A e lejon Jehovain të të pyesë?
BIBLA përmban qindra pyetje që depërtojnë thellë në zemër. Në fakt, vetë Perëndia Jehova përdor pyetje për të na mësuar të vërteta të rëndësishme. Për shembull, Jehovai bëri disa pyetje kur e paralajmëroi Kainin të kthehej nga udha e tij shkatërrimtare. (Zan. 4:6, 7) Në raste të tjera, vetëm një pyetje nga Jehovai mjaftoi ta motivonte një person që të vepronte. Kur e dëgjoi Jehovain të pyeste «kë të dërgoj dhe kush do të shkojë për ne», profeti Isaia u përgjigj: «Ja ku jam! Më dërgo mua!»—Isa. 6:8.
Edhe Jezui, Mësuesi i Madh, i përdorte pyetjet me efektshmëri. Në ungjij janë dokumentuar më shumë se 280 pyetje të Jezuit. Ndonëse në disa raste bënte pyetje për t’ua mbyllur gojën atyre që e kritikonin, shpesh qëllimi i tij ishte që t’u prekte zemrën dëgjuesve duke i nxitur të mendonin për gjendjen e tyre frymore. (Mat. 22:41-46; Gjoni 14:9, 10) Po kështu, apostulli Pavël, i cili shkroi 14 libra të Shkrimeve të Krishtere Greke, bëri pyetje që kishin si qëllim t’i bindnin të tjerët. (Rom. 10:13-15) Për shembull, letra e tij drejtuar romakëve përmban shumë pyetje. Pyetjet e Pavlit i nxitin lexuesit të kuptojnë e të çmojnë ‘thellësinë e pasurisë, të mençurisë dhe të njohurisë së Perëndisë’.—Rom. 11:33.
Ndërsa disa pyetje kërkojnë një përgjigje me fjalë, të tjera kanë si qëllim të nxitin dikë që të mendojë thellë. Ungjijtë tregojnë se Jezui i përdorte gjerësisht këto të fundit. Në një rast, Jezui i paralajmëroi dishepujt: «Rrini syhapur dhe ruhuni nga majaja e farisenjve dhe e Herodit.» Me këtë që tha, e kishte fjalën për hipokrizinë dhe mësimet e tyre të rreme. (Mar. 8:15; Mat. 16:12) Dishepujt e Jezuit nuk e kapën kuptimin dhe nisën të debatonin për faktin që kishin harruar të sillnin bukë. Vër re se si përdori pyetje Jezui në bisedën e shkurtër që vijoi. «Ai u tha: ‘Përse debatoni që nuk keni bukë? Akoma nuk e kuptoni e nuk e kapni domethënien? Të mpirë e keni zemrën që s’kuptoni?! “Keni sy dhe nuk shihni, keni veshë dhe nuk dëgjoni?” . . . Ende nuk e kapni domethënien?’» Pyetjet e Jezuit kishin si qëllim që dishepujt të ndaleshin e të meditonin për domethënien e vërtetë të fjalëve të tij.—Mar. 8:16-21.
«Unë do të të pyes»
Perëndia Jehova përdori pyetjet për të ndrequr mënyrën e të menduarit të shërbëtorit të tij, Jobit. Me anë të pyetjeve të shumta, Jehovai mësoi Jobin se sa i vogël ishte në krahasim me Krijuesin e tij. (Jobi, kap. 38-41) A priste Jehovai të dëgjonte një përgjigje për secilën nga këto pyetje? Ka të ngjarë që jo. Pyetje të tilla si «ku ishe ti, kur unë i vura themelet tokës», me sa duket kishin si synim t’i bënin thirrje mendjes dhe zemrës së Jobit. Pasi Jehovai kishte bërë vetëm disa pyetje të drejtpërdrejta, Jobi mbeti pothuajse pa fjalë. Ai thjesht tha: «Ç’të të përgjigjem?! Po e mbyll gojën.» (Jobi 38:4; 40:4) Jobi e kuptoi se ç’donte t’i thoshte Jehovai dhe u përul. Megjithatë, Jehovai nuk po e mësonte Jobin që vetëm të ishte i përulur. Ai i ndreqi edhe mënyrën e të menduarit. Si?
Ndonëse Jobi ishte ‘i paqortueshëm dhe i drejtë’, disa herë fjalët e tij zbuluan një pikëpamje të gabuar. Këtë pikëpamje Elihu e nxori në pah kur e qortoi Jobin, sepse «e shpalli veten më të drejtë se Perëndia». (Jobi 1:8; 32:2; 33:8-12) Kështu, pyetjet e Jehovait korrigjuan edhe kuptueshmërinë e Jobit. Duke i folur nga stuhia, Perëndia tha: «Kush je ti që e errëson atë që vendosa unë, duke thënë fjalë pa njohuri? E pra, tani, ngjishe rrobën në ijë po të jesh burrë, dhe unë do të të pyes e ti m’u përgjigj.» (Jobi 38:1-3) Pastaj, nëpërmjet pyetjeve Jehovai e tërhoqi vëmendjen te mençuria dhe fuqia e Tij e pakufishme, të cilat duken qartë te veprat e mrekullueshme që ka bërë. Ky ndriçim frymor e ndihmoi Jobin të besonte si kurrë më parë te gjykimi i Jehovait dhe te mënyra e Tij e të vepruarit. Ç’përvojë mahnitëse që përjetoi Jobi: vetë Perëndia i Plotfuqishëm e pyeti!
Si mund ta lejojmë Jehovain të na pyesë?
Ç’të themi për ne? A mund të nxjerrim edhe ne dobi nga pyetjet e dokumentuara në Bibël? Po. Kur pasi i dëgjojmë këto pyetje ndalemi e mendojmë, mund të kemi shumë dobi frymore. Pyetjet zhbiruese që gjenden në Fjalën e Perëndisë, e bëjnë atë më të fuqishme. Po, «fjala e Perëndisë . . . ushtron fuqi . . . dhe është në gjendje të dallojë mendimet dhe qëllimet e zemrës». (Hebr. 4:12) Por, që të nxjerrim sa më shumë dobi, kemi nevojë t’ia bëjmë vetes ato pyetje, sikur Jehovai të na pyeste personalisht. (Rom. 15:4) Le të shqyrtojmë disa shembuj.
«A nuk do të bëjë atë që është e drejtë Gjykatësi i gjithë tokës?» (Zan. 18:25) Abrahami i bëri këtë pyetje retorike Jehovait kur Ai do të gjykonte Sodomën dhe Gomorrën. Për Abrahamin ishte e pakonceptueshme që Jehovai të vepronte në mënyrë të padrejtë, pra të vriste të drejtin bashkë me të ligun. Pyetja e Abrahamit pasqyron besimin e tij të pakufishëm te drejtësia e Jehovait.
Sot, disa mund të kenë prirjen të hamendësojnë për gjërat që lidhen me gjykimet e ardhshme të Jehovait, si për shembull, cilët saktësisht do të mbijetojnë pas Harmagedonit dhe kush do të ringjallet. Në vend që t’i lejojmë këto mendime të na shqetësojnë, mund të kujtojmë pyetjen e Abrahamit. Kur e dimë se Jehovai është një Atë qiellor mirëdashës dhe kemi siguri të plotë te drejtësia e mëshira e tij, siç kishte Abrahami, nuk e harxhojmë kohën dhe energjitë në shqetësime të panevojshme, në dyshime që na dobësojnë besimin dhe në debate të padobishme.
«Kush nga ju, duke qenë në ankth, mund ta zgjatë sadopak jetën e vet?» (Mat. 6:27) Kur iu drejtua një turme të madhe, ku ishin edhe dishepujt, Jezui e përdori këtë pyetje për të theksuar nevojën që ta linin veten në duart e dashura të Jehovait. Ditët e fundit të këtij sistemi të lig sjellin shumë ankthe, por duke u përqendruar në to nuk do të na zgjatet jeta ose nuk do të na përmirësohet cilësia e saj.
Kurdoherë që jemi në ankth për veten ose për njerëzit tanë, sjellja ndër mend e pyetjes së Jezuit mund të na ndihmojë të kemi pikëpamjen e duhur ndaj gjërave për të cilat jemi në ankth. Ajo mund të na ndihmojë t’i ndalim shqetësimet dhe mendimet negative që na shterin mendërisht, emocionalisht dhe fizikisht. Siç na siguroi Jezui, Ati ynë qiellor i cili ushqen zogjtë e qiellit dhe vesh bimësinë e fushave, e di plotësisht se për çfarë kemi nevojë.—Mat. 6:26-34.
«A mund të grumbullojë një burrë zjarr në gji e të mos i digjen rrobat?» (Prov. 6:27) Nëntë kapitujt e parë të Proverbave përfshijnë ligjërata të shkurtra të një prindi që po i jep mençuri praktike të birit. Pyetja e përmendur më sipër i referohet pasojave të hidhura të kurorëshkeljes. (Prov. 6:29) Nëse bëhemi të vetëdijshëm se po flirtojmë ose jemi duke ushqyer ndonjë dëshirë të gabuar seksuale, kjo pyetje duhet të bjerë si një zile alarmi në mendjen tonë. Në parim, këtë pyetje çdokush mund t’ia bëjë vetes kurdoherë që tundohet të marrë një udhë jo të mençur. Sa qartë thekson ajo parimin praktik të Biblës: ‘Do të korrësh atë që do të mbjellësh!’—Gal. 6:7.
«Kush je ti, që të gjykosh shërbyesin e shtëpisë së një tjetri?» (Rom. 14:4) Në letrën drejtuar Romakëve, Pavli shqyrtoi probleme që lindën në kongregacionin e shekullit të parë. Disa të krishterë, ngaqë vinin nga kultura të ndryshme, kishin prirjen të gjykonin vendimet dhe veprimet e bashkëbesimtarëve. Pyetja e Pavlit u kujtoi atyre të mirëpritnin njëri-tjetrin dhe ta linin gjykimin në duart e Jehovait.
Po kështu edhe sot pjesëtarët e popullit të Jehovait kanë prejardhje të ndryshme dhe vijnë nga të gjitha shtresat shoqërore. Prapëseprapë, Jehovai na ka mbledhur bashkë dhe ky unitet është i çmuar. A kontribuojmë për forcimin e këtij uniteti? Nëse kemi prirjen të shprehim shpejt mosmiratimin tonë për mënyrën si ka vepruar në bazë të ndërgjegjes së vet një vëlla, sa e mençur do të ishte t’i bëjmë vetes pyetjen e mësipërme të Pavlit!
Pyetjet na afrojnë më shumë me Jehovain
Këta pak shembuj tregojnë fuqinë e pyetjeve që gjenden në Fjalën e Perëndisë. Shqyrtimi i çdo pyetjeje në kontekst, mund të na ndihmojë t’i zbatojmë praktikisht për rrethanat tona. Dhe, ndërsa lexojmë Biblën, do të vërejmë edhe pyetje të tjera të dobishme.—Shih kutinë në faqen 14.
Nëse i lejojmë të na prekin thellë pyetjet zhbiruese që gjenden në Fjalën e Perëndisë, kjo do të na ndihmojë që me mendje dhe zemër të jemi në përputhje me udhët e drejta të Jehovait. Pasi Jehovai e pyeti, Jobi tha: «Veç kisha dëgjuar për ty, por tani syri im të sheh.» (Jobi 42:5) Po, Jehovai ishte bërë më real për Jobin, sikur ta kishte para syve. Më vonë dishepulli Jakov u shpreh: «Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet.» (Jak. 4:8) Le ta lejojmë çdo pjesë të Fjalës së Perëndisë, përfshirë edhe pyetjet që gjenden në të, që të na ndihmojnë të rritemi frymësisht dhe ‘ta shohim’ Jehovain gjithnjë e më qartë!
[Kutia në faqen 14]
Si mund të të ndihmojnë këto pyetje të përvetësosh pikëpamjen e Jehovait?
▪ «A kënaqet Jehovai me blatimet e djegura dhe flijimet, aq sa kur i bindesh zërit të Jehovait?»—1 Sam. 15:22.
▪ «Ai që bëri syrin, vallë nuk mund të shikojë?»—Psal. 94:9.
▪ «Mos është, vallë, lavdi për njerëzit të kërkojnë lavdinë e vetes?»—Prov. 25:27.
▪ «A mendon se ke vërtet të drejtë të nxehesh kështu?»—Jon. 4:4.
▪ «Ç’dobi do të ketë njeriu nëse fiton gjithë botën, por humbet shpirtin e vet?»—Mat. 16:26.
▪ «Kush do të na ndajë nga dashuria e Krishtit?»—Rom. 8:35.
▪ «Ç’gjë ke ti që nuk e ke marrë?»—1 Kor. 4:7.
▪ «Ç’pjesë ka drita me errësirën?»—2 Kor. 6:14.
[Figura në faqen 15]
Çfarë mësoi Jobi nga pyetjet e Jehovait?