KAPITULLI 63
Jezui u jep këshilla të tjera apostujve
MATEU 18:6-20 MARKU 9:38-50 LUKA 9:49, 50
KËSHILLON TË MOS PENGOJMË TË TJERËT
KUR NJË VËLLA KRYEN MËKAT
Jezui sapo u ka mësuar dishepujve ç’qëndrim duhet të kenë. Duhet ta konsiderojnë veten si fëmijë, të parëndësishëm e pa ndonjë pozitë. Jezui u ka thënë edhe: «Kushdo që pranon një fëmijë të vogël si ky në emrin tim, më pranon edhe mua.»—Mateu 18:5.
Kohët e fundit apostujt kanë debatuar se kush është më i madhi, prandaj mund t’i marrin si korrigjim fjalët e Jezuit. Por tani apostulli Gjon tregon për diçka tjetër që ka ndodhur: «Pamë një njeri që dëbonte demonë në emrin tënd dhe u munduam ta pengonim, sepse ai nuk është me ne.»—Luka 9:49.
A mendon Gjoni se vetëm apostujt janë të autorizuar të shërojnë njerëzit e të dëbojnë demonët? Nëse është kështu, si atëherë ia del ky jude të dëbojë frymërat e liga? Me sa duket, Gjoni mendon se ky burrë nuk duhet të bëjë vepra të fuqishme ngaqë nuk shoqërohet me Jezuin dhe apostujt.
Për habinë e Gjonit, Jezui thotë: «Mos u mundoni ta pengoni, sepse nuk ka njeri që të bëjë një vepër të fuqishme në emrin tim, e fill pas kësaj të kthehet kundër meje; sepse kush nuk është kundër nesh, është me ne. Vërtet po ju them se ai që ju jep për të pirë një gotë ujë ngaqë i përkitni Krishtit, s’do ta humbasë kurrsesi shpërblimin e vet.»—Marku 9:39-41.
Në këtë moment, nuk është e domosdoshme që ky njeri të shoqërohet me Krishtin për të treguar se është në anën e tij. Kongregacioni i krishterë nuk është formuar ende, ndaj fakti që ai nuk udhëton me Jezuin s’do të thotë që është kundërshtar ose që po nxit fenë e rreme. Është e qartë që ky burrë ka besim tek emri i Jezuit dhe fjalët e Jezuit tregojnë se ai nuk do ta humbasë shpërblimin.
Nga ana tjetër, do të ishte diçka e rëndë nëse apostujt e pengonin këtë njeri me fjalët e veprimet e tyre. Jezui vëren: «Për këdo që pengon një nga këta të vegjël që kanë besim, do të ishte më mirë të vinte rreth qafës një gur të madh mulliri e të hidhej në det.» (Marku 9:42) Jezui vazhdon duke u thënë dishepujve që nëse diçka e shtrenjtë si dora, këmba apo syri u bëhet pengesë, duhet ta heqin. Më mirë pa këto gjëra që i kanë për zemër e të hyjnë në Mbretërinë e Perëndisë, sesa t’i mbajnë e të përfundojnë në Gehenë (Lugina e Hinomit). Me siguri, apostujt e kanë parë këtë luginë afër Jerusalemit ku digjen plehrat, ndaj e kuptojnë që ajo simbolizon shkatërrimin e përhershëm.
Jezui u jep edhe këtë paralajmërim: «Kini kujdes se mos përbuzni një nga këta të vegjlit, sepse po ju them se engjëjt e tyre në qiell shohin gjithnjë fytyrën e Atit tim.» Sa të çmuar janë këta ‘të vegjël’ për Atin e tij? Jezui tregon për një njeri që ka 100 dele, por njëra i humb. Ai i lë 99 delet për të kërkuar të humburën dhe, kur e gjen, gëzon më shumë për të sesa për 99 të tjerat. Jezui vazhdon: «Ati im që është në qiell, nuk dëshiron që asnjë nga këta të vegjlit të marrë fund.»—Mateu 18:10, 14.
Mbase duke pasur në mendje debatin e apostujve se kush është më i madhi, Jezui i nxit: «Kini kripë në jetën tuaj dhe ruani paqen me njëri-tjetrin.» (Marku 9:50) Kripa i jep lezet ushqimit. Kripa e figurshme bën që fjalët e dikujt të pranohen më kollaj, dhe kështu, ndryshe nga debatet, mund të na ndihmojë të ruajmë paqen.—Kolosianëve 4:6.
Ndonjëherë do të lindin çështje serioze, dhe Jezui tregon si të veprohet në këto raste. Ai thotë: «Nëse vëllai yt mëkaton kundër teje, shko, fol vetëm për vetëm me të dhe tregoji hapur ku ka gabuar. Në qoftë se të dëgjon, e fitove vëllanë tënd.» Po nëse nuk dëgjon? «Merr me vete edhe një ose dy të tjerë,—këshillon Jezui,—që çdo çështje të vendoset nga dëshmia e dy a tre dëshmitarëve.» Nëse as kjo nuk e rregullon situatën, duhet folur me «kongregacionin», pra me pleqtë përgjegjës që kanë autoritetin të marrin një vendim. Po nëse mëkatari nuk dëgjon akoma? «Le të jetë për ty tamam si një njeri nga kombet dhe si një taksambledhës», njerëz me të cilët judenjtë nuk duhet të shoqërohen.—Mateu 18:15-17.
Mbikëqyrësit e kongregacionit duhet t’i përmbahen ngushtësisht Fjalës së Perëndisë. Nëse gjykojnë se një mëkatar është fajtor dhe duhet disiplinuar, gjykimi i tyre do të pasqyrojë atë që ‘tashmë është lidhur në qiell’. Por, kur gjykojnë se është i pafajshëm, përsëri gjykimi i tyre do të pasqyrojë atë që ‘tashmë është zgjidhur në qiell’. Këto udhëzime do të hynin shumë në punë kur të formohej kongregacioni i krishterë. Për trajtimin e çështjeve të tilla serioze, Jezui thotë: «Atje ku janë dy ose tre të mbledhur bashkë në emrin tim, atje jam edhe unë, mes tyre.»—Mateu 18:18-20.