, ose të lëngatë ose në burg dhe nuk të shërbyem?’ Atëherë ai do t’u përgjigjet atyre, duke thënë: ‘Në të vërtetë ju them: sa herë nuk ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre më të vegjëlve, këtë nuk ma bëtë as edhe mua.’»—Mateu 25:41-45.
19 Ata që studiojnë Biblën e dinë që kjo s’do të thotë se shpirtrat e pavdekshëm të njerëzve ngjashëm cjepve do të vuajnë në një zjarr të përjetshëm. Jo, sepse njerëzit janë shpirtra; ata nuk zotërojnë shpirtra të pavdekshëm. (Zanafilla 2:7; Eklisiastiu 9:5, 10; Ezekieli 18:4) Duke dënuar cjeptë me «zjarr të përjetshëm», Gjykatësi ka ndër mend shkatërrimin pa asnjë shpresë të ardhshme, gjë që do të jetë edhe fundi i përhershëm i Djallit dhe i demonëve. (Zbulesa 20:10, 14) Pra, Gjykatësi i caktuar nga Jehovai bën gjykime të ndryshme. U thotë deleve: «Ejani»; ndërsa cjepve: «Largohuni nga unë.» Delet do të trashëgojnë «jetë të përhershme». Cjeptë do të marrin «mundim të përjetshëm».—Mateu 25:46b.
Ç’do të thotë për ne?
20, 21. (a) Çfarë vepre të rëndësishme kanë për të bërë të krishterët? (b) Çfarë ndarje po vazhdon tani? (c) Cila do të jetë gjendja e njerëzve, kur të përmbushet shëmbëlltyra e deleve dhe e cjepve?
20 Katër apostujt që dëgjuan përgjigjen e Jezuit mbi shenjën e pranisë së tij dhe përfundimin e sistemit, kishin shumë për të shqyrtuar. Kishin nevojë të qëndronin zgjuar dhe vigjilentë. (Mateu 24:42) Duhej të bënin, gjithashtu, veprën e predikimit të përmendur në Markun 13:10. Sot, Dëshmitarët e Jehovait janë përfshirë energjikisht në këtë vepër.
21 Ç’do të thotë, pra, për ne ky kuptim i ri i ilustrimit të deleve dhe cjepve? E pra, tashmë njerëzit janë duke u rreshtuar në të dyja anët. Disa gjenden në ‘udhën e hapur që të çon në shkatërrim’, ndërsa të tjerë përpiqen të qëndrojnë në ‘udhën e vështirë që të çon në jetë’. (Mateu 7:13, 14) Por koha, në të cilën Jezui do të shpallë gjykimin përfundimtar mbi delet dhe cjeptë e përshkruar në ilustrim, është ende përpara. Kur Biri i njeriut të vijë në rolin e Gjykatësit, ai do të përcaktojë që shumë të krishterë të vërtetë, në fakt «një turmë e madhe» me dele të dedikuara, do të kualifikohen për të kaluar nëpër pjesën e fundit të «shtrëngimit të madh», për në botën e re. Kjo perspektivë duhet të jetë tani një burim gëzimi. (Zbulesa 7:9, 14) Nga ana tjetër, një numër i madh njerëzish «nga të gjitha kombet» do të kenë provuar se janë ngjashëm cjepve kokëfortë. Ata «do të ndahen për shkatërrimin e përhershën». Çfarë lehtësimi për tokën!
22, 23. Meqenëse plotësimi i shëmbëlltyrës i takon së ardhmes, pse është jetësore vepra jonë e predikimit sot?
22 Edhe pse gjykimi i përshkruar në ilustrim i përket së ardhmes së afërt, që tani po ndodh diçka jetësore. Ne të krishterët jemi angazhuar në veprën jetëshpëtuese të shpalljes së mesazhit, që shkakton një ndarje mes njerëzve. (Mateu 10:32-39) Pavli shkroi: «Në fakt: ‘Kushdo që do ta thërrasë emrin e Zotit do të shpëtohet.’ Si do ta thërrasin, pra, atë të cilit nuk i besuan? Dhe si do të besojnë tek ai për të cilin nuk kanë dëgjuar? Dhe si do të dëgjojnë, kur s’ka kush predikon?» (Romakëve 10:13, 14) Shërbimi ynë publik po shkon tek njerëzit e më se 230 vendeve, me emrin e Perëndisë dhe me mesazhin e tij të shpëtimit. Vëllezërit e mirosur të Krishtit janë ende në krye të kësaj vepre. Rreth pesë milionë dele të tjera janë bashkuar tani me ta. Njerëzit përreth globit po i përgjigjen mesazhit që shpallin vëllezërit e Krishtit.
23 Shumë veta e dëgjojnë mesazhin tonë, ndërsa predikojmë shtëpi më shtëpi apo në mënyrë joformale. Të tjerët mund të mësojnë për Dëshmitarët e Jehovait dhe për çfarë përfaqësojmë, në rrugë të panjohura për ne. Kur të mbërrijë koha e gjykimit, deri në ç’masë do të mbajë parasysh Jezui përgjegjësinë e përbashkët dhe mbrojtjen nga familja? Ne nuk mund ta themi dhe është e kotë të spekulojmë. (Krahaso 1. Korintasve 7:14.) Shumë veta bëjnë një vesh të shurdhër, tallen apo marrin pjesë në persekutimin e drejtpërdrejtë të shërbëtorëve të Perëndisë. Prandaj kjo është një kohë vendimtare; këta individë mund të shndërrohen në ata që Jezui i gjykoi si cjep.—Mateu 10:22; Gjoni 15:20; 16:2, 3; Romakëve 2:5, 6.
24. (a) Pse është e rëndësishme për individët që t’i përgjigjen në mënyrë pozitive predikimit tonë? (b) Për çfarë qëndrimi të ka ndihmuar personalisht ky studim në lidhje me shërbimin tënd?
24 Lumturisht, ama, shumë po përgjigjen në mënyrë të favorshme, studiojnë Fjalën e Perëndisë dhe bëhen Dëshmitarë të Jehovait. Disa që tani mund të ngjajnë ngjashëm cjepve mund të ndryshojnë e të bëhen si dele. Pika është se ata që po përgjigjen dhe po e mbështetin aktivisht mbetjen e vëllezërve të Krishtit, po japin tani dëshmi se do të sigurojnë një bazë për veten që të vendosen në të djathtën e Jezuit, kur në të ardhmen e afërt ai do të ulet mbi fronin e tij për të bërë gjykimin. Këta po bekohen dhe do të vazhdojnë të bekohen. Pra, ky ilustrim duhet të na nxisë në një aktivitet edhe më të zellshëm në shërbimin e krishterë. Përpara se të jetë shumë vonë, ne duam të bëjmë ç’të mundim për të shpallur lajmin e mirë të Mbretërisë e në këtë mënyrë t’u japim të tjerëve mundësinë për t’u përgjigjur. Pastaj, i takon Jezuit të bëjë gjykimin, me dënim apo të favorshëm.—Mateu 25:46.
[Shënimet]
b Libri Ungjilli i Mateut vëren: «Jeta e përhershme është jetë përfundimtare; e kundërta e saj është dënimi përfundimtar. Mbiemri grek aionios nuk përcakton në plan të parë kohëzgjatjen, por cilësinë. Dënimi përfundimtar është vdekja përgjithmonë.»—El Evangelio de Mateo, nga profesori në pension Huan Mateos (Instituti Biblik Pontefikal, Romë) dhe profesori Fernando Kamaço (Qendra Teologjike, Sevilje), Madrid, Spanjë, 1981.
A të kujtohet?
◻ Cilat paralele midis Mateut 24:29-31 dhe Mateut 25:31-33 tregojnë se shëmbëlltyra e deleve dhe e cjepve ka një zbatim në të ardhmen dhe kur zbatohet?
◻ Cilët janë «më të vegjlit» e vëllezërve të Jezuit?
◻ Si na ndihmon përdorimi që i bën Jezuit shprehjes «të drejtët», për të identifikuar ata që i përfaqësojnë dhe ata që nuk i përfaqësojnë?
◻ Megjithëse shëmbëlltyra do të përmbushet në të ardhmen, pse vepra jonë e predikimit tani është e rëndësishme dhe urgjente?
[Kutia dhe figura në faqen 39]
VËREJ PARALELET
Pas fillimit të mjerimit të madh, Biri i njeriut vjen
Biri i njeriut vjen
Vjen me lavdi të madhe Vjen në lavdi dhe ulet
froni i tij i lavdishëm
Engjëjt paraqiten me të Engjëjt vijnë me të
Të gjitha fiset e tokës e shohin Të gjitha kombet e mbledhura;
cjeptë gjykohen së fundi (mjerimi i madh mbaron)
[Burimi]
Garo Nalbandian